Kulturë
Dhurata Hamzai: Francis Chenot, një poet belg në kërkim të poezisë arbëreshe
E diele, 01.11.2009, 04:18 AM
Ne javen Poeteka, Durres
1- Francis Chenot, ky poet i urtë belg, tashmë është në
kërkim të poezisë arbëreshe, të cilën e konsideron si degë të domosdoshme për
t’iu bashkuar poezisë botërore, dhe poezia arbëreshe do të përshtatet prej tij
në frëngjisht, falë njohjes dhe përkushtimit të veçantë. Natyrisht që është
emocionuese, kur mëson se poezitë e gjuhës tënde do të jenë edhe në duart e
lexuesit belg
2- Dhe ajo që ndjen çdo njeri është shumë speciale.
Poetët kanë mike metaforën për ta shprehur. Poezia është diçka përtej gjuhës,
është gjuha e munguar, gjuha e ankthit, e pasigurisë, prandaj poetët kanë mike
metaforën, dinë ta përdorin atë dhe prandaj janë poetë dhe munden në një farë
mënyre ta thonë, por rrallë herë në mënyrë të plotë
Francis Chenot, një poet belg në kërkim të poezisë arbëresheFrancis Chenot
Nga Dhurata Hamzai
-Kjo intervistë i është marrë poetit belg, Francis Chenot,
si pjesëmarrës në edicionin e 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë
POETEKA, që u zhvillua këtë vit në Durrës nga data 21 deri më 27 shtator
2009
“Për të portretizuar me pak rreshta poetin Francis
Chenot, është më e udhës skicimi i heshtjes dhe vetmisë. Prej këtij binomi të çuditshëm
lind poezia e tij, imazh i pandarë prej truallit të Ardenne-s, krahinës belge
ku Chenot ka lindur...”, shkruhet për të në revistën “Poeteka”, Nr.15, Vjeshtë
2009.
Nëse lexon poezitë e tij, vëren trishtimin e një skeptiku
të pandreqshëm që nuk i sjell mërzi, megjithatë, askujt. Ajo që ai ndjen është
një mënyrë të pari e botës, krejt e ndryshme nga të tjerët, por pa e shprishur
dhe trazuar larminë e ndjesive dhe ideve. Është pak i çuditshëm poeti Chenot,
një njeri i rrahur nga jeta dhe aktivist, me të njëjtën madhështi sa ai është i
qetë dhe i heshtur. Duke u marrë me poezi, gazetari, kritikë e përkthim, Chenot
ka një parim të vetin dhe një muzë të veçantë frymëzuese. “Jo t’i vihesh udhëtimit,
por t’i vihesh dyshimit, edhe pse nuk ka dhënë as më të voglin element të përgjigjes.
Poema mundet fare mirë t’i ndih formulimit të pyetjeve. Dyshimi është një uri në
vetvete”, thotë ai.
Tek poema e tij “Udhë dyshimi” ai shprehet përmes
vargjeve se:
“Rrugës duke ecur
mbi dyshimin
Nuk do të arrijmë ndoshta
asgjëkund
Por ç’rëndësi ka:
Ne dyshonim!”
Poeti belg Francis Chenot nuk është besimtar, është një poet
rebel, nuk beson në Zot dhe tek poezia ai beson çuditërisht më tepër. Ka një
besim të përunjur pikërisht ndaj poezisë, ashtu siç ka një besim të përunjur edhe
tek qenia njerëzore. Tek fuqia e njeriut, po, ai beson. Vetëm tek njeriu Chenot
beson, ai pret që gjithë të mirat nga ai të vinë. Mendon se vetëm njeriu ka
forcën të shndërrojë gjithçka.
“Midis krenarisë së metaforave
Dhe ujit të gjallë të përunjësisë
Të zgjedhësh se ku do të pijë poema
Kjo etje në pafundësi…”,
janë fjalët e një poezie të tij.
Është një personalitet që ka plot kërshëri për poezinë
dhe frymëzohet prej saj. I magjepsur pas detajeve dhe zejeve poetike, poeti Chenot
nuk kishte si të mos shfrytëzonte rastin për të ardhur dy vjet rresht në një festival
poezie, duke i shtuar herës së dytë edhe një mision interesant. Ai ishte i
pranishëm në dy edicionet e fundit të Festivalit Ndërkombëtar “Poeteka” që
zhvillohet në Durrës dhe duke e parë sërish aty, nuk të linte kurioziteti pa e
pyetur se pse e bëri këtë; të ishte kjo një mbresë e madhe që pati nga
festivali i kaluar, gjë që ka ndodhur edhe tek poetë të tjerë, apo diçka më tepër?!
Ishte kurioziteti që na shtyu t’ia bënin këtë pyetje dhe zbuluan edhe misionin
e tij interesant. Në intervistën që dha gjatë ditëve të festivalit për gazetën “TemA”,
ai na shfaqi një interes që na habiti jo pak. Francis Chenot, ky poet i urtë belg,
tashmë është në kërkim të poezisë arbëreshe, të cilën e konsideron si degë të
domosdoshme për t’iu bashkuar poezisë botërore, dhe poezia arbëreshe do të përshtatet
prej tij në frëngjisht, falë njohjes dhe përkushtimit të veçantë. Natyrisht që është
emocionuese kur mëson se poezitë e gjuhës tënde, do të jenë edhe në duart e
lexuesit belg. Protagonisti i kësaj vepre tashmë zgjon më shumë interes si
personalitet edhe për lexuesin shqiptar, përveç atij interesi që ai pat ndezur
vite e vite me radhë në mesin e krijuesve europiane me poezitë dhe shkrimet e
tij, botuar gjithandej.
Francis Chenot u lind më 1942, më Petitvor, Ardenne,
Belgjikë. Kritika e përshkruan thelbin e tij me këto fjalë: “Poet, prozator dhe
botues, Chenot ka marrë nga vendlindja e tij, heshtjen gati si një institucion
të ekzistencës së tij dhe botës së cilës i përket, ai ka trashëguar si rrjedhim
ekonominë e fjalëve”. Drejtor i revistës “Arbre la paroles”, përkthyes në frëngjisht
prej spanjishtes dhe portugalishtes, ai është gjithashtu përshtatës në frëngjisht
i poezisë shqipfolëse, e përkthyer prej mikut të tij Vasil Çapeqi që jeton në
Belgjikë. Është një nga poetët që ka një aktivitet shumë të pasur shoqëror. Në
vitin 1964, Francis Chenot takohet me Francesko Tessarolon, dhe fryt i këtij
takimi është themelimi i “Maison de la Poesie d’Amay” (Shtëpia e poezisë e
Amay-t), revistë poetike dhe veprimtari e shtrirë përgjatë gjithë vitit, e cila
vazhdon t’i qëndrojë kohës. Në dyzet vjet krijimtari, Francis Chenot ka botuar
rreth 20 përmbledhje me poezi, si “Memoire de shiste” dhe “Le principe de
solitude” (Parimi i vetmisë), e më pas “Bucheronner
le silence”. “Udhë dyshimi” titullohet përmbledhja e fundit poetike (akoma e
pabotuar) e Francis Chenot, një pjesë të së cilës ai e paraqit për herë të parë
në revistën “Poeteka”.
Intervista
Dhurata
Hamzai: Zoti Chenot, jemi kuriozë të dimë se pse ju erdhët për të dytin vit
radhazi në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, POETEKA që zhvillohet në Durrës?
Francis Chenot: -Mua më shtyu një projekt madhor, përgatitja
e një antologjie me poezi që titullohet “Poemat e Arbërisë”. Janë poezi shqipe
të përkthyera, ku në të nuk do të përfshihen vetëm poetët e Shqipërisë, por
edhe poetët arbëreshë, edhe poetët shqiptarë nga Maqedonia, Kosova dhe nga
diaspora, kudo që ndodhen poetët shqiptarë nëpër Europë. Kjo prurje e veçantë
mua më ka pëlqyer shumë dhe përkushtimi për të është nga projektet me të cilat
po punoj aktualisht. Ardhja për herë të dytë, është për mua një rinjohje me
poezinë dhe poetët e gjuhës shqipe dhe kjo më ndihmon më shumë për të pasur
sukses në këtë projekt madhor.
Dh.H: Ju jeni
gazetarë, kritikë dhe poet, si i harmonizoni dhe si i distanconi në rastin
konkret regjistrat e ndryshëm stilistikë?
Francis Chenot: -Të shkruash poezi është një akt vetjak,
shprehja e vetëvetes, kurse të bësh kronika letrare, të shkruash për poezinë në
përgjithësi është një akt me përgjegjësi. T’u thuash të tjerëve pak a shumë
mendimet e tua është një funksion shoqëror. Ka gjithmonë një pamundësi për ta
shprehur thelbin e disa gjërave, gjatë jetës sonë, aktivitetit tonë, akteve shoqërore
që ndërmarrim, sado sublime të jenë ato. Ne nuk mund të jemi kurrë të plotë në
të përditshmen tonë, ndaj lind nevoja e poezisë. Në një nga poemat e mia e kam
konsideruar të shkruarin jo gjë tjetër, veç një pyetësori të drojtur mbi fatin
tonë njerëzor. Konkretisht kam thënë:
“Ne pyesim fjalët
dhe fjalët na marrin në pyetje…”
Ky është një dialog i përjetshëm dhe i pafund, i
pambritshëm askund dhe ne gjithmonë rrekemi t’i marrim kuptimin. Një hapësirë që
dikush e sheh më tepër, mes kësaj përpjekjeje, krijon edhe raportin me poezinë
ose çdo lloj arti tjetër.
Dh.H. Cila është
natyra e poezisë së Chenot, si përcaktohet ajo nga kritika e vendit?
Francis Chenot: -Dallohet për stilin e përkorë, koncizitetin
e poezisë së tij, aspektin meditues të poezisë së Shenosë.
Dh.H: Keni një
besim që inteferon në poezinë tuaj, a mbështeteni në ndonjë religjion fetar?
Francis Chenot: -Jo unë jam tërësisht laik dhe nga ana
politike jam anarkist, nuk i pranoj qeveritë, nuk i pranoj sundimtarët, nuk
besoj se e bëjnë botën më të mirë politikanët.
Dh.H: Po
besim në një Zot keni ju?
Francis Chenot: -Jo! Jo nuk e kam.
Dh.H: Si është
e mundur, nga u vjen frymëzimi që ju kërkoni të bëni poezi, të gëzoni jetën, të
ecni përpara, besoni tek muzat, tek subkoshienca, apo keni një mënyrë tjetër
perceptimi?
Francis Chenot: -Poezia vjen më mendjen time dhe unë e
shkruaj atë. Di vetëm se poezia që unë bëj vjen nga një dhimbje që është brenda
nesh. Kjo dhimbje mund të jetë për fjalët e thëna ose të pathëna. Ne na vjen
keq njësoj; nëse themi fjalën që s’duhet, e sërish nëse nuk themi fjalën që
duhet. Njeriu ka një prirje për të bërë diçka, për të qenë gjithmonë në ndërtim
të diçkaje, po e kemi vënë re se kjo prirje ekziston edhe kur ai s’ka shumë nevojë.
Edhe në rast se rrënon diçka, ecën mbrapsht, ose shkatërron, ai e bënë këtë me
strategjinë e një arkitekti, pra është në ndërtim të diçkaje, por që ecën
mbrapsht, të një strategjie shkatërruese. Në këtë mori gjestesh, ka gjithmonë
një dhimbje, një ankth, pasiguri që të bën të flasësh, të shprehesh e të
ndjesh, si pa kuptuar, pa të thënë e pa të mësuar askush atë që po e ndjen. Dhe
ajo që ndjen çdo njeri është shumë speciale. Poetët kanë mike metaforën për ta
shprehur. Poezia është diçka përtej gjuhës, është gjuha e munguar, gjuha e
ankthit, e pasigurisë, prandaj poetët kanë mike metaforën, dinë ta përdorin atë
dhe prandaj janë poetë dhe munden në një farë mënyre ta thonë, por rrallë herë
në mënyrë të plotë.
Dh.H: A mund
të vijë një poezi vetëm prej mendjes dhe jo prej misterit? Kjo e pathëna që
parandjeni, nuk ka diçka misterioze në thelbin e saj, diçka instiktive, përtej
mendjes?
Francis Chenot: -Besoj se jo. Është shumë afër njeriut. Poezia
për mua është një muzikë e vetme dhe dëshira për të komunikuar një emocion. Nga
natyra njeriu është është i prirur të gjejë mjete dhe forma jo aq të drejtëpërdrejta
për të komunikuar një emocion. Është natyra e njeriut kështu. Nuk i thotë
askush atij të bëjë këto gjëra. Njeriu vetë ka dëshirë të shprehet më mirë nëpërmjet
formave të tjera, artit, poezisë, muzikës, pikturës, gjithmonë formave jo të
drejtëpërdrejta. Ky është njeriu dhe poeti është një njeri, nuk është është
qiellor.
Dh.H: Jeni
gjithmonë i sigurtë se e dini se çfarë natyre kanë e çfarë janë emocionet tuaja?
Francis Chenot: -Emocionet janë të duarduarshme, të
ndryshme. Ato mund të jenë edhe pozitive edhe negative. Ato lidhen me
trishtimin me pikëllimin, me mallin, me nostalgjinë, sidomos malli i të
dashuruarëve është një nga emocionet që masivisht ka rrethuar poezinë.
Dh.H: Në
konceptimin e poetit Chenot, cilat janë mëkatet dhe cilat janë vlerat, virtytet
në këtë botë?
Francis Chenot: -Nuk besoj tek mëkatet, derisa nuk jam
besimtar praktikant, por unë besoj tek të metat e njerëzve dhe mendoj se e meta
kyesore e njeriut është egoizmi.
Dh.H: Poetët
kanë një besim ku varësohen në diçka dhe tek Chenot nuk e gjejmë. Ju e keni vënë
re diferencën tuaj me poetët e tjerë?
Francis Chenot: -Ka shumë poetë që janë besimtarë, por me
sa duket ata nuk besojnë tek njeriu dhe kanë nevojë të besojnë tek diçka tjetër
të mbinatyrshme, jashtë tokësore, të jashtme...
Dh.H: Le të bëhet
kjo përgjigje vijimi i një eseje të vogël: Si beson Francis Chenot tek njeriu?
Francis Chenot: -Të besosh tek njeriu do të thotë të besosh
tek shpirtmadhësia e tij, të besoh tek aftësia e tij për ta bërë këtë botë më të
drejtë, më të bukur, të besosh tek fakti që vetëm njeriu vetë mbart arsyen e të
qenit, e të jetuarit. Në këtë jetë që po ta kthesh përkundër të duket e vrazhdë,
e mundishme dhe e kotë. Prandaj besoj unë tek njeriu, se njeriu është ai që
beson më tepër tek vetja e tij. Mendoj se besimi i njeriut në çfarëdo gjëje e çfarëdo
Zoti nis nga besimi që ai ka tek vetja, dhe kjo zhvendosje e besimit i shërben
si stimul. Këtë gjë bëj edhe unë në një mënyrë të çuditshme, besoj tek poezia
si një stimul. Ajo më kthen kuptimin e jetës që mungon në shumicën e rasteve.
Dh.H: Çfarë
ju bën të lumtur, zoti Chenot?
Francis Chenot: -Ajo që më bën të lumtur, është sidomos
kur takoj të tjerët.
Dh.H. Po, në
të vërtetë ju u takuat sërish me poetë të tjerë në festivalin POETEKA, në
Shqipëri. A u ndjetë më i lumtur në edicionin e këtij viti?
Francis Chenot: -Sigurisht. POETEKA e këtij viti ishte e
ndyshme dhe për këtë arsye se ishte e ndryshme, me poetë të ndryshëm ishte më e
mirë. Kam takuar njerëz interesant që ja vlente të rrije dhe të bisedoje me ta,
siç ka qenë poetja nga Kosova Edi Shukriu që me të vërtetë dinte shumë për
qytetërimet e vjetra dhe poezinë. Ia vlente të bisedoje dhe të komunikoje me të.
Dh.H: E bëjnë
poetët më të mirë botën, zoti Chenot?
Francis Chenot: -Poetët bëjnë një akt qëndrueshmërie,
rezistence. Ata mbase nuk e arrijnë dot për të dalë fitimtarë. Por, në qoftë se
ata nuk do ta bënin këtë gjë, të përpiqeshin për ta bërë botën më të mirë, kush
do ta bënte në vend të tyre...?!