Mendime » Fetahu
Adil Fetahu: Qamil Bala, intelektual e patriot shumëdimensional
E hene, 13.03.2023, 07:59 PM
Portreti i një intelektuali të shquar
QAMIL
BALA, INTELEKTUAL E PATRIOT SHUMËDIMENSIONAL
Nga
Adil FETAHU
Në plejadën e intelektualëve
shqiptarë, me një jetë e veprimtari të bujshme arsimore-pedagogjike, politike e
patriotike në plane e hapësira të gjëra, por gjithnjë në platformën e Rilindjes
sonë kombëtare, shquhet emri i Qamil Balës, këtij eruditi të spikatur, por pak
të njohur në Kosovë.
Qamili u lind në Gjilan,
në vitin e Lidhjes së Prizrenit e të
Kongresit të Berlinit (1878), vit ky sa i lavdishëm për historinë kombëtare
shqiptare, poaq tragjik për copëtimin dhe grabitjen e trojeve tona nga fqinjët
gllabërues: Serbia, Mali Zi e Greqia.
Shkollën fillore qytetëse
(gjashtë klasësh) e kreu në Prishtinë. Pastaj kreu gjimnazin në Manastir.
Përfundimi me sukses të lartë në gjimnaz, i hapi rrugën për studime në Shkollën
e Lartë Pedagogjike në Stamboll. Gjatë studimeve në Stamboll u njoh me
inelektualë të shquarë shqiptarë të cilët jetonin e vepronin atje. Nga njohja
dhe veprimi me ta, Qamili u brumos me ide patriotike e përparimtare, të cilat i
zbatoi dhe përhapi me shumë sukses gjatë gjithë jetës së tij.
Pas përfundimit të studimeve
në Stamboll, emërohet mësues në Gjimnazin e njohur “Zosimea” të Janinës. Me
aftësitë profesionale, intelektuale, zellin, disiplinën, drejtësinë, fitoi
e gëzoi respekt dhe
autoritet në mesin e nxënësve e të kolegëve. Mbante lidhje me
Frashëllinjët e me Ismail Qemalin. Nxënës të Qamilit në Gjimnazin “Zosimea”
kanë qenë shumë shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe emra të njohur, si: Xhafer
Ypi, Xhafer Vila, Demir Vila, Mustafa Kruja, Dinollarët e Çamërisë, Pertef
Pogni, Remzi Baçe, e shumë të tjerë.
Duke vlerësuar lart punën e
Qamil Balës, shumë vjet më vonë gazeta “Minerva” shkruante: “Ç’ka qenë Bajo
Topulli për Shqipërinë e asaj kohe në Selanik, ka qenë edhe Qamil Bala në
Janinë dhe gjetkë”.
Por autoriteteve otomane iu
pengonte reputacioni dhe aktiviteti patriotik i Qamil Balës në Janinë, prandaj
e transferuan në gjimnazin e Manastirit një kohë, e pastaj në gjimnazin e
Selanikut. Kudo që punoi, mbolli farën e dashurisë për atdheun dhe aktiviteti i
tij patriotik shqiptar nuk iu pëlqente autoriteteve turke. E transferuan në
Palestinë, ku u emërua drejtor i gjimnazit turk në Jerusalem.
Kur Kongresi i Elbasanit
(1909) vendosi për të hapur Shkollën Normale në Elbasan, për të përgatitur
mësues për shkollat shqipe, Komisioni e emëroi Qamil Balen drejtor të asaj
Shkolle. Duke i çmuar meritat e tij profesionale dhe organizative, autoritetet
palestineze hezituan ta lejonin Qamilin të largohej nga Jerusalemi. Vetëm në
saje të këmbënguljes së Komisionit të Normales, ato e lejuan Qamilin të kthehej
që ta merrte detyrën e re në atdheun e tij. Por, xhonturqit e penguan dhe nuk e
lejuan të shkonte në Elbasan. Në ndërkohë drejtor i Normales u emërua Luigj
Gurakuqi, ndërsa Qamil Bala u kthye në Stamboll. Autoritetet turke e emëruan
drejtor të përgjithshëm të arsimit në Irak, me seli në Bagdad. Pastaj, prej
vitit 1915 deri në fund të Luftës së Parë Botërore, kreu detyrën e inspektorit
të përgjithshëm të arsimit në Siri.
Në vitin 1920, si shumë
atdhetarë tjerë edhe Qamil Bala u kthye në Shqipëri, me dëshirë që të punonte
mësues. Por, duke ia ditur aftësitë dhe përvojën arsimore që kishte arritur,
ministri arsimit – Rexhep Mitrovica, e emëroi Qamilin inspektor të arsimit në
Qarkun e Elbasanit. Në atë detyrë që mori, Qamil i kushtoi një vëmendje të
veçantë mbarëvajtjes së punës së Normale së Elbasanit, e cila duhej të nxirrte
nxënës me formim atdhetar. Bashkë me Jani Mingon e Sali Çeken, ishte anëtar i
jurisë (komisionit) për tekstet shkollore për shkolla të mesme. Në Ministrinë e
arsimit kishte krijuar një bibliotekë të pasur me literaturë pedagogjike. Ai
vet ishte një poliglot, që përveç gjuhës amtare, shqipe, njihte shumë mirë gjuhët e huaja: turqishten,
arabishten, persishten, frëngjishten,
gjermanishten dhe serbishten.
