Vangjush Saro: Antikomunizmi si leverdi(!)
| E Shtune, 16.02.2013, 09:51 AM |

Antikomunizmi si leverdi(!)

Përndryshe: Të heqim këmbën nga çarku i së shkuarës...

Nga Vangjush Saro

Një nga gazetat e njohura në Shqipëri, shkruante këto kohë se ish-burgu i Spaçit, i shpallur qendër muzeore, po shkatërrohet nga dita në ditë nga banorët, të cilët vjedhin hekurishte për të krijuar të ardhura për familjet e tyre, për shkak të gjendjes së keqe ekonomike. Para katër vjetësh, u vendos që ish-burgu i Spaçit të bëhet monument kulture, ndërkohë që është hartuar edhe projekti i restaurimit që e shndërron në muze. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, ky objekt nuk është marrë në ruajtje dhe banorët, të cilët jetojnë në gjendje të keqe ekonomike, e kanë shfrytëzuar për të mbledhur hekurishte, me qëllim që të nxjerrin bukën e gojës. Në këto kushte, burgu ka filluar të shkatërrohet, duke humbur simbolikën e vet.

Ndërsa e lexoja këtë informacion, si dhe duke kujtuar mosvëmendjen në një sërë çështje të së shkuarës dhe të sotmes së shqiptarëve, përfshi qëndrimin banditesk ndaj gjithë trashëgimisë së tyre - temë që e kam sjellë edhe herë tjetër në revistën e nderuar “Zemra Shqiptare” - vetiu lindi titulli i këtij shkrimi: “Antikomunizmi si leverdi”. Në vështrimin tim, kjo është një histori e vjetër shqiptare. Letra të djegura, që dikush i luan së keqi, edhe pas gati njëçerek shekulli që komunizmi na la. E them këtë sepse dikur, këtu ishte me leverdi antizogizmi...Dhe në përgjithësi, e shkuara. Edhe pse kanë qenë periudha me shumë probleme, shkruesit kujdeseshin që të nxihej edhe më, fund e krye. Paçka se në atë kohë Shqipëria, së paku, kishte një parlament pluralist, një pasaportë që lejonte lëvizjen e lirë dhe disa gazeta të pavarura. Por rendit komunist i duhej një propagandë histerike në lidhje me të shkuarën; ajo “ishte” e errët, kështu koha e PPSH-së do të “ndriste” edhe më. Shtypi shqiptar dhe drejtuesit shqiptarë nuk kishin modestinë të tregonin thjesht përpjekjet kundër analfabetizmit, ato për elektrifikimin e vendit, shtrirjen e shërbimit shëndetësor dhe të arsimit (fryt i lojës pagë nominale- pagë reale), etj., hapa që mbase në çdo rend do të ishin hedhur, ndoshta edhe më mirë. Jo. Këto punë paraqiteshin në një ekstazë të tillë, a thua lumturia e kishte përmbytur atë vend. Në të njëjtën kohë, klaneve që drejtonin Shqipërinë, iu duhej një e shkuar e nxirrosur, pa kurrfarë vlerash e arritjesh.

Mbase skenari është disi më ndryshe, por pak a shumë kështu po ndodh edhe sot: për klanet që drejtojnë vendin, antikomunizmi është shndërruar në një mjet përfitues, mekanizëm ideologjik. Problemi i parë është ai i mosshkëputjes nga modeli. Duke folur përpara disa të rinjve të PPE në Tiranë, (njësoj sikur propaganda që bëhej dikur me ato grupet marksiste - leniniste) kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Shqipëria që trashëguam në vitin ‘92 ishte...midis tre vendeve më të varfëra në planet(!) Domethënë, Shqipëria na qenkej më keq se vendet e Afrikës, më keq se ato të Amerikës Latine, më keq edhe se Laosi e Kamboxhia, India...Kurse sot, Shqipëria qenka në vendin e katërt në botë për...Nuk denjoj të dëgjoj për çfarë, sepse e di që është gënjeshtër. Gënjeshtër e trashë. Ja, kështu grinte sallatë edhe propaganda komuniste për kohën e Zogut. Për të shkuarën në përgjithësi.

Nuk ka turp më të madh për një njeri, të cilin ajo Shqipëri e mjerë e dërgonte për t’u specializuar në Francë, të shpifë tani - pas çerek shekulli që dikton - se këtu na paskej qenë fundi i botës. Tepria nuk është asnjëherë argument. Po, Shqipëria ishte një vend i varfër dhe i shtypur; në vitet e fundit, varfëria u bë e padurueshme. Ishte vendi më i varfër në Evropë. Mbase Kosova ishte më mirë. Moldavia ishte më mirë. Por kur hiperbola bëhet kaq e trashë, saqë na del se ne mbetkëshim pas vendeve më të pazhvilluara të Afrikës, kjo është shumë e ulët. Dhe ndërkaq, askush nuk guxon të thotë se ky vend ndërtoi edhe uzina, hidrocentrale e rrugë. Po sikur kishte edhe ca traktorë e kombajna apo jo? Bëri ca kanale, që të mos përmbyteshin tokat. Kishte një flotë tregtare…Jo? Ç’ka mbetur nga këto pasuri të ndërtuara (jo nga Blloku) nga qytetarët shqiptarë, përfshi ish-të burgosurit politikë? Në 22 vjet ekonomi tregu, Treçereku i Prodhimit të Brendshëm Bruto i vendit, ka qenë gjithnjë: dërgesat e emigrantëve dhe shitja në vazhdimësi e pasurive të trashëguara nga rendi i mëparshëm. (Alias privatizimet. Që ende vijojnë. Për faqe të zezë.) E pse duhet t’i mohojmë fakte të tilla dhe të thurrim legjenda e të ngremë mite nga e para…

Përfitimi nga antikomunizmi ka edhe pamje të tjera. Sa herë që na ngec sharra në gozhdë, na e kanë fajin...komunistët, ata të Bllokut, grupet puçiste, fqinjët, pse jo dhe Amerika. Duam të bëjmë për vete njerëzit e t’i shprehim devotshmërinë shefit, japim shfaqje delirante. E tillë ishte sjellja e Kryetares së Parlamentit këto ditë. Nuk kam dëshirë të lëndoj askënd, kam lexuar mjaft pozitivisht për familjen e saj, më vjen mirë. Por ajo vetë i ka hipur kalit mbrapsht. Niset për në Bullgari dhe ndalon diku në një segment të Rrugës së Kombit dhe bën poza, reciton si ndonjë rapsod i ekzaltuar, lëshon deklarata se janë lëvizur malet dhe vetëm Sali Berisha mund t’i lëvizë malet e ku di ç’tjetër…Kështu thuhej edhe për PPSh-në e për Enver Hoxhën, që lëvizën malet(!) Ne duhet të heqim dorë nga recitimet dhe nga ky lloj primitivizmi, sikur çka u bë; doemos që do të ndërtohet; çka këtu për të bërë horte e për të bërtitur “Ligjëro, shoku Enver!”

Problemi i dytë është “loja me të persekutuar”. Klanet që drejtojnë Shqipërinë, (përfshi ata që përmenda më sipër) pothuaj nuk kanë asnjë lidhje me këtë pjesë të dhimbshme të historisë së vendit. Shumica e drejtuesve politikë dhe zyrtarëve të lartë, vijnë nga familje ish-komuniste. Ose kanë pasur probleme me rendin, por jetën e kanë shkuar disi. Ndërkaq, atyre iu vjen për mbarë ta trajtojnë këtë temë më me egërsi se vetë të persekutuarit politikë. Për klanet, jeta e shqiptarëve në katër dekadat e shkuara, fillim mbarim, ishte përndjekje dhe masakër. Paraqitja e asaj jete vetëm si njëlloj hetuesie e pandërprerë, kampe pune e tela me gjemba dhe asgjë tjetër, me një fjalë kohë e errët, bëhet që...të “ndrisë” sa më shumë e sotmja, por sidomos që të mos i shkojë mendja askujt në...rishfaqjen e analfabetizmit, në akte të ulëta rrugaçërie të përditshme, në vrasjet politike, në korrupsionin e pafre. Klanet kanë pasur dhe kanë gjithnjë hallin e propagandës; e vërteta nuk iu bën punë asnjëherë. Dhe kështu, bëhet kujdes (njësoj gjithnjë) që i gjithë populli e të gjithë njerëzit e asaj kohe, të paraqiten si një kope skllevërish, kudo duke ngrënë baltë, në çdo kohë me lecka në trup dhe pranga në duar. (Kur kështu? Kur shumica e atyre që bëjnë sot politikë specializoheshin jashtë shtetit? Berisha. Gjinushi. Islami. Ruka. Etj.)

Antikomunizmi nuk na shpëton dot nga mëkatet dhe hallet e sotme. Duke e lënë komunizmin tashmë në duart e historianëve dhe të ekspertëve, ne duhet të shohim nga e ardhmja. E shkuara nuk prodhon më asgjë për ne. Së paku, nuk duhet të lejojmë që klanet ta shfrytëzojnë atë në emër të interesave që s’kanë të bëjnë me të gjithë shqiptarët. Të heqim këmbën nga çarku i së shkuarës; kjo do të ishte germa B. (Sepse A-në e kemi kaluar, jemi në pluralizëm e në ekonomi tregu, ka ndryshime e përparime, paçka se problemet “shqiptare” kohët e fundit sërish janë “trashur”.) Faik Konica, një nga të paktët shqiptarë me mentalitet perëndimor, shkruante në kohën e vet: “...meqë historia nuk ecën kurrë së prapthi dhe ne nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën, del që është e kotë të gërmojmë më tej në këto çështje.” (Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore) Kurse SHBA, aleati ynë strategjik, i këshillon drejtuesit e Shqipërisë t’i vënë kurrizin punëve për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për përmirësimin e jetës e të ekonomisë në Shqipëri.

Falemnderit për kohën.



(Vota: 16 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: