Besnik Dizdari: Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (VIII)
| E Diel, 12.07.2009, 07:10 AM |

Kur ndërkombëtarizonim gazetarinë sportive shqiptare…

Nga Besnik Dizdari

Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (VIII)

Paris, 2 korrik 1924: lind AIPS

Këte javë (2 korrik 2009) gazetaria sportive botërore ka një jubile: 85–vjetorin e themelimit të AIPS (Association Internationale de la Presse Sportive - Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv). Themeluar më 2 korrik 1924 në Paris, e ligjëruar me 3 korrik 1924 po në Paris me Kongresin e saj të parë, AIPS vjen në 85-vjetorin e saj si organizata më e famshme botërore e shtypit, e vetmja që çdo vit zhvillon Kongresin e saj, i 72-ti i së cilës u zhvillua muajin që shkoi në Milano të Italisë, edhe me pjesëmarrjen e Shoqatës sonë (ASPA). Ishte një Kongres zgjedhor ku italiani Gianni Merlo u rizgjodh president i saj.

Me cilësinë e themeluesit dhe të Presidentit të saj, së bashku me zëvendëspresidentin Ahmet Shqarri ishim të pranishëm, dhe personalisht ndjej një kënaqësi të veçantë, që në këto 18 vite kam qenë në 12 Kongrese të AIPS, shifër që e theksoj për të ndihmuar edhe ndonjë prej atyre tipave që na ndjekin si hije, në mënyrë që të mos gabojnë kur nisin e numërojnë se sa herë kemi qenë në Kongreset e AIPS nën siglën e ASPA-së sonë. Të asaj ASPA-je të cilën e kemi themeluar vetë, e të cilën po vetë me largpamësinë tonë e kemi pranuar në AIPS, duke ia arritur të ndërkombëtarizojmë jo thjesht veten tonë, por vetë gazetarinë sportive shqiptare, madje në një kohë kur Shqipëria mezi i bënte 10 gazetarë profesionistë. Eshtë e gjitha një histori që vetvetiu bën pjesë në këte cikël tonin historik të lëvizjes olimpike shqiptare, që ne shtjellojmë për herë të parë në intervale të rubrikës sonë në “TemA”. Pjesëmarrjet në Kongrese kësisoji, më parë se kënaqësi vetjake (doemos që edhe e këtillë është), përmes këtyre themelimeve tonat, nuk i kemi hobby, por veprimtari profesionale pune. Kësisoji, si historianë nuk na lejohen gabimet “anagrafike” të llojit…

E themeluar në ditët e Lojërave Olimpike të Parisit më 1924, prej gazetarëve Albert Mesttdag (Belgjikë), Th. Lesturgeon (Holandë), Vaucher (Egjipt), Eyk (Çekosllovaki), Sighetokou (Japoni), Henri Pozzi (Francë), Andre Glarner (Britani e Madhe), Sekora (Çekosllovaki), Victor Boin (Belgjikë), Marcel Delqarbre (Francë), Paul Brewitz (Suedi), rreshtat e parë të themelimit të kësaj AIPS u skalitën në numrin e 4 korrikut 1924 të të përditshmes franceze “Auto” (sot “L’Equipe”), mbas mbajtjes në Paris të Kongresit të 1-rë të AIPS, kësisoji:

“18 shtete themeluan Shoqatën Nëdërkombëtare të Shtypit Sportiv. Franz Reichel u zgjodh president.”

Kaq. Sot, AIPS mbërrin 85-vjetorin e jetës së saj të pasur me plot 152 shtete anëtare. Midis tyre edhe Shqipëria, më e vonuara e Evropës “së vjetër” të 34 shteteve të deri më 1990, ose për “të drejtën”e historisë, e vetmja evropiane që mungonte deri më 1991...

Athinë, 2 korrik 1991: Shqipëria dhe Frank Taylor

Ndoshta vetëm unë e dija se ekzistonte një AIPS, jo për ndonjë meritë të veçantë, por për vetë detyrën që asokohe ushtroja (vitet ’80-‘90) si kryeredaktor i të vetmes sportive shqiptare “Sporti popullor” (që më 1995 do ta emërtoja në “Sporti Shqiptar”), që mbërriti në 150.000 kopje në javë, duke u bërë në dy ditët e saj të çdo jave, më e lexuara në Shqipëri me të 140.000 abonentët e saj! Po ashtu, siç dija se prej të gjitha shteteve të Evropës së asokohe, vetëm Shqipëria nuk ishte anëtare e AIPS, ngaqë edhe AIPS ishte “një tjetër organizatë – vegël në duart e borgjezisë ndërkombëtare”, siç i quante ato Partia.

Për hir të së vërtetës, vetëm më 1991 mund të guxoja të ëndërroja AIPS. Kisha themeluar shpejt e shpejt Shoqatën Shqiptare të Shtypit Sportiv (ASPA), kisha përgatitur dokumentacionin dhe mbasi e kisha futur në një zarf të madh, kisha “guxuar” për t’ia nisur AIPS në Budapest. Natyrisht, e kuptoja se diktatura po binte, e ndonëse administrativisht mbi krye ende kisha një anëtar të KQ të PPSH, kjo nuk po më ndikonte më asesi. Mirëpo, çuditërisht një heshtje e tanë e rrethonte veprimin tim. Asnjë përgjigje nga AIPS!...

Dhe ndërkaq, Shqipëria e cila shkon në Lojërat Mesdhetare të Athinës me delegacionin e saj olimpik më të madh në histori: pjesëmarrje në 13 lloje sporti dhe me rreth 125 sportistë. Siç e kam treguar në kapitujt e mëparshëm të kësaj historie olimpike tonën, ishte një pjesëmarrje përtej çdo sensacioni. Qysh kur ishte themeluar kjo tokë, nuk kishte ndodhur që “Vendi i Shqiponjave”, siç kishte aq fort dëshirë ta quante Partia, por pa i lënë asnjëherë të fluturonin lirshëm shqiponjat, nuk kishte ndodhur pra, të shfaqej në sportin botëror me një delegacion të përmasave kaq të mëdha, prej një Shqipërie të izoluar për një gjysmë shekulli. Dhe po për herë të parë edhe me tre gazetarë të “Sportit” si të dërguar specialë në Lojëra. Siç shkruaja nga Athina në atë 1991: ”… Eshtë 40-vjetori i Lojërave Mesdhetare, një përvjetor kuptimplotë veçanërisht për Shqipërinë, e cila pasi ka bërë revolucionin e demokracisë, don ta shprehë këte edhe në sport pasi kërkon të sfidojë edhe ata të cilët për gati 40 vjet nuk e lanë anijen sportive shqiptare të lundrojë lirisht në ujërat e të madhërishmit Mesdhe. Më në fund, vërtet!...”

Nuk mund t’i shpëtohej asesi një patetizmi. Siç kam shkruar, për herë të parë qenë hartuar lista pa pjesëmarrjen e emisarëve të Sigurimit, pa luftën biografike të familjes, pa meskinitetet dhe frikërat e një Regjimi të fryrë në boshësi, pa kryetarë prepotentë e të krekosur të BFSSH-së, pa pronarë fatesh e shpirtërash njerëzorë. Qenë strukur të frikësuar sepse nuk arrinin të kuptonin se demokracia nuk ishte si diktatura. Ajo demokraci që do të lejonte që mbas disa vjetësh, deri në ditët e sotme, shumë prej tyre të rishfaqen të krekosur e ambiciozë ende të pangopur për poste e presidiume, pa iu skuqur faqja… Dhe vij te episodi i famshëm i shfrytëzimit të pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare të Athinës për t’u lidhur me AIPS. Në fillim do ta paraqes shpejt përmes tregimit tërheqës që ka bërë kolegu Ahmet Shqarri në shkrimin e tij të së shtunës që shkoi në gazetën “Standard”. Shkruan Shqarri:

“… Besnik Dizdari na tërheq vëmendjen mua dhe Vladimir Grillos (që të tre në atë kohë ndodheshim si të dërguar specialë në këto lojëra, prej institucioneve tona mediatike, të vetmet sportive të asaj kohe), për të na thënë se njeriu që kishim pranë aty ishte Frank Taylor! … Se ky ishte Presidenti aktual i Shoqatës botërore të gazetarëve sportivë, që ndryshe quhej AIPS, dhe që në fakt, prej nesh, deri në atë çast ishte i panjohur si organizëm ndërkombëtar… Dizdari kërkoi të na e bënte më të plotë portretin ende të panjohur të atij njeriu, në dukje aq babaxhan, që herë pas here na hidhte disa vështrime dashamirëse, si për të mësuar ndoshta, vendin prej nga vinim, ngaqë gjuha jonë e folur n’ato çaste po i dukej krejt e padëgjuar! – Eshtë pikërisht ai, gazetari i famshëm anglez që në fund të viteve ’50-të pat shpëtuar për mrekulli nga ajo katastrofë e tmerrshme ajrore që i mori jetën shumicës së ekipit të Mançester Junajtid, kur po kthehej në Atdhe pas një ndeshje futbolli, shtoi Dizdari, i cili ende pa u siguruar siç duhet, megjithë ato dëshmi të tijat, përnjëherë iu prezentua atij burri rreth të 70-tave, duke i thënë se ishim nga Shqipëria. Ishte ky rasti që do të na shërbente pastaj si shkak për t’i bërë propozimet anglezit më të fuqishëm të gazetarisë sportive të asaj kohe, që edhe vendi ynë të bëhej një ditë anëtar i AIPS! Kaq u desht…”, shkruan Shqarri.

E tash, ja si e trajtoja unë këte takim historik në kronikën time të posaçme nga Qendra e Shtypit e Stadiumit “Olimpik” të Athinës tashmâ në të largëtin vit 1991, botuar në “Sportin” tim të 5 korrikut 1991:

“Jam duke shkuar tek këndi im i punës dhe befas dalloj presidentin e AIPS, skocezin e famshëm në këte fushë, Frank Taylor, një burrë mjaft paraqitës, ndonëse pak i shkurtër. Ai përshkoi sallën e pafund dhe unë që prej kohësh e kërkoja një takim të tillë, nxitova. Pasi u prezantuam sapo hyri në zyrën e AIPS ai vuri buzën në gaz dhe u gjallërua së tepërmi. I kisha shkruar që prej tre muajsh për formimin e Shoqatës sonë të gazetarëve sportivë dhe për pranimin e saj në AIPS, po për çudi asnjë përgjigje. Taylor u shqetësua , por shfajësimi ishte krejt i thjeshtë: AIPS kishte ndërruar adresë! Kisha marrë me vete kopjen e letrës dhe pasi e lexoi, Frank Taylor u bë edhe më i gjallë dhe më i dashur:

“Shqipëria do të jetë anëtarja e 101-të e AIPS, - na thotë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të saj Charles Camenzuli – dhe kjo do të jetë diçka e shumëpritur për ne”.

Presidenti Taylor pohon gjithçka… Nuk ma merrte mendja që ato për të cilat kisha pritur për tre muaj, t’i zgjidhja kështu, ndërsa Frank Taylor kërkon detyrimisht një foto për revistën mjaft serioze të tij, e cila del në tri gjuhë…”, shkruaja unë në kronikën time të asokohe.

Në të vërtetë kaq u desht. Siç kujton përherë sot kolegu dhe miku ynë nga Malta, Charles Camenzuli, asokohe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të AIPS dhe i dërguar i AIPS në Athinë për të drejtuar zyrën e shtypit të Lojërave Mesdhetare, ky mbetej takimi më origjinal me përfaqësuesit e gazetarisë ende të papranuar të një shteti në historinë e AIPS. Dhe unë që iu dorëzoj atyre dokumentacionin e themelimit të Shoqatës sonë, duke më mbetur sot e kësaj dite enigëm, sesi kishte ndodhur që zarfi i madh që unë kisha nisur nga Tirana nuk kishte mbërritur kurrë në selinë e AIPS në Budapest! E pra qe kthyer për pasaktësi adrese pa mu dorëzuar mua. Por, merrej me mend, ishte ende 1991, dhe censura e postës shqiptare asesi nuk ishte çliruar prej dorës së zezë të censurës së egër komuniste. Ishin treguar dritshkurtër megjithate. Shqiptarët nuk mund të ndaleshin më. Tash zarfi apo Dossier-i i dubluar që kisha marrë me vete nga Tirana, po i dorëzohej presidentit mitik të AIPS, Frank Taylor (1920-2002) aty në sallën e ndritshme të Qendrës së shtypit të Athina 1991.

Ndërkaq, kisha fiksuar datën e këtij takimi të ditës athinase. Rastësisht ai ishte përtej historisë: ishte mû 2 korrik 1992. Përkimi ishte fatal në kuptimin më të mirë të këtij përcaktimi, kësaj here kurrsesi i frikshëm. Përkundrazi i lumtur: ne ishim takuar me AIPS mû në ditën e themelimit të AIPS: 2 korrik! Një përkim që ishte përtej çdo befasie të historisë!...

Tiranë 2009: Frank Taylor dhe Bato Tomasheviç

Kështu pra, ishte 2 korrik 1991. Unë nuk ia ndaja sytë Frank Taylor-it, i cili më mahniste me stocizmin e tij, teksa përshkohej disi i përkulur për shkak të këmbës së tij të plagosur nga katastrofa e 6 shkurtit 1958 e Manchester United së cilës ai i kishte mbijetuar.

Ndërkaq, kthehem 18 vjet më mbas, në Tiranën time të vitit 2009. Dhe papritmas ndodhem para një tjetër përkimi befasues, tashmâ i ditëve të sotme të vitit 2009. Sapo kam përfunduar së lexuari një libër të mrekullueshëm, i cili sapo ka dalë nga shtypi në Tiranë me titull “Jetë dhe vdekje në Ballkan” të autorit të shquar nga Mali i Zi, Bato Tomasheviç, i lindur më 1929 në Mitrovicë, protagonist i shquar i luftës, jetës, gazetarisë, politikës, diplomacisë së ish Jugosllavisë dhe më mbas deri në ditët e sotme. Botuar me cilësi të lartë nga “Onufri” dhe përkthyer me seriozitetin e një shqipeje të rrjedhëshme prej kolegut e mikut tim Xhevdet Shehu, kurrsesi nuk më kishte shkuar ndërmend se në faqet e këtij libri i cili ka mbrenda tij jo pak Kosovë e Shqipëri falë kujtimeve të jashtëzakonshme, madje krejt të vetmueme (unikale) të autorit Bato Tomasheviç, papritmas do të “takoja” edhe mikun tonë Frank Taylor, njeriun i cili do të pranonte Shqipërinë në AIPS.

“Jetë dhe vdekje në Ballkan”, kjo sagë tronditëse malazeze së cilës me mjeshtri Bato Tomasheviç shpesh i ka dhënë rrjedhën e një epike, që sidomos mua që vij prej një familje të vjetër shkodrane e cila si nga baba si nga nëna Malin e Zi e ka pasë si shtëpinë e vet (kujto fjalimin e Nasuf Beg Dizdarit në varrimin e Isa Boletinit) më trondit me befasitë e pambarim.

Janë befasi marramendëse që vazhdojnë, kur mësoj se ashtu si dhe Frank Taylor, edhe autori Bato Tomasheviç ishte një nga të shpëtuarit e katastrofës së Manchester United në atë ditë dimri të 1958, kur formacioni legjendar anglez po kthehej nga ndeshja e Beogradit me Crvena Zvezdën dhe ku diplomati i Jugosllavisë në Londër, Bato Tomasheviç ishte shoqëruesi i Manchester United që në nisjen nga kryeqyteti britanik. Dhe për fat, në këte prag të 85-vjetorit të AIPS, mësoj deri në hollësi se si ndodhi që, siç e tregon aq bukur Tomasheviç, mbas dështimeve të dy ngritjeve të njëmbasnjëshme nga aeroporti i ndalesës së parë mbas Beogradit, në Munih të Gjermanisë për kthimin për në Londër, të ndodhte tragjedia. Në çastin e herës së tretë avioni duket sikur arrin të ngrihet më në fund nga aeroporti i Mynihut. Por jo, për fatin tragjik, gjithçka do të zgjaste vetëm 54 sekonda për të humbur ndjenjat edhe Bato Tomasheviç, dhe për të shpëtuar thjesht ngaqë punonjësi i shërbimit në avion, me emrin Tomi, i kishte kërkuar të ndërronin vendet në sediljet e tyre: për të humbur kështu jetën Tomi dhe për të shpëtuar Bato Tomasheviç! Mû ashtu si dhe Frank Taylori ynë! Ka qenë ndeshja e 5 shkurtit 1958. Crvena Zvezda – Manchester United në Stadiumin “Narodnaja Armija” të Beogradit, për Kupën e Kampioneve të Evropës, një 3-3 i pashlyeshëm. Kthimi fatal i Manchester-it mbas ndeshjes së Beogradit me Crvena Zvezdën e Vladimir Beara-s portjerit legjendar të Jugosllavisë, të Rajko Mitic, Dragoslav Shekularac apo Bora Kostic, emrat e të cilëve përmes zërit radiofonik melodioz të Radivoje Markovic, trazonin gati përjavë kërshërinë tonë adoleshente futbollistike të Shkodrës, “fqinje” për ta, të asokohe. Mandej mbasditja fatale e 6 shkurtit 1958. Humbin jetën 22 njerëz prej të cilëve 8 futbollistë të Manchester-it, 5 prej të cilëve të 11-shit të parë të ndeshjes së Beogradit: Byrne, Colman, Jones, Edwards, T.Taylor! Midis të mbijetuarve është Matt Busby (1910-1994), trajneri legjendar i Manchester-t, i cili mbrenda 10 vjetëve do ta ribënte skuadrën së bashku me të mbijetuarin tjetër, një 21 vjeçar me emrin asokohe “të panjohur”: Bobby Charlton, duke e ngritur deri në piedestalin e fitimit të Kupës së Kampioneve 1968 mbas 4-1 epokal kundër Benfikës me dy gola të “djaloshit” të mbijetuar të Mynihut 1958, Charlton!

Ndërkaq i mbijetuari i ynë është gazetari Frank Taylor. Një herë në Kongresin e AIPS në Manchester (1994), teksa po futeshin së bashku në makinë, Frank Taylor spjegonte duke na hedhur vështrimin e tij të dashur, episodin fatmadh të shpëtimit të tij, ndërsa tërhiqte disi me mundim këmbën e tij të plagosur, me dhimbjen e saj të përhershme, çka falë trimërisë së tij të rrallë, ai e kalonte me buzëqeshje. Papritmas në librin e sotëm të Tomashevicit, për fatmadhësi gjej dhe foton e Frank Taylor-it tonë bërë në stadiumin e Beogradit një ditë para katastrofës. Aty është dhe i mbijetuari zâmadh, Matt Busby , trajneri legjendar i Manchester-it së bashku me autorin e respektueshëm të librit në fjalë, Bato Tomasheviç. Një foto që falë pranisë së presidentit tonë Frank Taylor, vetvetiu hyn në këte histori tonën të sotme të treguar për 2 korrikun tonë të gazetarisë…

Dhe ne që i kthehemi Athina ‘91’ sepse viti ynë i njohjes historike me presidentin Frank Taylor ishte ky 2 korrik 1991, aty në sallën e Qendrës së shtypit të Lojërave të Mesdheut kur tashmâ flitej vetëm për mbërrijtjen befasuese në Evropë të të munguarit të vetëm të saj dhe të AIPS: Shqipërisë dhe gazetarisë së saj sportive që për vite kishte mbetur e izoluar mbrenda mureve të gardhit të telave të saj…

Unë nuk ia ndaja sytë Frank Taylor, teksa përjetoja gëzimin e tij vërtet të çuditshëm, ngaqë po na takonte befasisht në sallën athinase të shtypit. Ai po përfshinte në AIPS-inë e drejtuar prej tij, të vetmin shtet të Evropës që i mungonte: Shqipërinë e sapo liruar prej diktaturës!

Zyrtarizimi do të vononte edhe për disa muaj. Presidenti Frank Taylor përmes italishtes së përsosur të kolegut Charles Camenzuli, na sqaronte në detaje të shpejta. Mandej ai do të bënte ftesën e tij për Kongresin e Budapetit që do të mbahej në kryeqytetin e mrekullueshëm hungarez më 1992…

TemA

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: