E premte, 02.05.2025, 12:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Lirika “Nji lule vjeshtet” e At Gjergj Fishtës

E shtune, 31.10.2009, 07:29 PM


Lirika “Nji lule vjeshtet” e At Gjergj Fishtës

Nga Ndue Ukaj

Teksti poetik “Një lule vjeshtet” është poezia tipologjikisht më lirike në korpusin e përgjithshëm të autorit, jo vetëm si status tematik, por edhe si ligjërim i brendshëm, në të cilën autori nga institucioni i tekstit me kode tematike nacionale e gjuhë mashkullore, lëviz në trajtat subtile, ku spikatet malli, dhembja, adhurimi e ndenja e mërzisë. Diskursi i kësaj vjershe është elegjiak, i përshkuar me nuanca dhembjeje, malli e mërzie. Në këtë poezi, më tepër se në çdo tekst tjetër letrar, autori del në furtunat thellësisht subtile të letërsisë, duke krijuar një tip shkrimi autoreferencial, ku ai tanimë ka përballë një objekt që i shkakton mërzi, mall e adhurim dhe që e bëjnë thellësisht të jetë i frymëzuar për të shpërthyer. Përderisa në epikë e diskurse të tjera letrare, autori kur kërkon bashkëbiseduesin fiktiv, atë e sheh te Zana, në këtë lirikë, shpërthimet autoriale ndërrojnë referencën shenjëzuese. Dhe sipas Kujtim M. Shalës te Nji lule vjeshtet, Zana është kulturë (si shenjë konvencionale e religjionit: Kryq e Engjëlli i Zotit). Kjo lëvizje strategjike poetike, nënkupton edhe tjetërsimin e diskursit dhe gjuhës. Autori tanimë nuk mitizon Atdheun e as nuk e satirizon, mirëpo përsiat për njeriun, të shuar, pranë varrit të frikshëm. Duke pasur një shkrirje mes subjektit e objektit, në këtë, tekst autori del më subtil se kudo në krijimtarinë e tij artistike, tekst ky që është i përshkuar nga ndjenja malli e dhembje, nga ndjenja të mërzisë së thellë të një humbje që ja trondit shpirtin para një varri që sundon idenë e bukurisë së venitur sikurse lulja e verës në vjeshtën me shi. Sipas komentuesit të poezisë lirike të Fishtës, Atë Viktor Volajt, poeti s’ka mujtë me përdorë nji metaforë ma të njëmendshme e të pershatun, per të paraqitun vendin e vorreve si n’atë rrah të lekne. Shenjat e tekstit dhe toposet e fuqishme, fizike e metafizike dëshmojnë se, këtu autori lëviz nga tipi i letërsisë së tij. Kjo lirikë e fuqishme personale, ndërton çuditërisht një marrëdhënie bashkëfajësie, siç shkruan Aurel Plasari me një objekt dhe së këndejmi shtron çështje metafizike për fenomenin e vdekjes, që tipizohet me një njeri të vdekur, që ishte i dashur i poetit. Ka pasur studiues të ndryshëm që te kjo poezi kanë kërkuar temën e dashurisë profane, duke nënkuptuar një objekt femre, së cilës i këndon Fishta. Mirëpo, në këtë aspekt na ndihmon një mendim i njohësit të poezisë lirike së autorit, Mark Ndoja i cili thotë se, edhe sikur “të mos e kishte pengue, zhguni i fratit, Fishta shumë-shumë do të kishte ndërrue objekt... por kurrë jo qëndrimin e vet subjektiv”. Dhe tani shtrohet për diskutim, cili është ky qëndrim subjektiv? Ne mendojmë se këtu është prirja e autorit për të përjetësuar në fjalën artistike ndjesitë e njeriut të përvëluar nga dashuria për jetën, si një element i fuqishëm i transfiguruar në art. Në fakt, ky qëndrim subjektiv i autorit, është në koherencë me letërsinë e tij, në të cilën Fishta del një natyrë thellësisht dashuruese, adhuruese. A nuk është ky autor që dashuron atdheun dhe për të kërkon vetëflijim në lirikë e epikë? Këtë soj toposesh tematik e diskursesh e gjejmë edhe në lirikën atdhetare, mirëpo autori aty adhurimin, dashurinë e mallin për një Shqipëri si Eden të Ballkanit e tjetërson me nxitjen e kujtesës historike, duke stimuluar të kohshmen e autorit. Dhe mërzia e trondit, prandaj edhe shpërthen jo rrallëherë, në diskurs satirik, krijon situata groteske. Është debatuar shumë, lidhur me kontekstin e kësaj poezie, nëse në të, ka shenja eksplicite që nënkuptojnë relacionin e Subjektit me një Objekt femre, së cilës autori i këndon me mall. Është përpjekur nga studiues të ndryshëm të gjendet ndonjë Laurë a Beatriçe te kjo poezi e poetit, mirëpo, si objekt a relacion ndërtekstor, kjo përbën pak rëndësi, sepse relevante është poezia si krijesë gjuhësore e mrekullueshme, e stilizuar dhe e shkruar me frymëzim të thellë poetik.

Teksti poetik është i motivuar nga një qenie e vdekur. Kjo trajtë e motivueshme e then edhe gjuhën autoriale, të karakterizuar nga kodet atdhetare, morale, etike. Madje, vetë fakti se autori gjendet para një të vdekuri, nënkupton tjetërsimin e trajtës ligjërimore, ngase vdekja e cyt në butësinë e gjuhës, në gjetjet poetike subtile e të amshueshme. Tanimë para lexuesit gjendet një tekst ambiguel, një lirikë me tema e motive të lëvizshme në hartën universale të shpirtit të njeriut, mes qiellit e tokës. Poezia është e ndërtuar me atribute të fuqishme e dridhmuese, të cilat variojnë dhe krijojnë topose të veçanta letrare, ku gravitojnë figura të tmerrshme tokësore, si vdekja dhe pamja fizike e saj, deri ato të katharsisit moral e religjioz, që identifikohet përmes shpirtit dhe parajsës. Kësaj qenie të dashtun të autorit i janë “sosun fjalët e ëmbla e plot urti”. Pas këtyre vargjeve, mund të lexojmë një çfarësim të temës së poezisë, që për objekt ka një qenie të nalt, e cila për virtyt kishte urtësinë. Duke e njohur konstitucionin shpirtëror të kohës dhe statusin e letërsisë së Fishtës, neve vetvetiu na shtrohet pyetja, vallë mund të jetë kjo qenie një femër? Empiria le shumë hamendësime, mirëpo thellësisht këtu autori qartëson një segment tematik që lidhet me një të urtë. Dhe ai mund të jetë ndonjëri nga bashkëvëllezërit e tij meshtar. Mirëpo, duke e tejkaluar këtë dimension të kërkimeve letrare, e rëndësishme është se kjo poezi për substancë ka dhembjen për kalueshmërinë e njeriut, një dhembje kjo që sfidohet përmes artit dhe përjetësimit të aktit me vargje, një qenie që “Sa t’bjerë dielli e tokës ke me t’u kndue”. Në vargjet e fundit të vjershës, poetit pas numërimit të meritave të njeriut që e ka objekt letrar, me një pietet, çlirohet, sepse ai gjithmonë ka mu kënduar në tokë, ndërsa i vdekuri do të gëzoj jetën qiellore. Këto vargje, për mendimin tim tejkalojnë përpjekjet për të gjet në këtë lirikë një qenie hipotetike femër, ngase autori këtu këndon për një personalitet dhe, ai, mbase mund të jetë ndonjëri, sikurse ta zëmë A. Anton M. Xanononi a Alios Paliq i vrarë. Si shembull, këto dy figura françeskane, poeti i këndon edhe në poezi tjera me dhembshuri të thellë.

Vetë titulli i vjeshtës implikon dhembjen si metaforë krahasuese poetike, përballë një bukurie të venitur. Duke u venit lulja/objekti i poetit, thellohet malli dhe shpërthejnë vargjet që kanë një status të thellë përkushtues. Autori ndërton dialog me qenien fizike që shkrihet në përjetësi, mirëpo që mbrapa ka lënë mall e adhurim. Teksti ndërtohet me figura të që tipizojnë sekuenca të dhimbjes, ku tipizohet varri, i errshshëm sa të trand shpirtin, njeriu i bërë pluhur, mbi të cilin shënjohet përjetësia përmes një kryqi, si simbol e kod religjioz. Dhe ku këndojnë hutat. Këto janë imazhe të tmerrshme, të cilat autori i transfiguron në tekst me një diskurs thellësisht subtil, ku gërshetohen dhembja dhe mërzia me kujtimin dhe përjetësinë. Kjo përjetësi vjen nga statusi religjioz që merr teksti, ku autori ndërfut Engjëllin si simbolin e lumturisë së amshueshme dhe Ungjillin ku konstruktohet ky projeksion moral. Autori në gjitha nivelet e dhembjes, nuk humb toruan dhe shpreh bindjet religjioze se njeriu i dashtun është “N’prehen t’Amëshuemit “ është duke gëzuar lumturinë qiellore për punët e mira që ka bë në tokë. Prandaj edhe teksti motivon intencën, si esencë të një malli që gjen prehjen: “S’kje toka, jo, për ty kje qiella”. Këtë status poetik autori e artikulon duke mbrojtur dhe theksuar idenë intencionale se çdo bukuri mbaron, mirëpo mbrapa rri jeta qiellore, e cila është vegullim i të mirave të amshueshme, është pra, ngushëllim që e bënë autorin të prehet i qetë në dhembjen e tij. Në gjithë këtë mjegullnajë kërkimesh, një mendim i Lasgush Poradecit duket se kthjell shumë mendjet e preokupuara me gjetjen e objektit të kësaj poezie: “Artisti i vërtetë s’pyet që ku e nxjerr lëndën brute të krijimeve të tija; ay pyet: A ka realizuar prej asaj lënde brute një vepër origjinale, të re, të fuqishme, plot ekspresivitet vetjak?” Ky mendim më duket është tejet adekuat për kontekstin e këtij interpretimi dhe kësaj lirike brilante. Pa marrë parasysh objektin letrar, në është në këtë vjershë një Laurë a një Frat i vrarë, apo në është një shpërthim imagjinate e kulluar e poetit përballë fenomenit të vdekjes, ky tekst është një realizim i mirëfilltë artistik, një vjershë brilante ku ndjehen drithërimat e shpirtit të trazuar dhe ku kumbojnë figurat e gjetura artistike. Nji lule vjeshtet është një ndër krijimet më të bukura në letërsinë shqipe, ku figuracioni i mahnitshëm stilistik, ecën paralelisht me toposet tematike dhe temat që shtjellon, një poezi thellësisht e motivuar, që përsiat për të bukurën, vdekjen, mallin, dashurinë e kujtimet, për moralin dhe përjetësinë, të përfytyruara nga dora e krijuesit të rryer në fushën e artit të fjalës që di të pikasë me ngjyra e imazhe subtile, ndjesimet më të holla të njeriut, duke e ditur se lirika është një ndrydhje në vete pa pasur nevojë për qartësim të objektit.

Përkundër gjitha relevancave jashta letrare që mund të implikohen në lidhje me këtë tekst, qëndron një kryerelevancë dhe ndërlidhet me atë se ky krijim letrar është një margaritar poetik i shenjueshëm në krejt letërsinë shqipe.

(Pjese nga nje studim me i gjate)


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx