http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Martin Georgievski: Shqipëria dhe Bullgaria – Miq në Ballkan e Aleatë në Europë!
| E Marte, 23.01.2018, 10:21 PM |

Shqipëria dhe Bullgaria – Miq në Ballkan e Aleatë në Europë!

Nga Martin Georgievski

Shqipëria dhe Bullgaria janë dy vende të afërta e miqësore ballkanike që tradicionalisht kanë marrëdhënie të mira miqësore plot vlerësim dhe respekt të anasjellë. Shqiptarët e bullgarët prej shekujsh jetojnë krah njëri-tjetrit në Ballkan dhe njëkohësisht në historinë e pasur të dy popujve tanë në rajonin e Ballkanit, gjithmonë kemi jetuar në paqe e miqësi, mirëkuptim e duke u ndihmuar njëri me tjetrin.

Duke nisur nga 1 Janari 2018, shteti mik i shqiptarëve, Bullgaria, gjithashtu mori kryesimin e Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë përgjatë 6 muajve të ardhshëm Shqipëria do të ketë një shtet mik në kryesim të BE-së. Bullgaria gjithnjë e ka mbështetur e vijon ta mbështesë Shqipërinë si shtet, ashtu si edhe integrimin e saj EuroAtlantik. Shqipëria është një vend anëtar i NATO, por që akoma ka përpara procesin e antarësimit në BE. E në këtë rrugëtim, Bullgaria ka dëshmuar një ndikim tejet pozitiv në të mirë të Shqipërisë, falë përvojës së Bullgarisë në këtë rrugë, si dhe duke dhënë ndihmesën e saj lidhur me reformat e domosdoshme që janë pjesë e procesit së antarësimit në BE. Po ashtu, Bullgaria nuk resht së lobuari pranë vendeve të tjera anëtare të BE-së për pranimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen e vendeve të Bashkimit Europian.

Përse vendet tona kanë marrëdhënie kaq të mira miqësore?

Dy popujt tanë, si dhe dy shtetet tona janë ndoshta të vetmit në Ballkan që kurrë nuk i janë kundërvënë njëri ndaj tjetrit, që nuk kanë patur konflikte mes tyre, që nuk kanë bërë luftra me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, marrëdhëniet tona janë të mbushura pikësëpari me shembuj të shumtë bashkëjetese, miqësie, mirëkuptimi, solidariteti dhe lufte të përbashkët kundër zgjedhës dhe tiranisë së huaj.

Pesë shekuj shqiptarët dhe bullgarët jetuan nën zgjedhën turke të Perandorisë Osmane. E gjatë këtyre pesë shekujve fort shpesh do të organizonin kryengritje të përbashkëta që fatkeqësisht nuk do të kishin suksesin e dëshiruar. Në rajonet ku jetonte popullatë e përzjerë shqiptaro-bullgare, shpeshherë shqiptarët do të ngrinin krye krahas fqinjve dhe miqve të tyre bullgarë, kryengritje të Organizatës bullgare Nacional-Çlirimtare e Revolucionare VMRO (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase). Një shembull i tillë na ofrohet nga kryengritja e madhe shqiptaro-bullgare e rajonit Ohër-Dibër kundër zgjedhës pushtuese ushtarake serbe të porsa vendosur pas Luftës Ballkanike në Maqedoni. Kolonia Shqiptare e Sofies, shtypshkronja Mbrothësia me mbi 30 libra shqip të shtypur përbën një tjetër shembull miqësie shqiptaro-bullgare. Në periudhën midis dy Luftërave Botërore, udhëheqësi i shquar shqiptar nga Kosova, Hasan Prishtina më shumë se në një rast pati bashkëpunuar dhe bërë marrëveshje e aleanca me bullgarët dhe organizatën kombëtare bullgare VMRO kundër robërisë serbe. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në periudhën mes viteve 1941-1943 dy vendet tona gjithashtu do të ndanin një kufi të përbashkët. Pas fundit të luftës, në të dyja vendet instalohen regjime komuniste totalitare që do t’i izolonin popujt dhe shtetet tona nga bota. Thuajse për një gjysëm shekulli shqiptarët dhe bullgarët do të jetojnë të izoluar njëri nga tjetri dhe në përgjithësi nga pjesa tjetër e botës. Gjatë regjimit të Enver Hoxhës Shqipëria gjithashtu zgjedh të dalë nga Traktati i Varshavës e për këtë arsye nuk ka marrëdhënie të tilla me Bullgarinë, si ato që Bullgaria, për shembull, kishte me vendet e tjera komuniste të Europës Lindore.

Marrëdhëniet Shqiptaro-Bullgare pas rënies së komunizmit

Pas rënies së komunizmit dhe ndryshimeve demokratike në Shqipëri dhe Bullgari, sërish do të rivendosen në trasenë e duhur marrëdhëniet midis dy popujve e vendeve tona. Tanimë njerëzit mund të udhëtojnë lirisht, të komunikojnë, e të krijojnë marrëdhënie personale e profesionale, njohje, kontakte, lidhje, etj. Shumë të rinj shqiptarë, me origjinë bullgare, ose jo, shkojnë të ndjekin studimet në Bullgari duke shfrytëzuar vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bullgarisë Nr 103 të vitit 1993, për pranimin e studentëve qytetarë të huaj me origjinë bullgare. Në këtë mënyrë shumë studentë shqiptarë do të mund të kishin një arsimim të lartë tejet cilësor në Bullgari, e njëkohësisht ata do të shërbenin edhe si një urë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Në të njëjtën kohë në Bullgari nis të flitet gjithmonë e më tepër për minoritetin bullgar në Shqipëri, kudo që përfaqësuesit e tij jetojnë, në zonat e origjinës apo qytetet e mëdha pas lëvizjeve të brendshme demografike, e në këtë kontekst Bullgaria është tepër mirënjohëse për njohjen e pakicës bullgare nga shteti shqiptar.

Marrëdhëniet ndërshtetërore qysh nga fillimi i viteve 90 ndërkaq njohin një frymë krejt të re, bashkëkohore, të lirë, demokratike sipas vlerave më të mira europiane. Të dyja vendet tona i futen rrugës së integrimit EuroAtlantik në NATO e BE. Bullgaria do të bëhet anëtare e NATO në vitin 2004, ndërkohë që anëtarësohet në BE më 1 Janar të vitit 2007. Shqipëria sakaq merr ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008 dhe bëhet anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Atlantikut Verior një vit më vonë. Në vitin 2008 Bullgaria do të bënte pjesë në valën e parë të shteteve që e njohën menjëherë Pavarësinë e shpallur nga Kosova më 17 Shkurt 2008. Shqipërisë i mbetet edhe që të bëhet anëtare e BE, gjë për të cilën Bullgaria punon në mënyrë të palodhur duke ofruar tërë ndihmesën e saj të nevojshme, mbështetjen, bashkëpunimin përkatës që kjo gjë të bëhet realitet, sa më shpejt të jetë e mundur.

Përparësi qendrore e Kryesimit Bullgar të Këshillit të Bashkimit Europian janë pikërisht vendet e Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe Shqipëria. Bullgaria dëshiron që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian e të ulet si anëtare me të drejta të plota në tryezën e madhe ku merren vendimet themelore për të ardhmen e Europës. Shqipëria e ka vendin në Europën e Bashkuar. Shqipëria është një vend që sjell veç paqe, siguri, stabilitet dhe mbrothtësi për rajonin e Ballkanit. Prandaj Shqipëria e ka vendin plot meritë në Europën e Bashkuar, në këtë bashkim vendesh të lira, demokratike dhe ekonomikisht të zhvilluara, ashtu siç mund të konsiderohet padyshim edhe Shqipëria. Me antarësimin e Shqipërisë në BE, qytetarët shqiptarë e bullgarë, do të mund të udhëtojnë lirisht, të qëndrojnë, jetojnë, punojnë e studiojnë në dy vendet tona mike pa asnjë kufizim. Do të gëzojmë një hapësirë të përbashkët tregtare, që edhe më shumë ka për ta zhvilluar ekonominë tonë. Do të zmadhohen edhe shkëmbimet tona tregtare, gjë për të cilën merr një rëndësi edhe më të madhe ndërtimi i autostradës dhe hekurudhës përgjatë Korridorit Europian të transportit Nr 8 që përshkon hapësirën nga Deti Adriatik në Shqipëri gjer në Detin e Zi në brigjet e Bullgarisë.

Kohët e fundit Bullgaria është shndërruar në një vend të fuqishëm lider në Ballkan. Ajo vijon të faktorizohet gjithnjë e më tepër duke dëshmuar ndikimin e saj të fortë në rajon. Bullgaria është vendi më i madh sllav në Ballkan, për nga sipërfaqja dhe popullsia. Po ashtu edhe vendndodhja e saj ka rëndësi kyçe sepse ajo ndodhet pikërisht mes Europës dhe Azisë. Aty ku takohen dhe ndahen dy kontinente, dy botë, dy qytetërime. Padyshim që edhe të qenët e këtij vendi anëtar i NATO dhe BE e faktorizon Bullgarinë edhe më shumë, por gjëja më e rëndësishme lidhur me rolin e sotëm të Bullgarisë, ka të bëjë me faktin se ky vend synon të ofrojë veç paqe dhe stabilitet për shtetet e tjera të rajonit. Bullgaria përbën një faktor stabiliteti, njëlloj siç padyshim është edhe Shqipëria, por me antarësimin e Shqipërisë në BE, edhe faktorizimi i saj do të jetë më i ndjeshëm. Shqipëria dhe Bullgaria janë dy vende të afërta mike e paqedashëse që do të kenë një rol vendimtar në zgjidhjen e sfidave të rajonit tonë dhe paqen afatgjatë të Ballkanit, ashtu si dhe në qetësimin e gjakrave e miqësinë midis tërë vendeve të Ballkanit.

Perspektivat për të rinjtë shqiptarë e bullgarë

Përveç marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore, synim i të rinjve shqiptarë e bullgarë do të duhej të ishte afrimi mes tyre. Është e domosdoshme që të rinjtë e të dyja vendeve të mësojnë më tepër mbi njëri-tjetrin, të krijojnë miqësi, kontakte, të vizitojnë vendet e tyre në mënyrë të anasjellë. Për t’i arritur këto qëllime nevojitet punë e palodhur, zhvillim eventesh rinore shqiptaro-bullgare, shkëmbime kulturore, njohje me kulturën shqiptare dhe gjuhën shqipe nga ana e bullgarëve dhe anasjelltas me kulturën bullgare dhe gjuhën bullgare nga ana e shqiptarëve. Sa më shumë që të mësojmë për kulturën e të tjerëve, aq më tepër afrohemi njëri me tjetrin. Prandaj ka rëndësi themelore që të punohet fort në fushën e kulturës e të shkëmbimeve kulturore. Si do të mund të realizohet ky synim, kjo varet nga ne. Le të ndërtojmë pra ura, të krijojmë miqësi të reja, të bashkëpunojmë, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të jetojmë së bashku, të bashkuar në një Europë të Bashkuar.

Shqiptarët që dinë bullgarisht e që kanë miq bullgarë, ashtu si edhe bullgarët që dinë shqip e që kanë miq shqiptarë, e dinë shumë sa e bukur dhe kuptimplotë është kjo miqësi, që të kesh miq me kombësi shqiptare apo bullgare, miq nga Shqipëria apo Bullgaria, duke komunikuar në shqip apo bullgarisht e duke jetuar përtej barrierave artificiale të ngritura mes popujve kaq të afërt e miqësore siç janë shqiptarët e bullgarët.

Rroftë miqësia shqiptaro-bullgare!

Shkruar nga MARTIN GEORGIEVSKI

Mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, analist bullgar i çështjeve të politikës së jashtme i specializuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, çështjet politike dhe Ballkanin Perëndimor.

Përktheu nga origjinali në bullgarisht: ELVI SIDHERI