E enjte, 08.12.2022, 12:19 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Krizë politike

E merkure, 24.08.2022, 05:03 PM


KRIZË POLITIKE

(Voglusheve që i ka përzënë Nëna Parti)

NGA KALOSH ÇELIKU

(Aferë nëpër Qytet)

Qyteti më merr nëpër gojë

Pse rri me Ty në Tavernë?!

Pusi vë me Dy shtama verë.

Qyteti kurdis edhe aferë:

Se, u mbytëm në lumë.

Kot u përpoqën tellallët

Heu! Poet, jam Unë.

Dexhalli shpalli shpërblim:

Një nënshtetësi në “Xhehnet”:

Për atë që më zë në Tavernë

Natën, me dy shtama verë...

(Dashuri me xhindet)

Ty shpesh të rrokin xhindet

Natën vonë mbi çati?!

E, të shpallin dashuri.

E, Unë i dashuruar në verën

Bocat i kërkoj nëpër shtrat.

Nata m’i lidh sytë nyje:

Hip - zbres, hap dritaren.

Mike, sonte jam Lugat...

(Veten për darkë)

Përditë e ha ngapak Veten

Nga këmbët te koka.

E, përsëri kam uri.

E shtroj në sofër

Veten time për darkë.

E, përsëri kam uri...

(Lugat i dehur)

Ditën i dehur - natën, Lugat:

Më ndjek Urrejtja

Më spiunon te gratë.

E dua Natën. Agimin

Kur me Ty pi verë!

Zgjohu, Urrejtje

Më spiuno te gratë!...

(Jo)

E dua Atë, që më do Natën

Në mëngjes kur më zgjon:

Me një gotë raki rrushi.

Verë. Kafe në shtrat

Ndihmë, thërret - gjëmon.

E dua Atë, që më do Natën

Herët, në mëngjes çmendet.

Dhe, më thotë: Jo!...

(Shulin derës)

Për Ty shkoj edhe në Transilvani

Ta shkruaj Librin për Nesër,

Për Ty do të ikja nga Parajsa

Pash më pash t’i bie Ferrit.

Për Ty do ta braktisja Qytetin

Rrapin që më deshi aq shumë verës.

Për Ty do të hip në Baba Tomor

Edhe, shulin do t’i vë derës...

(Dritaren lëre hapur)

Derës vërja shulin

Shuaje dritën, Mike

E, struku nën jorgan!

Fshihi dardhat e buta

Mos i hanë derrat e egër!...

Derës, vërja shulin!

Dritaren lëre hapur:

Nata është e gjatë.

Ku ta di Unë, pasmesnate

Vij e t’futem në shtrat...

(Vjellja e zorrëve)

Poetesha s’ka cigare

Ia piu Rrospia Mashkull.

Ministri me ambasadorin

Ulen të hanë drekën

Që ua paguan spiuni.

Përshëndeti, më thotë Piktori

Sytë s’ti heqin nga malli!

Kush ua shalon Nënën Parti

Palaçove në mizanskenë

Vetëm në një shfaqje.

Unë jam gjithmonë në Teatër

Publikisht u shpall dashuri.

Spiuni Kurvë lëpi buzët

Kukulla Femër ua mban gunat.

O Imzot, do t’i vjell zorrët...

(Titull i dyshimtë)

Mikes Di, që më do mua dhe poezinë

I tregoj se e përfundova dorëshkrimin

Me poezi: Vjellja e zorrëve.

Ajo më lutet t’ia lexoj një poezi.

Ia lexoj titujt: Testament para vdekjes

Bushtra pas Qenit. Pritje në “Menada“.

Mikja ime, që më do mua dhe poezinë

Posa e dëgjon titullin e fundit:

Bëhet kurreshtare. E mbytë dyshimi.

Mezi e qetësoj, ia lexoj vargjet:

E kam pritur një personazh për libër.

Dhe, një Buçë katundi pas porte.

Nervozohet: pse s’e kam pritur Voglushen?!

E ngre zërin, ma shanë poezinë...

(Zbulimi fshehtësive)

Gjithmonë zbuloj diç të re te Mikja

Kur ma grabisin Xhindet.

Dhe, jam i sëmurë.

Gjithmonë, zbuloj diç të re te Mikja

Kur ma dhunojnë mes librave.

Dhe, pres të shërohem nën Urë...

(Vetëm një natë)

Ty të përfolin, të gjuajnë me gurë

Duan të të djegin me zjarr!

Pse, me mua pi verë:

Dashurinë s’e shet në “Bit-Pazar”.

Ty të shpallin dashuri

Të mjerët: s’dinë se dashuria është art.

Dudumët që e shesin edhe Partinë

Vetëm me Ty të flejnë një natë...

(Vrapim pas shpërblimit)

Mijëra vjet në këtë Tavernë

Ne të dy pimë verë.

Lehin gojëligat - lehin qentë.

Mijëra vjet në këtë Tavernë

Ne shkruajmë poezi.

Plasni gojëliga - lehni qenë

Të mos mbetni pa shpërblim!...

(Mëkati i Mikes)

Veten desha ta vras sonte

Mes dy shtamave me verë.

Më nxorri nga Parajsa

Mikja, të digjem në zjarr.

Para derës së Ferrit:

Më shpalli tradhtar...

(Njëqind vjet ndarje)

Në çdo ndarje, më thua mes lotëve:

Mos më kërko më, sot e njëqind vjet!

Se, e kam ndërruar banesën

Jam me shtëpi në tjetër botë...

Ditët e gjata - muaj. Vite

Ti s’e mban fjalën, Mike.

Nuk shkojnë as dy javë

Dhe, cingrron telefoni.

O Imzot, si u çmenda mbi varre

Shpejt ikën njëqind vjet ndarje...

(Diagnozë e rrospive)

Ehu, miqtë e mi me një këmbë në varr

Trumbetoni se, jam kundër të gjithëve!

Në Unionin e viçave të palëpi

Me një torbë taxhi përaqfe në Livadh.

Një krah kashtë në grazhd

Ma keni paraparë diagnozën:

Se, së shpejti do të çmendem.

Hi-hii-hiii... Viçat e mi - shkencëtarë

Që, s’ngopeni me barin mbi varr...

Krizë politike

(Voglusheve që i ka përzënë Nëna Parti)

Mikja ime besnike Di, hyri në dhomë:

Çka je dalldisur mbi dorëshkrime

A, e di se, askush më nuk lexon libra?

Shkrimtarët gjithmonë qenë të marrë

Njerëz të çmendur që s’u ka ecur tregtia.

Dashuritë i kanë harruar në bibliotekë

E kanë ngatrruar ditën me natën,

Kur të tjerët flenë, ata rrinë mbi vepra

E përcjellin Hënën, e presin Diellin.

Qesha, me Miken time besnike Di

Që, s’e di se aq më bën për trusakatët:

Oborrtarët. Dhe, Unionin e viçave.

Unë dua të më lexojnë pasmesnate

Voglushet që i ka përzënë Nëna Parti...

(Testament para Vdekjes)

Ebu Xhehli më pret te xhamia

E di, do të më shpjerë në “Xhehnem”.

E Unë do ta lë me testament:

Të më përcjellin rrugës pas Çuke.

Mike, shqyeji daullet e ciganëve

Poetë, mbani një minutë heshtje

Para dy shtamave me verë:

Sa ta mashtroj Ebu Xhehlin

E, t’i futem tinëz në “Xhehnet”!...

(Prostitucion me letërsinë)

Vështirë është sot të shkruash libra

Edhe më vështirë t’i nxjerrësh në dritë,

Kur para s’ke as edhe për bukë.

E, kulturofagët t’i mohojnë vlerat

I shpërblejnë shkrimtarët e Oborrit.

Vështirë është sot të kesh edhe lexuesë

Shkrimtarë që shkruajnë për Nesër,

Kur haptas shiten recensionet

Njëqind marka, ose dy tollumba...

(Takime letrare)

Xha Deralla satirist i madh shqiptar

Sa herë që vdiste ndonjë fshatar

Thoshte: Erdhi Zonja Vdekje

E më trokiti vonë te porta.

- Këtu banon Xha Deralla?

Jo. I përgjigjesha, unë plaku

E dërgoja në tjetër shtëpi.

Xha Deralla më Zonjës Vdekje

Nuk i del para te porta:

Ia hodhi, e presin anekdotat.

Dhe, Unë Kalosh Çeliku - rebel

Që për çdo natë me Zonjën Vdekje

Lexojmë poezi dhe pimë verë...

(Dritë e ndezur)

Ditën vdes, natën zgjohem jerm

Kështu jetoj me Zonjën Vdekje:

Në një dhomë me ditë, muaj e vite

E, kurrë s’u lodha mes librave.

E ndez llambën, vjen Vdekja

I them: Prit ta shuaj dritën!

Ajo pret matanë hekurave

Unë harroj ta shuaj dritën.

Zemrohet, ikën më lë për nesër...

(Libër për Nesër)

Ika dy javë nga ky Qytet

E u strehova në „Blue Moon„:

Bëra plazh, drekova peshk

Për çdo ditë piva edhe verë

Te Ustai plak, thellë në det.

E, kisha harruar se jam vetëm.

Ika dy javë nga ky Qytet

Me mallin Tënd nën sjetull.

Të kërkova rrugë më rrugë

Buzë detit i dehur. Etshëm

Mes dallgëve i sëmurë.

Pas dy javësh i çmendur

Kthehem me Librin për Nesër...

(Dera ime - oxhaku)

Në jetë dikush

Hyn nga dera.

Derën ma mbyllën kulturofagët

Dritaren - Rrospitë meshkuj.

Mua fisit të kaçakëve

Që, hyj nga oxhaku...

(Miqtë e Kalosh Çelikut)

Unë jam Kalosh Çeliku - rebel

Aq më bënë për policët:

Oborrtarët. Dhe, pushtetin.

Miqtë më të mirë i kam gratë

Poezinë. Dhe, verën.

Unë jam Kalosh Çeliku - rebel

Aq më bënë për spiunët:

Kukullat, mashat shqiptare.

Miqtë më të mirë i kam gratë

Poezinë. Rakinë. Dhe, verën...

Blue  Moon„ - Durrës (Shqipëri)

26 shtator, 1995

Nga libri: VJELLJA E ZORRËVE (Shkup,1996).



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora