Gani Mehmetaj: A di Zoti shqip?
| E Premte, 17.04.2015, 08:18 PM |

A di Zoti shqip?

Nga Gani MEHMETAJ

Hoxhallarët, Bashkësia Islame e Kosovës, me bashkësitë simotra në Shqipëri, Maqedoni e Kosovën Lindore duan të na bindin se Zoti nuk di shqip. Sipas tyre, Perëndia e kupton vetëm gjuhën arabe, prandaj të gjitha lutjet, ritualët dhe ceremonitë mortore bëhen në gjuhën arabe. Kundër bindjeve të ngulitura thellë në etnopsikologjinë shqiptare se filani është i biri i filanit, hoxhallarët ditën e varrimit të vdekurin e thërrasin në emër të nënës, duke ia vënë në dyshim atësinë! Emërtimet e festave fetare janë në gjuhën turke, por kurrsesi në gjuhën shqipe. Kështu Festës së Flijimit ata i thonë turqisht Kurban Bajram, ndërsa të gjithë shqiptarët besimtarë e jobesimtarë e përsërisin me papagalli në të njëjtën mënyrë. Festës së madhe myslimane i thonë Fiter Bajram. Dikur popullata këto dy festa i quante Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël, pra festa e madhe dhe festa e vogël.

Hoxhallarët dhe kleri mysliman vazhdojnë të na fyejnë ndjenjat kombëtare, e fyejnë intelektin tonë e krenarinë kombëtare, duke na bindur se gjuha shqipe është gjuhë e rendit të dytë, është gjuha e mëkatit, prandaj nuk bën që lutjet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, por në gjuhën e beduinëve të shkretëtirës nga e morëm fenë.

Jemi i vetmi komb evropian, që lutjet fetare myslimane i themi në një gjuhë të huaj, të cilën nuk e kupton askush nga popullata shqiptare, nuk e kuptojnë as pjesa më e madhe e klerikëve. Është e kotë që kushtetutat në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni apo Kosovën Lindore e sanksionojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përderisa nëpër xhami gjuha e vetme është gjuha arabe. Edhe mbishkrimet nëpër xhami janë në gjuhën arabe, thuajse jemi në Arabi. Lutjet brenda korridoreve të xhamisë po ashtu janë shkruar arabisht, megjithëse askush nga besimtarë nuk e kupton asnjë shkronjë të kësaj gjuhe. Diskriminimi i gjuhës shqipe bëhet ditë me diell dhe askush nuk reagon. Shpërfillja e shkronjave shqipe bëhet me qëllim, dhe askujt nuk i bëhet vonë. Disa thonë se shumica e atyre që shkojnë në xhami janë analfabetë apo gjysmanalfabetë, prandaj kot që ua vë mbishkrimet shqip, kur nuk dinë t’i lexojnë, por megjithatë e kanë shumë më lehtë të luten në gjuhën e nënës, sesa në gjuhë të huaj. Njohësit e gjuhës arabe tregojnë se si besimtarët shqiptarë kur luten në gjuhën arabe, e shqiptojnë tmerrësisht keq këtë gjuhë, saqë në vend të lutjes drejtuar Zotit, u del ndonjë blasfemi a fjalë e pistë, ndërsa ata nuk e kuptojnë se janë lutur tmerrësisht gabim.

Naim Frashëri dikur bëri përpjekje që lutjet fetare t’i përkthente shqip, në mënyrë që të shkëputeshim nga ndikimi skllavërues oriental. Mirëpo, hoxhallarët e shitur këto lutje nuk i vunë në përdorim, përkundrazi i denoncuan hoxhallarët që predikonin shqip para okupatorëve turq e serbë. Rilindësi  i madh synonte që shqiptarët myslimanë, sidomos pjesa e paarsimuar të shkëputeshin nga skllavëria shpirtërore turke e arabe, por një gjë të tillë nuk e duan ata që marrin para nga këto shtete.

Është fakt i ditur se hoxhallarët kurrë nuk e kanë vënë flamurin shqiptar nëpër xhami, kurrë nuk e kanë festuar ndonjë festë kombëtare shqiptare, por nuk kanë ngurruar ta ngulin flamurin arab apo turk si për inat të popullatës shumicë shqiptare, nuk kanë ngurruar ta madhërojnë ndonjë personalitet politik turk apo arab (diktatorët e dikurshëm Naserin, Asadin, Sadatin, Gadafin, Mubarakun apo sot Erdoganin).

Besimtarët e diskriminuar në shtetin e vet

Qysh pas vdekjes së Skënderbeut, kur Shqipërinë etnike e gllabëroi shkallë-shkallë Perandoria Otomane, bartëse e islamizmit me terror e vrasje, në emër të myslimanizmit pushtuesi i shpalli luftë  shfarosëse kombit e flamurit tonë. Një pjesë e hoxhallarëve të shitur te djalli, nuk ngurrojnë që simbolin e shenjtë-shqiponjën dykrenore, ashtu sikurse okupatorët serbë dikur, ta quajnë sorrë, madje para besimtarëve shqiptarë që dëgjojnë si   dele e nuk reagojnë. Hoxha i dyshimtë Irfan që ligjëron sikur ta kishte porositur Serbia, nuk është i vetmi, por ne jemi të vetmit në botë që e durojmë një sharlatan të shitur ta përbaltë historinë tonë kombëtare, në  vend se ta arrestoj policia për nxitje të urrejtes.  Në dy shtetet shqiptare besimtarët shqiptarë myslimanë janë tmerrësisht të diskriminuar, të denigruar e të fyer: në shtetin e tyre kombëtar nuk guxojnë të luten shqip, nuk guxojnë të zhvillojnë ceremonitë mortore në gjuhën e tyre, nuk guxojnë të bartin simbole kombëtare, nuk guxojnë të madhërojnë bëmat e Skënderbeut, duhet të vënë në kokë kapele arabe ose turke, detyrohen të dëgjojnë fyerje nga më të turpshmet kundër kombit të tyre, kundër traditave e etnopsikologjisë kombëtare. Në vend se t’ua hapin horizontin për të ardhmen  e kombit, kleri mysliman në jo pak raste i frymëzojnë e mobilizojnë besimtarët të bëjnë luftë fetare si në Siri e Irak, bie fjala, duke cytur njëkohësisht edhe në luftë kundër bashkëkombësve të vet të fesë tjetër apo kundër jofetarëve.

Islami që nga fillimi u shpalli luftë shqiptarëve, duke i ndjekur më shumë se asnjë komb tjetër. Lufta e islamit kundër shqiptarëve vazhdoi me egërsi gjatë tërë kohës së pushtimit të Perandorisë Otomane, duke e shprishur gjysmën e kombit. Edhe kur Turqia u tërhoq nga territoret shqiptare, ndeshja e egër në mes të islamit e shqiptarizmit nuk pushoi. Herë fitonte islamizmi mbi shqiptarizmin, herë shqiptarizmi mbi islamizmin shkombëtarizues. Në kohën e mbretërisë shqiptare, me dekret iu ndalua besimtarëve shqiptarë që të përkulen, duke u bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit se shqiptari nuk bën të përgjunjet a të përkulet. Por më vonë ky dekret u hesht, kështu që vazhdon tradita orientale e faljes me përkulje. Shqiptarizmi e shteti shqiptar kurrë nuk arritën ta detyrojnë islamizmin që ta përfillë as ta pranojë traditën kombëtare e gjuhën shqipe si gjuhë të lutjeve, gjuhë të fesë dhe gjuhë të Zotit.

Fyerjet që u bëhen ndjenjave kombëtare

Myslimanizmi që del nga goja e jo pak hoxhallarëve në Kosovë, në Shqipëri e Maqedoni edhe më tutje e shkel krenarinë tonë kombëtare, e fyen intelektin tonë, e denigron qenien tonë kombëtare, duke e përjashtuar gjuhën shqipe nga lutjet fetare, duke e përjashtuar flamurin kombëtar nga festat fetare, duke i shkelur interesat kombëtare për interesa të serbëve, turqve e arabëve, interesat e të cilëve bien ndesh me interesat tona. Ndërkaq, shteti shqiptar me gjysmështetin e Kosovës e toleron shkeljen e kushtetutës, shkeljen e ligjit, shtrembërimin e historisë, përdhosjen e traditës e të simboleve kombëtare, shpërfilljen e emocioneve të besimtarëve, e lejon rrezikimin e strategjisë kombëtare: përcaktimin tonë për qytetërimin evropian. Shumica e hoxhallarëve predikojnë kundër integrimit tonë në Bashkimin Evropian, predikojnë kundër SHBA-së sikur t’i kishte financuar Serbia.

Ku qëndron arsyeja e kësaj tolerance antikombëtare e denigruese? Si e pranojmë këtë fyerje në shkallë kombëtare? Pse shteti shqiptar hesht para kësaj fyerjeje e denigrimi edhe pas njëqind e ca vjetëve që kur ia mbathi pushtuesi turk? A ka forcë kombëtare e besimtarë që do ta zhbllokojnë këtë situatë absurdi? Janë edhe një varg pyetjesh që imponohen në një situatë të tillë. Janë po ashtu një varg përgjigjesh që duhet të jepen.

Si t’ua heqim nga mendja besimtarëve me tru të shpërlarë se gjuha shqipe është gjuhë e Zotit, se gjuha e nënës së tyre është gjuhë e shenjtë, se gjuha e nënës nuk është gjuhë e kaurit, sikurse çirreshin dikur e sot në kupë të qiellit hoxhallarët proserbë e proturq, mercenarë shkombëtarizues.

Elita shtetërore e elita politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë duhet të nisin e të merren seriozisht me këtë çështje, duhet ta mbrojnë interesin kombëtar, ndërsa interesi shtetëror e kombëtar mbrohet duke e vënë Bashkësinë Myslimane të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedonisë në binarë kombëtarë, duke ua përcaktuar rregullat qytetëruese, duke e futur fenë në faltore e jo në rrugë e sheshe, duke i zëvëndësuar simbolet arabe e turke me simbole shqiptare. Çështja e fesë nuk është vetëm çështje e një grushti hoxhallarësh, pavarësisht ndikimit të tyre të madh e fatal që kanë mbi pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë, pavarësisht presioneve që i bëhet elitës shtetërore e politike nga Turqia, Serbia e shtetet arabe. Aleancat nuk mbahen me imponime, apo duke lejuar veprimin e forcave rrënuese brenda shtetit që të mos i mbetet hatri Erdoganit apo sheikëve arabë.

Mendja e shitur e intelektualëve

Ndërkaq, mediat bëjnë me dije se një pjesë e kreut të bashkësisë myslimane të Kosovës është e zhytur në afera me paratë e burimeve të dyshimta, një pjesë e mediave financohen nga këto para të pista. Paratë e pista dyshohet se kanë depërtuar edhe në kreun e elitës politike e shtetërore, te deputetët, nëpunësit, policia. Këto para e kanë blerë edhe mendjen e shitur të një grushti intelektualësh, gazetarësh e politikanësh. Prandaj ata shkumëzojnë të na bindin se Turqia na masakroi e persekutoi për të mirën tonë, na islamizoi, sipas tyre, me fenë më të mirë (!), ishte çlirimtare, ashtu sikurse thoshin po këto mendje të shitura dikur për Serbinë e Jugosllavinë. Të vjen të vjellësh kur i dëgjon deklaratat e tyre. Janë aq puthadore, janë aq të padinjitetshëm kur e shtrembërojnë historinë kombëtare, sepse u shitën te anadollakët a të arabët. Fondet e dyshimta që vijnë nga Turqia, Serbia e shtetet arabe, kanë ndikuar që shteti shqiptar dhe ai i Kosovës në vend se të mbështesin forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës e të Shqipërisë, mbështesin forcat antikombëtare e antishtetërore. Sa herë e kanë kërkuar ndihmën e shtetit forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës, shteti e mbështeste kreun e hoxhallarëve të lidhur me shërbimet e fshehta orientale.

Myslimanizmi autokton me simbole kombëtare e lutje shqipe

Elitat politike e shtetërore me përcaktim kombëtar, që do të konsolidohen, duhet të mbështesin klerin mysliman me përcaktim shqiptar e evropian. Sindikata e Bashkësisë Myslimane të Kosovës me disa  hoxhallarë të margjinalizuar, që i njoh, janë ithtarë, por edhe e kanë paraqitur projektin për mbajtjen e lutjeve në gjuhën shqipe, për vënien e mbishkrimeve nëpër xhami sipas ligjit në fuqi, ashtu sikurse e kanë paraqitur projektin që besimtarët e klerikët myslimanë të bartin plisa (qeleshe) në xhami e jo kapela turke e arabe. Ata po ashtu janë kundër mbulimit të femrave me tri lloj shamish, varësisht cili shtet islamik i financon (Turqia, Irani a Arabia Saudite). Projekti i tyre më tutje e vë në pah se hoxhallarët duhet të zgjidhen brenda shtetit të tyre e jo të caktohen nga Turqia, Irani, Egjipti e  Arabia Saudite; hoxhallarët të arsimohen në Kosovë e në Shqipëri e jo në shtetet arabe; të  plotësojnë kushtet morale; të respektojnë simbolet kombëtare e traditën e besimtarëve e jo t’i fyejnë ata; të gëzojnë respektin e komunitetit e jo t’u dërgohen nga qarqe të dyshimta. Po ashtu Bashkësia Myslimane e Kosovës duhet të financohet nga burimet e brendshme e jo nga burime të dyshimta apo nga shtetet islamike. Nisma të tilla ka pasur edhe më herët. Përpjekje që lutjet të bëhen vetëm në shqip, po ashtu janë të pranishme, mirëpo reagimet e kreut të BIK-ut ishin të ashpra e denigruese ndaj klerikëve me përcaktim kombëtar, më tregoi kohë më parë një hoxhë nga Rrafshi i Dukagjinit. Kush i pengon besimtarët të skalisin shqiponjen dykrenore në gurin e varrit? Pas çlirimit kjo dukuri e zëvëndesimit të simbolit oriental me simbolin kombëtar ka nis të bëhet dukuri, jo vetëm në varrezat e dëshmorëve, por edhe në varret e njerëzve të zakoshem, megjithëse ende ka ngurrime, sepse janë aty hoxhallarët antikombëtar që e pengojnë.

Ngjashëm më projektin e klerit mysliman shqiptar veproi edhe Qeveria austriake kohë më parë për ta luftuar terrorizmin islamik, kur propozoi dhe e tumiri që hoxhallarët të cilët predikojnë në Austri të jenë shtetas austriakë, ta dinë mirë gjuhën gjermane. Po ashtu sikurse Parlamenti austriak edhe ne duhet të kërkojmë që asnjë financim serb, turk apo arab të mos derdhet nëpër xhamitë tona, apo nëpër xhepat e hoxhallarëve, sepse në këtë mënyrë jo vetëm financohet terrorizmi, por financohen edhe ato forca brenda bashkësisë myslimane që e luftojnë integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse e luftojnë  integrimin shpirtëror të shqiptarëve brenda kombit të vet.



(Vota: 19 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: