E hene, 29.04.2024, 08:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Jorgo S. Telo: Perdet e errëta

E diele, 01.11.2009, 07:14 PM


Jorgo S. Telo

PERDET E ERRËTA

(Novelë)


1.

- Më zhgënjeve krejtësisht, Bardhyl! – m’u derdh si “evgjiti të shoqes”, kur thonë…

- Jo, mor shoku Vaso, jo! Gabohesh!  Vetvetiu do arrije këtu ku ke ardhë…Ta kam përsëritur sa e sa herë edhe më parë…. Që do ta pësoje ndonjë ditë, do ta pësoje dhe hopa… Merr zjarr si eshka ti! Sidomos kur të sheh syri njomëzake!… - i fola me nje shfrim dufi te dukshëm.

- More, që ma kopanise më dysh, ma kopanise. Dhe mirë ma bëre, se të besova shumë. Aq shumë, sa s’e mbante kandari.

Gjendeshim në hollin e gjykatës, pranë sallës ku do të zhvillohej séanca gjyqësore në ngarkim të ish sekretarit të byrosë të fshatit të bashkuar , ku punova më se dhjetë vite radhazi.

Nuk m’u durua, pa ia zbrazur ato çka ndërmendoja prej muajsh.

Dallova që më shihte me bisht të syrit e me përbuzje, sikur ta kisha shtyrë unë në mëkate. Në fakt unë di t’i veçoj përgjegjësitë e mia. Dhe i larë nuk dal dot as vetë nga ndihma e lehtësitë që i krijova… le ta quaj “shefit tim”. Se sikur ta kisha shef mbi shef më trajtonte…

- Unë tëflisja, por ti as që e bëje qejfin qeder, more Vaso! Të kam dalë borxhit sa e sa herë… Tani jepi udhë punës vetë. Kot më ke thirrur mua si dëshmitar. Mos dashke të t’i nxjerr këtu të gjitha të palarat…?!

I pari rast që me vetëdijë e hoqa nga fjalori im eiketën “shoku” në komunikim të drejpërdrejtë me të.

- Edhe ty nuk të vuri kush plak në kopshtrat e mia. Më hodhe në sherr me gruan për hiçmosgjë, - m’u vërvit si me patëkeq.

- Ua, ç’na thënke!Ti vetë më vure plak edhe më shumë se plak në veprime që as duhet t’i merrja vesh…

- Po në grindje me Sofinë pse më hodhe?

- Hodhe vetveten. Nuk mund të lija profesionin përgjithmonë. Dhe kur, pa. Në këtë stinë të nxehtë…Dhe përse? Për tekat e tua…Kaq herë të porosisja të ruheshe në çastin më kulmor.U bëra bozë dyerve të gjinekologëve e mamive të qytetit për hatrin tënd. Doje ta mbaroje qejfin gjer në fund ti, posi… Gjer më tani i ke marrë dy femra më qafë…Gjynah, për nder!Një vajzë për kokë të vajzës e le pa mundësi për martesë. Një nuse e nave nga burri… Nuk i thonë kot “Më mirë të të dali syri se sa nami…”Ti u le në derë naming e keq…Ç’t’u lije më tepër?!

Këtë tufë mendimesh ia përplasa me inat. Përfitova nga që , gruaja e tij, Sofia, u largua paksa të shpinte djalin trevjeçar në banjë. Ishte e detyruar ta merrte e gjora Sofi me vete foshnjën edhe nëpër dyert e gjykatave si akuzatore e të shoqit për tradhti bashkëshortore…

Sofia kishte kërkuar ndarje, por gjykata nuk i ndau. U mjaftua vetëm me këshillime për bashkëshorin, se gjasme më tepër ishin dyshime të gruas për të se sa fakte.

Ndaj më vinte dhe inat me Vason. Ç’i duhesha unë si dëshmitar? Unë veç ta  rrasja më thellë në mëkatet  ku kish rënë…

S’e merrni me mend sa zët i kam pasur dhe i kam dyert e gjasme drejtësisë.

Nga të tjera gojë kish dëgjuar Sofia për bëmat e të shoqit për të ndërtuar dyshimet e saj. Të them të drejtën mua, si krahu i “shtogtë” i tij as më kish hapur ndonjëherë llaf për bëmat e tij që në fakt kishin marrë dhene, por thjesht nën vellon e thashethemeve.

Unë e dija çfarë strukej nën vello, por e kisha qepur gojën me “tutius”me kohë. S’doja t’i shtoja belara vetes.

Ndërsa brenda vetëdijës pëshpërisja i xhindosur: “Eh, ç’vete! Të tjerë qejfosen e të tjerë sikletosen në këtë botë…!”

xxx

Me tepër vonesë e pikasa që Vasili donte të konsumonte dufet dhe epshet e veta mashkullore, duke u fshehur nen hijen time..

Dhe nuk shfreu pak.

Kisha mbaruar të lartën për zootekni.

Merrja vesh dhe nga infermierllëku human.

Për vete nga mendja e trupi isha azgan.

Si i mbarova pesë vite punë në fshatin tim, meqë kisha suksese në punë më zgjodhën për të ndihmuar disa vite një zonë me probleme në mbarështimin e blegtorisë.

Shkova pa e bërë fjalën dy.

Dhe kundërshtesat më mungonin mua…

Qysh në muajt e parë më morën me sy të mirë pushtetarët, kryesia e kooperativës dhe shumica e  byrosë së  Partisë në atë fshat të bashkuar. Ma hodhi i pari apo ia hodha unë i pari karemin Vasos, nuk e përcaktoj dot saktë. Mundet “kish gjetur tenxherja kapakun” në aspektin shpirtëror…

Me papërtesën time të javëve të para kisha fituar brenda një kohe të shkurtër zemrën e çdo fshatari dhe sidomos të drejtuesve partiakë e shtetërorë , të kryesisë – po e po. Edhe mosha prej të riu lozte rolin e vet. Pastaj isha ende si i thonë “beqo”…dhe… ku rafsha, mos u vrafsha… Pra, dija si ta shfrytëzoja kohën e lirë…

Më shpejt krijova njohje e miqësi me sekretarin e byrosë.

Ishim të dy të huaj në ate zonë. Një vit njeri mbas tjetrit. Ai më parë e unë mbas tij… si me porosi…

“Shoku Vaso”, i drejtohesha kur ishim midis njerëzish të tjerë, por nga reflekset e krijuara edhe kur mbeteshim vetëm.

Ai fillimisht ma quajti ves e kërkonte të ma ndalonte, por vura re se i vinte mirë dhe nuk ma përmendi më edhe pse unë ndonjëherë qëllimisht e shpeshose ja cilësimin “shoku”.

Më grishi edhe në banesën e vet , ku jetonte me të shoqen, Sofinë, e cila veçse disa muajsh e kishte fëmijën e parë, që ende s’kish filluar të belbëzonte.

I shkova mysafir me një këmishë najloni të bardhë, që asokohe i mbanin vetëm personalitetet, apo nëpunësit me roga të majme. Ja, unë për vete nuk e kisha siguruar dot një këmishë me jakë të ngrirë, siç i thoshnin, prej nga dallohej kanotierja e bardhë që së largu. Veçse, sa për t’i bërë nderin e qejfin shokut Vaso, çalltisa gjithandej, lëviza shumë “gurë” dhe e sigurova. Sofia sa s’m’u hodh në qafë, kur i dorëzova dhuratën për të shoqin dhe urime të ngrohta i disa lekë për fëmijën e parë të tyre.

E kishin dollapin me gjithë të mirat.

Disa shishe litroshe me raki binin në sy sakaqherë.

Dhuratë nga komunistët e fshatit domosdo. Bakshishin e dëshiron dhe mbreti.

Sofia kish hapur robaqepsi të rregullt për herë të parë në atë fshat dhe kishte goxha klientelë. Kur shkova unë, nuk punonte. Ishte me leje të ligjshme. Edhe asaj nuk i mungonin peshqeshet. Kish lidhur miqësi me vajza e gra nga disa fshatra të zonës.

Nga bisedat që erdhën duke u shpeshuar me çiftin bujtës që e gjeta atje unë bujtësi më i freskët, vura re se Sofia paraqitej më e mençur në bisedë krahasimisht me shokun Vaso. Ajo kuvendonte duke u nisur nga arsyetimi i problemeve thelbësorë të kohës e kryesisht të jetës së përditshme në atë ekonomi. Kish dëshirë që profesionin t’ua mësonte dhe disa vajzave në atë fshat. Ato i afronte me tepër.

Ku ta dinte e shkreta grua, se, dashur pa dashur po afronte sime porosi special “shkrepsen te fuçia e benzinës!?”…

Ndërsa Sofia kishte tjetër stil në bisedë, Vasua fliste me fraza motamo(steriotipe), siç i merrte nga disa libra që i kishte si fiksim dhe i nënvizonte rëndë.

Dashamirësinë njerëzore të Sofisë për disa vajza u përpoq ta shfrytëzonte për të tjera dëshira burri i saj…

Më tërhoqi shpejt edhe mua në brazdën e vet.

Përfitoi nga që isha beqar dhe i pashëm.

Mundësitë për të zgjeruar tufën e vajzave rreth vetes e kishim më të dukshme. Domosdo që do ta pasoja në zgjerimin e rrjetit të njohjes me femra. Kullotja e syve nuk ishte e ndaluar me asnjë ligj.

Ai ishte për mua strumbullari dhe përkrahësi i parë konkret.

Unë kisha filluar të ecja në fushëbetejën e jetës e të punës nën moton e transmetuar tek unë nga im at:

“Kur je në fshat të huaj,

si të bjerë cyla luaj;

Dhe…kur je në fshatin tënd,

ka të tjerë njerëz me mend…”

Të them të drejtën për pjesën e parë të mençurores popullore isha në të njëjtën mendje dhe unë. Por, përsa i përket, si ta them… devizës së dytë, sikur nuk më mbushej mendja. Dalloja në të njëfarë frenimi për të aftët e vërtetë, duke u lënë hapësira të lira vetëm disave që kishin fituar emër me paudhësitë e tyre…

Ia dalloja shokut Vaso me intuitën time pyetjet që i përvijoheshin përmidis buzëve të holla, pa i shprehur ende. Prisja çeljen e tyre, por hezitimi i tij qenkish më i fuqishëm…Nga ngjyra e lëkurës ngjasonte sikur të kish kryer banja dielli me orë të zgjatura…

Përfitimi im kryesor nga lidhja me sekretarin e byrosë ishte përdorimi i dy makinave për interesat e mia: i makinës së kryetarit të kooperativës prej tij dhe… si i thonë: “Për hir të borzilokut, pi ujë dhe kutia…”, po  e shfrytëzoja për bukuri edhe unë atë “Karpat” të bardhë… Dhe e dyta, makina e shkrimit, që më lypsej për të bërë hatëre për të tjerët. Dava shkresash e raportesh fiktive, pa për vete nuk me jepej për të shkruar  në asgjë gjini të letërsisë. Edhe për të lexuar sepse ndihesha dembel e kaluar dembelit.

 Me pishmanllëk edhe mund ta shfletoja ndonjë nga librat e shkollës për profesionin. Për të shkruar mezi hidhja të zezën mbi të bardhë në recetat, që s’i kisha të pakta… Kurse për të kaurdisur, ashtu siç ma priste kungulli, fjalime e tema ieopolitike per Vason e zyrtarë të tjerë, po bëhesha, dashje pa dashje specialist si Bamka i shokut Zylo…

Edhe për të krijuar përshtypje të mira në familjet që më interesonin për stomakun, isha në gatishmëri të plotë dhe aq i shkathët, sa çuditesha dhe vetë.

Shërbeja pa u kursyer, sidomos në ato familje, ku më prisnin me bujari të pashoqe…

Edhe goja… por edhe  çanta nuk më mbeteshin pa punë. Më tepër m’i çelnin dyert për recetat kuturu, që i lëshoja me dorëlirësi të theksuar edhe për njerëz edhe për kafshë. As që i vizitoja të shihja se ç’sëmundje kishin. Vetëm me të dhënat gojore që më thoshnin pronarët e gjedhëve e shpendëve, pra, kotsëkoti, se sa për ndonjë shërbim shëndetësor… Kisha kohë që e kisha lënë pasdore shërbimin në shëndetësinë humane. E klasifikova si një detyrë të dorës së dytë, meqë fshati kish më kopetentë se unë.

Nuk e mora vesh shpejt, pse drejtoheshin tek unë njerësitpër të marrë raporte për vete e gene e gjallë ëë kishin.

Me vnesë i rshë hilesë dhe themse fgodita në shenjë: Me sgrishin ndikimet e shokut Vaso te komuniteti i atyre fshatrave, demos për të më afruar më tepër pranë vetes.

Për prapësira atij i kishte mend dhe kurrizi…

Unëiplotësoja tekat, gjersa arrita të kuptoj se po i  hidhja telashe vetes…

Sa shihnin firmën time në fund të raportit apo recetës nuk bënin naze brigadierët e bujqësisë, magazinierët e barnave apo shitësit e dyqaneve, qoftë edhe më të mëdhenjtë se ata. Thënë troç: “gjeja shesh e bëja përshesh”… Kësisoj ata dhe ato bënin sikur punonin. Edhe kooperativa bënte sikur i paguante. Rezultati: (zero me hiç).

- Edhe ti ditke t’i shfrytëzosh me leset njohjet, - m’u drejtua përgjatë një udhëtimi me makinë shoku Vasil.

- Mos do të thuash që jam element korruptiv? – e pyeta për ta testuar ashtu kalimthi.

- Jo, mo, nuk je nga ai brumë ti. Je nga ai soj që “qethen me deshë” ti… Pa dobi për vetenuk del, jo.

“Po që qenka i zgjuar shejtani?!” – qeshja nën buzë, me synimin që të mos ma lexonte mendimin shoku Vaso.

Nga sa e kisha njohur e nuhatur unë në vitet që shfaqeshim aq të ngjizur në sy të të tjerëve, vetëm trashësi truri, vëreja te ai tip në realitet. Ai kishte si moto të përshfaqjes në publik të shtirët si “i mençuri i dynjasë” dhe sidomos  të shtirurit si i vetëkënaqur karshi meje që ja njihja rrënjë e dhëmballë…

Në suazën e profesionit kryesor nuk aktivizohesha shumë, se ì lija terren të hapur një kolegut tim , që edhe nga dijet ishte ì fortë e ì qendrushëm edhe dëshirën për punë e kish të admirueshme.  Vetëm se nuk kishte taktin e duhur e nuk e dëgjonin përgjegjësit e sektorëve dhe as shumica e barinjve. Ndaj dhe s’para i ecnin punët…

Unë ndieja njëfarë bezdie, se më kishin pekulepsur përherë eprorët. Më shihnin me sy të mirë qoftë eprorët ieologjikë, edhe ata të ekonomisë. Shkurt –më tepër ndihesha si një elektron ì lirë. Më tepër shoqëroja e ndihmoja eprorët e prirë për t’u dukur , se sa për aftësi në rrafshet që mbulonin.

E tillë ishte koha: Ngriheshin në përgjegjësi, jo duke u nisur nga meritat apo aftësi të spikatura, por nga biografia apo aftësitë mjeshtërore personale për të çarë shtigjet me marifete, me intriga e ku di unë. Më së shumti përzgjedhjet kryheshin duke u nisur nga njohjet personale, nga miqësitë, afëritë familjare apo rekomandimet shoqërore. Kish asish që vetëm me njohjet personale arrinin të rrëmbenin diploma shkollash të larta me korrespondencë,  sikur të ishin qofte të skarës.

Një përzgjedhje e tillë fiktive rezultonte doemos në kuadro partie apo ekonomie të mefshtë për nga aftësia por të shkathët për nga etiketimi e buja që ì bënin vetes. Vegjetonin nën zotësinë e specialistëve apo të tjerëve si puna ime, që s’gatuaja gjë brenda profesionit.. Ose kryeja misionin e një lloj Demke për zyrtarët ose kaloja orët si të isha më punëtori në botë, kur veten e njihja ndryshe…

E ndieja që nuk ì shkonte karakterit tim ky lloj qëndrimi dhe manovrimi me eprorët, por ja që u përshtata me mjedisin që gjeta…

Tek unë përplaseshin të gjithë.

Madje edhe zyrtarët e atyre fshatrave, kur kishin nevojë jo vetëm në rrafshin shëndetësor, por edhe për punë shkresurinash gjer tek fjalimet që mbanin, tek unë përplaseshin…

 Ku ta dinin ata se unë me përkushtimin dhe urtinë time doja të ndryshoja paksa imazhin që më shfaqej përmes biografisë së “pasuruar”…

Ndihesha i poshtëruar jo pak.

Me diplomën e një zootekniku të specializuar përfundova në një ndihmësmjek të rëndomtë…gati infermier.

Dhe a e merrni me mend psenë?

Një kushëriri im i dytë që vetëm emrin i dija, pa fytyrën as që ia imagjinoja dot, më ishte bërë “pullë poste” në gjithë dokumentet e mia para e passhkollore…

Ia kalova mirë katër – pesë vitet e para të transferimin në këtë ekonomi bujqësore – blegtorale, me shumicë kodrash e vreshtash të mbara për prodhim të begatë.

2.

Dalngadalë shokut Vasil filluan t’i rrëshqisnin situatat nga dora, sidomos ato që kishin të bënin me drejtimin politik të ekonomisë…Nuk po ia fërshëllente më as kryeagronomi e aq më pak përgjegjësit e sektorit apo kryetari ì ekonomisë. Paraardhësi, kur i la zyrën, kishte parapëlqyer më mirë detyrën e  brigadierit të njërit prej fshatrave të vegjël.Sa kishin duk brigadierët në ato anë, s’kishin as kryetarët…Çdo gjë që u donte zemra, e përfitonin, veç makinës “Karpat”që ishte e destinuar për kryetarët. Përpara kryetarit as sekretarët e byrosë nuk pinin ujë; tjetër se duhej të ndodhte e kundërta. Autoritetin zyrtarit ia rritte herë ana financiare e medaljes e herë ajo ideopolitike…Me zigzage shtynte dita ditën e zyrtari zyrtarin…me shartesa e nënshartesa, boll që të milej sa më tepër “lopa - shtet” apo edhe “tufa - komunitet”…

E kish nisur (me ç’më kishin thënë) tërë pasion e pompozitet Vasili, madje nuk harronte që ditët e javës së parë të ndërronte veshjen sistematikisht deri dhe modelin e krehjes e ngjyrën e gravatës, gjersa e pa të udhës që të mos e mbante më, se sikur stononte me mjedisin përreth vetes.

E steponte paksa njëfarësoj druajtjeje, sidomos kur ia donte puna të hynte atje ku gjendeshin në krye të punëve bujqit e bujkeshat. Apo s’ishin ca të rinj që të kalonin në vrimë të gjilpërës me ironitë e frazat hokatare që përdornin.

Pikërisht për këto elemente të etikës së përditshme e vura në dije shokun Vasil që në fund të tremuaorit të parë të punës sime në ekonominë ku gjendeshim të dy si jovendas.

3.

Vasili, sa futi këmbët në zyrë, bëri një “anamnezë” e një skanim të të gjithë  komunistëve të deriatëhershëm. Konstatoi se organizata ishte e plakur dhe me sklerozë… Shënoi me një shkrim si këmbët e pulës në një letër format: “Duhet të shpall aksion për pasurimin e organizatës me gjak të ri…”

Menjëherë nisi fushata e pranimeve të reja.

E para kërkesë për fushatën, sipas tij, ishte shtimi i radhëve të partisë me femra nga ato që punonin direkt në prodhim e që në borderotë e pagave rezultonin me më shumë ditë-pune; (tjetër se si merreshin ato ditë-pune…)

Kaq deshën kasnecët dhe fluturuan fshatrave. Dikush raportoi që në mbledhjen e parë të byrosë: “Mirë na e dhe detyrën, shoku sekretar, po a e dini që një pjesë e mirë e shoqeve janë me shtatë- e- tetëvjeçare e të mesme të lënë në mes? A ia vlen?”

- Ç’u duhet arsimimi, more! Janë të zonjat për punë, për sakrifica? Nxjerrin të mira materiale nga duart? Këto i duhen partisë: të jenë të gatshme për çdo thirrje…të jenë të parat në sakrifica e të fundit në pretendime, të jenë…

Nuk po i kujtohej një nga citimet e Prijësit që e kish nënvizuar me laps të kuq.

Shpesh më ankohej:

- Do isha element për zyra edhe më eprore unë, sikur të mos ma dhiste kjo kujtesa.

- Me siguri do ta kesh nga jeta abusive që bën, shoku Vasil.Kam dëgjuar se edhe ku ke qenë më parë, je përgojuar jo pak si “mjeshtër” për të shtënë në grackë vajza e nuse. Po ç]’dreqin pëlqejnë tek ty, mor aman?!

- Edhe ty nuk të kam këshilltar të keq, ama! Dshur pa dashur ma ke dhënë situatën në dorë, sikur të kem qenë prej vitesh në këtë kooperativë. E di ku e jkam halli unë tani për këto pranimet e reja?

Nuk i erdhi mirë që ato çaste në zyrë hynë  dy sekretarë organizatash, për të raportuar për masat lidhur me mobilizimin e njerëzve për punët e stinës e kryesisht për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë.

- Nuk jam në mendjen tënde përherë, - ia preva shkurt.

Do kishte dëshirë sekretar Vasili të shtonte edhe një pyetje tjetër për testimin e kandidateve të pritshme për partinë: A janë bukuroshe e të kolme? Sikur të gjendej vetëm për vetëm me mua në zyrë… edhe mund ta kish nxjerrë goje këtë pyetje, por…

Realisht mua ma mori erën menjëherë e më bëri për vete me premtimet që me jepte, me besimin që kish tek unë, me afrimitetin e pazakontë që tregonte karshi meje. Madje të dy ishim jovendas në atë grup fshatrash. Unë nuk i kursehesha. Edhe orët e çlodhjes së lirë i sakrifikoja për shokunVasil.

Pyetja që i kuturiste brenda vetes u mbajt rezervë. E ruajti për verifikim të drejpërdrejtë atje ku gjallonte fidanishtja…

4.

Më thirri sërish ditën e parë të javës së dytë në zyrë. E lashë çantën e punës në shtëpi dhe iu gjenda sakaq. I kisha premtuar, se do ta ndihmoja, meqë ishte i porsambërritur në atë zonë. Nga vetë natyra nuk jam fjalëkthyer.

Ndryshimet në zyrë ishin të dukshme.

Perdet e bardha prej tyli – fringo hijeshonin dritaret dhe tërë zyrën.

Bashkëshortja e Vasilit, Sofia, krijoi shumë shpejt marrdhënie të mira me gratë fqinje. Ato e ndihmonin me ç’të mundnin. Edhe vazo me lule të bukura i shpunë në shtëpinë modeste, ku u vendos sekretari i byrosë. Dy nga ato vazo Sofia ia shpuri të shoqit në zyrë, U largua gjysmë ore nga banesa, duke e lënë bebushin vetëm për vetëm në gjumin e paraditës.

Dritaret e mëdha të asaj zyre mesatare s’e kursenin dritën natyrore. Prej qelqeve të pastruar prej një nëpunëseje të njërës prej zyrave përbri mund të bridhte syri në natyrën e blertë e qiellin kaltërosh, sa herë të doje.

Në të majtë të suprinës së tryezës së punës Vasili mori me mirëkuptim nga biblioteka e një vatre kulture një sasi jo të pakët librash. Në fshatin qendër ku kish zyrën byroja ndodhej dhe shkolla e bashkuar(E mesme e tetëvjeçare tok). Me një drejtor e një trupë mësimore.

M’u shpreh fare shkoqur nje mesditë:

“Sa me fat qenkemi, more Bardhyl! Janë të padjallëzuara këto njomishtet që mblidhen këtu.

 Më fliste dhe s’e shqitte  vështrimin nga dritaret e shkollës.  Shihte herë andej e herë nga librat që vendoste në etazher.

Me nge ì radhti bukur disa libra në një etazher raft që e kish sajuar  nëpërmjet një shkolle fillore paraardhësi ì tij. Ai ì la gjithashtu dhe një sasi librash nga kolana e veprave të Prijësit. Katër volume të pahapura fare ì radhiti njëmbinjë në krahun e majtë të suprinës së tryezës së punës.Të pestin volum e pikërisht veprën e 29-të e mbante të hapur mbi tryezë. E përmidis faqeve të hapura – një laps kuq e blu… mprefur vetëm skaji me ngjyrë të  kuqe.

Në qendër të faqes ballore të murit (ekzakt mbi krye të Vasilit) kish zenë vend portreti i madhështuar, me ngjyra dhe i kudogjendshëm i Prijsit, aqsa koka e sekretarit sepse m’u duk shumë e vogël, nga ç’e kish në të vërtetë. Asokohe fotot me ngjyra i kishim parë vetëm nëpër albume e revista. Në shtëpitë tona u deshën dhe disa vite të hynin gati njëkohshëm me televizorët me  ngjyra që i merrnin vetëm kryesorët me autorizim të kryetarëve të Komiteteve Ekzekutivë.

E merrja me mend që shumë shpejt do ta lëshonte dikush aytorizimin për mua.

Për një televizor të tillë po kruhesha përditë

Kot i qëndroja pranë sekretarit?

Si u përshëndeta me shokun Vasil, diç më dha shtysë t’ia shprehja dëshirën për “tv-colorin”, por ngeca…Atë çast ai më ngjante si i grimcuar dhe i sfumuar brenda vetmisë ku e gjeta. U ula në karrigen që më ofroi e më zgjati paketën e cigareve. Harroi që unë ia refuzoja përherë. Kur u kujtua , tundi kryet dhe e la paketën mbi stivën e librave kapaktrasha.

Sepse m’u duk Vasili si ì vetëkënaqur në kulm, teksa po përgatiste një fletore të posaçme vetëm me citate të përzgjedhura nga një mësues, pasionant citatesh, që përbënin dhe sloganet më të përhapura të kohës. Ì gjeje ato nëpër mure, të shkruara me oksid zingu nëpër beze të kuqe gjithandej qyteteve e fshatrave të Shqipërisë, madje edhe rrugëve e fasadave të pallateve, gjer te ana ballore e digave të ujëmbledhësve apo klasave e korridoreve të shkollave e zyrave.

Parrullat më të përhapura të kohës do t’ì gjeje në faqe muresh të ndërtesave të institucioneve gjer tek fasadat e mureve te banesave familjare. Do t’ì gjeje të shkruara nga disenjatorë (prej shtrëngesës partiake) edhe ne teneqe te forta të ngulura mbi dy shufra hekuri gjithandej e sidomos anës rrugëve kryesore automobilistike.

- Edhe sikur të ishe mësimdhënës, nuk do t’ì kishe kaq sistematike këto slogane të Prijësit, iu drejtova brenda kornizës së afrimitetit që kisha me të.

- Mirë apo keq?

- Më mirë se mirë, - ia gudulisa guston.- E di unë që je me fantazi të pasur ti, shoku sekretar!

- Vasil, thuaj!

- E, de, shoku Vasil… si shoku…E. Ka më domethënie këeshtu; apo jo?

- Qenke djalli vetë!

- Jo më djall se shoku që urdhëron pesëmëdhjetë fshatra kaq të përmendura të rrethit tonë…

Nuk urdhëroj por mbroj direktivën.

- Domosdo por dhe diçka më shumë…

- Do më gjesh pak Skënderin, atë dizenjatorin e tetëvjeçars së fshatit Shtuf?

- Edhe?

- Të ma sjellësh këtu me porosinë time.

- Edhe?

- T’ì ngarkoj detyrë që të shkruaj disa parrulla mbi suvatimet e posaçme që janë bërë gati  me urdhër të paraardhësit tim, por që kanë mbetur bosh.

- Dakord, por… do tregohet ì gatshëm arsimtari, thuaj?

- Patjetër do tregohet, se motrën e tij e kemi në listë për kandidate…

- Ah, po! E dija, po më kish ikur nga mendja, - bëra sikur u kujtova me pak vonesë.  

5.

Pas meje hyri Sofia, trupshkurtër e brune e hijshme, me flokët rica-rica si të formësuara në parukeri moderne. Vetullat me bisht ì jepnin edhe njëfarë serioziteti, sidomos kur merrte inat. Në ditët pa rreshje ajo dilte nga shtëpia me veshje tërhëqese me ngjyra të çelëta, të pastra e të hekurosura taze.

Në ditët pa rreshje e me dritë të bollshme vishej hollë dhe mjaft transparente. Edhe ngjyra e të brendshmeve i dallohej këtu e tej. Lëre kolmëria e saj!

Për Sofinë më kish folur gjërë e gjatë Vasili:

- Sofisë ì kam propozuar troç para  se të shkoja në shkollën e Partisë, por kur e dija që do shkoja në këtë shkollë, ama, se ndryshe s’e besoja se do ma varte. Nuk guxoja t’ì propozoja më parë, se Sofia, kishte mbaruar të lartën për  pedagoge frëngjishteje dhe vetëm emërimin priste me padurim.

- Nuk dinte gjë që do vinte pas teje e do linte qytetin?

- Unë s’e dija as vetë, mor Bardhyl ! Një miku im në Komitet të Partisë ì sajdisi këto punë. Sa i gjendur isha korridoreve të Komitetit të Prtisë aq menegrego, për t’u marrë me dava kuadri e ku di unë… Boll që lëviznin miqt e mi. Kisha e kam besim të patundur te miqtë e hershëm.

“Po tek të rinjtë? – lëshova pyetjen si kuturu, por edhe meqë mëc erdhi në shteg e për hodsh pikërisht –pas atyre fjalëve të shokut Vasil.

Përpak desh harrova një detaj të vogël: Sapo hyra, u pengova në diçka që s’e kisha hasur dendur më parë. Sytë më panë një shtrat portativ të pajisur me dyshek, batanije e çfarë duhej. Vetëm se nuk po kuptoja për çfarë lypsej krevati në atë zyrë pune! Vasili, po të donte të çlodhej, as dhjetë minuta nuk e kishte larg shtëpinë prej andej.

Nejse…punë e tij…

- E dija që do të vije, - doli si bërbëlitje zëri i Vasilit.

- Edhe unë e dija që po më prisje, shoku sekretar!

- Më pëlqen të më flasësh me emrin që kam. Nuk kemi ndonjë diferencë të theksuar moshe.

- Pa përdorur fjalën “shoku”…. Mua sikur nuk më shkon.

- Ty të shkon “shoku intelektual”…!?

- Të hyjmë drejt e në temë?

- Varet nga ju.

- Dakort. Mbështetur te ky këtu (dhe vuri pëllëmbën e dorës mbi veprat stivë) do hartosh një material ideopolitik me temë: “Socializmin e ndërtojnë masat. Partia i bën ato të ndërgjegjshme”. Dhe e dua nesër materialin. Edhe të daktilografuar.Më kupton? Ka makinë shkrimi ai…shefi ì kulturës. E kam biseduar me të e s’do të të kursehet.

- Vetëm kaq?

- Të kesh parasysh që më tepër vend të zërë puna që po bëhet për forcimin e radhëve të partisë me gjak të ri e veçanësia të jetë mëshimi tek gjaku femëror. Emancipimit të grave e vajzave t’i lësh më tepër hapësirë. Më kupton?

Nuk di pse nuk isha i përqendruar në ato që theksoi më pas shoku Vasil. Ajo diçkaja që më çuçuriste në rrëzëvesh, m’u përvijua në mesbuzë e artikuluar disi me takt:

- Nuk i kalon orët e lira në shtëpi, shoku sekretar?

- Ehuuu, ku më rreh mua e ku ty, more intelektual! Të zgjuar të kam, qerrata! Për ideal s’t’i kuptoj perherë pyetjet që më bën…

- Kur habitem kërkoj shpjegim me pyetje.

- Hiç mos u habit. Fushatat që na kanë përfshirë nuk të lënë të marrësh as frymë.

- Një fushatë po na e mbledh…kjo e korrje – shirjeve.

- Po fushatën më delikate, atë të pasurimit të partisë me gjak të ri, kaq shpejt e harrove, i dashur intelektual? S’i thonë shaka. Duhen përzgjedhur elementë me cilësi të rralla, me energji fizike e shpirtërore, pra duhet sqimë.

- Me sa kam kuptuar sqima nuk të mungon. Për seksin delikat sidomos… - shqiptova më qartë pjesën e dytë të ligjërimit tim.

- Ngacmues ti…që kur jemi takuar për herë të parë.

- Më tepër kurues…

- Më merr për të sëmurë?

- Kur e tepëron…

I thashë se nuk mjaftonte koha për ta përgatitur materialin gjer të nesërmen në të njëjtën orë. Vasili u ngrit nga karrigia, më hodhi dorën ledhatare mbi supe e më mikloi: “Hë, mo, se ua ke marrë dorën këtyre punëve ti. Këtë ma tha paraardhësi, kur më bëri dorëzimet.

- Po aksioni nesër? Duhet të jem pas auokombajnës.

- I them unë kryeagronomit. Vetëm mbaro temën ti, se pasnesër dal në operativitet fshatrave. Duhen edukuar masat, more intelektual!

- Veç ruaju nga gafat. Ta them nga afiniteti që po krijoj me ty.

- Jemi prej mishi e gjaku e jo prej druri.

- Si ta kuptosh. Këto që ndiej po t’i parathem…

Kur dolëm nga zyra, duke pirë nga një konjak te klubi i ngritur rishtaz, sekretari më ftoi ta shoqëroja fshatrave, madje edhe në familjet që do shkonte, për të ndikuar në përzgjedhjen e gjakut të ri për parti.

- Neve intelektualëve sikur s’na i hidhni sytë fare, - u përpoqa të hidhja një “fishek – qorr”. Nuk humbisja kurrgjë, veç përfitimit të diçkaje që nuk mundej të arrihej pa qenë i organizuar…

- Udhëzim nga lart: Sa më pak intelektualë. Na duhen të punës së krahut… femra sidomos.

- Dhe femra… jo dosido, - mëshova unë.

- Jeni më të infektueshëm ju të shkollepsurit nga viruset borgjezo – revizioniste. Kush lexon e dëgjon tej caqeve, pretendon më tepër. Dhe partisë i shtohen telashet. Të paktën kështu e kuptoj unë, - nisi të më sqaronte Vasili, duke lëvisur buzë, mimikë e duar.

6.

Vapa shtohej sa më tepër i drejtohej dielli zenitit. Shtohej dhe zhaurima timpangërvishëse e gjinkallave, qepur në pemët jashtë dritares. Të dukej e tepërt çdo veshje në trup. Po i jepja të drejtë Vasilit që po punonte në zyrë me këmishën e shkopsitiur gjer tek rripi i mesit, duke nxjerrë në pah gjoksin pa asnjë qime. Më krijoi një tjetër mendim: Flokët shtëllungë binin në kundërshti me trupin prej qerosi te sekretar Vasilit. Besoj se dhe brisqe nuk konsumon shumë. “S’e hamendësoj dot, pse s’e refuzojnë femrat këtë lëkurëshkundur” murmurisja me vete ndonjëherë, sa për t’u gjendur në punë.

- Sikur nuk përtypet kjo teoria juaj e pranimeve, - e ngacmova sërish një mbasdite tejet të vranët tokë e qiell.

- Atë e di Partia. Ik tani e mos e zgjat! – dhe u gatit ta hiqte fare këmishën. Atë çast u dëgjuan zera në korridor. Më bëri shenjë ta mbyllja derën nga brenda dhe me ngut jepte e merrte ta rivishte. Por kur ngutesh, doemos më keq vonohesh. Kur pa që e kish veshur mbrapsht, diç shau nëpër dhëmbë dhe nisi nga e para. Pashë se nuk ishte i shëndetshëm siç tregonte në gjatësi trupi. Gati anemik e lëkurëverdhë m’u shfaq para syve ato pak minuta sa mbuloi gjysmën e sipërme të kurmit. I numëroheshin brinjët si atyre demave hamshorë që mbeten tërë kohën pas lopëve…Nuk di pse m’u bë sikur zyra binte erë përç si e atyre cjepëve në kulm të sezonit spermëlëshues tek dhitë e epshuara.

Sytë e thelluar të Vasilit në gropëzat e tyre sikur ia zbehnin edhe buzëqeshjen që përpiqej të vizatonte herë pas here tek të tjerët.

8.

U lehtësova pasi i dorëzova temën. E mbajti fjalën. Më mori me vete disa muaj rresht gjatë ekspeditave të shkurtra një – dy ditore nëpër fshatra e në familjet ku synonte.

Herë bëja sikur s’e shikoja, herë sikur s’dëgjoja e herë sikur nuk kuptoja, se sa i sajdisur tregohej për të hedhë në dorë prenë e radhës. Nuk doja t’i  hidhja telashe vetes, tjetër se e ndieja fort mirë që shumëkush që më kish pikasur pas tij si kone, do ketë thënë edhe me zë të lartë: “Po ky tekniku ç’i mbeti sekretarit si m… pas këpuce?” Duhej ndihmë, jo shaka se shtoheshin radhët me gjak femëror… Gjaku që të ndez katërcipërisht!…

Edhe pse ia hidhja ndonjë fjalë anës e anës, nuk arrita dot  në kundërshti të prerë, apo ta frenoja sadopak “vrapin delirant” nëpër korsinë që kish zgjedhur. Vrap për gjakun e ri; s’i thonin shaka… Në atë kullusmë plakash e pleqsh duhej dhe njëçikë behar…

Sa herë më zinte në gojë emra fshatarkash të hedhura në listë vëmendshëm, shoku Vasil instiktivisht vendoste dorën e djathtë tek vendi ku torolingat gati sa nuk i shqepnin perin e pantallonave të gjerë në këmbëza po të ngushtë te zona e “ergalive”…

Më pas mora lejen e zakonshme dhe u shpërmallëm me njëri – tjetrin.

Ma la lejën pa mbaruar. Më kërkoi ndihmë. Njëra nga ato i kish mbetur shtatzënë e duhej patjetër aborti. U zura ngushtë. Nuk më dëgjoi edhe pse ia kisha hequr veshin disa herë. Përsëri i shkova familjes sime, për ta vazhduar lejen.

 Kur u ktheva sërish në krye të detyrës, më thanë se sekretari kish  bërë të tjera ndryshime në zyrë. Nuk ngurroja të hyja në zyrën e tij, edhe pa patur ndonjë punë. Sa hapa derën, mezi e dallova Vasilin. Perdet tyl ishin hequr. Dritaret gati ishin bllokuar nga perde “damask” të trasha e me ngjyrë të errët. Në ato ditë shtatori me diell të bollshëm, të bllokoje dhe më të mirën e mundshme, m’u duk marrëzi. Mos ndoshta ngaqë duhej pasuruar Partia me gjak femëror?! E kuptova që Brenda atyre perdeve të rënda gjithçka mund të sajonte aty për aty Vasil Qejfliu.

Sekretar Vasili gjatë dy javëve që mungoja unë, ishte hapur si vaji në lakra.Me disa syresh flitej se ishte “burbuletur” rëndshëm… Madje lajmet pajiseshin edhe me “bishtra”: gjasme sekretari kishte përfitime të disafishta  gjatë fushatës përzgjedhëse. Jo vetëm ishte më i preferuari i familjes ku bujtte, por edhe kënaqësitë personale i realizonte  nën përkujdesjen e sigurinë e kryefamiljarëve. Shërbime të paskajshme i bënte sidomos e përzgjdhura e ditë – natës. Kish kënaqësi më të madhe se të largoheshe i velur kokë e këmbë nga akëcila familje zemërgjerë?!...

Pa.. shumica e familjeve ja kishin njohur surratrin e s’ia fërshëllenin fare…

Nuk ì bënin pritje sidokudo. E caktonin të flinte në një dhomë të veçantë ku shërbimet gjer tek mbulimin me jorgan do t’ì kryente më e reja e shtëpisë pritëse.

Kish që i dilnin mburojë, duke i quajtur fjalët e përhapura përgojime dashakeqe, dërdëllitje të kota e ku di unë. Disa nga të përzgjedhurat nuk dilnin të humbura. Ato përftonin së pari admirimin e sekretarit. Mandej i kilikoseshin teserës, si të ishte Perëndia në dorë të tyre. Angazhoheshin për të mos bërë asnjë ditë pushim në javë e për tejkalim norme, duke dhënë shembullin personal karshi masës së paorganizuar. Kësisoj do t’u mbetej emri për javë e muaj në tabelën e emulacionit; aq sa të shpërfytyroheshin fare nga dielli, nëse u dilte dhe fotografia në tabelë.

Nëse të përzgjedhurat ishin gra të reja, burrazestë (disa syresh) kujtonin ditë-netë lumturore vetëm ato të javëve të para të martesës. Më pas bëheshin bajatë e krenoheshin vetëm nëse i kishin gratë të pajisura me teser (fillimisht ngjyrë kafe e më pas të kuqe).

Unë pa pasur as më të voglin pretendim për ksi ngjyrash  nuk i anashkaloja me indiferencë ndodhitë përbri e përqark meje…

U mësuan banorët e fshatrave, ku “fushata” galoponte dukshëm, me bëma – njëra më interesante se tjetra…

Direkt apo tinëzisht hyri lajmi edhe në veshët e bashkëshortes së sekretar Vasilit.

Sofia gjatë vitit të parë të qëndrimit në ato vise, kish kapur sinjale rrëshqanthi, por nuk besonte kurrsesi, edhe pse burri i saj kur ishin në fshatin e tyre jepte shkas për dyshesa të forta….

Dhe në vendbanimin e ri e nervozonin jo pak largesat e shpeshuara të të shoqit nga shtëpia jo vetm ditën por edhe natën. Jo rrallë atë e merrte malli për të shoqin.

- Ç’është kjo punë me ty, mor burrë? S’të mban fare shtëpia. Pispillosesh e parfumosesh si moskurrë. As kur u bëre dhëndër nuk je spitulluar kështu.


- Edhe ti nise të dyshosh si ai kërriç intelektuali?

- Cili intelektual, more?

- Ai që na solli atë ditë mish të pjekur dhe ato fletët e daktilografuara.

- Ëhë, po…Edhe?

- Ç’dashke të të sqaroj?

- Posi… Gjersa ka dyshime dhe intelektuali, që ti e heq për mik, ç’pret nga të tjerët e sidomos prej meje? Mblidhu, po të them te gruaja jote e lëri rehat çupat e gratë e botës, se do të ta gjejmë ndonjë ditë lëkurën të varur në ndonjë degë lisi. Apo mos dashke të të varin në qafë topet endonjë demi e të të shëtisin fshatrave mbi gomar pa samar? Se kështu e kanë pasur zakon këto fshatra qëmoti, me ç’kam dëgjuar. Ruaj kokën, mavriiii!Po ku e gjen atëfuqi, xhanëm, se ty me mua sa nis nga puna e të këputen krahët, sa të zë gjumi pa bërë dhe atë mavro qejf tamam… Pikaaa, thuaj! Pse s’të bie koqe e vetëtimës në majë të kokës, po vete e bëhesh gazi ì botës. Na turpëron… e përse? Nuk të arrij unë, mo, ë? Do njomishte tani? Aaaa, e re me pahir nuk bëhem dot unë; naaa, kaq ta bësh dhëmbin.Iku vapa me gushtin…

- Qepe moj, se po ma nxin jetën me këto ëndra me sy hapur që sheh çdo ditë! Mbylle kamaren, se do të të sikteris fare, që të çuditesh mirë pastaj. Dale se s’më ke njohur mirë akoma.

- Se mos më ke njohur ti mua…Pikaa burrit, thuaj!

- Mos më detyro të ndyj dorën!

- Je ì voçkël, mor ì shkletë!

- Xheloze e tërbuar!

- S’kam qenë e tillë. Më nxisin livadhisjet e tua…

- Boll tani! Qepe se po e tepëron!

- Mos e tepëro zotrote, që të mos e tepëroj dhe unë!

- Me ç’kuptim po m’ì lëshon këto urdhra, madama Sofi? – e përdori ironinë të pakallaisur këtë herë Vasili.

- Me kuptimin që ti e di më së miri, si ì thekur që je, - ia preu shkurt drutë Sofia dyshuese si përherë.

- Pa të shohim ku do ta krrejmë këtë stan që po ngrëmë…

Sofia nuk u thellua në ligjëratën e porsa thënë prej të shoqit, se iu zgjua foshnja e nisi të merrej me të. Një qen ì komshinjve me një të lehur si piskamë, kushedi se nga çarzë qe pickuar dhe aq u desh sa të mos e ndalte lehjen ankuese, por timpanshpuese për të tjerët.

Duke u marrë me foshnjën, Sofia diçka pëshpëriste nëpër buzë…Kushedi ç’rrëfime ì ishin kujtuar ato çaste nga grimca të vërtetash që ì vinin mjaft të vagëlluara në vesh dhe, siç ishte e qetë, nisi të përskuqej e t’ì mbushej balli me djersë. Në atë gjendje që gjante si qetësi e përkohshme u dëgjua zëri ì beftë  ì saj, sa trembi sërish foshnjën e pafajshme, që po luante kryet majtas – djathtas ,. ndoshta në kërkim të ushqimit, që e ëma ja përcillte me biberon:

“Veç në të zënça ndonjëherë me presh në duar, apo në flagrancë siç ì thonë tani, mor ì zi, pa me sheh, Do më njoç mirë se kush jam!...

Unë e prisja që ajo, duke u nisur dhe nga prania ime për të marrë orarin e nisjes për në në nga fshatrat e skajshëm, do të shpërthente për të nxjerrë çfarë bluante prej orësh brenda vetes.

“Moj, je në vete ti? Ç’janë këto dyshime, që po m’ì dërdëllit kështu…pa doganë? Po më ha shpirtin…Pa lërmë rehat tani, se e sheh që na presin goxha punë

“Ì di ì di punët e tua! Po ta ha a po ma ha shpirtin;  këtë do ta tregojë koha, - ia ktheu zjarr për zjarr bashkëshortja Sofi. – Dale pa e sheh!

Dallohej shkoqur fare që familja e vogël e Vasil Qejfliut po brehej në themelitë prej shtufi ku ish ngritur e s’po e merrte veten me gjithë premtimet e panunërta që ì bënin shoqi – shoqit për dashuri e besnikëri të pakufishme.

Para meje ata silleshin si të ishin adoleshentë e në hapat e para të dashurisë. Unë po depërtoja pëherë e më tepër në strukturat brejtëse të dyshimeve të shfaqura pa drojë prej Sofisë për të shoqin…

Doja s’doja ua bëja qejfin të dyve. Ç’më duhaj mua të mbaja anësi sipas shijeve e bindjeve të mia? Por edhe fare indiferent nuk qëndroja dot; ndaj më së tepërmi edhe çoku ndërhyja mes tyre. Vetëkuptohet për t’u servirur paqe e kurrsesi luftë. Kështu jam gatuar. Ndoshta sì më të shumtët e racës sonë…

Edhe për mua ishte hapur fjalë  se po lëpihesha pas sekretarit, që, si beqar që isha, të mund të më dhuronte ai ndonjë nga ato zogëzat e djegura për një teser partie, për ta marrë për nuse. Këto fjalë që qarkullonin, mundën të vinin dhe tek unë prej personash që më donin të mirën pa ndonjë interes.  Se t’u them të drejtën edhe unë, si dhe shoku Vasil kishim “antenat”  tona marrëse-dhënëse pothuaj në çdo fshat.Vasili ì ruhej Sofisë për çdo veprim që kryente, kurse unë dinjitetit tim. Këtu ndaheshim me njëri – tjetrin. Për një gjë përpiqëesha të isha ì kujdesshëm dhe ì vetëdijshëm: thëllëza që do më rekomandonte shoku Vasil të mos bënte pjesë në listën e pashkruar të atyre që ì jepeshin atij.

Miken e jetës synoja ta merrja dhe ta ruaja prej ngacmimeve, premtimeve e provokimeve që sekretari ì kish me shumicë e të një lloji të veçantë gjersa ì shtinte në dorë.

Shpeshherë rrëkëlleja ndonjë gotë me raki në banesën e Shokut Vasil. Edhe unë nuk shkoja bosh. Në çantën time vetëm qumësht dallëndysheje nuk gjeje…Rakinë ma jepte me respekt të dukshëm, por por edhe me një vështrim shbirues Sofia.

Kish kohë që vështrimin hetues ma vërviste me minuta të tëra, sa m’i rrëzonte përdysh me sytë e mi disi të tulatur e të përgjumët.

Sofia nuk ishte e trashë nga mendja. E pikasi dhe e kapi ne flagrance, duke degjuar nga jashte deres dihatjet e bujtëses mikeshë, presë së radhës…

Kishte provuar disa here te degjonte e shihte prej dritareve, por kurrsesi nuk arriti as te shihte as te degjonte kurrgje. Dritaret isgin te puthitur fort e perdet e renda e te erreta e kryenin me se miri misionin e tyre te fshehjes se paudhesive qe mund te sajonte sekretar Vasili Brenda asaj zyre misterioze…

Mua nuk ma bente zemra te shfaqesha perballe opinionit e sidomos Sofise se urte e te bindur me te vertetat e hidhura per te. U mjaftova te beja te paditurin. Me kujtohej perhere nje ngjarja diku ne nje fshat tjeter yte nje krahine fushore: Dikush, i padjallezuar dhe mbrojtes i moralit dhei ndershmerise, kish denoncuar per dy persona qe  flirtonin e qe rastesisht iu kish pare me syte e vet, por e pesoi i shkreti: Gjykata e denoi aahper per fyerje te figures se femres intelektuale…

Kujtoi gjithashtu proverba e sentenca qe ushqenin dukuri te tilla si: “Ç’kërkove, Toto ne sheshe, e kerkove dhe e gjete!” ose “E ç’me dyhen mua te bej sherr me dhelpren kur nuk kam pula ne kotec?!”

Krijova ndjesinë në vetvete, se Sofia diçka kish nuhatur për veprimtaritë e fshehta të të shoqit. Më shumë e shtynin drejt dyshesës citatet e shumta që përdorte i shoqi për një figurë të pastër morale të kuadrove e gjithë masës kooperativiste e sidomos rinisë fshatare e asaj shkollore.

Sërish ì xixoi në tru Bardhylit shprehja e stërthënë me vete: “Eh, ç’vete në këtë botë! Të tjerë qejfosen e të tjerë sikletosen…”


(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora