http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Entela Binjaku: Shqetësime të reja
| E Shtune, 18.11.2017, 09:24 PM |

Shqetësime të reja në kulturën e komunikimit

Nga Entela Binjaku

Në fillimet tona të lëvrimit të platformave online  nuk e kishim menduar se do të vinte dhe dita kur do të flisnim për shqetësime që lidhen me to. Ishim kaq të pamësuar me këtë mjedis të ri  saqë nuk patëm kohë të mendonim sesi e kishim bërë kapërcimin gjigand nga një shoqëri ku elektrifikimi u krye vonë, kur nuk kishim as telefoni dhe televizori ishte luksi i një pakice,  në kohën e platformave teknologjike të shpejta dhe me epërsi. Interneti është  bërë mediumi ku takohemi breza të ndryshëm, grup-mosha, origjina, nivele, botëkuptime dhe ku befas po na shqetësojnë të njëjtat arsye: dikush na fyen, na keqkupton, keqpërdor besimin tonë, shpërdoron një çast të ndarë në foto apo video etj. Këtë verë shumë prej nesh mësuan edhe për lojra me rrezikshmëri të lartë për psikologjinë e adoleshentëve. Numri më i lartë i përdoruesve të internetit  është në radhët e të rinjve  ndaj dhe lidhur me rreziqet, shqetesimet për sigurinë dhe privatësinë në internet duhet të flasim veçanërisht me ta dhe për ta.  Pothuajse asnjë ditët tona nuk i reziston dot përdorimit të celularit dhe interneti është kthyer në një domosdoshmëri në përditshmërinë tonë.  Por  si të pamësuar me këtë ritëm përdorimi i teknologjisë nga ana jonë jo gjithmonë gjen  arsyetim logjik, madje as para pasojave të drejtëpërdrejta që ka ndaj shëndetit. Mbi këtë nevojë të re, mbi shqetësime që lindnin ose riktheheshin u shfaq dhe ideja e projektit mbi sigurinë dhe privatësinë në internet. Ky projekt ka për nismëtarë një grup të rinjsh të njohur ndryshe si “komuniteti SPI”. Ata sapo kanë përmbyllur 1 vjetorin e projektit gjatë të cilit organizuan 15 takime nëpër shkolla të mesme dhe të larta publike dhe jopublike fillimisht në Tiranë, pastaj Shkodër dhe Korçë. Në përmbyllje të kësaj faze të parë dhe në vijim të një zhvillimi të ri, komuniteti SPI kreu edhe një ëorkshop me të rinj pjesëmarrës dhe pedagogë nga Universitetet. Takimi u krye në mjediset e Universitetit “Metropolitan” në Tiranë ku pjestarët e projektit janë edhe studentë apo ish-studentë.  Në këtë takim u fol lidhur me  sigurine online si dhe me pasojat që ka tek të rinjtë humbja e kësaj sigurie, cili është përjetimi i tyre  kur cënohet privatësia, kur të dhënat vidhen apo një foto, material video shpërndahet pa të drejtë.

Gjate fushates ndërgjegjësuese nismëtarët e komunitetit të sipërpërmendur realizuan  një anketim lidhur me problemet që hasen në përditshmërinë tonë në internet. Sipas anketimit të realizuar prej tyre “Siguria dhe Privatesia ne Internet” është një shqetësim që  i prek thuajse të gjithë sidomos individët që nuk janë të fushes së Informatikës dhe kane informacione te dobëta ne lidhje me Sigurine dhe Privatesine ne Internet. Pjesa më delikate e cila dëmtohet në Internet jane fëmijët e moshave nga 9 – 15 dhe adoleshentët e moshave 16 – 18 vjeç, pa lënë menjanë edhe persona te moshave +50 te cilet kanë një mangesi të theksuar informacioni rreth kësaj dukurie. Qëllimi i kësaj fushate është te ndahen njohurite bazike te mbrojtjes se te dhenave personale dhe keshillat qe duhen pasur kujdes sa here qe kemi qasje ne Internet. Nga kjo fushate ata shpresojnë te mbeshteten nga  Institucionet Arsimore Publike dhe Private, Sipermarres, Individë dhe Shoqata te cilet e ndajne shqetesimin e njëjtë me nismen e kesaj fushate.  Studiuesit shoqërorë, terapistët e sjelljes, psikologët në veçanti, dhe njerëzit që punojnë në shoqërinë moderne janë të shqetësuar për ndikimet që ka interneti  tek të rinjtë, adoleshentët apo fëmijët.  Këtë grupmosha janë të  rrethuar një rrjet i dendur mediash online, revistash, librash, stacionesh radiotelevizive etj. Fëmijët po rriten nën presionin e një informacioni të shumëllojshëm që jo gjithmonë është i kontrolluar. Dhe nën këtë presion formohen ndjenjat, emocionet, perceptimi njohës, idetë dhe vlerat e tyre morale. E mira dhe e keqja ju afrohet fëmijëve në forma dhe përmbajtje të ndryshme. Aktualisht interneti dhe televizori  kanë zënë një vend të rëndësishëm në kohën që i kushtohet nga ana e të rinjve adoleshentë. Kjo gjë mund të ndikojë në mënyrë të fuqishme në zhvillimin e sjelljes dhe të vlerave morale, duke ditur që vecanërisht mediat virtuale dhe rrjetet sociale po gëzojnë një impakt të fuqishëm në krijimin edhe të një mentaliteti të jetës shoqërore.  Shqetësimet prej cënimit të privatësisë duhen kuptuar edhe në një kontekst që lidhet me veçantitë e adoleshencës si ajo fazë e jetës ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së  rritur që fillon me pubertetin. Në përgjithësi ajo fillon rreth moshës 14 vjeç tek meshkujt dhe 12 vjeç tek femrat e përfundon me pjekurinë. Adoleshenca është një periudhë transformimi, si biologjik ashtu edhe shpirtëror. Ritmet e këtyre ndryshimeve fillimisht janë shumë të shpejta, por fillojnë të ngadalësohen rreth moshës 18 vjeç. Në këtë kuadër vecantish të adoleshencës dhe ndikimesh prej teknologjisë duhen parë edhe pasojat që sjell tek ata shkelja e sigurisë apo e privatësisë. Jo pak herë  te rinjte janë gjendur në mes të një konflikti që ka nisur prej një shkeljeje qe ka lindur ne mjedisin virtual dhe është transferuar në realitetin e përditshëm. e mungesës së komunikimit. Kur komunikimi mungon apo nuk është cilësor lind konflikti.  Burim konflikti mund të shërbejë një mesazh i shkruar keq, i dërguar pa kujdes, të dhëna që vidhen dhe shpërdorohen etj. Të komunikosh, do të thotë të njoftosh, të hysh në lidhje me dikë, të merresh vesh mirë më dikë, apo të gjesh gjuhën e përbashkët. Por është kultura ajo që përcakton atë ç’ka njerëzit vlerësojnë dhe atë për ç’ka ata janë të prirur të hyjnë në diskutime, dhe është po kultura që në të njëjtën kohë sugjeron mënyrat e duhura të sjelljes në diskutime të veçanta dhe u jep formë niveleve të komunikimit. Kultura është ajo që ndikon mbi atë për të cilën luftojnë njerëzit dhe në mënyrën se si ata sillen. Kultura është ajo që përcakton mënyrën se si klasifikohen njerëzit, si vlerësohen veprimet e mundëshme dhe se si ndahen përgjegjësitë e caktuara. Në këtë kulturë duhet të gjejnë vend edhe shqetësimet e reja që lidhen me format e reja të komunikimit. Ndaj edhe siguria dhe privatesia në internet është po aq cështje e njohësve të mirë të internetit sac është edhe cësthje që lidhet me njohësit e mirë të kulturës dhe komunikimit në një kontekst të caktuar kulturor.