Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (2)
E hene, 22.08.2022, 04:58 PM
Faik Konica me dy romanet e tij:
«Martesa
e Lejlës» dhe «Sotiri e Mitka»
Shënim i redaksisë « Zemra Shqiptare »
Pas botimit në forumin
tonë të Letrës së hapur publike të Z. Fotaq Andrea titulluar « Faik Konica
lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës », në
bashkëpunim me Z. Andrea, zbulues i dy romaneve të panjohura me tematikë
shqiptare « Martesa e Lejlës, pasuar nga Sotiri e Mitka » të Jean de Kroya (v.
1911), « Zemra Shqiptare » nis botimin pjesë - pjesë të studimit hyrës të
këtyre romaneve titulluar : « Lojnia – Kush qëndron prapa pseudoniumit Gjoni i
Krujës ? »
Studiuesi Andrea fton lexuesin
e gjerë të « Zemrës Shqiptare » të gjykojë vetë për tezat dhe argumentet që ai
ka parashtruar lidhur me autorësinë e këtyre romaneve të cilën ai ia njeh Faik
Konicës. Studimi shoqërohet me një aparat të gjerë shkencor, konkretisht 187
referenca e shënime nxjerrë në pjesën më të madhe drejtpërdrejt nga burime
dokumentare e arkivore franceze, ku dhe u zbuluan këto romane të panjohura.
Studiuesi dhe përkthyesi
Fotaq Andrea është mjaft i njohur për shkrimet e tij në rubrikën « Speciale »
të « Zemrës Shqiptare », sidomos për figurën e Faik Konicës, me prurje
vazhdimisht të reja për gati dy dhjetëvjeçarë. Shkrimet e tij për Konicën kanë
qenë dhe janë në forumin tonë mjaft të sukseshëm, të vlersuara dhe komentuara
drejt nga lexuesi ynë, duke parë te ky studiues hulumtuesin serioz kryesisht të
Letrave, dokumenteve dhe arkivave franceze me tematikë të mirëfilltë shqiptare,
të cilat ai i ka përmbledhur në mbi 30 botime të tij. Vetëm për jetën dhe
veprën e Faik Konicës ai ka botuar deri më sot 5 vëllime, secili vëllim me
profill të vetin origjinal e interesant, duke lartësuar figurën e Konicës si «
Përlindës modern », gjë që përbën një pasuri të veçantë për filologjinë dhe e
Letrat shqipe. I urojmë studiuesit Andrea suksese të mëtejshme në punën e tij
studimore-botimore me besimin e plotë se ai mbetet studiuesi besnik i « Zemrës
Shqiptare » dhe përherë i mirëpritur nga publiku i gjerë shqiptar.
_____
FAIK
KONICA alias GJONI I KRUJËS
«MARTESA
E LEJLËS» pasuar nga «SOTIRI DHE MITKA»
Romane - përktheu nga origjinali frëngjisht
dhe përgatiti botimin: Fotaq Andrea
Pjesa e dytë:
Gjoni i Krujës: dy perlat e tij “Martesa e
Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka”
Është e njohur mbijetesa historike e një pjesë të mirë të
intelektualëve shqiptarë të diasporës në të gjitha kohërat. Dikur kapedanët
shqiptarë të gardës së Skënderbeut, pas pushtimit osman të vendit vunë në
shërbim të gardave mbretërore të Evropës krahun dhe luftëtarët e tyre besnikë,
dhe estradotia shqiptare, që shquhej për “zanatin” e luftës, do vihej në themel
të krijimit të kalorësisë së lehtë europiane me kapelën e famshme albanua,
mbajtur mbi krye edhe nga vetë mbretërit e Francës. U vu në shërbim të Europës
po ashtu, mendimi i përparuar intelektual shqiptar, që ecte me hapin e kohës,
krahas humanizmit dhe rilindjes së ndritur europiane. Figura të shquara
shqiptare do të shkëlqenin gjithandej në mjaft fusha, në arte, letërsi,
filozofi, fe, shkencë, etj.
Është fakt po ashtu se, nëse Albania, ky yll i Letrave
shqipe, mbijetoi e lulëzoi për trembëdhjetë vjet me radhë, kjo falë veprimit të
guximshëm, të zgjuar e tejpamës të gjeniut të hershëm Faik Konica, i cili diti
të përballet me vështirësitë, të ndeshet e të ngadhënjejë, sidomos me
vështirësi serioze financiare.[i]
Çështja e parasë detyrimisht do të zinte vend qoftë në epistolarin e tij, qoftë
në mjaft shkrime të Albania-s. Por, me mendjen e tij përherë sintetike e
krijuese, me nuhatjen dhe imagjinatën e fuqishme, me frymën praktike e
pragmatiste - duke ruajtur nga ana tjetër si të shenjtë çështjen shqiptare
brenda konceptit të tij filozofik e shoqëror, dhe pa luajtur një grimë nga
parimet e shëndosha morale -, Konica nuk do të linte rast t’i ikte nga duart
për të realizuar një qëllim të caktuar fisnik. Ndërmori, siç e vumë re, nismën
e shtypit të Hartës së Shqipërisë dhe “hyri në bisedime” me shkencëtarin
Elisée Reclus për të ulur në minimum koston e shtypit, duke kërkuar nga ana
tjetër financimin e hartës nga Aladroja;[ii] shtypi një
numër librash të bashkatdhetarëve dhe mjaft kartolina me portretin e
Skënderbeut realizuar nga miku i tij belg skulptori i njohur Paul Nocquet;[iii]
ndihmoi gjithashtu, drejtpërdrejt me ndërhyrjen e tij, ose edhe me këshillime,
një numër talentesh te reja shqiptare për t’i kërkuar Aladros e të tjerëve
mbështetje financiare për botime librash e kompozime tablosh. Ishte i bindur se
kjo para, e sponsorizuar nga kushdo qoftë, shkonte në të mirë të propagandës
shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, por Konica ndihmoi moralisht dhe me shkrime (e
ndoshta edhe materialisht) mikun e tij Gijom Apolinerin e madh në botimin e
revistës franceze Le Festin d’Esope. Fakti është se pseudonimi i tij i
mirënjohur Thrank- Spirobeg figuron ndër themeluesit e kësaj reviste në zë për
kohën, mes Jean de Gourmont, Van Bever, Han Ryner, Otakar Teer, Alphonse Séché,
Jean Sève, A. Jarry, Golberg etj.[iv]
Veçse Konica
nuk do t’i shpëtonte
dot thashethemeve dhe intrigave të kundërshtarëve të tij gjithë cmirë, si
Gaspër Jakova, i cili e akuzoi ashpër se i “hëngri Aladros disa qindra
napolona”; po ashtu, ndërhyri me akuza të ulëta edhe për figurën morale të
Konicës, gjer te jeta e tij private. Është e njohur në këto raste pena
mjeshtërore e Konicës kur e përdor atë si pallë të rëndë skënderbejane, sikurse
ndodhi me “Gasparinën” apo “Laimëtarin e gjësë së vockël” (L’araldo della
Cosetta), tek zbrazi gjithë bateritë e zemërimit dhe të ironisë.[v]
Në fakt, siç e vumë re edhe më parë, shumë shpejt Konica do ta
nuhaste se ç’brumë allasoj qe Aladroja, që një e dy krekosej me forcën e parasë
për t’i shtuar vetes famën si trashëgimtar kastriotas dhe si pretendues i
fronit në Shqipëri. Konica e dinte fort mirë se “ata që dinë, nuk kanë; ata që
kanë, nuk dinë”[vi]
dhe do kish dashur në këtë rast t’i binte kokës Aladros, që ta zbraste mirë
qesen, në donte të blinte sadopak nga fisnikëria dhe dinjiteti historik
shqiptar.
“Dua të të pyes edhe në gjë, i shkruan ai një
atdhetari e miku: Pse s’i shkruan Aladros? Ky maskara hapi fialën që prish
mijëra franga muaj për muaj, që Shqiptarët i bëri “çirakë”, etj. Të gjitha të
rreme: gjeti një a dy kodoshë të ngordhur e u jep nga 150 franga në muaj;
tiatër punë ç’bëri? Edhe çmimin [Skanderbeg] 1000 frangash e preu!!!
“Do me thënë, ky, me të rrena, duke u-tallur me ne, e me emër të
Shqipëtarëve fitoj një famë madhësie fare të pa-merituar. Është pra e dreqtë
[drejtë] t’a paguaj pakë atë famë të viedhur, kodoshi! Mos ki fare turp, po mos
pandenë [nëse nuk e bën dot], ma dërgo mua – i shkruaji në një letër t’i thuash
se të duhen 500 franga për të shtypur një libër viershash, e [mbase] ke shpresa
se t’i ka për të dërguar. Në t’i dhëntë, mirë. Në mos, prej një njeriu të
tillë do të turpërohesh? Unë gjer më sot njeri nukë kam gënjyer;[vii] po ta
thom vëllazërisht: që ta kisha kuptuar ca më parë këtë kodosh se ç’ish,
do t’i kisha kërkuar nj’a 50 000 franga, e do t’mi kish dhënë...”[viii]
(nënvizimi im, F.A.).
Këto radhë janë shkruar bel et bien[ix] siç thotë
frëngu, më 5 qershor 1903 nga Konica, dhe kanë ndenjur strukur e përgjumur në
vetëdijen dhe pavetëdijen e tij, por që vite më pas, do dilnin në sipërfaqe për
t’i rënë një herë kokës Aladros financiarisht, tek ishte i bindur se “ai
njeri”, i huaj për shqiptarët, kish shpërthyer si çiban mes tyre, duke arritur
të përfitojë padenjësisht e padrejtësisht nga fama si “Princ Kastriotas” apo si
“mbret i shqiptarëve”.
Tanimë, në mbyllje të Albania-s dhe
në prag të largimit të Konicës për në Amerikë, u krijuan rrethana dhe
koniunktura të reja: shohim një Konicë 33 vjeçar në pjekuri të përplotë, në
kulmin e lulëzimit të talenteve, me një bagazh të rëndë eruditiv, me përvojë të
pasur në ndeshjet e ashpra botëkuptimore e politike, me një penë të mprehtë
mjeshtërore dhe me nuhatje për zhvillime të mëtejshme, i gatshëm për sfidat e
së ardhmes. Me Albania-n, ai ishte shfaqur tanimë si një “çampion i madh
i indipendencës kombëtare”, si “ustai më i madh i shkrimit të gjuhës sonë”, si
njëri “nga pionierët më të shquar të pavarësisë kombëtare”, themelues i
“letërsisë së mirë shqipe”.[x]
Nuk kish pyetur për karrierë e poste të larta në Perandorinë turke, kur tërë
mundësitë i kishte pasur, i bindur se misioni i tij ishte të luftonte për
pavarësinë e Shqipërisë.[xi]
Para largimit për në kontinentin e ri,[xii]
i duhej së pari të takohej me familjen, sidomos me nënën në Korfuz, por i duhej
edhe një periudhë sadopak e shkurtër qetimi, prehjeje, destresimi, ndërrimi të
ritmit të jetës që i kishte përkushtuar Albania-s. Dhe si përherë e mbi
të gjitha i duheshin të holla. Ah, ato të shkreta të holla!!!... Dhe ndoshta në
këtë periudhë, ai i ka hyrë edhe shkrimit të këtyre romaneve. Mirëpo, asnjë
dokument, fakt, gjurmë nuk ka për to, as edhe një aluzion i vetëm, edhe pse
Konica herë-herë nuk mungonte të fliste për artikuj, studime, shkrime të tij
lart e poshtë, tek botonte në shtypin e huaj, me emër e pa emër, madje edhe për
projekte librash që niste, i linte përgjysmë apo i çonte gjer në fund. Pra, as
edhe një gjurmë nga ana e tij për këto dy romane, dhe enigma bëhej edhe më e
çuditshme e misterioze!
Sakaq, në antitezë me rilindësin tonë, na
shfaqet në këtë kohë, më 1909, një Aladro tejet i rënë, i lëshuar moralisht,
pas goditjes së rëndë që mori me gjyqin ndaj Ivanajt. Historiani S. Skëndi nuk
mungon ta vërë në dukje një fakt të tillë kur thekson se “Ai [Aladroja] kishte
filluar të shtonte në peshë dhe, siç u shpreh një përfaqësues konsullor
austriak “ndoshta mosha e nxiste atë që të nxitonte.” [xiii]
Është e njohur se përgjithësisht, shtimi në peshë është shenjë paraprake e një
stresi të fortë, tregues se gjërat nuk shkojnë si duhet a si do vetë personi.
Aladroja pra kërkon rehabilitim, të blejë nderin e humbur, të stisë sërish
urët, kërkon një vizibilitet më të madh të personit të tij si Princ Kastrioti,
kërkon si e si të duket si udhëheqësi shpirtëror i Çështjes shqiptare, për
realizimin e qëllimit të tij final. Dhe për këtë, lypset të rivihet në veprim,
të ndërmarrë “aksione” të reja, e si përherë duke vënë në veprim çelësin e tij
të artë, “paranë”, për ta zgjidhur pra, pak më shumë qesen.[xiv]
Dhe ç’është e vërteta, çetat patriotike po shtoheshin maleve të Shqipërisë dhe
çështja e pavarësisë po bëhej përherë e më konkrete, akute. Pra Aladroja,
s’kish pse ta shfaqte më veten si i ligështuar, mjaft t’iu rivihej gjërave, të
tregohej si përherë sportsman, tipi elastik, pa mllefe.
Më 1906,[xv]
kish ndodhur një ngjarje e bukur mes diasporës shqiptare të Parisit: martesa e
piktorit Theohar Gjini, të cilin ndonjë organ nuk kish munguar ta rendiste në
radhën e piktorëve të mëdhenj botërorë, Rembrand, Rafael e Van Dyck.[xvi]
Nuk e dimë nëse në këtë martesë të Theoharit në Paris,[xvii]
ka qenë i pranishëm edhe Faik Konica, mik i vjetër i tij, siç vë në dukje edhe
gazeta Dielli vite më pas.[xviii]
Por e sigurt është se Aladro Kastrioti, më se një herë sponsorizuesi i mjaft
tablove të Gjinit, do ketë qenë doemos i pranishëm në martesën e piktorit
djaloshar, kur dihet që disa tablo të Gjinit portretizojnë madhërishëm Aladron,
qoftë vetëm, qoftë hundë më hundë me portretin e Skënderbeut. Sidoqoftë, fakt
është që Konica, tre vjet më pas do të frymëzohej nga kjo martesë për romanin e
tij Martesa e Lejlës, ku pikërisht, një ndër protagonistët kryesorë të
intrigës do të ishte Theohar Gjini.
Prof. Ferid Hudhri, historiani i mirënjohur
i artit botëror për shqiptarët, si dhe i artit të mirëfilltë shqiptar, bën jo
vetëm një portretizim të arrirë të piktorit rilindas Th. Gjini, por jep edhe
mjaft hollësi nga jeta dhe vepra e tij. Kështu ai na mëson se pikërisht viti
1909 do të jetë viti “Theohar Gjini” ndër shqiptarët e diasporës franceze, për
faktin se ai jo vetëm çeli një ekspozite të suksesshme në Paris, por edhe u
zgjodh kryetar i shoqërisë së shqiptarëve të Parisit.[xix]
Pikërisht rrethana të tilla konkrete duhet të kenë nxitur Faik Konicën të ulej
e të shkruante romanet më 1909.
