Gjet Kola: Historia e kufirit me Malin e Zi
| E Marte, 19.12.2017, 09:54 PM |

A DUHET LEJUAR QË TË PËRSËRITET HISTORIA E KUFIRIT ME MALIN E  ZI?

Nga Avokat Gjet KOLA

Problemi i vijës së kufirit midis Kosovës e Malit të Zi është i rëndësishëm për shqiptarët, mbasi prej gati një shekull e gjysëm territori i tyre vazhdon t’i nështrohet copëtimeve. Ndryshimi është se tani “vendimmarrja” ju është lënë shqiptarëve, u kërkohet shqiptarëve që me vullnetin e tyre “të lirë”t’ja japin Malit të Zi nja 82 km2.

Mbasi Komisioni Shtetëror i Kosovës hodhi përfundimet e tij, vendosa të shpreh dhe unë mendimin për këtë problem.

Nuk e njoh personalisht kryetarin e këtij komisioni, njëkohësisht kryetari i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës z. Hivzi Islami, por në fundin e viteve 80-të të shekullit të kaluar, jam njohur me studimin e tij të doktoraturës “Kosova studim demografik”, që në vlerësimin tim ka qenë studim dijnitoz.

Por është alogjik, konkluzioni i grupit të ekspertëve të  Komisionit Shtetëror, se meqenëse na rezulton që sipërfaqja e Kosovës  të jetë më e madhe se ajo e njohur zyrtarisht prej 10,887 km2, nuk përbën problem që nga territori i saj 82 km2 t’i kalohen Malit të Zi. Këtë qëndrim mund ta mbante një grup ekspertësh në Kazakistan me sipërfaqe më të madhe se Europa Perendimore, me rreth 6 banorë për km2, por jo për Kosovën, ku sipërfaqia prej 82 km2 përbën më shumë se 0.75% të territorit të saj. Në vlerësimin e këtij problemi duhet të mbajmë parasysh seriozitetin e  konfliktit kino-japonez për shtatë shkëmbinj në Paqësor.

Për të shprehur një mendim më të saktë për këtë problem, do të kthehem në retrospektivë.

Gjatë viteve të rënda të sundimit turk, disa rajone, nuk e pranuan pushtimin dhe nuk ju nënshtruan plotësisht pushtuesit.

Për shkak të vështirësive ekonomike një numër i madh banorësh të krahinës së Mirditës  kishin migruar në Vilajetin e Kosovës. Ata nuk e pranuan çmimin që u vuri pushtuesi për qëndrimin në Kosovë, konvertimin në fenë muhamedane, prandaj migruan përsëri dhe u vendosën me banim të përhershëm në Sul, që u siguronte mundësi mbrojtje të njejtë me vendin e origjinës. Krahina e Sulit qëndroi në ballë të rezistencës, dhe asnjëherë nuk iu nënshtrua hordhive turke. Rezistencë të pandërprerë kundër turqve bënë dhe banorët e Manit në Pelaponez, banorët e Himarës dhe të Mirditës si dhe të Mali i Zi, që ishin në pararojë të qëndresës.

Në një studim të realizuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, autori polak Marcin Çernjinski konkludonte se pas mirditorëve që janë bashkësia më burrërore në gadishullin e Ballkanit, vijnë malazeztë. Ishte krahinë shqiptare, me emrin Malet e Zeza, me ortodoksë e katolikë dhe një pakicë sllave.

Një krahinë e vogël, në territorin e Shqipërisë Londineze, mban emërin Mali i Zi, njeri prej 7 bajrakëve të Pukës, sot pjesë e bashkisë Kukës, me qendër të njësisë administrative në Shëmri.

Në një hartë të shekullit XIX, ajo që sot njihet Republika e Malit të Zi, me sipërfaqe 13812 km2, pa 82 km2 të Kosovës, ishte një krahinë me sipërfaqe dhe popullsi pak më të madhe se Mirdita.

Por, në të hyrë të shekullit XIX,  me qëllim që të ruanin sundimin në territoret e Perandorisë Romake të Lindjes (Bizantit) në Azi, sulltanët vendosën të sakrifikojnë territoret shqiptare në Ballkan. Nuk është thënë asnjëherë se për interesat e tyre, sulltanët kanë projektuar shuarjen e racës dhe çeshtjes shqiptare në Iliri. Kjo jo me fjalë por me akte ligjore shfarosëse të shoqëruara me veprime konkrete nga vetë Porta e Lartë.

Akti që ka shkaktuar dëmin më të madh çeshtjes shqiptare, është hatisherifi (dekreti) i  3/15 gushtit 1830 i Sulltan Mahmudit II (sovran 1808-1839), ku në tre nga 15 nenet e tij, ai sanksionoi:

Neni 1- Popullit serb i pranohet liria e besimit në kishat e veta;

Neni 9 – Turqit të cilët kanë pasuri të paluajtëshme në Serbi e të cilët dëshirojnë që të lirohen nga ajo u lihet afati prej një viti që t’ua shesin serbëve;

Neni 11 –Të gjithë myslimanëve u ndalohet banimi në Serbi, përveç atyre të cilët u takojnë garnizoneve të qyteteve;

Me këtë dekret, sulltani garantoi të drejtat e kolonëve turq në Serbi, të cilëve u lihej një vit kohë për shitjen e pronave të paluajtëshme të marra si pushtues, ndërsa shqiptarëve, autokton disa mijë vjeçarë para se të zbrisnin serbët e turqit në Ballkan, sulltani u hiqte të drejtën e banimit dhe të jetës në trojet e tyre, për të vetmin faj se nuk kanë arritur ti rezistojnë dhunës së hordhive turke dhe janë konvertuar në muhamedanë.

Në principatën e vogël të Malit të Zi në 1 nëntor 1813, në Njegushë, në rrëzë të malit Llovqen, altarit të shenjtë të popullit malazez, lindi djali i familjes së Petroviqëve, që u pagëzua me emër Radivojo. Në bazë të testamantit të lënë nga xhaxhai Petri I Petroviq që vendin e tij ta zerë nipi dhe jo i biri, pa i mbushur 18 vjet ai bëhet “udhëheqës dhe metropolit i popullit malazez”. Me 6 gusht 1833, në prani të perandorit rus dhe anëtarëve të Sinodit të kishës ortodokse ruse u kurorëzua mitropolit i Malit të Zi dhe mori emërin Petri II Petroviq. Në Malin e Zi qarkullon si rrëfenjë se cari Nikolla I, i habitur nga shtatlartësia e tij prej 210 cm dhe pamja impozante që ia jepte veshja popullore malazeze, i tha: “Po ti qenke më i madh se unë”! Njegoshi iu përgjegj: “Vetëm Zoti është më i madh se cari i Rusisë”. E trajtova figurën e këtij personaliteti që vdiq më 1851, pa mbushur 38 vjet, mbasi ai është autor i poemës “Kunora e maleve”, e vlerësuar si vepra më e madhe në letërsinë sllavojugore. Ai e justfikoi besimin e xhaxhait Petri I Petroviq.

Edhe sipas autorëve malazez, “Kunora e maleve” është vepër poetike epike, që ka patur rol të madh në vetdijësimin e ortodoksëve sllavë dhe në mobilizimin e tyre për luftë kundër Turqisë. Në të 2819 vargjet e poemës, shqiptarët përmenden shumë rrallë. Por poemën e përshkon si një fill i kuq, realizimi i objektivit të vënë nga Sulltan Hamidit II, në dekretin e gushtit 1830, për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre në Iliri, të cilin autori e njihte në hollësi. Poema është një project politik për ndërgjegjsimin e popullsisë analfabete malazeze.

Motivi i poemës është shporrja e turqëve nga Ballkani dhe shfarosja e turqelive. Po kush ishin turqelitë e poemës? Turqelitë nuk ishin askush tjetër përveç shqiptarve të konvertuar në myslimanë, për të cilët ai shpreh mosvlerësim.

Në mes të tjerash në poemë, autori përshkruan arbitraritetin dhe paligjëshmërinë e pushtetit turk, kur në gojën e një princi ve këto vargje:

 

Fale o Zot, çfarë pis miletit,

Si i dehur prej t’ligash e dhunës.

Shkeli diku, ligjet aty s’vlejnë;

çfarë nuk don, në Kuran nuk thuhet. (vargjet 1778-1882)

 

Ndërsa për të vënë para përgjegjësisë e shkurajuar tradhtarët në mesin e popullit të tij, autori  ve në gojën e një princi këto vargje:

 

Zini mend fort ju o malazezë!

Kush ia nis, më i miri është;

E kush tradhton atë që ia nis,

Çdo gjë atij he iu shitoftë;

Zoti i madh dhe fuqia e tija

në arë farën atij i nguroft’!

Zgjebarakët atij veç i lindshin,

Me gisht n’ popull ata u tregofshin.

Fara e tij e keqe u shoftë,

Siç u shua e kuajve t’ larmë!

Pushkë varur mos pastë në shtëpi

krye mashkull mos varrost, prej pushket;

krye mashkull në shtëpi dëshiroftë! (vargjet 2407-2420)

 

Në bazë të të dhënave të autorëve turq, deri në përfundim të Luftës ruso-turke të vitit 1876, popullsia ortodokse, që njihej si malazeze, në rajonet e Podgoricës, Tivarit dhe Ulqinit ishte në numër të vogël. Megjithatë, Njegoshi hodhi themelet, ndërsa pasardhësit e tij një krahinë etnografike, të banuar kryesisht nga arbër të sllavizuar, arritën ta bëjnë komb dhe shtet.

Në veprën “Lahuta e Malësisë”, Gjergj Fishta vlerëson trimërinë malazezve dhe të serbëve në luftë , dhe nuk shpreh asnjë mosvlerësim për ta,  megjithatë është vlerësuar si nacionalist, pse pasqyron me nota të gjalla trimërinë e shqiptarëve. Ndërsa, autori i poemës “Kunora e maleve”,  Petri II Petroviq Njegoshi, që i identifikon shqiptarët turqeli, të pa identitet, dhe që duhen zhdukur, nuk cilësohet i tillë.

Lajtmotivi i veprës, fillim e mbarim, është ndërgjegjsimi i malazezve për luftë kundër turqve e turqelive, domethënë shqiptarëve.

Gjysëm shekulli më vonë Gjergj Fishta e pati  më të vështirë misionin e tij. Atij i kërkohej që me veprën e tij të bënte nga miletet otomane kombin unik shqiptar, ti bënte thirrje elitës, që pavarësisht nga besimi fetar, ti vinte gishtin kokës për një projekt politik kombëtar, që për fatin tonë të keq rrethanat e diktonin që të ishte projekt politik mbrojtës.

Kongresi i Berlinit, që filloi punimet me 13 qershor 1878 me pjesëmarrjen e Rusisë, Turqisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë organizatore, njohu trefishimin e sipërfaqes së Principatës së Malit të Zi, të shtrirë thuajse 100% në territoret shqiptare.

Kongresi miratoi dhe propozimin e Austrisë, që Serbisë ti bashkëngjiten qarqet e Nishit, Pirotit, Vranjës dhe i Toplicës. Me njohjen e pushtimit të këtyre territoreve, Serbia u zgjerua me 10972 km2, ose 85 km më tepër se sipërfaqja e Republikës së Kosovës, bashkë me 82 km2 që akoma nuk ia ka dhuruar Malit të Zi.

Studiuesi Sabit Uka, ka provuar se pas traktatit të Shën Stefanit, brenda një kohe shumë të shkurtër, për rreth një muaji, ushtria serbe spastroi 347 fshatra me popullsi plotësisht shqiptare, 198 fshatra me popullsi të përzier shqiptaro-serbe-çerkeze etj. dhe qytetet Nish, Leskovc, Pirot, Vranjë e Kurshumlli, me popullsi të përzier, shqiptare, serbe, hebreje etj., por me shumicë të thjeshtë shqiptare. Popullsia shqiptare e besimit ortodoks, që përbënte më shumë se gjysmën e popullsisë të këtyre trevave u deklarua serbe. Këtë realitet historigrafia dhe studjuesit e tjerë në Kosovë e Shqipëri nuk kanë arritur ta trajtojnë asnjëherë, mbasi për shkak të dilemës qytetrimore është parë si tabu, prandaj nuk është arritur të ketë qëndrim politik për këtë problem. Sot më shumë se 1/3 e popullsisë së Serbisë janë arbër të sllavizuar, pa llogaritur faktin se serbët si gjithë popujt e tjerë sllavo jugorë janë ilirë të sllavizuar, mbasi ilirët nuk i ka përpirë dheu. Asimilimi i popullsisë ilire dhe arbënore u realizua nga kisha pas predikimit të Biblës së përkthyer nga Cirili e Metodi në gjuhën sllave. Masakrën kundër shqiptarëve të besimit muhamedan, Mbreti Obrenoviq, e justifikoi me dekretin e  Sulltanit Mahmudit II. Një numër i madh banorësh të këtyre rajoneve nuk shkuan në Turqi e vendet arabe, por u vendosën me banim në Kosovë, duke mbajtur si mbiemër emrat e fshatrave të origjinës. Duke patur në territorin e saj një numër të madh arbërish të sllavizuar, dhe shumë banorë muhamedanë të shpërngulur në Kosovë, që mbanin emrat e rajoneve nga ishin shpërngulur, Serbia nuk kundërshtoi bombardimet e NATO-s më 1999.

Pasi ishte bërë fakt i kryer deportimi i shqiptarëve muhamedanë dhe shpallja e asimilimit të shqiptarëve të krishterë në serbë në gjithë rajonet e pushtuara, Kongresi Berlinit si Pons Pilati, deklaroi pavarësinë e Serbisë, por duke vu kusht që Serbia të sigurojë barazinë e plotë para ligjeve për pjesëtarët e të gjitha besimeve.

Megjithatë, kjo dispozitë ishte jetike për shqiptarët, mbasi mbreti Pjetër Karagjorgji, që u ul në fronin e Serbisë më 1903, dhe i biri i tij Aleksandri, nip i Kralit të Malit të Zi Nikolla Petroviqi, nuk ju referuan dekretit të Sulltanit dhe nuk  përsëritën skenarin e Obrenoviqëve për deportimin e shqiptarëve nga Kosova e viset e tjera që futën nën sundim, për në Turqi e Lindjen e Mesme. Pavarësisht anatemimit, që shqiptarët e Kosovës i bëjnë Karagjorgjëve dhë për shkak qytetërimor, kam bindjen se Obrenoviqët në fronin e Serbisë, menjëherë do të kishin përmbushur kërkesën e Mustafa Qemal-Ataturkut,  për ti deportuar gjithë shqiptarët muhamedanë në Turqi, dhe sot nuk do kishte çeshtje shqiptare as në Kosovë as në Maqedoni.

Për të kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit, Sulltan Abdylhamidi II, që pati 265 fëmijë, sapo erdhi në pushtet, nëpërmjet valiut të Prizrenit  Qamil Beu, thirri krerët muhamedanë të Vilajetit të Kosovës dhe të Bosnje Hercegovinës, për të kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit, dhe organizoi vrasjen e mareshallit Mehmet Ali Pasha. Por, shqiptarët reflektuan shumë shpejt, dhe i dhanë ngjyrë kombëtare dhe jo fetare Lidhjes së Prizrenit, duke ndërprerë bashkëpunimin me muhamedanët e Bosnje Hercegovinës. Pavarësisht nga qëllimi për të cilin u ideua nga pushtuesi, veprimet e  Lidhjes së Prizrenit patën rol të rëndësishëm në vetdijësimin e shumicës së shqiptarëve për të marr në dorë fatet e veta. Forcat shqiptare të organizuara nga Lidhja e Prizrenit, kundërshtuan vendimet e Kongresit të Berlinit dhe nuk lejuan lejuar dorëzimin e Plavës, Gucisë, Hotit e Grudës Malit të Zi. Rreth 50-60 mijë banorët e Malit të Zi nuk mund të fitonin me shqiptarët, që në gjithë hapsirën e tyre ishin rreth dy million, ose rreth 40 herë më shumë. Si kompensim, dhe për ti dhënë mësim Sulltanit se nuk mund të anashkalojë vendimet e tyre, Fuqitë e Mëdha i dhanë Malit të Zi qytetin e Ulqinit me rrethinë. Pavarësisht se rreth tre dekada më vonë të njejtat fuqi ia dhanë përsëri Malit të Zi edhe Plavën, Gucinë, Hotin e Grudën, mendoi se nëse Ulqinin do ta zinin luftërat ballkanike nën sovranitetin e Perandorisë Turke, Konferenca e Ambasadorëve në Londër nuk do lejonte që ky port ti hiqej Shkodrës dhe rreth 100 mijë banorët e Malit të Zi të kenë sovranitet mbi dy portet kryesore shqiptare të Tivarit dhe të Ulqinit.

Po të mbeteshin nën sovranitetin e  shtetit shqiptar rreth një mijë km2 të Ulqinit me rrethinë, Fuqitë e Mëdha do vinin nën sovranitetin e  shtetit shqiptar dhe një mijë km2 në Jug, për të ballancuar plotësisht sipërfaqen dhe popullsinë e  Gegnisë mbi Shkumbin me atë të Tosknisë poshtë këtij lumi dhe sipërfaqja e Shqipërisë do të ishte mbi 30 mijë km2.  Duke njohur mirë çeshtjen, Fuqitë e Mëdha lejuan shtrirjen e sovranitetit të shtetit shqiptar, në pjesë plotësisht të barabarta në dy anët e lumit Shkumbin, Gegëni nga Shkumbini në Vermosh dhe Toskëni nga Skumbini në Konispol, koicidencialisht edhe në numër popullsie thuajse të barabartë. Këtë faktor e ka parasysh çdo funksionar Europian kur niset me shërbim për të zgjidhur konfliktet midis forcave politike në Shqipëri, tani në pluralizëm.

Boris Kidriq, hartues i hartës së Federatës Jugosllave, në Konferencën e dytë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë të zhvilluar në Jajcë (Bosnje) me 29-30 nëntor 1943, territorin e diskutueshëm të kufirit Mali i Zi- Kosovë e ka përfshirë brenda Krahinës së Kosovës. Shqiptarët e Kosovës e kanë shfrytëzuar këtë territor pa ndërprerë, si gjatë pushtimit turk dhe serb e deri më sot, pa u shqetësuar asnjëherë nga Republika e Malit të Zi, prandaj kanë fituar sovranitetin mbi këtë territor edhe me parashkrim fitues. Ata nuk kanë patur mundësi të ndërhyjnë në ndryshimin e vijës së kufirit në hartat e hartuara nga specialist serbë e të tjerë. Por, disa forca politike në Kosovë janë përpjekur vetë që këtë territor t’ja dhurojnë Malit të Zi, që të fitojnë pikë para funksionarëve të BE, duke u paraqitur luajalë, ndërsa qeveria malazeze nuk është ndjerë për këtë problem. Përveç kësaj vija e kufirit vendoset mbi bazën e disa parimeve të pranuara prej  mijëra vjetësh. Po të pyesësh çdo madhor nga Oroshi i Mirditës, ku ka banuar familja e Gjomarkajve që për disa shekuj ka interpretuar e zbatuar normat e Kanunit të Lek Dukagjinit, do të përgjigjet menjëherë se kufiri vendoset në majë të lartësisë (kodër, mal) ku ndahet rrjedha e ujrave, ose përpendikular nga lart poshtë dhe në asnjë rrethanë në mes të kodrës (malit), që tjetri të të godasë shtëpinë dhe me gurë, si pretendohet në këtë rast.

Konferenca e dytë e KAÇKJ në Jajcë, dy komunat e luginës së Ana Moravës: Bujanovc, Preshevë si dhe komunën e luginës së Medvegjës në verilindje me sipërfaqe të përgjithshme 1,249 km2 dhe me rreth 100 mijë banorë (1991), shumica shqiptarë, i ka përfshirë brenda kufijve të Kosovës.

Serbia gjithnjë ka parashikuar shkëputjen e Kosovës dhe ruajtjen e sovranitetit mbi rajonin e Nishit, prandaj fill mbas luftës, me qëllim që shqiptarët të mos kenë mundësinë e shfrytëzimit e vendimmarrjes lidhur me Koridorin X, Selanik-Shkup-Nish-Beograd- Europë, ka kërkuar ndryshim të kufijve, dhe këmbimin e territoreve. Me vendime respektive të Kuvendit të Republikës Socialiste të Serbisë dhe të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ja ka marr  territorin e dy luginave Kosovës duke e “kompensuar” me komunën e Leposaviçit me sipërfaqe 536 km2 dhe me 18,044 banorë (1971) prej të cilëve 942 ose rreth 5% shqiptarë. (Hivzi Islami-Kosova studim demografik). Po qe se ndryshimet e kufijve do të bëheshin apriori, Serbia nuk kishte pse të pyeste Kosovën.

Prandaj, për këdo që ka njohuri minimale gjeopolitike, e habit propozimi i Rexhep Qoses për këmbim territoresh, që Kosova t’i kthejë Serbisë komunën e Leposaviqit dhe Serbia të heqë dorë nga sovraniteti mbi luginën e Ana Moravës dhe të Medvegjës. Nuk bëhet gabim nëse vihen shenja barazimi të rëndësisë së këtyre luginave me atë të ngushticës së Otrantos, prandaj Serbia kurrë nuk do të pranojë ta kthejë këtë territor.

Për këto arsye, presioni i Bashkimit Europian se nuk bën liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës, mbasi për serbët me dy shtetësi janë të liberalizuara, pa ja dhuruar 82 km2 Malit të Zi jo vetëm nuk është parimor por denigrues e shumë fyes. Ndryshe nga sa Fuqitë e Mëdha të Europës vepruan në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që vendosën copëtimin e trojeve etnike iliro-shqiptare pa i pyetur shqiptarët, për të legjitimuar ato masakra, tani ju kërkojnë  shqiptarëve që me “vullnetin e tyre të lirë” ti dhurojnë edhe 82 km2 Malit të Zi.

E vërteta është se malazeztë kanë luftuar njëlloj si shqiptarët, ndërsa serbët kanë pranuar nënshtrimin duke qëndruar raja, që nga 10 qershori 1389 kur u mundën bashkë me të tjerët në Fushë Kosovë, deri më 1804.

Peter II Petroviq Njegoshi shkruan në “Kunorën e maleve”:

Far’ e serbit asgjëkundi s’mbeti;

bujq u bënë luanët e djeshëm,

turq u bënë lakmues e frikashët

I zgjeboftë qumshti serb që thithën! (vargjet 258-261)

Të pa bindur se mund t’ja dalin vetë, serbët i kërkuan që t’u prijë në luftë kundër turqve, pinjolli i një familje shqiptare të larguar  nga Kelmendi në vitin 1757, e vendosur me banim fillimisht në Novi Pazar e pastaj në rrethinat e Beogradit, i quajtur Gjergj Pjetri (serbisht Xhorxhe Petroviq). Megjithse kishte lindur në Serbi, prindërit e tij dhe Ai nuk e njihin rajallëkun, prandaj pa iu trembur syri, udhëhoqi kryengritjen e parë serbe, të nisur me 15 shkurt 1804, duke hedhur themelet e shtetësisë serbe.  Për këtë vepër turqit i vunë nofkën kara ( i zi), që u mbeti dhe si mbiemër i familjes mbretërore Karagjorgji.

Secili vendimmarrës që do të shikoj hartën e principatës së Malit të Zi në mesin e shekullit XIX, me rreth tre mijë km2 sipërfaqe, pa dalje në det, të cilën ma dhuroi, pedagogu dhe studiuesi, avokat Eugen Pepa, dhe hartën e Malit të Zi sot me sovranitet mbi portet shqiptare të Ulqinit e Tivarit dhe me sipërfaqe mbi katër herë më të madhe, do të turpërohet me urdhërimin që Kosova t’ja dhurojë edhe 82 km2.

Bashkimi Europian e di se tokat nuk u kanë pjellë as Serbisë as Malit të Zi, por u janë marr shqiptarëve që i zotronin shumë mijëvjeçarë para se të vinin sllavët në Iliri, prandaj nuk kanë asnjë arsye që tu bëjnë presion shqiptarëve në Kosovë, e institucioneve të brishta të saj, që ti vetëdorëzojnë edhe 82 km2 Malit të Zi.

Koha ka provuar, se në çeshtjen shqiptare, shtetet kryesore të BE dhe Rusia e kanë demostruar njëanshmërinë e tyre, si në vendimmarrjen e Berlinit më 1878 dhe të të Londrës më 1913, prandaj vetëm SHBA ka mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi. SHBA, gjithnjë kanë mbajtur qëndrim parimor si për çeshtjen shqiptare dhe për probleme të tjera të marrëdhënieve ndërkombëtare, që nga Konferenca e Versajës e 1919 e deri më sot.

Në këto kushte, mendoj se institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë ndihmën e drejtë për drejtë të SHBA për këtë çeshtje.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: