Berisha: Vdiq ish i burgosuri politik Zymer Zymeraj
| E Diel, 17.07.2016, 08:00 PM |

Në vend të përkujtimit

VDIQ ISH I IZOLUARI DHE I BURGOSURI POLITIK, ZYMER ZYMERAJ

NGA SEJDI BERISHA

Njerëzit që kanë kontribuar për forcimin e integritetit kombëtar, të lirisë së kombit, i cili nën regjimin Milosheviqit, në mënyra të ndryshme u torturua dhe u persekutua, jo vetëm se duhet të bëhen e që janë edhe pjesë e historisë më të re të Kosovës, por ata duhet të vihen në spikamë në të gjitha veprat dhe dëshmitë, të cilat jo vetëm se e forcojnë edhe më shumë dëshminë për vendosmërinë e popullit për liri dhe pavarësi, por edhe e bëhen fakte historike për kohën më të re të kombit, respektivisht, të lëvizjeve dhe të luftës për liri në Kosovë.

Kaptinë e veçantë është edhe periudha kur shumë kuadro dhe njerëz të devotshëm, të cilët i rrinin përkrah lëvizjeve te popullit dhe të klasës punëtore të Kosovës në luftë për ruajtjen e autonomisë së atëhershme të Kosovës, u izoluan dhe pastaj u maltretuan dhe masakruan në burgjet dhe kazamatet e shumta të Serbisë. Njëri prej shumë të izoluarve dhe të burgosurve politik, ishte edhe Zymer Zymeraj, ish udhëheqës në Kombinatin e Drurit “Gjeravica” të Deçanit.

Ai, para gjashtë ditësh, në moshën tetëdhjetë e trevjeçare vdiq në Gjermani, i cili për një kohë qe detyruar të emigrojë si veprimtar dhe i burgosur politik. Kush është, Zymer Zymeraj?...

Fshati Lëbushë në komunën e Deçanit nxori dhe edukoi shumë kuadro që i kontribuuan popullit

Zymer Zymeraj, rrjedh nga një familje bujare fshatare me një traditë kombëtare të ngjeshur e rritur nëpër periudha historike në frymën e atdhedashurisë, të cilat rezultojnë me përpjekjet për arsimimin e gjeneratave të atëhershme, në mënyrë që, përveç që të bëhen të zotët e vetvetes, të kalitën edhe si kuadro, të cilat, përherë e kishin synim mirëqenien kombëtare, lirinë dhe pavarësinë, e cila u kishte munguar dhe u ishte cunguar shumë gjeneratave ndër decenie, gjyshërve dhe stërgjyshërve.

Ai, në vegjëli, e më vonë edhe në rini, u rritë në Lëbushë, në këtë fshat buzë Bjeshkëve të Nemuna, i cili dikur ishte me pak perspektivë të jetës së lumtur, e, edhe më  me pak gjasa për arsimimin e gjeneratës së re. Mirëpo, Zymer Zymeraj, si fëmija më i madh në familje, ndoqi realizimin e ëndrrës që të shkollohet dhe të punësohet diku në rrjedhat shoqërore dhe në ekonomi në komunën e vogël të Deçanit. Kështu edhe ndodhi. Ai, mbaroi Shkollën e Lartë Ekonomiko-Komerciale dhe më vonë u punësua në Kombinatin e Drurit “Gjeravica” në Deçan, ku kreu shumë detyra me rëndësi udhëheqëse; së pari Drejtor Komercial, pastaj kalon në detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm e pastaj kryen detyrën e drejtorit të Fabrikës së Tarolitit, e cila, po ashtu vepronte në kuadër të Kombinatit “Gjeravica”.

Tani, ai në këto pozita dhe funksione arriti të shënojë suksese të konsiderueshme, por edhe të fitojë besim dhe simpati tek punonjësit, gjë kjo e cila, këtë njeri e bëri figurë me ndikim tek punëtoria e “Gjeravicës”, e që tek pushteti aktual serb zgjoi dilema dhe u bë halë në sy e sigurimit.

E tërë kjo dhe lëvizjet e atëhershme të popullit dhe të punëtorisë për ta mbrojtur autonominë e Kosovës, bënë që pushteti aktual serb të bëhet gjithnjë e më brutal dhe hartoi edhe plane të shumta për ta ndëshkuar pozitën e Kosovës dhe të shqiptarëve, siç ishte pos tjerash, edhe izolimi dhe burgosja e kuadrove të shumta anekënd Kosovës.

Kështu, me 20 mars të viti 1989, duke shkuar në punë, dyqind metra larg banesës së tij në Deçan, policia dhe punëtorët e sigurimit, Zymer Zymerajn e ndalin dhe i thonë se e kanë ftuar në një “bisedë informative”, prej nga dërgohet në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Pejë, prej nga edhe fillon odisejada dhe golgota e izolimit dhe e burgosjes së tij dhe të  shumë kuadrove të tjera.

Ferri dhe vuajtjet në burgjet e Serbisë...

