Poezi nga Luan Kurti
| E Premte, 03.11.2017, 07:00 PM |

BIOBIBLIOGRAFI

Luan Kurti u lind më 10 mars 1964 në qytetin e Lushnjës dhe banues në Tiranë. Statusi: i martuar dhe me dy fëmijë.  Rrjedh nga një familje punëtorësh. Shkollën tetëvjeçare (1970-1978) e ka kryer në qytetin e lindjes, kurse të mesmen (1978- 1982) në Kuçovë, për “Shpim Kërkim për Naftë e Gaz”. Punoi dy vjet nëpër puset e naftës dhe pastaj shkoi të kryej shërbimin ushtarak (1984-1986) në ishullin e Sazanit në marinë. Deri në vitet 1990 punoi si teknolog në fabrikën e tullave Lushnje. Studimet e larta i kreu pas kësaj periudhe (diplomohet në vitin 2003) në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dega: “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe”. Në vitin 2011 diplomohet Msc, në Shkenca Komunikimi në Universitetin Evropian të Tiranës. Aktualisht punon si redaktor në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP). Fillimet letrare i përkasin moshës 13- 14 vjeçare, por botimet janë të një periudhe të më vonshme, si më poshtë vijon: Botime:    2001 -  "Ndaleni anijen!" (Tregime e novela); 2002 - "Rroj nga dashuria" (Poezi); 2003 - "Udhëve të botës" (Roman); 2004 - "Dehje pranverore" (Poezi); 2005 - "Flaka" (Roman); 2008 - "Mall" (Poezi); 2009 - "Vorbulla e mëkatit" (Roman); 2016 - "Aislin" (Poezi); 2016 - "Jetë e mohuar" (Roman); 2017- ”Dashuria mision drejt së pamundurës” (Roman); ”Hija e ëndrrave tona” (vëllim bilingv, shqip-rumanisht, 2017).

 

PA FJALË

 

Nëse fjalëve nuk ju beson,
dhe gazit, dritës që kam në sy,
vër veshin timit kraharor,
të dëgjosh zemrën si rreh për ty.

Do ta kuptosh vetë sekretin,
dhe do më japësh të drejtë,
shpresoj një puthje të meritoj,
ashtu të bukur, të shpejtë.

Pastaj të shprehesh fare çiltër,
siç them pareshtur në ëndërrime,
të dua shumë o yll i ndritur,
ti je kuptimi i jetës time!

 

LOTËT

 

Ky shpirt i munduar, i lodhur, i plagosur,

nga padrejtësitë, mungesa e sinqeritetit,

mohimi i gjithçkaje të bukur,

të thjeshtë, njerëzore,

në këtë mbrëmje të zakontë pranvere

përlotet si fëmijë nga drita e një xixëllonje.

Përlotet nga mendimi dhe ndenjat,

se të vërtetat e kësaj bote,

janë më të qarta, më reale

në qeniet e vogla,

dhe bëhet ëndërrimtar,

i brishtë si ato…

 

REFRENI I JETËS

 

Na shkoi jeta,

me grindje të kota, me sharje,

me lotë, urrejtje, përbuzje pa kuptim,

duke mallkuar fatin tonë të zi!

Na shkoi jeta aq

sa s’jemi në gjendje të kuptojmë

ç’ka patur të mirë, të bukur,

me vlerë në këtë jetë!

Na shkoi jeta,

herë na duket e gjatë, tepër e gjatë,

e mërzitshme,

herë në duket e  shkurtër, tepër e shkurtër,

si puhizë.

Na shkoi jeta…

 

EPISOD GJUMI

 

Veten e shihja përçudnuar,

këmbët kishin zënë vendin e kokës

dhe urdhëronin…

koka qe ulur poshtë, e bindur

dhe duart si putra shihte me habi,

sytë një lëndinë me bar po kërkonin,

kurse krahët pyllin pa kufi…

Mesa duket qeshë kthyer në majmun!

Ç’fatkeqësi, thashë me vete,

kushedi sa kohë do më duhet,

të kthehem përsëri në atë që isha!

 

BOTA PËRSËRIT VETËVETEN

 

I vogël isha, u rrita

me ëndrra dhe dëshira krahëprera,

sepse isha i varfër!

Martesa me fat një vajzë më dhuroi,

të dytën fëmijë e pres,

i lumturuar, por shpirt lënduar

sepse jam i varfër!

Dhe një mendim të qetë s’më lë për dreq:

kur do t’i vijë fundi kësaj varfërie!

Çdo çast veç vuaj e heq!

As Zoti i madh, i fuqishëm

s’i del për zot kësaj tragjedie!

Fëmijët rriten, unë shkoj drejt plakjes,

im atë nesër s’do të jetë…

Bota përsërit vetveten…!

 

PYETJE PËR JU E PËR VETE

 

Kush jam unë? Përse jam ky që jam,

mbaj këtë emër, këta flokë, këta sy?

Në ëndrra vetveteja më shfaqet,

herë lis i fortë, herë dragua, e herë mi.

Po, po, mi i ndyrë, i pështirë,

madje një herë krimb zvarritës!

Krimb? Hihihi, krimb!

A kam të drejtë të hedh farën time, të lind,

të sjellë në këtë botë të ngjashmit e mi?

A mund të jem zot i vërtetë i planetit,

siç duan të thonë,

kur akoma s’ndihem zot i vetvetes?!

A kam, a jam, a duhet, a... si?

 

EDHE BRENDA EDHE JASHTË

 

Dhe brenda dhe jashtë meje ti je,

me mijëra kilometra të mbajta në udhëtim,

në mërgim, brenda shpirtit tim!

Dhe hapin ma bëre më të lehtë,

dhe mallin më të madh oqean,

Ti, valëz e ëmbël, dallgë që të rrëmben!

Aromën e flokëve të tu e kam me vete,

vështrimin e atyre syve që ndrijnë,

ku mijërë puthje, përqafime, lutje përgjërohen,

dhe kërkojnë të rindizen në kthim!

 

E VËRTETA U MBYT!

 

E vërteta u mbyt!

Të pavërtetat lundrojnë sipër gjoleve

si bretkoca bullafiqe.

Kuaku i tyre i çjerrë, si kor marramendës

na i bëri ditët më të lodhshme,

të mërzitshme, monotone.

Askush nuk mundet të na shpëtojë,

s’mjafton një fill çorapi najloni

në majët të grepit.

Bretkocat,

kullufitën jo vetëm grepin,

por ditët, netët, diellin dhe hënën,

dhe na bën të kuisim si ato…

E vërteta u mbyt!

 

VETMI

 

I ulur këtë mbrëmje në verandën e shtëpisë

po pi raki,

pi, pi dhe vetëm pi,

me një gotëz të vogël, të thjeshtë, të qelqtë,

po kalon mesanta.

Afshi i ngrohtë dehës, më trallisi,

por brengën që më mundon s’mundet të ma largojë,

hidhërimi brenda meje pi me doza më të mëdha!

Më sillni një gotë më të madhe,

ju marrtë dreqi, çirrem,

një gotë me raki buzë më buzë,

që portat harresës t’ia hapi,

të më falë pakëz gëzim, pakëz qetësi!

Dhe pimë, pimë me dolli pa fund,

unë dhe hidhërimi im,

asnjëri prej nesh s’po mposhtet,

gara vazhdon dhe kënga e bulktheve po resht,

teksa mëngjesi me freskinë

në qepallat e syve të mi të lodhur, po ulet…

 

POETIT

 

Dy krijesa rrinë, flenë brenda tij,

si dy degëzime që duke rrjedhur

prej së largu,

në një të vetme bashkohen

në harmoni.

Njëra, e zakonshmja,

që ecën, flet, qesh,vrapon,

mëkaton, ëndërron.

Tjetra, hyjnorja, e thjeshta, e urta,

e çiltra, qiellorja…

Me frymën  e Zotit ngjizur, ushqyer

si  një pasqyrë,

ku refelktohen përjetimet, dhimbjet,

lotët, vuajtjet, brengat tona.

Nga tehet e ndjenjave të kundërta,

si nga maja thikash përgjaket,

flaket brigjeve të vetmisë,

shkëmbenjve me kryet në re,

gjer në përjetësi!

 

DUKJA

 

Kujtoni se jam i lumtur, i ngazëllyer!

Mos u gaboni nga dukja, mendimet e mia,

fjalët në erë.

Ajsbergut veç maja e ndritshme i duket përherë,

gjithçka tek mua rri vertikalisht, s’ka bazë,

shkulet lehtë rrënjësh,

e ç’prisni më shumë nga një dykëmbësh!

Mendimet, idetë, dëshirat, ëndrrat,

bile dhe dashuria, gjithë e tërë,

varka të mbetura në rërë,

zogj të vrarë.

Në zgrip të dëshpërimit qëndroj,

si mbi humnerë,

me një flamur të bardhë ndër duar,

kërkoj timin far.

Dielli po perëndon në sfond,

e errët e frikshme nata po bie,

i fortë vrulli i erës, kjo stuhi,

në breg më presin varkat e harrimit…

 

SHPETOMË!

 

Shpëtomë

nga vetvetja, pjesa ime më intime,

egoiste, e panginjur, djallëzorja,

që gishtërinjtë prej akulli si metastazat

shtrinë në thellësi

dhe gonxhet e dashurisë

kërkon t’i vyshkë, t’i thajë, t’i mbysë,

me lot ngashërimi.

Shpëtomë

nga honet, ferri i mendimeve të errëta,

vorbullonjëse,

nga grackat e instikteve, epsheve përvëlonjëse,

tundonjëse deri në çmenduri.

Shpëtomë!

S ‘jam engjëll, shenjt, por njeri!

Ndjemë, kuptomë, pastaj gjykomë!

Shpëtomë!

 

HALLET I QAJ ME TË VDEKURIT

 

Kam kohë që hallet e mia,

i qaj me të vdekurit,

kur shkoj tek varret apo në parafytyrim,

sepse kam bindjen ata më kuptojnë,

nuk më paragjykojnë, nuk më lëndojnë.

Kanë hequr dorë nga lakmia,

nga ambicia, dëshirat perverse,

nga uni vrasës,

që për të realizuar vetveten

është gati të mbysë në gjak dhe lot

gjithçka që i del në udhë.

Me të gjallët e vdekur komunikoj,

vetëm me kod, telegrafisht…

 

PLANETI IM!

 

Fjalët për ty nuk shterin,

zemra rreh pa përtim,

je ëndrra, pasioni, shpresa,

Ti je planeti im!

 

Planeti që unë eksploroj,

prej vitesh që rrodhën përrua,

dhe s’di në do mundem t’i rrokë,

visaret, gjithë hiret e tua!

 

Në ditët kur vdekja t’na ndajë,

dashuria për ty s’do venitet,

ky shpirti im satelit,

planetit tënd do vërtitet!

 

LUMI BRENDA TEJE

 

Shkruar kam kaq shumë për ty,

fjalët janë shkreptimë rrufeje,

në çdo çast të kam në sy,

unë jam lumi brenda teje.

 

Unë jam lumi i shkumëzuar,

rrjedh prej shpatesh, lartësish,

kurmin tënd  për ta pushtuar,

zemra ime që ta dish.

 

E DONTE SI I MARRË

 

E donte me zjarr,

dhe pse të tjerët e quanin të marrë,

lolo,

që një të padenje i thurrte lavde.

E donte si i marrë,

në gjendjen më fisnike

dhe më të pagjykueshme

ku shpirti flet

dhe arsyeja meskine hesht.

E donte si i marrë,

se e marrë

ishte vetë dashuria!...

I pëlqente ajo gjendje ekstaze,

deliri,

ku ishte vetëm Ai,

Ajo

dhe pafundësia...

E donte si i marrë...

 

RROJ NGA DASHURIA!

 

Kur u linda unë gjithçka në botë qe ndarë,

toka, pyjet, uji, detet, fatet!

Përpara se të shihja lindjen e diellit,

unë pashë perëndimin,

përpara se të shihja dritën e hënës,

unë pashë mugullimin,

përpara se të dëgjoja këngën e bilbilit,

dëgjova të qyqes, vajtimin.

Përpara se të provoja buzëqeshjen,

gjer në pikën e fundit shijova hidhërimin,

lutjen, pendimin, mallkimin!

Mëkatin e të parëve të mi vuaja,

dhe vuaj gjer’ më sot.

Në botë kisha mbërritur tepër vonë,

si një re e bardhë në qiell, fare kot!

Kam hedhur spirancën

mbi këtë varr të përbashkët,

që quhet tokë,

në këtë liman ligësish, në këtë ferr

si shumë të tjerë,

mëshira për veten më mban akoma këtu,

dhe dashuria s’di ku do më shpjerë!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: