E hene, 29.04.2024, 12:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: “Mos harro se je njeri”, mesazhe dhe vlera

E diele, 01.11.2009, 06:18 PM


“Mos harro se je njeri”, mesazhe dhe vlera

 

Shënime rreth vëllimit me vjersha për fëmijë të Sazan Golikut

 

Nga Vangjush SARO

 

Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) sapo ka botuar për lexuesit e vegjël librin me vjersha “Mos harro se je njeri”. Ajo që të bie në sy menjëherë në vjershat e përmbledhura në këtë libër, është tematika e pasur dhe ndjeshmëria a më mirë prirja për mesazhe sa më bashkëkohore. Në librin e ri të Sazan Golikut, bota fëminore sillet në gjithë plotërinë e saj, nga episodet e thjeshta të jetës shkollore, deri te ëndërrimet për të zotëruar gjithësinë. Mund të ilustrohej kjo përmes vështrimit në dy prej krijimeve më të arrira të librit. Ndërsa te vjersha “Klasa e dashur” kemi një ndijesi tepër të njohur, një tablo që mund të përfytyrohet me lehtësi nga gjithkush, por gjithsesi me përjetime origjinale, te “Dy dëshira” autori pothuaj troket në ngastrat e letërsisë fantastiko-shkencore.

Veçmas vjersha “Klasa e dashur” na jep lëndë të flasim me simpatinë më të madhe për poezinë e Sazan Golikut, që në këtë vëllim kërkon një dimension të ri. “Klasa e dashur” është kujtim, është mbresë, shkon e vjen në kohë, mban në krahët e strofave përjetimet më të veçanta. Përdorimi i rimës së kryqëzuar ABBA, që shumë rrallë e qëllojnë poetët, i ka dhënë vjershës një ritëm të veçantë, por edhe njëlloj suspans-i. (Një nga një shokët, të qetë/ hyjnë në klasë. Është dita e parë./ Kjo betejë si ushtarë/ që të gjithëve na thërret.) Nga strofa në strofë, lexuesi ka kërshëri të dëgjojë ç’tjetër do të kujtojë e do të thotë autori për shkollën, klasën, shokët. Kjo vjershë do të nderonte çdo antologji.

Natyra ka qenë përherë një pikë referimi për poetët. Por nuk mund ta themi këtë për poezinë për fëmijë, që shumë ka çaluar prej vargëzimit të rastësive. Sazan Goliku ka bërë kujdes të vijë në vjershërimin për fëmijë edhe kjo temë e ngritur tashmë në kult. “Ne jemi natyra” është një vjershë e “gjelbër”, nëse mund të shprehemi kështu. Autori i fton fëmijët të vlerësojnë natyrën, pyjet; vjersha ka një ngarkesë ekologjike që nuk maskohet. Por autori nuk mjaftohet me kaq; edhe më shumë mjeshtëri poetike do të derdhë ai te vjersha “Në bregdet”. Është një poezi-peizazh, nga ato që i mungojnë krijimtarisë për të vegjëlit. Vjersha vizaton një ditë të bukur në bregdetin e Jonit. Përshkrimi i natyrës është i zakontë, por tepër i ndjerë dhe i ngopur në detaje. “Valët e detit shkumëbardha/ psherëtijnë te këmbët e mia,/ me hare disa pulëbardha/ rrahin krahët si shamia.” Në këtë peizazh, heroi i vjershës është sa adhurues i natyrës, po kaq edhe një zotërues i saj, që di të kërkojë dhe të gëzojë të mirat e pafundme. Ndonjë prej tyre ka të bëjë me peshkimin, një zanat sa edhe argëtim. “Në bregdet” është një nga vjershat e rralla për fëmijë, që vizaton kaq natyrshëm bukuritë e detit dhe zbulon përjetime të veçanta për lidhjet e ngushta të njeriut me natyrën. Kësaj të fundit, autori i thurr lëvdata të merituara edhe në vjershën tjetër me titull “Bukuria”: “Me degëve mes gjetheve këndojnë zogjtë pa ndalë./ O tinguj të magjepsur, që nënë Natyra fal.”

Një vend të merituar në vëllim zë tema atdhetare. Autori i këndon me patos pavarësimit të Kosovës (“Këngë për Kosovën e lirë”); vjen me një vjershë krejt të veçantë për patriotin Said Najden Dibrani; shkruan thjesht e në strofa të ndriçuara fort, kujtimin e priftit-mësues Spiro Kume; (“Çelnin shkronjat lulekuqe”).

Në këtë vëllim, Sazan Goliku ka trajtuar edhe tema sociale, që shqetësojnë gjithë shoqërinë. Në një nga vjershat më të arrira në këtë temë, ai këndon fatin e një fëmije lypsar, që përfundon tragjikisht. Edhe pse me pak vargje, “Balada e lypsarit të vogël” përcjell një histori njerëzore mjaft prekëse, përmes një subjekti të pacensuruar. Balada siç dihet është një nga llojet e poezisë lirike; por teksti mund të shihej në mënyrë pragmatiste edhe me syrin e një kineasti. “Balada e lypsarit të vogël” është një nga krijimet më të arrira të vëllimit.  

Në libër, shpesh autori lodron edhe me tema disi më intime, nganjëherë të thurrura me humor dhe duke stigmatizuar gjendje apo personazhe të përzgjedhura nga jeta e përditshme. Te vjersha “Filatelisti dhe mësimi i gjeografisë” autori e përqesh dhe njëherësh e edukon mikun e tij të vogël, protagonist të kësaj vjershe. Në të tilla krijime, forca e humorit e shtyn tutje maninë e moralizimit dhe krijon një gjendje artistike interesante. Teksti kumton aq sa duhet dhe njëkohësisht të bën të vësh buzën në gaz, por edhe të mendohesh. “Kur gabimi përsëritet” gjithashtu është një vjershë me tone humoristike, një zhanër që fëmijët e pëlqejnë. Në këtë të fundit dhe në mjaft krijime të tjera, si për shembull vetë vjersha që ka titulluar librin, “Mos harro se je njeri”, bie në sy njëlloj fryme moralizuese; edhe pse poezia ka sens qytetar dhe këndon një apel shumë të munguar në kohë. Gjithsesi, është një çështje për të cilën ka mendime të ndryshme. Natyrisht, kjo temë nuk mund të shtjellohet në pak radhë. Fryma moralizuese nuk përbën ndonjë dobësi apo mëkat në fushën e letrave; përpjekjet për ta fshehur qëllimin dhe për t’i zbehur nevojat për mesazhe të drejtpërdrejta, nganjëherë e bën të mefshtë dhe jokomunikuese letërsinë, sidomos atë për fëmijë.

Ndër vjershat që druaj se mund ta lënë të ftohtë lexuesin, janë “Ku jeton libri” dhe “Në ditën e mbylljes së vitit shkollor”. E para, megjithëse më një titull të bukur, nuk sjell emocionet e premtuara (në atë titull). Mandej, përveçse disi e stërzgjatur dhe moralizuese, druaj se vuan edhe nga probleme teknike, një gjë fort e rrallë për poezinë e Golikut. (Erdhi ditë e parë e shkollës/ dhe një fjalë ul këmbëkryq./ Qenka libri, libri, libri! Vezulloi jetë e dritë.) Po ashtu, autori mund të kishte treguar më shumë vëmendje për krijimin “Në ditën e mbylljes së vitit shkollor”, që vuan të njëjtat mungesa. (Se mësuam mirë/ se urtë qëndruam,/ kryelartë ne jemi,/ veten e nderuam…)

Duke kërkuar të qasemi edhe më tej në çështje të formës artistike, mund të thuhet se Goliku është një nga krijuesit që i përkasin shkollës realiste; paçka se në disa nga rrëfenjat e tij, sidomos në prozë, është përpjekur të notojë edhe në “ujëra të” tjera. Autori nuk konsumon energji për të na habitur me maniera. Ai shkruan thjesht dhe me vërtetësi. Më shpesh operon me figurat stilistike më të preferuara për lëvruesit e poezisë, epiteti dhe metafora; por e përdor dendur edhe krahasimin, madje tenton ndonjëherë edhe similitudën. Vjershat e tij për fëmijë përgjithësisht janë tekste të thjeshta, të thurrura - në dukje - me njëlloj lehtësie, por që mbartin përjetime mjaft origjinale dhe tregojnë për një përvojë të gjatë letrare. Po kujtoj një përcaktim mjaft profesional të shkrimtarit Agim Deva për autorin: “Sazan Goliku i njeh mirë koridoret nëpër të cilat komunikon suksesshëm me lexuesin e vet, e kjo është parakusht, domosdoshmëri dhe vlerë, pa të cilën një vepër nuk mund ta rrojë jetën e vet, ashtu si e kërkon arti letrar.”

Një gjë tjetër që të bën përshtypje te ky vëllim poetik, është përdorimi i disa forma të pjesores së gegërishtes; në pamje të parë, duket sikur ato janë kërkuar për hir të rimës. “Mes degëve mes gjetheve këndojnë zogjtë pa ndalë./ O tinguj të magjepsur, që nënë Natyra fal.” Ose: “Si pallat i pambaruar/ ky ushtrimi seç ka mbet…” Na duket se është fjala për t’i thyer disa korniza. Së pari, ka ardhur koha që gjuha standarte të rishikojë me të vërtetë marrëdhëniet brenda vetes e mes të folmeve kryesore në Shqipëri, në sensin e zgjerimit të kufijve gramatikorë dhe të pasurimit të shprehive. Në këtë vështrim, po flasim vetëm për këtë rast, pjesoret e shkurtuara sipas gegërishtes, sjellin një kolorit të veçantë. Së dyti, në kontekstin poetik, vlera e tyre është më se e justifikuar, kur dihet që poezia është e përkorë dhe ndërtohet me pak fjalë, me detaje të kursyera, “rudhja” e gojës e bën më të kuptueshme brishtësinë e saj si gjini.

Pa pretenduar shterimin e problematikave të këtij libri dhe të poezisë për fëmijë në tërësi, mund të thuhet me bindje që “Mos harro se je njeri” e pasuron edhe më tej biografinë letrare të autorit. Në të njëjtën kohë, libri është një prurje me interes për poezinë shqipe për fëmijë, sa i takon tematikës shumëngjyrëshe dhe teknikave (le të themi) antologjike, që ai përdor edhe në këtë vëllim poetik të fundit.

 

 

 

 

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora