E premte, 02.05.2025, 12:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Puntorie Ziba: Vargje lirike nga libri "Suita e lënduar"

E marte, 03.11.2009, 08:04 PM


K“ PASIONI ËSHTË ARMIKU I QETËSISË: PA TË NË JETË NUK DO TË   
KISHTE AS ART, AS SHKENCË.”
( A. FRANS)
                                
Puntorie Ziba
 
LIRIKË  GRUAJE
 
Vargje lirike nga libri "Suita e lënduar" të botuara në vitin 2002
 
Kur erdhi stina e gjelbërt
 
Erdhi stina e gjelbërt
nisi të këndojë këndezi
çeli lule shtogu
çeli kukureku
erdhën shpendkuqet nga larg
dielli lindi e perëndoi
hëna u rrotullua me flatra zogu
kundërmoi era e fushës
erë dheu
u mahnitën fluturat e bardha
kjo stinë u bë gojëdhënë
njerëzit u drodhën nga bukuria
pëllumbat qeshën mbi çati
dhe kur zbritën
u puthën nën hije lulemollësh
afër zhurmës së karkalecave
mbi faqet e skuqura të luleve
bënë dashuri
u shtrinë
mbi stinën e heshtjeve
dëgjuan klithmat engjëllore
të udhëtarëve që ktheheshin prej honeve
dhe përgojonin
stinën që u bë gojëdhënë.
 
Trëndafil i bardhë
 
( Motiv popullor )                          
 
Droja nga shikimi yt,
nga miklimet;
më ngujove për së gjalli
se,nepërkë bukurie ishe.
Ma shkule zemrën nga trupi
me buzë gjarpëri
pa frymë më le;
si të përhiturën
në parzmë më mbështete
vetëm një herë.
Malet kur na panë
u ulën e ranë
tërë pishat u thanë.
 
b) trëndafil i bardhë
 
Sa fort të kam dashur,
shikim gjarpëri kishje!
Ma mirrje drejtpeshimin,
kur s’dija të ecja
si ta puthja tokën
e diellin.
Unë vdisja
e ti jetoje për veten,
me helmin e narcizit në buzë.
 
c)     një lutje
 
Të luta t’i shikosh bilbilat
si puthen në rrugë
me pulëbardha
dhe shartojnë trashëgimtarin.
A të kujtohen pishat
që na bënin hije
e luteshin ta nisim frytin?
Ti bëje dashuri
honeve
pa shtrat
të shtruar me pëlhura
të pambukta.
E dija se
nga hiri yt
nuk lind kopili
por djali.
Malet kur të panë
u ulën e ranë.
 
ç) një ekstazë
 
Trëndafil i bardhë,
sa fort të kam dashur mor!
Askush nuk e dinte
vetëm ti dhe shpirti.
Nepërkë flokëkaçurrela
zi si fletë korbi
si ta miqësoja
ate  shpirt
bosh
që verë e dimër
ndëshkonte dashurinë.
Malet kur na panë
u ulën e qanë
me lot fushën e lanë.
 
Ky qytet
 
Dhe, përsëri ky qytet
i dashur
më mori në prehër.
Dhe, përsëri ky qytet i rrjepur
pa agimet e mia
qëndisur fije–fije
me lule dielli,
prêt e përcjell
kalimtarët kasnecë
e mua më la vetëm
kur ulëriu
e tërbuara erë.
Më lejoni të vdekur ta lë këtë qytet
tërmetesh
e rreshjesh,
ku natën parakalojnë
hamshorët,
e ditën engjëjt,
krah për krah
me sirenat bishtëdredhura.

Fragment udhëtimi
 
Kur këndova vjerrshën time në Pokë
Në rrugë
E shqetësuar
Para statujës së Emineskut
Para teatrit në stilin barok,
Se ç’më doli një klithmë shpirti
E, loza tërë ditën me vargun e poetit,
Si me fletë trëndafili
Ledhatova fshehurazi
Tufën e zogjve në fluturim
Shpirtin e muzave para teatrit tim
Të ndërtuar në stilin modern.
Ç’dhembje është të këndosh nga larg këngën tënde
E ta kërkosh
Çelësin magjik buzë lumit të huaj
Për të hapur portën e poezisë
E të venerosh  lirinë  
e sojit tënd.
 
Rumani

Maj , 2001
 
 
UTOPI IKJEJE
 
Lava faqet në gjiriz
putha qershinë e qershorit
këputa një lulemolle
e vura mbi një floknaje
iu vura Omerit pas.
 
( shpresë )
 
Nëse pesha e jetës
më bëri
zog të plagosur,
unë luaja me gishtërinj malli.
Një utopi
hir jete,
ma shtoi nurin, poezi.
E, shkruaja
në erë
në ajër
në qiell
për ty
gomar
që lozje në piano
kur të futja në utopi
e të hiqja
me tërkuzë
zvarrë.
Ti ikje.
Dhe
shpresa rronte
e rron.
Ah,
le të rrojë shpresa
në mua
sa të jem
e sa të jeshë.
 

Një rrëfejzë
 
(Që ta lexosh ndonjëherë  biri im)
 
 a) në ag
 
Biri im, trëndafil i gjelbërt,
Jeta ime është Troja në flakë,
Mbi supe më rëndonin gjethe vjeshte,
E ma plasën ulkus duodenin,
Mbeta pa gjak në  fytyrë.
 
b) një mëngjes
 
Biri im
trëndafil me fletë,
ma vodhën natën
ditën ma vodhën
ditarin ma dogjën
pa nota m’i lanë nxënësit.
Eh,sa të etshëm për nxënie ishin!
Nduka faqet,
shkula flokët,
për pak mbeta pa atdhe
plaga m’u bë sa një diell i zi
nga çjerrjet e kërcënimet,
nën kulmin tim
kur mbyllja derën me rreze,
nga mnera,
desh më therrën, bir,
përjetë humba limontinë.
 
 c) këtu
 
Jashtë e brenda  bëhej dimër
dhe rreshte shi
mbi faqet e mia,
unë prekja erën me gishta.
Zogu im me flatra
merre zemrën time
shko në mal
kërko gjakun e atdheut,
kujto nënën
si  ngarendëte këmbëzbathur
me lot të tharë mbi qerpik
për të fituar pak jetë.
 
ç) mesdita
 
Ti ishe foshnje e mbarë
unë të shtrëngoja fort në parzmë
dhe mblodha veten u mbusha me jetë
mora hov e hypja shkallëve
e zbrisja
heca e heca
ku nuk më priste askush
as pushteti
as mbreti
as lojali
as patrioti
askush nuk më dëshironte
veç syrit tënd
trëndafili im i gjelbërt.
 
d) të mbaja në krahë
 
Të dy shikonim hënën mistike
kur zvogëlohej e zmadhohej
“Ma fal një perlë” i thoje ti.
Saa misterioze  faqja e saj prej argjendi
ma rrënqethte zemrën  shkrumb
si kjo puna e jetës dhembje.
 
dh) muzgu
 
Sikur u lodha duke mbajtur mbi shpinë
peshën e hënës , diellit me gjithë yje,
dy dallgë  më përplasnin sa këndej,andej:
Lojali gdhë,
Dhe pushteti.
 
e) po deshe, më dëgjo
 
Biri im trëndafil i gjelbërt,
jeta ime është Troja në flakë,
një gjysmë, grua që lufton me pendë për atdhe,
e gjysma tjetër, ajo që pa bukë nuk të le.
 
  Ë) në mbrëmje
 
O bir,
po deshe më sill pak ujë nga dallgët e Jonit
t’i freskoj buzët e shkrumuara
e ta vë në gjumë vargun
që ia fala Shqipërisë
prej ku lind e perëndon.
Zogu im , merre dorën time
dil në mal
bëri tufë
rrënjët e atdheut.
 
Eja  në mesnatë në Strugë
 
Eja në mesnatë
të shëtisim buzë liqenit të Ohrisë
vetëm mjellmat do të na shikojnë
asnjë sy smirak,
asnjë.
Do i kalojmë shavarët
pa grithur asnjë copë lëkurë
do bijmë mespërmes trëndafilishteve
kah kopshti i mollëve të çelura
me lot sysh
do ta shikojmë shtëpinë e verdhë afër Drinit
që e humba në bixhoz
do mahnitemi pak
pastaj do të ulemi në bangën  te pisha e madhe
nuk mund të shihemi sy më sy
atje,hëna nuk bën dritë
do rrimë si dy mumie
me siklet
nuk do të puthemi
mbase,
do të thithim pak aromë peshku .
 
Mallkimi 02
    
Nëna më tha:
Sa i mundimshëm është mendimi
se vdekja është e pashmangshme.
Më mirë të vdes para fëmijëve
ndonjë vjeshtë të vonë
kur trungjet sehir bëjnë
gjethe e frute në tokë i rrëzojnë
kur lules së verdhë i shteret shikimi
e i pikon koka mbi tokë
kur s’mbetet asnjë gjethe
të gjitha i fryn era
kuturu.
Ku e di e gjora nënë
se nga i braktis era ato gjethe,
e kur do të kalben...
Nënës i erdhi për të ulëritur
kur i shikoi pemë e
lule pa gjak në fytyrë.
Male e kodra thanë se nëna u tërbua:
shkuli flokët
hëngri thonjtë
theu dhëmbët
qau natë e ditë
qulli jastëkun
nxori kokërdhokët jashtë
por, nuk plasi duke qarë.
Nadje doli në dritare
afroi pëllëmbën
nën strehën që pikonte me naze:
tak-tak ;
dëgjoi si asnjëherë
zhurmën e kobshme,
të një humbjeje eterike.
Nëna mezi mbushi një grusht ujë
nga piklat e shiut vjeshtor,
flladiti sytë që i digjnin zjarr,
dhe zgjati duart
deri në qiell;
shkuli hënën me gjithë yje
s’e mëshiroi as të ngrohtin diell,
për inat të vdekjes së pashmangshme
që i harron shtërzimet e bulëzimit
kur lulojnë bij e bija.
Nëna lutej e mallkonte:
Mos na merr moj e zeza vdekje,
o mos na merr!
Mos na merr moj bijë e bija,
se do na zbrazet shtëpia.
Eter u bëfsh moj po na more!
Eter u bëfsh...!
 
Trualli im
 
(Kosovës)
 
Shkelë me këmbë merimange
shputa ime ,
ngadalë e me naze
se këtu është Kosova
pa re të shpupurishura,
me faqen e fildishtë
që s’la pa lëbyrur
sy zogu e njeriu.
( Kosova ime)
Ky truall  me dy - tri fusha
e me dy - tre male këndej,
me dy- tre lumenj e dy dete andej,
me dy -tre qytete e dy - tre fshatra këndej,
me dy- tri ëndrra e dy- tre vaje andej,
me dy - tre qiej, e dy- tre diej këndej.
Ec ngadalë shputa ime,
në këtë tokë të butë e të bardhë
ku babai im i thinjur mund të ngarkon
shtatë mi e njëqind e ca milion
qerre me eshtra,
si qerre me kashtë.
Në varret e këtij trualli,
aty ku engjëjt regëtijnë,
jam nisur unë me tim bir
që të vdesim e të rrojmë.
 ( Kujdes!)
Ngado që do shkelësh shputa ime
hap sytë mirë
se po trand
skelete njerëzish
që vdiqën
në kohën drurit
në natën e ndezjes së zjarreve,
në neolit
e paleolit
në stinën e korrozionit,
kur sapo evoluuan gjymtyrët:
sy e zemër
krah e këmbë,
bashkë me boshtin kurrizor.
Kujdes shputa ime prej elefanti
me origjinë
fisnikësh,
kujdes
ngado që shkel
se do ograisesh.
Shkele me këmbë shpendi këtë truall hir
është i brishtë
e ka mnerë,
se këputet në an,
ky vend heronjsh
që vdiqën e rrojnë
me zemra të vogla e të mëdha
që ju kërcejnë
tak, e tak, e tak,
për pranverën e sivjetme.

Dalldi 03
                                     
Ju të gjithë keni shikuar
një botë  të madhe
të hijeshuar
me pranverë lulesh
me ngrohtësi vere,
si kopsht mbretërish.
Kjo  bota jonë
brenda me një tufë njerëzish
një tufë kafshësh
një tufë pëllumbash
një tufë milingonash
që futen në dalldi
e mezi marrin frymë
nga avuj puthjesh
e miklimesh
në ekstaza të bardha.
Vetëm Ju e dini,
sa herë jeni futur
në dalldinë që zgjat
deri në agimet e rënies së gjetheve
dhe kalbjes së tyre.
 
Im at
 
Tani kur babai është në zgrip të jetës
e po vdes nga pak,
ma mori lapsin dhe shkroi testamentin
me gishtërinjë të ngatërruar:
Sot, po ta lë radhën ty për të vdekur.


(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx