http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Shqipe Gashi: Intervistë me shkrimtarin dhe gjuhëtarin e mirënjohur Dr. Nuhi Veselaj
| E Merkure, 12.04.2017, 07:41 PM |

NGA ËNDËRRIM-IDEALI: MËSUES –SHKRIMTAR

TE HAPËRIMI: STUDIUES GJUHËTAR

- Intervistë me shkrimtarin dhe gjuhëtarin e mirënjohur Dr. Nuhi Veselaj

Intervistuese:  Shqipe Gashi, studente pasuniversitare - master

Shqipe Gashi:  Profesor i nderuar, për këtë intervistë i kam përgatitur 11 pyetje që kanë të bëjmë me opusin Tuaj krijues, mjaft të gjerë, përveç dorëshkrimeve të mbetura, deri tash 11 vepra të botuara në fushën e letërsisë dhe 15 në fushën e studimeve gjuhësore.

Cilat ishin ëndrrat e juaja si fëmijë dhe ndikimet e tyre në profesionin tuaj të mëvonshëm?

Nuhi Veselaj: Faleminderit për interesimin Tuaj për veprimtarinë time në të dy krahët e veprimtarisë, edhe si letrar edhe si gjuhëtar, por me sa pashë pyetjet tuaja si dhe kjo e para janë mjaft përgjithësuese, pasi nuk kanë të bëjnë asnjëra konkretisht me ndonjë segment të ndonjë vepre konkrete, por në njëfarë mënyre shkumbullojnë nga rrënjët trungun e kujtesës së tërë jetës sime (edhe pak) 85 vjeçare, që nga foshnjëri – fëminia e deri në ditët e sotme, prandaj, edhe pse do të përpiqem, nuk e kam lehtë të shkëpus diçka më thelbësore dhe më me interes nga mbamendja që do të kënaqte kërshërinë Tuaj dhe të opinionit lexues. Sidoqoftë, edhe kjo pyetje Juaja nuk është pa vend, por kur kemi parasysh periudhën për të cilën është fjala, ngase unë, deri 7 vjet e diçka, fëmijërinë e kam kaluar në robëri në Kralevinën jugosllave SKS, dhe pjesën tjetër si fëmijë e nxënës nën tymnajën e LDB dhe rrjedhojat pas saj, prandaj mendoj që tofjalëshi ëndrrat rreth profesionit të mëvonshëm (me kuptimin: si dëshira të zjarrta), duhet zëvendësuar me dëshira të veçanta fëmijënore, madje edhe rreth konceptit profesion i mëvonshëm, për mos me lënë keqkuptim mbrapa, e shoh të nevojshme të sqaroj disa paradispozita si parashenja, të cilat ishin të imponueshme në moshën e fëmijnisë, periudhë kjo 1933-1948 (mosha 1-14 vjeç) të cilën  po e ndaj në tri faza, të cilat kanë ndikuar në rritën, zhvillimin dhe formimin tim të mëtejshëm, përfshirë edhe paragjurmët rreth konceptit të profesionit të mëvonshëm, mësues, arsimtar i gjuhës shqipe:

E para, faza e foshnjërisë dhe e rritës në robëri 1933-1941, mosha 1 deri afro 8 vjeçare;

E dyta, faza e rilindjes sonë me mësim e frymim kombëtar (1941-1944), mosha 8-11 vjeçare dhe

E treta, faza e përjetimit të realitetit zhgënjyes, por edhe shpresëdhënës, si një hapërim drejt dritës së lirisë imagjinuese (1944-1948), mosha 11-14 vjeçare, kur ndoqa klasë paragjimnazi në Suharekë dhe pas gjysmëmaturës, si i ri 15 vjeçar, pothuaj, u madhova për të zgjedhur profesionin më fort të zemrës se të bukës - mësues, kur në vitin 1948, u regjistrova Shkollën Normale 4 vjeçare të Gjakovës, ku si nxënës i rregullt edhe maturova në vitin 1952.

1) Disa të dhëna nga faza e parë e rritës në robëri

Fazën e parë të rritës po e ndaj në dy nënfaza, së pari, nënfaza e foshnjërisë 1933-1935 dhe së dyti, nënfaza e mendmbajtjes nga 2-3 vjeç deri në diçka mbi moshën 7 vjeçare (1935-1941).

a) Nënfaza e foshnjërisë

Nga nënfaza e foshnjërisë (1-3 vjet) po filloj me faktin se si fëmijë i pestë nga nana Arife dhe baba Muharrem, pas katër vëllezërve  dhe një motre, madje pas meje iu shtuan familjes edhe 2 vëllezër e një motër, sigurisht në këtë familje shumanëtarëshe nuk kam pasur tretman të veçantë, por si të thuash kam pasur përherë ngrohësi familjare dhe në anën tjetër për mua që nga lindja e deri në 2-3 vjeç, kur, si me thënë, u bëra me dijtë, flitej që si foshnjë paskam pasë qenë paksa i çuditshëm, me fantazi të bujshme, kryesisht i qetë, por here-herë edhe i përpushtë, por jo i praptë!  Nëna tregonte, se deri edhe çastin pak pa lindur kur ajo paska qenë duke ndihmuar si argate te një fqinj (Mixha Demë) unë gjoja paskam pasë dhënë shenja mrekullibërëse me rapëlim të lehtë (si melaqe!), andaj ajo e kupton, ndërpret punën dhe brenda dhjetë minutash vjen në shtëpi dhe më paska pasë gjetur me lehtësi dhe të nesërmën, pothuaj normalisht(!), paska vazhduar punët e shtëpisë. Si foshnjë, në krahasim me të tjerët, nuk paskam pas nxjerrë telashe. Shumë herët paskan pasë filluar me gaugullue e luajtur shumë me duar, me gishta. Shumë herët qumështin e nanës e paskam pasë kursyer, kur, pa nxjerrë kajde, si ushqim plotësues, paskam gëlltitur mazë e fluçkë djathi. Është, pak e çuditshme, por, siç tregonin, sa paskam qenë në djep më paskan pasë bërë synet dhe si duket pa e kaluar mirë fazën e shërimit paskan pasë qëndruar në këmbë, paskam pasë hedhur hapat e parë, duke mos e përjetuar fare fazën e zhagitjes… /Vallë mos, ishte kjo enigma pse tërë jetën jam përpjekur, pa marrë parasysh mundësitë, që hapin ta bëj kilometër?!/ S’po flas për të bëma të tjera.

b) Nënfaza e mbamendjes

Ajo “pjekuri” e parakohshme e fazës së foshnjërisë mbase do të ketë ndikuar në formimin tim që në nënfazën e dytë, vitet 1935/36-1941 të bëj “ecje” të tjera, disa prej të cilave ende i mbaj mend. Edhe pse i vogël 2-3 vjeç, mbasi gjumi nuk më paska pas koritë, përveç dhuratë një plisi të ri, prindët më paten gëzuar edhe me një xhurdi, por si dhuratë më të madhe: pata fituar, kur m’u dha e drejta të bëhem “burrë”, jo të flë në sobë të vogël me motër, po që bashkë me vëllezër më të mëdhenj me fjetë në odë të babës… Në të vërtetë, në këtë periudhë, mosha 2/3-7 vjeçare ruaj në kujtesë shumë ngjarje si vargonj robërie, por këtu, me qëllim, po e rrëfej vetëm një episodë:

Isha në bahçe, nën shtëpi që shtrihej deri te lumi, i cili nuk kishte vig, sepse turbullira e kishte rrëzuar. E shikoja lopën tonë Shumanën kah kulloste, e cila solli dy gëzime: viçin që e kishte pranë dhe për ne: përpeqin me kulloshtër. Rastësisht më befasoi një baci Selman, një fqinj yni, ndoshta rreth të njëzetave, i cili nga rruga kërcej gardhin këndej dhe shumë i frigësuar, fshihej pas pemësh. Vallë, prej kujt frikohej, kush e ndiqte?. Vetë e ndjeva kur tha:

- Shih xhanarët e Srpit, ata edhe po na rrehin edhe po na hypin në shpinë me kapërcye        rekën!

Dhe vërtet edhe unë hetova dy xhandarë që ecnin përtej lumit. duket se e kanë pasur uniformën me ngjyrë si të dushkut të vjeshtës, ashtu disi, të cilët i shikoja paksa me drojë. Në sytë e mendjes sime nuk ishin më të fortë se Baci Selman e Bacët tanë të tjerë, po kishin pushkë…

Kështu, bashkë me ngjarje të tjera, përzier me personazhët e këngëve dhe të bisedave, ku haptazi flitej kundër robërisë nga Serbia, unë, si urrejtje shtesë, i futa në lojnat e mia luftarake edhe xhanart e serpit, që i bëja si krande lyer me lloç. Madje, në një kënd të murit të oborrit, bëhesha tamam “burrë” luftëtar. E ndjeja veten më të fortë se gjithkushi, më trim se trimat e këngëve… Ua merrja pushkët xhandarëve ua jepja bacëve të mi që i bëja nga guraleca e krënda të fortë e të pastër, ndërsa xhandarët i dënoja, u hypja në shpinë dhe i detyroja të hynin mbathur andej-këndej lumit… etj. etj. Kështu kënaqesha dhe e lutja Zotin që të rritesha sa më shpejt për me mujtë me përzanë serpin me xhanarë, poreznikë e naçelnikë…  Luftën time, me plot krande, guraleca e gogla dheu,  ngase unë e shoqëroja ngjarjen me zë, e kishte dëgjuar baba dhe kërkoi t’ia shpjegoja…

Ai këtë vepër time e kishte marrë diçka si piri të një fëmije, parandjejnë hyjnore (misterioze), dhe këtë sugjestion ndjeva që ua kishte treguar deri edhe burrave në odë… Me thënë të drejtën, ndërsa unë kënaqesha me lojnat e mia fantastike me plot frymëzim, të tjerët çuditeshin me mua, me luftat e fitoret e mia, që i përdëshironin edhe ata... Është e vërtetë se edhe kur u bëra pak më i madh të bëmat e tilla, nuk i kam pas ndërprerë.  Pra, as atëherë kur pa përtesë përzihesha në çdo punë. Kështu, qoftë si bari, qoftë në punë krahu, detyrat i kam kryer me zell e vullnet. Por atë këndin e lojrave nuk e kam pasë harruar dot.

Ç’është e vërteta, oda jonë rrallë ka pasë mbetur pa musafirë, ndërsa netëve të dimnit mblidhej krejt mahalla e fqinjtë dhe kalonin kohën edhe me këngë e lojna. Jashtzakonisht më pëlqenin  senkasenat  /*ashtnjisendkafshsend?!/ (kashelashat *ështënjëkafshelashtë) dhe këngët shpotitëse në lojë kapuçash, por edhe fjalët e urta, të cilat i përvetësoja me kënaqësi, ashtu si edhe derset e dovët e namazit, që na i mësonte Mixha Hoxhë, pastaj edhe një Hafëz Jakupi, hoxhë i ri i perzerenjan, po më tepër më tërhiqte gjuha e burrave, mënyra e të shprehurit të tyre… Gëzimi më i madh imi, ka qenë, kur diskutonin burrat çështje serioze, sidomos kur baba me mendjehollësi ndante pleqni. Kam pasur dëshirë të mësohem edhe unë me dijtë me folë mirë si baba dhe me u bë i dijshëm, si pleqt e vaktit, si baba, si gjyshi e stërgjyshi ynë, Mehmet Reçani, i cili paska qenë shumë i njohur si kryepleqnar (stërplak).

2) Faza e dytë, periudha e rilindjes sonë dhe të frymimit shqip (1941-1944)

Edhe ne fëmijët, pasi tash e kisha moshën, brengoseshim si për hallet e shkollimit serbisht, por e ndjenim edhe presionin rreth shpërnguljes, mirëpo fati e desh që të shpëtonim nga këto katrahura, kur erdhi lajmi se Stanicën, ndërtesën më të dalluar në Suharekë e kishin braktisur xhan(d)arët. Dhe kur u mor vesh se vërtet, mbaroi Kralevina, gëzimi s’kishte kufi. Mixha Hoxhë na qiti kafe me sheqer edhe ne fëmijëve. Të nesërmen me plot vullnet i pata çue lopët në Liplak, ara e livadhe drejt Suharekës. Për çudi, ndërsa unë fantazoja, duke i parë si hije kah iknin larg në Serbi xhandarë, poreznikë e naçellnikë, dëgjoja krisma pushkësh që vinin nga Gjinoci, fshat ku i kishim të martuara dy halla. Dhe në këto çaste, hetova papritmas, b. Rizah, simixhë yni, me pushkë në dorë, i cili doli nga pylli nga ana kah vinin krismat dhe me shpejtësi ecte drejt fshatit... Nuk vonoi erdhi im atë. Edhe ai me pushkë nën gujë edhe më tha t’i lë lopët dhe t’i bashkohem familjes, e cila tashmë ishte nisur urgjentisht për Budakovë, te dajtë e nanës. Mos me zgjatë atë natë, jo vetëm familja jonë por edhe të tjera bujtëm jo te daja Miftar, po përtej Budakovës në bjeshkë Te Karolli. Të nesërmën u panë tanksat e Gjermanisë, që prej Bërrylit të Xhades, shkrepën predha drejt Gjinocit dhe kështu luftëtarët e Gjinocit dhe të bajraktarit të Suharekës me ndihmën e Gjermanëve dolën fitues kundër atij krahu të ushtrisë serbo-jugosllave,e cila  u shpartallua krejtësisht.

…Edhe pse te ne ato ditë erdhi ushtri italiane në krahasim me robërinë totale nga serbët neve, tërë popullit, na dukej se tani erdhi liria e njëmendtë… Dhe, vërtet, në krahasim me fazën e mëparshme të robërisë, kjo kishte dallim sa nata me ditë, ngase tashti mbizotëronte frymë kombëtare shqiptare, Fjala e lire shqipe, flamuri shqiptar, shkolla shqipe… deri shartet e turqnisë, na u bënë sharte të shqiptarisë (muslimane). Tashtimë nuk duhet të quheshim as serbë muslimanë (serbi muslimanske vere - siç praktikohej në shkolla), as turq elhamdylilah (siç praktikohej nga disa  hoxhë), po ishim shqiptarë, vetëm shqiptarë.

Kështu filloi një frymim i ri shqip, rilindje e vërtetë, me shkollë shqipe (me abetare e libra shqip) dhe pasi mësova me lexue, i nxitur dhe nga im atë, nuk e leja pa e përthithë me andje çdo nektar nga çdo libër që më binte në dorë, madje edhe librat fetarë, ndër të cilët pati zgjuar interes të veçantë Mevludi i H. Ali Ulqinakut, (Mevludi i Shkodrës), të cilin ndërkohë pothuaj të tërin e mësova përmendësh. Në këtë kontekst, nga ky mevlud, pati bërë jehonë, sidomos pjesa Vdekja e H. Muhametit që nuk ishte në Mevludin e Kosovës, të cilin që më parë, me të dëgjuar, e pata mësuar përmendësh. Këtë pjesë, nga Mevludi i Shkodrës (Vdekja …) më shtinin me këndue veçan, pothuaj, kudo, ndër burra e ndër gra, deri një rast edhe në Xhaminë e Suharekës, me bekimin e Babës Haxhi (Haxhi Rexhepit të Bardhoshanit të Opojës, mësues fetar ky, nga i cili, për tre ramazana, pata mësuar shumë nga doktrina e sunisë islame ebuhanife etj).

… Për mos me zgjatë, po përmbyll se kjo periudhë 1941- 1944, si fëmijë-nxënës i shkollës shqipe, moshë 8-12 vjeçar, për ne ishte vërtetë bazë e formimit tonë jo fetar, po mësimor-atdhetar. Gjatë atyre 3-4 vjetëve nga librat e këndimit pata mësuar përmendësh pothuaj të gjitha poezitë e Gj. Fishtës, N. Mjedës, F. Shirokës, V. Prennushit, A. Çajupit, Asdrenit, L. Gurakuqit, etj. etj. Rikujtoj këtë rast me qëllim vetëm nja dy rreshta meditativë të Naim Frashërit:

Të gjithë njerëzit vdesin, por bota s’mbetet shkretë,

Gjuha, mëmëdheu mbesin të patundura për jetë.

Kuptohet, përmbajtjen ma patë thelluar mësuesi dhe im at, që ndërkohë e pata skalitur në mendje këtë  të vërtetë -porosi për mos me harrue kurrë:  Për Shqipninë si Mëmëdhe, edhe pse atëhere ishte e brishtë (e okupuar), por paksa e bashkuar, duhej punuar deri në flijim, ndërsa gjuhën shqipe si armë zemre e mendjeje kombëtare duhej mësuar pa u lodhur, pa ndëprerë. Sa për kërshëri po them se i pata ushtruar me pasion këto profesione të shpirtit: recitues, vjershëtar, këngëtar  - të cilat i ushtroja fillimisht nga trapazani i odes, entuziazëm ky i ndërthurur me flakë shqiptarie që nuk do të shuhen kurrë në qenien tonë.

3) Faza e tretë, zhgënjime e shpresime (1944-1948), mosha 11-15 vjeçare

Menjëherë pas “Çlirimit” nga fundi i vitit 1944 që në familjen tonë intimisht quhej “Shtrëngim”, te ne u kthye regjimi serbofil, madje edhe më i djallëzuar e dhelpnak se ai i Kralevinës, ngase ky u fut pothuaj me detyrim brenda çdo qelize shtëpie, familje. Dy simaxhallarë të mi (b. Aziz e b. Qazim), i burgosën dhe i humbën pa shenjë pa dukë. Edhe Babën e shumë të tjerë i patën burgosur përkohësisht. Si duket këto ishin masa që të mos përhapej rezistenca, pse Kosova nuk iu bashkua Shqiprisë.  Ç’është e vërteta, një situatë të tillë rirobërimi e ndjenim edhe ne si fëmijë. Edhe pse shkolla shqipe nuk u shua, por meqë fillimisht na mungonin mësues, neve si progjimnazistë në Suharekë, dikush nga ushtarakët fillimisht na mbante ligjërata në serbisht, por edhe me disa parulla rusisht. Librat e vjetra i ndaluan, të reja nuk kishte. Megjithatë, në shtëpi unë nuk i harroja librat e Shqipnisë. Atë botë, vuanin deri edhe për mungesë lapsash e fletoresh, por edhe më keq populli vuante sa pa liri, aq edhe për bukë goje. As në Shqipëri nuk kishte ndodhur asgjë e hajrit - si thoshte im atë. Më kujtohet një rast, pothuaj gjithë natën patëm shkokluar misër për t’i dërguar disa thasë ndihmë popullit në Shqipni, mëgjithatë në masë, krahas mbledhjes së tepricave (otkupit) vlonin fushata që na tërhiqnin si: lufta kundër analfabetizmit, aksionet vullnetare të rinisë, heqja e ferexhes etj., ku na aktivizonin edhe ne fëmijëve, sidomos mua që më patën caktuar kryetar të organizatës së pionierëve të fshatit.

Sidoqoftë, kujtesa ma thotë me dallue një episodë  nga realiteti zhgënjyes që na tregoi Baba sa ishte kthyer nga një vizitë përtej Mitrovicës që i pati bërë vëllait tonë Bacit Smajl, ushtar në Brigadën V Sulmuese Shqiptare. Bacin e kishte gjetur mirë, po brengosej se mos po i hakmerret kush, për shkak të një nxehje llafi, të shkaktuar pa dashje në Shtabin e Brigadës.

Në të vërtetë, në shenjë mirësjelljeje dhe lamtumire, Komandant i Shtabit, Babën e paska pasë pranue së bashku me Bacin në komandën e Shtabit. Aty në pyetjen e Komandantit:

-Si po ju duket Liria dhe sa jeni të kënaqur me Vllaznim–Bashkimin e kalitur në këtë Luftë Nacional-Çlirimtare?

Baba i përgjigjet me urtinë e fshatarit të mençur kosovar:

– Mirë jemi, po këto ditë, djali me shokë me lot në sy janë kthye prej shkolle, sepse  ua kishin hjekë flamurin shqiptar.

Komandanti, mbase i zënë në befasi nga kjo përgjigje, andaj ndoshta i duket paksa si provokim, si duket edhe reagon jo fort me kontrollë:

- Në krahasim me Fitoren kundër nazi-fashizmit, dhe kalitjes së Vëllaznim-Bashkimit - flamuri është një leckë(!). Shiko ne e bartim

Baba ia kthen:

-Zotni, neve, shokët e tu na kanë mësue se Flamuri Kuq e Zi që është baras me Besë  Shqiptare, nuk asht copë harrni, po Shej i Shejtë i kombit, i bekuem prej Zotit

Kështu në vijim kur përmendet shkelja e besës, rrenat, mashtrimet rreth bashkimit.. etj., acarohet biseda … Atëherë, njëri nga shoqëruesit e komandantit zbulon revolën... Edhe Baci bën diçka… Këtë situatë e qetëson Salihi i Ali Metës, një stërnip yni nga Suhareka, i cili paska qenë sekretar-përkthyes i Shtabit të Divizionit…

Megjithatë, në fund zbuten gjakrat dhe Babës që të mund të kthehej pa pengesa në shtëpi ia japin një letër (vërtetim) në emër të Shtabit, me emrin e komandantit (Sh. Peçi).

Sidoqoftë, Baba shqetësohej si për Bacin tonë, por aq më tepër për faktin se populli shqiptar te ne nuk kishte mbrojtje nga askush, madje as nga ushtarakët nga Shqipnia, të cilët luftuan për Jugosllavi!

Së këtejmi, edhe ne fëmijët e kishim të qartë se Liria e propaganduar me aq pompozitet ishte kthyer në zhgënjim, por edhe shpresa nuk na u shua, pasi ne vazhduam disi shkollën shqipe dhe në vitin 1948 pas semimaturës m’u dha mundësia me vazhdue një shkollë të mesme. Patëm dy oferta, një në Mitrovicë (shkollë teknike) dhe tjetra në Gjakovë (shkollë shqipe për mësues). Baba ma këshilloi Gjakovën, sepse, sipas tij:

Gjakova asht krah i Shkodrës, dhe zanati i mësuesit asht i lavdueshëm edhe te Zoti. Falë Perendisë që t’ka dhanë shnet e mend. Ti përpiqu me u ba edhe i dijshëm, jo sa me veshë setër e pantoll, por me u ba njëmend njeri me shkollë. Duro, mëso mos me u koritë, se veç puna e shkollës mundet me na qetë në dritë. Njeriut me shkollë ia sheh hajrin, jo veç vetvetja e shpija e vet, po edhe katundi, rrethi, por edhe atdheu (!)…

Edhe pse gjatë jetës kam hasur në shumë pengesa e vështirësi, të pritura e të papritura, gjithmonë këto këshilla të babës i kam pasur në mendje dhe, vërtet, përpjekjen për gjuhë e atdhe kurr nuk e kam ndalur, qoftë ballaballas me guxim kundër padrejtësive, qoftë, edhe sipas devizës: me qitë gurin e me fshehë dorën.

2. A është dashuria kombëtare e juaj prezente në krijimtarinë tënde?

Nuhi Veselaj: Ata që më njohin e dijnë se unë vuaj nga modestia e tepruar, ngase: S’ka më të metë se me u lavdue vetë, por në bisedë me Ju po e shfrytëzoj versionin tjetër: S’ka më të keqe e punë me të meta se mos me u thanë e vërteta. Në pyetjen paraprake tregova pse e kam pasur ideal profesionin e mësuesit, përkatësishttë mësuarit e gjuhës shqipe, sepse në kuadër të atij profesioni, siç kam paramenduar njeriu ka mundësi me veprue mbarë, me e shprehë, përjetue dhe me kultivue bashkë me mësimin e edukatën e shëndoshë edhe dashurinë për lirine: për gjuhën e kombin, dashuri këto që edhe i kam shprehur konkretisht e guximtarisht gjatë tërë jetës e punës, qoftë gjatë orës së mësimit, në aktivitete të lira, me rastin zgjedhjes së recitaleve, citimit të vargjeve të zgjedhura nga shkrimtarët e dalluar ose shprehje të improvizuara nga vetja. Pra, gjithkund sipas situatës edhe në takimet me prindër, nëpër oda, e raste të tjera, kam zgjedhur fjalë “për gjuhë e  atdhe” moto kjo që e kam pasë përforcuar si betim edhe në një organizim ilegal në Gjakovë (1951), ngjarje kjo pak e përmjegullt, por tejet me ndikim për formimin dhe veprimtarinë time të mëtutjeshme deri në ditët e sotme, që pret me u shpjegue më në hollësi…

Sidoqoftë, në atë frymë kam qenë shumë i gatshëm me u angazhue deri në flijim. Kështu si parapërgatitje të propagandës së tillë të bardhë, veç tjerash, po zbuloj një pjesë të armës, se përveç fjalës e kam pasur edhe këngën, nuk di se do të më ketë shpëtuar ndonjë vis a qytet i Shqipnisë Nanë, pa e ditur e përshëndetur me ndjenja simpatie së paku me një këngë, deri edhe…  për Kosovë e Çameri, që sipas rastit i shoqëroja me mandolinë. Këtë mund ta dëshmoj edhe sot. Në të vërtetë, tek unë nis e sos pas moshës 12 deri 18 vjeçare ka qenë e gërshetuar dashuria ndaj mësimit të gjuhës dhe njëherazi edhe vizioni ndaj atdheut të bashkuar. Kuptohet, atdhe i kam konsideruar të gjitha trojet shqipfolëse, pa vizë të zezë kufindarëse.  Sidoqoftë, me frymëzim të sforcuar nga organizimi ilegal, kam filluar me shkrue vjersha që para moshës 15-18 vjeçare, vjersha këto, që në pranverën e vitit 1952, i pata përmbledhur në një vëllim, të cilat pas burgosjes sime po atë vit, të fshehura në arka të teshave të grave në gjininë e kunatës, pritën deri sa dola nga burgu dhe në vitin 1997 u botuan nën titullin Cace dhe hope djaloshare, paksa të qëruara për shkak konspiracioni. Mjerisht edhe ky libër, ashtu si edhe veprat e tjera të mia letrare, të kësaj periudhe e të më vonshme, ende ka mbetur pa u vlerësuar nga kritika, edhe pse në vitin e kaluar  (2016) në Therandë është përgatitur një recital kryesisht me vargje të asaj vepre që doli mjaft i sukseshëm. Mund të pyesni, ka pasur arsye, apo jo, pse kanë mbetur deri tani të pavlerësuara ato vepra?  Sigurisht, edhe kjo, ka përgjigjen e vet. Sido që të jetë, besoj që pa tjetër vlera e tyre do të jetë marrë në konsideratë me rastin e pranimit tim, qoftë anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, qoftë i Shoqatës së Shkrimtarëve për fëmijë e të rij me qendër në Tiranë ose si anëtar nderi i Shoqatës Kulturore “Elena Gjika” të Therandës.

Së këtejmi, nga ndikimi i kushteve të jetës dhe nga modestia (“doctisimus, modestisimus”) e kam konsideruar se nuk është punë e imja të zbuloj angazhimet e guximshme si risime në frymë kombëtare e njerëzore, të shprehura  si ditar kohe në ato vepra, si  b.f. te vepra Cace e hope djaloshare (!948-1952), Gërricje në Damarët e djalërisë  (tregime 1951-1956) si dhe në veprat Shfrime nëpër mjegullnajë, reflekse poetike e mendimore  (1952- 1967), Trimoshi (1959-1964), ku si në formë kronike veç tjerash, janë thadruar si reflekse ditari, mbase për të parën herë te ne, qoftë, martirit të humbun (elegji 1949), Zani i trimnisë (kushtrim 1951), : vargje nga burgu (1952-1954), Kob montruoz, mbytje nga torturat (1956), (vetë)vrasja e ushtarit shqiptar në Valevë (1956) “Vesikaxhiu”(1957), Te bota e kuqe /vrasje e fëmijëve/ (1963) Lot shqiponje në damarët e fierit (1956)  etj. etj., që  fundja, për kurrgjë tjetër, këto përmbajtje do ta begatonin tematikën e trajtuar të letërsisë sonë në kohëhapësirën përkatëse, apo jo? Mund të them se edhe përpjekjet e mia në fushën letërsisë për fëmijë e të rinj si dhe në studime gjuhësore, janë të pranishme po këto motive socio-politike patriotike, paçka edhe këto ende nuk janë prekur nga dora e vlerësimit kritik, fatkeqësisht…

3. Sa ndikon letërsia në fisnikërimin e shoqërisë njerëzore?

Nuhi  Veselaj:  Pyetje pak e gjerë, po jo pa vend. Vetëm nëse preket me dorë një libër me dashamirësi, ajo të joshë me ndjenja qytetërimi, nëse lexohet ajo të jep shenja fisnikërie, ndërkaq nëse vlerësohet ose komentohet të edukon e fisnikëron bashkë me rrethin shoqëror. Së këtejmi, nëse shkruhet një vepër dhe del e sukseshme, kuptohet, që veç autorit, rrit autoritetin e emrit të familjes, të mjedisit, deri edhe të kombit a shtetit që i përket autori, ngase vetëm në shoqëri me moral të lartë, me bujari e mirësjellje, me humanizëm universal, lindin edhe vepra të mëdha. Për mua si mësues, që mbetem përherë pasionisht si i tillë, kam vërejtur që përveç fisnikërisë si ndjenjë, vepra jo vetëm të jepë mirësjellje, por vepron edhe si edukatë gjuhe, andaj qysh i ri jam shoqëruar me aq sa kam pasur mundësi, me botën e librave, të cilat u bënë pjesë e jetës sime edhe një pjesë e tyre u transmetua e po transmetohet në njëfarë mënyre edhe në krijimet e mia. E thashë se vepra të fisnikëron edhe me edukatë gjuhësore, por edhe më shumë veti të tjera të mbara. Unë duke e pasur parasysh këtë vlerë edukative kombëtare edhe vetë jam përpjekur që atë frymë ta përvetësoj dhe ta shpreh në veprat e mia, duke e kompletuar edhe me fjalë e shprehje sa më njerëzore, përshtatur sipas grupmoshave përkatëse, që të ndikojnë në mendje, zemër e shpirt të lexuesit tonë.

4. Si e përjetoni momentin e frymëzimit para se të filloni punë krijuese?

Nuhi Veselaj: Qoftë në shkrime letrare, qoftë në ato shkencore frymëzimi fillimisht nxit. Por nuk thuhet kot se atë që ia kërkon Zotit ta jep si dhanti  hyjnore, andaj këtë formë frymëzimi nuk e mohoj dot, ai mund të vijë në çast, po mund të vijë edhe si shtim disponimi edhe gjatë vetë procesit të krijimtarisë. Unë nuk e kam atë aftësi, siç e thotë dikush, që vetëm me një frymëzim si përftim rasti ta quaj të arrirë, pa e vënë në analizë, kah po qet e ku po vret, qoftë edhe një vjershë njërrokëshe. Zakonisht frymëzimi, qoftë spontan, qoftë të përftuar gjatë procesit të krjimtarisë, parësorisht lypset me u klasifikue, sipas nënfushës kuptimore që imponohet në mënyrë të vetëdijshme të ruhet në shtratin e vet, pastaj dhe ndërkohë sipas disponimit e do të zgjohet nga ai gjumë-pushim dhe ndërfutet në struktura sistemesh mendimore dhe aty përpunohet gjithanshëm si temë nëse ia vlen, apo jo. Mua më ndodh që perftim-frymëzimin ta shënoj në notesin përkatës dosido sa për mos me e harrue. Ndërkohë, sipas kohëhapësirën përkatëse, varësisht nga përparësia e bëj realizimin e mbresës së tillë, duke spikatur patjetër ndërlikueshmërinë edhe synimin se çfarë risimi ndenjor ose mendor mund të sjellë vepra, qoftë në fushën e letërsisë ose në atë të studimeve shkencore (gjuhësore, historike). Natyrisht, për çdo rast kihet parasysh ndërthurja terminologjike, varësisht nga zhanri dhe stili që i përshtatet temës së përzgjedhur për elaborim. Shprehem kështu, sepse ndërsa frymëzimi mund të konsiderohet si ndihmesë hyjnore, krijimi i një vepre del si punë vetjake shumë më serioze, delikate dhe me përgjegjësi. Me fjalë të tjera, çdo temë, edhe ajo me lëndë shkencore dhe ajo me përmbajtje letrare në njëfarë mënyre lyp edhe tipizim zhanror, përveç të veçantave të tjera edhe sa i përket gjuhës e stilit.

5. A ekziston një luftë e brendshme mes vetëdijes dhe ndërdijes gjatë krijimit të një libri shkencor?

Nuhi Veselaj:  Edhe kjo pyetje teorike është pak e gjerë dhe i takon më fort fushës abstrakte psiko-filozofike. Edhe gjatë krijimit të një vepre letrare kemi të bëjmë me futjen në veprim të formave të të menduarit logjik, të vetëdijës e të nënvetëdijës, por në këto process mbizotëron drita e zemrës, mbizotzëron përjetimi ndjenjësor i botës subjektive të krijuesit, sipas idealit siç e kocepton ai, varësisht nga tema që e trajton, ndërsa te vepra shkencore tek vetëdija dhe nënvetëdija, ose siç e theksoni ju, ndërdija e krijuesit, mbizotëron  drita e mendjes, mbizotëron arsyeja, objektiviteti si lëndë joaq ndenjore. Sidoqoftë, për luftën e brendshme të krijuesit si e keni shënuar ju, ku gjallojnë të dy dritat bashkë (e zemrës dhe e mendjes) teorikisht më mire dijnë me zbërthye psikologët,filozofët dhe psikoanalitikanët, ngase këta terma (vetëdijë e nënvevetëdijë) në stilin neutral shkencor i kemi të huazuar nga ato disiplina, megjithatë me sa di te dy termat kanë të bëjnë me procesin e të menduarit abstrakt, me dijen abstrakte, ku përformohen si dy fjalë-nocione,  si dy mendje, po në të vërtetë kemi të bëjmë me një mendje që brenda saj zhvillohet luftë ne kuptim të një koncepti sihiperonim të dijës, ku si primare del vetëdija, sepse siç shpjegohet nënvetëdija ose ndërdija, i nënshtrohet urdhërit të saj. Në të vërtetë, vetëdija  materialin  e lë, si me thënë, vetëm të mbrumetnënvetëdije.  Në këtë shtratim të dy termat, pra si një dije e veçantë bëjnë sendëzimimn e atij materiali në atë mënyrë që krijuesi, duke shfrytëzuar idetë nga shtratimi mund t’i dritësojë e kurorëzojë ose t’i përformancojë ato në diçka të re specifike si shpikje, qoftë në botën e krijimtarisë artistike, qoftë, në atë shkencore ontologjike etj. Në burime të caktuara profesionale kam hasur të thuhet se vetëdija si kujtesë historike, së bashkë me unin (egon) dhe vullnetin si elemente hyjnore të njeriut, tipare këto të cilin (njeriun) jo vetëm e dallojnë nga qeniet e tjera fizike, biologjike, psikike e shoqërore, por edhe e ndihmojnë që me rizgjimin e këtyre komponenteve nga nënvetëdija, truri i njeriut krjues do të jetë  më i përgatuar ose më i ripërtëritur për avancimin e vetëvetëdijës.

Sidoqoftë, për mos me hy në teorizime të tilla, si studiues i gjuhës shqipe shikuar nga pikëpamja e barasvlerësisë sinonimike nënvetëdijë/ndërdijë ose ndërvetëdijë që figuron mbase jo qartë në burime të caktuara profesionale (si në Fjalorin e psikologjisë të P. Nushit), madje edhe në formulimin e pyetjes suaj, ne e merendojmë si çështje të diskutueshme terminologjike në gjuhës tonë. Natyrisht për zgjidhjen e këtij problemi personalisht mendoj se duhet me u konsultue specializimi i parafjalëve emërformuese  nën- / ndër-, ku për këtë rast, nëse kemi të bëjmë me konceptin e njëjtë semantik, mund të themi me plotgojë se ortologjikisht më e parapëlqyeshme duhet me dalë trajta me nën- nënvetëdijë se ajo ndër- ndërdijë ose ndërvetëdijë, ngase nuk kemi të bëjmë me ndërhyrje mes dy komponenteve, por vetëm me një mendje, si term sihiperonim, apo jo, të ndarë në dy ngjyrime semantike: 1. vetëdija funksion qendror urdhërimi dhe 2. nënvetëdija funksion anësor të sinënshtruar zbatimi. Po shtoj edhe këtë si gjuhëtar duhet parë, parashtesa ndër- e letrarishtes te trajta ndërdijë ose ndërvetëdijë, sa ka të bëjë si trill kontaminimi (?!)*n(d)ër/ner të kosovarishtes me –nën të letrarishtes, ngase këndej te ne mungonte trajta –nën. Konstatojmë se te ne në thjeshtligjërim ndeshej vetëm ajo *n(d)er) !?  Pra, ky fakt le të vlerësohet. Krahaso edhe koshjencë (vetëdijë) ndaj subkoshjencë (nënvetëdijë), serb. svest dhe podsvest.

Sido që të jetë, ky aktivitet i veçantë i trurit të njeriut në procesin vetëdijë /nënvetëdijë nuk ka mbetur vetëm koncept brenda individit, por stilistikisht ka pësuar zgjerim kuptimi edhe në sferën shoqërore, andaj thuhet se shtrati ku pushon vetëdija mund të krahasohet me kopshtin shoqëror, ku hedhen fara, të cilat do të seliten konkretisht, qoftë si brum i veprës shoqërore (letrare) qoftë të asaj shkencore, por fryti megjithatë formëzohet vetëdijshëm, apo jo?

Sa më përket mua, përpiqem që paraprakisht çdo krijim ta kem të menduar mire, i cili edhe duhet të ketë edhe rëndësi universale si temë, ndërsa do të dëshiroja që çdo krijues shqipfolës në themel të mendojë shqip dhe fjalë-idetë parësorisht t’i hartojë në gjuhën shqipe dhe së këtejmi varësisht nga vlera t’i përkthejë në gjuhë të huaj. Me këtë dua të them që gjuha shqipe nëse mësohet mirë ka fjalë e shprehje të specifikuara që shërbejnë për të mbuluar koncepte  edhe të majave më të larta të fushës së abstraksionit, siç janë edhe paskajorja e mirëfilltë dhe asnjanësi prejpjesor.

6. Cila është e veçanta juaj nga krijuesit dhe studiuesit e tjerë të gjuhës shqipe?

Nuhi Veselaj:  Nuk mund të di, nuk jam në rrjedhë për të tjerët, por e veçanta ime në punë shkencore rreth gjuhës shqipe si shkencë fillon relativisht vonë, nga fillimvitet e ’70-a, kur më larguan me dhunë nga ëndërrim-profesioni im ideal i pëzgjedhur si mësues i gjuhes shqipe dhe në atë fatkeqësi, ndërsa isha nën mbikëqyrje, por gjoja isha i lire të konkurroja për punësim kudo në ndërmarrje prodhuese jashtë arsimit, papritmas u hap një derë fati për studiues: në Prishtinë u bë i mundshëm regjistrimi i studentëve pasunivesitarë (postdiplomikë)  për gradën magjistër, në dy degë: degën e letërsisë dhe në degën  e gjuhësisë.

Në këtë situatë, prof. Sadri Fetiu më këshilloi, që nëse nuk do të më bënin pengesa, ta provoj regjistrimin jo në degën e letërsisë,po në atë të gjuhësisë, në mënyrë që sadopaktëpç eskivoja, t’i shpëtoja sopatës shtetërore të hetuesisë, pasi ishte duke u hetuar veprimtaria ime letrare, qoftë, përmbajtja e disa vjershave origjinale, qoftë ajo si ndihmë redaktuese bërë punimeve të nxënësve në gazetën e shkollës “Flaka e nëntorit”, ku si ish zv.-drejtor shkolle, isha redaktor përgjegjës, 2-3 numra të së cilës i kishim botuar pa miratimin e organeve përkatëse politike. Ashtu edhe veprova. Studimet pasuniversitare i regjistrova në degën e gjuhësisë, mirëpo, ligjëratat i ndiqja rregullisht në të dyja degët. Isha i rregullt sidomos në ligjëratat e profesor E. Çabej dhe të të prof. Androkli Kostallarit, për të cilin kisha admirim të veçantë, pasi e konsideroja merituesin më të madh të gjuhës së njësuar letrare shqipe.

Në të vërtetë unë edhe më parë si mësues (gjuhe) isha i obliguar me detyrë, jo vetëm ta mësoja dhe perfeksionoja normën e shqipes së përbashkët letrare, por gjuha më nevojitej edhe si armë krjimtarie dhe njëherazi edhe si ndihmë kolegëve të rinj të lëndëve inxhiniero-teknike e profesionale që të gjendeshin më lehtë në përdorimin e shqipes gjatë mësimdhënies, pasi shumica prej tyre ose kishin kryer shkollën në serbishte ose patjetër shfrytëzonin literaturë në atë gjuhë.

Ndërkaq, kur u detyrova të punësohem si përkthyes, në një ndërmarrje prodhimi, atëherë pothuajse m’u imponua studimi i shqipes, nga nënfusha e stilit tekniko-administrativ, dhe në këtë vazhdë fillova me dhënë ose u përpoqa me dhënë kontribut:

së pari, në raportin  e barasvlerësisë terminologjike serbisht– shqip (shqipja e Kosovës!),

së dyti, në raportin tekniko-terminologjik: shqipe (Shqipëri/Kosovë)–serbokroatisht dhe

së treti, raportin terminologjik të shqipes zyrtare, përkime e mospërkime në krahasim me terminologjinë shqipe/bashkësi ndërkombëtare/serbokroatisht.

Në të vërtetë kontributi ynë, sipas interesimeve tona në këtë drejtim fillimisht shtrihej në këto fusha:

1) emërtimi ose titullimi i ndërmarrjeve ose formave organizuese në kuadër të

institucioneve ose ndërmarrjeve përkatëse prodhuese (metalpërpunuese);

2) emërtesat e profesioneve, sipas organikave;

3) rreth termave teknikë:

a) emërtimi i mjeteve të punës, veglave, përdorëseve,

b) emërtimi i pjesëve të mjeteve të punë, veglave, përdorëseve etj.,

4) emërtimet e proceseve tekniko-teknologjike dhe

5) terma përkatës nga fushat e tjera me interes.

Edhe sot e kësaj dite në raportin Shqipëri/Kosovë/ terminologji ndëkombëtare/ serbokroatisht kanë ngelur jo pak gjëra të hapura, ndërsa unë më 1997 pata përgatitur material disa vëllimshe (8), ku rrahnin këto çështje.

Përveç kësaj, e veçanta e veprimtarisë sime rreth çështjeve normëzuese të shqipes në aspektin thjesht gjuhësor, qëndron në faktin se gjatë studimit të hollësishëm të shtyllave kryesore të shqipes standarde të hartuara mbi bazë të Rezolutës së Kongresit të Drejtshkruimit 1972, si Gramatika e Akademisë. Fjalori drejtshkrimor dhe Fjalori shpjegues normativ, pata vërejtur se përveç të mirave të mëdha kolosale që kishin këto shtylla përcilleshin edhe me ndonjë të metë të dukshme që në start dhe për të metat ose lajthitjet ose rreth nevojës së perfeksionimit të çështjeve përkatëse normëzuese që ndërkohë i shtronte koha, për mendimet e mia e pata informuar edhe prof. Kostallarin, i cili më këshilloi që t’i shkruaj me guxim  dhe t’i publikoj këto çështje në të mirë të konsolidimit të  gjuhës së përbashkët letrare. Dhe kështu, ndërkohë, vërejtjet e mia, fillova me i publikue pa pengesa të dukshme në mjete të caktuara të informnimimit. Madje, pas një periudhe bukur të gjatë, tashti, në dy vitet e fundit i kam përfshirë pothuaj të gjitha ato punim-publikime në 11 vepra të reja tashmë të libërtuara, në të cilat kam shprehur e sugjeruar edhe disa risime (si përplotësime), të cilat ende nuk janë vlerësuar, nga ekspertët e institucioneve tona përkatëse.

7. Cilat janë shqetësimet e juaja që mendoni se ka krijimtaria në aspektin letrar dhe gjuhësor?

Nuhi  Veselaj: Nëse mendoni për ndonjë rol timin si faktor me ndikim, nuk shoh arsye pse më bëhet kjo pyetje, ngase nuk e kam pasur atë mundësi, megjithatë sa mos me lënë pyetjen pa përgjigje, si individ po shpreh mendimin tim si këshillë shoqërore jo si shqetësim edhe për letërsinë, edhe për gjuhësinë.

Së pari,  le ta dijë çdo shkrimtar krijues, te ne e kudo, i vjetër e ri se, standardi i shqipes së sotme, nëse kuptohet drejt, nuk i kushtëzon krijuesit letrarë e të tjerë që të mbyllen në korniza të ngurta të asaj gjuhe mbi bazë toskërishte, ngase sa është e madhe gjuha e veprës b.f. të një D. Agolli ose I. Kadare,  Fatos Arapi etj. etj., të cilët në veprat e tyre, vërtet madhore për admirim, kanë arritur majat, edhe pse gjetën mënyrë të të joshnin edhe me ndonjë vlerë të dialektit tjetër, përdorën kryesisht toskëridshten ose fjalësin e shqipes së sotme standarde mbi atë bazë, po aq e madhe e për admirim ishte dhe është edhe gjuha disa shkrimtarëve që përdorën më herët dhe e përdorin edhe sot shqipen mbi bazë të gegnishtes letrare, andaj këshilloj që të shfrytëzohen edhe vlerat e gegnishtes si pjesë organike e gjuhës sonë globale, njësoj si edhe thesarin e pasurisë gojore të të gjitha trevave shqiptare. Së këtejmi, mendoj se në të ardhmen mund të priten suksese të reja edhe më të mëdha nga çdo shkrimtar talent punëmbarë, i cili, pasi tash janë krijuar mundësi të reja, e shfrytëzon mirë lëndën gjuhësore, duke bashkuar me mjeshtri tërë pasurinë ligjërimore e fjalëformuese të shqipes globale.

Së dyti, edhe sa i përket aspektit të studimeve gjuhësore po theksoj, përsëri flas si individ, si mësues i vjetër, se nuk shoh gjë të keqe pse kërkohet paksa zgjerimi i bazës së standardit të shqipes, por njëherazi nuk duhet parë çdo të zezë lidhur me normëzimin e gjuhës shqipe mbi bazë toskërishte, sipas rekomandimit të Kongresit të Drejtshkrimit 1972, ngase më shumë të zeza shoh aktualisht te disa kuadro standardistë zyrtarë në Shqipëri dhe pasues të tyre në institucione të ndryshme në Kosovë e gjetiu, që fanatikisht kanë mbetur të pozicionuar në ruajtjen e asaj norme, duke mos ndryshuar asnjë presje (!) dhe se mjerisht pothuaj krejt energjinë e talentin e tyre krijues e kanë shpenzuar dhe po e shpenzojnë duke e mbrojtur normën e tillë, deri edhe në mënyrë makiavleiste, duke mos i parë me sytë e dijes, lajthitjet ose gollet përkatëse që kishin mbetur ose ishin përvjedhur fillimisht në ato shtylla, ku jo pak çështje ekzistuese sot duken dritë me diell si të lëna keq, jo të zgjidhura mirë, ngase në atë normëzim patën mbetur të papërfshira disa vlera të padiskutueshme nga kodi i shqipes globale, përkatësisht nga ish-shqipja letrare mbi bazë të gegnishtes, të cilat tashmë me dhjeta vite kanë dale sheshazi si të diskutueshme dhe po kërkohet (ri)integrimi tyre. Vërtet shqetësues del fakti pse deri tashti nga kuadrot e tillë nuk janë bërë me dhjetra e dhjetra përmirësime edhe në Drejtshshkrimin e gjuhës shqipe (1973), siç janë bërë (edhe pse jo të plota) në Gramatikën e Akademisë dhe në Fjalorin shpjegues normativ dhe në botime të tjera edhe të Akademisë.

Për çështje konkrete lidhur me lajthitjet ose të metat në këto shtylla të standardit kanë tërhequr vërejtje edhe studiues të tjerë të njohur.

8. A jeni i kënaqur me punën shkencore që bëhet sot kundrejt gjuhës shqipe, konkretisht ndaj dialektit gegë?

Nuhi Veselaj: Ne nuk e mohojmë, pra, periudhën para e pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), ku sa i përket normëzimit, edhe pse në Shqipëri kryesisht mbi bazë të një dialekti, janë kristalizuar shumë gjëra pozitive. Ne, shikuar formalisht e realisht e quajtëm shumë pozitiv atë normëzim, sepse përveç rregullave të sistemuara e të kompletuara gjuhësisht mjaft mirë, së paku ishte arritur që edhe në sy të botës, shqiptarët të përfaqësoheshim me një gjuhë zyrtare dhe kjo nuk ishte punë e vogël, mirëpo ndërkohë pas viteve të ’90-a e fillimvitet e shekullit të ri e deri më sot në situatë të ndryshuar, po shihet qartë se ai standard del me bazë tepër të ngushtë (të drunjëzuar), andaj lypset zgjeruar e përplotësuar, qoftë me disa risime që ka sjellë vetë jeta, globalizmi i brendshëm dhe i jashtëm,  qoftë edhe me prurje të domodoshme nga gegërishtja, përkatësisht nga ish shqipja letrare mbi atë bazë, siç është edhe paskajorja me + pjesore të shkurtër se dhe me disa përforcime më fort me plotësim interpretimi, siç janë foljet me –NO ndaj atyre me –RO, foljet me –AV(Ë) (të pavërejtura fare), zbardhja rreth përdorimit të katër tipave të asnjanësit të shqipes, zbutja e kontaminimeve të homoformave ose homonimeve të vrazhda e përplotësime të tjera drejtshkrimore, fjalëformuese e gramatikore, si shumësi e shquarsia e emrave etj.  Në këtë kontekst, siç konstatojmë edhe ne, ky normëzim fatlumnisht pa e prishur komoditetin e bazës, ka mundësi me pranue edhe prurjet e domosdoshme si shtojcërisime, natyrisht kur kemi të bëjmë me ndreqjen e padrejtësive bërë vetvetes normës globale, përkatësisht disa segmenteve të ish normës letrare mbi bazë të gegnishtes. Konkretisht, e kam fjalën për një mori sinonimesh të zbuluara ose të rizbuluara, qoftë të trashëguara nga gjuha popullore, qoftë si krijime të reja fjalëformimi, jo vetëm nga krijimtaria e letësisë artistike, por edhe nga visari popullor e studimet gjuhësore dhe aq më tepër nga shkencat humanitare e natyrore matematikore, tekniko-teknologjnike, elektrono-digjitale etj.

Për mendimin tonë, lidhur me integrimin e paskajores së mirëfilltë të shqipes në standard nuk di pse nuk ka mirëkuptim nga të gjithë, kur është argumentuar katërcipërisht se integrimi i tillë nuk prish fare komoditetin letrarishtes së sotme dhe se një rikthim i tillë mund të bëhet menjëhershmërisht, pa gri  ujë në havan ose duke pritur Kongres të ri drejtshkrimor e ku ta di(!), sepse nënfusha e saj autonome semantike me shikue realisht ka mbetur e pa mbuluar plotësisht që në start të shpalljes së letrarishtes së sotme. Madje vazhdimi i mosintegrimit të saj, si deri tash, i shkakton dëm vetë standardit të shqipes, ngase, kur kemi parasysh shqipen globale, historinë e saj, vetë standardin e gjuhës shqipe, jo të një dialekti, një gafë e tillë ishte shkaktuar për mungesë koncepti, apo jo?!

Sidoqoftë, edhe pse ne si edhe studiues e intelektualë të tjerë lidhur me domodoshmërinë e riintegrimin e paskajores në standard kemi dhënë argumenta tejet të parrëzueshëm në burime të caktuara, megjithatë këtë çështje po e përshosh paksa edhe këtu, duke rikujtuar disa të dhëna me interes si fakte, të cilat ndihmojnë në të kuptuarit e domosdoshmërisë rreth integrimit të saj pa pasoja, siç janë:

E para, gjuha shqipe në kuadër të familjes i.e. ishte identifikuar si gjuhë me vete edhe me paskajoren e mirëfilltë që në fillet e saj, identifikim ky që e gëzon vetë kodi global standard i shqipes në vazhdimësi me vlerat e veta të pashkëputura semantike, gramatikore e leksikore, në krahasim me gjuhët e tjera, apo jo?!

E dyta, në ish-shqipen standarde paskajorja ishte e normëzuar, andaj mohimi i saj në normëzimin e ri pa respektuar gjuhën e natyrshme shqipe ishte vendim pamendësisht arbitrar, lëshim i pafalshëm, apo jo?

E treta, paskajorja e shqipes kishte dhe ka përdorim nga shumica e shqifolësve në trojet e veta dhe më gjerë, apo jo?

E katërta, paskajorja e mirëfilltë e shqipes si në gjuhë të tjera dhe në shqipe mbulon koncepte të fushës abstrakte, prandaj privimi i saj nga standardi ka shkaktuar pa nevojë shumëkuptimësi të sidhunshme të disa formave gjoja barasvlerëse, që nuk kishin shtrirje në tërë arealin shqipfolës, të cilat gjoja konsideroheshin barasvlerësa të plotë të konceptit të tillë abstrakt, siç është edhe veta e dytë njëjës e lidhores, por që përkundër atij zëvendësimi arbitrar disa koncepte të paskajores mbetën pa u mbuluar mirë ose aspak, kur kemi parasysh logjikën e shqipes si tërësi në krahasim me gjuhë të huaja, apo jo?

E pesta, injorimi ose përjashtimi i paskajores së mirëfilltë fillimisht nga standardi i shqipes është bërë në bazë të arsyetimeve të pambështetura, të gënjeshtërta, mjerisht, të plasuara ashtu edhe në burime relevante normative, se gjoja në Shqipëri e më gjerë kjo formë kishte pësuar pasivizim nga vetë evolucioni dhe që ende paska mbetur vetëm si fosil në disa të folme të skajshme të gegërishtes veriore, çka nuk ishte dhe nuk është edhe sot e vërtetë, sepse me një akt të tillë që në start ishte anashkaluar jo vetëm Shqipria e Mesme, por deri edhe disa vise nën Shkumbin, ku përdorej, madje mund të përdoret edhe sot trajta e paskajores së tillë, apo jo?

E gjashta, pa të drejtë është thënë se gjoja, të gjitha konceptet e paskajores së mirëfilltë, pa lënë gjë keq, mbulohen tërësisht me paskajoren e dytë ose me disa forma të lidhores, që i ka edhe vetë gegërishtja etj. etj., gjë që edhe këtu ka të pavërteta,  vërtet gegnishtja e ka lidhoren e paskajoren e dytë, por me to, konceptet e paskajores së mirëfilltë nuk mbulohen dot, ashtu siç nuk mbulohen plotësisht as me forma të tjera sinonimike, apo jo?

E shtata, aq më keq shtrirja e keqkuptuar e standardit pa paskajoren e mirëfilltë, pa kurrfarë oponence në Kosovë (ish –Jugosllavi), pati shkaktuar edhe disa deformime shumë dëmsjellëse (5-6), të cilat po ndikojnë keq (kryesisht tek disa ish-intelektualët entuziastë), jo vetëm në konsolidikimin e letrarishtes së sotme, por edhe në përdorimin e ish gegërishtes së natyrshme (letrare) me paskajore, përkatësisht  po bien ndesh edhe me të folmeve të trashëguara gegërishte,  si b.f.  (tash për të ardhmen) kisha thënë në vend kisha me thënë /do të thosha etj.

E teta, heqja ose anashkalimi i paskajores së mirëfilltë nga standardi i ri (1967/1972/73) u shoqërua me një propagandë pamendësisht makiaveliste, duke u shërbyer me të pavërteta, nga e cila si rrjedhojë kanë rënë viktima, madje po biejnë edhe sot e kësaj dite edhe disa studiues ambiciozë (edhe gegërishtfolës nga Shqipria dhe Kosova e më gjerë), çka është për keqardhje të madhe.! Kur them kështu kam parasysh edhe një publikim të një studiuesi, jo pa emër e pozitë, i cili në një gazetë të Tiranë (2015), është shprehur se gjoja:

E ashtuquajtura “paskajore” u la jashtë standardit edhe nga mbledhjet e gjuhëtarëve të Prishtinës të vitit 1952, 1957, 1963(!), sepse vërtet gjuha shqipe nuk ndjente nevojë për një formë të tillë infinitivale, që e kanë disa të folme të gegërishtes verilindore e verio-perëndimore, por që mungon për mbarë gegërishten dhe për toskërishten.

Nuk dime ku ka gjetur mbështetje autori, por siç u cek edhe pak më sipër, të gjitha të dhënat nga ky pasazh janë plotësisht të pavërteta, sepse edhe në dokumentat normativë të gjuhëtarëve të Kosovës del ndryshe. Kështu në burimin  e  vitit 1952, paskajorja e mirëfilltë ishte përfaqësuar 20 raste,1956 50 raste, ndërsa më 196324 raste, madje me rregulla të përcaktuara të mbështetura shkencërisht.

Pyesim, si është e mundur, që në kohën tone, alla-partizançe, të keqinformohet opinioni me të dhëna të tilla të gënjeshtërta?! Pse të vijohet propagandimi kundër integrimit të paskajores së mirëfilltë në standardin e sotëm, për të cilën ka aq nevojë vetë standardi aktual, së paku për të merituar emërtimin standardi i gjuhës shqipe, jo i një dialekti, apo jo?!

E nënta, e shoh të arsyeshme ta parafrazoj një konstatim tejet të shkurtër dhe kuptimplotë që e lexova nga një reagues drejtuar z. Ardian Vehbiu, i cili edhe pse nuk paraqitet si paskajorefob, megjithatë, pasi është mësuar pa të, mendon se integrimi i paskajores së mirëfilltë në standard del i panevojshëm. Reaguesi, mesa mbaj mend i drejtohet jo aq këtij sa paskajorefobëve përafërsisht kështu:

A jeni të vetëdijshëm, apo jo, sa humb shqipja nga një përkthim i tekstit të saj pa paskajore në gjuhë të huaj dhe njëherazi sa humb shqipja nga përkthimi i një punimi të tillë nga gjuha e huaj në shqipen pa paskajore?

Ne e marrim me mend se reaguesi i tillë, si ne, kishte parasysh edhe disa nga faktet që janë përmendur më përpara në burime të caktuara nga disa autorë, por  ndoshta edhe për këto që do t’i ricek sa për joshje kurreshtjeje tash fill:

Janë nja 4-5 raste kontekstore të padiskutueshme, në të cilat paskajorja e mirëfilltë me konceptin e saj sipas kodit të shqipes globale, në krahasim me ish shqipen letrare mbi bazë të gegnishtes, si dhe në përputhje me realitetin aktual ligjërimor, qoftë edhe si njësi frazeologjike (metaforike) nuk është e lejueshme të zëvendësohet me mjete të tjera të shqipes së sotme gjoja barasvlerëse. Konkretisht është fjala për këto nënfusha semantike:

Së pari, barasvlerësia pa shumë rezervë e përfaqësimit, jo vetëm ndaj infinitivit të të gjitha gjuhëve indoeuropiane, por edhe ndaj isimfilit të turqishtes dhe masdarit të arabishtes, detyrim ky që në radhë të parë u takon studiuesve, apo jo?!

Së dyti,  shprehjet lapidare (mençurake) me paskajore, për të cilat si pasuri e veçantë, letrarishtja e sotme për to nuk ka si me pasë zëvendësim, ngase këto shprehje si vlera, me prirje të pakufizuar shumimi, janë vulë e krijuar atavikisht (historikisht), madje edhe aktualisht janë në gjallim e sipër pa kufizim, në treva të caktuara shqipfolëse, si në gjuhën e folur ashtu edhe në gjuhën e shkruar, si p. sh.:

- Me ba me t’ ra kova në bunar, me çengel mundesh me nxjerrë, po me ba me t’ pshtue fjala pa tjerrë, nuk të ban punë asnji çengel.

- Për mos me koritë mësues e shkollë - mëso me folë mirë e me kontrollë.

- O sa mire me qenë shqiptar, me folë shqip e me pasë atdhe! etj. etj.

Së treti, citimet (respektim i domosdoshëm), qoftë të sjella si prova dokumentimi, qoftë si cilësi e gjuhës autoriale, ngase mosrespektimi i paskajores (origjinale) në raste të tilla konsiderohet shkelje e patolerueshme e kodit shkrimor, qoftë në aspektin shkencor, qoftë në atë të së drejtës universale njerëzore autoriale, p.sh.:

1) Nga Gjergj Pekmezi, KLSH Shkodër 1916:

Zotërinj, po ju lutem të keni durim me ndigjue… disa mendime që i kam pëmbledhur, jo për tjatër gjë, por për të mos humbur kohën…;

2) Nga një shkrim origjinal i Faik Konicës:

Është koha të mbledhim gjithë forcët intelektuale t’ktij kom(b)i dhe t’i vihen punës… se vetëm njerz të kulturës e t’mendjes kan me ken t’zot me pa se problemet ma të rëndat edhe të Kosovës janë problemet morale… edhe mundet me u shkurtue në kto fjalë: asht nevoja me i dhanë këtij kom(b)i nji shpirt…;

- Nga një punim i Pashko Gecit:

Fishta asht shtrënguar me krijue vetëm heroj;

- Nga dokumetacioni i Mustafa Krujës:

Deshtën t’i gjejnë nji mënyrë për me i vumë kapak punës… Në këtë rasë ka vlejtë me na i ngushllue disi zemrat e pikllueme…

Nga Edi Rama:

Dhe së fundi…më së lehti i vjen me ia shti fitilin vendit  se…(!).

-Nga  gurra popullore:

- A ma keq me t’shitue zana a me t’mallkue nana?

- Ma mirë asht me t’u shkoklavë trupi prej pune se prej zjarrmie a prej dembelie?

- Mos e ban veten me të shkokërrdhavë dru.

- Me pas pasë një shok si Mema/Paç me i hi sarajt përsmbrena…/

- Me dalë në shesh me marrë vesh, pitja e nxehtë s’bahet përshesh!

- Dola me shetitë në bahçe, dhe u ula me pushue,

Sa m’ka marrë malli për zotninë tande, hajde me ndejtë me mue…

etj, etj.

Së katërti, krijimtaria letrare (poetike), ku paskajorja ishte e pranishme si me thënë, në të gjitha veprat përkatëse letrare të para viteve të ’70-a (pa dallim dialekti), por që po përtërihet përdorimi i saj me të drejtë edhe aktualisht, sepse atë si origjinalitet e mbron edhe licentia poetica.

Edhe pse s’ka nevojë, ne po paraqitim nja katër-pesë shembuj nga kjo nënfushë dhe një sqarim:

-Tokë me nda nuk kam/Me vdekë duhet/Qenqe (të izoluar) nuk jetohet ma. (Ali Podrimja)

- Sikur ban dielli me dale/Nëpër aha brej e halë…(Gjergj Fishta)

- E i ka vu nji barrë dru n’zjarrm/Treqind vet per’i’her me u nxe. (nga një këngë kreshnike)

- Avitu njeri!/Nga palcë e urrejtjes dëshiroj me dalë,/ Si bima prej fare në pranverë…

(Martin Camaj)

- Mos vdis para se me vdekë. (shq. Agim Vinca)

Sqarim: Te shembujt e tillë të të gjitha pikave të mësipërme, as që është e lejueshjme të “përkthehet” paskajorja, por edhe po të tentohej vështirë që me mjetet e shqipes së sotme të realizohet pa prekur mesazhin personal të poetit (origjinalit). Madje edhe më shumë vështirësi dalin nëse tentohet me i zëvendësue 36 trajtat e paskajores së mirëfilltë të përdorura në një poezi të Gjergj Fishtës (“Nji lule vjeshtet”) ndaj dy trajtave të paskajores së dytë dhe nja 10 trajtave foljore të tjera.

Së pesti, nënfusha e sinonimisë, edhe te kjo nënfushë paraqiten çështje të diskutueshme në raportin paskajore e mirëfilltë/ paskajore e dytë ose trajtë foljore përkatëse e lidhores etj. si b.f.:

-  Po due me shkue me punue ndaj (po) dua të shkoj për të punuar  ose të punoj(!?).

- Kam për detyrë me shkue – kam për detyrë të shkoj / për të shkuar.

- Detyra e shqiptarit është: me folë shqip, me mendue shqip dhe me veprue shqip.

/Detyra e shqiptarit është: të flasë shqip, të mendojë shqip dhe të veprojë shqip;

- Detyra jonë si shqiptarë është: të flasim shqip, të mendojmë shqip dhe të veprojmë shqip.

/Detyra jonë si shqiptarë është me folë shqip, me mendue shqip dhe me veprue shqip.

( Sipas Afrim Morinës)

etj.

Sidoqoftë, edhe pse në të gjithë shembujt tanë nuk na duket që sininimia del e plotë, megjithatë ne, mendojmë ose konstatojmë me plotgojë se respektuesit e standardit plotësisht kanë të drejtë përparësie që ta përdorin trajtën jo me paskajore të mirëfilltë, po atë të normëzuar, sipas standardit të sotëm në fuqi, por njëherazi nuk e quajmë të qortueshme as përdorimin e trajtës me paskajore, ngase duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo injorim i sinonimisë, nënkupton varfërimin e nuancimeve shprehjesore të gjuhës, madje edhe në këtë mënyrë dëmtohet gjuha shqipe si tërësi, ndërsa standardi, varësisht nga situata, nuk pëson asnjë të keqe nga  përzgjedhja e shprehjes sinonimike, apo jo?

Së këndejmi, po spikas me zë të lartë: kur është fjala për shembujt sipas pikave 4-5 të mësipërme duhet ta dijë çdo shqipfolës, aq më tepër çdo lexues intelektual apo edhe çdo studiues që në rastet e tilla, pra kur paskajorja vjen nga origjinali dhe përfaqëson ose jo abstraksionin më të lartë gramatikor e kuptimor, ajo patjetër del e detyrueshme me u shënue në atë trajtë dhe si e tillë nuk është e lejueshme as të korrigjohet, as të zëvendësohet, apo jo?!

Së këtejmi, shprehjet e tilla me paskajoren me + pjesore pasi i mbrojtka e drejta universale, duhet t’i mbrojë e respektojë edhe çdo folës yni, çdo mësues, çdo gazetar, çdo përfaqësues institucioni, apo jo?! Është krejt tjetër gjë, nëse dikush në gjuhën e vet autoriale më tepër parapëlqen sinonimet përkatëse nga standardi zyrtar në fuqi ose nga dialekti që e bartë dhe për këtë ka plotësisht të drejtë, por kur është fjala te përfaqësimi, shprehjet lapidare, citimi, shprehje poetike, madje edhe në raste sinonimie, pasi nuk është shartim, po bimë e natyrshme organike e gjuhës shqipe, me rrënjë, trung e fryte të species së vet, respektimi i paskajores nga origjinali është, pra, detyrues, apo jo?!

E theksova ndoshta për dikë me tepri, këtë fakt, por e bëra këtë me qëllim, për të treguar se të kuptuarit e nevojës të një integrimi të tillë menjëhershmërisht duhet të shërbejë edhe si ilaç për të shëruar e këndellur standardin e shqipes së sotme dhe njëherazi për t’i shëruar nga paranoja e çuditshme ose drogimi propagandistik 50 e sa vjeçar disa shqipshkrues intelektualë paranoidë, madje edhe ndonjë standardolog fanatik gegërishtfolës rrugëhumbës nga mjegullnaja e kokës së tij që aq më keq, pa menduar fare po bëhet argat me atë që nuk e do ose e kundërshton  inatçe, pa forcë argumentimi, integrimin e saj në standardin e vet gjuhës së paskajores së shqipes, apo jo?!!

Të tillët mjerisht ende nuk janë në gjendje me kuptue se çfarë gabimi është bërë fillimisht ndaj gjuhës shqipe me injorimin e kësaj forme ekzistuese dhe ende nuk pajtohen dot me kthimin e menjëhershëm të saj në standard, qoftë për nevoja të gjuhës marrëveshjore, qoftë të asaj shkencore, ngase në të dyja këto procese trajta e tillë imponohet domosdoshmërisht, siç u argumentua edhe me shembuj konkretë në 4-5 pikat  e sipërcekura, që njëherazi kanë mbështetje përfaqësimi edhe për shembuj të tjerë me mundësi të pakufizuar shumimi sipas nënfushave përkatëse semantike.

Sa i përket pyetjes se cila nga trajtat e pjesores së paskajores ia vlen të standardizohet aktualisht, ne jemi shprehur për pjesoren e natyrshme të shkurtër, pa zgjerim e cungim, e cila, pas arsyetimit të V. Prennushit u konstatua si trajtë e normëzuar që në KLSH të Shkodrës dhe në vijimsi deri te Drejtshkrimi i gjuhës shqipe 1963 (I Ajeti), trajtë kjo e cila edhe shërben si temëfjalëformuese.

9. Ju jeni i shquar në fushën e gjuhësisë, këtë e dëshmojnë shumë vepra që keni botuar, a jeni shpërblyer nga institucionet e shtetit tonë e gjetiu?

Nuhi Veselaj: Unë në të vërtetë, deri tash asnjëherë nuk kam pritur të jem i shpërblyer plus nga institucionet e shtetit tonë e gjetiu, për veprimtarinë time për vepra që i kam konsideruar të shenjta dhe i kam kryer me mish e shpirt, së pari atë të detyrës në fushë të arsimit, pastaj në krjimtarinë letrare dhe së fundi në fushë gjuhësore shkencore, ku nuk kam pasur as obligim as shpërblim. Prandaj nëse kërkohet prej meje ta them pse institucionet e shtetit (shqiptar) nuk e kanë vlerësuar punën time si diçka plus kjo është pyetja më e pakëndshme edhe jo e lehtë për mua, ngase pos pamundësisë sime ose fatit që ia kam pri vetes, nuk dua ta fajsoj askënd tjetër, sepse unë në të vërtetë në arsim e kam marrë shpërblimin nga suksesi që kam arritur në mësimdhënie, nga krijimtaria letrare nga lexuesi i nderuar dhe anëtarësimi në shoqatën përkatëse të shkrimtarëve, ndërsa sa i përket veprimtarisë në fushën e studimeve gjuhësore shpresoj se ndihmesa ime sadopak do të jetë e pranishme në konsolidimin e zgjidhjen e çështjeve të shqipes standarde që do të jetë njëherazi edhe shpërblimi më i madh për mua.

Po nëse insistohet që të njihet sadopak e vërteta, pse kjo veprimtari imja nuk pati rregullshmëri jehone në institucionet përkatëse shtetërore, ka arsyet e veta objektive e subjektive, Vërtet, deri më tash botova 11 vepra letrare dhe 15 vepra nga fusha e studimeve gjuhësore, po këto pos ndonjë paraqitjeje në dy promovime viteve të fundit, ende nuk i ka vlerësua kush nga institucionet tona përkatëse. Jo pse mendohet se të gjitha këto nuk kanë vlera, sepse i ka shkruar një autodidakt, gjë që është paksa e vërtetë, por pse me punën e tij në kohëhapësirën përkatëse autori ka qenë i padisplinuar dhe jo ndëgjues i verbër ndaj rendit shoqëror-politik, përkatësisht joputhador ndaj faktorëve (institucional shtetëror), prandaj ata kishin interes të distancoheshin nga veprimet e veprat e tij. Dhe së këtejmi do ta ketë të qartë çdo lexues pse autori i librave të sapocekura nuk është kompensuar hiq fare materialisht, por edhe nuk i është dhënë mundësia që pas botimit të librave fillimisht e më vonë, të dalë së paku një herë para nxënësve me ditar në dore si mësues ose të mbajë së paku një ligjeratë para studentëve si studiues (!?).

Në të vërtetë rrëfimi im rreth shkaqeve pse nuk më shkoi puna mbarë me organet përkatëse shtetërore (shqiptare) kap dy periudha: së pari atë të regjimit titist dhe pasuesve në atë frymë deri në vitet e ’80- ’90-a dhe së dyti, periudhën tjetër që fillon nga faza e lëvizjeve liberale, populiste, para, gjatë e pas Luftës çliruese UÇK deri në ditët e sotme.

Për periudhën e parë, duke luftuar ose duke mos qenë i dëgjueshëm ndaj organizmave të  regjimit titist e pasuesve të tij, si person i burgosur, i përndjekur, gjithsesi jo i rehatshëm…  sipas logjikës aktuale të atëhershme shtetërore njerëzit tanë të implikuar në organe të tilla për me ruejtë karrigë e rrogë kanë pasur të drejtë zyrtare të zbatojnë dekretet e pushtetit, pra edhe të ndalojnë botimin e veprave të mia ose të ndalojnë të botuarat e rastësishme, apo jo? Andaj, kur më është dhënë rasti, pa ngushtuar materialisht e politikisht faktorët e organizmave përkatës, më është dashur që me vetiniciativë dhe kryesisht me vetfinancim t’i botoj shumicën e veprave të asaj natyre.

Ndërkaq, për periudhën e dytë, lidhur me botimin e librave nga fusha e studimeve gjuhësore të periudhës së trazicionit, përsëri për shkak të pamundësisë sime jo aq për shkak të uzurpimit të instituioneve të tilla nga ish funksionarët nga regjimi i mëparshëm, që disa prej tyre edhe pse unë nuk mendoj ashtu, në sytë e dikujt, u bënë patriotë, vetëm  atëherë kur politika serbe i preku në bark e në kolltuk, e jo në botëkuptimet e bindjet e tyre në të mire të politikës së arsimit, kulturës e shkencës kombëtare shqiptare dhe kur gjetën kopsht tjetër ushqyes, andaj më fort përkrahnin ekskolegët lojalë sesa ish-disidentët, të cilët, qoftë të zhytur thellë në krijimtari nuk u angazhuan në veprimtari të tilla organizuese, qoftë edhe për faktin që edhe tash nuk ishin puthadorë dhe aq të displinuar, ndaj politikës aktuale, andaj edhe meritonin bojkotimin, apo jo?!

Sidoqoftë, veprën time të parë shkencore Çështje të shqipes standarde në fushë të leksikut dhe të fjalëformimit (I) 1997, rastisi ta paguajë Sorosi, në trajtesën e parë të atij vëllimi, pos tjerash paralajmëroja se kisha në dorëshkrim edhe 8 vëllime me lëndë kryesisht: “çështje të shqipes standarde”. Askush nga faktorët tash në institucione të reja shqiptare as në Prishitnë, Tiranë e gjetiu, nuk u interesua për to, ngase kishin problem të tjera më të rëndësishme, apo jo?! Ndërkohë, dy veprat e tjera studimore nga fusha e gjuhësisë: Paskajorja – çështje e shqipes standarde (2000) dhe Foljet më –O në gjuhën shqipe (2002), i botoi z. Pal Shtufi te Dardania sacra  e Engjëll Sedajt, dhe që të dyja patën njëfarë jehone gjithkëndej e gjithandej  edhe nga Qendra. Në të vërtetë, përmbajtja e veprës Paskajorja… edhe pse shkencërisht nuk u vlerësua keq, por në një Konferencë shkencore nga disa faktorë u konstatua si integrim i panevojshëm në standard, siç kërkonim ne, sepse, sipas disa standardologëve të njohur zyrtarë, gjoja “hapte punë” ose prekte për keq standardin në fuqi dhe kjo shtyllë kurrizore e gegnishtes, përkatësisht e gjuhës shqipe si e tillë duhej shukatur si në pritje të një“vdekjeje klinike(!!)”.

Unë si reagim përgatita punimin tjetër Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, vepër kjo me të cilën argumentoja plus se integrimi paskajores në standard e ka vendin e zbrazët dhe aspak nuk prek për të keq normëzimin aktual, përkundrazi etj. dhe para se ta botoja pata rastin që përmbajtjen e këtij punimi ta paraqitja si kumtesë para një tubimi gjuhëtarësh… Pati reagime: ashtu e kështu. Ndërkohë, kur dorëshkrimin ia dorëzova recensuesit, profesorit të nderuar Fadil Raka, ngase edhe ai ka qenë fjalëmirë i paskajores, i cili pasi e lexoi, më përgëzoi,  por njëherazi me keqardhje më bëri me dije se kishte selamin nga faktorët  (pa i emnuar se kush ishin) si për të si recensues dhe për mua si autor që assesi kjo vepër mos të botohet, për ndryshe do të kisha për pasojë bojkotimin e 8 vëllimeve të paralajmëruara si dhe punimet e tjera. Megjithatë, pasi që e kisha ristudiuar e mbarëshktruar temën, duke e ditur rëndësinë që kishte integrimi i paskajores së mirëfilltë për gjuhën shqipe si tërësi, dhe standardin e shqipes në veçanti, u bëra i padëgjueshëm. Punimin e botova privatisht në vitin 2006. Jehona qe mjaft frytdhënëse. Këtë e dëshmoi edhe Konferenca e Durrësit  (2010). Por, vërtet, pasojat ndodhën, madje edhe më të rënda seç më kishin paralajmëruar. Bojkotimi i botimeve të mia pa vendim arsyetimi u zbatua nga redaksitë përkatëse dhe si duket, ashtu nën rogoz, ende është në fuqi, apo jo?!

Sidoqoftë, përkundër bojkotimit unë i thelluar në këtu punë, thellësisht i bindur ndërgjegjësisht se bëj një punë të mire për gjuhën shqipe, nuk e kam ndalë veprimtarinë dhe duke falenderuar portalin zemra shqiptare.net, për çka kanë meritë zotërinjtë Gëzim Marku dhe Kadri Mani, u mundësua publikimi i disa punimeve tona të guximshme, kryesisht si çështje të shqipes standarde, që kishin plot risime shkencore, siç kishim paralajmëruar qysh në vitin 1997.

Ndërkohë, edhe pse dielli tashmë nuk mbulohej me shoshë, pasi, po përësëris për shkak të pamundësisë sime për të bërë zhbllokimin, përkatësisht për të ngjallur interesimin për botimin  e  tyre nga organizmat përkatës shtetërorë, nuk fajsoj askënd. Në të vërtetë, pasi nuk më shkojnë servilizmi e puthadora, dhe se bastioni i mbrojtjes fanatike të standardit të keqkuptuar nga dikush ende vazhdon, tash së voni për mos me krijue probleme, u detyrova që duke falenderuar familjen time, ndihmën nga fëmijët e mi, por edhe nga Shoqata e të dënuarve politikë e Kosovës, natyrisht në mënyrë të veçantë duke ua ditur për nder profesorëve të nderuar Abdullah Zymberi e sidomos recensuesit e redaktuesit Begzad Baliu, u bë e mundur që këto dy vitet e fundit, në shtëpinë botuese Era  të botohen (edhe pse në numër fort të kufizuar ekzemplarësh) 11 vepra të reja shkencore (6 -2015 dhe 5 -2017), të cilat pritet të vlerësohen edhe nga studiues të institucioneve përkatëse, ngase këto nuk janë aq të mëdha sa të mos mund të përkapen pa vështirësi nga kritikanët përkatës, por njëherazi nuk janë ndoshta edhe aq të vogla sa mos me u pa as me llupën e vlerësuesit normal, apo jo?!

Sido që të jetë, dihet se njerëzit fizikisht mund të ikin, ndërsa veprat e tyre mbesin për t’u vlerësuar më me nge, apo jo?!

Së këtejmi, kërkoj falje dhe mirëkuptim për këtë rrëfim, që e bëra pa dëshirë, po më detyruat me pyetjen Tuaj. Pra, për pamundësinë time nuk dua të fajsoj askënd, as bojkotuesit, as institucionet e qeverisë sonë e gjetiu, të cilat pasi nuk kanë pasur ndonjë vlerësim-propozim nga grupet a komisionet legale përkatëse, atëherë nuk kanë pasur as si me vlerësue punën time , qoftë në fushën arsimore (afro 20 vjet), as atë letrare (11 vepra) dhe as atë shkencore (15 vepra), apo jo?

10. Çfarë është shkrimi për ju dhe çfarë porosie keni për studiuesit e rinj?

Nuhi Veselaj:  Të shkruarit  si proces dhe shkrimi si rezultat i veprimit  për mua kanë domethënie të thellë. Të shkruarit i jep mundësi njeriut për veprimtari të thella që mund të mundësojnë edhe përkryerje të botës së tij mendore, ndërsa shkrimi si rezultat i atij veprimi është kurorëzim që dëshmon aftësinë krijuese të intelektualit të caktuar. Dihet dhe një fakt tjetër: shkrimi, ose krijimtaria me vlerë të lartë më pak i takojnë së sotmes, ndërsa të ardhmes më shumë. Ju do të jetoni, në mbretërinë e veprave të reja letrare e shkencore si dhe në botën e informacionit digjital dhe të arritjeve të tjera mbi këtë bazë, sistem ky i cili e zhvillon kreativitetin dhe invensionin e njeriu gjithsesi edhe nga aspekti mendor e gjuhësor, prandaj urime e suksese në valët e rrymave të reja edhe së studimin e gjuhës e të letërsisë shqiptare.

Sidoqoftë, për ju, studiues të rinj, kam një porosi: Mbase keni dëgjuar nga të moshuarit se krejt çka ta marr mendja është në qitab (në libra) po unë po ju them që ta dini se edhe çka s’ta merr mendja është në qitab (dokumente të shkruara), prandaj po ju kujtoj porosinë tjetër të artë, që vlen sidomos për studiuesit e krijuesit e rinj, jo vetëm çka të dëgjosh mos beso, por edhe atë që e gjen të shkruar mos beso, po verifiko dhe nëse ke mundësi e ta pret mendja, provo shto. Në punët e tilla verifikuese ose krijuese mbase ndodh të hasësh në vështirësi, të mos kesh mirëkuptim nga dikush, siç më ka ngjarë mua, por ti punës mos iu ndaj, duke e pasur për mbështetje logjikën tënde dhe gjej mbështetje, si unë, në fjalët e një mësuesi tim shkodran: Bane të miren hidhe në det, në mos e dijtë peshku e di Zoti vet.

Së ketejmi urojma jonë për studuesit e rij është që të jenë të palodhshëm në këtë rrugë jo të lehtë, por mrekullisht idealiste joshëse, por veç gjuhëve të huaja, assesi mos të harrojnë të shikojnë mbrapa dhe t’i marrin me vete vlerat e gjuhës sonë deri tash të zbuluara dhe ende të pazbuluara dhe së bashkë me vlera të tjera t’i shfrytëzojnë, t’i trashëgojnë dhe t’i plasojnë ato në dobi të kulturës gjuhësore e shkencore shqiptare në oponencë me vlera universale që mësohen nga gjuhët e huaja.

11) Profesor i nderuar, në një intervistë të më parshme, patët paralajmëruar se përveç  5 veprave shkencore që sapo dolën nga shtypi

/1. Çështje të shqipes standarde (III), 28 tema të hapërdara, 2. Çështje të shqipes standarde (IV) rreth  emërtimit të njerëzve sipas veprimtarisë, 3. Çështje të shqipes standard (V) rreth disa termave nga fusha e ekonomisë dhe e teknikës, 4. Çështje të shqipes standard (VI) rreth vendbanimeve dhe 5. Fjalor pune shqip-serbokroatisht, me theks terminologjia tekniko-teknologjike/,

keni edhe 4 vepra të pabotuara nga fusha e letërsisë, kur mendoni që edhe ato t’i botoni?

Nuhi Veselaj: Po është e vërtetë, përveç këtyre 5 veprave nga fusha e studimeve gjuhësore sapo dolën nga shtypi, kam në dorëshkrim edhe ndonjë tjetër, madje edhe 4 (ndoshta edhe më tepër), nga fusha e letërsisë, të cilat pas rishikimit, do të përpiqem që edhe ato t’i ofroj për botim, por sa i përket libërtimit, kjo varet nga mundësitë, prandaj nuk mund ta di se kur mund do ta shohin dritën e shtypit edhe ato.

Intevistuesja Shqipe Gashi: Faleminderit profesor për intervisten dhe për veprat që ia keni dhuruar kulturës shqiptare!

Nuhi Veselaj: Me nder qofsh, dhe unë kërkoj falje nga lexuesit, për ndonjë fjalë të shpëtuar pa vend dhe për gabime shtypi e ndonjë tjetër, për të cilat lus lexuesin e pasionuar që t’i shënojë sipas veprës përkatëse, në mënyrë që ne t’i  botojmë veçanë në një fletë: “ndreqje gabimesh”. Sidoqoftë, suksese, shëndet!