Nga dhjetori 1922 - 1924
Qamil Bala ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që përfaqësonte prefekturën
e Kosovës, me qendër në Kukës, në vend të Mustafa Krujës. Kishte fituar
autoritet e simpati sa që rrugëve të Tiranës e përcillte turma e të rinjëve, të
cilëve Qamili u fliste, jepte udhëzime e
kurajonte. Bashkë me Ahmet Gashin e
Niman Ferizin, si përfaqësues të Kosovës, ishin pjesëmarrës aktivë në Kongresin
Arsimor të Tiranës (1922), ku u shqua me idetë për avancimin e sistemit
arsimor, reformat dhe programet shkollore.
Edhe si fetar i devotshëm,
me arsimim fetar për hoxhë, Qamil Bala,
ishte i interesuar që të përgatiteshin klerikë (hoxhallarë) të ditur, të
pajisur me njohuri të larta fetare, filozofike e shkencore në predikimet e
tyre. Prandaj u formua një grup nismëtar për hapjen e një medreseje në Tiranë.
Në grupin nismëtar ishin: Vehbi Dibra, Sali Vuçitërna, Qamil Bala, Mehdi
Frashëri, Ferit Voskopoja, etj. Medreseja u hap më 1 mars 1924, ku Qamilit iu
besua drejtimi i saj dhe njëkohësisht jepte mësimin nga matematika dhe shkencat
natyrore. Në planin mësimor të Medresës,
të cilën e kishte përgatitur Qamili, ishin lëndët: Kur’an; Fikth; Gjuhë arabe;
Gjuhë shqipe; Gjuhë frënge; Histori e Shqipërisë; Gjeografi; Aritmetikë e
gjeometri; Higjienë; Vizatim, Gjimnastikë, Muzikë. Për nga programi mësimor,
Medreseja ishte e barasvlefshme me gjimnazet klasike të kohës.
Sipas kërkesës së një grupi
të të rinjve nga Tirana e Durrësi, Qamil Bala, bashkë me Sali Çeken dhe Pertel
Pogonin, inicuan hapjen e një gjimnazi në Tiranë. Ajo shkollë u hap në Tiranë
më 23 nëntor 1925, e njohur si “Liceu Tirana”, por Qamili nuk e priti hapjen e
saj, sepse në dhjetor të vitit 1924, bashkë me shumë patriotë tjerë,
kundërshtarë politik të Zogut, u arratisën jashtë vendit. Pas një kohe qëndrimi
në Vjenë, Qamili u vendos në Berlin. Gjatë qëndrimit në mërgim (1925-1930), nuk
pushoi së vepruari politikisht, që në fokus e kishte çlirimin e Kosovës nga
pushtimi serb. Ai damkoste fuqitë e mëdha, të cilat në Kongresin e Berlinit e
copëtuan Shqipërinë dhe i sollën mjerimin popullit shqiptar. Është i njohur një
manifest i tij politik prej katër paragrafësh, dërguar sekretarit të
përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në vitin 1929. Bashkë me Bedri
Pejanin dhe Ibrahim Gjakovën ishin në udhëheqësinë e Komitetit për Mbrojtjen e
Kosovës.
Pas amnestisë që u dha Zogu
kundërshtarëve të tij politik, Qamil Bala u kthye në Tiranë. U emërua drejtor i
Konviktit privat “Naim Frashëri”, pranë të cilit arriti të çeli Shkollën Normale për Vajza, në të cilën
dominonte fryma e pedagogjisë gjermane. Kishte aktivizuar edhe orkestrinën, nën
drejtimin e profesorit Luigj Filaj, e që u bë orkestrina më e njohur në
Tiranë. Oborri i shkollës dallohej për
rend, rrgull e pastërti, me plot lodra. Me angazhimin e tij, arriti që nga një
numër i madh i vajzave, të përzgjedhë 100 më të zgjuarat, shumica nga familje të
varfëra, dhe me bursa të shtetit i vendosi në konvikt. “Unë do t’i jap
vendit 100 vajza përparimtare, 100
mësuese e nëna me kulturë e me koncepte moderne. Kështu do ta ndihmoj
revolucionin shoqëror të vendit mbi rolin e gruas në shoqëri, dhe ato do të bëhen
100 flamurtare për lirinë e shumë të tjerave”, thoshte Qamil Bala. Ai i
kishte angazhuar ato vajza që t’ua mësuar shkrim-leximin shqip edhe punëtorëve
e qytetarëve tjerë të Tiranës.
Qamil Bala ndërroi jetë më
28 gusht 1933, ende pa i mbushur 55 vjet moshe, kur prej tij mund të priteshin
vepra tjera të mëdha. Ai la pas vete bashkëshorten dhe një vajzë e një djalë.
Kuvendi Popullor i
Shqipërisë më 2 mars 1987, Qamil Balës i dha titullin “Mësuesi i Popullit”.
Qaml Bala ishte hoxhë me
arsimim profesional, po punoi e veproi si mësues, drejtues, organizator,
ideator e reformator i institucioneve dhe sistemit të arsimit në një hapësirë
të gjërë gjeografike, gjithmonë i lidhur me atdheun dhe me platformën e
Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Personalitetet e tilla, si Qamil Bala e shumë të
tjerë, duhet të kujtohen e nderohen për sa të jetë jeta. Unë këtë paraqitje të
portretit të Qamil Balës e bëra, me respektin më të madh për kujtim e nderim të
Tij.
(Të dhënat për Qamil Balen i
zgjodha e mora nga librat: Dr Abdullah Vokrri: “Mësues në Kosovë e në
Shqipëri – personalitete të shquara të arsimit tonë kombëtar”, Libri
shkollor, Prishtinë, 2008; dhe Grup autorësh: “100 personalitete shqiptare
të kulturës islame”, botimi i tretë, Tiranë,2015).