Sejdi Berisha: Lugina e Mrizit
| E Shtune, 24.02.2018, 06:59 PM |

Tregim i shkurtër (Rilexim)

Sejdi BERISHA:

LUGINA E MRIZIT

...Atëherë, nuk ka dert që është vrarë babi...!

Gjysh,… e,… a vjen ky emër në shtëpinë tonë?!

Lajmi kishte marrë dhenë se në Luginën e Mrizit natën paska dalë një njeri i cili po i  shëruaka njerëzit nga të gjitha të ligat, nga të gjitha të këqijat dhe po ua zgjidhte problemet e dashurisë. Për një kohë, ky lajm nuk ishte përhapur derisa njëri nuk kishte provuar vet. Kishte shkuar ai në këtë vend, në të cilin, ditën mbretëron vapë e qetësi monotone e përcjellë me zukatjen e mizave dhe të gjinkallave e ndonjëherë edhe me zërin e sorrave-krrake. Ndërsa, natën këtu është vetëm terr, të cilit, hutinët me zërin e tyre po thuaja në çdo pesë minuta, ia shtojnë edhe më shumë peshën e trishtimit.

-Kam ardhur për të m’i shëruar të ligat, për të m’i flakur të këqijat dhe për të ma kthyer dashurinë. Sepse, jam lodhur nga luhatjet e mëkatet e mendimit. –ia kishte nisur bisedës njeriu me errësirën e luginës plot terr. Por, një kohë të gjatë nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje, përveç që e trazonte zëri i hutinit.

Sikur kërkonte sa më shpejt shpëtim apo për t’i përgjigjur dikush. Për këtë, i kishte bërë katër-pesë hapa deri tek cungu i kalbur ahu, dhe ishte ndalur. I kishte përsëritur të njëjtat fjalë. Atëherë, një pëlhurë e bardhë i kishte përftuar kah fytyra dhe i kishte thënë se deri nesër nuk mund t’i premtojë asgjë për t’ia zgjidhur problemet dhe as për t’ia plotësuar dëshirat e mundshme.

Ishte kthyer në shtëpi i mbushur frymë dhe askujt nuk ia kishte çelur për këtë. Tërë natën s’kishte shti gjumë në sy. Tash, i frikësohej edhe pyetjeve, nëse ia shtron pëlhura e bardhë kur të kthehet sërish në Luginën e Mrizit.

Prapë, në atë terrin e mbytur, ky njeri e bën kërkesën e vet , dhe pas pak vjen një oshtimë sa desh ia kishte shurdhuar veshët. Atëherë, paraqitet pëlhura e bardhë. Kësaj here, ajo i kishte thënë;

-Më duhet të di për mëkatet, për të këqijat tuaja,…?!

-Ani, de,…mirë! –ia kishte kthyer njeriu, i cili tani dridhej si thupra në ujë.

-Cilat janë mëkatet tuaja. A ke vjedhur?

-Po!

-Të falet!... A ke intriguar…

-Po, po!...

-Të falet!... A ke vrarë?!

-Po! Por,…

-Të falet!... A ke tradhtuar?

-Po, bre!...

-Edhe kjo, gati krejt të falet!...

-A ke qenë hafije?

-E,…e,… pooo! –kësaj radhe nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje, por edhe tani sikur i kishte dëgjuar fjalët: Edhe kjo të falet!

Pas kësaj, koha kishte ikur shumë e shumë. Sapo ishin lajmëruar shenjat e para të agut, kurse njeriu ishte kthyer në shtëpi para se nusja e shtëpisë t’i lidhtë qet e zinxhirit. Tërë ditën nuk ishte zgjuar. Gjumi e kishte rënduar aq shumë pasi tashti ishte shkarkuar nga tërë ato mëkate dhe probleme, të cilat, pëlhura e bardhë ia kishte falur.

Nuk kishte fshehur, por e kishte përhapur lajmin për ngjarjet që i kishte përjetuar në Luginën e Mrizit. Pas kësaj, mijëra njerëz ia kishin mësy kësaj lugine për t’u rrëfyer. Ky njeriu që i pari kishte qenë atje, paska thënë: a është e mundur që gjithë këta njerëz paskan bërë mëkate dhe paskan kaq shumë probleme?!!

Pëlhura e bardhë ua paska thënë të gjithëve përnjëherë se për t’u njoftuar me mëkatet dhe problemet tuaja, duhet të mbulohen me cohë kadifeje ngjyrë të kuqe, e cila është e ngjyer në gjak. Dhe, ai që është mëkatar, gjaku do të flasë sikurse dhe do të tregojë për secilin histori, të vërtetën. Pa e përfunduar mirë mendimin pëlhura, Lugina e Mrizit ishte boshatisur nga njerëzit, si të mos kishte qenë kush aty. Pas një kohe, kush e di se sa, aty ishte ngritur një lapidar i madh. Madhështor. Sepse, në këtë vend ishte zhvilluar luftë e madhe me djallin, i cili ia kishte zënë frymën dritës. Tani ky vend ishte ndër më të vizituarit dhe ndër më të respektuarit.

Djaloshi i vogël që nuk ia lëshonte dot dorën gjyshit të tij, shikonte lapidarin dhe mëzi i lidhte shkronjat e emrave që ishin përjetësuar aty.

-Gjysh, lexoje këtë emër. Qenka si i babait tim?!..

-E, po more nipçe…

-A janë këta emra të dëshmorëve, a?

-Po, biri im. Ai emër që e lexove, është pikërisht i babait tënd.

-Gjysh,…e pse nuk po e shoh babin?!...

-Ai, me këta emra të tjerë e kanë bërë dritë këtë vend.

-Po, a?! Atëherë, nuk ka dert që është vrarë babi. Më ngrit pakëz gjysh t’i prek shkronjat, t’ia puthi emrin!

Loti i gjyshit dhe i nipit u puqen së bashku, duke u përqafuar në mes vete, dhe sikur donin t’ia jepnin fjalën njëri-tjetrit për diçka.

-Gjysh,… e,… a vjen ky emër në shtëpinë tonë?!

-Ai është gjithkund , o vogëlushi im. Kur të rritësh do ta kuptosh mirë.

-Gjysh, më kap prej veshëve që të rritëm pakëz më shpejt!...

Gjatë e gjatë, nën lapidar, nip e gjysh kishin biseduar për gjithçka…!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: