Kulturë
Nuri Plaku: Meshë për gjinkallat e vdekura
E enjte, 05.11.2009, 07:53 PM
MESHË PËR GJINKALLAT E
VDEKURA
(Rreth vëllimit poetik “Bukë dhe verë” të
Roland Gjozës)
Nga
Nuri PLAKU
Ngjarje
befasuese në Korfuz. Një poet, vështron turistët që “pinë” detin, “me pipez në gota të gjata me fron”dhe
ndjenë se hutohet nga “rrufitja” e tij metaforike. Muzika e tipit të “haremit” që
vjen nga një buzuk aty pran, e përthith, dalngadalë në magjinë e saj orientale
dhe ai, i dëshiruar deri në pikëllim, “këndon
si i krisur dhe u bije me duar brinjëve të veta”, për të prodhuar si duket
muzikën e vërtetë ngushëlluese. Pastaj ikën nëpër vapën përvëluese të gushtit
dhe futet në një nga parqet e qytetit, të pushojë ca çaste në hijen e drurëve.
Nga pemët “pikonin gjinkalla të vdekura”.
Poeti i shikon me dhimbje, mbledh një grusht me to dhe shkon në kishë. “Uratë-u thot priftërinjëve, a mbani meshë për gjinkallat e vdekura”? Priftërinjtë e shikojnë të çuditur dhe
qeshin. “Atëhere, s’mbakeni meshë as për
poetët”? Thotë ai. “Priftërinjtë përsëri
qeshin”.
Poeti ikën gjithë dëshpërim, rënduar nga dy
gjendje të ndryshme iluzive, që lidhen me nderimin e shpirtrave të këngës
dhe qeshjen përçmuese të etërve shpirtëror,
të cilat i kumbojnë në vesh që nga shtëpia e madhe e Zotit. Ai gati arratiset në
vetminë e tij të zvargur, duke shfryrë me vete mllefin e zhgënjimit të thellë, për
shtëpinë e dashurisë hyjnore të shpirtrave. Në botën e tij rizon morali i përmbysur
i fabulave të La Fontenit me kuptimet e tyre të tjetërsuara:”Të parët vdesin gjinkallat dhe poetët/Sepse
kënduan dhe tani duhet të vdesin”…
Përse
o Zot duhet të vdesin të parët gjinkallat dhe poetët? Mos vallë fryma hyjnore kërkon
të sundojë këngën e tyre të përtej amëshimit? Mos vallë logjika sunduese e
Hadit kërkon të bëjë anatominë e origjinës së tingujve të tyre? Këto janë disa
nga pyetjet që bën poeti i “gjinkallave të vdekura” në vëllimin me poezi të zgjedhura titulluar “Bukë dhe verë”, të poetit, shkrimtarit
dhe skenaristit të mirënjohur të filmit shqiptar, Roland Gjoza.
Gjithshka në këto poezi, përshkohet nga vlaga
e ngrohtë e jetës, mbushur me ngjyrimet e saj të freskëta, me problemet, hallet
dhe konfliktet bardh e zi të prozaizmit ditor, të cilat kthehen hera herës në
një iluzion me nëntekst të hapur mistik. Midis skenave të tilla, shfaqet në
sfond një pikëz dëshpërimi blu, si një pikëz loti e anatemuar që e vesh
krijimin e tij, me një mllef të bukur poetik.
“Mos
fli dhe mos ik nëpër ëndërra/Gjaku blu bëhet i zi nga zilia”(Zog i vogël, fq.175).
Në
blu do ta ruaj poeti shpirtin e tij që hidhërohet pambarimisht në këtë botë të
mbushur “…si në Bibël, me Abel e Kainë”
(Liturgji,fq.164). Dhe sërish kërkonë
që, “…në broka prej balte të mbushura me
verë Bakusi/Të derdhim helmin e shpirtit tonë blu.” (Lakuriqësia, fq. 175). Dihet që gjaku blu është gjak mbretëror. Dhe
poeti ndihet pikërisht një i tillë. Pastaj pikëza blu e shpirtit të tij, hapet
si një mbulesë e mëndafshtë magjike dhe mbështjell plagët e pafundme të shoqërisë
shqiptare, plot trauma përjetimi dhe stres mallëkimesh. Poeti kthehet në një
pelegrin të uritur që lakmon shtigje udhësh të reja, të parrahura më parë, për
të gjetur melheme dashurish që të kurojë plagët e popullit të vet. Një nga këto
shtigje është edhe ai që hapet midis “gardheve” të religjonit ortodoks. Ky
shteg e vesh poezinë e tij me një tis të hollë mistik duke i dhënë asaj pamjen
e një “zonje” të përvuajtur që mbanë mbi supe një besim të ri, të pa prezantuar
më parë. Ndaj dhe ai trishtohet aq shumë nga qeshja tallëse e priftërinjëve…
Para viteve ’90, autori, ashtu si dhe gjithë
poetët e tjerë shqiptar, bashkëkohës të tij, nuk sjell në poezi, kontakte reale
të prekshme nga fryma mistike. Në poezinë e kësaj periudhe e cila bëhet
prezente në një pjesë të mirë të këtij vëllimi, dominon paraqitja e realiteteve
të bardha, jashtë koloritit fetar e cila lidhet natyrshëm me karakterin tabu të
trajtimit të vetë kësaj teme.
