Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: dallgë që përsërisin ecjen e Jezusit dhe gurë që ruajnë porositë e tij
E diele, 13.11.2022, 08:54 PM
Visar Zhiti:
…dallgë
që përsërisin ecjen e Jezusit dhe gurë që ruajnë porositë e Tij. Imazhe
shenjtërie që u afrohemi, i shohim për herë të parë e lutemi të mos jetë hera e
fundit, por gjithsesi ato futen brenda teje me dritë bashkë me frymëmarrjen.
Mrekulli pas mrekullie në Tokën e Shenjtë. I prekim. Çaste janë, por u deshën
shekuj, mijëvjeçarë të bëheshin për t’i qëndruar përjetësisë. Ato ndryshuan
historinë njerëzore, njeriu zbuloi veten më shumë dhe universin dhe të ardhmen.
Je pjesë e së gjithës dhe e gjitha është në ty dhe këtë e kupton më mirë se
kudo në Izrael.
Prapë
e filluam me ujin, me anije u endëm në detin e Galilesë, dielli përndriste
dallgët dhe ne na bëheshin këmbët e zbathura të Krishtit. Pas meshës buzë
detit, Eda ime lutet te treyeza e gurtë - një copë shkëmb, ku Jezusi shtroi
mëngjesin për dishepujt e tij pas ringjalljes, e fotografoj, pas përmendjes
edhe ajo mua. Vinte mbrëmja e artë dhe mengjezi ripërtëritës me diellin në
dritare. Shkuam të Mali i Lumturive dhe te ai i Tundimeve, male janë dhe si
ndjesi, tek Church of the Primacy of
Peter dhe vizituam sinagogën aty, shkuam
të qyteti greko-romak Bet She’an etj, etj.
Le
të ngihen kulla të larta qyteteve moderne, këta gurë janë themeli i historisë
së njerëzimit dhe në qiell le të fluturojnë avionë të itinerareve pambarim,
zogjtë vazhdimisht do të cicërijnë himne qiellore për Krijuesin.
Me
ngut mbyllëm valixhet dhe u nisëm për në Jeruzalem…