Nebi Dragoti: Dukuri poezie
| E Hene, 27.11.2017, 09:22 AM |

NEBI DRAGOTI

DUKURI POEZIE, 2017.

1-  VLERA E POEZISË

Kritikë

Duke lexuar një poezi dhe komentet rreth saj më lindi ideja të shkruaj: “Vlera e poezisë”. Kjo ka rëndësi të madhe për të ngacmuar në kujtesë si krijuesin, kur shkruan, si lexuesin , kur komenton në facebook. Kjo punë duhet të jetë tepër serioze si për njërin ashtu dhe për tjetrin. Do të thotë dikush: “Ka vlerë e vlerë”. Dakort, shumë dakort me këtë. Pra duhet gërmuar vlera për ta futur në krijim. Vlera e poezisë, kur nuk i mungon, rrit personalitetin e krijuesit dhe interesin e lexuesit për ta lexuar dhe rilexuar. Pra, është fjala mos të shkruajmë kot. Gjer këtu kushdo është dakortme çfarë shpreh. Por…por ka krijues, realisht, që shkruan dhe as i vete në mendje, se çfarë vlere i jep krijimit. Ky krijim nuk është poezi. Jo “vlerë” për vete, për penashkruesin, por duhet vlerë për shoqërinë qoftë temë politike a temë sociale e të tjera motive që rrok poeti në proçesin e krijimit. Ka që shkruajnë cingrramingrra e shumë larg qëndrojnë, shumë të veçuar janë në aspektin: poezia kërkon vlerë për shoqërinë, se asaj i përket. Fjala vlerë për ta përcjellë në shkrime është shumë, shumë komplekse, e, kush e kap këtë është i fituar dhe ka meritë.

2- KRITIKËT E VËRTETË TË ZGJOHEN

Ku janë shkrimet kritike nga kritikë që janë strukur e nuk duket ku janë futur. E kam këtu: të publikojmë vlerat reale për lexuesin, se kjo është detyra e kritikut dhe krijuesit. Si kritik këtë ia kërkoj vetes me të madhe dhe kjo vjen ngaqë publikohen poezi të dobëta, kështuqë, konstatohet, poezia ka rënie. Ka shumë poezi që nuk ngërthejnë temën shoqërore. E di që ka dhe krijues që nuk kanë njohuri elementare të vjershërimit. Po këtë desha të them edhe për disa qe e mbajnë veten për poet. E di që shkruajnë çfarë u vjen në mendje, pra, fluturojnë nëpër re e duke u futur nëpër to mendojnë se kanë kapur qiellin duke u kalamëndur si nëpër ëndrra. Eh, dhe po të mbushet letërsia plot e përplot më këto…ç’ bëhet?! Jo, jo ky nuk është arti poetik, që duam të lemë mbrapa, siç na kanë lënë të tjerët. Duhet art i shëndetshëm dhe jo ,o burra, të shkruajmë çfarë na vjen për mbarë, se na i boton media elektronike e ndonjë tjetër. Jo, jo nuk duhet ushqyer poezia me cingrramingrra, siç jam shprehur edhe shumë here të tjera. Kritika le të zgjohet dhe të bëjë detyrën pa u frikësuar. Lexuesit t’i japim artin e duhur. Këtë e kërkon koha dhe këtë realizim ta kemi detyrë numër një.

3- VJERSHË QË S’ ËSHTË VJERSHË

Vjersha të jetë si vreshta e ngarkuar me prodhim. E, kush ëndërron të bëhet poet, kjo nuk është e lehë.   Arti i poezisë ka shumë për të mësuar. Duhet mësuar e duhet stërvitur, duhet sitë për të situr tematikat e shumta  që gëlojnë në tru.Duhet përzgjedhje, pastaj, pasi ke caktuar temën, përcakton objektivin, ecurinë e zhvillimit duke gërshetuar mendimin me figuracionin. Mendimi ka mesazhe; figuracioni është ganityrë e krijimit. P.sh. tema hëna ose dielli ka trajtim të ngushtë, kur vargëzon rreze e vetëm rreze. Trajtim në gjërësi e thellësi e jep i përgatituri. Zotësinë e tregon talenti i formuar si talent me diapazon gjithëpërfshirës, çfarë kërkon një krijim që të arrijë në stadin e duhur. Shikohen shumë dobësi në krijimtari edhe me krijime skematike si një bimë e tharë. Ka që gënjejnë veten me krijime të dobëta e botojnë dhe volume pa i kaluar në dorën e redaktorit. Sot volume të shumta dergjen e s’ i  prek njeri me dorë. Ka prozaizëm të theksuar e kur x poeti i bën verejtje, të pergjigjet, se shkruan poezinë modern…pra, kështu u shkruaka. Edhe vargu në konceptin e fjalës ka pësuar lëkundje… Ka , pra, që thurin vjershë që nuk është vjershë. Kjo kategori gënjen veten , kur shprehet se është poet. Kështu gënjehet edhe lexuesi se po lexon poezi.


LOTË NË GJYKATË

Tregim
Futen në paradhomën, ku pritet për t’i thirrur në gjyq, dy femra me një djalë aty afër gjashtë vjeç. Po aty, nënë e bir, qenë ulur në kënd të dhomës që edhe këta prisnin gjithashtu. Për këto dy palë, ne , që ndodheshim aty, nuk dinim asgjë. Djali u shkëput nga nëna dhe një femër tjetër e shëndetshme bullafiqe dhe iu hodh gjyshes në qafë, pastaj babait të përlotur. Gjyshja  e puthte panderprerë dhe u shkri në të qarë. Dihet dhimshuria e kësaj moshe të tretë… E pyesnin djalin se si e kishte kaluar. Edhe i ati, duke qarë, mundohej ta mbante veten dhe sikur i jipte zemër birit. Atëherë, ne të tjerët, kuptuam se  ishtë fjala për divorc. Çudia dhe dhimbja na pushtoi dhe ne të tjerëve, që mundoheshim t’i jipnim zemër atij babait dhe asaj gjyshes, që e kishte zënë e keqja në pleqëri me një këmbë në varr siç i thonë. – Djali do të rritet e do të bëhet burrë,- foli një grua ezmere, - mbajeni veten! Po kështu u drejtua dhe një tjetër, dhe një tjetër. Njëra femër, si duket nëna e djalit, u kishte kthyer kurrizin, kurse tjetra i shikonte dhe me buzë në gaz diç mërmëriste. E habitshme, djali shmallej, por nuk i doli asnjë pikë loti. Zemër fëmie, botë fëmirore ndërmjet dy dashurive të babës, që e shtërngonte fort birin e tij dhe , përballë, nena zemërgur, që u kishte kthyer shpinën. Në gjykatë do të zgjidhnin hallet. Mjerë kush arrin në këtë pike!  Dhe , si duket, hallet e jetës sa kishin filluar. Kush dreqin, kush do t’ua mbyllte plagën, apo plaga do të qëndronte hapur gjithë jetën për fëmijën? Kush e ka fajin: as dreqi nuk e zgjidh e jo më gjykata. E, dreqi, në raste të tilla nuk do t’ia dijë. Djalli nuk ka dhimbje dhe nuk loton. Gjeje fajin po të duash!...



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: