Kulturë
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (I)
E enjte, 05.11.2009, 08:19 PM

Nga Dr. Nuhi Veselaj
I. Prania e asnjanësve në shqipen letrare
dhe
grupimi i tyre sipas nyjë-MBARESËS
SË NJËJËSIT TË SHQUAR
Para se të japim
konstatimet tona rreth pranisë së asnjanësit në shqipen e sotme letrare më në
hollësi, po përmendim mendimet e dy gjuhëtarëve tanë, të cilët, të ballafaquar
me emrat e tillë relativisht të shumtë të përdorur në veprat e traditës si dhe
vende-vende në disa tërthore edhe në gjuhën e gjallë popullore dhe intelektuale,
jo vetëm për asnjanësit e tipit të parë, por edhe për dy tipat e tjerë sidomos,
kanë vërejtur mangësi pranie në burimet
përkatëse lidhur me përfaqësimin e tyre përgjithësisht në burime tona të
caktuara normëzuese leksikografike, andaj edhe kanë kërkuar që prania a përfaqësimi
tyre të jetë më i denjë, përkatësisht që kësaj gjinie t’i kushtohet më shumë
vend e vëmendje, sidomos në burimet tona normative. Më i zëshëm në kërkesën për
rishikimin e qëndrimit joadekuat të deritashëm ndaj asnjanësve përgjithësisht
në shqipen e sotme letrare, që është shprehur disa herë botërisht, me sa dimë,
është studiuesi ynë i mirënjohur, prof. dr. Abdullah Zymberi (Shih edhe te
gazeta “Zëri”, 25.05.2007, f. 22 si dhe
te Gjuha shqipe, 2/2007, f. 57.),
i cili, sidomos për dy tipat e paranyjëzuar konstaton me të drejtë se, jo vetëm
nuk janë pasivizuar masivisht, por siç thotë ai, “rrojnë kokrrosh”, në të
folme, por edhe më gjerë në vepra letrare. (Aty f. 59.) Po ashtu edhe dr. Ragip
Mulaku, në një shkrim të tij, jo fort moti, ngulmonte që “Në fjalorët tanë shpjegues duhet të ketë më shumë vend për emrat
asnjanës: të madh-të, të trash-të, të holl –të (!), të kalbët-it e të tjerëve, sepse
e pasurojnë gjuhën”, (Shih: Gjuha
shqipe 1 -2, 2000 f. 52.) mirëpo edhe ky nuk ndalet në
përcaktimin e nënfushës përkatëse semantike në hollësi sipas tipave të
asnjanësve, ndonëse faktikisht si shembuj ilustrues shënon vetëm tipin e
asnjanësve prejmbiemërorë, duke e anashkaluar tipin më prodhimtar: asnjanësit
prejpjesorë.
Prof A. Zymberi, në një
punim tjetër (kumtesë) sërish i kthehet kësaj teme. Ai tek vepra Frang Bardhi – 400 vjetori i lindjes, botim
i IAP-së i kushton më shumë vend këtij
problemi, ku veç tjerash thekson:
Është e vërtetë se asnjanësit që emërtojnë lëndë janë
zhdukur pothuajse tërësisht, mirëpo edhe këtë tipi toskërishtja, arvanitasit,
arbëreshët e Italisë, shqiptarët e Ukrainës e kanë të ruajtur bukur mirë. Mirëpo
tipat e tjerë: prejmbiemërorët e emërzuar, prejpjesorët e
emërzuar dhe ata që shprehen në togfjalësha dhe në shprehje të ndryshme rrojnë
edhe sot e kësaj dite në të folmet popullore. Për mendimin tonë këta tipa
asnjanësish i duhen domosdoshëm shqipes së sotme, sepse e përbëjnë një shtresë
të rëndësishme fjalësore për fjalorin e shqipes, sepse u duhen shumë shkencave,
sidomos psikologjisë dhe fushës së
mjekësisë...
dhe përfundon me
kërkesë-këshillën:
“Ne do të shtonim se këta tipa asnjanësish duhet t’i kthehen shqipes
letrare, duhet t’u kthehen gramatikave dhe fjalorëve tanë, sepse i patën
shkrimtarët e vjetër dhe të mëvonshëm, sepse i kanë madje mirë i kanë disa të
folme popullore, i kanë edhe disa fjalorë dialektorë. Kjo pasuri leksikore do
ruajtur dhe përdorur nga shkencëtarët e
shkrimtarët tanë, nga gazetarët e nga mjetet e tjera të informacionit,
sepse është pjellë e hershme e shqipes sonë”. (Aty f. 105.)
Që
në të folmet popullore ndeshen plot e
përplot asnjanës dhe që aty ruhen mirë, prof. A. Zymberi e dokumenton me
fakte edhe në një punim tjetër të botuar në Gjurmime
albanologjike, seria e shkencave filologjike, Prishtinë, 36/2006, nën
titullin: Prania e emërzimit në disa të
folme popullore, ku ndër të tjera në të folmet e Pejës dhe të Burimit, si
dhe në vise të tjera, thekson ai, asnjanësit gjallojnë “për mrekulli”. Po për ne zgjojnë interes shembujt që i jep autori me rrënjorë
të njëjtë: edhe si mbiemra të emërzuar edhe si pjesore të emërzuara, si p.sh,.:
t’kalbtit – të kalbunit,
t’krym(b)tit, - t’ krym(b)unit,
t’ndydhtit – t’ndrydhunit, t’m(p)rehtit - t’m(p)rehunit, t’ngushtit-
ngushtu(e)mit, t’prishtit – t’prishunit, t’djegtit – t’djegunit (Aty f. 148),
duke konstatuar se “përderisa mbiemrat e emërzuar në gjininë
asnjanëse emërtojnë një cilësi ose një pjesë të hequr nga një e tërë, pjesoret
e emërzuara emërtojnë një veprim”.
Sido që të jetë, ndonëse të gjitha
konstatimet e tilla në ndonjë finesë nuk përputhen plotësisht me tonat rreth
nënfushës semantike që mbulojnë edhe sot asnjanësit në fjalë, me shembujt e
tillë autori hap çështje që nuk njiheshin mirë në të kaluarën, prandaj edhe ne
një kërkesë–këshillë të tillë që asnjanësit prejmbiemërorë dhe ata prejpjesorë
duhet të konsiderohen jo pa vlerë, por si
një pasuri që e ushqejnë shqipen letrare, e quajmë shumë me vend, ngase,
vërtet, del e nevojshme që asnjanësve përgjithësisht t’u kushtohet më shumë
vëmendje e në veçanti asnjanësve të paranyjëzuar, por, së andejmi, sipas
nevojës, edhe duhet stimuluar integrimin e tyre pa ngurrim në standard.
Ne, për të pasur edhe më të
përkapshme mënyrën trajtëformuese e fjalëformuese të emrave të gjinisë
asnjanëse, siç u tha, si pikënisje për
me u ngjitë shpateve drejt majave e për me e soditë dhe me gjurmue e
intensifikue pikërisht thelbin e çështjes, gjetëm e kapëm fillin e lëndës në Fjalorin e shqipes së sotme (2002), ku
volëm dhe mbarështruam me nge të gjithë emrat asnjanës të regjistruar aty, të
cilët po i paraqitim të merenduar në tri grupime, ashtu, sipas tipave të
sipërcekur: së pari asnjanësit si emra
të mirëfilltë lashtënorë, së dyti, asnjanësit prejmbiemërorë të nyjshëm dhe së
treti, asnjanësit e paranyjëzuar prejpjesorë.
Ndonëse gjinia asnjanëse veç si
emra trashëgimish del e
implikuar edhe tek mbiemrat e përemrat, ne, në vështrimin tonë, do të përqendrohemi sinkronikisht,
vetëm në klasën e emrave jo në veçanti
edhe të mbiemrave e të përemrave (asnjanës).
1) Grupimi i asnjanësve
sipas nyjë-mbaresave
të njëjësit të shquar
Duke pasur si kriter nyje-mbaresën e njëjësit
bëmë grupimin si vijon:
A. Së pari, asnjanës emra të mirëfilltë, d.m.th, pa nyjën e përparme
karakteristike për dy tipat e tjerë, në Fjalorin në fjalë gjetëm të shënuar
vetëm këta 6 shembuj, të cilët i ndamë në dy nëngrupe:
a) katër raste marrin nyjë-mbaresën
shquese –t: dhjamë-t, ujë-t, krye-t, paskrye-t, dhe
b) dy shembuj marrin nyjë-mbaresën –të: mish-të, lesh-të.
B. Së dyti, sipas tipit të
asnjanësve prejmbiemërorë të paranyjëzuar
ndeshëm këta shembuj, të cilët i merenduam në tri grupe:
a) prejmbiemërorë të
nyjshëm dyrrokësh me temë në –ë që në
shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën -t:
të bardhë-t, të butë-t,
të gjallë-t, të hollë-t, të ftohtë-t, të lartë-t, të lehtë-t, të
majmë-t, të mbarë-t, të mirë-t, të ndotë-t, të ndytë-t, të ngrohtë-t, të
nxehtët, të pështirë-t, të pështjellë-t, të rëndë-t, të thatë-t, të verdhë-t,
të vështirë-t, të zbehtë-t -
gjithsej 21 shembuj;
b) prejmbiemërorë
njërrokësh që marrin nyje-mbaresën –të
në njësin e shquar: të keq-të, të kuq-të,
të lig-të, të madh-të, të ri-të, të zi-të – gjithsej 6 shembuj;
c) prejmbiemërorë
paroksitonë, me temë në bashkëtingëllore që në njëjësin e shquar marrin nyje-mbaresën
-it: të egër-it, të ëmbël-it, të fikët-it, të lagët-it, të mugët-it, të pakët-it, të tepërt-it -
gjithsej 7 shembuj.
Gjithsej në këtë burim i
ndeshim të regjistruar 34 shembuj të këtij tipi.
C. Së treti, si asnjanës të paranyjëzuar të tipit prejpjesor, aty gjetëm dhe volëm këta
shembuj, të cilët, sipas tipit të
foljeve, i radhitëm në katër grupe:
a) Mbi temë të foljeve me fundoren –ë dhe që njëjësin
e shquar e bëjnë me –t: të bërë-t, të dhënë-t, të gdhirë-t, të
dalë-t, të hyrë-t, të larë-t I, të larë-t II,
të marrë-t, të ngrënë-t, të ngjarë-t, të pangrënë-t, të parë-t I, të parë-t II, të pëgërë-t, të
pështjellët, të prerë-t, të qarë-t, të qenë-t, të sharë-t, të vjelë-t, të
vjellë-t - gjithsej 21 shembuj. Po këtij grupimi i takojnë
edhe këta dy shembuj të prirët dhe të thënët, me të cilët manipulohet në
sqarime brenda burimit përkatës, që gjithsej bëjnë 23 shembuj.
b) Mbi temë të pjesores së
foljeve me bashkëtingëllore që në shumësin e shquar marrin mbaresën –it: të
ecur-it, të errur-it, të folur-it, të ftohur-it, të lehur-it, të ngrysur-it, të
ngjeshur-it, të nuhatur-it, të njohur-it,
të prekur-it, të qeshur-it, të sosur-it, të shprehur-it, të tekur-it
– gjithsej 14 shembuj. Po këtij grupimi i takojnë edhe këta 6 shembuj që i ndeshim të përdorur për nevoja sqaruese
po në atë burim: të hequrit, të
mbajturit, të skuqurit, të pasurit, të ndenjurit, të vepruarit – kështu
numri i tyre në këtë grup arrin në 20
shembuj.
c)
Gjithashtu me –it e bëjnë njëjësin e
shquar asnjanësit e përftuar nga tema e foljeve më –oj dhe -ua/j: të dëgjuar-it, të menduar-it, të mësuarit, të
qëlluar-it; të paguar-it, të rruar-it-, të shkruar-it - gjithsej
7 shembuj, mirëpo këtij grupimi
i shtohen edhe pesë shembuj, tre mbi temë me –ua/r: të bashkëjetuar-it, të jetuar-it e të vepruar-it dhe dy mbi
temë në –ye/r: të kërcyer-it të pëlqyer-it, që i ndeshim të përdorur po në atë burim e që gjithsej kapin
numri 12 (7+3+2).
ç)
Te tipi i foljeve me togun –ie/j, të
regjistruar e gjetëm vetëm një shembull që në shumës merr nyje-mbaresën –ët : të përzier-ët -
Gjithsej asnjanës të këtij tipi në këtë burim i ndeshim 43 shembuj.
Si
përfundim, numri i tërësishëm i asnjanësve të regjistruar, sipas tre tipave,
kap shifrën 83 (A - 6, B -34 dhe C - 43).
2)
Konstatime rreth grupimeve të mësipërme
Nga shembujt e mësipërm
vëmë re dy çështje: a) versionet rreth nyjë-mbaresave dhe b) numrin e shembujve
që ndryshon sipas grupimeve brenda tyre,
fakte këto që i konsiderojmë se zgjojnë interes në të mirë të konsolidimit të drejtshkrimit,
si dhe për specifikimin e modeleve fjalëformuese, prandaj edhe konstatimet e
mëposhtme po i japim po mbi këto dy kritere:.
a) Grupimi sipas tipit të nyjë-mbaresave të shquarsisë
1. Te tipi i parë, d.m.th.
te asnjanësit primitivë që i quajtëm edhe si emra të mirëfilltë, sipas lëndës
së regjistruar, ndër 6 shembuj dalin vetëm këto dy nyje-mbaresa të njëjësit të
shquar: –t dhe –të.
2. Te asnjanësit prejmbiemërorë, tipi i dytë, që përbëhej prej tri
grupesh vihet re se secili grup në njëjësin e shquar merr nyjë-mbaresë të
veçantë, përkatësisht: –t, -të dhe –it
3. Te asnjanësit e nyjshëm
prejpjesorë nyjë-mbaresa e njëjësit të shquar, sipas 4 grupeve, përkatëse del tri varianteshe: -t, –ët, –it.
Pra, grupi i emrave prejpjesorë
të paranyjëzuar, sipas shembujve të regjistruar, ka 2 mbaresa më shumë se te tipi i emrave të mirëfilltë të paparanyjëzuar
-it dhe –ët dhe ka po aq sa ka tipi i asnjanësve prejmbiemërorë, por këtij i
mungon formanti –të që kishin dy
tipat e tjerë, ndërsa tipit të prejmbiemërorëve i mungon formanti –ët.
Këto
nyjë-mbaresa duhen mbajtur mend, jo
vetëm sa me marrë a me pasë në dijeni përgjithësisht, por edhe pse hyjnë në
punë për arsye të konsolidimit të rregullave drejtshkrimore dhe të atyre
drejt-trajtëformuese brenda strukturës përkatëse emërore.
Në
këtë kontekst del i diskutueshëm shembulli i vetëm më –ët: të prerët. Shtrohet pyetja
a do të shërbejë ky rast si një formë përfaqësuese për tërë grupin e
foljeve me tog zanor –ie/r apo jo? Më
konkretisht a do të shtrihet formanti –ët
për të gjitha foljet me -ier (ndier të ndierët), të atyre me –yer: lyer (të lyer-), ngjyer (të ngjyer-ët) etj. mbase
edhe të atyre me –ua/r apo do të shkrihet në grupin e rasteve më –it, siç dolën edhe dy shembujt të
kërcyer-it dhe të pëlqyerit, me të cilët manipulohet në atë burim.
Sigurisht, kjo çështje mbetet çështje e hapur. Gjithsesi, edhe kjo dukuri imponon sqarim nga normëvënësit tanë
kompetentë. Lidhur me këtë, siç jemi shprehur në një vend tjetër, sugjerojmë që
forma me –ët të jetë e parapëlqyer
për asnjanësit, ndërsa ajo me –it për
shumësin e emrave përkatës të gjinisë mashkullore dhe (kuptohet) formanti –at, pa diskutim i takon shumësit të
emrave të gjinisë femërore.
Sidoqoftë, edhe kjo ide që
ne do ta përsërisim herë pas herë, varësisht nga konteksti që na ofrohet, duhet
të (ri)vlerësohet nga standardologët tanë
b) Grupimi
përkatës dhe numri i shembujve
1)
Siç po shihet nga pasqyra e mësipërme sipas numrit të shembujve: asnjanës emra
të mirëfilltë, d.m.th. pa nyjë të përparshme, janë shënuar në këtë burim vetëm
6 ose më drejt vetëm 5 shembuj të parmë, d.m.th. pa pranëvënësen paskrye-t.
2) Shembuj asnjanësish të nyjshëm mbi bazë
prejmbiemërore dalin në numër të konsiderueshëm gjithsej 34 (21+6+7), me të
cilët, varësisht nga nëntipi, shprehen koncepte cilësie, gjendjeje ose të qeni.
3)
Numri i asnjanësve të nyjshëm mbi bazë pjesoreje është pak më i madh 43
(21+14+7+1, por që lë mundësi të hapur për përthithje edhe të shembujve të
tjerë të përftuar rishtazi ose që i ndeshim në përdorim e sipër në ligjërimet
tona.
Siç
e pamë më lartë në Fjalorin në fjalë (2002) brenda sqarimeve a formulimeve
përkatëse sipas grupimeve ndeshëm edhe 13 asnjanës të tjerë: të pirët, të ngrënët; të mbajturit, të
skuqurit, të hequrit, të pasurit, të ndenjurit, të ftohurit, të bashkëjetuarit,
të jetuarit, të vepruarit, të kërcyerit, të pëlqyerit e mbase edhe ndonjë
tjetër, fakt ky që shpreh prirjen për shumim të asnjanësve të këtij tipi.
Në
të vërtetë ka mundësi që nga çdo folje të formohet asnjanësi përkatës prejpjesor.
Sidoqoftë,
pra, siç u pa, në Fjalorin në fjalë manipulohet me 6 asnjanës primitivë, të paparanyjëzuar,
34 asnjanës prejmbiemërorë dhe 56 (43+13) asnjanës prejpjesorë që bëjnë 96 (83+
13) gjithsej. Mirëpo kur është fjala te numri i asnjanësve, qoftë të regjistruar,
qoftë të legalizuar në përdorim e sipër në shqipen letrare faktikisht numri i
tyre gjithsesi del gjithnjë e më i madh. Kjo dëshmohet edhe nga numri i
regjistruar në burimin më të ri normativ: Fjalori
i gjuhës shqipe, Tiranë 2006, ku siç do të shohim numri i asnjanësve të
regjistruar shënon rritje të dukshme. Po në kontekst të kësaj që po thuhet
duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër me shumë interes se shumica e emrave
të prejardhur cilësorë shpjegohen me ndihmën e
asnjanësit të qenët + një mbiemër,
një emër ose një fjalë tjetër shpjeguese, si p.sh.: me –si:
butësi – të qenët i butë, pabesi –të qenët i pa besë, afërsi – të qenët afër;
me – shti: madhështi – të qenët madhështor; me –i bukuri – të qenët i bukur; me –zi: marrëzi – të qenët i marrë: me –ri: trimëri – të qenët trim, me -shmëri: pajtueshmëri - të qenët në pajtim, e kështu me radhë. Pastaj ka jo pak raste
emrash me prapashtesat përkatëse të huazuara, që për nga numri i shembujve i
sillen dhjetëshit. Po japim vetëm nga një shembull tipi sa për ilustrim: me –izëm: liberalizëm – të qenit liberal;
me -itet: naivitet –të qenët naiv; me
–llëk: kalamallëk – të qenët kalama, e kështu me radhë, numri i shembujve
të tillë, me : të qenët + ..., në FShS
2002 kalon 300-shin.
Pra,
marrë në përgjithësi numri 83, përkatësisht 96 i asnjanësve të
regjistruar ose të përdorur në FSHS (2002) nuk është edhe aq numër i vogël dhe
kur të llogaritet edhe numri i shembujve të shpjeguar me togun: të qenët a të bërët+ fjala përkatëse, të gjithë shembujt kalojnë
dukshëm 400-shin, atëherë ky fakt
vetvetiu bie ndesh me të dhënat se gjoja
numri i asnjanësve në përdorim e sipër në letrarishten e sotme është i vogël.
Sido
që të jetë, kur është fjala se a është
bërë përzgjedhje e mirë përfaqësuese me
shembujt e regjistruar dhe a është dhënë interpretimi i duhur, apo jo, për të
gjithë shembujt sipas tipave, çështja
del pa përgjigje. Ky, në të vërtetë, del problem më vete, por sidoqoftë edhe çështja
rreth numrit të tyre tregon se konstatimet
rreth pasivizimit të asnjanësit në gjuhën standarde duhen pranuar me
rezervë të ligjshme.
Në
të vërtetë, nga sa u tha më lartë, si rekapitullim, më poshtë në tabelën
përkatëse po e rijapim vetëm numrin e tërësishëm të asnjanësve të regjistruar
në FShS 2002, sipas nyjë-mbaresave përkatëse,
sipas këtyre rubrikave:
1. tipi i asnjanësit: A, B,
C;
2. nyjë-mbaresat e njëjësit
të shquar dhe numri i shembujve;
3. numri i tërësishëm i
shembujve.
Tabela e numrit të asnjanësve të
regjistruar në FShS 2002
__________________________________________________________
1 2 3
.
Tipi -t -të -ët -it Gjithsej
----------------------------------------------------------------------------------------
. A 4 2 - - 6
B 21 6 - 7 34
C 21 - 1 21 43
Gjithsej 46 8 1 28 83
Siç
po shihet numri më i madh i shembujve del
mbi bazë të temës të pjesores me –ë
fundore që marrin nyjë-mbaresën shquese –t,
prandaj ky fakt si rregull
drejtshkrimor duhet respektuar. Këtë po e theksojmë në mënyrë të veçantë, sepse
në burime të caktuara edhe shembujt e tillë po shënohen ndonjëherë, kundër
kësaj rregulle, me nyjë-mbaresën kryesisht mashkullore –it.
Të vihet re se asnjanësit e tipit të tretë
(prejpjesorët) nuk marrin nyjë-mbaresën –të dhe është një rast i vetëm i
vetmuar me mbaresën –ët, çështje e
hapur kjo që do të riceket herë pas herë
gjatë analizës.
Sidoqoftë,
konstatimet që dalin nga ky krye i punimit duhen kuptuar edhe një sihyrje për
të përkapur më mirë e më me lehtësi edhe çështjet e tjera më të ndërlikuara me
të cilat do të ballafaqohemi gjatë analizës a shtjellimit të lëndës në krerët
vijues.