Kulturë
Flora Durmishi: Intervistë me shkrimtaren, Adelina Mamaqi
E marte, 10.11.2009, 08:17 PM
Intervistë
me shkrimtaren, Adelina MamaqiFlora Durmishi (djathtas) me Adelina Mamaqin
“Vjershën e parë e botova me emër burri”
Me
origjinë nga Përmeti, nga ku kanë dalë pena të mëdha si ajo e Naimit, Çajupit,
Bulkës...
E
para grua që mori guximin të botojë vargjet e saj, pavarësisht se kishte edhe
ndonjë shkurtpamës që të thoshte se Adelina nuk di të shkruajë. Por, ajo ishte
e vendosur dhe do t’i bënte të turpëroheshin ata që e dekurajuan në hapat e parë.
Adelina i besoi shumë vetes dhe pati të drejtë.
Adelina Mamaqit iu shenua 70
vjetori i lindjes, këtu në Prishtinë, nga miqtë dhe adhuruesit e saj. Dhe më
meritorja, natyrisht nuk mund të lë pa e përmendur, është mr. Shukrije Rama.
Rrethanë tjetër që e bënë këtë ftesë, për intervistë, interesante, është se
Adelina pas 40 vjetësh vjen në Kosovë. Por, Kosovën dhe Prishtinën, zhvillimet
e këtushme, i ka ndjekur me vëmendje gjithmonë.
Zonja Mamaqi pse kaq vonë në
Kosovë?
Faleminderit
të gjithë juve që që më nderuat në këtë
ceremoni, në vecanti nismëtaren, organizatoren e kësaj ceremonie, kritikën e re,
të talentuar dhe me të ardhme, Shukrije Ramën e cila bëri të mundur që unë pas
40 vjetësh të vij në Kosovë.
Kur
kam ardhur këtu, në vitin 1972, atëherë isha nënë e re, tash jam gjyshe.Edhe atëherë
ishte me kërkesen e kolegëve kosovarë, sepse duke mos qenë pranë rretheve
qeveritare, mua asnjëherë nuk do të më kishin sjellë. Ishte këmbëngulja e kolegëve
që kishin dërguar ftesë të vecantë, për mua, dhe unë pata mundësi të vija dhe të
takohesha për herë të parë me kolegët, lexuesit dhe me gjithë popullin e Kosovës.
Ka
qenë shumë befasuese fakti që unë kisha botuar në vitin 1963 librin e parë, që theu një tabu, sic e thatë edhe ju, sepse
ishte mentaliteti i tillë, që një grua, një vajzë e re, që të shprehte ndjenjat
e saj. U mirëprit ky libër shumë atëherë në Shqipëri, pavarësisht që, sic e
thatë, para se të shkruaja ka pasur edhe ndonjë shkrimtar që më ka thënë se “
moj vajzë nuk je për këtë punë, shko mëso me qënisë e me gatu.” Ka qenë nga
veriu ai shkrimtari. Unë kisha profesor, Nonda Bulkën, i cili më shkruante:
vazhdo të shkruash se do të bëhesh shkrimtare. Dhe, qenë pikërisht këto fjalë që
mua nuk më dekurajuan. Ishte edhe natyra ime këmbëngulëse që unë shkrova dhe
botova këtë libër.U mirëprit. Pastaj unë botova disa libra për fëmijë derisa
erdha në Kosovë. Madje, kisha marrë edhe disa cmime të para. Isha pakë e
ndrojtur, isha e re, kështu edhe isha edhe
pakë skeptike e jam edhe sot e kësaj
dite ndaj asaj që shkruaj. Asnjëherë nuk kënaqem me atë që shkruaj. Asokohe nuk kisha krijuar në ndërgjegjen time letrare,
nuk i kisha thënë vetes akoma, je shkrimtare, je poete! Këtë, më keni bërë ta
ndjej këtu, në Kosovë. Atëherë i kam thënë për herë të parë vetes: Adelina vërtetë
je shkrimtare, vërtetë je poete! Prandaj unë Kosovën e konsideroj vendlindjen time
të dytë. Dhe për këtë arësye, unë pas shumë e shumë vjetësh, në vitin 2004, kam
botuar këtu një libër me poezi për të rritur “Një mjellmë nga vitet”me
redaktimin e shkrimtarit të njohur Xhevat Syla.
Po, ju keni qenë e pranishme këtu
që nga viti 1969, përmes poezise, por fizikisht pse kaq vonë, jemi në vitin
2009. Na thoni, emocionet e para nga hyrja në këtë tokë si dhe emocionet nga
ceremonia që u organizua për 70 vjetorin e lindjes tuaj!
Para se të vija kisha emocione. Vija në një
vend që e dua shumë. Kosova dhe njerëzit e saj janë pjesë e dashurisë sime të
madhe . Kam ndjekur vazhdimisht ngjarjet që janë zhvilluar në Kosovë. Madje kur
kam qenë në Paris, kur ishte lufta e Kosovës , unë vazhdimisht atje ndiqja
televizorin bashkë me djalin tim dhe aty kam shkruar disa nga poezitë që janë
botuar në librin “Një mjellmë nga vitet” dhe mezi prisja të vija. Pritja që më është
bërë këtu, në këtë ceremoni, organizimi i kësaj ceremonie unë kam ndjerë
emocionet nga më të fortat dhe më të paharruarat në jetën time.
Një fjalë e urtë thotë se fëmija
edukohet 40 vjet para se të lindë. Kjo urti të bie ndërmend sapo shfleton nëpër
biografinë tuaj, zonja Mamaqi. Ju lindët dhe u rritët në një ambient familjar
ku letersia zinte vend te vecante. Bisedat në këtë fushë ishin të përditshme,
apo jo?
Letërsia
edhe muzika. Unë jam rritur duke pasur edhe muzikë klasike në shtëpi. Që pesë
vjece kam dëgjuar Bethovenin, Mocartin etj. Prindërit e mi, të dy me shkollë
amerikane, gjyshi im nga nëna ishte jurist, këtej nga familja Mamaqi kisha një
xhaxha poet, babai im shkruante, ka botuar aq sa kur fillova të botoj unë, dhe
isha 16 vjece, thoshin ia shkruan Rahmiu! Kështu pra unë jam rritur në këtë
ambient. Ky ka qenë fakti që unë mora guximin të shpreh ndjenjat e mia në një
libër sepse pata edhe mbështetje dhe mirëkuptimin e familjes time.
Ëndrra
Vashërie dhe Bubi i Vogël e panë dritën të njejtin vit, 1963. Pra e filluat me
poezi për të rritur ndërsa keni vazhduar me poezinë për fëmijë, kështu edhe
konsideroheni si poetja e parë për të rritur dhe poetja e parë për femijë.
Atë kohë unë sapo isha emëruar në Shtëpinë Botuese
Naim Frashëri. Librin me poezi për të rritur unë e kisha përgatitur përpara, në vitin 1962 e
kisha dërguar në shtyp. Redaktor ka qenë poeti i nderuar Lazar Siliqi dhe doli
në fillim të vitit 1963. Unë punoja në redaksinë e Letërsisë për Fëmijë, në shtëpinë
botuese, isha redaktore dhe ishte momenti që ndjeva se do të bëhesha nënë.
Shkollën e mesme e kam mbaruar për edukatore kopshti. I dua shumë fëmijët por
edhe kafshët. E gjithë kjo, duke rënë në kontakt me Letërsinë për Fëmijë, mora
guximin t’i jepja shefit të redaksise këtë librin Bubi i Vogël. Të them të
drejtën nuk e prisja. Ai ishte pakë maskilist dhe fillimisht nuk më priti mirë,
një vajzë e re 22 vjece dhe vjen redaktore! Por pastaj, ishte një burrë i mirë
dhe u mirëkuptuam dhe kur lexoi librin, u cudit: Ti e ke shkruar, më tha. Po i
thash unë! Kështu u botua libri i parë. Pastaj erdhën edhe librat e tjerë.
Dhe,
janë mbi 50 tituj por, unë do doja të ndaleshim te titulli i librit të parë, Ëndërra
Vashërie, ndërkohë që disa vjet më herët Kadareja doli me librin e parë me
titull Frymëzime Djaloshare. A mos ishte kjo një përgjigje, ndoshta në mënyrë të
pavetëdijshme, se edhe femrat kanë endrra dhe duan dhe dinë t’i shprehin ato?
Jo, jo, tashti po më bëni ju ta mendoj. Jo, unë
thjesht ia kam vënë Ëndërra Vashërie, sepse ishin ëndërrat e rinisë time, të një
vajze, ëndërrat e një brezi të tërë dhe
isha unë ajo që mora guximin t’i shpreh. Ndoshta kishte edhe të tjera që donin
t’i shprehnin. Jo nuk besoj se ka pasur një lidhje.
Zonja
Mamaqi, unë isha vetëm 3 vjece kur ju botuat librin e parë. Me vragjet tuaja u rrita unë por u rritën edhe fëmijët e mi dhe po vazhdojnë të
rriten edhe këto gjeneratat sot. Ju keni ardhur në shtepitë tona që nga viti
1969. E dinit ju këtë fakt ose, kur e
morët vesh që në Kosovë ishit shumë e pranishme dhe e dashur? E dinit ju që njerëzit
këtu pagëzonin fëmijët me emrin tuaj?
Përpara në mënyrë apsolute nuk e kam ditur. Ka qenë
vetëm një sinjal nga Dhimitër Shuteriqi.
Unë punoja aso kohe në Lidhjen e Shkrimtarëve, në revistën Nëntori. Ishim duke
shkuar në një shërbim, ishin 3-4 shkrimtarë, dhe në një pushim që bëmë në rrugë
ky më tha mua: po ti ato poezitë e
bukura pse i boton në Kosovë e nuk i boton këtu. Ishte poezia YE, me temë nga Amfiteatri
i Durrësit, aty isha frymëzuar unë. Unë nuk kam botuar gjë në Kosovë, i thash.
Jo ti ke botuar këtë poezi dhe ishte shumë e bukur, tha ai. Ju faleminderit
shumë por unë nuk kam dërguar gjë, i thash. Ky ka qenë sinjali i parë. Kur kam
ardhur në Kosovë unë nuk e kam ditur që i nderuari Ramiz Kelmendi paska qenë në
Shqipëri dhe paska gjetur librin tim diku në një vend verior. I ka pëlqyer dhe
e ka sjellë këtu. Më vonë e kam kuptuar, pra, kur kam ardhur këtu. Dhe këtu jam
befasuar nga mikpritja nga dashamirësia, nga vlerësimi që më është bërë. Jam
befasuar kur disa prej atyre që kam takuar më kanë thënë: Na ke mbushur Kosovën
me Adelina moj burrneshë. Një gjë të tillë, i paharruari Agim Deva, e ka shkruar në një poezi edhe në parathënien
e librit Një mjellmë nga vitet, që është botuar këtu. Prandaj unë e quaj Kosovën
vendlindjen time të dytë. Këtu kam lindur si poete, si shkrimtare.
Figura
e nënës, mësueses, edukatores, e gruas në pergjithësi, zë vend të vecantë në
krijimtarinë tuaj!
Janë tri figura të dashura për këdo. Nëna e para, që
fëmija njeh para se të lindë. Njeh zërin e nënës, ndjen emocionet e pastaj vjen
mësuesja.
Është
e paharruar poezia “Mësuesja”. E kush nuk e di këtë poezi!
Faleminderit.Tashti
botohet në revistën Mrekullia një poezi tjetër për mësuesen, që besoj të pëlqehet,
në të cilën them: E takoj mësuesen, ajo është e thinjur, unë jam e moshuar por
ajo bëhet për mua e re e unë bëhem fëmijë. Dmth është ajo lidhja e përhershme
me mësuesen.
Ju
vetë keni pasur mësuese të parë apo mësues?
Unë kam një histori pakë të cuditshme. Kam hyrë në
shkollë drejt në klasë të dytë. Më kishin mësuar në shtëpi. Dhe kur më provuan atje,
ata i thanë nënës, po e fusim drejt në klasë të tretë por nëna ime kundërshtoi
duke u thënë se jam vetëm 6 vjece! Kështu më cuan në klasë të dytë dhe atje
pata një mësuese. Isha mësuar të shkruaja për qejfin tim dhe bëja mmmmmmm dhe
ajo vinte më kapte lehtë duke më thënë: të do shumë teta Myneveri por nuk bëhet
me zë këtu. Kështu ajo u bë shumë e dashur për mua dhe më mësoi rregullat e
shkollës. Poashtu për mua kanë mbetur të paharruara figurat e mëdha si: prof.
Nonda e prof, Luarasi. Gjithashtu për mua ka mbetur e paharruar edhe një mësuese
e cila na jepte lëndën e gjuhës ruse Shpresa Kseno edhe asaj i kam dedikuar një
vjershë te Ëndërra Vashërie.
Audienca
juaj nuk janë vetëm fëmijët, megjithatë janë pikërisht fëmijët ata që ju kanë për
zemër dhe ata që mësojnë poezitë tuaja më shumë. C’ndjenjë është kjo?
Është ndjenjë shumë e madhe të jesh i lidhur me
brezin e ri, të jesh afër brezit të ri. Nuk është shumë e thjeshtë të shkruash
për fëmijë. Mendohet që është e thjeshtë por nuk është. P.sh unë tash kam një
mbesë pesë vjece dhe pres edhe një tjetër. Asaj i kam dedikuar një libër “Xhoi Toi”
e cila është pritur shumë mirë dhe është ribotuar disa herë, ajo më jep shumë
motive. Nuk është e thjeshtë të lidhesh me fëmijët e kësaj moshe, pse, sepse fëmijët
e fëmijërisë time dhe fëmijët e fëmijërisë së fëmijëve të mi ndryshojnë shumë,
evoluojnë brezat nga brezi në brez. Ka të tjera interesa të tjera horizonte, ka
të tjera pikëpamje për jetën, për botën. Shkrimtarit i duhet të rritet vetë dhe
të bëhet jo fëmijë sic ka qenë vetë por të bëhet fëmijë sic janë fëmijët sot.
Kjo është pakë e vështirë por po të duash shumë edhe mund të arrish.
Zonja Mamaqi, sot
ju jeni pikë reference për shumë poetë të rinj, të paktën unë kështu mendoj. Por
kur ju keni filluar të shkruani, c'vepra apo ç'autorë kanë ndikuar në formimin
tuaj si poete?
Unë kam lexuar shumë. Si e vogël unë
kisha një bibliotekë shumë të pasur në shtëpi. Kam lexuar të gjithë autorët rusë,
që ishin përkthyer. Ka qenë Marshaku, që shkruan për fëmijë, ka qenë Nosovi dhe
jo vetëm për fëmijë. Unë kam lexuar Tolstoin, Çehovin, Lemontovin, Pushkinin e shumë të tjerë që ishin përkthyer në vitet e
para. Kam lexuar letërsi të huaj shumë. Pastaj kam lexuar edhe autorët shqiptarë,
të gjithë. Ka ndikuar shumë te unë Dritëro Agolli, Kadareja, në fillimet e para,
por Kadareja është poet modern e unë jam pakë
klasike dhe kam ngelur te klasicizmi i Agollit. Edhe Nonda Bulka më ka pëlqyer
shumë, e kam adhuruar dhe e adhuroj edhe sot e kësaj dite.
Nuk di si ka qenë
dikur, në Shqipëri, por supozoj të mos ketë qenë e lehtë, sot a është e vështire
për një femër krijuese të kalojë orbitën
e anonimitetit?
Jo për
mua nuk ka qenë e vështirë. Pas asaj thyerjes që pata në fillim nga ai
shkrimtari i njohur, ah po kam bërë një gjë: vjershën time të parë e botova në
gazetën “Bashkimi” me emër burri, duke përdorur
një mbiemër Sadiku për një emër të vjetër të familjes tonë dhe kur e pashë që
ajo u pëlqye shumë vazhdova me emrin tim. Por jo nuk e kam pasur të vështirë
sepse më kanë mirëpritur. Kanë qenë këto shtëpitë e kulturës që botonin
almanake aty gjithmonë kam marrë cmime të para. Aty m’i botonin vazhdimisht.
Shiko, atëherë është nderuar shumë shkrimtari, artisti.
Ju besoni që ka
letërsi femërore? E ndani ju letërsinë në këtë mënyrë?
Jo unë
nuk e ndaj. Mua më vjen keq kur dëgjoj të thonë: ka kaq shkrimtarë të njohur
dhe kemi edhe shkrimtare të njohura. Nuk ka shkrimtar dhe shkrimtare, është letërsi.
Ka femra që kanë marrë edhe Nobel. Jo unë këtë nuk e pranoj por dua te them me
keqardhje te ne ka një regres. Unë kam jetuar për 10 vjet në emigracion dhe e
shoh që arti, vecanërisht letërsia, vlerësohet shumë pakë këtu te ne. Unë jam e
lumtur që më vlerëson lexuesi dhe për këtë shfrytëzoj rastin të falënderoj
lexuesin e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Kam pasur kënaqësinë të qëlloj disa
herë në librari dhe të vijnë njerëzit e të thonë: keni libra të Adelina Mamaqit.
Pavarësisht që nga qarqet qeveritare nuk jam e vlerësuar, më mjafton vlerësimi
i lexuesit. Ai është që të përcjell në breza, lexuesi, kritika që i bëhet veprës
tënde.
Ju sigurisht keni
biseduar me lexuesit tuaj sidomos ata fëmijë. Çfarë ju thonë ata, ju kanë bërë
ndonjë pyetje interesante?
Kam
takime të shumta me fëmijë nëpër shkolla. Më vjen mirë që në revistën Mrekullia,
ku kam qenë kryeredaktore dhe tash jam anëtare e kolegjiumit, shumë fëmijë
shkruajnë e-mala dhe thonë: thuajini Teta Adelinës faleminderit për ato që
shkruan, na kënaq me poezitë e saj. Kjo është një forme e komunikimit pastaj
kam bërë disa takime me fëmijë dhe kam dëgjuar që recitojnë pjesë nga
krijimtaria ime, që më thonë mendimet e tyre. Lexuesit e vegjël janë kritikët më
të mirë. Nëse ta pëlqejnë ata librin atëherë le të thotë kritika cfarë të dojë edhe
fjalët më të mira, edhe ato më të këqija, s’ka rëndësi. Ti për fëmijët i ke
shkruar, për psikologjinë e tyre. Do të doja të më bënin edhe vërejtje madje unë
kur ia jap një mikut tim krijimet e mia i them: të lutem më thuaj ku i kam të
metat se të mirat i di vetë! Sot janë të paktë ata që merren me kritikë. Është Xhahid
Bushati në Shqipëri që merret shumë me kritikën për fëmijë, është Pandeli Koqi,
dua të përmend edhe Shukrije Ramën që ka bërë një monografi (Shpirti plotë
rubinë) që e ka botuar për mua. Kritika për Letërsinë për Fëmijë është pakë
mbrapa. Ka edhe kritikë që të vënë në dukje të metat që nuk i ke. Dhe, edhe atyre
iu falënderohem
Pavarësisht që nuk
pajtoheni?
Po pavarësisht
që shoh një tendencë e keqe. Pse, sepse më
japin forcë t’u kundërvihem me krijimtarinë time, duke shkruar më mirë e duke u
thënë, unë jam kjo dhe ti e ke gabim.
E
thatë edhe ju që ka pakë kritikë për Letërsinë për Fëmijë. Unë do thosha mungon
edhe kritika për letërsinë në përgjithësi. Madje do të thosha se po favorizohet jovlera. Po pagove edhe mund të
marrësh ndonjë vlerësim pozitiv. Kam frikë se kjo po e dëmton shumë letërsinë.
Cfarë mendoni ju a ekziston kriza e
vlerësimit kritik?
Është
shumë keq kur hyjnë marrëdhëniet komerciale në letërsi. Unë kam pasur një mik, të
nderuarin Odhise Grillo. Ai prekej shumë nga kritizerët, këta që përmendëm, dhe
vinte në mëngjes me gazetën Drita dhe më thoshte: Adelina shiko se cfarë ka
shkruar filani, na ka bërë dilerant. Odise, i thosha unë, detyrë e jona është të
shkruajmë. Kur jemi gjallë jemi në vorbullën e atyre që na duan dhe atyre që
nuk na duan. E di kur vlerësohet shkrimtari, kur të mos jetë më, pse, sepse është
jashtë kësaj vorbulle. Dhe nëse vepra jonë nuk vlen gjë atëherë bëjnë mirë që
na shkruajnë kështu por nëse meriton vepra jonë, c’ke ti dicka do të ngelet
prej nesh. Unë këtë parim kam. Detyrë e shkrimtarit është të shpreh ndjenjat e
veta. Madje sa herë kam marrë cmime, dy herë jam nderuar me urdhërin Naim Frashëri,
kjo ka qenë përpara se tash nuk të ka kush në mendje në Shqipëri, asnjëherë nuk
kam ndenjuar të takoj anërtarët e jurisë sepse më është dukur që unë po i takoj
për t’i thënë ma jepni një cmim.
Kam përshtypjen që
poetët e rinj nuk po përkrahen sa duhet nga poetët e vjetër. Ka fare pakë emra
të rinj që shkruajnë për fëmijë. Kjo më brengos.
Më herët,
në Shqipëri, ka pasur rrethe letrare, mbaheshin edhe seminare ku afroheshin
shkrimtarët e rinj. Unë për vete, si Adelinë që, kam punuar vazhdimisht në
organet e shtypit, ndoshta edhe si natyrë, jam dashamirëse, nuk kam atë
egoizmin që, dale se po del një penë e re e do të më eklipsojë mua. Qielli ka
shumë yje por secili ka dritën e vet. Tash se del një dritë më e fortë, unë a
jam e zonja t’i jap dritë kësaj dritës sime, nuk mund të hahem dot. Unë jam gëzuar
shumë për penat e reja. Po jap dy raste: një nga rastet është Xhahid Bushati,
një nga shkrimtarët më të mirë sot për fëmijë. Ai në fillimet e para është
paraqitur në redaksinë e Fatosi-t dhe Pionieri-t, dhe unë e kam inkurajuar
ndoshta edhe nga fakti që vetë e kam përjetuar kur, sic, ju tregova më lartë,
ai shkrimtari që më pat thënë në fillimet e mia”shko mëso me gatu e qënisë” pas
shumë vitesh në një takim me shkrimtarët për fëmijë, ku unë lexova dy nga
poezitë që ia kisha quar atij dikur dhe janë botuar në Ëndërra Vashërie, më
tha: sa poete e mirë je, ke poezi shumë të bukura! Dhe unë i thash:
faleminderit shumë por ndërskamcën e parë ma keni vënë ju. Ai ngeli. Ndoshta bëra
gabim por duhej t’ia thosha që të paktën të mos dekurajojonte të tjerët. Ky ka
qenë një mësim për mua. Nuk ka ndodhur të vijë një shkrimtar i ri, qoftë të
sjelli një dorëshkrim e unë ta thyej e të mos ia botoj. I kam thënë, unë ta
redaktoj por më pas duhet të ecësh vetë. Ai që ka talent ecën vetë. Ose edhe po
sjell shembullin e Nexhmije Muçës librin e parë të së cilës e kam recensionuar
unë dhe kam thënë që po del një shkrimtare e mirë. Ose po përmend Ledia Ikonomin,
të cilën unë e përgatita për kryeredaktore të Mrekullisë, edhe ajo është një
talent i rrallë në Letërsinë për Fëmijë. Është një e keqe, Letërsia për Fëmijë
po nëpërkëmbet shumë. Talentët e rinj po frikohen të hyjnë në Lëtërsinë për Fëmijë
dhe e përzgjedhin Letërsinë për të rritur. Unë kam bërë të kundërtën, kalova
nga letërsia për të rritur në atë për fëmijë sepse ishte një pasion i madh për
mua. Ishte koha e tillë, e Realizmit Socialist, që nuk të lejonte që të shprehësh
ato ndjenjat lirike që doja t’i shprehja. Unë isha kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve
për Fëmijë dhe me dëshirën time dhash dorëheqje, me keqardhje, për këtë nënvleftësim
që po i bëhet Letërsisë për Fëmijë.
Zonja Mamaqi, nuk
mund të mos ju bëj edhe një pyetje. Në momentin kur demokracia trokiti në dyert
e Shqipërisë, ju e latë atë dhe shkuat në emigracion, pse?
Unë nuk
do ta kisha lënë Shqipërinë. As unë e as fëmijët e mi. Kur u hapën dyert e
ambasadave mua më vinte keq, si mund ta bënin njerëzit një gjë të tillë, të
iknin. Realiteti tregoi të kundërtën. Ne nuk ikëm ne na përzunë!
Ju përzunë! Si,
pse?
Nuk të përzë
njeriu vetëm duke të thënë ik dil përjashta! Ka metoda, ka mënyra. Unë u
detyrova të kërkoj të dal në asistencë sepse nuk mundja më të punoja në një
ambient cfarë u krijua. Për mua një person publik nuk ka nevojë të prononcohet
me një parti ose një parti tjetër, nuk është e nevojshme. U mbyllën dyert e
institucioneve. Djali im ishte në prag të fillonte regjisor në kinostudio,
ishte asistent dhe donte vetëm një muaj të kalonte regjisor. Kishte gjiruar tre
filma në dy si aktor i parë dhe u detyruam të ikim se u mbyll kinostudio. Atëherë,
pa patur mjete jetese, u detyruam të gjejmë rrugët për të ikur. Djali im u
detyrua të fillojë aktivitet tjetër por jo atë për të cilin ai ishte përgatitur
dhe kishte pasionin e vet. Një ditë isha shumë e dëshpëruar, në Itali, ai më
vjen e më thotë: pse je kaq e mërzitur moj mama? Eh mor bir, i thash, isha në
maje mali e rashë në fund të gropës. “Kur të vdesësh do shkruhet në varrin tënd:
këtu prehet shkrimtarja Adelina Mamaqi, cfarë të them unë që ma prenë këmbën
sapo hodha hapin e parë”, me tha ai. Dhe ishte shumë e dhimbshme. Të ikësh në
një vend të huaj gjëja e parë që ndjen, ti ke humbur identitetin. Unë e ndieja
veten të vdekur. Kur jam kthyer në Shqipëri dhe mua më janë afruar gazetarët, është
afruar menjëherë revista Mrekullia, për punën, kam ndjerë që lexuesi ende nuk më
kishte harruar atëherë unë thash: jo nuk paskam vdekur. Kam një vjershë te
libri, Një mjellmë nga vitet, them: ika dhe harrova vetveten, por njerëzit dhe
tokën time nuk i harrova. U riktheva, e rigjeta vetveten, se toka dhe njerëzit
nuk më kishin harruar”
Vargje shumë të
bukura! Kur jemi këtu, cfarë keni në duar këtë kohën e fundit, a mund të presim
ndonjë gjë të re?
Në Itali
nuk kam shkruar as edhe një varg për fëmijë. Kam shkruar vetëm vargje për të
rritur të cilat, për fat të keq, nuk kanë pasur se si të mos pasqyronin atë
dhimbjen që kisha unë brenda vetes. Shumë prej tyre dhe disa poezi që unë kam
shkruar për ngjarjet në Kosove që, i kam përjetuar në Itali dhe Paris, kam edhe
nga këto poezitë e mërgimit. Është një poezi që them: mërgimi është një batak
me baltë që fut këmbën që edhe mjalt të jetë ti zhytesh e zhytesh dhe mbytesh.
Ja ky është mërgimi. Nga viti 2004 kam
botuar mbi 15 tituj e ndonjë ribotim. Tani kam 10-15 tituj të tjerë gati në
kompjuter, një nga ta po e përmend “Ada duargjata” është novelë me dy pjesë. Një
tjetër, do dalë shpejt Fluturo kërce
rend, e kam botuar të parin, është një tjetër Fluturo kërce rend 2 dhe të
tretin e bëra Dhelpra Fluturuese, për të mos e bërë fluturo kërce rend.
Cfarë ka në këtë
trilogji, nëse mund ta quaj kështu.
Po, mund
të thuhet se është trilogji. Këtu ka vjersha të shkurtëra për kafshët nëpërmes
të cilave ata mësojnë edhe artistikisht një vjershë por edhe njohin një kafshë, kafshë të rralla
që nuk njihen. Është një farë
enciklopedie poetike, e kam shumë për zemër. Kam edhe shumë libra të tjerë që
presin të botohen.
Kush janë
personazhet tuaj? Janë fëmijë që njeh apo janë të gjithë të imagjinuar?
Personazhet
e mi janë copëza nga personazhet. Kam njohur një fëmijë që ka dicka dhe unë kam
plasmuar një personazh të ri. Unë kam shumë personazhe kafshë. Kam një libër me
tregime të vërteta për kafshët. Kafshët kanë një botë të tyren që, po ta njohësh,
mund të kuptohesh shumë mirë me ta. Psh një qen kupton sa një fëmijë 3 vjecar dhe
me nje fëmijë 3 vjecar edhe komunikon. Kështu
edhe unë komunikoja me të. I dua shumë personazhet e mi. I dua shumë fëmijët
por dua shumë edhe kafshët dhe lexoj shumë për kafshët. Personazhet fëmijë dhe
kafshë kanë një vend të barabartë në krijimtarinë time.
Një pyetje të
fundit. I lexoni autorët nga Kosova, e përcillni letërsinë që krijohet këtu?
E lexoj
letërsinë e autorëve kosovarë. I vlerësoj shumë. Ka këtu shkrimtarë shumë të
mirë. E kam admiruar të ndjerin Agim Deva. Ai ka një horizont kaq të gjërë,
sjell një tematikë kaq të pasur dhe në kuptimin e mirë të fjalës është për ta
pasur zili. Nuk po përmend të tjerët se edhe mund të harroj ndonjë. Por mund të
them që këtu është një letërsi shumë e mirë për fëmijë.
Faleminderit shumë,
zonja Mamaqi, që ndatë dromca jete me mua dhe dëgjuesit e mi.
Unë dua të
ju falënderoj shumë për mundësinë që më dhatë që të lidhem me dëgjuesin dhe
lexuesin e Kosovës. Faleminderit të gjithëve. Faleminderit Kosovës, të gjithë
jeni pjesë e dashurisë sime.
Intervistoi,
Flora Durmishi