Mbas viteve ‘90, fryma mistike në letërsinë
tonë, shprehet jo vetëm me etjen e vet të virgjërisë poetike, por edhe si një
labirint trajtesash, si një galeri e pasur, me “mademe” të rralla, të pashfrytëzuara
më parë. Mbi këto “mademe”, autori godet fuqishëm me “Çekanin e minatorit”,
duke nxjerrë prej saj pasuri të vlershme poetike. Një nga këto elemente është ndërtimi
i kultit të poetit, nëpërmjet veshjes hyjnore të tij.
Poeti tek
Gjoza, “shkoq”
tradhëtitë e kohëve nga trupi i shoqërisë sonë, si të shkundëte ca stërkala të
thara balte ngjitur në pantallona, pas një udhëtimi të gjatë e të mundimshëm
dhe psherëtin për të ardhmen e saj të dyshuar. Ndaj shpesh ai e ngjason poetin
edhe me vetë shenjtin.
“Poetët dhe lulet/Janë nga pak Jezu Krisht.” (Tulipanët e mi,fq.6)
Në paralele të tilla ndërtuar mbi kontekste
mistike, ai thur mesazhet e veta poetike, duke i qartësuar gjykimet për to, mbi
bazën e një sakrifice sublime të cilën është në gjendje ta bëjë vetëm poeti. Sepse,
siç thotë edhe një nga njerëzit e shquar të kulturës sonë, Pirro LOLI, “Shpirti i
krijuesit është një shpirt që digjet deri në amshim për të tjerët. Vetëm ky
shpirt bëhet i dashur e pikë referimi për shoqërinë.” Duke e vënë
poetin përball realiteteve të fokusuara, ai e përdor atë si masë njesie, si
etalon vlerësimi më të besueshëm se ç’do njesi tjeter kategorike.
“Jam poet/Po shkoj të vdes/Të vdes
vetëm një herë/Se këtu vdes përditë.”(Grean
Kard,fq.121)
Krahas vlerësimit të lartë të rolit të poetit
në shoqëri, jepet ndërkohë edhe një dhimbje e thellë hyjnore që e shoqëron atë në
të gjitha transformimet digresive të saj. Vlerësimi dhe dhimbja krijon tek
poeti, atë lloi ekuacioni shpirtëror,
barazimi i të cilit shpreh fisnikërimin e tij të vazhdueshëm.
Pikërisht te ky relacion, zhbirohet gjendja
reale e dramave të thella sociale që kan pushtuar shoqërinë tonë të sotme dhe
jepen nga jeta e saj, imazhe befasuese dhe tepër tronditëse.
“Është një vend me diell të
mjaftueshëm/Me lule të mjaftueshme/Ku i vrasin poetët/Se të gjiithë janë
sundimtarë/
Është një vend me Krisht të
pamjaftueshëm.”(I pamjaftueshëm, fq.25)
Poeti krijon edhe modelin e rezistencës
shpirtërore, modelin e qendresës ndaj bjerrjes së vlerave tona kombëtare,
modelin që duhet ndjekur si shembull stoicizmi human. Dhe ky është ai që mban brenda
vetes, “shpirtin e tij blu”.
“Vetëm shpirti blu qiellor s’u dha/U
mbyll si kështjellë me njëqindmijë kyçe /Shpirti blu” (Shpirti blu,fq.82)
Sepse ky shpirt blu, ndodhet brenda një qënieje të
shenjtë
“Jam qënie
e shenjtë/Bukë e zezë gruri qiellor/Aty fshihet guri
/I veshkës
së Noes”. (Biblike, fq.90)
Kjo zbërthen kuptimisht edhe përmbajtjen e titullit
të këtij vëllimi. Buka dhe vera simbolizojnë vet poetin.
“Poetët e krisur/Pinë/Gjakun e
Krishtit.”(Perëndim dielli në det,fq.29)
Duke
qenë një nivel i lartë performance sociale, poeti i përbuz shërbetorët e Zotit
veshur me kamellaf protokollar, të cilët qeshin me tallje për “meshën e
gjinkallave të vdekura”. Sepse këto krijesa të “krisura” që pinë “gjakun e
Krishtit”, janë gatuar prej “buke të zezë gruri qiellor”, prandaj dhe janë më
pran Zotit sesa veladonët e zinj të shërbesave rituale.
“Unë jam një kishë/, thotë ai, Në kohën kur Zoti mungon”(Ave Maria, fq. 145)
Një tjetër element pasurimi që përfiton kjo
poezi, nga veshja e saj biblike, është edhe
fryma e
kritikës sociale.
Kjo
frymë, shfaqet në dy plane; në krahasimin midis dy gjendjeve të kundërta psikologjike,
dhe në krijimin e relacioneve poetiko- mistike të realiteteve të ndryshme sociale.
Ndonjëherë
kjo kritikë vishet edhe me indinjatën shpërthyese të autorit, për gjendje të
caktuara apatike që përsëriten në popull dhe që bëhen për të, shprehje
karakteristike e identitetit të tij.
“Një popull që pret qysh nga
lindja e tij/Vdes dhe ringjallet pa Krisht
/Me Judë Iskariot si barinj/Pritja
është vetmi!” (Pritja, fq 114)
Kritika është edhe për vet sistemin
religjonal.
“Vezët e kuqe krisin e çahen/Në
vend të Jezu Krishtit/Shfaqet Baraba.” (Pashkët
e Mëdha 1997, fq.114)
Është mjaft efektiv ky fjalor dhe veçanërisht
kur ai paraqitet në raporte krahasuese, pasi vë përball dy gjendje nga të cilat
njëra sqaron tjetrën dhe të dyja së bashku japin imazhe të qarta të një
realiteti tronditës me thyerje drastike. Thuajse nivelin më të lartë të
situatave poetike që pasqyryjnë traumat e vitit të mbrapsht të ’97-ës, e japin
pikërisht ato poezi, të cilat operojnë me mjete të tilla përshkrimi. Vihet re se
ngarkesa emotive e kësaj sintakse është mjaft efektive;
“Dikush mund të lerë mjekër e flokë
të gjatë gjer mbi supe/Ti shëmbëllejë Jezusit/ Vagabondë me pushtet e mbajnë
Shqipërinë në kuletë/ Si hartë shkollore…/Veç një gjë mos ndodhtë, o Zot/Dikush
si Kaligula të shpall kalin e vet perandor.” (Koma,
fq.127)
Shpesh nëpërmjet veshjes mistike, Gjoza
realizon në mënyrë të shkathët e tepër origjinale edhe shvendosjen e bërthamës
së veprimit poetik, nga toka në lartësi. Është ky element që i jep atij mundësinë
e pasurimit të poezisë edhe me një tjetër vlerë; zhbirimin qiellor.
Pak krijime e kan këtë element në poezinë
shqipe. Kjo ngase nuk ka patur një përqendrim të drejtpërdrejtë të krijimit dhe
krijuesit drejt kësaj gjeografije. Një lëvizje e tillë përbën çvendosjen e
objektit poetik nga toka në lartësi, duke dhënë një relacion të ri të ngjajshëm
me udhën e shpirtrave. Është një lloi afrimi drejt hyjnores së prekëshme:
“Zgjatem e hollohem si një fije peri deri në hënë
që të qepë në qiell
/Një pupël ëngjëlli /Pastaj digjem
në flakët e diellit si dylli i shtatë qirinjve /Se dua realitetin e gjërave tokësore,
po ëndërrën e krisur që më bën poet /S’kam flatra për të gjithë qiejtë.”
(S’kam flatra për të gjithë qiejtë, fq.110)
“A e kuptoni o të marrë, dua të
ngjitem lart sa më parë
/Jam xhentëlmen i vargut blu”.(Me temperaturë në Paris,fq.116)
Shpesh
elementë të ndryshëm të religjonit, Gjoza i përdor edhe për objekt të
drejtpërdrejtë krahasimi.
“Avjoni u ngjit në qiejt
mediterranë /Si Mesia” (Vetmia, fq 7)
ose
“Dhe del më pret në kalldrëm një pëllumb i
zi si shkrumbi që pikon nga kryqi i Jezu Krishtit.”(Rruga Aristoteli 9 në
Korfuz,fq 92)
Me këto ngjyrime mistike operon gjerësisht poezia
e Roland Gjozës duke reflektuar hera herës, hyjnizimin dhe zvetënimin absurd të
jetës. Personazhi tipik i saj, protagonisti më dinjitoz, “poeti me një grusht
gjinkalla të vdekura”, endet i
trishtuar, i bindur se tashmë nuk do të ketë më meshë, as për poetët e vdekur. Bota
është përball një barbarizmi shpirtëror. Midis muzikës së buzukut dhe qeshjes së
priftërinjëve, ai mbetet viktim e mbushur me shpresa të zbrazura për të ardhmen
e saj. Dhe, në fund të fundit, ky është pikëllimi i njeriut të ndjeshëm dhe ky
realitet përbën pasazhet më të dhimbshme për të. Poeti shfaqet e ikën po aq
tragjik në mashtrimin e vet, po aq tragjik në iluzionin e tij, sa edhe pyetja që
bën; Pse o Zot vdesin të parët gjinkallat dhe poetët? Dhe kjo është një nga pyetjet
e përjetëshme të kësaj bote, sepse siç thoshte edhe Neruda për përjetësinë e
tyre, “Pyetjet nuk vdesin”.