Kulturë
Ali D. Jasiqi: Poezi patriotike me tema autoktone
E merkure, 04.11.2009, 07:58 PM
POEZI
PATRIOTIKE ME TEMA AUTOKTONE
Nga Ali D.
Jasiqi
Emrin e Bedri Hysës e ndeshim në shtypin shqiptar
të Kosovës në vitet e gjashtëdhjeta,përkatësisht në vitin 1952,kur e botoi
vjershën e parë për fëmijë në revistën “Pionieri”, Ndërkaq dy vite më vonë
poezinë e tij do ta gjejmë edhe në faqet e revistës letrare “Jeta e re”. Por
për një kohë të gjatë ai nuk botoi, deri
në vitet e e shtatëdhjeta, kur edhe u botua përmbledhja e parë e poezive me
titull “Duke kërkuar njerinë” më
1973. Pas kësaj u radhiten veprat e tij të tjera njëra pas tjetrës “Erë në erë” 1975), ”Myshqe” (1977), ”Paskajore”
(1980) ”Shekullore” (1985) “Pikë e pesë” (1987) ”Kohë Kosove” (1991) “Këtu është Troja”(1994)“Në
mes fjala e bekuar”(2000),”Në mes
fjala e bukur”(2000),”Maja”(2002),”Sizif a je shqiptar”(2004),”Ora e
mirë”(2006),”(S)a je njeri”(2007) dhe
se fundit “Te(k)st (l)amanet”
(2009).Pra gjithesejt 15 përmbledhje poezish. Poezitë e tij janë përkthye dhe botuar edhe në gjuhë tjera. Kështu
në serbisht është botuar përmbledhja “Shprushja e kohës” (1988) dhe “Ura” në
turqisht (1990), kurse në kuadrin e bibliotekës “Albatros” të “Rilindjes” doli
përmbledhja e poezive të zgjedhura me titull “Vetëtin njeriu” (1989
Poeti Bedri Hysa është shkrimtar specifik në
letërsinë shqipe. Është specifik për disa arsye. Ai si poet u lajmërua shumë herët, por pushoi për një
kohë bukur të gjatë, përkatësisht nuk botoi për shumë vite për t’u paraqitur me
një vonesë bukur të madhe me botim të librave në një anë dhe si poet që ka një
stil dhe një mënyrë specifike, të vetën, të shprehjes artistike ne anën tjetër.
Është poet që me mjeshtri të rrallë i gërsheton elementet e poezisë popullore
shqipe dhe të asaj moderne, për të krijuar kështu një stil, një shprehje të
veten, karakteristike vetëm për te. Së këndejmi nuk është vështirë që poezinë e
tij ta njohësh edhe kur i mungon nënshkrimi i autorit. Sepse ai di dhe mund të
shkruaj vargje që me pak fjalë thonë mjaft. Edhe një karakteristikë tjetër e
dallon poezinë e Hysës nga shkrimtarët tjerë shqiptar. Ai është poet i rrallë,
për të mos thënë i vetmi, që me një shenjë të pikësimit, përkatësisht me kllapa
t’i jep të njëjtës fjalë dy kuptime. Kështu për shembull në poezinë e tij
ndeshim edhe këso vargjesh
Kush
s’e ka më vete
Atë ato de(r) te
(Deti zjarri gruaja)
- që do të thotë se fjala mund të kuptohet edhe
si dete, por edhe si derte, dhe që të dyja kanë kuptim
dhe mund të inkorporohen në poezinë e tij përplot porosi e mesazhe të qarta.
Apo edhe një shembull tjetër, përsëri karakteristik, që mund të kuptohet në dy
mënyra
Për bletë të
plotë me vlime
Me këtë vogëlsi voli
Dol(l)i nga
botëgota ime
(Përkushtim)
- ku fjala e ndarë me kllapa mund të kuptohet
edhe si doli, por edhe
si dolli,përkatësisht përshëndetje.
Vargu i tij është i shkurtër, ashtu siç është në
të shumtën e rasteve edhe poezia, përkatësisht strofa, kryesisht dyvargjësh,
apo edhe trivargjësh, por që thonë mjaft, ngase Hysa mendon dhe shprehet qartë
dhe konciz .
Poezi e temave dhe e motiveve autoktone
Bedri Hysa është poet që frymëzimet e veta i
kërkon dhe i gjen në realitetin e kohës apo edhe në të kaluarën e popullit të
shumëvuajtur shqiptar, për të cilin edhe këndon. Andaj më të drejtë konstatojmë
se poezi e tij është poezi patriotike me plot kuptimin e fjalës. Ky autor i
gjurmon temat dhe motivet ne ambienti autokton, ne historinë tonë, ne realiteti
me të cilin ballafaqohet njeriu i ynë me të gjitha baticat dhe zbaticat,
peripecitë dhe traumat që mund të paraqiten në jetën e tij të përditshme nëpër
valët e jetës përplot rrëshqitje e me më pak gëzime dhe ditë të bardha, të
cilat vijimisht i ëndërron dhe i dëshiron. Kështu ai në veprën e vet
letrare do të këndojë për vendlindjen, për
ballkanasin, por edhe për Isë Boletinin e do të hidhet edhe në të kaluarën jo
forte të largët, kur Kurshumlia ishte shqiptare, e të cilën e ëndërron pa
ndërpre gjyshja e secilit shqiptar të ikur nga trojet stërgjyshore të këtyre
trevave, që u përzunë me dhunë nga
barbarët serbë. Në këtë poezi vend të posaçëm zënë Sharri, kjo bjeshkë e njohur
që është simbol i qendrës shqiptare. Ne poezitë ku zihet ne gojë Shari ai do të
madhëroj qëndresën heroike te bashkëkombasvet të vet. Poetin e ndjeshëm Bedri Hysa do ta frymëzojë
edhe ngjarjet e ndryshme të ditës në mesin e të cilave vlen të përmendet
sjellja e përmendores së Skënderbeut në Prishtinë, simbol ky i bashkimit të
shqiptarëve, që edhe njëherë do të vijë si i tillë, që do të ngjallë edhe të
vdekurit që të hyjnë në valle, në vallen e Lirisë se shumëpritur.
Poezia e tij është hartuar ashtu që fjalët
rrjedhin njëra pas tjetrës sikur të ishin ndonjë lojë, sikur të ishin radhitur
vetëm që të shkojë mirë dhe rrjedhshëm, si bie fjala “boll | bollë - Stambollë”. Por kur lexohen pak më mirë
dhe më me kujdes ato kanë kuptimin e vet, nga i cili do të dalë edhe porosia
dhe mesazhi i poetit, që gjithsesi është i qartë dhe i kuptueshëm. Fjalët
boll,që do të thotë mjaft dhe bollë, një lloj rrëshqitësi helmues dhe Stambollë, qytet turk nga i cili na erdhi
gjithë e keqja për shqiptarët. Ose të marrim për ilustrimin te këtij konstatimi
poezinë karakteristike “Fshati shtrezë”,
ku trajtohet kallja e shtëpive nga barbarët, që nuk kursenin asgjë në
shfrenimin e tyre shtazarak, e ku autori do të shprehet se shqiponjat nuk mund
të pinë ujë të kuq, çka do të thotë gjak, për të përfunduar se:
e mallet gjekëtijnë
dhembja burrërisht
shpirti shtrezisht
Shar(r)i ilirisht
poezi kjo me një qartësi të lakmuar, që dëshmon
për frymëzimin e thellë të poetit, që të trajtojë tema nga jeta e njerëzve të
këtij nënqielli shqiptar.
Bedri Hysa është poet me shpirt, krijues që e
ndien dhe e shpreh botën intime, por që personifikon problemet e përgjithshme
njerëzore. Për t’i shprehur ndjenjat e veta ai i shfrytëzon mjetet e të
shprehurit artistik, duke iu përmbajtur rregullave që përcaktojnë edhe mënyrën
e shtjellimit të poezisë sipas përmbajtjes duke iu përgjigjur edhe shprehjes
stilistike ku dominon eliptizmi, vargu i
thyer, përsëritja fonologjike e veçori të tjera të të shprehurit artistik. Ai
është poet që me mjeshtri i gërsheton fjalët e shprehjet stilistike e
figurative në mesin e të cilave do të veçonim simbolin, metaforën, krahasimin,
kontrastin, epitetin e shumë shprehje të tjera figurative të domosdoshme për
poezinë si art i bukur.
Kumtesë e
lexuar në manifestimin “Kepi i Shpresës së mirë- Fahredin Gunga” në Mitrovicë më
30 tetor 2009