E hene, 29.04.2024, 04:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Julia Gjika: Nga Vatra e Kulturës Demokracia (II)

E merkure, 11.11.2009, 08:04 PM


Julia Gjika


NGA VATRA E KULTURES  DEMOKRACIA (2)


Dallëndyshe Badillonja, shefja e Vatrës së Kulturës Demokracia, ishte një grua e ve pa fëmijë, e cila në atë kohë (në fermë shprehja në kohën e diktaturës, ishte zëvendësuar me shprehjen në atë kohë) kishte qenë shefe kuadri në Fabrikën e Letrës. I shoqi kishte qenë punonjës hetusie nga më të zellshmit. Ky, duke qenë tepër i përbuzur në popull, ishte hequr qafe prej vetë Sigurimit që nga mesi i vitit 1990 me një “aksident automobilistik”. Dyshen, si filluan ta quanin mbas vitit 1990, e kishin sjellë në Plug për të bërë një jetë të re. Mbasi kishte mësuar të përdorte mirë kompjuterin, synimin për t’u bërë përgjegjëse e Vatrës së Kulturës e ariti shpejt. Konkurentja e saj për këtë detyrë kishte qenë Viollca, e vetmja ish e përndjekur që kishte lindur në Plugun e vjetër dhe nuk ishte larguar prej aty. Më 1987 i kishin vdekur të dy prindërit në burg dhe ajo kishte mbetur jetime, e internuar me gjyshen plakë. Në vitet e boshatisjes së Plugut Viollca ishte vetëm 14-15 vjece. Nuk donte ta linte gjyshen vetëm, prandaj nuk kishte pranuar të shkonte me vaporët në Itali. Gjyshja vdiq më 1999-ën, kur Viollca sapo ishte martuar. Tani ajo kishte dy vajza të bukura 7 e 8 vjece. Ajo kishte mbaruar vetëm shkollën 8-vjecare, prandaj komisioni i kishte thënë se për biografinë e saj e meritonte ajo detyrën e re, por për shkak të shkollimit të pakët dhe mosnjohjes së kompjuterit, nuk mund ta emëronin përgjegjëse të Vatrës së Kulturës. Kështu, e vetmja dëshmitare e jetës së Plugut të vjetër, Viollca vijonte të punonte si shitëse në dyqanin që kishte hapur në një nga dhomat e shtëpisë së saj, të cilën e kishte blerë me paret që kishte marrë si shpërblim për vitet e internimit. Endërronte ta modernizonte dyqanin e shtëpinë kur të merrte pronat e gjyshërve, disa dhjetra hektare tokë në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, por si dukej puna kjo kohë nuk kishte për të ardhur.


Viollca kishte një trup elegant dhe fytyrë të ëmbël, dukej si vajzë. Mbante dimër verë funde të shkurtra mbi gjunjë e bluza të ngushta e të shkëputura prej fundit për t’iu dukur kërthiza. Dallëndyshja e quante Kërthizëjashta. Burri i Viollcës, shoferi i autobuzit urban Plug-Lushnjë, thoshte se ajo e mbante kërthizën zbuluar si revoltë ndaj faktit se proceset e tranzicionit në Shqipëri po i drejtonin ish komunistët e ish sigurimsat, kurse ish të përndjekurve nuk po u jepeshin mundësitë për të marrë veten si e meritonin.


Dyshja ishte bërë mjeshtre për organizimin e festave të ndryshme me të ngrëna, me këngë e valle, recitime e fjalime, si dhe e promovimeve të librave të reja. Kur Dalip Kapana, një beqar i mbetur rreth 50 vjecar, i kishte dhënë për të lexuar nja dhjetë  poezi të tij për t’ia vlerësuar, ajo pranoi me kënaqësi. E konsideroi rast të përshtatshëm për ta bërë bojfrënd këtë devolli të shëndetshëm që paskej dhe talent poetik.  Mbasi i lexoi e thiri në zyrë Dalipin dhe i foli me entusiazëm për poezitë e tij, e inkurajoi dhe i premtoi se do ta ndihmonte që të gjenin bashkë dhe disa poezi të tjera në revistat e gazetat që ajo kishte në raftet e sallës së leximit.


Kështu filloi miqësia e tyre gjatë këtij procesi bashkëpunimi. Kuqalashi 50-vjecar paskej qenë i pakonsumuar, si e donte Dyshja 40-vjecare… Dalipi regulloi nja pesëmbëdhjetë poezi të tjera nga poetë pak të njohur, prej të cilëve tashmë kishte me shumicë. Duke përsëritur disa fjalë e vargje, si do më vish a s’do më vish… ose: jam i yti përgjithmonë, Dalipi bëri që ato të tingëllonin si të tijat. Kështu numëri i poezive dalipjane arriti në 25, të cilat Dyshja i hodhi në kompjuter, i printi të grupuara në tre vëllimthe më vete. Dalipi kishte qenë mësues vizatimi në Nikolicë të Devollit, prandaj nuk e pati të vështirë që për sejcilin vëllim të krijonte nga një kopertinë dhe disa skica vizatimi për ilustrim. Sejcili vëllim hapej me katër a pesë poezi të papërsëritura tek vëllimet e tjera, kurse njëzet poezitë pasuese ishin të njëjta në të tre vëllimet. Cdo vëllim kishte 25 poezi, disa skica ilustruese dhe disa foto të autorit me miq e kolegë. Poshtë skicave e fotove shënohej viti dhe se ato ishin krijime të vetë Dalipit. Këto shënime ishin shtuar me sugjerimin e poetit e kritikut të njohur Zorba, botues i revistës Mos u Ndal e cila ishte më prestigjozja e kryeqytetit. Zorba kishte theksuar: Dalip Kapana nuk ishte thjesht një talent poetik, por një multitalent: poet, fotograf e piktor. Vëllimi i tretë ishte më voluminozi. Në fund të tij ishin përmbledhur më shumë skica e foto, si dhe disa vlerësime për krijimtarinë e poetit. Disa prej këtyre vlerësimeve i kishte shkruar vetë Dyshja me emra të rremë (pseudonime). Për ta bërë sa më të njohur talentin e mikut të saj, ajo i kishte hedhur këto vlerësime në forumet mediatike të Plugut dhe i kishte afishuar në stendat e Vatrës së Kulturës. Natyrisht vlerësimi kryesor ishte ai i botuesit të revistës Mos u Ndal. Askush nuk e dinte se si ia kishte prishur mendjen Dalipi këtij poeti e kritiku të njohur. Gojët e këqia të Plugut flisnin se Dalipi kur kishte qenë mësues në Nikolicë, kishte qenë sekretar partie i shkollës dhe mik i ngushtë me sekretarin e partisë e me kryetarin e kooperativës. Në atë kohë, kur mishi jepej me tallona, Dalipi me shokët e fshatit kishin organizuar takime letrare me Zorbën, ku valonte rakia e mishrat e pjekur.


 Mbasi u përgatitën tre vëllimet u punua për reklamimin e tyre para se të organizohej promovimi, i cili u caktua prej Dyshes në kuadrin e tremujorit të parë të bashkëjetesës së ciftit Badillonja-Kapana. Reklama më e goditur u arrit me intervistën që u botua në faqen letrare të gazetës së Plugut. Përvec pyetje-përgjigjeve (tëshkruara prej vetë Dalipit), në dy faqet e mesit ishin botuar dhe fotot e tre kopertinave, disa poezi dhe fjala e Zorbës. Mu në qendër ishte vendosur një foto me ngjyra e Dalipit me Zorbën, ku ishte e vështirë të dalloje cili ishte Dalipi e cili ishte Zorba.


- Jo për servilizëm, i kishte thënë Dyshja, - por për respekt ndaj poetit, ti Dalip duhet të blesh një pardesy të celur si të Zorbës, të lësh flokët të gjata si flokët e tij dhe kur të pozosh për foto, të imitosh vështrimin e mjegulluar të poetit në lartësi.


Kështu ata ngjanin si dy binjakë në atë foto.


Vargjet më të goditur të poetit Kapana, të cilat u bënë popullore, Dyshja i kishte shkruar në shkronja prej letre të lyera me varak të verdhë e i kishte vendosur në mur mbi kokat e presidiumit. Ato vargje i citonte dy herë në shkrimin e tij dhe Zorba:


Jam dhe unë nga Devolli,

Ashtu si Drit’ro Agolli.

Edhe u’, baltën devollite,

E bëj pica e bëj pite!


Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Plugut, poeti Tontozi, kur mori vesh se në ceremoni do të vinte vetë botuesi i revistës Mos u Ndal, u xhindos. Shpalli se ishte sëmurë nga gripi, dhe për të mbrojtur kolegët, nuk do të vinte në takim. Kur u mbush salla dhe Zorba me nënprefektin e drejtorin e shkollës së mesme kishin zënë vendet, Dyshja nuk priti më gjatë. Ajo falenderoi miqtë për pjesëmarrjen dhe filloi, jo ta lexonte, po ta recitonte fjalën e hapjes së takimit:


- Të dashura motra dhe vëllezër (fjalët shoqe e shokë ishin hequr nga fjalimet që më 1992), Plugu dhe gjithë zona jonë sot ka fatin të jetojë një ngjarje shumë dimensionale, promovimin e tre veprave poetike të talentit më të spikatur të Shqipërisë Jug-Perëndimore, të multitalentit Kapana. E kush nuk i di përmendësh vargjet frymëzuese:


Jam dhe unë nga Devolli…


Të cilat shprehin thelbin e shpirtit atdhetar të poetit. Ky poet qytetar i këndon së sotmes së bukur për t’i hapur rrugën së nesërmes së ndritur të shoqërisë sonë. Ai është biri i baltës shqiptare të cilën e ka tjerrë me mjeshtëri në vargje të kristalta. Mjaft më me veprat e burgut, ato janë vepra qaramane, që na mbytin në pesimizëm, duam jetën e sotme plot dritë dhe trokitje tek e nesërmja e lumtur.

Në këtë kohë Viollca i pëshpëriti shoqes që kishte në krah: - Gjynah që Kadareja nuk vjen t’i promovojë veprat këtu në Plug. Të rronin sot Naimi. Konica e Fishta do të vlerësoheshin si duhej, se në kohën e tyre i mbytën me të shara.

U dëgjua një zile telefoni cellular. Dyshja ndërpreu fjalën, e hapi celularin dhe u dëgjuan fjalët:


- E dashur Dallëndyshe, besoj jam tamam në kohë… Unë, - vijoi zëri që po bëhej më recitues, - me disa mikesha e miq nga Bostoni ju dërgojmë duartrokitje amerikane për ngjarjen e madhe që po përjetoni ju atje në gji të atdheut të dashur. Vargjet e poetit Kapana na kanë pushtuar zemrat ne shqiptaro-amerikanëve. E ftojmë të na vijë këtu midis nesh për të promovuar tre vëllimet e tij, të cilat do të na rrisin prestigjin në qarqet kulturore amerikane. Fola mbrëmë me krtikun BabazonjaParis edhe ata duan pa tjetër ta organizojnë një promovim të tillë. Diaspora shqiptare në botë, më tha Babazonja, ka për të marrë një vrull të ri mbas kësaj ngjarjeje kulturore. Nuk dua t’ju pengoj, sepse jam e bindur që edhe shoqëri të tjera atdhetare të Evropës e Australisë kanë për t’ju uruar.


Dyshja nuk u përmbajt, duke hedhur sytë nga bisnesmenët e Plugut, që ishin pasuruar nga trafikimi i kinezëve, gati sa nuk thirri: - A nuk është mëkat që këto vëllime të mos botohen sa më parë, e të mos shpërndahen anë e mbanë globit në diasporën tone. Madje dua të sugjeroj se poezi të tilla duhet të përkthehen në anglisht, frëngjisht. italisht e gjermanisht, që të mësojë bota sa lart është ngritur poezia shqipe sot.


Mbas Dyshes e mori fjalën poeti dhe kritiku Zorba, i cili lexoi vlerësimin e tij që ishte botuar në vëllimi i tretë. I fundit u ngrit ceremoniali, poeti Kapana.


- Jam shumë i prekur nga organizimi i kësaj ceremonie. Nuk dij si ta falenderoj z-njushen Dallëndyshe, përgjegjësen e merituar të Vatrës sonë të Kulturës. Kush do që të dijë se ku e gjeta unë frymëzimin, po ia them hapur: ja këtu duke jetuar midis jush në Plugun demokratik. Jeta juaj, gëzimet tuaja më frymëzuan, ju më bëtë poet. Ju i jeni futur punës për ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore evropiane. Jam shumë i prekur nga bëmat tuaja. I lutem Zotit t’ua shtojë edhe më dashurinë për jetën dhe punën, sepse vetëm me punë, jeta jonë do të lulëzojë si asnjëherë.


Nënprefekti u emocionua dhe pyeti drejtorin e shkollës: - Ku punon z. Kapana?


- Mësues në shkollën 8-vjecare, - u përgjigj ai.


- Mua më duhet një multitalent i aftë si ky në Lushnjë.


- Kam dëgjuar se bashkëjeton me Dallëndyshen, kështu që do t’i bëni zarar Plugut po t’ia merrni këto dy kuadro, - tha si me keqardhje drejtori i shkollës, i cili kishte qenë një nga dashnorët e vjetër të Dyshes, para lidhjes së saj me Dalipin


- Edhe për të kam një vend bosh, ka dy muaj që iku në Tiranë shefi i kulturës, - tha qetë qetë nënprefekti.


Kështu, Vatra e Kulturës Demokracia humbi dy kuadrot e talentuar, por këta nuk qëndruan gjatë as në Lushnjë, sepse u mendua që ata do të ishin më të nevojshëm në diasporën shqiptare, ku u dërguan si drejtues forumesh mediatike të shoqatave atdhetare.


Nentor, 2009.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora