Kulturë
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Konstatime paraprake
E merkure, 04.11.2009, 09:23 PM
![]() |
Nuhiu me mikun e vet, Mehdi Raçi, i implikuar në Lëvizjen e Adem Demaçit |
Nga Dr. Nuhi Veselaj
Konstatime paraprake
Historianët
e gjuhës shqipe kanë konstatuar se në periudhën paradokumentuese, përveç emrit
të gjinisë mashkullore dhe asaj femërore ishte shfaqur në gjuhën tonë edhe emri
i gjinisë asnjanëse, i cili ka lindur sigurisht
nga nevoja për t’i dalluar emrat përkatës nga
dy gjinitë e tjera, ose për të plotësuar ndonjë vacuum në strukturën përkatëse gramatikore, ashtu siç ka ndodhur
edhe në gjuhët simotra të familjes i.e.
Në të vërtetë, që në atë periudhë të
dokumentimit në gjuhën shqipe dallohen tre tipa asnjanësish:
së
pari, si më të hershëm konsiderohen, pa dyshim, emrat asnjanës të mirëfilltë (primitivë) të paparanyjëzuar, me të
cilët emërtoheshin koncepte të fushës
konkrete të spektrit të gjerë, megjithatë, mund të thuhet se, ndërkohë shihet njëfarë
përqendrimi i tyre rreth emërtimit të lëndëve (ushqimore) më të përdorura të
kohës, zakonisht jo të numërueshme, si dhe në disa emra të veçantë të pjesëve
të trupit e të tjerë, shembuj këta, që disa prej tyre dalin të identifikueshëm
edhe në gjuhën e sotme, siç janë emrat: mish-të.
ujë-t, krye-t, anët(ë), e ndonjë tjetër;
së
dyti, emrat asnjanës prejmbiemërorë të
paranyjëzuar, të cilët u përftuan më vonë, jo ekskluzivisht për emërtimin e
gjërave konkrete, por për koncepte të fushës abstrakte, siç janë konceptet e
tipareve të veçanta të cilësisë, të gjendjes
a të qenit (tipi: të mirë-t, të keq-të,
të gjallë-t) dhe
së
treti, emrat asnjanës prejpjesorë të
paranyjëzuar, që edhe këta, duke ndjekur pas vijën e prejmbiemërorëve, u
krijuan fillimisht për të mbuluar nocione abstrakte, siç janë në radhë të parë,
emërtimet e proceseve të caktuara të veprimit e pastaj u shtrinë edhe në ndonjë
nënfushë tjetër (tipi: të menduar-it, të
dalë-t, të shkruar-it, të rrezatuarit).
Si
duket, sipas gjase, asnjëherë në gjuhën tonë asnjanësi primitiv i mirëfilltë, nuk
ka përfshirë, jo vetëm të gjithë jofrymorët, por as të gjithë frymorët, madje
edhe ata që nuk dallohen sipas seksit, përkatësisht të gjithë ata emra që nuk
tregonin gjini natyrore, prandaj termi gjini
asnjanëse, sidomos sot, me
treguesit përkatës, ka kuptim të karakterit thjesht gramatikor, ashtu si edhe
shumica e dy gjinive të tjera. Siç dihet, në shqipe, gjinia e emrit përcaktohet
zakonisht nga nyjë-mbaresa e njëjësit të shquar: –t(ë) për gjininë asnjanëse, -i,-u
për gjininë mashkullore dhe –a, -ja
për gjininë femërore; si dhe nyjë-treguesit paraprijës të emrit të caktuar: as.
(një)këta, m. ky këta dhe f. kjo këto.
Thuhet në burime të
caktuara se asnjanësi i të tre tipave në periudhat e mëhershme të para
dokumentimit të shqipes, ka pasur shtrirje më të gjerë dhe njëherazi edhe
përdorim më të dendur se në periudhën e më pasme, kur u bë i mundshëm teorikisht
dokumentimi i tyre. Ne pa kundërshtuar tërësisht, supozimin e tillë, e marrim
me rezervë për një pjesë të konstatimit, pikërisht atë që ka të bëjë me faktin
se ndërkohë fushëveprimi semantik i tyre i të tre tipave, edhe i
paranyjëzorëve, në vazhdimësi në rrjedhë të kohës, shkallë-shkallë paska pësuar
tkurrje, që nënkupton edhe zvogëlim numri deri sa gjoja paska marrë
edhe shenja shuarjeje ose karakteristika reliktore a mbeturinore ?!
Sidoqoftë,
ne para se të shprehim mendimin tonë, në vazhdim po japim mendimet jo të
padiskutueshme të disa gjuhëtarëve tanë me emër lidhur me këtë çështje dhe po
fillojmë, së pari, me atë të prof. Sh. Demirajt.
Prof. Sh. Demirajt, si duket i përqendruar,
kryesisht, në analiza historike, pa u thelluar në aspektin e përimtësuar sinkronik, për të tre tipat e
asnjanësve shfaq mendimin, sot, pra, jo plotësisht të pranueshëm, sidomos, kur
është fjala, për dy tipat e paranyjëzuar të asnjanësit:
“Gjatë kësaj periudhe (periudha III, shek. XIV, XV – XVI, deri në
fillim të Rilindjes Kombëtare n.v.) dobësohet gjithnjë e më shumë gjinia
asnjanëse, e cila shndërrohet më në fund në një gjini mbeturinore, jo vepruese”
ose “Gjinia asnjanëse ruhet ende
sot te disa emra prejpjesorë si të folurit,
të menduarit etj., te disa emra prejmbiemërorë: të kuq-të, të verdhë-t etj. e
sidomos tek disa togfjalësha arkaikë (f. 198), sepse, emrat e asnjanës, të tipit
ballë-të, ujë-t në njëjës janë integruar në gjininë mashkullore, ndërsa në
shumës në gjininë femërore, kurse emrat prejmbiemërorë dhe ata prejpjesorë asnjanës,
të tipit: të mirët, të qeshurit, si dhe
dëftorët asnjanës: ata këta si në njëjës sot në shumës janë integruar në
gjininë femërore”. (Shih Gramatikë
historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1998, f. 57, 200.)
Me
fjalë të tjera ky me plot bindje shprehet se te tre tipat e asnjanësve mund të
konsiderohen, sot për sot, të pasivizuar,
joveprues dhe se një çintegrim i tillë, sipas tij, është
rezultat:
“i
prirjes së përgjithshme të shqipes për të parapëlqyer emrat me prejardhje
sintetike, përkundër tipit analitik, andaj prejmbiemërorët janë zëvendësuar
gjithnjë e më shumë me emra të prejardhur me prapashtesat -i, -ë/ni -ëri, -si, ndërsa prejpjesorët me emra të prejardhur me –im dhe –je. (Aty, f. 204.)
Një
qëndrim të tillë kategorik, pa koment a interpretim plotësues, e ndeshim,
pothuaj edhe në Gramatikën e Akademisë
(1976, 1995, 2002), ku shprehimisht thuhet:
“Gjinia asnjanëse në gjuhën e sotme shqipe përbën një
kategori që vjen vazhdimisht duke u rrudhur. Ajo është reduktuar në një numër
të kufizuar fjalësh dhe, me humbjen plotësisht të gjinisë asnjanëse të fjalëve
përcaktuese (të mbiemrave, të përemrave dëftorë e pronorë), shfaqet vetëm
morfologjikisht në tipin e lakimit të shquar
(vetëm në rasat emërore e kallëzore njëjës), në disa emra edhe me praninë e nyjës –të, për rasën emërore njëjës dhe, të ndryshme nga ajo e gjinisë
mashkullore –i dhe ajo e gjinisë
femërore -a: krye-t, të ecur-it, të
ri-të. Pra, gjinia asnjanëse në shqipen e sotme ka karakter mbeturinor”. (Aty f. 93.)
Një
konstatim të tillë, përgjithësues rreth tkurrjes,
shkrirjes a pasivizimit, madje edhe
zëvendësimit a shndërrimit, pa bërë dallimin a shpjegimin e duhur se për cilin
tip asnjanësish dhe për cilën nënfushë semantike është fjala, e ndeshim të
theksuar jolumnisht, en bloc, pothuaj
në të gjitha veprat tona gjuhësore që konsiderohen normëzuesedhe shkencërisht
të drejta, siç janë Studime gjuhësore në fushë të shqipes (nga prof. I. Ajeti, Prishtinë, 1985), ku thuhet se “në gjuhën shqipe kemi edhe
gjininë asnjanëse, megjithëse të sjellë në një numër të vogël emrash”.
(Shih aty f. 96.), në Gramatikën praktike të gjuhës shqipe (grup autorësh),
Tiranë 1998), ku konstatohet gjithashtu, se emrat
asnjanës janë të paktë, përdoren kryesisht në frazeologji, në ndërtime të
ngurosura, vetëm në njëjës, më shpesh në një trajtë... ata zakonisht të shquar
përdoren edhe si terma. (Aty f. 15.) Edhe në Gramatikën e gjuhës shqipe për
të gjithë (të B. Becit), Tiranë, 2004, thuhet shkurt se “janë në gjininë asnjanëse disa emra të
prejardhur nga mbiemrat: të ftohtë-t, të zi-të, të kuq-të; disa emra të nyjshëm
të prejardhur nga foljet (prejfoljorët): të folur-it, të
shtypurit, të dalë-t, të qeshur-it”. (Aty f. 57.) Po ashtu, por edhe më
shkurt del përcaktimi te Shqipja
standarde (vepër e Rami Memushajt, Tiranë, 2005.), ku thuhet vetëm kaq se “Gjinia
asnjanëse përfshin një klasë shumë të kufizuar emrash, kryesisht ata me
nyjë të përparme”. (Aty f. 53.) Prof. Eqerem Çabej, në të vërtetë, pa e
përmendur tipin përkatës, se cilit tip i referohet, shprehet se “në gjuhën e shkrimit (ashtu si te disa
gjuhë të tjera i.e) është një tendencë
që asnjanësi të zhduket”. (Shih Studime gjuhësore VII, Prishtinë 1986, f. 94.) Po këtij konstatimi, pa e
përcjell me koment, sipas prof. R. Ismajlit, i bashkohet edhe Harvej Mayer me fjalët: “neutri anon të zhduket në shqip
e në rumanisht”. (Shih: Seminari... 25/1, Prishtinë 2007, f. 52.) Edhe
studiuesi ri N. Pajaziti, në një kumtesë te vepra Frang Bardhi - 400 vjetori i lindjes
(përmbledhje kumtesash, botim i IAP-së, Prishtinë 2007.), pa e
përcaktuar tipin përkatës, shpreh një kësi mendimi: “Emrat asnjanës që i hasim te këta shkrimtarë (Buzuku e Bardhi) në ditët tona janë integruar në njërën nga
dy gjinitë, pjesa më e madhe në gjininë mashkullore, ndërsa një pjesë më e
vogël në gjini femërore”. (Aty f. 155.)
Nuk
po vazhdojmë me përmendje të tjera, sepse lista del e gjatë, por e shohim të
arsyeshme që kalimthi të cekim edhe konstatimin e prof. L. Mulakut, i cili
pajtohet me atë të prof. Sh. Demirajt se ”asnjanësit
participorë dhe ata me prejardhje mbiemërore janë zëvendësuar thuajse
plotësisht me emra prapashtesorë”. (Shih Seminari...25/1, f. 447.) Prandaj shikuar
sipërfaqësisht e njëanshëm kjo gjini aktualisht gjoja mund të cilësohet si një
formë joaktive ose si një relikt, i cili, siç e thonë disa, së shpejti si
mbeturinë mund t’i takojë së kaluarës (!), andaj, edhe gjithnjë e më pak po
shënohet subjektivisht te disa fjalorë që cilësohen edhe si burime normëzuese
për shqipen e sotme letrare.
Ne,
vërtet, pas analizës që i bëmë çështjes në fjalë, rreth verifikimit të pohimeve
të mësipërme erdhëm në përfundimin se shikuar realisht disa nga konstatimet e
mësipërme rreth pasivizimit, zëvendësimit a shuarjes si dhe rreth kufizimit të
numrit të asnjanësve në përdorim e sipër, sidomos për dy tipat e paranyjëzuar,
i marrim me shumë rezervë, madje si të tilla pa ndonjë sqarim plotësues, mund
të cilësohen edhe si konstatime të guximshme, të nxituara, madje edhe si
teprime a një sipunë me gjykime të pamatura mirë.
Ne,
për rezervën a mospajtimin tonë gjejmë
mbështetje në këta tre faktorë:
e
para, nga nënteksti i konstatimeve të tilla kundërthënëse që u cekën më sipër,
e
dyta, nga vërejtje- vlerësimet
e dhëna në “Gjuha letrare shqipe për të
gjithë” rreth kësaj teme dhe
e
treta, nga realiteti që na ofrohet dhe imponohet përditshmërisht, ashtu siç mund
të shihet qartë dhe siç ka filluar në të vërtetë të shihet në kohë të fundit edhe
nga të tjerët. Ndonjë emër nga këta të fundit do të përmendet gjatë analizës në
këtë punim.
Po i zbërthejmë paksa këto fakte në vijim:
1. Rreth kundërthënieve (nën)tekstore të sipërcekura
Në
kuadër të konstatimeve, ndonëse fragmentare, të sipërshënuara prej nesh edhe
lexuesi i rëndomtë mund të vërejë kundërthënie tekstore dhe nëntekstore, ngase:
e para, zëvendësimi
(në proces e sipër) e integrimi
janë dy procese të ndryshme me dallime të theksuara, sipas tipave përkatës;
e
dyta, çdo prirje spontane nuk do të
thotë edhe tkurrje e materialit të goditur dhe që kjo dukuri vlen për të tre tipat e asnjanësve;
e
treta, kur pas shembujve jepet treguesi etj.
(do me thënë e të tjerë) dhe jo pikë
ose e ndonjë tregues tjetër, lë për
të kuptuar se ka ose mund të ketë edhe raste të tjera, madje mund të ketë edhe
shembuj potencialë;
e
katërta, edhe nga kuptimi i pjesëz-ndajfoljes pothuaj mund të nënkuptohet se shembujt mund të mos jenë plotësisht
të rrëgjuar, por mund të jenë në numër të konsiderueshëm, në përdorim e sipër, qoftë në cilësinë e termit,
qoftë si fjalë aktive në ligjërimin e
përgjithshëm dhe
e
pesta, kur pranohet se një trajtë e tillë e ngurosur në shprehje frazeologjike
dhe në fusha të caktuara terminologjike e stilistike, është normative, atëherë
nënkuptohet vetvetiu se ajo fjalë assesi nuk del jovepruese, e shuar ose e
gjykuar për mospërdorim, por del me gjallëri relative përdorimi me mundësi
që në mënyrë analoge mundet me joshë edhe shembuj të tjerë.
Sidoqoftë,
këto katër-pesë fakte na japin të drejtë që çështjen ta konsiderojmë si të
diskutueshme dhe njëherazi shtrohet nevoja e verifikimit dhe të grumbullimit dhe të fakteve të tjera
plotësuese, por, në këtë kuadër edhe për vërtetësinë e gjykimeve përkatëse.
2. Konstatime nga normativi “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”
Kërkesën
tonë rreth nevojës së verifikimit të qëndrueshmërisë së konstatimeve të
lartpërmendura e mbështesim si të drejtë, madje me fakte bindëse, bazuar edhe në
konstatimet e hartuesve të veprës normative: Gjuha letrare shqipe për të gjithë (Tiranë, 1976), vepër kjo, e
cila pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), si me thënë, u paraprinte burimeve
të tjera normative në frymën e Drejtshkrimit
të gjuhës shqipe të vitit 1973. Pikërisht konstatimet nga doracaku Gjuha letrare për të gjithë, ne i shohim
mjaft të arrira, të qëndrueshme dhe patjetër normativisht të mbështetura për
kohën, vërejtje këto që kanë të bëjnë pikërisht me tre tipat e asnjanësve në
shqyrtim. Andaj kërkojmë nga lexuesi, jo vetëm nga dashamirësit e rëndomtë të
gjuhës shqipe, por edhe nga ekspertët përkatës që së bashku t’i ndjekim
vëmendshëm konstatimet përkatëse nga ky
burim sipas tipave të asnjanësve:
a)
Aty thuhet me të drejtë se “kjo formë e
asnjanësit (është fjala për tipin e parë n.v.) dëgjohet ende sot nëpër dialekte e në të folurit e brezit të vjetër” dhe
menjëherë më poshtë theksohet e drejta e pamohueshme universale se “trajtat e asnjanësve të këtyre emrave mund
të përdoren në vepra letrare për të karakterizuar gjuhën e një epoke të kaluar”.
(Aty f. 12.)
Pra
materializimi i trajtave të tilla në vepra letrare e shkencore (e drejtë kjo e padiskutueshme),
gjithsesi jo vetëm nuk nënkupton zhdukjen e tyre, por në njëfarë mënyre
parakupton këndelljen a jetëgjatësinë e tyre në vepra letrare, në kuptim të
shfrytëzimit të vlerave trashëgimore, por, në rast nevoje, edhe mundësinë e
krijimeve të vlerave të reja artistike nga mjeshtrit e gjuhës edhe për
destinime të tjera po mbi këtë bazë. Po sipas kësaj logjike e quajmë shumë pa
vend konstatimin e Seit Lilës, të shprehur ne Kongresin e Drejtshkrimit (1972),
ku format ose trajtat gjalpët, mjaltët,
ujët, sipas tij, konsiderohen tashmë
të huaja për gjuhën letrare. (Shih: Kongresi
i Drejtshkrimit, Prishtinë, 1974, f. 267.)
b)
Edhe lidhur me asnjanësit e tipit të dytë (prejmbiemërorët), ndonëse nuk dalin
plotësisht të qartë, aty jepen mendime të qëndrueshme. Aty, në të vërtetë, nga
hartuesit e burimit në fjalë konstatohet mirë, kur thuhet se ka raste, që “emri asnjanës ose femëror pa
prapashtesë dhe emri femëror me prapashtesë përdoren me kuptime pak a shumë të
ndryshme, si p.sh. të bardhët me bardhësi, të ftohtët e ftohta me ftohtësi
etj.” dhe njëkohësisht theksojnë në mënyrë të veçantë, gjë që nuk e mohojnë
as të tjerët, se “emrat asnjanës të
formuar prej mbiemrash përdoren dendur në një numër shprehjesh frazeologjike”,
duke theksuar edhe një të vërtetë tjetër të padiskutueshme se “në këto shprehje përdorimi i tyre është
normativ.” (Aty f. 238.)
Pra,
siç po shihet nga formulimet e mësipërme dalin në shesh tri fakte të qarta që i
bëjnë të rrëzueshme konstatimet rreth pasivizimit të asnjanësve në fjalë:
e
para, aty pohohet qartë se në raste
bashkëjetojnë trajtat e asnjanësve prejmbiemërorë, krahas atyre sintetikë me
prapashtesim,
e
dyta, kur thuhet se emrat e tillë përdoren dendur dhe
e
treta, kur thuhet se trajtat e tilla e kanë bekimin e normës edhe në shprehje frazeologjike.
c)
Edhe më qartë e më mirë se për dy tipat e parapërmendur autorët e tekstit në
fjalë, shprehen lidhur me tipin e tretë, ndonëse, sipas nesh edhe kjo paraqitje e tyre nuk është tërësisht e plotë.
Aty, ndërkaq, pasi ceken 34 shembuj nga ky tip, d.m.th. trajta asnjanësish nga
emërzimi i pjesoreve “që shënojnë veprime
abstrakte” tërhiqet vërejtja se “një
pjesë e emrave prejfoljorë asnjanës
përdoren me kuptime deri diku të ndryshme nga ato të emrave përkatës me
prapashtesat –im ose –je, p.sh. të çmuarit – çmim, të
kënduarit – këndim, të menduarit – mendim, të mësuarit – mësim, të punuarit –
punim, të shkruarit – shkrim; të luturit- lutje, të ngjarët – ngjarje, të
pyeturit – pyetje, të sharët- sharje etj.”,
duke sqaruar më tej se ”pjesorja e
emërzuar në këto raste e jep më të theksuar kuptimin e procesit të veprimit,
ndërsa formimet me prapashtesa emërtojnë veprimin si nocion abstrakt dhe
në mjaft raste emërtojnë rezultatin e veprimit. Pikërisht për këtë arsye
në gjuhën e sotme letrare këta emra mund të përdoren me vlerat e tyre të
veçanta, p.sh. arti i të kënduarit, por shkrim e këndim, të mësuarit – mësim,
të menduarit – mendim të shprehurit, mënyra e të shprehurit, por shprehje,
shprehja e bukur etj. (Aty f.
239).
Kështu,
ndonëse fjalëzat sqaruese një pjesë
dhe deri diku dalin pothuajse
të panevojshme, nga teksti i mësipërm, sidomos aty nga fundi i formulimit nga
vetë treguesi etj. (nxirë (bollduar)
prej nesh) si dhe nga theksimi tjetër se “emrat
prejfoljorë asnjanës kanë përdorim të
gjerë e të qëndrueshëm në gjuhën e sotme letrare në një varg shprehjesh e
mënyrash të thëni me karakter frazeologjik” si dhe përfundimi se “përdorimi i emrave të tipit të tillë të
mësipërm në shprehje të tilla është plotësisht normativ” (Aty f. 239), kuptohet
katërçipërisht se shembujt e tillë, varësisht nga konteksti mund të përdoren
edhe sot e gjithë ditën, së të thuash, në numër të pakufizuar, duke i dalluar,
pak a shumë, tri koncepte: 1) nënfushën semantike, 2) veprimin si proces
abstrakt dhe 3) rezultatin e veprimit.
Pra,
siç po shihet, konstatimet nga kjo vepër, d.m.th. nga “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” janë të mjaftueshme sa për të
sjellë në rishikim konstatimet en bloc, nga
veprat e thëniet e paracituara, me të cilat, si të thuash, arsyetohej
subjektivisht pasivizimi a zhdukja e asnjanësit në gjuhën shqipe dhe në këtë
kontekst shprehim habi e keqardhje pse kjo lajthitje ndaj së vërtetës së
pamohueshme nuk është vënë re më përpara nga studiuesit tanë apo nëse është
vënë re, pse nuk është kërkuar të bëhej korrigjimi a
modifikimi i caktuar në burimet
përkatëse normative?! Pra, një korrigjim i tillë, ndërkohë e me kohë, deri në
ditët tona, nuk është bërë, edhe pse dihet se lënda e doracakut normativ “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” nuk
ishte e panjohur gjithandej e këndej dhe më gjerë, madje në hollësi, edhe si
tekst shkollor a udhëzues për mësuesit e shqipes, nga të gjitha rrethet tona
shkencore dhe arsimore përkatëse.
Sidoqoftë,
vërtet, disa gjëra për ne mbesin të paqarta.
3. Konstatimet tona vetjake
Si tek çdo dashamirës i gjuhës, edhe te ne. pas
një përvoje pune prej disa vitesh në arsim
dhe në lëmin e krijimtarinë letrare, madje paksa edhe në atë hulumtuese shkencore-gjuhësore,
sidomos gjatë dhe pas studimeve pasuniversitare (postdiplomike) dhe konkretisht
gjatë hartimit të temës rreth emërtimit të proceseve tekniko-teknologjike në
gjuhën shqipe, u rrit interesimi ynë, për ta
njohur sa më të mirë dhe më në thellësi tërë sistemin ligjërimor të
shqipe, si në fushën e konkretizimit, ashtu edhe në atë të abstraksionit. Në
këtë kontekst hetuam tema që në gramatikat tona të normëzimit letrar, mbase të
bazuara më tepër në fushën praktike të konkretizimit, ishin anashkaluar ose i
kishin lënë nën hije, disa nga komponentet e rëndësishme të gjuhës sonë që i
përkisnin më tepër fushës së gjerë të abstraksionit, dhe shikuar në tërësinë e
saj si sistem gjuha jonë në trashëgimi ato komponente i kishte normalisht aktive,
siç janë infinitivi i mirëfilltë edhe neutri
i paranyjëzuar. Andaj këtu e ka fillin
edhe interesimi dhe angazhimi ynë për shtjellimin e temave të tilla më në
hollësi.
Pra,
së këtejmi, për të harmonizuar sadopak të dhënat kundërthënëse teorike, në
njërën anë dhe realiteti që na imponohej, në anën tjetër si dhe vetë nevoja që
paraqiste gjuha për segmente të tilla, sidomos në fushën e abstraksionit, doli
e nevojshme që mendimet dhe përvojën tonë mbi këto çështje dhe të tjera t’i shprehnim me shkrim,
disa janë botuar e disa përpjekje tona ende kanë mbetur pa u botuar, madje janë
disa raste që janë ende në fazën e
përpunimit. Sidoqoftë, është e vërtetë se për hartimin e këtij punimi gjetëm
mbështetje pragmatike dhe logjike, madje edhe në premisen intelektualisht të
njohur se çdo bashkësi shoqërore e civilizuar, përkatësisht çdo gjuhë moderne,
siç është kjo jona, në zhvillim e sipër, ka nevojë që t’i rrisë kapacitete e
veta të mjeteve gjuhësore. Pra, t’i rrisë, nga gjerësia dhe cilësia e fushave
kuptimore që i ka dhe t’i shfrytëzojë të gjitha ato mundësi kapacitetesh ekzistuese
në të mirë të të shprehurit si në fushën e konkretizimit, ashtu e aq më tepër
në atë të abstraksionit e jo t’i zhdukë a t’i shuajë ato që i ka, dhe së
këtejmi arritëm në përfundimin se gjuha jonë, norma e saj do të jetë shumë më
funksionale dhe më e kompletuar, njëherazi shumë më e fortë dhe e qëndrueshme,
nëse me gjirin e vet në bazë të normës globale të natyrshme e mëkon edhemë si
infinitivin ashtu edhe neutrin e vet, andaj këto dy tema që me kohë edhe i vumë
në qendër të vëmendjes të hulumtimeve tona dhe më në fund doli edhe ndihmesa
jonë që infinitivi i shqipes të rikthehet në tryezën e (ri)shqyrtimit me
propozim rishikimi, andaj po të njëjtin synim e kemi edhe lidhur me asnjanësin
e gjuhë shqipe, sepse kur diçka vendoset në tryezën e shqyrtimeve ajo edhe do
të gjejë zgjidhjen fatlume.
Dhe
në të vërtetë, gjatë verifikimit të fakteve arritëm në përfundimin se
konstatimet e dhëna në “Gjuha letrare
shqipe për të gjithë”, për asnjanësit ishin të drejta, por lypsej
vërtetësuar (verifikuar) e sforcuar më mirë dhe më në hollësi edhe më tej. Dhe së këtejmi, gjatë këtij vërtetësimi,
sigurisht duke e lidhur punën tonë edhe me realitetin tonë ligjërimor, zbuluam mrekullinë
ekzistuese se trajtat e tilla (të asnjanësve të paranyjëzuar) jo vetëm nuk dilnin
me prirje rrëgjuese nga pikëpamja e përdorimit të përditshëm, por dilnin të
sforcuara atavikisht, madje të pozicionuara fort në përdorim normal po në fushën e abstraksionit, por jo kryekëput
për konceptin e vetë veprimit, po në një
nënfushë të përafërt me të, d.m.th. në nënfushën që ka të bëjë me konceptin e
kuptimit të procesit të veprimit në shkallën më të lartë të abstraksionit, me
një shtrirje të lehtë në tërë nocionin lidhur me atë proces.
Për t’u kuptuar më mirë ky
formulim që ka të bëjë vërtet paksa me rrudhje ndaj fushës së gjerë që mbase
mbulonin asnjanësit e paranyjëzuar në një fazë më të hershme, por njëherazi edhe me një përqendrim të
ravijëzuar në një nënfushe semantike brenda saj, u desh që kjo çështje të
vështrohet më në hollësi dhe thellësi, prandaj po i themi më poshtë edhe disa
fjalë si sforcim lidhur me këtë “mrekulli” që na u zbulua dhe si njëzbulim fatlum na u
imponua..
Sidoqoftë,
gjatë analizës, siç u tha, doli në shesh e vërteta se asnjanësit e paranyjëzuar (prejmbiemërorët
dhe prejpjesorët) tani dilnin si një organizën i gjallë gjuhësor me prirje të
qartë specifikimi për të mbuluar një nënfushë semantike, e cila ka të bëjë me
mbulimin e konceptit të procesit të cilësisë, të gjendjes a të qenit,
përkatësisht të veprimit, por jo tani,
për tërë nocionin përkatës të fushës së
gjerë të abstraksionit, çka na jepet për të kuptuar, siç u tha, gjerësinë përfshirëse
që mund ta kenë pasur më përpara, asnjanësit në fjalë për emërtimin e vetë
procesit të cilësisë, të gjendjes a të qenit, ose të veprimit a të rezultatit të
veprimit përkatës, që tani, me ndonjë përjashtim jo aq me peshë, këto nocione
mbulohen kryesisht nga emrat e tjerë sinonimikë, qoftë me prejmbiemërorët me
prapashtesat –si a –i , qoftë me prejpjesorët me
prapashtesat –im ose –je, ose me emrat e nyjshëm femërorë,
tipi e mira ose me prejpjesorët
pandajshtesorë, tipi: shkojë-a, rritë-a ose nga ndonjë tjetër tip emëror.
Pra,
duke u mbështetur në premisën e sipërpërmendur se çdo gjuhë e zhvilluar i ka të
ravijëzuara konceptet e fushës abstrakte, përkatësisht termat e specifikuar
përkatës që shprehin ato koncepte dhe të ndihmuar nga konstatimet kritike kundërthënëse që dilnin nga dy pikat e
sipërcekura: a) e b) si dhe më fort, duke u bazuar në realitetin tonë gjuhësor,
ne arritëm në konstatime të tjera më të modifikuara dhe me drejt-sofistikuara
nga ato që u cituan fillimisht nga disa nga studiuesit tanë, të cilat
(konstatimet tona) u përpoqëm t’i sqarojmë dhe argumentojmë sa më bindshëm në
këta tetë krerët vijues të këtij punimi:
I.
Prania e asnjanësve
në shqipen letrare dhe grupimi i tyre
sipas nyjë-mbaresave të njëjësit të shquar.
II.
Nënfushat semantike, veçori dalluese sipas tipave të
asnjanësve në shqipen letrare.
III.
Faktografi rreth shtrirjes së asnjanësve të nyjshëm
prejmbiemërorë e prejpjesorë në shqipen e sotme.
IV.
Vendi i asnjanësve të paranyjëzuar në kuadër të
prejpjesorëve të tjerë.
V.
Konstatime të tjera plotësuese rreth identitetit të
asnjanësve të nyjshëm në shqipen standarde
VI Anashkalimi
i vlerave të asnjanësit në shqipen e sotme
pasojë e konstatimeve të nxituara.
VII. Çështje të hapura rreth asnjanësit në
shqipen e sotme
VIII Mendimi përgjithësues dhe përcaktimi i nënfushave
semantike të asnjanësve në shqipen e sotme.
Sidoqoftë,
ne kemi bindjen se në këtë punim kemi paraqitur argumente të mjaftueshme nga
jeta jonë gjuhësore, të cilat na japin të drejtë të konstatojmë që asnjanësit e
tre tipave, jo vetëm mund a duhen përdorur pjesërisht, po me lëndën e trajtuar në
hollësi e thellësi në tetë krerët e sipërshënuar, u përpoqëm me dhënë ndihmesën në të mirë të ndriçimit të
problemeve të trajtuara jo mjaftueshëm në të
kaluarën. Në këtë kontekst, ngase kemi të bëjmë me mjaft risime,
kërkojmë nga lexuesi i nderuar jo vetëm të lexohen me vëmendje të veçantë
konstatimet tona, por edhe të vlerësohen objektivisht, natyrisht duke mbajtur
edhe qëndrim kritik.
Gjithsesi nga trajtimi i
kësaj teme, shpresojmë se së paku, më mirë e më në thellësi se asnjëherë më
parë do të qartësohen, jo vetëm nënfushat semantike që mbulojnë asnjanësit
përkatës, sipas prejardhjes së tyre (emërore, mbiemërore dhe prejpjesore), por
do të ndriçohen më mirë edhe çështje të tjera me interes për konsolidimin e shqipes
standarde të sotme dhe të nesërme, të qëndrueshme për mot e vjet.