Tanimë, pas përfundimit me sukses të misionit
Albania, mbyllej një fazë e parë e jetës së tij, nga më të bukurat, plot
hovje rinore,[xx]
lirizëm, romantizëm, patriotizëm, me bilanc të pasur shkrimesh në mjaft fusha
të dijes shoqërore. E në këtë fazë përmbyllëse sikur kërkohej, të themi, një
epilog, vetë këto dy romane, prej ku do shpërthenin fuqishëm ngadhënjimi i
cilësive më të mira shqiptare tek publiku i huaj, karakteri i lartë i
shqiptarit, morali, nderi, mprehtësia e tij, që më se një herë janë vënë në dukje
me forcë nga shkrimtarë të huaj.[xxi]
Mbi të gjitha, me këto romane, Konica do e ngrinte shqiptarin në
piedestal nderimi, do e vendoste në kuota të larta qytetërimi dhe në standarde
të përparuara europiane, duke paralajmëruar kësisoj që para 100 vjetësh europianizimin
e ardhshëm të Shqipërisë.
Rrethanat ku, si, qysh e tek, të hartimit të
këtyre dy romaneve janë pra krejt të panjohura, sikurse edhe vetë pseudonimi
Gjoni i Krujës. Megjithatë, ajo çka mund të hamendësohet e të thuhet këtu është
se Konica na shfaqet, të themi, si një “negër letrar”,[xxii]
nga ata lloj autorësh anonimë që kanë një vepër të gatshme për të shitur te
“prurësi më i parë” apo, pse jo, te porositësi i tyre. Përderisa Aladron shpesh
e kemi parë si porositës tek piktori Theohar Gjini, përse të mos e shohim
porositës edhe te shkrimtari Faik Konica? A ta ketë marrë vallë Aladroja
Konicën në Arkashon, larg syve, ku shkonte herë-herë, për t’i krijuar kushte
pushimi e pune në vilën e kuqe të zonjës së tij Renesse, për një periudhë të
shkurtër, pas përfundimit të Albania-s në Bruksel? A t’i ketë shkruar
Konica këto romane nëpër det, drejt vajtjes për në Korfuz dhe në kohën e
pushimit pranë nënës së tij të dashur? Apo mos vallë i kishte përfunduar tashmë
që në Bruksel krahas Albania-s dhe ia sillte sagllam sallam Aladros?
Hajt të dihet e vërteta! Por tek e fundit, veç një gjë na mbetet neve vetë e
sigurt për të vërtetuar gjithçka: t’i hyjmë vendçe – apo me skaner, të themi –
këtyre dy romaneve, për të zbuluar mrekullisht se prapa pseudonimit Gjoni i
Krujës qëndron thjesht Faik Konica, tek na dhurohet çelësi i artë i zbërthimit
të mjaft prej enigmave koniciane, të cilat na shfaqen si rebuse fantastike në
romane. Këto rebuse, Aladroja as që do mund t’i merrte dot me mend, pale t’i
zbërthente!
Arshi Pipa thotë për Konicën se “Rrallë herë shprehja e famshme
“Le style, c’est l’homme”[xxiii]
gjen një trupëzim ma të përshtatshëm se te Konica. Pse aj qe i tani stil.
Njofti të gjitha të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat”.[xxiv]
Që në fillim, bie në sy se për herë të parë Konica përdor termin
“roman” në frëngjisht, kur edhe prozën e tij të gjatë e ka quajtur shqip
“prallë.”[xxv]
Të dy romanet na shfaqen në formë të përkryer klasike, me përmbajtje tepër
realiste dhe me një qëndrim të paracaktuar të autorit, tek sendërton, me shumë
finesë, psikologji të caktuara shoqërore nëpërmjet personazhesh gjithëveprues.
Ngjarjet zhvillohen me shpejtësi filmike, që të mbajnë mbërthyer, rrëshqasin si
në gjalpë, pa ndërlikime artificiale, por me një natyrshmëri mahnitëse, plot
ngjeshje e frazeologji të përkorë; kurrfarë teprie, kurrfarë zvarritje
narrative, kurrfarë përshkrimi të hollësishëm romantik, à la Balzac.
Rreth 25 vjet ngjarje, sikurse ndodh te Sotiri e Mitka përmblidhen bukur
në jo më shumë se 115 faqe, dhe romani i tërë qëndron madhërishëm në këmbë. Në
fakt, edhe vetë prirja e kohës ishte proza e shkurtër, gjithë plasticitet, për
ta mbajtur lidhur lexuesin, të thithur si me magnet, dhe mjeshtër në këtë
drejtim mbahej Remy de Gourmont, i adhuruari i Konicës. Kjo lloj proze e
ngjeshur do ta karakterizonte edhe prozatorin shqiptar, qoftë te shkrimet e Albania-s,
qoftë te “prallat”, dhe deri te dy romanet. Veçse në këtë prozë të ngjeshur
fjala ka “nerv”, forcë shtytëse, shpejtësi mendimi e veprimi, dhe pikërisht
këtu e kështu gjen kuptimin e vet të plotë shprehja filozofike Stili është
vetë njeriu. Ai njeri me fjalën “sustë” ishte vetëm Konica, përherë i
shpejtë dhe energjik, në jetë e në majën e penës si zanat, tek e bluante, e
ndërtonte dhe përpunonte paraprakisht në kokë veprën dhe mbasandaj, gjithë
forcë shpërthyese e rrëmbyese, e hidhte në fletë të bardhë.
Le të shohim konkretisht
rebuset Konica nëpërmjet personazheve të tij[xxvi]
tek të dy romanet, si dhe nëpërmjet subjektesh paralele, duke bërë përqasje me
shkrimet e tjera të tij. Konkretisht, tek romani “Martesa e Lejlës” kemi:
LEJLA VANGJELI. – Personazhe kryesore. Fare mirë emrin e saj mund
të kishim shkruar në shqip Leila, por vetë Konica e shkruan me j, kur e
shfaq si personazh jo vetëm në romanin Martesa e Lejlës, por edhe shumë
vite më pas, më 1924, te Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit,
ku përmendet dy herë vajza e vogël Lejla si një personazhe e dorës së dytë.[xxvii]
Në fakt, ritheksojmë se ky emër të kujton drejtpërdrejt Lejla Konicën (Leila
Konitza), të bijën e Mehmet Konicës, mbesa e Faikut, e cila, nga të gjitha
gjasat, duhet të ketë lindur rreth vitit 1909.[xxviii] Faiku
duhet të jetë frymëzuar drejtpërdrejt nga lindja e saj për të ndërtuar
personazhin e vet kryesor. Dhe me të drejtë, përderisa e mbesa trashëgoi emrin
e njeriut më të dashur të familjes Konica, Zelihasë apo Lajlasë,[xxix]
siç e thërrisnin shkurt në familje nënën e Faikut dhe të pesë fëmijëve të
tjerë.[xxx]
Edhe pse emri Leila, në përqasje me Laila, tingëllonte më modern
për kohën, përsëri Faiku i shkruan në të dy rastet me j në shqip dhe jo
me i si në frëngjisht, dhe këtë e bën, për mendimin tonë, për t’i
qëndruar më besnik fonetikës dhe alfabetit shqip, të pasur me një fonemë e
germë më shumë se frëngjishtja.
VANGJELI. – Personazh kryesor, i ati i
Lejlës. Nuk jepet mbiemri i tij, por nga emri i plotë i Lejla Vangjelit, duket
sikur te babai i saj emri e mbiemri janë të ngjashëm dhe personazhi do mund të
quhej në këtë rast Vangjel Vangjeli, një dukuri e njohur për patronimet
shqiptare. Veçse bie dukshëm në sy paralelizmi patronimik midis emrit Vangjel
në roman dhe personazhit tjetër konician Hodo begu te tregimi Lulja e
maleve. Gruan e këtij të fundit Konica e quan Hanko Hodo, teksa vajzën e
Vangjelit e quan Lejla Vangjeli. Pra në të dy rastet, Konica e prezanton
personazhin femër me emrin e personazhit mashkull.[xxxi]
Kemi të bëjmë këtu me një dukuri kryekëput të gjuhës shqipe për patronimet, që
nuk ka kurrfarë lidhje me dukurinë spanjolle kur në një emër të vetëm individi
trashëgohen e rreshtohen katër-pesë emrat e lidhjes së tij të gjakut për nga
nëna e nga babai, dhe konkretisht emri i plotë i Princit Kastrioti është: Juan
Pedro Aladro Perez Domecq.
Del qartë te Martesa e Lejlës se edhe Vangjeli - ndryshe
nga Dr. Gjilpëra që personifikon Konicën e ri -, shfaq tanimë një Faik të
moshuar, tek të shtatëdhjetat, patriot i flaktë, me kulturë të gjerë, gjithë
sentimenta-lizëm e bujari, njeri i udhëtimeve të shumta, i suksesshëm në
profesion dhe... një duhanxhi i tmerrshëm, “me cigaren e tij të përjetshme” në
gojë, siç shprehet autori.[xxxii]
Teksa duket paksa e çuditshme që Konica na jep një Vangjel (Vanghel sipas
ortografisë së kohës) me origjinë nga Shkodra, kur emri është i një ortodoksi
nga Jugu,[xxxiii]
vëmë re se këtë emër ne mund ta afrojmë me një nga pseudonimet e Konicës, Vaugelas.[xxxiv]
Nga ana tjetër, emri na kujton edhe personazhin Vangjeli te
Histoires Orientales (Rrëfenja orientale) të shkrimtarit francez
Melchior de Voguë.[xxxv]
Konica e njeh mirë këtë shkrimtar dhe veprën e tij, tek flet për të me simpati
që në numrin e dytë të Albania-s.[xxxvi]
LEZI GJINI (GHINI). – Piktor i ri i talentuar
korçar (nga Progri) që, siç kemi thënë, personifikon pa mëdyshje Theohar
Gjinin. Si Konica, si Aladroja e njohin nga afër: Konica si mik të hershëm, që
i është rekomanduar që më 1900 nga N. Naço; Aladro, falë ndërhyrjes së vetë
Konicës. Autori e jep Lezin rritur jetim vetëm me nënën, sikurse i kish ndodhur
në të vërtetë në jetë Theoharit,[xxxvii]
si dhe nxënës të mjeshtrit hungarez Mihaly Munkaczy (1844-1900). Në fakt, sipas
jetëshkrimit të Theohar Gjinit nga prof. Ferid Hudhri, ai ka mbaruar Artet e
Bukura në Bukuresht e jo në Budapest. Sidoqoftë, piktori Lezi Gjini na shfaqet
nën penën e autorit me cilësitë më të larta morale: i ndershëm, i thjeshtë, i
natyrshëm, i hapur, i çiltër, i komunikueshëm, pa paragjykime, e sigurisht
patriot, njeri i popullit, përfaqësues i një populli artist në shpirt. Mbi të
gjitha, talenti i tij si piktor është i niveleve botërore përderisa afresket e
tij autori na i shfaq në Pallatin Perandorak të Vjenës përkrah Klimt dhe
piktorëve të mëdhenj të kohës. Konica, nëpërmjet tij, nxjerr në pah idenë se
arti shqiptar nuk qëndron më poshtë nga arti europian dhe se fryma atdhetare
karakterizon përgjithësisht mendimin intelektual shqiptar. Lezi Gjini është
shqiptari par excellence i virtyteve, i integruar plotësisht dhe me
dinjitet në bashkësinë e huaj, duke ruajtur krejt lidhjet shpirtërore e morale
me vendin dhe familjen.
PRINCI KASTRIOTI. – Personazh kryesor. Edhe
pse te Martesa e Lejlës i kushtohet një kapitull i tërë, asnjëherë ai
nuk shfaqet në roman me emrin e tij të vërtetë Juan Aladro, si të kërkohet të
mjegullohet indentiteti i tij e t’i jepet rëndësi vetëm “origjinës” së tij të
largët historike. Autori e paraqet babaxhan, të qetë, gjithë dashuri për
shqiptarët, të cilët i besojnë atij fatet e tyre si udhëheqësi i ardhshëm i
kombit. Kurrfarë ironie për të, kurrfarë hije dyshimi në shtjellimin e
ngjarjeve. Veçse, vetë ky personazh do të zbulojë mrekullisht e çuditërisht
autorësinë e vërtetë të veprës, falë një shënimi të thjeshtë në fillim të kreut
XV titulluar Princi Kastrioti. Lexuesit të huaj i bëhet me këtë rast e
njohur se për cilin personazh real bëhet fjalë konkretisht në kapitull tek
jepet ky shpjegim nga autori Jean de Kroïa:
“I vetmi personazh i këtij romani që nuk është imagjinar është
Princi Kastrioti. Ai ekziston dhe banon në Paris në 9, square Lamartine. Për më
shumë hollësi, konsultoni: Dictionnaire illustré des notabilités, nga G.
Brunel...”.[xxxviii]
Shpjegimi është tepër kuptimplotë, për
faktin se asgjëson orvatjen e çmendur të Aladros për të përvetësuar nën emrin e
tij origjinal romanin Sotiri dhe Mitka, tek e shpall më pas veten autor
të kësaj vepre! Si mundet që autori i të dy romaneve (po të qe se do bëhej
fjalë për Aladron[xxxix]),
veshur me pseudonimin Jean de Kroïa, të arrijë jo vetëm ta bëjë veten
personazh të nderuar - në një libër që nuk është aspak autobiografik -, por
edhe të japë referenca të sakta burimore për të zbuluar vetveten si figurë
reale në bazë të fjalorëve të kohës? A nuk do ta komprometonin rëndë referenca
të tilla, në të cilat shfaqej emri i tij spanjoll? Ç’vlerë e ç’kuptim do kishte
ahere pseudonimi, tek do i dilte kallaji në dritë apo do t’i hiqeshin petët
lakrorit?! As më shumë e as më pak, kjo do të ishte vetëvrasje për Aladron:
edhe me pseudonimin Jean de Kroïa në krye të romaneve frëngjisht; edhe
me titullin publik të mirënjohur “Princ Kastrioti” si personazh; edhe, më në
fund, me referenca të sakta burimore për veten brenda në tekst! E më keq akoma
te Sotiri dhe Mitka në spanjisht, ku ai tradhton pseudonimin Jean de
Kroïa të origjinalit frëngjisht me emrin e vërtetë Juan Pedro Aladro!
Kurrfarë logjike nuk ka në këtë mes, edhe sikur të hamendësojmë një hop një
“kapriço” alla Aladro![xl]
Teksa e kundërta po, ka kuptim, dhe shpjegimi i plotë do të ish një e i vetëm:
prapa pseudonimit Jean de Kroïa qëndron dhe duhet të qëndrojë një emër
tjetër: ai i Faik Konicës, ai që pikërisht e bën Aladron personazh në të
dy romanet, që jep për të referencë shpjeguese, tek e ngre në qiell dhe e vesh
me aureolë popullariteti, mirësie e lavdie,[xli]
siç ia kërkojnë intriga dhe koniunktura e një vepre të shitur a porositur, pas
vitesh të tëra kur po ky Konicë e ka nxjerrë lakuriq Aladro mashtruesin te Albania,
me prova e argumente.
Fakti që të dy romanet në frëngjisht janë botuar në një vepër më
vete dhe me të njëjtin pseudonim tregon se ato kanë midis tyre një lidhje
organike; megjithatë, ato mund të qëndrojnë edhe si romane më vete, të
shkëputur nga njëri-tjetri. Ndonëse emëruesi i përbashkët i tyre është
personazhi Princ Kastrioti, që i lidh njëfarësoj të dy librat, vëmë re
se te Martesa... ky personazh shfaqet i drejtpërdrejtë e aktiv, kurse te
Sotiri dhe Mitka është personazh në hije apo në prapaskenë. Pikërisht
kjo arsye, si personazh dytësor, duhet ta ketë shtyrë Aladron, pasi i ka blerë
veprat, të marrë guximin e të botojë më vete në spanjisht romanin Sotiri dhe
Mitka, tashmë pa pseudonimin e frëngjishtes, pa dorashka, por hapur, me
emrin e tij të vërtetë: Juan Pedro Aladro! Dhe çuditërisht të pashoqëruar as
nga titulli Princ Kastrioti që i kish veshur vetes gjithë jetën e gjithë
krenari.
Pra, Aladroja zgjedh për botim në spanjisht, me emrin e vërtetë,
vetëm veprën Sotiri dhe Mitka sepse:
Së pari, Princ Kastrioti, siç thamë, është personazh në hije në
roman, dhe lexuesi spanjoll e ka të vështirë të bëjë drejtpërdrejt lidhjen e
emrit të Aladros me titullin Princ Kastrioti.
Së dyti, Sotiri dhe Mitka është një roman i shkurtër, apo
novelë, siç e klasifikon studiuesi spanjoll Jose Lopez Romero; në këtë rast
vepra bie më pak në sy apo bëhet më pak e dukshme, duke u përfshirë kështu
brenda kornizës së “modestisë” për aq sa arrin të kënaqë njëfarë egoje
personale të Aladro “shkrimtarit” në do qarqe të ngushta të bashkëpatriotëve të
tij spanjollë apo të inteligjencës së Jerezit. Por pa shkuar kurrsesi më tej
dhe pa synuar aspak popullarizimin e “veprës”.
Së treti dhe më në fund, duke qenë Sotiri dhe Mitka një
roman i shkurtër, do të jetë kësisoj disi më e lehtë dhe më praktike për ta
përkthyer atë nga frëngjishtja në spanjisht. Dhe këtu plas skandali, një fakt
kuptimplotë!
Që në mbulesë të botimit spanjisht jepet kjo e dhënë: Traducida
del francés por Don Jacinto Ribeyro.[xlii] Si ka
mundësi që spanjolli Juan Aladro, i cili na shkruaka roman me tematikë
shqiptare drejt e në frëngjisht, vete edhe e jep atë për përkthim në spanjisht
te dikush tjetër, dhe as që merr mundimin ta përkthejë vetë librin në gjuhën e
nënës, pale ta rishkruaj drejtpërdrejt në spanjisht! Një njeri i penës nuk do e
kish aspak të vështirë për ta bërë, madje është shumë më tepër dinjitoze për ta
bërë vetë, se sa të vejë e të gjejë bedel!...
Por, le të shohim nga afër kush është përkthyesi Jacinto Ribeyro.
Më 1895, ai na shfaqet si biograf i Señor Don Pedro Domecq, domethënë i
Aladros, duke e paraqitur familjen e këtij si një Shtëpi e madhe eksportimi
të verërave të Jerezit;[xliii]
e shohim gjithashtu si autor kartolinash të bukura tek bën reklamën e konjakut
të markës Los Angeles të Jerezit; e shohim më në fund si administrator
(sic!) i pasurisë së patundshme (vreshtave) të Juan Aladros po në Jerez.[xliv]
Pra, as më shumë e as më pak, përkthyesi Jacinto Ribeyro y Soules është njeriu
i gjithanshëm i Aladros në domenet e tij të trashëguara, i paguar mirë prej
këtij, ashtu sikurse G.C.Camet, sekretari frëng në Paris. Mashtrimi i Aladro
Kastriotit, me titujt e rremë, si “markez”, si “princ Kastrioti” dhe më në fund
si “shkrimtar” ia bën “muuu!” nga tërë anët. Ai lindi “vreshtar spanjoll”, u
vetëshpall “markez” e “Princi shqiptar Kastrioti” dhe parapëlqeu të vdesë si
“Princ e shkrimtar” i botës shqiptare! Përzgjedhje dhe ideal jete prej
mashtruesi të spikatur falë parasë, arnuar e zeza me pe të bardhë! Por fundja
punë e tij! Në punë mashtrimesh e mistifikimesh, ai nuk ishte as i pari, as i
fundit, të paktën i dyti ndër katër a pesë “Skënderbejtë” e rremë!
Po le të shikojmë më tej personazhe të tjera kuptimplote që
dëshmojnë për fuqinë e fantazisë dhe të mendimit konician.
ILDA LAZAREVIÇ. – Personazhe balerinë te Martesa...,
artiste me famë, “diva”, siç shprehet autori me terminologjinë e kohës. Duket
si figurë e krijuar, por ndoshta Konica, i prirë e i dhënë kokë e këmbë pas
botës së artit, muzikës, pikturës europiane, e ka njohur shëmbëlltyrën e saj
nga afër, ashtu sikurse vite më pas në Amerikë do njohë balerina me emër. E
vendos atë dhe personazhet që e rrethojnë në Teatrin historik të famshëm An
der Wien. Ilda dhe Gjini janë simbol i botës së artit me të gjitha cilësitë
dhe virtytet njerëzore, botë e admiruar dhe e kundruar nga Konica. Ilda e Martesës...
të kujton njëfarësoj Verën e Dr. Gjilpërës..., por me një dallim të
madh: simpatia me të cilën shprehet autori për këtë figurë dhe lidhjet e saj me
piktorin Gjini nuk e tejkalojnë kurrsesi kuadrin e miqësisë së pastër.
Nga ana tjetër, te Albania, Konica flet për një valltare të
famshme, Carlotta Brianza-n, “yll i parë, siç shprehet autori, në krye-theatrat
e Pjetersburgut, të Moskovës, të Vjenës, të Londonit, të Brykselit”, e cila
interpreton rolin e shqiptares Vasilia (Vasiliqisë) në pantomimë-baletin e
Henri Ferrare, me muzikë të Georges Pfieffer.[xlv] Bota e
artit, muzikës, baletit dhe operave e ka frymëzuar kështu drejtpërdrejt Konicën
në krijimin e personazhit simpatik Ilda, duke dhënë me vërtetësi dhe forcë
mahnitëse gjithë atmosferën artistike të Vjenës dhe Europës.
ERNESTINA. – Personazhe e dorës së dytë te
romani Martesa..., por emri i saj është tepër domethënës, sepse të sjell
ndër mend pa mëdyshje kunatën e Faikut apo gruan e të vëllait, Mehmetit, me një
fjalë, e ëma e Lejla Konicës. Ernestina ka qenë me origjinë irlandeze sipas
Sherif Delvinës, natyralizuar franceze, një grua mjaft e pashme. Frymëzuar
drejtpërdrejt prej saj, autori e jep në roman si pronare të një dyqani mode për
kapele grash në Vjenë.
SULO BEU. – Protagonist në roman, përfaqësues i bujarisë
shqiptare, të traditës dhe patriotizmit (nga Toskëria). Shoqëron Princin
Kastrioti kur ky udhëton në rajonet përreth kufijve të Shqipërisë. Shfaqet si
një tip labi që nuk mungon të vetëmburret, dhe që herë pas here bën udhëtime të
shkurtra në Paris, duke pretenduar se “Po vete te dentisti për dhëmbët”.
Ndoshta, thotë Konica, me humorin e tij të hollë karakteristik, “bënte edhe
ndoca vizita zbavitëse, por le t’i lëmë me aq, s’ka ç’na duhet më tej”. Thjesht
kjo fjali nuk do t’i shkonte kurrsesi për shtat penës së Aladro babaxhanit e
seriozit, që s’merrej me do turpe në Paris... Kur vetë Konica nuk ia përton të
flasë edhe për «amatorët e gjësë së vockël» e të përdorë në intimitet fjalë të
tilla që edhe sot çudisin «puritanë moralistë» që nuk durojnë dot fjalor
seksist.[xlvi]
Nga ana tjetër, tipi i Sulos të kujton Sulo Be’Resulin, të cilin Faik Konica e
ka njohur në Vjenë.[xlvii]
MIRASHI. – Ashtu si Sulo beu, edhe Mirashi shtatlartë i Shkrelit,
shfaqet një malësor origjinal (nga Gegëria), gati ekzotik, me humor, i lidhur
me Princin. Përfaqëson kreshnikun e moçëm, që të kujton njëkohësisht stradiotin
gjigand shqiptar të Filipit të Kominës. Me siguri Konica ka njohur nga afër
bajraktarin Vat Marashi nga Shkreli, dhe është frymëzuar prej tij për këtë
personazh mjaft simpatik.
Te romani “Sotiri e
Mitka” kemi po ashtu disa personazhe që e bëjnë edhe më domethënëse e
dëshmuese penën e Konicës:
SOTIRI[xlviii]
E MITKA[xlix].
– Personazhe kryesorë, emigrantë shqiptarë që nisen nga viset jugore të
Shqipërisë për në Amerikë dhe që njohin fate të ndryshme në jetë.[l]
Është e njohur që Konica ka mbajtur lidhje të hershme me shqiptarët e Amerikës
dhe ka shkruar më se një herë për ta,[li] në një
kohë kur nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Aladron, i cili nuk njihet të ketë
dalë ndonjëherë jashtë Europës, pale të ketë njohur nga afër bashkësinë
shqiptare në Xhejmstoun e Boston. Nga ana tjetër, duoja Sotiri dhe Mitka,
e brenda intrigës duoja e bijve të tyre Dominiku dhe Gjergji tingëllojnë
fuqishëm si duoja e hershme koniciane e vitit 1897 Toskua dhe Moskua te
tregimi Lulia e malevet: kontraste karakteresh, botëkuptimesh e
qëndrimesh. Madje paralelizmi i duove të fundit, Toskua – Moskua dhe Dominiku –
Gjergji, është i dukshëm, duke qenë se të katër personazhet janë të rinj
shqiptarë që kanë mbaruar studimet e tyre në Paris, sikurse vetë Konica
djaloshar, dhe kthehen në vendlindje.
DOMINIKU. – Personazh kryesor që mishëron tërë
cilësitë e larta të të riut shqiptar shkolluar jashtë shtetit; është i
virtytshëm, njeri i punës e i dijes, “zemër flori”, siç thotë Konica për të, me
ndjenja të pastra, optimist, përkrahës dhe nxitës i progresit. Është e qartë se
tek personazhi Dominik, Konica personifikon vetveten djalë të ri. Por të mos
harrojmë se Dominik është edhe vetë emri i krishterë i pagëzimit të Faik
Konicës më 1895![lii]
ZNJ. SIMPSON. – Personazhe amerikane e dorës së dytë që të kujton
për nga emri që mban “mjekun e math të Amerikës, Z. Simpson, të Akademisë së
Bostonit”, për të cilin Konica flet te Albania.[liii]
MATILDA. – Personazhe e dorës së dytë që të kujton për nga emri
motrën e Leon Cahun-it,[liv]
ati shpirtëror i Faik Konicës djaloshar gjatë viteve të qëndrimit në Paris.
Është njëkohësisht e ëma e shkrimtarit të shquar simbolist francez Marsel
Schwob, për të cilin Apolineri dhe Konica kishin admirim të madh.
Plaka TRIFONA. – Personazhe e dorës së dytë, por me një
karakteristikë të veçantë të emrit, që flet për një dukuri të posaçme të gjuhës
shqipe: siç dihet, në disa zona të Shqipërisë së Jugut, gruaja merrte emrin e
burrit duke e shndërruar në gjininë femërore: Kristaq burri, Kristaqëla,
gruaja; Arsen – Arsenëla (Gjirokastër); Trifon burri – Trifona, gruaja, e
kështu me radhë. Këtë dukuri kaq të veçantë të shqipes, zor se mund ta njihte
Aladroja, edhe sikur të ishte gjuhëtar!
EKREM BEJ. – Personazh në hije, emri i një
studenti aktiv shqiptar në kolegjin vjenez Theresianum, që paralajmëron
pa mëdyshje Eqrem bej Vlorën, politikanin dhe diplomatin e ardhshëm, të cilin
Konica duhet ta ketë njohur nga afër qoftë nëpërmjet korrespondencës, qoftë
gjatë vajtje-ardhjeve të tij të shpeshta në Vjenë në vitet 1900-1909.
Përjashtohet çdo mundësi që spanjolli Aladro ta ketë njohur studentin Eqrem
Vlora në Vjenë kur ka qenë aty diplomat në vitet 1880.[lv]
Më në fund, emri në shqip “TRIMI” për qenin,
si një nofkë domethënëse për një kafshë besnike e guximtare është nga ato lloj
krijimesh koniciane që tingëllon si emrat e veçantë për njerëzit: “Plugu”, “Dr.
Gjilpëra”, “Salemboza”, “Sepia”, “prefekt Zgjebua”, “Z. Hekur”, “Rrëmbi,
Gjëmbi, Shkëmbi” etj. Disa herë Konica jep tek Albania kuriozitete nga bota e
qenve (deri edhe e insekteve), madje shkrimin e tij në frëngjisht Skicë
metodë për t’u duartrokitur nga borgjezët e fillon me fjalinë simbolike
«Qeni tund bishtin, borgjezi duartroket». Flet kështu tek Albania për
«Drekë qenash», kur zonjat londoneze shtrojnë «trapez» dhe ftojnë mikeshat e
tyre që kanë qen për t’i zbavitur së bashku». Dhe shkojnë gjer aty sa përdorin
edhe qafore e doreza të arta për qentë, «të ngarkuara me gurë shumë të
kushtueshme» dhe që «rrinin ndenjur mbi jastëkë mëndafshi» (Albania, viti
7, gusht 1903, nr.8). Po ashtu, tepër interesant është edhe shkrimi i Konicës Hollësia
e qenve (Albania, nr.1, viti 6, janar 1902), kur jep përmbledhtas
përmbajtjen e librit «Mendia e kafshve» të shkencëtarit anglez Romanes, ku flet
në mënyrë të veçantë pë dy qen që haheshin dhe griheshin me shoshoq dhe
shërbëtori i pronarit i ndante me forcë. Nga inati «...të zemëruar e të ndezur
mërie», ata kalonin lumin me not, për të vazhduar zënkën e tyre në bregun tjetër.
Dhe kulmi i humorit konician: kalonin lumin «…si dy inglizë qi, kur duan të
lëftojnë të dy bashkë, kapërdzejnë detin e Mëngës [La Manche] e venë gjer në
Francë». Me një fjalë, Aladro nuk «kish nge» për të tilla hollësi kuriozitetesh
të mendjes koniciane, kur vetëm një mendim të ngulët kishte vazhdimisht në
kokë: fronin e Shqipërisë!
Po ashtu, emri “TEODOR[lvi]
PARFUMJA”, siç e cilëson Konica personazhin e kontit të ri Dumb te Martesa
tingëllon me të njëjtë forcë shprehëse humori të hollë, karakteristike për
penën dhe fantazinë koniciane.
Disa subjekte e motive thelbësore,
karakteristike për penën e Konicës, që shfaqen paralelisht te dy romanet dhe te
shkrime të tjera të tij:
Dasma e Lejla Vangjelit në Venecie. –
Organizohet mes një rrethi të ngushtë miqsh, por mes një rrethi të gjerë
marinarësh shqiptarë të rastit; kemi te ky episod një paralelizëm me lajmet e
herëhershme të Faik Konicës te rubrika “Martesa shqiptare” të Albania-s,
sidomos po të mbajmë parasysh shkrimin e tij “Një dasmë shqiptare në Venecia”,[lvii]
ku flitet konkretisht për martesën e shqiptarit Gjergj Sotiri,[lviii]
arkitekt, me Kontesinën Bianca Querini. Konica jep në këtë rubrikë me mjaft
hollësi ceremoninë në kishë, pagëzimin e çiftit, formalitetet civile dhe
dëshmitarët shqiptarë e italianë, duke e përfunduar tërë lajmin në frëngjisht
me urimin shqip të mrekullueshëm “U trashëgofshin e u mplakshin”, urim i
papërkthyeshëm në gjuhë të huaj në kuptimin e mirëfilltë të shqipes.
Paralelizmi i kësaj dasme shqiptare në Venecia pasqyruar te Albania me
dasmën e Lejla Vangjelit në roman është tepër i dukshëm. Martesa dhe dasma e
Lejlës në Venecie shfaqet si një finale simfonie, si dasma shqiptare në prag të
pavarësisë, dasma e krejt Shqipërisë, dhe vetë romani Martesa e Lejlës
shndërrohet kështu në një tortë koniciane gatuar me dashuri e art.
“Zonja shqiptare”. – Tablo e
piktorit Lezi (Theohar) Gjini në të cilën personazhi Lejla Vangjeli pasqyrohet
e veshur në roman me kostum popullor shkodran. Ky kostum përmendet në një shkrim
të Albania-s kur i bëhet recensë librit “Cenni sui Costumi di
Scutari...”.[lix]
Dihet, nga ana tjetër, se kostumi shqiptar është një tematikë fort e
rrahur nga Konica në shkrimet e tij, për më tepër që edhe vetë Konica u vesh e
u shfaq publikisht në Amerikë me kostum shqiptar, si dikur Bajroni në Londër
apo Aleksandër Dyma në Paris. Është e vërtetë që edhe Aladroja, në mënyrë
ekzotike, u vesh e u piktura me kostum popullor shqiptar, siç e shohim të
riprodhuar portretin e tij në dhjetëra-qindra kartolina, por kjo, thjesht me
efekt propagandistik e emfatik. Sepse Aladroja asnjëherë, në të vërtetë, nuk e
veshi kostumin popullor shqiptar publikisht (të paktën në sallonet mondane të
diplomacisë) dhe me po atë natyrshmëri e dashuri që karakterizonte Konicën. Nga
ana tjetër, kostumi shqiptar, si një gjetje e arrirë koniciane te Martesa,
shndërrohet bukur fort në një element të fuqishëm bashkimi të Lejlës me
piktorin, tek shprehet nëpërmjet këtij elementi gjithë ndjenja e atdhedashurisë
dhe e dashurisë së dy të rinjve.
Besa shqiptare, krenaria shqiptare. –
Janë po ashtu tema të rrahura nga Konica, që shfaqen hijshëm tek dy romanet,
krahas nderit, moralit dhe zgjuarsisë së veçantë të shqiptarit. Këto motive
Konica ia dhuron qëllimisht publikut të huaj, tek ka lartësuar edhe më parë
virtytet fisnike shqiptare.[lx]
Kështu, pohimi i Lezit: “Jam shqiptar, dhe e kam këtë nder!” tingëllon
natyrshëm në kontekst, pa kurrfarë kompleksi inferioriteti a superioriteti
artificial,[lxi]
por thjesht për të treguar vendin e tij në shoqërinë perëndimore, kur Shqipëria
ishte në qendër të opinionit austriak e europian. Edhe deklamimi tjetër po në
gojën e Lezit: “Zoti Vangjel! Unë jam një njeri që respektoj nderin, dhe kur
një shqiptar jep fjalën, vetëm vdekja nuk mund ta lërë për ta mbajtur”, përmban
të koncentruar e të trupëzuar në një të vetme si institucionin e besës, ashtu
dhe krenarinë shqiptare, të cilën Konica më se një herë e ka vënë në dukje
nëpërmjet përmbledhjeve të autorëve frëngj për kalorësinë e lehtë shqiptare të
Mesjetës botuar në mjaft numra të Albania-s.[lxii] Konica,
ashtu sikurse zbuloi flamurin e Kastriotit të Madh, zbuloi edhe shprehjen e
bukur mesjetare “Fier comme un Albanais – Krenar si një Shqiptar”[lxiii]
të poetit dhe shkrimtarit francez Jean Marot.
Profesioni i berberit. – Është, siç dihet, një tjetër motiv i dashur për
Konicën, që e nis me berberët e Stambollit,[lxiv]
për ta vazhduar me berberët e Tiranës, tek e përfundon me berberin shqiptar
vajtur në Boston te romani Sotiri e Mitka. Ndërsa te Shqipëria si m’u
duk, Konica flet për berberët e Perës apo të Bejollit si artistë të briskut
e të pomadave, njerëz që bëjnë një zanat të paqmë e të dobishëm për shoqërinë;[lxv]
teksa nuk harron Dasmën e Figaros së Mozartit dhe Berberin e Seviljes
së Rosinit, por as Greta Garbon si berbere në Suedi, Konica veç kur na shfaq
tanimë te Sotiri e Mitka berberin e suksesshëm shqiptar në Amerikë
Athanasin, por nga një këndvështrim krejt tjetër: dyqani i këtij berberi në
Boston kthehet në pikëtakimi të shqiptarëve, në vatër patriotike e propagandistike,
me flamuj e gazeta shqiptare. Pra, shpaloset te figura e berber Athanasit një
ndjenjë e fuqishme jo vetëm atdhedashurie, por edhe dashurie për familjen e
profesionin.
Gruaja dhe vasha
shqiptare. – Është e mirënjohur nën penën e Konicës
figura e gruas, nënës, vashës shqiptare, duke filluar nga tragjedia e Vojsavës
dhe Mamicës pas pushtimit osman të vendit,[lxvi]
nga figura legjendare e Mrikës që shpëtoi Skënderbeun në shesh të betejës,[lxvii]e
deri te figura e nuses së re që qan te kroi duke larë fustanellën e të shoqit
që do niset për udhë (luftë),[lxviii]apo
figura e gruas së thjeshtë e të zgjuar nga radhët e popullit, Gjylnari e
Muhedin agës, Arifja e Zylyftarit e me radhë.[lxix]
Dhe ja ku te «Martesa» dhe te Sotiri na shfaqen bukurisht,
fisnikërisht, figura e nënës, krahas figurës së motrës Maria dhe të vetë
Lejlës, e cila shkëlqen për nga hijeshia, sjellja e kultura, model i përkryer i
virtytit, me shije të hollë artistike, tek merret njëkohësisht me pikturë,
këngë, muzikë, ballo, kalërim e veshje mode europiane, që njeh po ashtu artin e
qepjes e të qëndismës, por edhe gjuhët kryesore të kontinentit të vjetër.
Nëpërmjet saj, Faiku ka dashur të na japë figurën e vashës
shqiptare në nivelet e epërme të rinisë europiane, vendin e saj të nderuar e
plot dinjitet, e paepur, madje e rreptë në çdo rrethanë ligësie. Pasuria e saj
materiale dhe intelektuale ndërthuren bukur të «Martesa...» me modestinë
dhe fisnikërinë e shpirtit.
Një dukuri e veçantë e traditës shqiptare në lidhjet martesore, që
as do t’i shkonte ndër mend ndonjëherë Aladros dhe që përsëri e tradhton atë
për të njëmijtën herë, përbën fakti që dhëndri shqiptar i drejtohet vjehrrit e
vjehrrës me fjalët “baba”, “nënë” (père, mère), dhe aspak “i bukuri
baba” apo “e bukura nënë”[lxx]
(beau-père, belle- mère në frëngjisht, apo suegro, suegra në
spanjisht).
Dhe vijojmë me një tjetër dukuri të traditës
shqiptare në përvojën martesore: “Ne shqiptarët, pohon autori Jean de Kroïa,
edhe pse jemi bashkëshortë model, që i duam gratë tona[lxxi]
dhe jemi gjithë përkujdesje për to, prapëseprapë, e kemi më të kollajtë, për
nga vetë natyra jonë, të merremi vesh me gra të racës sonë”.[lxxii]
Gjoni i Krujës, prapa të cilit qëndron Faik Konica, shpreh kështu një mendim të
pjekur, tek e ka të qartë nga përvoja personale, pas vitesh të tëra
bashkëjetese se “gratë e huaja kanë një karakter krejt tjetër, jo se janë më të
mira apo më të këqija nga tonat..., por shqiptaret janë më të buta, më të
nënshtruara, e sidomos kanë më shumë zemër...”.[lxxiii]
Këto fjalë as që do t’i shkonin ndonjëherë nëpër mend e për shtat Aladros,
përderisa ai vetë si “markez” shkoi e u martua tek të pesëdhjetat me një
konteshë, bashkim thjesht nisur nga paraja e titulli. E si mund të shprehte
atëherë Aladroja një mendim të tillë kaq të pjekur për zemërbutësinë e
shqiptarkave dhe për përvojat e tyre martesore kur ai vetë ishte pa kurrfarë
përvoje shqiptare në këtë mes?...
Muzika, koncertet, ballot,
rinia. – Pa mëdyshje na shfaqet këtu mjedisi më i
adhuruar e më i frekuentuar i Konicës djaloshar, që ka depërtuar në krejt
qelizat e kësaj bote mahnitëse artistike, ashtu sikurse në raftet më të
pluhurosur të arkivave e bibliotekave të famshme të Parisit e Londrës, tek kish
kaluar nëpër duar krejt librat e vjetër për Shqipërinë e shqiptarët. Është Konica
25-30 vjeçar, un bon viveur (që di të shijojë jetën), si thotë frëngu,
ai që ka njohur nga afër “rininë e praruar”[lxxiv]
të Kartnerstrasse-s e të kafeneve të Vjenës, kabaretë, ballot mondane,
koncertet simfonike, ekspozitat dhe muzetë. Kurrsesi jo nuk mund t’ia njohim
këtë mjedis Aladro babaxhanit 60 vjeçar të viteve 1900- 1905, që veç krekosej me gjoksin plot dekorata si Princ Kastrioti dhe
si mbret i ardhshëm i Shqipërisë. Sepse në fund të fundit, rinia e këtij
“markezi” plot vakanca, pritje diplomatike, kuaj e do gjeste bamirësie, është
larg së qeni ajo e Faikut, të gjithanshmit dhe të pakapshmit në kohë e në
hapësirë, e atij që është quajtur me të drejtë “enciklopedi lëvizëse”. Është
Konica ai që njeh “Marshin martesor” të Mendelsonit,[lxxv]
operetat e Franz Leharit “Konti i Luksemburgut” a “Vejusha e gëzuar”,[lxxvi]
ai që dehej me Vagnerin e Berliozin, që i binte edhe vetë klarinetës, obojit
dhe bririt anglez përpara Apolinerit, me sytë e ulur mbi partiturë dhe me pamje
krejt serioze.[lxxvii]
Dhe do jetë po ai Konicë, i pandryshueshëm e i pakorrigjueshëm në pasione e
hove përherë rinore që, me shijen e tij të hollë për muzikën, duke e trajtuar
këtë jo si qejf, por si fe,[lxxviii]
(pra nevojë të domosdoshme shpirtërore) do jepte, vite më vonë, edhe të holla
për muzikantin e famshëm Arturo Toscani që ky të mund të realizonte koncertet e
veta të përjavshme, sikurse vë në dukje The Washington Post më 1938.[lxxix]
Dhe veç kur do e shohim Konicën të shkëlqejë e të arrijë majat e kritikës
vlerësuese të artit të muzikës me shkrimin e tij hyjnor The sweet power of
music,[lxxx]
tek e konsideron muzikën “art të perëndishëm”, që të vjen në vesh e të kumbon
“posi zëri i ëmbël që merr frymë në një shesh manushaqesh”. Dhe veç kur etërit
e muzikës klasike, Bahu, Mozart, Beethhoven, Schubert, Shopin, Strauss, etj.[lxxxi]
do shndërrohen kësisoj nën penën e tij në emra të perëndishëm që dinë të
“flasin gjuhën e shpirtit e të qiellit.” Pra, vetëm një Konicë i tillë, e
askush tjetër, me jehonë muzike klasike në vesh e në shpirt do mund të japë
besnikërisht e realisht tërë atë mjedis marramendës të koncerteve vjeneze që
përmenden te Martesa.
Dueli. – Me siguri te lexuesi
shqiptar, kjo dukuri tingëllon paksa e çuditshme, edhe pse është i njohur
historikisht belegu shqiptar, ndeshja ballëpërballë e kundërshtarëve;
veçse, praktika e egër e gjakmarrjes në emër të Kanunit ishte mbisunduese;
ndërkohë që, në shoqërinë perëndimore, praktika e duelit, grishja për dyluftim
të ndershëm në rast fyerje të personalitetit ishte monedhë e zakonshme,[lxxxii]
siç thotë frëngu, gjer në fillim të shekullit XX. Duelit perëndimor, me shpatë
a pistoletë, në prani dëshmitarësh të dy palëve, nuk i kanë shpëtuar as
shqiptarët.[lxxxiii]
Vetë Konica 21 vjeçar, që në vitin e parë të Albania-s korrik 1897, bën
aluzion dhe përcjell idenë e një dueli me André Leval, redaktor i revistës la
Revue d’Orient;[lxxxiv]
më pas, do jetë një bashkëpatriot i tij që do ta ftojë Faikun në duel (të
parealizuar) lidhur me çështjen
“gasparina”, siç e ka quajtur ai.[lxxxv]
E teksa Faiku na shfaqet kësisoj edhe objekt, edhe subjekt dueli (në bazë të
një informacioni nga shtypi i huaj rezulton se edhe në Kongresin e Triestes ka ndodhur
një incident grindjeje dhe fyerje të rëndë, që e ka detyruar Faik Konicën të
ftonte në duel një anëtar të Kongresit) Aladroja, në të kundërt, nuk na
rezulton gjatë studimit tonë që të ketë qenë ndonjëherë i implikuar
drejtpërdrejt në ndonjë duel. Rrjedhimisht, duket për të disi e vështirë të
pasqyrojë me penë të nxehtë ankthi, por edhe humori, atmosferën e një dueli. Dueli i Lezit me kapitenin Frtiz përbën kështu një
kapitull më vete te Martesa, dhe tragji-komikja e këtij episodi nxjerr
edhe një herë në pah humorin e hollë karakteristik të Konicës që di ta
psikologjisë dukurinë. Aq sa krejt episodi na shfaqet si një zgjidhje sui
generis, e denjë vetëm për fantazinë e mjeshtrit shqiptar të penës.
Pozicioni i këmbës për të shënjuar kundërshtarin, propozuar rëndë-rëndë nga
Sulo bej shqiptari sikur do të thotë në gojën e Faikut: le të mos e marrim fort
seriozisht këtë punë të duelit, sepse as që është nevoja të merret shenjë me sy
a me mend në punë të djallit, por mjaft të shënjohet “me këmbë” a “më këmbë”
dhe të tërhiqet e shkreta këmbëz![lxxxvi]
Vepra, gjuha dhe stili
karakteristik i Konicës. – Është një
tematikë tepër e gjerë që do të jetë objekt i një studimi tonë të ardhshëm.
Veçse këtu, gjithmonë në raport me Aladron, Konica është thjesht Konicë
madhështor, teksa Aladroja ulet edhe një shkallë më poshtë nga hiçi apo nga
niveli zero i krijimtarisë letrare. Sepse çdo lloj pretendimi e uzurpimi nga
ana e tij do të shkrihej si kripa në ujë e do të asgjësohej nga mbushulli e
shprehjeve shqipe që gëlojnë të transliteruara në gjuhën frënge, duke
tingëlluar në mënyrë më se origjinale e ekzotike tek të dy romanet. Dhe
domosdo. Konica i paarritshmi, i pari klasik shqiptar që rrahu drejtpërdrejt në
gjuhë të huaj tematika të mirëfillta europiane,[lxxxvii]
duke e tejkaluar kuadrin e thjeshtë të letërsisë,[lxxxviii]
Konica poligloti, themeluesi i gjuhës letrare shqipe, me të cilën merren vesh
sot gjithë shqiptarët në mbarë trevat kombëtare,[lxxxix]
Konica, Princi i Gjuhës Shqipe, ishte pra në terrenin e tij të plotë për të
përcjellë shprehje e nuanca të shqipes në gjuhën frënge dhe vice-versa.
Pa pretenduar të japim një regjistër të plotë
të morisë së këtyre shprehjeve, le të përqendrohemi në ato më tipiket, që
përbëjnë sharmin e gjuhës shqipe dhe të vetë gjuhës së Konicës, të pazakonta në
gjuhë të tjera, por me një erë kundërmuese ardhur nga lashtësia e shqipes dhe
fantazia krijuese koniciane. Konkretisht shprehjet:
La pauvrette! – e shkreta! Nuk ekziston si fjalë në
frëngjisht; është krijim konician, jo thjesht për t’i dhënë fjalës një gjini
femërore dhe një unitet leksikor me mbaresën karakteristike frënge -ette,
por edhe për t’i dhënë termit më shumë intensitet dhembshurie, e sidomos për
t’i dhënë një kuptim zvogëlimi përkëdhelie sipas modelit fille (vajzë),
fillette (vajzë e vogël, vajzuçkë). Në shqip, shprehja keqardhëse i shkreti, e
shkreta, haset dendur te Konica, si në shqip, si në frëngjisht.[xc]
Voilà la réponse du berger à la bergère. – Ja
përgjigja e çobanit për çobaneshën. Nuk besojmë se do thuhej në frëngjisht
a në ndonjë gjuhë të huaj në kuptimin: Ja përgjigja e të dashurit për të
dashurën. Konteksti pastoral i kësaj shprehjeje mban erë fantazie koniciane
frymëzuar doemos nga Bagëti e bujqësia shqiptare.
Le coup doit être frappé aujourd’hui – Goditja
duhet dhënë sot. Shprehje e përkthyer siç shihet, drejtpërdrejt
nga shqipja. Frëngjisht do mund të thuhej: Il faut agir dès aujourd’hui, (do
duhej vepruar që sot), etj.
Approchez mes enfants,[xci]
que je vous bénisse et vous fiance – Afrohuni bijtë e mi, që t’ju pagëzoj e
t’ju fejoj (martoj). Folja se fiancer në
frëngjisht do të thotë konkretisht fejohem dhe se marier – martohem.
Një prift francez do duhej të thoshte: que je vous bénisse et vous unisse –
që t’ju bekoj e t’ju bashkoj (për jetë të jetëve). Për këtë shprehje të Konicës
në frëngjisht, do mund të thoshim thjesht një maladresse de langue.[xcii]
Aladroja nuk do ta njihte këtë vështirësi, duke qenë se spanjishtja është gjuhë
latine, sikurse frëngjishtja.
Ne soyez pas ainsi! – Mos jini (ji) kështu!
Kuptimi në kontekst është: mos bëni kështu! Pse bëni kështu! -
duke shprehur habi dhe njëfarë lutje, por edhe zhgënjim e indinjatë. Autori me
sa duket ka dashur të përcjellë në frëngjisht këtë nuancë të veçantë të
shprehjes shqipe. Ndoshta në frëngjisht do mund të thuhej më drejt : ne vous
comportez pas ainsi! (mos u sillni kështu!)
Nous nous sommes mis dedans par le vieux. – Ramë
brenda nga plaku, në kuptimin: e hëngrëm nga plaku, ramë në
grackën e tij. Shprehje tipike shqiptare transliteruar në frëngjisht. E
barasvlershmja frëngjisht do duhej të ishte shprehja se foutre dedans, u
mashtruam, dhe jo se mettre dedans (me u fut brenda).
Il faillit avoir un
transport de cerveau – Desh pati një lëvizje (lajthitje) të trurit, në kuptimin: desh i iku mendja, desh luajti mendsh;
frëngjisht: il faillit devenir fou. Konica është frymëzuar kështu
drejtpërdrejt nga shqipja për të dhënë një shprehje ekscentrike frënge.
Comme la nuit et le jour. – Si nata me ditën, në
shprehjen: ndryshojnë si nata me ditën (nga njëri-tjetri). E kundërta
thuhet në frëngjisht: comme le jour et la nuit (si dita me natën). Pra
në frëngjisht na është dhënë forma shqipe e shprehjes.
Le loup change de poil, mais non pas d’instincts
– Ujku qimen e ndërron po jo instinktet (zakonin). Shprehja e
barasvlershme në frëngjisht është: Le loup change bien de poil, mais non pas
d’humeur (ujku fare mirë e ndërron qimen, por jo tekën); në
spanjisht: el lobo muda el pelo, mas no el celo (ujku qimen e
ndërron, po jo zellin, dëshirën). Pra, shprehja e përdorur nga Konica në
frëngjisht është shumë më afër shqipes, krahasuar me frëngjishten dhe
spanjishten si gjuhët kryesore përdoruese të Aladros, i cili e sheh veten, edhe
këtu, krejt të tradhtuar thjesht nga një “tekë” a “zell” ujku.
Mund të vijojmë kësisoj edhe me shprehje të tjera të shqipes
përkthyer e përshtatur në frëngjisht nga Konica, por nuk ka pse e lodhim më
shumë lexuesin.
Madje i kërkojmë të falur që u zgjatëm disi në orvatjen tonë për
të shpjeguar që, edhe nëpërmjet këtyre shprehjeve, na shfaqet një Konicë më se
origjinal, tek shkruan një frëngjishte tepër korrekte e të bukur, me krejt
finesat e gramatikës së ndërlikuar frënge, por pa shmangur dot njëfarë ndikimi
e ekzotizmi të gjuhës amtare që ka lënë gjurmë në origjinalin frëngjisht, ku
duket më së miri që nuk është vënë kurrsesi dorë nga ndonjë redaktor apo botues
francez.[xciii]
Lidhur me stilin e Konicës, mund të themi se vërehet, edhe te
romanet frëngjisht, parimi i tij themelor i ekonomizmit të fjalëve, me një
gjuhë të qartë e të harmonishme, gjithë thjeshtësi e natyrshmëri. Si njeri i
formuar i Letrave, Konica nuk i stërhollon fjalitë, përkundrazi, këto pasojnë
njëra-tjetrën, si të njihnin udhën e një mendimi të rrjedhshëm. Ngjarjet
zhvillohen me shpejtësi rrëmbyese, me dialogë elastikë e sintetikë, pa sforcim,
pa përshkrime lumë; vetë stili konician është ai lumë i vrullshëm alpin që jep
shkrim gati-gati automatik, duke sjellë në çdo çast të renë e gjërave, të
pritur a të papritur, por gjithnjë brenda një kuadri të njohur klasik e
realist. Personazhet hyjnë një pas një në lojë nga derë e vogël e së panjohurës
dhe e mizanskenave, për t’u shfaqur të plotë në shtjellë e sipër të ngjarjeve
dhe në mjedise krejt të natyrshme e të zakonta për autorin. Si portretist i
shquar, tek zbërthen e mbërthen tipa e karaktere, Konica vendos raporte të
drejta midis shpirtërores, botëkuptimores dhe emocionales, ku nuk mungon
qëndrimi i tij i prerë prej arbitri të pagabueshëm në ndeshjet shoqërore e
psikologjike, por as ironia e tij e hollë qesëndisëse, kryesisht për karakteret
negative.
Nga ana tjetër, kapitujt lidhen bukur me
njëri-tjetrin dhe fundi i çdonjërit shfaqet si prelud i kapitullit pasardhës,
gjë që e bën veprën edhe më të ngjeshur e kompakte dhe vetë lexuesi e ndjen më
në fund veten si “personazh”, apo si “vëzhgues” nga afër i ngjarjeve, tek
grishet në lexim e sipër me shprehje ndërhyrëse të autorit si: “ e dimë që...”,
“e vumë re se...”, “na duhet të themi që...”, etj. Po ashtu,
Konicën si shkrimtar profesionist të klasit të parë e shohim edhe nëpërmjet
përqasjes së dy romaneve në frëngjisht me romanin tjetër të tij në shqip Dr.
Gjilpëra; gjithçka përkon mes tyre veç me një dallim thelbësor: romanet
janë me kahe të kundërt për sa i përket qëllimit dhe destinacionit të publikut
që synojnë. Sepse, teksa Dr. Gjilpëra - Konica vetë - injekton ilaçin e
shërimit të një shoqërie mbërthyer nga sëmundja e injorancës, prapambetjes,
mentalitetit anadollak, teksa fshikullon ashpër tërë veset dhe terset e
shoqërisë së kohës, duke propaganduar modernitet e europianizim të mendimit
shqiptar, shohim në të kundërt bankierin Vangjel apo inxhinierin Dominik - që
edhe këta personifikojnë vetë Konicën -, të injektojnë në shoqërinë europiane
cilësitë më të larta morale e bashkëkohore të shqiptarëve, duke i bërë këta të
ndihen sa Qytetarë të Botës, aq edhe patriotë sipas shëmbëlltyrës së Sokratit e
Gëtes. Në fund të fundit, të tre personazhet tek të tre romanet, si Vangjeli,
si Dominiku, si Dr. Gjilpëra arrijnë të rrëmbejnë zemrën e lexuesit, i huaj a
shqiptar qoftë, të fitojnë respektin e tij për karakterin, sjelljen fisnike,
gjykimin e mprehtë që i karakterizon, për kuptimin realist të dukurive, për
botën e tyre të pasur shpirtërore, me qëllime të larta për jetën.
Një paralelizëm po ashtu mund të heqim midis
figurës së Verës dhe Ingridës te Dr. Gjilpëra nga njëra anë, dhe figurës
së Ildës dhe Lejlës te Martesa, nga ana tjetër, ku ndihet pena e
frymëzuar koniciane në përshkrimin e bukurisë fizike e shpirtërore të femrës.
Portretizimet e personazheve femër jepen kështu në romane me krejt forcën e një
lirizmi të përkryer, duke çuar në pikturim mjeshtëror me anë të fjalës. E në
këtë rast, edhe vetë tabloja në vaj e Lezi (Theohar) Gjinit me portretin e
Lejlës[xciv]
nuk është veçse rrjedhojë e penës pikturale koniciane. Ja përshkrime të femrës
te Martesa: Ajo “kishte tipare me pastërti ravijëzuese që e bëjnë çdo
piktor të ëndërrojë, leshra verdhane në të praruar, vezullues nën rrezet
diellore, si të stërpikur përsipër me grimcmime ari”; kishte “ngjyrim lëkure aq
bardhëllore e aq të trëndafiltë”; kishte “sy me një kaltërsi të rimtë
këndellëse”; shfaqej si “ një vepër e përkryer e natyrës hyjnore”. Përshkrime
të tilla të bukurisë së femrës nuk do mund të realizoheshin kurrë jo më nga
Aladroja, por as nga sekretari i tij Camet, që çoç ia thosh për ndoca nota
lirizmi në përkthimin frëngjisht të një vjershe të De Radës. Më në fund, për
këto dy romane që po ia japim lexuesit në dorë për herë të parë mund të
konkludojmë se:
Së pari, Faik Konica, si edhe në raste të tjera të përngjashme, nuk i bëri kurrfarë shërbimi këtyre librave, pa i përmendur kurrë kurrkund, i bindur që ato do botoheshin thjesht me pseudonimin Jean de Kroïa, duke ia lënë kështu vetë kohës zbërthimin e enigmave që fshihte ky pseudonim. Duke ia dorëzuar romanet në dorë Aladros kundrejt një pagese për punën e bërë, kuptimi i këtij gjesti është i qartë: “I dashur mik, ja ku i ke romanet, kam ngritur lart figurën tënde, tani bëj ç’të duash!” E me vete duke thënë: “Eh, i dashur mik, aty brenda më ke, s’më shmang dot, edhe sikur të duash!” Vetëm në këtë mënyrë do mund të kuptonim largpamësinë e Konicës se e ardhmja do ishte kryekëput me të, do dinte ta vlerësonte e ta zbërthente veprën e tij të gjithanshme, kur epoka që jetoi ishte e tillë sa Konica i thoshte Nolit, tek e linte gojëhapët me erudicionin e tij: “Mirë po shkruaj, po kush i lexon!” Veçse, duke mbetur përherë klasik e aktual, Konica i përket gjithnjë së ardhmes me idenë e tij gjeniale të modernitetit të mendimit shqiptar, europianizimit të Shqipërisë.
Së dyti, edhe pse në romane babaxhani Aladro shfaqet personazh
pozitiv - në dritë në njërin, në hije në tjetrin -, përsëri nuk mungon nga ana
e Konicës ironia dhe qesëndia e tij e hollë për këtë personazh nëpërmjet një
pohimi të llojit absolut e të fryrë, pohim që shndërrohet në të kundërtën e vet
në mënyrën frojdiane.[xcv]
Fare mirë mund t’i interpretojmë në të kundërtën e tyre këto fjalë të Aladros
te Martesa, që tingëllojnë si demagogji e kulluar: “Gjithë paranë që
kam, e kam për Atdheun tim, dhe jo vetëm paranë por, sikur të arrij të çliroj
Shqipërinë nga tirania dhe nga barbaria e Turqve, do jepja edhe pikën e fundit
të gjakut me dëshirën më të madhe”. Këto fjalë do kishin marrë kuptim sikur
Aladroja, në vigjilje të pavarësisë së vendit, të kish kapërcyer fshehtas
kufirin malor të Shqipërisë e të bashkohej me çetat patriotike, duke braktisur
luksin e Parisit dhe kindat e fustanit të konteshës së tij Renesse. Jo, ai bëri
krejt të kundërtën, vijoi në ugarin e mashtrimit publik, qoftë edhe me botimin
e këtyre romaneve të përvetësuar, duke nxitur më së fundi edhe kryeredaktorin e
l’Avenir d’Arcachon francezin Edmond de Gabory - sigurisht edhe ky i
parapaguar e mirëpaguar - të mos e identifikonte dhe zbulonte Aladron prapa
pseudonimit të vjedhur Jean de Kroïa. Ai i trembej këtij pseudonimi si
djalli thimjanit, ai që vetëm donte e këmbëngulte si e si të dukej.
Kurrfarë sigurie nuk kishte për t’u shfaqur si shkrimtar
drejtpërdrejt me emrin e tij të bujshëm në Paris, kërthizë e Europës, i trembej
edhe vetë Konicës se mos “qiste llaf”, tek e paragjykonte, ngaqë s’kish si ta
njihte besën shqiptare mishëruar mirë e bukur te Konica.
Nga ana tjetër, edhe hija e dyshimit në gjendjen shpirtërore të
Princit Kastrioti, lodhja e tij 30 vjeçare si pretendues i fronit të
Shqipërisë, si “Ati i Atdheut”, shkojnë paralelisht me bindjen dhe ironinë e
Konicës se shpëtimi i vendit as që mund të vijë nga një princ i tillë i huaj,
edhe pse mund të duartrokitet për të. Dhe fakti është se në fund të Martesës,
Konica, jo pa ironi të hollë lëshon këtë deklaratë të mbufatur à la Freud:
“Sepse Princi vazhdon, si përherë, të punojë pa pushim për pavarësinë e
Mëmëdheut të tij”.
Së treti, si klasikë që janë, të dy romanet ruajnë theks dhe vlera
aktuale që shfaqen në madhështinë morale të personazheve pozitivë në ndeshje me
personazhe që përfaqësojnë botën e vesit, ligësisë dhe krimit. Artificialiteti
i kësaj bote sunduar nga etja për para ndesh ashpër fisnikërinë shpirtërore dhe
konflikti do çojë natyrshëm në moton koniciane: Të duash njeriun dhe jo
paranë! Po ashtu, tema e emigracionit, motivi ekonomik, krahas atij politik
e shoqëror, që i ka shtyrë shqiptarët të shkojnë jashtë shtetit, sidomos në
Amerikë, ka një konotacion të fuqishëm aktual. Emigrimi për Konicën jo
gjithmonë është zgjidhje ideale, përderisa as që i dihet se ç’fat e pret të
ziun njeri jashtë shtetit. Sepse mund ta pësoj keq e më keq, siç i ndodhi
Mitkës, i cili, më në fund, shpëtimin, lumturinë dhe mirëqenien do t’i gjejë
vetëm në atdheun e tij. Në këtë pikë, vepra tingëllon më se aktuale, si një
thirrje që atdheu ka nevojë për një rikthim nga jashtë të kuadrove,
intelektualëve, trurit, në duam që kombi të zhvillohet, të përparojë e
lulëzojë. Nga ana tjetër, Konica e bën të qartë te Sotiri dhe Mitka se
vetëm zhvillimi industrial i vendit, organizimi i sektorit të prodhimit do ta
bëjnë Shqipërinë të përparojë e të mos mbetet pas Europës. Dhe fakti është që
nën penën e Konicës, shohim të lulëzojnë pionieret e para të manifakturave moderne[xcvi]
në Shqipëri në fillim të shekullit XX, që hodhën bazat për një industri të
ardhme, në kushtet kur vendi ishte ende nën pushtimin osman.
Së katërti, Konica përpiqet nëpërmjet këtyre dy romaneve në
frëngjisht të japë një imazh sa më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në
një kohë kur autorë të huaj nuk mungonin t’i denigronin, shanin, poshtëronin,
në kor me propagandën antishqiptare sllavo-greke. Ai gjeneron frymë pozitive
jashtë kufijve të vendit, e ngre dhe e pozitivon imazhin e shqiptarit, tek e
sheh kuadër të zotë të niveleve europiane, bankier të madh, drejtor uzine,
artist me famë, etj. të etur për përparim dhe të mbrujtur me cilësi të larta
karakteri.
Së pesti dhe më në fund, duke qenë të dy romanet të destinuar
për publikun e huaj, del edhe më shumë në pah misioni historik i Konicës,
mision që para së gjithash e mbi të gjitha e vesh atë me profesionin e nderuar
të Patriotit të flaktë, të Rilindësit të zjarrtë, të Pionierit enciklopedist,
që diti si rrallëkush të luftojë injorancën, mediokritetin, mendjet e mbrapshta
dhe ligashe, që diti të punojë për emancipimin e shoqërisë shqiptare. Si
rrallëkush, ai veproi e lëvroi në dy kahe, të brendshëm e të jashtëm, por edhe
në shumë rrafshe, tek hodhi kësisoj mrekullisht themelet e kritikës, estetikës,
stilistikës e publicistikës shqiptare, të vetë historisë së letërsisë, tek
luajti rol të shkëlqyer si bibliograf, sociolog, përkthyes, etnograf, novelist,
poet e deri muzikant dhe estet.
Figurë e përplotë, erudit i shkallës së epërme, i parë në
gjithçka, i paparë e i paarritshëm në botën shqiptare, Faik Konica mbetet mbi
të gjitha ideatori dhe farkëtari i mendimit modern shqiptar me rezonancë
përherë të fuqishme, përherë aktuale.
Fotaq A., Strasburg, 2012.
Në përkthimin e dy romaneve të Jean de Kroïa
(Gjoni i Krujës), kemi ndjekur parimin e shkëlqyer konician të
“bashkëkohësisë”, domethënë përdorimin e gjuhës bashkëkohore letrare të
përkthyesit në çastin kur boton përkthimin, dhe jo përdorimin e gjuhës së
vjetër të shkrimtarit, e cila e ka përfunduar misionin e saj tek ka qenë
bashkëkohore në të shkuarën e vet. Ky parim argumentohet në mënyrë shkencore në
veprën e shquar të Faik Konicës “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”,
botuar në frëngjisht me pseudonimin Pyrrhus Bardyli, Bruksel 1904.
Megjithatë, kemi ruajtur
terma dhe shprehje karakteristike të kohës, sigurisht me një stil të
barasvlerë, sa në frëngjisht aq edhe në shqip. Po ashtu edhe përdorimin me
germë të madhe të termave “Zonjë”, “Zotëri”, etj., apo të emrave “Shqiptar”,
“Grek”, “Turk” e me radhë, sipas origjinalit dhe drejtshkrimit në gjuhën
frënge.
Më në fund, vëmë në dukje se emri shqiptar
«Vangjel» i shkruar frëngjisht «Vanghel», fare mirë mund të tingëllojë në
shqiptim si emër holandez, «Van-Ghel», duke e shtuar dozën e intrigës tek
romani “Martesa e Lejlës” dhe duke “maskuar” çdo lloj kombësie.
Përkthyesi.
VIJON...
[i] Kristo
P.S.Luarasi, në korrespondencë me Faik Konicën, që në shtator 1897 vë në dukje
vështirësitë e mëdha financiare për botimin e Albania-s: “Pikëllhimë
të rënda ndjen zemra ime se mos gëzohen armiqtë duke mos dalë “Albania”, e cila
është drita, liria, dituria e Shqipërisë, edhe gjithë fatbardhësinë do ta
sillte në mëmëdhe tonë... Armiqt’e Shqipërisë do të rhiten e të përtëriten e të
qeshin me ne si kanë qeshur gjer më sot, duke thënë se s’jeni për gjë, ju
Shqipëtarët. Ah sikur të jetë për të holla, se fort mirë e dinë se të pasurit
tanë s’japin dore për Shqipërinë...” (Albania,
25 shtator 1897 A. f. 96-97).
[ii] Harta
do shtypej me ngjyra dhe në të do figuronin për herë të parë 250 “pshatra e
katunde shqiptare” në mbarë trevat etnikisht shqiptare; do shtypej me një
tirazh prej 1500 kopjesh dhe do kushtonte gjithsej 1800 franga, ose 90
napolona. Por edhe kjo shumë minimale, Aladro Kastriotit iu duk shifër tepër e
lartë. (Albania, 10 shtator
1900, n°8, E, f. 7. Po ashtu Albania, prill-maj 1902, G, f. 105), etj.
[iii] Për
të ndihmuar mikun e tij Faik Konica, dy herë Nocquet do të realizonte falas
ballinën e Albania-s, fillimisht me një emblemë: shqiponjë
dykrenore e pishtar në mes, dhe më pas me një kompozim: shqiptar i armatosur me
fustanellë dhe pas tij dielli Albania, duke përfshirë në kompozim edhe një portret
të bukur të Skënderbeut. Po ashtu, mjaft skicime te Albania mbajnë firmën e
Nocquet.
[iv] Revue d’Histoire littéraire de la France, M. Décaudin, “Y eut-il un groupe du “Festin d’Esope”?” (A pati një grup për “Festin d’Esope”?), PUF, mars-prill 1992, nr.2, f. 274.
[v] Albania,
qershor 1904, I, f. 121-124.
[vi] Shprehje e goditur e prof. Sami Repishtit,
në letrën e tij dërguar Z. dhe Znj. F. Andrea më 2 korrik 2008.
[vii] Në
përgjigje të një shpifjeje për përvetësim të hollash, Konica boton te Albania,
dy letra në frëngjisht për transparencë apo ballafaqim të hapur publik, të
vetën drejtuar Smail beut [I.Qemalit] dhe letrën e këtij të fundit për të:
“Bruxelles, 15 nëntor 1900. Sapo mora 300 frangat, por më vjen keq t’ju them se
nuk jam më në gjendje për të vazhduar më tej gazetën tuaj; ju lutem pra të keni
mirësinë të më bëni të ditur nëse unë duhet t’jua rikthej këtë shumë apo t’ia
dorëzoj birit tuaj... Faik Konitza.” Letra e I. Qemalit është thjesht një lutje
që Konica të vazhdonte të botonte të paktën edhe numrin në vijim të gazetës së
I. Qemalit sepse ky ishte zotuar tek abonentët e vet. “Për të holla, kurrë nukë
jam zihur me Smail benë, kam 20 letra të tij që e provojnë”, sqaron më tej
Konica, duke parashtruar arsyet politike pse nuk mund të vazhdonte më tej
bashkëpunimin. (Albania, qershor 1902, G., f.153-154).
[viii] Vepra 4, f. 136.
[ix] Mirë e bukur; mu kështu;
apo në
latinisht: sic!
[x] Fan S. Noli, Fjala funerale për Faik Konicën
dhe Hyrje e librit “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës...”, (F.
Konica, Vepra 5, f. 5-6, 19).
[xi] Po aty, f. 18.
[xii] Faik
Konica mbërrin në Boston në 14 tetor 1909 (sipas listës së pasagjerëve për në
New York, 1820-1957, www. ancestry.com/cgi- bin);
duke qenë se dy numrat e parafundit të Albania-s kanë dalë në prill dhe maj 1909, numri i
fundit i saj (që nuk mban treguesin e muajit) duhet të ketë dalë në qershor
1909. Në muajt korrik-gusht 1909, Konica duhet të jetë larguar nga Londra,
përderisa një letër e tij nga Vjena mban datën 26 gusht 1909 (Vepra 4, f. 173). Dhe në gusht-
shtator duhet të ketë qenë pranë familjes.
[xiii] S. Skëndi, vep. e cituar, revista Klan.
[xiv] Gazeta
La Jeune Turquie e 16 prillit 1910 përllogariste një buxhet prej 30
milionë frangash për të siguruar mjetet më të domosdoshme të jetesës së
shqiptarëve në atë kohë. “Domosdo, vinte në dukje me ironi gazetari francez
Maurice Gandolphe, nuk janë pretenduesit e shumtë për fronin e Shqipërisë që do
të marrin përsipër apo të improvizojnë këtë buxhet dhe aq më pak fisniku
señor i Juan d’Aladro y Peres de Vasco, i cilësuar nga disa komitete
separatiste si sovrani i pavarësisë kombëtare, sigurisht për shkak të emrit
të tij aq fuqimisht shqiptar“ (nënvizimi im F.A.).
[xv] Ka mundësi të jetë më 1908, nga një burim i pakonfirmuar. Por ne marrim të mirëqenë burimin e shfrytëzuar nga prof. F. Hudhri në artikullin e tij “Piktori mëmëdhetar Theohar Gjini”, botuar te F. Hudhri, Arti i Rilindjes Shqiptare, 1883-1945, Onufri, 2000, f. 155-166.
[xvi] Kombi, 19 nëntor 1906, Boston, f 3.
[xvii] Theohar Gjini u martua në fakt me
një zonjushë franceze, ndërsa personazhi piktor Lezi Gjini te romani Martesa...,
që mishëron piktorin real, martohet me Lejla shqiptaren, siç do t’ia kishte
ënda në të vërtetë Faik Konicës, që një shqiptar jashtë shtetit të martohet me
një shqiptare, ide të cilën ai e shpreh edhe te romani i tij i dytë Sotiri
dhe Mitka.
[xviii] Dielli, Boston 1909, nr. 37.
[xix] Ferdi Hudhri, vep. cit.
[xx] Ndërsa
numri i parë i Albania-s del siç dihet, më 25 mars 1897, kur Konica
ishte 21 vjeç, tre muaj më pas, më 24 qershor 1897, tek bashkëjetonte me
mikeshën e tij Sophie Josephine Annette Hugon, 16 vjeçe, Faiku bëhet me djalë,
i cili në dokumentet arkivore që disponojmë quhej: Henrik Lohengrin bey Konitza
Schischgo. Vëmë në dukje këtu se patronimi Lohengrin i është vendosur emrit të
djalit nga vetë Faik Konica, në kujtim të operas romantike “Lohengrin” të
Vagnerit, adhuruesi i tij më i madh i muzikës klasike. Le të kujtojmë me këtë
rast se Fan Noli (që e ka njohur Konicën më mirë se kushdo në “betejat» dhe
«zënkat» e përbashkëta politiko-shoqërore si dikur heronjtë e Homerit – gjer
aty sa hanin e pinin bashkë në një tryezë, por edhe veç e veç në qejfmbetje),
Noli pra, është dëshmitar konkret kur Konica i fliste me adhurim të veçantë për
Vagnerin, tek ia merrte atij mendjen dhe e hutonte krejt me erudicionin që
kishte. Dhe do ndodhte që në varrimin e Konicës, Noli iu lut organistit të
luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund, duke e ditur se sa shumë e
donte ai kompozitorin e madh gjerman. (Vepra 5, f. 14). Vetë Konica e
përmend këtë kompozitor shumë herë, ndër të tjera, në shkrimin e tij Rikard
Vagneri dhe Nastradin Hoxha. (Vepra 1, f. 276).
[xxi] Vepra 4, f. 179.
[xxii] Vëmë
në dukje se sipas Wikipedia-s, shprehja
“negër letrar” është e papërshtatshme kur bëhet fjalë për shkrime me
pseudonime, siç është rasti i Balzakut, Mopasanit, Oktav Mirabosë, Romain
Garisë e me radhë. Në fakt, në rastin tonë, dy romanet në frëngjisht mbajnë një pseudonim: Jean de Kroïa e asgjë
më shumë; në këtë kuptim, këto dy romane përfshihen në këtë kategori që
përcakton Wikipedia, thjesht të
autorëve me pseudonim. Pra, pas pseudonimit Jean
de Kroïa duhet të qëndrojë Faik Konica. Por nga ana tjetër, Aladroja
vete dhe e jep njërin roman për përkthim e botim në spanjisht, me emrin e tij, dhe në këtë rast, termi “negër
letrar” merr kuptimin e plotë për një “vepër të porositur”. Në fund të fundit,
gjithnjë sipas Wikipedia-s, e porositur
ose jo, qoftë edhe koniunkturale, vepra ruan të drejtën e autorit të vërtetë që
e ka shkruar.
[xxiii] Në
thelb, shprehja e kontit de Buffon, filozofit të madh francez të shek. XVIII “Stili
është vetë njeriu“ do të thotë që një vepër (letrare, muzikore, etj.) mban
vulën apo stilistikën e vetë hartuesit të veprës, duke iu shmangur normës së
përgjithshme, mban pra individualitetin e vetë krijuesit duke shkaktuar efekt
të veçantë te publiku. Le style, c’est l’homme, ishte edhe shprehja e
parapëlqyer e Jusuf Vrionit, që na e përsëriste neve, “nxënësve të tij” në
redaksi për të respektuar sa më shumë në përkthime frazeologjinë, gjuhën dhe
stilin e autorit. Mirëpo, tek hasnim shpesh në përkthimet nga shqipja në
frëngjisht autorë me frazeologji të ngurtë, të kalkuar, stil të rëndë, pa
bukuri artistike dhe ndonjëherë të pakuptueshëm e madje kaotik, kërkonim
atëherë të zbërthenim mendimin e autorit falë ndihmës së pakursyer dhe
mjeshtërore të kryeredaktorit, Monsieur Vrioni, i cili përballur me
tekste të tilla do përdorte gjithë keqardhje e me lezet shprehjen e famshme: Stili
është vetë njeriu..., pa komente të tjera të zgjatura.
[xxiv] Vepra 5, f. 70.
[xxv] Konkretisht: Katër pralla nga Zullulandi dhe Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit. Duhet të kemi parasysh këtu që Konica, sikurse i ndodh shpesh në krijime fjalësh shqipe, frymëzohet drejtpërdrejt nga gjuha frënge dhe në këtë rast nuk bën gjë tjetër veçse një shqipërim të termit frëngjisht conte, i cili, në fakt ka një kuptim shumë më të gjerë se fjala “përrallë” në shqipe. Përveç që përcakton gjininë e përrallës, conte në frëngjisht merr edhe kuptimin rrëfim, rrëfenjë, tregim apo histori e stisur nga autori për të pasqyruar një kritikë ndaj shoqërisë e pushtetit, dhe në këtë kuptim kemi “Les Contes philosophiques” të Volterit, që do mund t’i përkthenim në shqip “Rrëfime filozofike”. Konica kërkon pra t’i japë fjalës shqipe “përrallë” një kuptim shumë të gjerë, duke shkuar deri aty sa përdor në shqip edhe shprehjen prallë e vërtetë, në kuptimin histori e vërtetë, tek flet konkretisht për një ngjarje të jetuar, siç është historia e Sir John Morden, në shkrimin “Morden College”. (Albania nr. 2, shkurt 1902, f. 18).
[xxvi] Përgjithësisht personazhet mbajnë emra
shqiptarë, por ka raste kur autori i frëngjishton emrat e tyre: Georges për
Gjergj, Pierre për Guri, etj., dhe këtë e bën për të treguar se
shqiptarët mbajnë emra sa tipikë shqiptarë, aq edhe europianë. Në të kundërt,
për ta afruar te publiku shqiptar, është Konica ai që bëri shqipërimin e emrit
të Aladros nga Juan në spanjisht në Gjin në gjuhë shqipe: “Kur i këshillova
Aladros t’a shqipërojë emrin e tij, “Juan de Aladro-n” e bëra “Ghini i
Aladros””. (Albania, nr.4, 1907, XI, f.74). Këtë propozim për
shqipërimin e emrit, Konica ia bëri Aladros që në fillimet e njohjes së tyre në
pranverën e vitit 1901 (Albania, 25 gusht 1901, F, f. 104-105).
[xxvii] Faik Konica, Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së
Mamurrasit, Vepra, Shtëpia botuese
“Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, f. 316-317.
[xxviii] Gazeta
franceze Le Figaro, e datës 19 korrik 1932, jep lajmin e “martesës së
Leïla Konitza, e bija e Shkëlqesisë së Tij Mehmed bey Konitza, ministër
fuqiplotë i Shqipërisë me Z. Edouard Brun, i biri i Z. dhe Znj. Henri Brun” në
kishëzën Sainte-Marguerite des Lecques të qytetit Saint-Cyr (Var), f.2.
[xxix] Sipas
Fjalorit të emrave të V. Zotos (bot. Dasara, Tiranë, 2005), emri Leila
është me origjinë perse dhe ka kuptimin “natë e errët”, apo “flok i errët” i
formuar nga emri lilaxh, siç quhet jargavani. U përhap pas vitit 1863, me
operën “Peshkatarët e Perlave” të G. Bizet dhe gjendet në format: Leila,
Leilan, Laila, Leil, Leilana, etj. Ndërsa emri Zeliha është me prejardhje arabe
dhe ndoshta vjen nga emri Zelida. Shkurtimi i emrit jep Laje. Si një emër
modern për kohën, Mehmet Konica zgjodhi qëllimisht emrin “Leila” për të
trashëguar drejtpërdrejt emrin e Nënëmadhes së Konicajve.
[xxx] Studiuesi
Agron Alibali, që ka sjellë zbulime me vlerë nga jeta e Faik Konicës, vë në
dukje se në kartën e studentit të Universitetit të Harvardit shënohet që “Faik
Konica ka lindur në mars 1876 dhe është i biri i Shahin beut dhe i Zoñas Laila
(Delvina) Konica”. (Gazeta shqiptare, 10.12.2010). Po ashtu, edhe Sherif
Delvina, pinjoll i familjes fisnike Konica-Delvina, na e ka konfirmuar një fakt
të tillë më se një herë , dhe me mjaft episode nga jeta familjare e Faik
Konicës.
[xxxi] Shih më pas po ashtu te personazhi TRIFONA të njëjtën dukuri të emrave të përveçëm në shqip kur femërorja formohet nga mashkullorja dhe gruaja merr emrin e burrit.
[xxxii] Është
i njohur zakoni i duhanit te Konica (por sigurisht edhe te Aladroja, që
parapëlqente nga ana e tij të tymoste puro); çka tërheq vëmendjen në mënyrë të
veçantë te Konica lidhur me duhanin është një shënim i tij te Albania (shtator
1899, C. f.157) kur vendos shenjën e barazimit midis foljes fumer në
frëngjisht që do të thotë posaçërisht pi duhan (tymos) dhe
foljes boire që do të thotë vetëm pi ujë a
lëngje. Lidhur me këtë karakteristikë të shqipes, që folja pi përdoret
qoftë për lëngjet, qoftë për duhanin, Konica i shkruan Henry Gaidoz-it,
kryeredaktor i revistës së mirënjohur parisiane Melusine, i cili po e
studionte çështjen në shumë gjuhë: “Një nga bashkëpunëtorët tanë, shpjegon
Konica, është i mendimit se kjo shprehje e ka zanafillën nga nargjileja që,
sipas tij, i ka paraprirë zakonit të duhanit. Dhe është në fakt më se e
natyrshme ta përqasësh nargjilenë me një pije”. Melusine, H. Gaidoz,
vëll. X, Paris, 1900-01, f. 83.
[xxxiii] Dihet
se në qytetin e Shkodrës krahas dy bashkësive fetare kryesore, myslimane e
katolike, ka pasur prej kohësh edhe një bashkësi të vogël ortodoksësh shqiptarë
etnikë, kryesisht me prejardhje nga treva të tjera shqiptare të Veriut e të
Jugut, ndër të cilët familje të njohura si Nikolla (familja e Migjenit),
Siliqi, Pistoli, Dhora, Idromeno, Toska, Misja etj. Sot, ndër ortodoksët e
Shkodrës nuk përdoret emri Vangjel, por ndoshta nga fundi i shek XIX,
kur Faik Konica ndiqte shkollën e jezuitëve në Shkodër, mund të ketë pasur edhe
ndonjë Vangjel; ose pastaj, ai e ka zgjedhur këtë emër për personazhin e
tij thjesht si një emër ortodoks. Falënderoj me këtë rast prof. E. Lafen dhe
prof. R. Gurakuqin me të cilët u këshillova për sa më sipër.
[xxxiv]
Me këtë pseudonim, Konica firmoste kryesisht shkrimet e tij gjuhësore te Albania;
me siguri, ai e ka marrë këtë pseudonim nga emri i Claude Favre de
Vaugelas, gramatikani i famshëm francez i shek. XVI-XVII. Pseudonimi Vaugel(as) afrohet me Vang(h)el, nëse u shndërrohet në n, po të
kemi parasysh rastin e pseudonimit tjetër të tij Thrank Spiro, të cilin e shndërroi pa vullnetin e tij (pas një
gabimi tipografik të linotipistit) në Trhank Spiro.
[xxxv] Vangjeli,
novelë, përkthyer nga F. Andrea, Pena të arta franceze për shqiptarët, f. 312.
[xxxvi] Albania,
25 prill 1897, f. 16 (Varia).
[xxxvii] F.Hudhri, vep. e cituar, f. 163.
[xxxviii] Fjalori
i ilustruar i njerëzve të shquar. Renditen krahas kësaj reference edhe tre
referenca të tjera, botime të kohës, Fjalori biografik, Larousse, etj.
[xxxix] Sotiri dhe Mitka në botimin spanjisht mban emrin Juan Pedro Aladro.
[xl] Nëse
Aladroja do kish marrë guximin të krijonte personazhin babaxhan të vetvetes,
nuk do arrinte deri në atë pikë sa të shprehej për veten e tij me gojën e
Vangjelit, personazhit kryesor: “... - Princ i dashur, ju për ne jeni një
shenjtor, një apostull...”. Dhe Princi që ia pret: - Po, po, kështu qenka
thënë; e ndoshta nesër do jem një martir!...” Kaq hapur, jo më që s’do bëhej
fjalë për modesti, por gjithçka do tingëllonte e rreme, për të mos thënë thjesht
demagogji e kulluar.
[xli] “Kushdo
në Europë, shprehet autori Jean de Kroïa në libër, e sidomos në Shqipëri, e
njeh dhe e respekton Princin Kastrioti. Pasardhës i Skënderbeut, ka lindur në
Spanjë, ashtu si disa nga stërgjyshërit e tij, qëkurse pushtimi turk i detyroi
të largohen nga atdheu. Dhe ndonëse ai mund të jetonte i qetë e i nderuar në
karrierën diplomatike spanjolle, ku kishte arritur në shkallën më të lartë,
përsëri, ai braktisi gjithçka për t’iu kushtuar tërësisht veprës së pavarësisë
së Shqipërisë...”. Edhe pse mburravec i madh, Aladroja nuk do mund të shkonte
aq larg sa të shprehej kaq hapur për veten.
[xlii] Përkthyer prej frëngjishtes nga Jacinto Ribeyro.
[xliii] Sophie Lignon – Darmaillac, Les grandes maisons viticoles du vignoble de Jerez de la Frontera (1834-1992) (Shtëpitë e mëdha të prodhimit të verërave në vreshtarinë e Jerez de la Frontera), 1993, f. 456.
[xliv] Jose Lopez Romero, studim
i cituar.
[xlv]126 Albania,
dhjetor 1904, vëll. I, f. 220-221.
[xlvi] Shih
në «Dokumente shtojcë», letër drejtuar N. Naços.
[xlvii] F. Konica, Vepra 1 f. 255. Te Albania, Konica boton një vjershë popullore
O Sulo bej, mbledhur nga Asdreni. Albania, 1901, F. f. 154.
[xlviii] Emri Sotiri të kujton edhe
personazhin Kir Sotiri te romani historik “Hasan Jeniçeri” të L. Cahun.
Shih shënimin 30 në këtë vëllim. Kurse mbiemri i tij Furrëxhiu është kaq
tipik korçar, sa zor të përfshihej në diapazonin e njohjes së Aladros për
shqiptarët.
[xlix] Mbiemri Shetro i këtij personazhi nga Progri, endur nëpër Amerikë e më pas vendosur në Vlorë, të kujton Përroin e Shetros pranë Korçës dhe Çezmën e Shetros në periferi të këtij qyteti. Aladroja në këtë mes është më se i huaj për emra të tillë shqiptarë krejt toponimikë.
[l] Në listën e përgjithshme të 4105 shqiptarëve që ikën në SHBA nga viti 1900 gjer më 1932, figurojnë si një përkitje e rastit dhe njëri pas tjetrit emrat Sotir N.Kamenica e Mitka. I. Tushemishti pikërisht nga zona e Pogradec-Korçës (Tirana Observer, sipas forumit virtual “Zëri yt”, http://www.zeriyt.com/.
[li] Në shkrimin Shqiptarët e Amerikës...
Konica shkruan: “Kemi edhe n’Amerikë e më tepër në Boston e në New York, disa
Shqipëtarë. Të nxehtë e të vërtetë atdhetarë, këta vëllezër e kanë gjithmonë në
Shqipëri zemrën. Shpesh na gëzojnë me letra e shumë herë na dërgojnë
atdhetarisht ndihmën e tyre...” (Albania, 15 nëntor 1901, vëll. F, f.
171). Në një letër që Konica i shkruan At Gjeçovit në janar 1907 thekson: “Nja
dy muaj më parë shkuan këtej [nga Londra] disa shqiptarë m’udhë për
n’Amerikë... ishim bashkë tërë ditën dhe folëm gjërë e gjatë për organizimin e
nevojshëm të forcave të çkatërruara të Kombit...”. Vepra 4, f. 158.
[lii] Thanas Gjika, Sikur ta kishim dëgjuar Faik Konicën, gazeta Tribuna shqiptare, 20 prill 2010. Konica 20 vjeçar u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Dominik Konitza. «Pagëzimi dëshmohet në letrat e tij dërguar disa shqiptarëve të Bukureshtit», nënvizon prof. Th. Gjika. Po ashtu edhe te letrat e tij për Apolinerin.
[liii] Albania, 15-30 maj 1899, C. f. 83.
[liv] Shih shënimin 30. Konica ka njohur nga afër tërë familjen e orientalistit të shquar Leon Cahun.
[lv] Më
1885, viti kur ka lindur Eqrem Vlora, Aladron e shohim në Paris në krye të një
shoqërie ndërtimi hekurudhash. Eqrem Vlora, në fakt, ka qenë nxënës në kolegjin
Marie Theresianum në vitet 1899- 1906. Është Konica dhe jo Aladroja ai
që i njihte mirë nxënësit shqiptarë të këtij kolegji në zë, dhe fakti është se
vite më pas, më 1913, do të organizohej Kongresi i Triestes, ku kryetar do të
ishte Hil Mosi dhe nënkryetarë Faik Konica e Baroni Franz Nopça, i cili ka qenë
po ashtu nxënës i kolegjit Theresianum, ku kishte studiuar gjuhën
shqipe. Kongresi i Triestes është kështu një dëshmi për njohjen e hershme të
Konicës me nxënësit e Kolegjit dhe të Universitetit K.U.K Theresianum,
konkretisht me Eqrem Vlorën, Nopçën etj. Nga ana tjetër, qyteti i Triestes
është edhe një nga qendrat ku zhvillohen pikërisht ngjarjet e romanit Martesa
e Lejlës.
[lvi] Te novela “Dr. Gjilpëra... “, që Q.
Panariti e përfshin me të drejtë në gjininë e romanit, Konica përmend Theodhor
Studitin “shenjtor, dikur kallogjer në kohën e Leonit V e të Mikaelit II”. (F.
Konica, Vepra, SH.B. “Naim Frashëri,, 1993, f. 331). Në përkthim,
parapëlqyem që këtë emër ta përdorim në formën Teodor si më pranë
shqipes së sotme, se sa formën Theodhor, siç e shkruan Konica te «Dr.
Gjilpëra...».
[lvii] Albania 1898, tetor-dhjetor B. 149,
si dhe Albania, maj 1903, H. 80.
[lviii] Me siguri ky emër i ka nxitur Faik Konicës
fantazinë për krijimin e dy personazheve të tij kryesorë te romani Sotiri e
Mitka: së pari, vetë personazhin e Sotirit, dhe së dyti, Gjergjin,
personazh nopran e i ligë, djali i Mitkës.
[lix] Albania nr. 4, viti 1900, D, f. 94.
[lx] “Në
të gjitha librat e shkruara nga udhëtarët anglezë përballë propagandës
greko-sllave - tërheq vëmendjen Konica - shkrimtarët theksojnë me forcë
superioritetin e karakterit të shqiptarit, moralin, nderin, dhe inteligjencën e
tij krahasuar me grekët, serbët, malazezët dhe bullgarët”. (Vepra 4, f. 179).
[lxi] Konica më se një herë i vlerëson shqiptarët tek romanet si racë fisnike, njerëz trima, të ndershëm e punëtorë.
[lxii] Është e njohur që Besa dhe Kanuni shqiptar janë nga temat më të rrahura të Albania-s.
[lxiii] F. Hudhri, Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e piktorëve të huaj, Sh.B. 8 Nëntori, 1987, f. 52.
[lxiv] Po ashtu, Faik Konica 19-20 vjeçar, ka
njohur nga afër edhe berberët e Dizhonit në Francë, etj. po të kemi parasysh se
bukuroshja 16 vjeçare Sofi Hugon, mikesha e Faik Konicës me të cilën ai pati
Henrikun, djalin e tyre, e kishte të atin berber, dhe vetë ajo është deklaruar
me “profesion berbere” (coiffeuse), sipas akteve noteriale që disponojmë.
[lxv] F.
Konica, Vepra, SH.B. 8 Nëntori, f. 256-260. Të mos harrojmë nga ana
tjetër “fobinë” e Konicës pse u pre nga brisku i berberit tiranas dhe shishkën
e tij në xhep me ilaç “subsupalas ferra” që ia kish dhënë një dervish nga
Khorasani i Iranit – një fantazi e bukur kjo koniciane lidhur me ilaçin dhe
dervishin. (Vepra 2, f. 74-75).
[lxvi] Albania nr. 5, X, f.
94, Një tragjedi shqiptare në shekull të XV.
[lxvii] Vepra 1, f. 150.
[lxviii] Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës juglindore.
[lxix] Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit.
[lxx] Përkthim fjalë për fjalë nga ana jonë, siç e kish qejf Konica, për të dhënë enkas një ngjyrim ironie.
[lxxi] Qoftë shqiptare, qoftë të
huaja (shpjegimi ynë në bazë të kontekstit).
[lxxii] Te Albania, Konica përgëzon publikisht Z. Dr. Themo për martesën e tij, duke theksuar se u martua me një vajzë shqiptare nga Struga (Albania, 30 maj 1898, B. 19).
[lxxiii] Sotiri e Mitka, kreu II. Pikërisht
në këtë mendim të Konicës për martesën e shqiptarëve me gra shqiptare dhe jo me
gra të huaja për nga origjina, shohim të sintetizohet përvoja e hidhur dhe
mësimi që kishte vetë Konica nga bashkëjetesat e tij me miket e huaja të
zemrës, shkakun e prishjes së bashkëjetesës për mospërshtatje të temperamenteve
dhe botëkuptimeve të ndryshme, kur dihet se çelësi i artë i një martese dhe
bashkëjetese të lumtur e të gjatë është «toleranca reciproke volteriane» brenda
çiftit. Dhe në këtë kuptim, fjalët e Konicës së «shqiptaret janë më e buta»,
ato që ulin kokën e i përkushtohen familjes me mish e me shpirt, shfaqin tërë
thelbin e tolerancës historike, rekord, të gruas shqiptare, të dashurisë së saj
të fuqishme për vatrën familjare shqiptare. Pra, edhe një herë Aladroja është i
huaj në dhe për këtë «histori».
[lxxiv] Shprehje e vetë Konicës në
frëngjisht: jeunesse dorée te romani Martesa e Lejlës.
[lxxv] Ceremoninë e martesës së Lejlës, Faik Konica e çel me këtë marsh të Mendelsonit. Sot në Tiranë, mbas mbi 100 vjetësh të Konicës, ceremonitë martesore çelen përgjithësisht me vals të Shtrausit apo simfoni të Bethovenit.
[lxxvi] Citohen te Martesa e Lejlës me ngjyrime tepër bashkëkohore (1905), tek ndiqen gjithë pasion nga rinia vjeneze, e dhënë kokë e këmbë pas kompozitorit austro-hungarez, i shquar në gjininë e operetave.
[lxxvii] L. Starova, Një miqësi europiane, vep. e cituar, f.
46.
[lxxviii] F. Konitza, The Sweet Power of Music, Dielli, 18 shkurt 1922. Cituar sipas I. Ikonomi, Faik Konica, jeta në Uashington, Onufri 2011, f. 128.
[lxxix] I. Ikonomi, po aty.
[lxxx] Fuqia marramendase e muzikës (një mënyrë përkthimi nga ana jonë, kur fare
mirë këtë titull mrekullor të Konicës do mund ta shqipëronim edhe: Forca e dehjes
shpirtërore të muzikës.) F.
Konica, Vepra, SH.B. 8 Nëntori, f. 153.
[lxxxi] Vite
më pas, më 1919, Konica do t’i shkruajë gjithë entuziazëm Milto Gurrës: “...
s’hoqa dorë nga muzika dhe kam shkuar në 14 koncerte që kur ike nga Viena.
Dëgjova ca sonata për piano të Scarlatti-t të lozura prej Moriz Roenthal-it;
katër simfoni të Malher- it, të 5-n nënë Bruno Walter-in, të 4-n nënë
Konrath-in, të 3-n nënë Weingartner-in, të 1-n nënë Nebdal-in (e para dhe e
katërta më pëlqyen më tepër; fundi i së katërtës, që përshkruan muzikën që
dëgjohet në parajsë, është me të vërtetë i perëndishmë); oratorion e Haydn-it
“Krimi” (më pëlqeu aq shumë mënyra me të cilën u-këndua, sa u kthyesh pas ca
ditë dhe e dëgjova për së dyti; stapin e kish në dorë Prof. Hans Wagner);
sonatën e Kreutzerit (violirit i binte Auberman-i, pianos Backhaus-i); të 1-ën
e Beethovenit nënë Weigartner-in, edhe “Eroikën”, nënë Sporin; variacionet
simfonike për piano dhe orqestre të Vésar Franck-ut; dhe më në funt, po mi krye
e sipër, një kantatë të qiellshme të Bach-ut...” (Vepra 4, f. 213-214).
[lxxxii] Diçka e zakontë.
[lxxxiii] Studiuesi
I.Ikonomi, në veprën e tij Faik Konica, Jeta në Uashington, paraqet një
debat të nxehtë midis Abdurrahim Krosit dhe Mehmet Konicës në prani të mbretit
Zog, ku Mehmeti, vëllai i Faikut hedh sërish idenë e një dueli të mundshëm me
kundërshtarin e tij Krosi. (I.Ikonomi, vep. e cit. f. 75). Po ashtu, shqiptari
Safet efendi Kazazi, për fyerjen që iu bë tek këndoi këngë shqipe në një lokal
të Mostarit, grishi në beleg një kolonel turk, të cilit më pas i preu kokën.
(Xh. Gradica, Historia e patriotit Sefer efendi Kazazit, si u dënua me
burgim të përjetshëm, Gazeta Dyrrah, 11.03.2011).
[lxxxiv] Në
artikullin e tij në frëngjisht “Përgjigje një batakçiu», Konica shkruan: “Tepër
shtrenjtë shitur për të mos iu përgjigjur akuzës sonë, tepër lalash për të
mos guxuar të na kërkojë vënie në vend të nderit me anë të armëve, ky
shërbëtor kalemxhi u kënaq duke na hedhur baltë me një artikull që u botua te
la Revue
d’Orient... dhe ne mësuam
për këtë pështymje krejt rastësisht” (nënvizimi im F.A.). Albania,
30 korrik 1897, f.81.
[lxxxv] Faik Konica u kërcënua me duel më 1904
nga Gaspër Jakova për shkrimin e tij “Përgjigje një serbi”: “Ky sërp (serb) i
vet-thënë prift katolik - shkruan Faiku - më bënte të njohur dy dëshira: 1. se
donte të dilte në dyel me një shqiptar që i kish shkruar nji artikull te
Albania; 2. se donte t’i çante barkun e t’i nxirrte zorrët një tjatëri po të Albania-s”.
(Vepra 3, f. 126).
[lxxxvi] Epoka
kur jetoi Konica është e mbushur me duele për çështje nderi dhe nëpër të kanë
kaluar mori shkrimtarësh e artistësh, që nga A. Dyma, Lermontov, Pushkin, V.
Hygo, Lamartin, e deri te Prust, Apoliner e mjaft shkrimtarë të lëvizjes
parnasiane. E famshme është në këtë mes shprehja e Saint-Beuve në duel me P.F.
Dubois kur po binte shi me gjyma dhe do përdoreshin katër të shtëna nga secili
kundërshtar. I madhi Saint-Beuve, tek hapi çadrën në fillim të duelit, tha:
“Edhe mund të vritem, po të paktën të mos lagem”!
[lxxxvii] Veç Albania-s në shqip e frëngjisht me karakter enciklopedik, kujtojmë shkrimet e Konicës në revistat dhe gazetat franceze, si dhe dy librat e tij po në frëngjisht botuar në Bruksel. Po ashtu, edhe më pas, shkrime në anglisht prej tij.
[lxxxviii] Është e njohur se i pari autor shqiptar që ka trajtuar tematikë shqiptare në gjininë e romanit drejtpërdrejt në frëngjisht është Pashko Vasa me romanin e tij “Bardha e Temalit”, Paris 1880.
[lxxxix] “Gati gjithë merita e krijimit të gjuhës letrare shqipe, thekson studiuesi belg Henri Bourgeois, i takon një të riu shqiptar me një intelektualitet të fuqishëm, Faik-beg Konitza. Tipi gjuhësor i krijuar nga revista Albania – që del në Bruksel që prej gati pesëmbëdhjetë vjetësh – ka bërë shkollë, dhe ka ndihmuar së tepërmi për zbutjen e goditjeve dhe përplasjeve të pashmangshme gjatë periudhës së tranzicionit. Tanimë, vepra është në rrugë të mbarë; e çliruar nga pengesat e qeverisë hamidiane, gjuha dhe letërsia shqipe kanë marrë një hov të tillë sa ishte krejt e pamundur që kjo të parashikohej dy a tri vjet më parë.” (H. Bourgeois, Bulletin de la Société royale belge de Géographie - Buletini i Shoqërisë mbretërore të Gjeografisë, Bruxelles, 1909, f. 376).
[xc] Kështu Konica shprehet “të
shkretët shqiptarë” (Albania, 25 prill 1897, f.
13), “i
shkreti Rada”, “e shkreta vajzë” e
me radhë, pa shkuar më tej.
[xci] Një prift që po flet.
[xcii] Ngathtësi gjuhësore, që vetë Konica e quan në këtë rast “hutesë e shkrimtarit” te libri i tij i mrekullueshëm në frëngjisht Ese mbi gjuhët natyrale...”. Tek shkruan shpejt në këtë gjuhë, ndoshta Konica ka njohur në këtë rast atë që quhet trou de mémoire (vrimë kujtese apo mosardhje në çast të fjalës në gojë a në majë të penës).
[xciii] Vëllimi Martesa e Lejlës në frëngjisht mbyllet me një faqe “Errata” (“Gabime shtypi”, në latinisht), ku janë renditur gjashtë gabime, kryesisht përshtatje foljesh dhe mbiemrash. Vetëm kjo faqe “Errata”, e tradhëton krejtësisht Aladron, sepse dëshmon që ky ia ka dhënë Faikut bocat e librit, i cili ka bërë korrigjimet e domosdoshme. Duke dhënë bocat, Aladroja ka dashur t’i thotë Faikut: “Ja si do dalë libri me dy romanet: thjesht me pseudonimin Jean de Kroïa!” Sepse vetëm një Faik Konicë është në gjendje të bëjë dallimin mjeshtëror në latinisht për termat “Erratum – Errata”, “Maximum – Maxima”. Konkretisht, në librin e tij Essai sur les langues... (Sprovë për gjuhët...) ekziston një fletë volante titulluar “Avis” (“Shënim”) në të cilën Konica shpreh indinjatën e tij që korrektori i shtypshkronjës i ka bërë një ndryshim origjinalit në faqen 34. Ja si shkruan Konica: “Shënim:... F. 34, venë e më korrigjojnë “vitesse maximum” (“shpejtësi maksimale”) kur unë e kam dashur “vitesse maxima”: është shumë e rëndë për një pedant të llojit tim të shoh një emër femëror përkrah një mbiemri asnjanës. Për më tepër që “vitesse maximum” mund të merret si një anasjellje e përligjur: “maximum de vitesse”(“maksimumi i shpejtësisë”). Po të nënshtrohem, o korrektor! P.B. (Phyrrus Bardyli) – nënvizimi im F.A.
[xciv] I
frymëzuar nga kjo tablo e fantazisë koniciane, i kërkova mikut tim , studiuesit
me penë të flaktë patriotike Sherif Delvinës, një foto- portret vajzërie të
Lejla Konicës, të cilën ai ma dha me kënaqësi. Portretin e saj artistik, me
veshje shkodrane ia kërkova më pas mjeshtrit të fuqishëm të penelit Lazar Taçi,
i cili më realizoi në vaj një tablo, duke “sendërtuar” të themi tablonë e Lezi Gjinit
në roman. Kjo tablo jepet në shtojcën «Ilustrime» – F.A.
[xcv] Sipas Frojdit, një profesor të njohur e detyruan të çelte një konferencë shkencore kundër dëshirës së tij. Dhe pas një fjale të shkurtër përshëndetëse, ai veç kur shpalli: “E deklaroj konferencën të mbyllur”, kur duhej të thoshte: “E deklaroj konferencën të hapur”. Thjesht ky pohim shprehte në mënyrë të pavetëdijshme bezdisjen e madhe të profesorit për t’u marrë me diçka kundër vullnetit të tij, tek kërkonte një orë e më parë ta quante të mbyllur konferencën. Pra profesori pohoi të kundërtën, shi atë që ndjente. E njëjta gjë edhe për Konicën: pohon për “(A)ladron gënjeshtarin”, siç e quan Konica apo për Princin Kastrioti shi atë që vetë Konica ndjen, pasi e ka njohur dhe diskredituar mirë më parë personazhin e tij real.
[xcvi] Termi është i vetë Konicës.