| E diele, 01.11.2009, 06:18 PM |
Shënime rreth
vëllimit me vjersha për fëmijë të Sazan Golikut
Nga Vangjush
SARO
Shkrimtari dhe studiuesi i
njohur Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) sapo ka botuar për lexuesit e
vegjël librin me vjersha “Mos harro se je njeri”. Ajo që të bie në sy menjëherë
në vjershat e përmbledhura në këtë libër, është tematika e pasur dhe
ndjeshmëria a më mirë prirja për mesazhe sa më bashkëkohore. Në librin e ri të
Sazan Golikut, bota fëminore sillet në gjithë plotërinë e saj, nga episodet e
thjeshta të jetës shkollore, deri te ëndërrimet për të zotëruar gjithësinë.
Mund të ilustrohej kjo përmes vështrimit në dy prej krijimeve më të arrira të
librit. Ndërsa te vjersha “Klasa e dashur” kemi një ndijesi tepër të njohur,
një tablo që mund të përfytyrohet me lehtësi nga gjithkush, por gjithsesi me
përjetime origjinale, te “Dy dëshira” autori pothuaj troket në ngastrat e
letërsisë fantastiko-shkencore.
Veçmas
vjersha “Klasa e dashur” na jep lëndë të flasim me simpatinë më të madhe për
poezinë e Sazan Golikut, që në këtë vëllim kërkon një dimension të ri. “Klasa e
dashur” është kujtim, është mbresë, shkon e vjen në kohë, mban në krahët e
strofave përjetimet më të veçanta. Përdorimi i rimës së kryqëzuar ABBA, që
shumë rrallë e qëllojnë poetët, i ka dhënë vjershës një ritëm të veçantë, por
edhe njëlloj suspans-i. (Një nga një shokët, të qetë/ hyjnë në klasë. Është
dita e parë./ Kjo betejë si ushtarë/ që të gjithëve na thërret.) Nga strofa në
strofë, lexuesi ka kërshëri të dëgjojë ç’tjetër do të kujtojë e do të thotë
autori për shkollën, klasën, shokët. Kjo vjershë do të nderonte çdo antologji.
Natyra ka
qenë përherë një pikë referimi për poetët. Por nuk mund ta themi këtë për
poezinë për fëmijë, që shumë ka çaluar prej vargëzimit të rastësive. Sazan
Goliku ka bërë kujdes të vijë në vjershërimin për fëmijë edhe kjo temë e
ngritur tashmë në kult. “Ne jemi natyra” është një vjershë e “gjelbër”, nëse
mund të shprehemi kështu. Autori i fton fëmijët të vlerësojnë natyrën, pyjet;
vjersha ka një ngarkesë ekologjike që nuk maskohet. Por autori nuk mjaftohet me
kaq; edhe më shumë mjeshtëri poetike do të derdhë ai te vjersha “Në bregdet”.
Është një poezi-peizazh, nga ato që i mungojnë krijimtarisë për të vegjëlit.
Vjersha vizaton një ditë të bukur në bregdetin e Jonit. Përshkrimi i natyrës
është i zakontë, por tepër i ndjerë dhe i ngopur në detaje. “Valët e detit
shkumëbardha/ psherëtijnë te këmbët e mia,/ me hare disa pulëbardha/ rrahin
krahët si shamia.” Në këtë peizazh, heroi i vjershës është sa adhurues i
natyrës, po kaq edhe një zotërues i saj, që di të kërkojë dhe të gëzojë të
mirat e pafundme. Ndonjë prej tyre ka të bëjë me peshkimin, një zanat sa edhe
argëtim. “Në bregdet” është një nga vjershat e rralla për fëmijë, që vizaton
kaq natyrshëm bukuritë e detit dhe zbulon përjetime të veçanta për lidhjet e
ngushta të njeriut me natyrën. Kësaj të fundit, autori i thurr lëvdata të
merituara edhe në vjershën tjetër me titull “Bukuria”: “Me degëve mes gjetheve
këndojnë zogjtë pa ndalë./ O tinguj të magjepsur, që nënë Natyra fal.”
Një vend të
merituar në vëllim zë tema atdhetare. Autori i këndon me patos pavarësimit të
Kosovës (“Këngë për Kosovën e lirë”); vjen me një vjershë krejt të veçantë për
patriotin Said Najden Dibrani; shkruan thjesht e në strofa të ndriçuara fort,
kujtimin e priftit-mësues Spiro Kume; (“Çelnin shkronjat lulekuqe”).
Në këtë
vëllim, Sazan Goliku ka trajtuar edhe tema sociale, që shqetësojnë gjithë
shoqërinë. Në një nga vjershat më të arrira në këtë temë, ai këndon fatin e një
fëmije lypsar, që përfundon tragjikisht. Edhe pse me pak vargje, “Balada e
lypsarit të vogël” përcjell një histori njerëzore mjaft prekëse, përmes një
subjekti të pacensuruar. Balada siç dihet është një nga llojet e poezisë
lirike; por teksti mund të shihej në mënyrë pragmatiste edhe me syrin e një
kineasti. “Balada e lypsarit të vogël” është një nga krijimet më të arrira të
vëllimit.
Në libër,
shpesh autori lodron edhe me tema disi më intime, nganjëherë të thurrura me
humor dhe duke stigmatizuar gjendje apo personazhe të përzgjedhura nga jeta e
përditshme. Te vjersha “Filatelisti dhe mësimi i gjeografisë” autori e përqesh
dhe njëherësh e edukon mikun e tij të vogël, protagonist të kësaj vjershe. Në
të tilla krijime, forca e humorit e shtyn tutje maninë e moralizimit dhe krijon
një gjendje artistike interesante. Teksti kumton aq sa duhet dhe njëkohësisht
të bën të vësh buzën në gaz, por edhe të mendohesh. “Kur gabimi përsëritet”
gjithashtu është një vjershë me tone humoristike, një zhanër që fëmijët e
pëlqejnë. Në këtë të fundit dhe në mjaft krijime të tjera, si për shembull vetë
vjersha që ka titulluar librin, “Mos harro se je njeri”, bie në sy njëlloj
fryme moralizuese; edhe pse poezia ka sens qytetar dhe këndon një apel shumë të
munguar në kohë. Gjithsesi, është një çështje për të cilën ka mendime të
ndryshme. Natyrisht, kjo temë nuk mund të shtjellohet në pak radhë. Fryma
moralizuese nuk përbën ndonjë dobësi apo mëkat në fushën e letrave; përpjekjet
për ta fshehur qëllimin dhe për t’i zbehur nevojat për mesazhe të
drejtpërdrejta, nganjëherë e bën të mefshtë dhe jokomunikuese letërsinë,
sidomos atë për fëmijë.
Ndër vjershat
që druaj se mund ta lënë të ftohtë lexuesin, janë “Ku jeton libri” dhe “Në
ditën e mbylljes së vitit shkollor”. E para, megjithëse më një titull të bukur,
nuk sjell emocionet e premtuara (në atë titull). Mandej, përveçse disi e
stërzgjatur dhe moralizuese, druaj se vuan edhe nga probleme teknike, një gjë
fort e rrallë për poezinë e Golikut. (Erdhi ditë e parë e shkollës/ dhe një
fjalë ul këmbëkryq./ Qenka libri, libri, libri! Vezulloi jetë e dritë.) Po
ashtu, autori mund të kishte treguar më shumë vëmendje për krijimin “Në ditën e
mbylljes së vitit shkollor”, që vuan të njëjtat mungesa. (Se mësuam mirë/ se
urtë qëndruam,/ kryelartë ne jemi,/ veten e nderuam…)
Duke kërkuar
të qasemi edhe më tej në çështje të formës artistike, mund të thuhet se Goliku
është një nga krijuesit që i përkasin shkollës realiste; paçka se në disa nga
rrëfenjat e tij, sidomos në prozë, është përpjekur të notojë edhe në “ujëra të”
tjera. Autori nuk konsumon energji për të na habitur me maniera. Ai shkruan
thjesht dhe me vërtetësi. Më shpesh operon me figurat stilistike më të
preferuara për lëvruesit e poezisë, epiteti dhe metafora; por e përdor dendur
edhe krahasimin, madje tenton ndonjëherë edhe similitudën. Vjershat e tij për
fëmijë përgjithësisht janë tekste të thjeshta, të thurrura - në dukje - me
njëlloj lehtësie, por që mbartin përjetime mjaft origjinale dhe tregojnë për
një përvojë të gjatë letrare. Po kujtoj një përcaktim mjaft profesional të
shkrimtarit Agim Deva për autorin: “Sazan Goliku i njeh mirë koridoret nëpër të
cilat komunikon suksesshëm me lexuesin e vet, e kjo është parakusht,
domosdoshmëri dhe vlerë, pa të cilën një vepër nuk mund ta rrojë jetën e vet,
ashtu si e kërkon arti letrar.”
Një gjë
tjetër që të bën përshtypje te ky vëllim poetik, është përdorimi i disa forma
të pjesores së gegërishtes; në pamje të parë, duket sikur ato janë kërkuar për
hir të rimës. “Mes degëve mes gjetheve këndojnë zogjtë pa ndalë./ O tinguj të magjepsur, që nënë Natyra fal.” Ose: “Si
pallat i pambaruar/ ky ushtrimi seç ka
mbet…” Na duket se është fjala për
t’i thyer disa korniza. Së pari, ka ardhur koha që gjuha standarte të rishikojë
me të vërtetë marrëdhëniet brenda vetes e mes të folmeve kryesore në Shqipëri,
në sensin e zgjerimit të kufijve gramatikorë dhe të pasurimit të shprehive. Në
këtë vështrim, po flasim vetëm për këtë rast, pjesoret e shkurtuara sipas
gegërishtes, sjellin një kolorit të veçantë. Së dyti, në kontekstin poetik,
vlera e tyre është më se e justifikuar, kur dihet që poezia është e përkorë dhe
ndërtohet me pak fjalë, me detaje të kursyera, “rudhja” e gojës e bën më të
kuptueshme brishtësinë e saj si gjini.
Pa pretenduar
shterimin e problematikave të këtij libri dhe të poezisë për fëmijë në tërësi,
mund të thuhet me bindje që “Mos harro se je njeri” e pasuron edhe më tej
biografinë letrare të autorit. Në të njëjtën kohë, libri është një prurje me
interes për poezinë shqipe për fëmijë, sa i takon tematikës shumëngjyrëshe dhe
teknikave (le të themi) antologjike, që ai përdor edhe në këtë vëllim poetik të
fundit.