Kulturë
Bilall Maliqi: Vargje reflektive me mbrujtje poetike
E merkure, 04.11.2009, 07:27 PM
VARGJE
REFLEKTIVE ME MBRUJTJE POETIKE
(Sinan
Sadiku, “Shigjetat e lakmisë”, Sh.B. “Brezi ’81, Prishtinë, 2009, faqe 64).
Nga Bilall
MALIQI
Kosova Lindore në të
cilën gravitojnë disa qytete të cilat kanë të avancuar rrafshin e krijimeve
letrare dhe promovimin e kulturës letrare, si Gjilani, Vitia, Presheva,
Bujanoci, Dardana etj., përbëjnë një
trung ku shquhet për nga kultura letrare në letersinë shqiptare në përgjithësi.
Dardana (ish kamenica),
ku në gjirin e saj ka edhe Klubin Letrar “Nositi” që tubon krijues tashmë të
dëshmuar të letrave si Nexhat Rexha, Baki Krasniqi, Sinan Sadiku e shumë tjerë
të cilët me veprat e tyre dëshmuan një seriozitet në shkrime dhe tanimë janë të
njohur në mbarë relievin tonë krijues.
Pjesë e kulturës
letrare të këtij qyteti të bukur, ku me një mjeshtri të rrallë poetike e paraqet në vargjet e veta, është poeti dhe
kritiku letrar Sinan Sadiku, i cili para lexuesve doli nga aononimiteti nga
viti 2000 me botimin e librit të parë me poezi me titull “Rrobat e engjëllit”.Këtë
vit Sinani botoi edhe librin e dytë me poezi për të rritur të titulluar
“Shigjetat e lakmisë”, botuar nga Sh.B. “Fondi për Letërsi, Art e Kulturë Brezi
“81” Prishtinë.
Lirika në
vargje
Përmbledhja poetike
“Shigjetat e lakmisë” që nga prologu i
librit deri te epilogu i saj përbëhet me një kolorit ngjyrash e motivesh të
lloj-llojshme të cilat janë evidente brenda kopertinave të librit dhe është
ndarë në tri cikle poetike:”Ngjyra lirike”, “Stinë e lënduar”
dhe “Baladë
për Gentin”.
Nëse merret në shqyrtim
poezia e Sinan Sadikut mund lirisht të themi se vargu i tij ka një strukturim
të fortë, dhe ka një figuracion të ngjeshur dhe gjithpërfshirës, motivet që i
rreh janë të qëlluara dhe i përkasin ndodhive nëpër kohë.
Poezia e Sinanit nuk
është e drejtpërdrejtë, porse është e paisur me gjuhën e metaforës dhe janë
gjysëm-hermetike sa i përket kuptimit të tyre.
Muza poetike e ka futur
poetin në motive të ndryshme si p.sh.:motivi patriotik , i jetës së përditshme,
vargje përkushtimore etj., të cilat i
jetësojnë krijimet poetike të tij.
Një prezantim aq serioz
autori e paraqet përmes vargjeve poetike që nga cikli i parë, ku shfaqet
ndjenja shpirtërore e autorit e shprehur në vargje në poezitë:”Strehim në
vargje”, “Zogj të pikëlluar”, “Kampion i pritjes”, “Tejpërtej”, “Dardania”,
etj., ku me vargje të ndërtuara mirë dhe të rimuara del me një ofshamë të fortë
para lexuesve e sidomos kjo ofshamë është prezente në poezinë kushtuar qytetit
të tij Dardanës, ku përmes vargjeve paraqet shetitjen e tij nëpër këtë
fshat-qytet siç e quan autori, në të cilin autori kërkon në mënyrë indirekte që
të investohet më tepër në këtë vend të harruar siç e potencon poeti në vargun e
tij.Po në këtë poezi autori shpalos komplet panoramën e Dardanës para lexuesve
e cila panoramë është reale, ku peizazhin e paraqet kështu:
“Me lumi në mes e malin përreth
Me shtatin e gjatë e rrafshin në
brez
Pret një dorë mjeshtri
T’i japë pakëz shpresë”.
(Poezia, Dardana”, faqe 14).
“E dogji zjarri e ngriu acari
E mori serbi e mori bullgari
Por prap jeton
E shpresë ndërton”
(Poezia, “Dardania”, faqe 14).
Po në këtë cikël Sinani
u fali vargje edhe dëshmorëve të cilët ndërruan për shumë shkallë historinë tonë
kombëtare, ku me veprën e tyre mbetën të pavdekshëm sa të ekzistojë historia jonë kombëtare, Poezia, /Shkoi për të
ardhur/, e shumë poezi që ngërthejnë këtë cikël poetik.
Edhe në ciklet tjera të
po këtij libri lexuesi ndeshet me poezi të një figuracioni të fuqishëm.Poezitë
në vazhdim përbëhen me një gjuhë të përparuar poetike, sepse Sinani ka një
kontroll shumë efikas sa i përket ndërtimit të vargut dhe paisjen e tyre me
figura të ndryshme letrare.Në poezitë e tij janë të pranishme gati të gjitha
figurat poetike varësisht vendit dhe momentit dhe ua ka gjetur me sukses vendin
e duhur në vargje.
Shumica e poezive të Sinan
Sadikut janë të rimuara, por ka edhe poezi me vargje të bardha, por me vlera të
kënaqshme artistike.P.sh., poezitë:/Oj nënë e mjerë/, /Në kujtime/, /Frynë në
erë/, /Lirikë/, /Mallkimi/, /Librat e çalë/, /Metamorfoza/ etj, lexuesin e
fusin në ngjarje poetike të cilat i ka shkruar me mjeshtri autori dhe me
kureshtje kërkojnë shpjegim nga këndi i tyre i përceptimit.
Dhembja
si koncept
Brenda këtij cikli
poetik lexuesi do të shoqërohet me poezi që ndjellin ofshamë, dhimbje, pra
autori hyn në konceptin e dhembjes sidomos te poezitë:/Shigjetat e lakmisë/
poezi kjo që e merr edhe titullin përmbledhja poetike dhe /Baladë për Gentin/,
ku poezia e parë paraqet një skenë sa dhembëse aq edhe trishtuese, pra është
një realitet i hidhur, në kohën e re, rrugët tona janë të vërshuar nga qentë
endacakë të cilët marin pa mëshirë jetëra fëmijësh duke shkuar në shkollë.Pra
çudi e shekullit të mbrohen qentë nga shteti, të lodrojnë të lirë nëpër fusha,
rrugë e rrugica.Autori përmes vargjeve të kësaj poezie shumë dhimbese dhe
emocionale proteston në formën e vet përmes vargjeve:
“Një fëmijë e rrëmbejnë qentë
E gjejmë vetëm skeletin
Fëmijërinë e shuar
Çantën e shqyer
Dhe librat
Të derdhur nëpër baltë”
Ose
“Asnjë ngushllim
Ardhmërinë s’po e mbajnë këmbët
Po e zënë ethet
I janë mjegulluar sytë
Ka rënë në agoni ardhmëria
Nga kjo pamje që vret”
(Poezia, “Shigjetat e lakmisë”,
faqe 56).
Në vazhdim poeti nuk
mund assesi të dal nga koncepti i dhembjes, kjo dhemnbje është ndryshe nga
dhembja për fëmijën kafshuar nga qentë, e që ia morën jetën, kjo dhembje është
tani për Gentin personazhin poetik të kësaj poezie e cila ka motiv social.Poeti
në këtë poezi paraqet qartë aspektin social të shumë familjeve tona dhe paraqet
tabllo reale ku shumica e popullit janë të pa punë dhe gjenden buzë
ekzistencës, por jo dhe kaq, edhe ata pak punëtorë shpallen tepricë
teknologjike dhe largohen nga puna.Këto skena janë të përditshme, ku bëhet
shitja e organizatave prodhuese dhe punëtorët mbesin rrugëve.
Po ashtu edhe kjo poezi
ka përfundim fatal, shuarja e jetës së Gentit personazhit të kësaj poezie.Pra
vargjet e kësaj poezie janë shumë prekëse.Së lexuari të këtyre dy poezive edhe
lexuesi do të ketë dhembje siç pati
poeti në këtë rast.
Në vazhdim nuk mundemi t’i anashkalojmë edhe poezitë:
p.sh., /Mushkonja/, /Delet/, /Etje/, /Baladë/, /Kur dridhet çatia/, /Rrëfimi i
lisit/, /Dikush/, /Deti/, /Shpresa/, dhe poezia e fundit e këtij libri /Nisma/ ,
të cilat kanë vlera të duhura artistike.
Vlerat
Përmbledhja poetike “Shigjetat
e lakmisë” të autorit Sinan Sadiku, shquhet për nga vlerat artistike.Sinan
Sadiku shkruan rrallë, por ka një stilt ë veçantë të shkrimit, gjithnjë
përpiqet që vargu i tij të jetë i ndërtuar mirë, pra të mos ketë ramje-ngritje
të vlerave artistike të shkrimeve të tij.
Prej gjithë kësaj që u
tha deri tani mund të themi se ky libër
i ka të gjitha tiparet e një libri me vlera të qëndrueshme artistike.
Biografia
Sinan Sadiku lindi në
fshatin Gjyrishec të komunës së Dardanës, më 12 nëntor 1961.Shkollën fillore e
kreu në vendlindje dhe në Tyxhec, të mesmen në Dardanë, ndërsa fakultetin
Juridik në Prishtinë.
Shkruan poezi dhe kritikë
letrare.Në vitin 2000 botoi librin poetik “Rrobat e engjëllit”, kurse në vitin
2009 botoi librin e dytë me poezi të titulluar “Shigjetat e lakmisë”.
Sinan Sadiku jeton dhe vepron në
Dardanë.