Enver Sulaj: Poezi nga Prend Ndoja
| E Merkure, 07.02.2018, 08:31 PM |

POEZI

 

Prend Ndoja (SHBA)

 

HOMAZH

 

Stuhia rrëqethëse ishte futur në çdo skutë,

Plumbat e armikut të ujitur me trupat tanë,

Mbi Tokën e djegur, dallgë gjaku dhuruan,

Të pafajshëm për tokën e tyre u vranë.

 

Jeta priste vdekjen me derën e hapur,

Te fëmija, toka e çatia,

Jeta dhe vdekja bashkë bisedonin,

Këtu do t'na gjejë vdekja, o liria.

 

Në male e fusha, ushtria e jonë kishte zënë pusi,

Kjo shpresë jete e shpërndarë n‘katër anët,

Fëmijë, gra, pleq nga zjarri i luftës i largonin,

Tjerët heroikisht në frontin e lufës qëndronin.

 

Përulje ndaj heronjve, martirëve, të rënëve,

Nga ky heroizëm, sot jemi të lirë,

Në front, në borë, në shi, të uritur në male...

Duke përjetuar  kohën  më të vështirë.

 

 

PENA IME

 

Ajo nuk është ndjenjë,

Ajo s'është as mall,

Por që të dyja,

I shkrin në letër t'bardhë.

 

Pena është pasqyrë,

E mendjes së lirë,

I bashkon ndjenjat,

I derdhë në poezi.

 

Kur në brendi,

Mblidhen ca nyje,

I pikturon ngadalë,

Si natën me yje.

 

Të mbanë si në ëndërr,

Vendlindjen ta afron,

Të tund në ëndje,

Ashtu si ti do.

 

Pena është fjala,

E shpirtit tim,

Është fyell bariu,

Që bjen mbi kodrinë.

 

 

ATJE

 

Atje fusha duket ndryshe,

Edhe lulja aromë plot,

Ku dhe pema plot me shije,

Është një vend më i miri n'botë.

Në mëngjes nuk t'ngopet syri,

Kur merr vesa vezullim,

Atje zilja nuk ka vlerë,

Të zgjon zogu me këndim.

Ulu prill buzë atij lumi,

Nën ato hije plot gjelbërim,

Në mes Becit një lulishtë,

E shtrëngon në përqafim.

 

 

ZEMRËS

 

Zemër, sa e vogël je,

Në kraharor të mbaj në gji,

Për tërë botën ke vend,

Kur dhuron dashuri.

Zemër, ritmin, dallgët e kohës ta ndryshojnë,

Por ti bubullimën ktheje në melodi,

Kultivoje ushqimin shpirtëror,

Që në botë të kemi sa më shumë dashuri.

Zemër, ku depërton ti,

Nuk depërton asnjë fuqi në botë,

Dashuria është rreze paqeje,

Që syrit ia ndal lotët.

Zemër, në brendinë time,

Rrezato për gjithë njerëzimin dashuri,

Në mua po të përbej,

Kurrë, kurrë, kurrë mos urrej.

 

Nga libri në dorëshkrim „Loti mbi oqean“

 

Shënim për autorin

Prend Ndoja u lind më 2 shkurt 1962 në fshatin Bec të komunës së Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Pas shumë vuajtjesh e përndjekjesh nga pushteti jugosllav e duke parë jetën e vështirë, në vitin 1986, Ndoja u largua nga vendlindja dhe emigroi në SHBA. Fillimisht u vendos në Dallas, Teksas, duke u përballur me vështirësitë e jetës së mërgimtarit, por shpejt arriti të integrohet në jetën amerikane dhe të punojë poashtu në të mirë të cështjes shqiptare. Ai jeton në Long Island, Neë York.

Ndoja, vazhdimisht është marrë me shkrime, e sidomos me krijime letrare, të cilat i ka botuar në portale dhe medie të ndryshme. Krijimet e tij poetike i ka përmbledhur në vëllimin e tij të parë me poezi ”Loti mbi oqean” i cili së shpjeti pritet të dalë nga shtypi.

(Përgatiti Enver Sulaj) 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: