Reshat Kripa: Ago Shero Agaj
| E Shtune, 06.05.2017, 09:55 AM |

Ago Shero Agaj

Ne kuadrin e 120 vjetorit te lindjes

Nga Reshat Kripa

Lindi më 7 mars 1897 në Smokthinë të Vlorës, në një familje të njohur për patriotizmin e saj. I ati i tij, Shero Emin Agaj, pjesmarrës në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë, ka kryer detyrën e komandantit të xhandërmarisë shqiptare në vitet 1913-1914.

Shkollën fillore Agua e kreu në vendlindje. Kurse shkollën e mesme dhe atë të lartën në Vjenë të Austrisë, ku u diplomua në degën e ekonomisë agrare. Pasi përfundoi studimet, për shkak të Luftës së Parë Botërore,  duke mos pasur mundësi të kthehej në atdhe, punoi një vit në Moldavi dhe një vit në Poloni si agronom. Mundi të kthehej në vitin 1919.

Në janar të vitit 1920 merr pjesë në delegacionin e rrethit të Vlorës në Kongresin e Lushnjes, ndërsa në qershor të atij viti bëhet pjesmarrës aktiv i Luftës së Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Në qershor 1924 bashkohet me lëvizjen fanoliste. Ji si shkruan ai lidhur me qendrimin e tij perkrah Nolit”

“Unë, edhe pse admiroja Zogun për veprimet e tij, e pashë se Noli ishte idoli ynë i lirisë së bashku me Gurakuqin, Fishtën e Koçulin. Dhe, u bëra me ta. Më ftuan dhe më ngarkuan të organizoja krahinat e Vlorës. I thirra lebërit dhe ata erdhën, më dëgjuan e nuk më kthyen fjalën. U formua batalioni i Vlorës dhe shokët më zgjodhën sekretar. Kështu, të organizuar, arritëm deri në Tiranë.”

Pas vendosjes së mbretërisë shqiptare punoi si Drejtor i Shkollës Bujqësore Lushnje dhe si agronom kudo ku ishte nevoja e atdheut. Në vitin 1929 ishte antar i komitetit për reformën agrare. Në vitin 1932 arrestohet si pjesmarrës në lëvizjen kundër Zogut, por lirohet përsëri. Nga viti 1932-1941 punon si ekspert i agrikulturës në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare.

Në kohën e Luftës së dytë botërore, kur më 17 prill 1941 mbretëria jugosllave u dorëzua dhe viset shqiptare të Kosovës dhe Metohisë iu bashkuan Shqipërisë, shumë patriotë shqiptarë u drejtuan për atje, për të  ngritur administratat shqiptare në vend të atyre serbe. U emërua prefekt në prefekturën e Mitrovicës që përmblidhte edhe nënprefekturat e Vushtrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri.

Atje ai filloi shqiptarizimin e administratës së Kosovës. Kryetar gjykate caktoi Shefqet Shkupin, prokuror Kudret Kokoshin, komandant xhandërmarie Bajazitin, djalin e Isa Boletinit, mjek Ibrahim Dervishin dhe të tjerë, të gjithë vullnetarë të ardhur nga Shqipëria. Për një kohë të shkurtër Mitrovica përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë. Kjo liri e ndezi aq shumë popullin e krahinës sa edhe gratë, gjë nuk kishte ndodhur më parë, morën pjesë në kremtimin madhështor që u bë më 28 nëntor 1941.

Gjatë qëndrimit në Kosovë ai shpëtoi mjaft hebrej të cilët i vendosi në një godinë të mirë dhe më pas, kur gjeti mundësinë, mundi t’i dërgonte në Shqipëri si dhe mjaft jevgj dhe ciganë të cilët ai i paraqiste me origjinë nga Egjypti dhe India dhe që ishin nomadë. Për të vërtetuar këtë shërbeu libri i profesor E. Novak i cili ishte marrë me studimin e tyre. Kështu ata shpëtuan dhe në shenjë mirënjohje dhanë një koncert siç dinin vetëm ata.

Në qershor 1943 merr pjesë në mbledhjen themeluese të Lidhjes se Dytë të Prizrenit së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë patriotë, midis të cilëve Bedri Pejani që u zgjodh kryetar i saj. Kjo lidhje ishte nje kundërpeshë e lëvizjes komuniste në Kosovë dhe Shqipëri. Lidhur me këtë Ago Agaj shpreh një vlerësim të veçantë për komandantin trim nacionalist Shaban Polluzha që tregoi heroizma të papara në luftën kundër çetnikëve serbë. I gjithë ky aktivitet në të mirë të Kosovës, bëri që vendasit mos ta thërrisnin më me emrin e tij por me epitetin “Kosovari nga Vlora”

Ja si shkruan ai per Kosoven:

“Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën. Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini që m’u bë si vëllaj i math në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor - martir i shqiptarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”.

Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën.

Më prapa kthehet në Shqipëri ku në shtator 1943 merr pjesë në qeverinë e kryesuar nga Rexhep Mitrovica ku i ngarkohet posti i Ministrit të Ekonomisë Agrare, detyrë të cilën e kreu me përkushtim.

Në fundin e vitit 1944, kur forcat komuniste po hynin në qytetet shqiptare detyrohet të lerë atdheun dhe të emigrojë fillimisht në Egjypt, ku qëndroi për gati njëzet vjet dhe pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u vendos ne Detroit pranë teqesë së famshme të Baba Rexhepit, një qendër e madhe e patriotizmit shqiptar.

Në librin “Milloshi Heroi i Kosovës”, në kundërshtim me studiuesit sllavë, që heroin që vrau Sulltan Muratin në Betejën e Fush Kosovës e paraqesin si serb, Ago Agaj dokumenton se ai është shqiptar, madje edhe origjinën e tij e nxjerr nga Blloshmajt e Librazhdit.

Në librin “Lufta e Vlorës”, një libër përmendore, një enciklopedi e trimërisë, një shembëlltyrë se si duhet shkruar historia, paraqitet gjendja aktuale e vendit, përgatitja, personazhet, dëshmorët dhe të plagosurit e kësaj lufte legjendare të një populli që nuk duron dot robërinë.

Libri “Si e njoha Xhafer Devën” është një kronikë e vërtetë e luftëtarëve të lirisë dhe bashkimit kombëtar në Shqipërinë etnike.

Ago Agaj ndërroi jetë më 24 dhjetor 1994, në Clearëater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkluara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë në shërbim të Shqipërisë së vërtetë. U përcoll në banesën e fundit nga qindra bashkatdhetarë dhe personalitete të tjera të ardhur nga të katër anët e Shteteve të Bashkuara, madje edhe nga Kanadaja.

Ja si shkruan ai ne ditet e fundit te jetes se tij:

“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë na kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjtë keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast e Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën... O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë. Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”

Ky ishte Ago Agaj. Po si konsiderohet ai sot në atdheun e tij, pas njëzetegjashtë vjetësh pas përmbysjes së sistemit totalitar? Për fat të keq ka ende të indoktrinuar nga mentaliteti komunist që vazhdojnë ta quajnë kolaboracionist duke e lënë në harresë dhe duke harruar majat e larta që ai arriti me karakterin dhe inteligjencën e tij. Madje midis tyre ka edhe intelektualë të shquar që i shohim përditë në faqet e shtypit të shkruar dhe atij viziv.

Një miku im  më ka thënë një shprehje që nuk do ta harroj kurrë:

“Të huajtë e kthejne baltën në njeri kurse shqiptarët njeriun e kthejnë në baltë”

Kjo shprehje u dedikohet kryesisht atyre trundryshkurve që nuk duan të shkëputen nga mentaliteti komunist.

Si figura e Ago Agajt shqipëria ka edhe plot të tjera që qëllimisht lihen në harresë. Do të përmendja ato të Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës,  Hasan Dostit, Ernest Koliqit, Lef Nosit, Patër Anton Harapit, Xhevat Korçës dhe të tjerëve.

Ja si është shprehur Patër Anton Harapi para trupit gjykues që e akuzonte si kolaboracionist të pushtuesve të huaj:

"Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën : a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m'a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem".

Duke i mbyllur këto rreshta dua t’iu drejtohem lexuesve dhe t’iu them

A mund të quhet kolaboracionist Ago Shero Agaj apo figurat  e   tjera   përmendura

më sipër? A nuk ka ardhur koha që këto mentalitete të një sistemi totalitar të hidhen poshtë? Kur do të vijë kjo kohë?

Ju lutem, më ktheni një përgjigje!



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: