Kulturë
Hajdin Morina: Ngadhënjimi i artit mbi format e ndëshkimit dhe të dhunës shtetërore
E hene, 02.11.2009, 08:59 PM

NGADHËNJIMI I ARTIT
(Ismail Kadare, “Përballë pasqyrës së një gruaje”, botoi “Onufri”, Tiranë 2001)
Ismail Kadareja dhe lexuesi
Në veprën “Përballë pasqyrës së
një gruaje” janë të përfshira tri proza të shkurtra ose tri mikroromane, siç i
quan kështu vetë autori: “Kalorësi me skifter”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve
Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje” dhe “Ikja e shtërgut”.
Ka kohë që në mendimin
teoriko-letrar, në kritikën letrare, në tekste të shumta të poetikës së veprës
letrare, në libra studimorë të teorive letrare dhe në diskursin përgjithshëm letrar dominon mendimi dhe
vlerësimi se vepra letrare e shkrimtarit Ismail Kadare qëndron në majë të zhvillimit të letërsisë shqiptare
dhe është pjesë e pandashme e thesarit letrar në Evropë dhe në botë. Kadareja
është, deri më tash, përfaqësuesi më i denjë i përfaqësimit të Shqipërisë dhe
të letërsisë së saj në skenën sfiduese të letërsisë së përbotshme, ku zuri vend
të merituar, i vlerësuar lart nga kritikë të mëdhenj letrarë të kohës së sotme,
i lexuar dhe i adhuruar nga miliona lexues gjithandej botës, të cilët,
nëpërmjet potencialit shprehës të më shumë së tridhjetë gjuhëve që flasin
njerëzit nëpër kontinente, kanë shijuar bukurinë e artit të Kadaresë, fantazinë
e tij të jashtëzakonshme krijuese, origjinalitetin dhe novatorizmin që ka
sjellë ai jo vetëm në letërsinë e popullit të tij.
Ismail Kadare shkruan, boton, dhe
librat e tij sakaq marrin udhën drejt lexuesve shqiptarë dhe të tjerëve. Pra,
vepra e Kadaresë lexohet, dhe ky fakt flet për vlerën e lartë të shkrimit të
Kadaresë. Se lexuesi vlerëson, se fjala dhe qëndrimi i tij ndaj tekstit letrar
duhet të merret parasysh nga teoricienët
dhe kritikët letrarë, këtë na e vërteton poetika moderne e veprës së hapur, e
cila ka konstatuar se ekziston një raport i ngushtë ndërmjet veprës letrare dhe
lexuesit ose, siç thotë Umberto Eco, njëri ndër teoricienët, estetët dhe
shkrimtarët më të mëdhenj të artit postmodern, poetika e veprës së hapur e fton
lexuesin ta bëj veprën me autorin. Natyrisht, këtu shprehet ideja se lexuesi e
shijon, e vlerëson dhe e komenton veprën në m mënyra të ndryshme, varësisht nga
shija e vet letrare, nga formimi i tij estetik, por edhe nga mundësitë që jep
teksti letrar për të ndërtuar nëntekste nga më të ndryshmet, riprodhime të
shumta mesazhesh, përqasje të veprës me vepra të tjera, me ngjarje e me momente
të ndryshme historike, sociale, psikologjike etj.
Duke qenë kategorikisht kundër një
poetike universale, teoricienët e veprës së hapur krijojnë pra një poetikë të
re, ku faktori vendimtar nuk është vepra, por lexuesi (Prof.dr. Floresha Dado,
“Teoria e veprës letrare, poetika”, Tiranë 2003, fq. 50).
Proza “Kalorësi me skifter”
Teksti letrar “Kalorësi me skifter”,
edhe pse ka një përmbajtje tjetër nga dy tekstet e tjera të përfshira në veprën
“Përballë pasqyrës së një gruaje”, për mesazhin letrar dhe për nëntekstin e
fuqishëm, por edhe për nga mundësitë e përqasje së fateve të personazheve
përbën një fill të pashkëputshëm me dy prozat e tjera.
Në qendër të strukturimit letrar
të rrëfimit të kësaj proze është ndërtimi i një shtëpie gjuetie në qytetin e
Lezhës, ide kjo që i lindi Ministrit të Jashtëm të Italisë, kontit Çiano,
dhëndrit të Duçes, tek sodiste nga aeroplani bregdetin e bukur shqiptar në
ditën e zezë të 7 prillit 1939. Arkitekt i ndërtimit të “Gjuetinës së Lezhës”
ishte italiani Ernesto Mohri, i cili përpos projektimeve të tjera që i bëri
kësaj shtëpie, sipas dëshirës së Ministrit italian, kërkoi që në sallën
kryesore të vendosej një tablo artistike që ai e kishte parë diku në ballë të
një muzeu të një shteti skandinav. Nuk i kujtohej shteti, por i kujtohej se
tabloja titullohej “Kalorësi me skifter”, dhe Ministri Çiano u pajtua që kjo
tablo të zinte vendin që e kishte propozuar arkitekti. Çmimi i kësaj tabloje
ishte i lartë, u bë vetëm riprodhimi i saj.
“Gjuetina e Lezhës” me tablonë
artistike të varur në murin kryesor të saj, bëhet në këtë tekst letrar burimi i
të gjitha ngjarjeve të tjera artistike në vepër, të cilat, kuptohet, kanë edhe
lidhshmëri dhe ngjashmëri me ngjarjet e realitetit jetësor në Shqipëri, në
periudha të ndryshme të saj. Piktura e varur në mur përhapte kumtin e një krimi
të pashmangshëm. Një kalorës mbante mbi supe një skifter. E kishin ftuar për
gjah, por nuk i besonte shumë ftesës. Mund ta vrisnin ata që e kanë ftuar.
Nëpërmjet një fryme të tillë të përshkrimit të situatave, Kadare zbërthen të
fshehtat e ngjarjeve historike që kanë pllakosur mbi Shqipërinë, krimin që bëri
fashizmi italian, luftën vëllavrasëse, pasojat e komunizmit në përqasje me
përpjekjet që janë bërë për zhvillimin e Kombit dhe për bashkimin e tij. Natyra
e rëndë e krimit dhe vdekja, si dhe paralajmërimi ose kumti se do të ndodhin
këto, janë dhënë nëpërmjet zbërthimit artistik të psikologjisë shpirtërore të
personazheve, nëpërmjet përshkrimit të shkurtër të vetëm disa detajeve që
lidhen me emra, me ngjarje dhe me tragjedi që ka pësuar populli ynë. Ndërtimi
shtëpisë së gjuetisë në qytetin e bukur dhe historik të Lezhës, gjuetia dhe
gjahu që bëhet aty dhe përreth saj, karakteri, gjuhët dhe fati i ndryshëm i
personazheve, vrasja e kontit Çiano nga vjehrri i tij, hetimet që bëjnë
hetuesit italianë për ngjarjet e kësaj shtëpie, interesimi i gjermanëve, pas
kapitullimit të Italisë, për këtë shtëpi, persekutimet dhe vrasjet e njerëzve,
pas instalimit të pushtetit komunist, vrasja e djaloshit Bardh Beltoja nga
oficerë të Ministrisë së Brendshme (Bardh Beltoja kishte qenë përkthyes në disa
bisedime të vështira ndërmjet delegacionit shqiptar dhe atij jugosllav, pak
kohë më vonë e kishin ftuar për të gjuajtur rosa dhe e kishin vrarë jo shumë
larg shtëpisë së dikurshme të gjuetisë që tash ishte rinovuar dhe ishte bërë
pjesë e hotelit “Dajti” të Tiranës), vizita që i bëri ish-shtëpisë së gjuetisë
Bruno Mohri, i biri i arkitektit Ernesto Mohri, edhe ky arkitekt si i ati, më
shumë se gjysmë shekulli më vonë, në vitin 1999- të gjitha këto janë zbërthime
të kodeve të planeve dhe të ngjarjeve të shumta që u zhvilluan kundër
Shqipërisë dhe popullit të saj, zbërthim i kodit të fatkeqësisë së saj
historike, simbolikë e pushtimit të gjithanshëm të Shqipërisë, por edhe
konstatim se brenda popullit tonë në çdo kohë ka rigjeneruar gjeni i qëndresës
dhe i orientimit drejt krijimit të hapësirave për të shprehur aftësinë e vet
krijuese në shërbim të zhvillimit të Kombit dhe në shërbim të kontributit
ndërkulturor.
Npëprmjet krijimit të tablove
krejt eliptike, Kadareja ndërton mesazhe dhe nëntekste që japin atmosferën e
zymtë të fatit të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar menjëherë pas mbarimit të
Luftës së Dytë Botërore: “Shoku Rankoviq
mund të vijë për gjah. Ndoshta vetë shoku Tito. Flihet keq këtu. Këto fjalë që
do t’i përsërisnin shumica e atyre që kalonin natën atje, i kishte thënë i pari
Millovan Gjilasi” (fq.40).
“Historia e
Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje”
Kjo prozë është teksti i dytë
letrar në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje”. Derisa në prozën “Kalorësi
me skifter” bëhet krahasimi ose përqasja artistike e dy koncepteve ideore, siç
janë vepra e artit (piktura) dhe krimi, në këtë prozë qysh në fillim krahasohen
dhe ballafaqohen dy koncepte ose figura reale: institucioni i Lidhjes së Shkrimtarëve
Shqiptarë dhe Margarita, një prostitutë që jetonte përballë shtëpisë së Lidhjes
së Shkrimtarëve në Tiranë. Ngjarja e kësaj proze zhvillohet në vitet ’60 të
shekullit XX, atëherë kur Kadareja kishte filluar të bëhej zë i letërsisë
shqiptare, duke paralajmëruar, bashkë me brezin e tij, kthesën vendimtare në zhvillimin e letërsisë
shqiptare. Vetë fillimi i tekstit paralajmëron vështirësitë në krijimtarinë e
shkrimtarit, zbulohet para lexuesit ose zhvishet organizimi dhe veprimtaria
konformiste e institucionit të Lidhje së Shkrimtarëve Shqiptarë, nënshtrimi dhe
servilizmi i saj ndaj pushtetit dhe aparatçikëve të tij që kishin instaluar në
letërsi metodën dogmatike dhe shterpe të realizmit socialist, dhe shkrimtarit i
kishin caktuar rolin e autorit të “poemave bombë e flamur”, rolin e agjitatorit
të “arritjeve të papara të socializmit, të pastërtisë ideologjike e të
optimizmit revolucionar”.
Krahasimi i Lidhjes së Shkrimtarëve
me figurën e një prostitute tregon për organizimin dhe veprimtarinë jo të
suksesshme të këtij institucioni kulturor, me të cilin manipulonte shteti. Qysh
në fillim të tekstit jepen shenjat e një konflikti që do të zhvillohet më tej
me anë të formave të narracionit, siç është dialogu, përshkrimi i personazheve
të veçanta, përshkrimi i situatave dramatike që ndodhin në botën shpirtërore të
personazheve etj. Zhvillimi i konfliktit kryesor në tekst (Lidhja e Shkrimtarëve-shteti)
nuk zhvillohet në mënyrë të hapur, sepse nuk ekzistojnë rrethanat për t’u bërë
kjo gjë, por mund të thuhet lirisht se zhvillimet dramatike lexuesi i përjeton
nga nënteksti, sepse kumti për zhvillimet dhe pasojat dramatike jepet nëpërmjet
të sajimit të disa detajeve në të cilat nuk përshkruhen, por parandihen pasojat
në jetën e personazheve. Partia ka konstatuar se në Lidhjen e Shkrimtarëve ka
rënë niveli i “syçeltësisë revolucionare dhe i optimizmit të jetës socialiste”.
Partia ishte pakënaqur me shtypin, sidomos me gazetën e Lidhjes së
shkrimtarëve. A mjaftonte ky konstatim që të parandiheshin pasojat? Dhe shefi i
kuadrit i alarmoi shkrimtarët. Asnjë zë nuk kundërshtonte. Ata që debatuan bënë
kritikë ose autokritikë. Pas mbajtjes së plenumit të Lidhjes së Shkrimtarëve,
ku morën pjesë udhëheqës të shtetit e sekretarë partie, shkrimtarët u dërguan
“për t’u riedukuar”, në mesin e klasës punëtore, mes kooperativistëve e
punëtorëve në fabrika. Kaq. Autori nuk ka nevojë të flasë më tepër. Mesazhi
përcillet tek lexuesi me anë të përshkrimit të frikës dhe të parandjenjave të
këqija që zhvillohen në shpirtin e personazheve. Edhe Margaritën dhe nënën e
saj i kishin transferuar në një fshat të largët të Lushnjës, “për t’u
riedukuar”, por ato atë mbrëmje kishin varur veten. Me figurën dhe me fatin e
tyre autori ndërton fijen e protestës kundër formave çnjerëzore të ndëshkimit
të shtetit mbi qytetarët e vet. Shkrimtarët kishin duruar poshtërimin,
vazhdonin “të riedukoheshin”, vazhdonin të falënderonin Partinë për
“përkujdesjen” ndaj tyre dhe ndaj artit shqiptar.
Kjo prozë ose ky roman i shkurtër
dallohet për krijimin shumëdomethënës të figurës-personazh. Nëpërmjet figurës
së Margaritës dhe figurës së poeteshës së re (një servile e përpunuar e
pushtetit) autori arrin jo vetëm të krijojë skena artistike të skalitura mirë,
por nëpërmjet tyre bart mesazhe dhe ide me të cilat lexuesi zbërthen nyja të
shumta të ngjarjeve dhe të veprimeve njerëzore nën diktaturë. Nganjëherë autori
krijon figura letrare me anë të pjesëve të strukturës së tekstit ose me anë të
dialogëve ndërmjet personazheve. Po japim
më poshtë një dialog ndërmjet rrëfimtarit-autor dhe poeteshës së re, në
kohën kur rrëfimtari i ngjarjes (autori i veprës) ishte kthyer për ca kohë në
Tiranë nga qyteti B. Ku e dërgoi Partia “për t’u riedukuar dhe për t’u
shkundur”, mes punëtorëve të fabrikës së tekstilit. Nëpërmjet këtij dialogu
autori ka shprehur pakënaqësinë e madhe të shkrimtarit të ri, protestën e tij
të pashprehur haptas, duke ndërtuar figurën shumëdomethënëse të ironisë: “Njerëzit e papërgjegjshëm nuk heqin dorë
nga poshtërsitë,-vazhdova-...Një inxhinier tarrallak, që po merret me ngritjen
e fabrikës së parë të prezervativëve, paska menduar që marka e prezervativit
shqiptar shqiptar të quhet “Skënderbeu”.
Ajo u skuq
dhe s’dinte ku t’i çonte sytë.
-Ç’janë këto
marrëzira?-tha. Si guxojnë njerëzit të mendojnë kështu? Si nuk vënë mend?
-Pikërisht këto fjalë thashë edhe unë kur e dëgjova. Po ai
e paska përligjur, si të thuash, me atë që prezervativi duhet të jetë i fortë,
rezistent, e meqë Skënderbeu është simbol i qëndresës...”(fq.104).
Atë ditë, pas këtij dialogu, rrëfimtari-autor u kthye sërish në qytetin
B. Ku kishte shkuar për “riedukim”.
“Ikja e
shtërgut”- monument për pavdekësinë e artit
Proza ose romani i tretë, i
përfshirë në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje”, është “Ikja e shtërgut”,
kushtuar poetit të madh shqiptar Lasgush Poradeci. Është një prozë e shkurtër,
me një lirizëm dhe ritëm të theksuar, ndryshe nga dy prozat e para. Konceptet
artistike që zbërthehen në prozën ”Ikja e shtërgut” flasin për lidhshmërinë
përmbajtësore dhe ideore që ka ky tekst me dy të parët, por në këtë të fundit
vërehen ndryshime në mënyrën e ndërtimit të figurës-personazh dhe të figurave
artistike që mund të hasen në këtë prozë.
Në të tri romanet e vogla, të
përfshira në veprën “Përballë pasqyrës së një gruaje” zënë vend qendror
konceptet e artit, procesi i vështirë dhe hyjnor i krijimit, por të tjera ide
bartin më vete dhe përhapin ndër lexues konceptet artistike të dy prozave të
para në përqasje me tekstin letrar “Ikja e shtërgut”. Në romanin e vogël
“Kalorësi me skifter” arti (piktura) përhap nëpër kohë dhe hapësirë kumtin e
krimit; në prozën “Historia e Lidhjes së shkrimtarëve shqiptarë, përballë
pasqyrës së një gruaje” arti (letërsia) dhe krijuesi (shkrimtari) japin shenjat
e para të ballafaqimit me ndryshimin e rrjedhave brenda tyre dhe, si pasojë e
kësaj, me ndëshkimin e rëndë që lëshoi mbi ta shteti; në veprën “Ikja e
shtërgut” arti (poezia) dhe krijuesi (shkrimtari) reflektojnë ide më të larta,
më të përsosura; raporti krijues-sundues konceptohet dhe shpjegohet qartë:
sunduesi është kundër krijuesit, krijuesi kundër sunduesit. Autori me këtë prozë
të rrallë artistike i ka ngritur monument estetik pavdekësisë së veprës letrare
të Lasgush Poradecit, poetit që e kishin harruar. Atë nuk e ftonin në mbledhje,
as në dreka e në darka, por as ai nuk i përmendte ata në vargun e tij lapidar.
Dhe, si për t’i sfiduar ata, në moshën tetëdhjetëvjeçare përjetoi një histori
dashurie me Ana G. Lexuesi nuk mundohet ta vërtetojë saktësinë e këtij lajmi që
u përhap si rrufeja ndër njerëz. Qoftë realitet artistik, qoftë realitet
jetësor, dashuria e Lasgushit simbolizon përmasat e kategorisë filozofike të
poezisë së tij, vitalitetin shpirtëror, forcën ripërtëritëse të artit, fuqinë e
jetës; ajo dashuri sfidoi një aparat shtetëror, i cili, me të gjitha format e
ndëshkimit dhe të izolimit ndaj poetit, nuk arriti ta tjetërsonte. Aq më pak
tash në pleqëri, kur ishte i dashuruar (s’kishin mjete që mund t’ia ndalonin
dashurinë) dhe po e mbyllte me dinjitet veprën artistike dhe atë jetësore.
Edhe në këtë prozë, sikurse në atë
para saj, autori rrëfen për pengesat jashtëletrare, për ndëshkimet ndaj
shkrimtarëve, për servilizmin dhe konformizmin që kish arritur të mbillte ndër
ta aparati shtetëror. Lasgushi kishte frymë tjetër. Ai donte dhe punonte që
sovran të ishte poeti e jo sundimtari. Në këtë prozë të Kadaresë çdo element i përmbajtjes,
çdo element i ligjërimit dhe i mesazhit letrar, përfshirë edhe ritmin e
rrëfimit, është në funksion të konstatimit artistik të epërsisë së poetit
Lasgush Poradeci ndaj të gjitha ngjarjeve dhe veprimeve që zhvilloheshin kundër
lirisë dhe kundër dinjitetit njerëzor, kundër lirisë dhe kundër zhvillimit të
artit. Në funksion të kësaj është edhe një përshkrim i bukur i bisedës që bëri
Lasgushi me rrëfimtarin-autor që kish shkuar atë verë në Pogradec për ta parë,
pas përhapjes së historisë së asaj dashurie, poetin e madh, “mjeshtrin dhe
kalorësin e përjetshëm”: “Te Homeri është
një vend ku dielli zemërohet me Zeusin, nuk e di a të kujtohet,-tha pas pak.-
Kështu pra, dielli zemërohet me tiranin dhe e di si e kërcënon? Në ferr do
zbres, do shndrit veç për të vdekurit!- Ai buzëqeshi më ftohtë si më parë.- Ja
pra, ç’kërcënim të gjëmshëm i bëri tiranit dielli. Të lërë vendin e vet në mes
të qiellit, me fjalë të tjera, të braktisë të gjallët dhe të zbresë atje ku
s’ka nevojë për të, tek te vdekurit. Shkurt çdo gjë të bëhet së prapthi, me
fjalë të tjera, të vijë fundi i botës, apokalipsi...Të tillë kërcënim të
tmerrshëm dhe jo naze zonjushash duhet të bëjë poeti...Me sa kam lexuar prej
teje, ti gjithashtu ke filluar të zbresësh tek te vdekurit...” (fq.150). Mesazh
i qartë. Himn për poetin dhe për përjetësinë e artit letrar. Monument për
sakrificën, për martirizimin e shumë krijuesve shqiptarë. Monument estetik,
përmendore e shpirtit, për poetin e madh Lasgush Poradeci.