Kulturë » Kozeta
Këze Kozeta Zylo: Një ditëlindje e bukur, ku dhurohej vetëm dashuri
E shtune, 07.11.2009, 07:55 PM
Një ditëlindje e bukur, ku dhurohej vetëm dashuri
Nga Këze Kozeta Zylo
Ftesa e ardhur nga prindërit Koço dhe Natasha Gaba bëri që të udhëtonim drejt qytetit Dollestown të Pensilvanisë, aty ku do të festohej pa bujë, por me një dashuri të pakufishme 30 vjetori i ditëlindjes së Ivit.
Xhamat e makinës mbuloheshin nga një shi i ndritshëm, që mua më dukej sikur dhe muzgu po ndriste per atë mbrëmje disi të veçantë, tepër të gëzueshme.
Tingujt e pikave në qelqin e makinës, kishin hyrë në rezonancë me këngët e bukura labe, të Kolonjës nga kanë origjinën gjyshërit e Ivit, apo dhe të Tiranës, vendi ku u lind, u rrit dhe mësoi alfabetin shqip, Ivi.
Ndalojmë përpara restorantit, atje na priste Ivi, si gjithmonë me krahë hapur.
Ai qysh fëmijë e derisa u burrërua, të dhuron vetëm dashuri, një dashuri disi të veçantë, që rrallë njeriu mund ta ndjejë në jetën e tij.
Salla ishte mbushur plot e përplot, kishin ardhur të gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë në qytetin Dollestown në Pennsilvania. Nuk është hera e parë që mblidhen së bashku, ata gjithmonë janë pranë njeri-tjetrit, në gëzime dhe hidhërime.
Çifti i pare shqiptar që ka jetuar aty ka qenë Qamili me Artën, dy njerëz zemërmirë, dy njerëz që punojnë me dashuri dhe shpirt për komunitetin.
Ata pastaj u bënë strehë e disa familjeve shqiptare, deri sa tani në këtë qytet është bërë një komunitet i mjaftueshëm shqiptarësh që organizohen me kulturë, organizime që nuk duhet të kalohen pa vëmendje në Diasporën tonë.
Babai i Ivit, z. Koço Gaba, një intelektual i kompletuar, ish drejtor i tatimeve në Tiranë, duke hapur mbrëmjen falënderoi të gjithë të pranishmit, gjithë komunitetin shqiptar në Dollestown, pjesëmarrës në gëzimin e djalit të tij.
Një falënderim i veçantë i shkuan gjyshit dhe tezes së Ivit, që kishin ardhur që nga Tirana, për të marrë pjesë në këtë ditë kaq të bukur të nipit të tyre.
Ivushi i sjellshëm, ishte veshur me kostum të bukur si për dhëndër dhe kërcente e këndonte së bashku me të rinjtë e shumtë, që i dhuronin vetëm dashuri dhe mirënjohje.
Të gjithë flisnin fjalët më të mira për Ivin, ata pohonin me kënaqësi se Zoti ju kishte sjellë fare pranë këtë ëngjëll të vërtetë.
Eshtë e magjishme se si Ivi i ka bërë për vete shumë njerëz atje.
Në përgatitjen e ftesave që kishin bërë prindërit për ditëlindjen e tij, Ivi vetë nuk harronte asnjë, ai i shtonte të gjithë, ai i donte atë natë atje.
E kush ja prish Ivit këtu, ai është debulesa jonë, do të shtonin z.Xhevat dhe Luljeta Jaho, të dy ekonomistë intelektualë shëmbullorë, që janë integruar shumë mirë këtu në Amerikë.
Fëmijët e tyre vazhdojnë universitetet dhe jam e sigurtë se nesër ata dhe gjithë brezi që po edukohet këtu, do të jenë e ardhmja e Diasporës.
Kërcenin në valle shqiptare dhe amerikanë që janë martuar me shqiptarë, si Tristia, Todd …veçanërisht përshtypje do të më bënte mësuesja amerikane Tristia e martuar me një djalë shqiptar ne familjen e ciftit Llazar dhe Merita Godo, por që e përdorte të folurën shqipe më mirë se dhe ndonjë shqiptar që ka filluar t’i mjegullohet e folura shqipe këtu në emigrim.
Momenti më i bukur ishte kur të gjithë miqtë dhe shoket e Ivit u mblodhën rreth tortës dhe kënduan këngën tradicionale të ditëlindjes: “Shumë urime për ty Ivi…”, ndërsa 30 qirinjtë me flakë në ngjyrat e ylberit, po vinin duke u holluar nga fryma e Ivit, frymë shpirti i cili po mendonte dëshirat e tij për të ardhmen.
Vajzat e bukura hidhnin petale lulesh që përhapeshin si pala fustanesh nusesh në ditë dasmash. Ato lëshoheshin butë-butë të menduara dhe pastaj puthnin fytyrat e gezuara të njerëzve në këtë ditë të veçante.
Sytë e Ivit vazhdonin të mbillnin dashuri tek të gjithë pjesëmarrësit, ishte dashuri e dalë nga thelbi i zemrës së Ivit.
Eshtë një dashuri që shkrin dëborë dimri dhe lotët e dëborës do të shkëlqejnë si rubin me vezullim të përhershëm në të gjithë pjesëmarrësit dhe ndoshta, ndoshta dhe tek të gjithë lexuesit e këtij shkrimi…
Një Familje shembull për fëmijët specialë
Ivi Gaba dhe Arnold Schwarzenegger |
Këto çudira më së shumti ndodhin në vendet që kanë për vete një prapambetje të zhvillimt, kanë defekte në civilizimin qytetar.
Por me Ivin ka ndodhur plotësisht e kundërta, prindërit e tij janë krenar për çfarë Ivi ka arritur duke qenë krejtesisht normal në jetën shoqërore.
Kjo i kushtohet kujdesit të kulturuar që kanë ushtruar prindërit dhe gjyshërit fisnikë, e ndjera Kostandina, Zymbylja dhe Agimi.
Ivi ka qenë i rrethuar dhe nga ngrohtësia e vëllait të tij të vetëm, inteligjent, Edgari, që po punon të regjistrohet në programin e Masterit në financë.
Ndaj shokët dhe shoqet e Edgarit pohonin se Ivi ju ka falur shumë gëzime, shumë humor këtu në emigracion.
Problemi i Ivit do të vazhdonte diskutimin Luli Jaho është thjesht një problem imagjinar nga njerëzit, është një mbeturinë e shkuar.
Zhvillimi i shpejtë i tij bëri që të merrte pjesë në Olimpiadën Speciale në vitin 1995, ku fitoi medalje ari në garën 100 metra dhe medaljen e përfaqësimit që e meritojnë të gjithë atletët.
Pas këtij suksesi ai mori përsëri pjesë në vitin 1998 në Lojërat Botërore duke na përfaqësuar denjësisht.
Ivi u përshëndet veçanerisht nga aktori i Hollivudit dhe politikani Arnold Shvarceneger dhëndri i familjes Kennedy.
Motra e presidentit Kennedy, Eunice Kennedy Shriver ka krijuar Olimpiadën Speciale në vitin 1962 dhe sot në të aderojnë 150 shtete nga e gjithë bota.
Ndërsa burri i saj z.Shriver është një ndër themeluesit e Korpësit të Paqes.
Zonja Kennedy Shriver ka punuar me përkushtim e dashuri të madhe për këta fëmijë specialë, ndaj dhe për ta duket një heroinë e vërtetë, si heroina e Mariah Carey e cila thotë:
Ju jeni një heroinë brenda të gjithëve,
Sepse filluat një punë të vyer,
Ju ndryshuat botën për mirë,
Dhe nga të gjithe ne,
Do të keni mirënjohje përherë…
E bija e tyre është martuar me superyllin e Hollivudit Shvarceneger.
Për herë të tretë Ivi erdhi përfundimisht në Amerikë me familjen në vitin 2002, ku u pritën nga bashkëshortët zemërmirë Agron dhe Liri Sheshi, në Dollestown në Pennsilvani.
Ditelindja e Ivit na mbushi të gjithëve me dashuri, me dashuri si të një ylli ashtu sic shkruan zonja Kenedy për këta fëmijë specialë.
Dhe ajo vazhdon më tej për këta fëmijë të veçantë:
“Ju jeni një yll dhe gjithë bota ju shikon ju. Me prezencën tuaj ju dërgoni mesazhe tek çdo fshat, qytet, komb…Bota merr mesazhin e shpresës dhe të ëndrrës për fitore… Ne se ju dëshironi të jeni fqinj me çdo njeri, ju do ta fitoni ate”…
Dhe Ivi e ka fituar këtë.
Dashurinë reciproke e pashë tek ditëlindja e tij, që ishte si një buqetë shumëngjyreshe, në shportën e madhe të punës këmbëngulëse të prindërve, gjyshërve dhe miqësisë.
Prindërit Gaba dhe shtëpia e Ivit duhet të bëhen një shkollë shembullore e fëmijëve specialë, ngase duket sikur Perëndia ka zbritur butë-butë ëngjëllin nga qielli, si një dhuratë të çmuar për të gjithë ata që e duan, por veçanërisht për njerëzit zemërmirë të qytetit Dollestown në Pennsilvania, që dinë të falin gjënë më hyjnore, dashurinë...
Staten Island, New York,
Tetor, 2009
Komentoni
Artikuj te tjere
Këze Kozeta Zylo: Një mbrëmje festive midis devollinjve në Brooklyn
Këze (Kozeta) Zylo: Çmimi Nobël dhe shqiptari Kadare
Këze Kozeta Zylo: Dy motra shkodrane, dy lule të bukura gjithë aromë të Mëmëdheut tonë
Këze (Kozeta) Zylo: Qindra shqiptarë morën pjesë në Paradën Internacionale të përvitshme, në Manhattan
Kozeta Zylo: Requiem për Lazër Radin
Këze (Kozeta) Zylo: Ekspozita "Besa" Kodi i Nderit ne Kombet e Bashkuara
Këze (Kozeta) Zylo: Ngrije Kosovën gjer në madhështi
Kozeta Zylo: Kritiku “mik”, po e demton se tepermi edukimin e shijeve estetike te lexuesit
Keze (Kozeta) Zylo: Debati tolerues midis kundershtareve ne te gjitha fushat eshte nje shenje e civilizimit qytetar
Kozeta Zylo: Mijra shqiptare te Diaspores Amerikane demonstruan per Pavaresine e Kosoves
Keze (Kozeta) Zylo: Ambasada shqiptare ne Washington D.C. dha nje pritje ceremoniale per Diten e Flamurit