Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Shtangieshtarjet
E shtune, 07.11.2009, 07:44 PM

SHTANGIESHTARJET
Shtrëngatës së zezë i frynë e frynë shtatëmbëdhjetë. Përderisa llambat e dritave të tia, pas përplasjes së tepërt, u zmadhuan deri në fund të zvogëlimit, në disa fije të zbehta, që i përshkonin fekse të kuqërremta e të verdha. E kuqërremta e përshkuar me të verdhën goditëse, xixëllima yjëzish… Përplasjeve, britmave u bënte garë një intonacion i dridhshëm, këlthitje herë - herë e ngritur në shkallën më të lartë që nuk ekziston në pentagramet e muzikës. Vetëm në pozitën horizontale Motit i ngjirej intonacioni.
Fytyrat e fryrësve po zbeheshin në ashpërsinë dhe verdhësinë ngulfatëse. Krismat, rrapëllimat, zërat e çjerrë ngurësoheshin, errësohej gjithçka.
Llambat e ballit të tij fikën llambën e Zyrës së Shtrëngatës.
* * *
Një rrëke uji lugut të qafës për kurriz e tutje zgjoi avullin e kongjijve që ende po tymosnin në mua.
Pozita vertikale nuk mbahej dot, megjithë përpëlitjet, edhe horizontalja po e plandoste, për ta përqafuar krejtësisht shkujdesshëm. Në gjembat e rrafshirës rrotullimet, fërkimet, puthitjet do të preheshin… As ajo vijë e rehatisë së amshuar të njeriut nuk e mbante.
Dritëza e hirtë në të verdhë mbi derën e hekurt të zgafellës ritmikisht vendosej - zhvendosej.
Miklimet e shumëzuara të gjumit si një vashë e vrullshme, e padurueshme në vërshimën e saj, po i zbriste stuhia që kishte fryrë nga jashtë dhe tash frynte paprerë nga brendia. Rënkimet dilnin si diçka që liron avull, tym, avull i gjallë… Një kanalizim i dhimbjes, fyti si tymtar i lokomotivës me thëngjill, buçiste.
Mbi derën metalike të zgafellës, vrushkujt e dritëzës nën grilëza formësonin simetrinë e dritëhijeve të tyre në tavan, si trarë metalikë. I bëheshin se do të shkëputeshin e t’i binin për çdo çast.
* * *
Në një korridor të gjatë përplot ujë dhe shtylla të trashë, në largësi e lartësi të njëjtë, seç mbanin diç që s’dukej… Uji deri në gjunj. Po udhëtoja pllap - pllup, pllap - pllup dhe fundi nuk dukej askund… Kllap - kllup, kllap - kllup, kllap - kllup… Vetëm gumëzhimë e kllapçitjes së hapave, e, udhëtim vetmitar në ujin e pallatit me shtylla të pambarim…
Si është e mundur kështu, pa ndonjë përfundim? Këtu fillimi nuk e paska mbarimin…
Pambarim. Si nuk mund të ketë mbarim?! E pakapshme… Jashtë logjikës, jashtë përmasave të reales e, megjithatë reale.
Vendin e shpresës e zinte diç tjetër gjithnjë më e pranishme. Në sfondin e kësaj enigme ndjella…
Në atë hon ajo ndjenjë solli babain, në fytyrën e të cilit përpos plisit ndërroheshin mozaikë disponimesh: keqardhja, hidhërimi, mllefi, pikëllimi, hutia, përgjërimi, trishtësia. Sytë të mbushur huti, përgjërim, huti, pikëllim, habi, kërcënim, përgjërim… Në sfond të tretjes së babait përgjërimi…
* * *
Nëpër relievin e ri të trupit të poetit tashmë kaluronte dhimbja e shaluar faqeve, krahëve, kurrizit, këmbëve, duarve, gishtërinjve. Ënjtja e zezë me nuanca të së kaltrës, ngjyra të piktorëve të Serisë, me të cilat mbrohej stili i demoduar i tyre, poashtu të trazuar e tendosur deri në skaj të pagjumësisë.
Pështyma e turbulluar me kokrriza të kuq, të ngrirë, i jepte shijen deri atëherë të pashijuar. Ndërsa anatomia shtrydhej për tu tharë. Qenësia e saj sprovonte përbirimin nëpër vrima të pakalueshme, ku duhej të futej çelësi i durimit, duke lënë peng edhe lëkurën. Vërshima përsiatjesh, mynxyrash sillnin vorbuj testimi: kalueshëm, pakalueshëm, kalueshëm, pakalueshëm, e kalueshme, e pakalueshme ajo urë, nëpërmes shpatës asaj Ure të Siratit ku mund të fundosej…
- Le të fundosej trupi - i thoshte ndërgjegjes.
- Po të ruhej, të ruhej, të ruhej e sforconte, pandërprerë, këtë pohim të paqëndrueshëm, drejtëpeshimi i shpirtit.
Ai të ruhej, qoftë duke u kapur edhe për një fije të vetme, deshti të thoshte kashte, po ku të gjendej ajo?
Valëve të baticave dhe zbaticave në shpirt u frynte frika. Lisit të guximit ia shkundi gjethet. Dhe ai pehatej. Ndërsa, lundra e qëndresës anohej varësisht kah rëndonte barra, gjithnjë më e rëndë e epshit çuditërisht tepër të shtuar bashkë me ëndjen… Dhe për këtë nuk gjente shpjegim.
Në peshoren e vlerave ëndja e ka provokuar prore burrërinë për ta nënshtruar, zhburrëruar, zhvlerësuar ose drejtëpeshuar.
* * *
Tashti ndërroi pozitën. Por për tu shkëputur nga horizontalja drejt vertikales, secila po e tërhiqte në orbitën e vet të përqafimit. Pati aq forcë sa t’i shkëputej horizontales, po nuk i mjaftoi të ngjitej deri në vertikale. Për sa kohë që po qëndronte ashtu mesopozita e torturonte. Ishte e pamundur të mbahej kjo. Me gjithë barrën qindrakilogramëshe, pas dhjetëra përpjekjesh me pelim në gojë, iu ngjit pozitës së lavjerrësit.
Vështirë të mbetesh gjatë pezull në pozitë të zvarranikut, i shkrepi mendja, kur kryefryrësi i stuhisë së zezë thirri:
- Rrah, Rrah merre violinën!
Nuk e paramendonte se çfarë do të ekzekutonte tash e këtu në violinë ai farë Rrahu. Në njërin sirtar parandjenja nuhati dosjen e stuhisë së ndryrë. Nën tavolinën ngjyrë kafeje, në tepihun e rrjepur të verdhë, një plimë pleshtash kërcenin si akrobatë të shkathtë. Moti ndjeu fërkime hithërash në trupin e lakuriqësuar, kruarje dhe rrënqethje.
- E dini si më ka thënë mua ky i gjorë: - Bacë unë për atë që po më pyesni jam i pastër, e kam larë vetën me një thes deterxhent!
Motit i duhej ta vishte atë këmishë të tejdukshme e të zgjebosur intrige!
Bëre këmishë për vete po munde atë që ta qepin ata! Një kazan zjarrmënie i vlonte në shpirt që t’i përvëlonte ato zgjebë intrigash, shpifjesh, gënjeshtrash edhe me një grackë sintakse shqipe.
- Mot muti: ke folur kundër këtij sistemi sikur han bukë e djath.
- Ku ke hyrë e ku je ulur ke përhapur zgjebën e, ee…
- Vendin ku ti ke shkel duhet djegur.
- Zgje… Zgje… Zgjebën e, e mora tek ju. - Por nuk jam i zgjebosur shpirtërisht - pohoi dridhshëm me një mëdyshje.
- Ç’pata e thashë.
- Çfarë të pastroj tash? - Ku është ai ilaç?
- Helm e ilaç në gojën tënde i paq - korazi…
… se si iu katruan katër së- ja për ta shqiptuar një të vetme S., që pshurri mbi kokën e Motit…
* * *
Edhe togfjalëshat, fjalitë e ndërmjetme, gjymtyrët homogjene të tyre, mënyrët e vetat… Sërishmi e sërishmi renditjen, ndërtimin ta përsëriste me verbërinë e besnikërisë. Edhe presjet, pikat… Periudhë e zgjeruar, për të satën herë, duhej goditur. Sërishmi e sërishmi shtigje gjembash, hithërash në variantin e periudhës së pagoditur… Gramatikë e mallkuar! Sa e sa herë kishte menduar porse, pendesa e përbuzja ishin bërë mur e jo urë.
Trishtimi e torturonte më shumë se tortura që do të pasonte. Në atë Saharë frika po ia kositte blerimin poetit, i cili mëtonte ta mbëltonte në guximin sakaq të shtuar me petka të një krenarie të fshehur. Ishte i dhjetëramijëti që po hidhte atë farë të uruar dhe nëmur, për të çakorduar diçka të akorduar tejet mërzitshëm.
* * *
Korit të të akorduarve iu shtua edhe një i tërbuar. Kryefryrësi kishte urdhëruar shikimhithërin:
- Rrah bjeri violinës!
Nuk dukej gjëkundi violina, por në duar të shikimhithërit, Moti pa një ambrellë të zezë, të gjatë e të mbyllur. Ç’i duhej tash në këtë mot të kthjellët? Do t’ia vrenjtonin e kthjellonin atmosferën kur të lidhej me korent ajo farë violine! Pesë nga më të tërbuarit ia zhveshën rrobat e sipërme të trupit. Edhe të poshtmet, mbaj e ngreh, nuk i kishte lëshuar derisa duart iu ligështuan, pantollat ia shpien në fund të këmbëve.
Hynte cjapi te kasapi: - ju lutem çdo të më bëni?
Tërbimi pingul i të shtatëve ngadhnjeu, me gulshime frymëmarrjesh të penguara, që i binin erë alkooli mbi paepshmërinë e tij.
E rrëzuan. E cullakuan. Njëri provonte peshën mbi këmbët, ndërsa tjetri mbi krahët e shtrirë duke u ndërruar.
- Mos do të më dhunojnë?! - I foli unit të ngulfatur.
- Jooo, jooo nuk më duhet jetëkëneta!
Kurrë nuk e kishte ndjerë peshën e dhunimit, as shijen e ndyrësisë që lëshon njeriu pas shlirimit…
Vallë, mos, mos… Do të më tredhin…!
Për habi të ironisë: epshi i ishte qindrafishuar…
Vetëm vrasja a vetëvrasja do ta kishte rehatuar.
Përdhunimi fat i tejshkuar kryqëzimit.
Në qafë zverk duar krahë bark këmbë puthiteshin qindëra dhëmbëzi të mprehtë sharre, të asaj ambrelle, që tërhiqej si shkop violine nga ekzekutori i pasionuar i këtij lloj arti. Temperatura njëqindgradëshe mbi kongjij të ndezur nxjerrte sumbulla djersësh, me këlthitje e britma të avullueshme.
* * *
Relievi i poetit ndryshoi. Zbraztësira e ujit, pothuajse, të shterur të liqejve malor, kanjone zikaltëra kishte formësuar. Gërryerjet e motit mbi lëkurë kishin nxjerr vijëza përroskash të kaltëruara.
Në Shkollën e Regjimit të Mërzisë poeti ishte mësuar tu ruhej vegëzave të fjalëve, edhe baltinave të kontekstit…
- Shtrëngata thyen, por edhe thyhet në qëndresë.
- Pa të fërguar jeta nuk të vjen era njeri dhe, droja e djegies prore nuk na ka prirë.
I hodhi supeve të Ngazëllimit këtë pelerinë urtie Moti.
Gjilan, 1993
Rishkruar në mars 2009
Komentoni
Artikuj te tjere
Poetry by Zef Mulaj
Poezi nga Dibran Demaku
Baki Ymeri: Rrugë pa kthim
Halit Bogaj: Bajroni
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (I)
Kristaq Turtulli: Poemth për prindërit
Nuri Plaku: Meshë për gjinkallat e vdekura
Nehat Jahiu: Fara e diturisë sot rrezon përsëri
“Enciklopedi” tjetër maqedonase, Bekim Fehmiu bëhet serb
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (IV)
Viron Kona: Drithërimat e Yjeve (IV)
Asllan Dibrani: Shtatorja e Bill Klintonit në Prishtinë me mangësi artistike
Engjëll Koliqi - Poezi të 6-12 tetorit 2009 - Poesie del 6-12 ottobre 2009
Jusuf Zenunaj: Në lumin e syve tu
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Konstatime paraprake
Agim Gashi: Vaji i shqiptarit
Nga krijimtaria e poetit për fëmijë Ibrahim Skenderi
Cikël poetik nga Edmond Shallvari
Viron Andrea: Vizioni kombetar ne romanin “Dashuri e gdhendur ne shkemb”
Ali D. Jasiqi: Poezi patriotike me tema autoktone