Mehmetali Rexhepi: Shtangieshtarjet
| E shtune, 07.11.2009, 07:44 PM |
Mehmetali RexhepiSHTANGIESHTARJETShtrëngatës së zezë i frynë e frynë shtatëmbëdhjetë. Përderisa llambat e dritave të tia, pas përplasjes së tepërt, u zmadhuan deri në fund të zvogëlimit, në disa fije të zbehta, që i përshkonin fekse të kuqërremta e të verdha. E kuqërremta e përshkuar me të verdhën goditëse, xixëllima yjëzish… Përplasjeve, britmave u bënte garë një intonacion i dridhshëm, këlthitje herë - herë e ngritur në shkallën më të lartë që nuk ekziston në pentagramet e muzikës. Vetëm në pozitën horizontale Motit i ngjirej intonacioni.Fytyrat e fryrësve po zbeheshin në ashpërsinë dhe verdhësinë ngulfatëse. Krismat, rrapëllimat, zërat e çjerrë ngurësoheshin, errësohej gjithçka.Llambat e ballit të tij fikën llambën e Zyrës së Shtrëngatës. * * *Një rrëke uji lugut të qafës për kurriz e tutje zgjoi avullin e kongjijve që ende po tymosnin në mua. Pozita vertikale nuk mbahej dot, megjithë përpëlitjet, edhe horizontalja po e plandoste, për ta përqafuar krejtësisht shkujdesshëm. Në gjembat e rrafshirës rrotullimet, fërkimet, puthitjet do të preheshin… As ajo vijë e rehatisë së amshuar të njeriut nuk e mbante. Dritëza e hirtë në të verdhë mbi derën e hekurt të zgafellës ritmikisht vendosej - zhvendosej.Miklimet e shumëzuara të gjumit si një vashë e vrullshme, e padurueshme në vërshimën e saj, po i zbriste stuhia që kishte fryrë nga jashtë dhe tash frynte paprerë nga brendia. Rënkimet dilnin si diçka që liron avull, tym, avull i gjallë… Një kanalizim i dhimbjes, fyti si tymtar i lokomotivës me thëngjill, buçiste. Mbi derën metalike të zgafellës, vrushkujt e dritëzës nën grilëza formësonin simetrinë e dritëhijeve të tyre në tavan, si trarë metalikë. I bëheshin se do të shkëputeshin e t’i binin për çdo çast. * * *Në një korridor të gjatë përplot ujë dhe shtylla të trashë, në largësi e lartësi të njëjtë, seç mbanin diç që s’dukej… Uji deri në gjunj. Po udhëtoja pllap - pllup, pllap - pllup dhe fundi nuk dukej askund… Kllap - kllup, kllap - kllup, kllap - kllup… Vetëm gumëzhimë e kllapçitjes së hapave, e, udhëtim vetmitar në ujin e pallatit me shtylla të pambarim… Si është e mundur kështu, pa ndonjë përfundim? Këtu fillimi nuk e paska mbarimin…Pambarim. Si nuk mund të ketë mbarim?! E pakapshme… Jashtë logjikës, jashtë përmasave të reales e, megjithatë reale. Vendin e shpresës e zinte diç tjetër gjithnjë më e pranishme. Në sfondin e kësaj enigme ndjella…Në atë hon ajo ndjenjë solli babain, në fytyrën e të cilit përpos plisit ndërroheshin mozaikë disponimesh: keqardhja, hidhërimi, mllefi, pikëllimi, hutia, përgjërimi, trishtësia. Sytë të mbushur huti, përgjërim, huti, pikëllim, habi, kërcënim, përgjërim… Në sfond të tretjes së babait përgjërimi…* * *Nëpër relievin e ri të trupit të poetit tashmë kaluronte dhimbja e shaluar faqeve, krahëve, kurrizit, këmbëve, duarve, gishtërinjve. Ënjtja e zezë me nuanca të së kaltrës, ngjyra të piktorëve të Serisë, me të cilat mbrohej stili i demoduar i tyre, poashtu të trazuar e tendosur deri në skaj të pagjumësisë.Pështyma e turbulluar me kokrriza të kuq, të ngrirë, i jepte shijen deri atëherë të pashijuar. Ndërsa anatomia shtrydhej për tu tharë. Qenësia e saj sprovonte përbirimin nëpër vrima të pakalueshme, ku duhej të futej çelësi i durimit, duke lënë peng edhe lëkurën. Vërshima përsiatjesh, mynxyrash sillnin vorbuj testimi: kalueshëm, pakalueshëm, kalueshëm, pakalueshëm, e kalueshme, e pakalueshme ajo urë, nëpërmes shpatës asaj Ure të Siratit ku mund të fundosej…- Le të fundosej trupi - i thoshte ndërgjegjes. - Po të ruhej, të ruhej, të ruhej e sforconte, pandërprerë, këtë pohim të paqëndrueshëm, drejtëpeshimi i shpirtit.Ai të ruhej, qoftë duke u kapur edhe për një fije të vetme, deshti të thoshte kashte, po ku të gjendej ajo?Valëve të baticave dhe zbaticave në shpirt u frynte frika. Lisit të guximit ia shkundi gjethet. Dhe ai pehatej. Ndërsa, lundra e qëndresës anohej varësisht kah rëndonte barra, gjithnjë më e rëndë e epshit çuditërisht tepër të shtuar bashkë me ëndjen… Dhe për këtë nuk gjente shpjegim. Në peshoren e vlerave ëndja e ka provokuar prore burrërinë për ta nënshtruar, zhburrëruar, zhvlerësuar ose drejtëpeshuar. * * *Tashti ndërroi pozitën. Por për tu shkëputur nga horizontalja drejt vertikales, secila po e tërhiqte në orbitën e vet të përqafimit. Pati aq forcë sa t’i shkëputej horizontales, po nuk i mjaftoi të ngjitej deri në vertikale. Për sa kohë që po qëndronte ashtu mesopozita e torturonte. Ishte e pamundur të mbahej kjo. Me gjithë barrën qindrakilogramëshe, pas dhjetëra përpjekjesh me pelim në gojë, iu ngjit pozitës së lavjerrësit.Vështirë të mbetesh gjatë pezull në pozitë të zvarranikut, i shkrepi mendja, kur kryefryrësi i stuhisë së zezë thirri:- Rrah, Rrah merre violinën!Nuk e paramendonte se çfarë do të ekzekutonte tash e këtu në violinë ai farë Rrahu. Në njërin sirtar parandjenja nuhati dosjen e stuhisë së ndryrë. Nën tavolinën ngjyrë kafeje, në tepihun e rrjepur të verdhë, një plimë pleshtash kërcenin si akrobatë të shkathtë. Moti ndjeu fërkime hithërash në trupin e lakuriqësuar, kruarje dhe rrënqethje.- E dini si më ka thënë mua ky i gjorë: - Bacë unë për atë që po më pyesni jam i pastër, e kam larë vetën me një thes deterxhent!Motit i duhej ta vishte atë këmishë të tejdukshme e të zgjebosur intrige! Bëre këmishë për vete po munde atë që ta qepin ata! Një kazan zjarrmënie i vlonte në shpirt që t’i përvëlonte ato zgjebë intrigash, shpifjesh, gënjeshtrash edhe me një grackë sintakse shqipe.- Mot muti: ke folur kundër këtij sistemi sikur han bukë e djath.- Ku ke hyrë e ku je ulur ke përhapur zgjebën e, ee…- Vendin ku ti ke shkel duhet djegur.- Zgje… Zgje… Zgjebën e, e mora tek ju. - Por nuk jam i zgjebosur shpirtërisht - pohoi dridhshëm me një mëdyshje.- Ç’pata e thashë.- Çfarë të pastroj tash? - Ku është ai ilaç?- Helm e ilaç në gojën tënde i paq - korazi…… se si iu katruan katër së- ja për ta shqiptuar një të vetme S., që pshurri mbi kokën e Motit…* * * Edhe togfjalëshat, fjalitë e ndërmjetme, gjymtyrët homogjene të tyre, mënyrët e vetat… Sërishmi e sërishmi renditjen, ndërtimin ta përsëriste me verbërinë e besnikërisë. Edhe presjet, pikat… Periudhë e zgjeruar, për të satën herë, duhej goditur. Sërishmi e sërishmi shtigje gjembash, hithërash në variantin e periudhës së pagoditur… Gramatikë e mallkuar! Sa e sa herë kishte menduar porse, pendesa e përbuzja ishin bërë mur e jo urë.Trishtimi e torturonte më shumë se tortura që do të pasonte. Në atë Saharë frika po ia kositte blerimin poetit, i cili mëtonte ta mbëltonte në guximin sakaq të shtuar me petka të një krenarie të fshehur. Ishte i dhjetëramijëti që po hidhte atë farë të uruar dhe nëmur, për të çakorduar diçka të akorduar tejet mërzitshëm. * * *Korit të të akorduarve iu shtua edhe një i tërbuar. Kryefryrësi kishte urdhëruar shikimhithërin: - Rrah bjeri violinës!Nuk dukej gjëkundi violina, por në duar të shikimhithërit, Moti pa një ambrellë të zezë, të gjatë e të mbyllur. Ç’i duhej tash në këtë mot të kthjellët? Do t’ia vrenjtonin e kthjellonin atmosferën kur të lidhej me korent ajo farë violine! Pesë nga më të tërbuarit ia zhveshën rrobat e sipërme të trupit. Edhe të poshtmet, mbaj e ngreh, nuk i kishte lëshuar derisa duart iu ligështuan, pantollat ia shpien në fund të këmbëve.Hynte cjapi te kasapi: - ju lutem çdo të më bëni? Tërbimi pingul i të shtatëve ngadhnjeu, me gulshime frymëmarrjesh të penguara, që i binin erë alkooli mbi paepshmërinë e tij.E rrëzuan. E cullakuan. Njëri provonte peshën mbi këmbët, ndërsa tjetri mbi krahët e shtrirë duke u ndërruar.- Mos do të më dhunojnë?! - I foli unit të ngulfatur. - Jooo, jooo nuk më duhet jetëkëneta! Kurrë nuk e kishte ndjerë peshën e dhunimit, as shijen e ndyrësisë që lëshon njeriu pas shlirimit… Vallë, mos, mos… Do të më tredhin…! Për habi të ironisë: epshi i ishte qindrafishuar…Vetëm vrasja a vetëvrasja do ta kishte rehatuar. Përdhunimi fat i tejshkuar kryqëzimit.Në qafë zverk duar krahë bark këmbë puthiteshin qindëra dhëmbëzi të mprehtë sharre, të asaj ambrelle, që tërhiqej si shkop violine nga ekzekutori i pasionuar i këtij lloj arti. Temperatura njëqindgradëshe mbi kongjij të ndezur nxjerrte sumbulla djersësh, me këlthitje e britma të avullueshme. * * * Relievi i poetit ndryshoi. Zbraztësira e ujit, pothuajse, të shterur të liqejve malor, kanjone zikaltëra kishte formësuar. Gërryerjet e motit mbi lëkurë kishin nxjerr vijëza përroskash të kaltëruara.Në Shkollën e Regjimit të Mërzisë poeti ishte mësuar tu ruhej vegëzave të fjalëve, edhe baltinave të kontekstit…- Shtrëngata thyen, por edhe thyhet në qëndresë.- Pa të fërguar jeta nuk të vjen era njeri dhe, droja e djegies prore nuk na ka prirë. I hodhi supeve të Ngazëllimit këtë pelerinë urtie Moti.Gjilan, 1993 Rishkruar në mars 2009
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.