Tani, siç rrëfen Zymer Zymeraj në librin “Tunelet e tmerrit” të autorëve, Ibrahim Osmani dhe Fahri Musliu, që u botua në vitin 1992, fillon odisejada e tmerrit:

RROJA E TERUR

Zymer ZYMERAJ:

Me 28 mars të vitit 1989, duke shkuar në punë, 200 metra larg banesës sime, me ndali një punëtor i sigurimit shtetëror dhe tre milicë, me fjalët "Të kanë ftuar në një bisedë". Më parë shkuam në stacionin e milicisë në ­Deçan, e më vonë bashke me ta në SPB në Peje, ku kishte edhe të tjerë. ­Më futen në një autobus me emrin e firmës "Braqa Kariq dhe na çuan në Prishtinë. Aty na i vunë prangat e plastikes dhe me autobusë të tjerë na nisen për në Leskovc. Pasi zbrita më kapen dy rojtarë të burgut, duke më thënë "Do të rruajmë në të terur"! As qe kuptova se çka më thanë. Me çuan në një korridor të ngushtë, të cilin e quanin SARDINA.  Aty ishin edhe nja 30-40  njerëz. Një milic na tha: Kthehuni këndej dhe shikon këtë "Bugarin" - ky do t'ua luaj nënën të gjithëve. Nga korridori dëgjoheshin të rëna dhe klithjet e njerëzve. Aty ishte edhe mjeku. i cili më pyeti: Ej ti stari, bolujesh ti od nećega?63

Iu përgjigja se jam i sëmurë nga zemra.  ­Ai më tha që t'ia tregoj diagnozën në latinisht. I thash se nuk di. Mjeku, pa një pa dy urdhëroi: "Bën"! Gjatë rrahjes me ofendonin duke ma sharë nënën shqiptare, duke më pyetur se sa germa i ka Kosova Republikë, a e di se janë tetë milionë serbë. Në një moment e humba vetëdijen. Më kujtohen vetëm fjalët: "Udri majku mu jebem, jak je on”. Kur erdha vete, pash se isha lagur me ujë në fytyrë e gjoks. Nga aty më çuan në një zyre të vogël, më urdhëruan të zhvishem cullak. U përpjeka të kundërshtoj të zhvishem, por ata këtë e bënë me zor, duke më rrahur me shqelma dhe me kërbaç. Përsëri e humba vetëdijen dhe nuk e di si kam shkuar në qelinë numër 4. Kur sërish erdha në vete, te këmbët e mia pash Hakif Shehollin, i cili ishte i shtrirë cullak dhe pa vetëdije. Aty ishte edhe, Xhemajl Pllana, nga Vushtrria, bashkë me të cilin e qitëm Hakifin në krevat. Me pas hynë tre milicë dhe i urdhëruan Hakifit: Ngrehu, nënën ta q ... ", por ai ishte në agoni dhe nuk dinte se çka i thonin. Milicët filluan ta rrahin ashtu të alivanosur në krevat. Në dhomë ishte Naip Zeka dhe që të katërt ishim të lodhur e të rraskapitur.

Cili ishte shkaku i izolimit dhe në cilat burgje e vuajti dënimin, Zymer Zymeraj?

Shkaku kryesor i izolimit dhe i burgosjes së Zymer Zymerajt dhe i shumë kuadrove të tjera, se ata nuk pajtoheshin me ndryshimet kushtetuese dhe heqjen e autonomisë së Kosovës, ashtu siç nuk pajtohej e tërë popullata shqiptare e Kosovës. Por nuk ishte vetëm kjo, sepse, z. Zymeraj ishte njeri me ndikim jo vetëm në Kombinatin e madh të Drurit “Gjeravica”, por edhe në tërë komunën e Deçanit dhe më gjerë!

Pastaj, si rrumbullakim i “arsyetimeve” ishte edhe shkuarja e tij me punëtorët e “Gjeravicës” dhe të organizatave të tjera punonjëse të Deçanit për në Prishtinë, ku ishte drejtuar e tërë Kosova për t’i kundërshtuar ndryshimet kushtetuese.

Ndërsa, burgjet në Pejë, Leskovc, Prokuple dhe Beograd, ishin bërë pjesë e paharruar e jetës së tij, gjëra këto të cilat vetëm sa e kishin kalitur edhe më shumë për të qëndruar vertikalisht dhe i pathyeshëm.

 

Në mars të vitit 1998, në banesën e vetë i vritet gruaja dhe miku i tij

 

Por, rrugëtimi i tij përcillet edhe me tragjedi të tjera në vitet 1998-199. Atë, duke e kërkuar për dënime dhe maltretime të tjera, e përcjellin, kurse në ditën fatkeqe të datës 08 gusht 1998, forcat policore serbe hynë në banesën e tij, dhe ia vrasin bashkëshorten, Ajnën dhe mikun, respektivisht, të vëllanë e gruas, Shaban Osajn.

Atë natë, Zymer Zymeraj kishte rastisur në Pejë duke e përcjellë vajzën për në botën e jashtme.

Dhe tash pas shumë vuajtjeve, tani edhe me shpirt të thyer e me peshën e kurbetit e mallin për vendlindje e atdhe, ndërroi jetë në Gjermani, por e kishte lënë amanet, që trupi i tij të prehet në atdhe, në tokën e Lëbushës, që aq shumë e deshi që kur ishte fëmijë e deri në frymën e fundit.

Në ditën e varrimit, kishin ardhur për t’ia dhënë lamtumirën e fundit dhe për t’u përshëndetur qindra e qindra bashkëvendës, miq, shokë e kolegë. Ndërsa, familja e tij, vëllezërit, Qazimi dhe Dauti si dhe e tërë familja, janë krenarë për jetën, punën dhe veprën e Zymer Zymerajt, i cili

 

Shtëpia në fshatin Lëbushë, ku u rrit dhe jetoi, Zymer Zymeraj

ishte edhe udhërrëfyes i tërë familjes dhe më gjerë, që jetën ta jetojnë e qojnë përpara me ndershmëri, sinqeritet dhe me dashuri e përgjegjësi për vendlindjen, për atdheun dhe për kombin.

Ky ishte rrugëtimi i Zymer Zymerajt, i cili nuk duhet të harrohet, por, gjithashtu nuk duhet të harrohet asnjë figurë tjetër që tërë jetën e kanë vënë në shërbim të kombit e atdheut, sepse, kështu e nderojmë dhe e forcojmë historinë dhe faktografinë e rrugëtimit tonë në sy edhe të botës...!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: