E enjte, 06.10.2022, 05:50 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Faik Konica me dy romanet e tij – ‘Martesa e Lejlës’ dhe ‘Sotiri e Mitka’ (1)

E diele, 21.08.2022, 08:05 PM


Faik Konica me dy romanet e tij :

« Martesa e Lejlës » dhe « Sotiri e Mitka »

Shënim i redaksisë « Zemra Shqiptare »

Pas botimit në forumin tonë të Letrës së hapur publike të Z. Fotaq Andrea titulluar « Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës », në bashkëpunim me Z. Andrea, zbulues i dy romaneve të panjohura me tematikë shqiptare « Martesa e Lejlës, pasuar nga Sotiri e Mitka » të Jean de Kroya (v. 1911), « Zemra Shqiptare » nis botimin pjesë - pjesë të studimit hyrës të këtyre romaneve titulluar : « Lojnia – Kush qëndron prapa pseudoniumit Gjoni i Krujës ? »

Studiuesi Andrea fton lexuesin e gjerë të « Zemrës Shqiptare » të gjykojë vetë për tezat dhe argumentet që ai ka parashtruar lidhur me autorësinë e këtyre romaneve të cilën ai ia njeh Faik Konicës. Studimi shoqërohet me një aparat të gjerë shkencor, konkretisht 187 referenca e shënime nxjerrë në pjesën më të madhe drejtpërdrejt nga burime dokumentare e arkivore franceze, ku dhe u zbuluan këto romane të panjohura.

Studiuesi dhe përkthyesi Fotaq Andrea është mjaft i njohur për shkrimet e tij në rubrikën « Speciale » të « Zemrës Shqiptare », sidomos për figurën e Faik Konicës, me prurje vazhdimisht të reja për gati dy dhjetëvjeçarë. Shkrimet e tij për Konicën kanë qenë dhe janë në forumin tonë mjaft të sukseshëm, të vlersuara dhe komentuara drejt nga lexuesi ynë, duke parë te ky studiues hulumtuesin serioz kryesisht të Letrave, dokumenteve dhe arkivave franceze me tematikë të mirëfilltë shqiptare, të cilat ai i ka përmbledhur në mbi 30 botime të tij. Vetëm për jetën dhe veprën e Faik Konicës ai ka botuar deri më sot 5 vëllime, secili vëllim me profill të vetin origjinal e interesant, duke lartësuar figurën e Konicës si « Përlindës modern », gjë që përbën një pasuri të veçantë për filologjinë dhe e Letrat shqipe. I urojmë studiuesit Andrea suksese të mëtejshme në punën e tij studimore-botimore me besimin e plotë se ai mbetet studiuesi besnik i « Zemrës Shqiptare » dhe përherë i mirëpritur nga publiku i gjerë shqiptar.

FAIK KONICA alias GJONI I KRUJËS

« Martesa e Lejlës » pasuar nga « Sotiri dhe Mitka »

Romane - përktheu nga origjinali frëngjisht dhe përgatiti botimin : Fotaq Andrea

Hyrje : « Lojnia - Kush qëndron prapa pseudonimit Gjoni i Krujës? »

Në dhjetor të vitit 2011, dy ditë para festës së Krishtlindjeve, në gjurmim të pareshtur të tematikës shqiptare në shtypin dhe literaturën franceze, një artikull i gazetës lokale l’Avenir d’Arcachon (E ardhmja e Arkashonit) datuar më 8 tetor 1911 dhe botuar në rubrikën “Letërsi” me inicialet E.G., më tërhoqi vëmendjen dhe më entuziazmoi në çast që me paragrafin e tij të parë, ku shkruhej: “Sapo ka dalë një roman i Jean de Kroïa: Martesa e Leilës, (tek Heyman 3, rue du Four, Paris, çmimi 3 fr. 50)”[i].

E ndjeva në çast se Jean de Kroïa, pseudonim, që aty-aty e shqipërova Gjoni i Krujës nuk duhej të ishte tjetër veçse Faik Konica. Kuptova se bëhej fjalë për një zbulim të ri dhe e përpiva artikullin me një frymë, në pritje të të dhënave më interesante dhe të drejtpërdrejta për pionierin erudit të Rilindjes sonë. Sakaq, m’u shtua edhe më shumë kënaqësia e kërshëria kur mësova nga brendia e artikullit se bëhej fjalë jo më për një roman, por për dy romane të të njëjtit autor, shkruar në frëngjisht dhe përmbledhur në një vëllim të vetëm. Veçse, do pasonte në çast njëfarë zhgënjimi, ngaqë nuk jepej asnjë e dhënë e drejtpërdrejtë për autorin, i cili thjesht respektohej në anonimatin e vet brenda kornizës së pseudonimit, dhe shfaqej si një i huaj që “... duhet të jetë një karakter i ftohtë, dhe njëkohësisht i ndjeshëm, sepse gjuha e tij është fisnike, e vendosur dhe burrërore”.

Po prapë, njëfarë portretizimi i autorit me penelata të shpejta e të zhdërvjellëta sikur jepte njëfarë shprese se duhej të ishte Konica ynë, tek tërhiqej konkretisht vëmendja e lexuesit: “Vihet re - vijonte gazetari francez - që [autori i romaneve] ka njohuri të gjera për shpirtin njerëzor dhe gjuhën aristokratike të shoqërisë së lartë, aq e praruar dhe njëkohësisht aq e pabesë. Ndihet po ashtu që autori është poliglot dhe kozmopolit, përderisa e ndjen veten aq mirë në mjedise vendesh që përmend me një hollësi të përpiktë, por të vetëtimshme, aq sa pandeh se edhe lexuesi duhet ta dijë po aq sa ai vetë. Shkruan në një frëngjishte shumë të mirë, por në frëngjishten e një të huaji...”.

“Ja do tipare tipike të Konicës, thashë me vete, poliglot, kozmopolit, shpirt aristokratik! Për më tepër përdorues e adhurues i zellshëm i pseudonimeve të shumta!”

Dhe, me këtë bindje e entuziazëm, u vura e i shkrova menjëherë e-mail Meritës, bashkudhëtares sime të jetës, duke i dërguar artikullin e gazetarit francez e duke i shkruar: “Zbulim i rrallë – një libër i panjohur nga një shkrimtar shqiptar me pseudonimin Gjoni i Krujës. Nga aq pak sa del në materialin bashkëngjitur duhet të jetë Faik Konica.”

Dhe për çudi, si një censurë e zakontë për mua, dy germa të thjeshta kuptimplote në ngjyrë blu: “OK”, si përgjigje e atypëratyshme nga ana e Meritës, në përkorën dhe qetësinë e saj për t’u vënë fre pasioneve të mia, sikur më shkundën një hop për të mos shijuar më tej tërë atë entuziazëm dehës, por për të shëtitur tashmë ngeshëm shikimin mes rreshtave të artikullit.

Jepej në të shkurtimisht përmbajtja e romanit të parë Martesa e Lejlës me penë të pakursyer artistike, plot vlerësim e kritikë pozitive, ku renditeshin personazhet kryesorë, shqiptarë e të huaj: bankieri Vangjel, e bija e tij Lejla, piktori Lezi, kapiteni Fritz, Znj. Krantz, Teodori, artistja Ilda, S. A. Kastrioti, Sulo Bej, Mirash Shkreli, etj. Jepej gjithashtu mjedisi i zhvillimit të ngjarjeve në Vjenë e Trieste, madje edhe në Venecie, ku përfundonte idili i një dashurie të pastër, pas një morie intrigash dhe një dueli me pistoletë.

Përmbajtja e romanit të dytë titulluar Sotiri dhe Mitka, pasqyrohej në artikull në mënyrë më të përmbledhur e të ngjeshur, me pesë a gjashtë rreshta, ku etja për para, si bosht i përbashkët i intrigave për të dy romanet përballet me krejt dinjitetin dhe cilësitë e larta njerëzore, me nderin, bujarinë, bamirësinë, ndjenjën e detyrës, dashurinë për atdheun, etj. duke dhënë kësisoj ngadhënjimin e madhërishëm biblik të virtytit ndaj vesit apo të së bukurës ndaj së shëmtuarës njerëzore.

Dhe, në mbyllje të artikullit, një fakt konkret: autori thotë me bindje se romanet janë shkruar në qytetin e Arkashonit, një stacion i vogël balnear në bregun francez të Atlantikut, i njohur që nga koha e Rablesë për gocat e bardha të detit, të famshmet huîtres dhe për pyjet e dendura të rrethinave të tij. End shikimin nëpër artikull dhe do emra të përveçëm me shpjegime më të hollësishme më bëjnë të bie në të thella: “Lejla, famulleshë e Princit, S. A. Kastrioti stërnip i Skanderbejit dhe princ trashëgimtar i fronit të Shqipërisë”. Me një fjalë, që në rreshtin e parë të aktorëve të skenës na shfaqej i mirënjohuri ynë Aladro Kastrioti, ose më mirë të themi, i demaskuari i Apolinerit e i Konicës, për të cilin unë vetë kisha qëndisur tashmë një artikull[ii] së bashku me Dritan Mukën. Por në mënyrë të veçantë më tërheq vëmendjen viti 1911 i botimit të romaneve, e tanimë pseudonimi i autorit kompozuar disi çuditshëm, që linte shteg për ndonjë interpretim: Jean de Kroïa.[iii] Domethënë, një ndërtim pseudonimi nisur nga një emër i zakontë në frëngjisht Jean, pasuar nga pjesëza de e titujve të fisnikërisë franceze dhe nga mbiemri Kroïa. Domosdo, aty për aty mendja do më shkonte fill e te titulli i gazetës koniciane Trumbeta e Krujës, që kish nisur botimin në Amerikë po atë vit: 1911. Dhe atëherë veç të hallakatesha një hop, sepse në fund të fundit, atë vit Konica ndodhej në Amerikë, ndërkohë që libri botohej në Francë, për më tepër që, pavarësisht se ai kishte “bredhur dynjanë” në kuptimin e mirë të shprehjes shqipe, duke marrë Francën dhe Evropën mbarë, nuk përmendej ndonjëherë që ai të kishte qenë edhe në Arkashon, konkretisht në qoshkun jugperëndimor të hekzagonit francez.

Pra, edhe pse pseudonimi Jean de Kroïa apo Gjoni i Krujës, që të kujton Gjon Kastriotin, më joshte e më këndellte për të parë në të një pseudonim më tepër të Faik Konicës[iv], përsëri, mori pikëpyetjesh filluan të shpërthejnë në çast dhe kërkonin përgjigje bindëse, gjë që do të thoshte hulumtime dhe depërtime nga ana ime në do pista e labirinte të reja. Por kryesorja ishte të shtija në dorë një orë e më parë vetë librin dhe për këtë, po atë pasdite, u vura menjëherë në lidhje me koleksionistë e antikuarë të Strasburgut, që më se një herë më kishin nxjerrë nga halli i hulumtimeve si një i njohur i zakontë i tyre. Kërkova po ashtu në Bibliotekën e mirënjohur Universitare të Strasburgut të më vinte libri me PEB[v] kudo që të ndodhej. Dhe brenda një jave libri vërtet më erdhi me postë, si një dhuratë babagjyshi për vit të ri, tek ma ofroi për shitje një bukinist francez, i cili as që e merrte dot me mend se brenda atij vëllimi përfshiheshin dy romane, duke qenë se ai kishte parë vetëm faqen e fundit të librit dhe kishte përjashtuar krejt romanin e parë nga faqja 1 deri në faqen 231. Pas kësaj faqeje vijonte ballina e romanit të dytë Sotiri e Mitka me numër të ri rendor faqja 1 për të përfunduar krejt vëllimi me tabelën e lëndës dhe fjalën klasike Fin në faqen 117.

Duke u ndalur paksa në përshkrimin fizik të librit - botim i denjë, me gjithë verdhësirën e tij fisnike dhe gjurmët e kohës, me lidhje të mirë dhe letër të plotë, me mbulesë modeste në parametrat e botimeve të zakonta të fillim-shekullit XX -, binte në sy se vepra ishte shtypur fill e në shtypshkronjë, ose, e thënë ndryshe drejtpërdrejt nga dorëshkrimi. Ballina e saj, veç titullit dhe pseudonimit, jepte edhe emrin dhe adresën e shtypshkronjës: Paris, Imprimerie Polyglotte A. Reiff. – S. Heymann, 3, rue du Four, 1911. Një e dhënë kjo interesante për ta përqasur me burimin belg ku ishin botuar dy librat e para në frëngjisht të Faik Konicës djaloshar në kapërcyell të shekujve XIX-XX[vi]. Veç kësaj, S. Heymann nuk shfaqej drejtpërdrejt si Shtëpi botuese më vete[vii], sikundër vihej në dukje në hyrje të artikullit të gazetës së Arkashonit, por ortak në Shtypshkronjën parisiane, e cila, në mbulesën e pasme të librit jepte të dhëna më të plota, në formë reklame, për llojet e botimeve që ajo realizonte si një “Shtypshkronjë Poliglote [që merrej me] Tipografi, Litografi e Gravura”, deri edhe “shtypje me ngjyra e punime luksi për vepra klasike e gazeta, në shqip, gjermanisht (gotisht), anglisht, armenisht, bullgarisht, danisht, spanjisht, frëngjisht, greqisht...”, e me radhë në njëmbëdhjetë gjuhë të tjera!

Pra, e mirënjohur apo jo si shtypshkronjë, një gjë ishte e sigurt: ajo realizonte botime të veçanta, deri edhe në shtyp gotik e në shumë gjuhë (le të kujtojmë shkarazi se sa kishte vuajtur Konica në Bruksel për të shtypur Albania-n e tij me mori germash, madje edhe në turqishte të vjetër!) sidomos shtyp me ngjyra, duke garantuar cilësi botimi të gravurave e litografive që kërkonin, siç dihet, parapërgatitje dhe shtyp të lartë cilësor. Dilte qartë se ajo botonte gjithçka, punime qoftë me porosi të veçantë, qoftë me pseudonime apo tirazhe të kufizuar, madje edhe tirazhe minimale që nuk i tejkalonin 20 kopje[viii]. Nga kërkimet tona si nëpër biblioteka, si tek bukinistët dilte se vëllimi ynë Martesa e Lejlës, ishte një botim tepër i rrallë, që as Biblikoteka më në zë Kombëtare e Francës nuk ka gjurmë për të, ndërkohë që mund të zotërohej tek-tuk e krejt rastësisht nga ndonjë antikuar.

Libri dhe e papritura e pakëndshme

Nuk kishte dyshim se leximi i librit, apo më mirë të them përpirja e tij brenda disa orësh (kaq shumë ngjarjet rridhnin me qartësi dhe shpejtësi të mahnitshme!) më bindën edhe më tepër në parandjenjën që kisha se autori i tij ishte Faik Konica dhe askush tjetër.

Njohja e shkëlqyer e psikologjisë së personazheve, sidomos atyre shqiptare; e botës së lartë artistike në Europë, kryesisht në Vjenën e ndritur të muzikës dhe pikturës; e mjediseve tipike shqiptare, gjer te rajonet e thella malore të Vlorës, ku gjuhen thëllëza që hanë farëra të veçanta dhe kanë mish të veçantë; hapësira e gjerë gjeografike e zhvillimit të ngjarjeve: Vjenë-Trieste-Venecie për romanin e parë, dhe Korçë-Xhejmstoun- Boston-Vlorë për romanin e dytë; përshkrimi me hollësi i jetës së rinisë vjeneze të rangut të lartë, duke shfaqur bashkëngjitur me të bashkësinë e studentëve shqiptarë të liceut të Vjenës Theresianum; përshkrimi i jetës studentore në Quartier Latin dhe njohja e institucioneve franceze si Ecole Centrale de Paris; depërtimi në doket dhe zakonet e lashta të shqiptarëve gjer te institucioni i besës; trajtimi me dashuri i tematikës së kostumit shqiptar, i zanatit të berberit, i prirjes së shqiptarëve për të hapur në Amerikë hotele dhe bar- kafe; përshkrimi i porteve të Liverpulit dhe të Hamburgut nga niseshin shqiptarët për në Amerikë dhe udhëtimet e shpeshta të Konicës me avullore drejt brigjeve të kontinentit të ri; intrigat e xhonturqve dhe të grekëve ndaj shqiptarëve; zakoni i pareshtur i pirjes së duhanit te shqiptari (ku përfshihej vetë Konica kokë e këmbë), e mbi të gjitha stili konician i të shkruarit me penë të zhdërvjelltë, të ngjeshur, plot të papritura e me humor të hollë, deri edhe te përdorimi i shprehjeve tipike shqipe dhënë frëngjisht në mënyrë origjinale, - të gjitha këto më bindën që autori i romaneve ishte vetëm e vetëm Faik fisnik Konica, dhe këtë s’e luante as topi!

E i hyra vrullshëm përkthimit, të cilin brenda dy javësh e përfundova, për të rigjetur qetësinë shpirtërore dhe për të shijuar romanet gjer në veluri. Sakaq u lidha me e-mail me D. Mukën, S. Kastratin, F. Hudhrin, M. Zeqon, E. Lafen, B. Baliun, A. Alibalin, A. Lulushin, S. Repishtin, B. Destanin, S. Loljën, A. Janinën, Th. Nikën, Y. Polovinën, etj. duke ndarë me ta gëzimin tim dhe duke kërkuar të dhëna të hollësishme rreth veprimtarisë botuese të Konicës, sidomos rreth lëvizjeve të tij në hapësirën Evropë-Amerikë gjatë periudhës 1909-1913. Lypsej mbi të gjitha të përcaktoja saktë kohën e shkrimit të romaneve, pavarësisht nga viti i botimit të tyre, 1911.

Por takimi im kokë më kokë me Sherif Delvinën - i cili i pari lexoi që në dorëshkrim përkthimin shqip të këtyre dy romaneve të panjohura të Faik Konicës, duke më ndihur e nxitur të mos i ndahesha studimit të kësaj figure madhore të Rilindjes sonë Kombëtare -, do të ishte tepër domethënës për vetë faktin se, në pemën gjenealogjike të familjes Konica që ai ma dhuroi me shumë bujari, shfaqej tanimë çelësi i artë i zbërthimit të enigmës së romaneve koniciane: personazhi real Lejla Konica, mbesa e Faikut, e bija e Mehmet Konicës, që me siguri duhej të kishte lindur rreth vitit 1909, koha kur duhej të ishin shkruar romanet, duke u shndërruar kësisoj në burim frymëzimi për ungjin e saj mjeshtër të penës, për të tipizuar personazhin e Lejla Vangjelit, protagonistja kryesore e Martesës së Lejlës.

E ndërsa gjithçka po futej në brazdë për të vërtetuar që romanet ishin të Faik Konicës, kur përherë e më shumë po më shfaqeshin gjatë studimit hallkat e njëpasnjëshme të këtij gjerdani të ri të artë konician në Letërsinë e Rilindjes shqiptare, diçka e beftë sikur desh të pengonte rrjedhën normale të ngjarjeve për t’u dhënë drejtim tjetër.

Sigurisht, nga të parat punë që do bëja ishte të vërtetoja se kush qëndronte prapa inicialeve E.G. që kishte firmosur recensën e lartpërmendur të gazetës l’Avenir d’Arcachon për romanet me tematikë shqiptare, por edhe mjaft artikuj të këtij organi shkruar, siç vihej re, me penë gjithë talent e përvojë gazetareske. Dhe shpejt do më vinte përgjigje, por duke u përfshirë tashmë në valle një personazh i njohur historik: Shkëlqesia e Tij Don Juan Pedro de Aladro y Perez de Velasco, i quajtur ndryshe Princi Kastrioti. Kështu, pas mesazheve të ndrojtura që i nisa kryetarit të Shoqërisë historike e arkeologjike të Arkashonit, Z. Michel Boyé, duke ia bërë, për fat të keq, fakt të kryer “qëndrimin e Faik Konicës në Arkashon” nisur thjesht nga pohimi i prerë i gazetarit E.G. në mbyllje të recensës së tij, gjërat në kokë sikur filluan të më përzien e koklaviten.[ix] Dhe shpejt do vija re se shtypi arkashonas, ndërsa nuk e zinte kurrsesi me gojë Faik Konicën, i bënte përkundrazi, më ndonjë rast njëfarë jehone figurës së franko -”albano”- spanjollit Aladro Kastrioti,[x] e sidomos së shoqes së tij princeshës Renesse Kastrioti e cila, as më shumë e as më pak, na qenkësh një zonjushë nga familje belge me origjinë austriake, natyralizuar franceze, shndërruar spanjolle, e pasuruar falë martesës së saj me bankierin holandez Verbrugge[xi] dhe që, pas vdekjes së tij, shkoi e bleu një vilë me tulla të kuqe në Arkashon, ku dikur na paskësh jetuar një mbretëreshë dhe që, me tërë atë pasuri të madhe që ajo trashëgoi, si milionere dhe si princeshë, nisi më në fund të lakmojë një titull fisnikërie, duke na u martuar kështu me... Princin Aladro Kastrioti.[xii] Me një fjalë, me Arkashonin dhe artikullin e organit të këtij qyteti francez na paskësh të bënte drejtpërdrejt Aladro Kastrioti dhe aspak Faik Konica. Mund të mendohej kësisoj se prapa pseudonimit Jean de Kroïa na qenkësh Aladro Kastrioti!

Por efekti bombë që desh përmbysi gjithçka dhe do turbullonte ujët, duke më hallakatur një hop të mirë në fazën fillestare të studimit, kur po mundohesha si e si të vërtetoja se të dy romanet ishin vepra të Faik Konicës, nuk do mungonte të vinte me më të renë e të dhënave që vilja gati përditë: njëri nga romanet, konkretisht Sotiri dhe Mitka, veç variantit frëngjisht te vëllimi Martesa e Lejlës, na qenkësh botuar për bukuri si roman më vete edhe në spanjisht, konkretisht me këto të dhëna: titulli, Sotir y Mitka; autor, Juan Pedro Aladro; përkthyer nga frëngjishtja prej Don Jacinto Ribeyro; shtypur në Imprenta de El Guadalete; viti i botimit, 1912; vendi, Jerez, - pra, shi qyteti i origjinës së Aladro Kastriotit në Andaluzi. Dhe më në fund, një shtypël me bojë vuloste egër gjithçka mbi ballinë të librit, në pjesën fundore të tij: Biblioteca Municipal.[xiii] Dhe çmeritja do më shkonte edhe më tej tek mësova se studiuesi spanjoll bashkëkohor José Lopéz Romero, kishte paraqitur tashmë në web me pdf studimin e tij të kohëve të fundit: El Jerezano Juan Pedro Aladro Kastriota, principe de Albania, duke u ndalur posaçërisht te njëfarë analize për romanin Sotiri dhe Mitka.[xiv]

“Ja do gatesa të reja të kuzhinës Aladro!”, u mundova të ngushëlloja e të qetësoja veten, tek përsërisja një e dy fjalën “mashtrim”, që oshtinte fuqishëm në thellësinë e qenies sime, pa pranuar kurrsesi një autorësi tjetër nga ajo e Konicës për dy romanet e mrekullueshme qëndisur à la Faikio, që nuk i shqisja, e nuk doja t’i shqisja, nga sytë e duart.

Retrospektivë radioskopike për një portretizim të Aladro Kastriotit

Në disa dokumente të Arkivit të Shtetit në Tiranë, tashmë të botuara prej nesh,[xv] shfaqet që herët veprimtaria e ethshme dhe e habitshme e Aladro Kastriotit (1845-1914) si një ndër të parët në listën historike prej 44 kandidatësh që kanë synuar të ngjiten në fronin shqiptar. [xvi] Pa hyrë në biografinë dhe veprimtarinë e tij të hollësishme si diplomat spanjoll kryesisht i dorës së dytë në Bruksel, Paris, Vjenë, Amsterdam[xvii] e Bukuresht, e shohim atë të krijojë në kërthizë të Parisit, që në vitin 1879, një mjedis banimi më se të përshtatshëm për t’u shfaqur si trashëgimtar i ardhshëm i këtij froni. I shquar si koleksionist veprash arti dhe me një bibliotekë nga më të pasurat,[xviii] ai kishte ngritur në këmbë madje edhe njëfarë kancelarie me sekretar njëfarë G.C. Camet, francez ky për nga origjina, që nuk mungonte t’i bënte lajka De Radës, kryerilindasit arbëresh, duke i përkthyer atij edhe ndonjë poezi në frëngjisht. Por që nuk do mungonte nga ana tjetër ta ashpërsonte tonin kur De Rada do shfaqte dyshimet dhe rezervat e veta për personin e Aladro Kastriotit. Camet, që i binte kryq e tërthor Evropës me paratë e Aladros, vetëm e vetëm për të propaganduar figurën e punëdhënësit të tij në bashkësitë shqiptare të diasporës, gati e urdhëronte De Radën ta njihte “Skanderbegun Aladro” si figurë kryesore të shqiptarëve, si dhe komitetin qendror të bashkimit të shqiptarëve, të krijuar nga mendja dhe në mendjen e tij princërore.[xix]

Pra, ky Aladro, që edhe për të hartuar një letër të thjeshtë përdorte sekretar,[xx] veç kur do na shkruaka ngeshëm, vite më pas, aty nga viti 1909 dy libra, shi në kulmin e depresionit - siç do ta shohim më pas -, dhe të manipulimeve të tij të pareshtura për t’ia hipur kaluarthi fronit të Shqipërisë! E jo dy libra të karakterit politik siç do duhej t’i kishte hije “personalitetit të tij shoqëror”, por dy romane të mira në frëngjisht me tematikë të mirëfilltë shqiptare!

Po ç’bënte në fakt Aladroja në Paris në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX, tek frynte gjoksin me dekorata dhe shpërndante gjithandej fotografitë e tij me uniformë ushtarake apo me kostum shqiptar? E shohim të merret me hipodrome të Parisit[xxi] dhe të lëshojë dorën ku këtu, ku atje, si bamirës i zellshëm në do qarqe parisiane, për të lartuar titullin si Princ i Shqipërisë që i kishte veshur vetes;[xxii] e shohim të përkujdeset për kuajt e garave të tiersesë së famshme franceze si dhe të pasurojë koleksionin e vet të antikuareve.[xxiii] Por sigurisht, e shohim t’i qepet pas, “me lezet” e me para, edhe diasporës shqiptare në Europë, sidomos asaj të Rumanisë e Italisë dhe - “falë lidhjes së gjakut nga ana e së ëmës me familjen mbretërore shqiptare”[xxiv] - arriti të shpallej “mbret (sic!) nga partia kombëtare shqiptare më 1899, me shpresë që të siguronte kështu pavarësinë e vendit nga turqit, por që nuk arriti ta realizojë”.[xxv] I shkreti mbret pa mbretëri, që nuk iu nda as fronit të Shqipërisë, as tregtisë së verës[xxvi] dhe që kurrë s’e pa ëndrrën e vet të realizohej, veç kur do vdiste krejt papritur në Paris 15 vjet më vonë, tek i ra damllaja apo plasi si qelqi nga marazi, më 20 shkurt 1914[xxvii], pikërisht sapo mori vesh lajmin e kobshëm për të që delegacioni i krerëve shqiptarë kishte dhënë pëlqimin e vet për t’u vënë në krye të fronit të Shqipërisë princi Guillaume Wied, i cili një ditë më pas, më 21 shkurt 1914 u vesh me funksionet e Mbretit të Shqipërisë.

Por, pa e tepruar me kapërcime të tipit coq à l’âne[xxviii], le të shohim nga afër marrëdhëniet Faik Konica – Aladro Kastrioti që në pikënisje, në funksion të studimit të dy romaneve. Nuk kish se si pesëdhjetë e kusur vjeçari Aladro Kastrioti, burrë zamani mustaqemadh, i shëtitur krëk salloneve të kryeqyteteve të Europës, dyerve të politikës, diplomacisë e tregtisë, që i kishte caktuar vetes një qëllim ambicioz twë shkallës sipërore, të mos interesohej nga afër për veprimtarinë e ngjeshur patriotike, me fuqi e energji meteorike të një djaloshi as sa gjysma e tij në moshë, Faik Konica, i cili kishte guxuar me mençuri, largpamësi gjeniale e vrull të papërmbajtshëm rinor dhe atdhetar të botonte mbi të gjitha revistën Albania (1897-1909),[xxix] që shpejt do të shndërrohej në kryevepër të tij dhe në epiqendër të vëmendjes së diasporës patriotike shqiptare, do të ushqente shpresa dritëdhënëse për çlirimin e atdheut të lënguar nga vargonjtë pesëshekullorë otomanë.

Historiku i marrëdhënieve Aladro-Konica fillon kështu në mesin e prillit 1901, kur Konica shkon në Paris dhe takon mikun e tij të hershëm, orientalistin e shquar Léon Cahun,[xxx] me të cilin konsultohej shpesh, si dhe Aladro Kastriotin,[xxxi] pasi një takimi paraprak që kishte realizuar tashmë në shtator 1900 me personalitetin e shquar shkencor prof. Elisée Reclus, drejtor i Institutit gjeografik të Brukselit, lidhur me idenë e botimit të një harte të Shqipërisë.[xxxii] Aladroja merr përsipër jo vetëm të financojë botimin e kësaj harte, por edhe të mbështesë financiarisht shtypjen e librave shqiptare, si dhe të paguajë një shumë vjetore prej 1000 frangash për propagandën shqiptare, pasi ai vetë i shprehu Konicës “nevojën që ka për të pasur relacione me shqiptarët”.[xxxiii] Dhe shi një vit më pas, Aladroja fillon të na shfaqet gjithë mburrje e buhi në disa organe franceze duke dhënë intervista, ku pretendon se: “erdhi në Paris për të përligjur mandatuesit e tij shqiptarë, për të organizuar e mbajtur lidhje me krerët e komitetit liberal të Shkodrës, për t’u dhënë udhëzime patriotike studentëve shqiptarë të Parisit, për të lehtësuar zhvillimin intelektual tek shqiptarët, për t’u shfaqur europianëve idetë e tij, duke themeluar (sic!) shumë revista në gjuhët turqisht, shqip, frëngjisht, si Albania e Brukselit, La Nazione albanese e Romës dhe Toska e Sofjes”.[xxxiv] Ky do ishte një nga kulmet e paturpësisë dhe poshtërsisë nga ana e tij që përvetësonte pa ndrojë e skrupull punën e të tjerëve dhe i vishte vetes merita të paqena, poshtërsi që do të vijonin edhe më tej, tek do tundte si flamuj programin,[xxxv] memorandumin dhe mjaft bëma të tjera mjerane të tij.

Si “Korrespondenca” e Konicës, përmbledhur në Veprën 4, ashtu dhe Albania përmbajnë mori shkrimesh, rreth 30, ku pasqyrohet mrekullisht diagrama e qëndrimeve, kontrasteve, lidhjeve, zgjidhjeve, acarimeve, deri në prishje apo deri edhe në njëfarë “rilidhje” artificiale, aty nga fundi, i marrëdhënieve Konica-Aladro, që do të shpien, në mënyrë të çuditshme, në botimin e këtyre dy romaneve me pseudonimin Jean de Kroïa. Pas pesë vjetësh botimi me sukses të revistës Albania, “Pesë vjet mundime, punë, luftë” siç shprehet Konica, kur “Punët që priteshin prej nesh, bashkëpunëtorët e “Albanies” me durim, me një dashuri të thellë t’atdheut, me një hollim të bukur i vunë mb’udhë”,[xxxvi] Aladroja veç kur nxiton të mbërthehet pas Konicës[xxxvii] gjithë premtime për financime, e vetmja armë e tij dredharake. Veçse shpejt do hasë në nuhatjen dhe në qëndrimin disi të rezervuar të Konicës, i cili do t’i shkruante djaloshit Theohar Gjini, piktorit të talentuar shqiptar, në janar 1902: “Don Gjini i Aladro-Kastriotit është njeri i mirë, po mierisht nukë ka aqë mënt sa e do nevoja e kohës së sotme, e përandaj unë sa-do-mos u-ftoha ca me të... Në do, shkruaj-i dhe vetë Aladros, thua-i se të holla duhen pakë, e vetëm për dy viet”.[xxxviii]

Në fakt, përherë e më shumë, çështja e parasë po bëhej domosdoshmëri e kalë beteje jo vetëm për mbijetesën e një pjese të madhe të intelektualëve të diasporës shqiptare, por edhe për mbarëvajtje të veprimtarisë të tyre patriotike, aq sa në funksion të saj shfrytëzoheshin koniunkturat, ndërtoheshin taktikat apo nganjëherë shkelej në dërrasë të kalbët, duke kompromentuar keq veten, deri edhe parimet.[xxxix] Janë të njohura vështirësitë tejet të mëdha mteriale që njohu Konica që në fillim të botimit të Albania-s, përpjekjet e tij kolosale për të gjetur mbështetje e përkrahje financiare,[xl] duke kërkuar të holla gjithandej, ndër miq, shokë e familjarë, e gjer në qarqe zyrtare të kohës, tek e dinte fare mirë se pa miell, siç thotë shprehja e popullit, nuk mund të bëhet bukë.

“Do të duhen para - i shkruan ai një miku të tij që më 1896, kur po bënte përgatitje të ethshme për botimin e Albania-s. - Kush do t’i japë? Me kumbulla mund të bësh vetëm hoshaf... Duhet t’i drejtohemi një qeverie të paaftë për të na dëmtuar, si Anglia... Me një fjalë, mik i dashur, na duhet të imitojmë armiqtë tanë; na duhet të bëhemi konspiratorë dhe intrigantë... ose t’i nënshtrohemi vdekjes: jemi të detyruar të bëjmë një zgjidhje”.[xli]

Tek themeloi një çmim vjetor prej 1000 frangash, “Çmimin Skanderbeg”, për shkrimtarin shqiptar që do të ndihmonte me shumë me shkrimet e tij për lëvrimin e gjuhës shqipe; tek mori nëpërmjet Albania-s shumë letra përgëzimi nga shqiptarët; tek e pa veten të botuar edhe me foto në Albania-n e mirënjohur; tek financoi botimin e Hartës së Shqipërisë[xlii] dhe korri edhe duartrokitjet, - hajt të mbahej tanimë Aladroja, kur periudha prill 1901 – mars 1902 do të shndërrohej në periudhë të artë për të dhe ai do të nxitej edhe më tepër për të “thelluar veprimtarinë e tij patriotike”, por duke i “shtyrë për më vonë perspektivat e tij të revolucionit në Shqipëri!”[xliii] Dhe kishte arsye të krekosej: sekretari i tij frëng kishte gatitur tashmë një manifest “për popullin shqiptar” dhe Viskë Babatasi e kish përkthyer shqip, kurse Dervish Hima turqisht;[xliv] shpejt shqiptarëve të Sofjes do t’u dhuronte një makinë shtypi, teksa në Vlorë arrestohej një qytetar i thjeshtë, Hamit Lumi, duke shpërndarë portrete të Aladros dhe “mbasi e futën në burg, ai s’pushonte së thëni: “Jam i bindur që ndodhem në burg për “mbretin” dhe nuk do ta mohoj atë edhe sikur ju të më bëni copa-copa!”[xlv]

Kulmi u arrit kur gazeta spanjolle La Vanguardia shpalli me bujë fermanin e sulltanit për dënimin me vdekje të Aladro Kastriotit[xlvi] dhe kur ky, gjithë kapadaillëk, ia bëri mirë reklamën vetes me intervista të zellshme paguar prej tij, tek e thoshte edhe vetë se koka e tij e prerë paguhej nga sulltani me 300.000 lira turke![xlvii] Atëherë, s’kish burrë nëne të bënte zap zekthin e Aladros dhe entuziazmin e tij “patriotik”, tek shpallte gjithandej thirrjen (manifestin) e tij drejtuar shqiptarëve:

“Ju, bij të guximshëm të shqipeve, ju që keni në vena gjak fisnik nga Heronjtë që përherë luftonin duke ngadhënjyer përkrah Aleksandërit, Pirros dhe përkrah stërgjyshit tim të pavdekshëm Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Ju...”, dhe kështu e ashtu, dhe dërci e vërci për të përfunduar thirrjen gjithë pasion e figurë letrare: “Shqiponja ndjen kënaqësi mes rrufeve”.[xlviii]

Në të vërtetë, askujt s’i bënte dëm në njëfarë mënyre mendjemadhësia e Aladros, “që nuk njeh kufinj”, siç shprehej Konica në atë kohë.[xlix] Por halli ishte se ai sikur po shkonte tepër larg me euforitë e tij “patriotike” që vinin njëfarësoj në rrezik Lëvizjen për Pavarësi. Pa kurrfarë dorashke shpallte se lëvizja e tij në krye të patriotëve shqiptarë ishte paqësore dhe s’kishte pse shqetësonte as diplomacinë europiane, as vetë sulltanin, madje nuk ngurronte t’i bënte këtij lajka e temena: “Edhe këtë herë, theksonte ai në proklamatën e prillit 1902, fjala ime është fjalë paqeje dhe ju, shqiptarët e mi trima e bujarë, të gjithë ç’jeni, muhamedanë, katolikë e ortodoksë, mos u ndikoni nga provokime boshe; shtrëngoni radhët e bashkohuni rreth prijësve tuaj, ndiqni veprën tuaj ashtu siç e keni nisur, që ajo të ndjekë rrjedhën e saj dhe t’i ndihë M.T.N-së, [Madhërisë së Tij të Ndritur] Sulltanit, Sovranit dhe Mikut tuaj, me qëllim që të zbatohen reformat sipas vullnetit të M.T.N.-së”[l] (nënvizimi im, F.A.). Dhe kur flakët e luftës po ndizeshin një pas një në Shqipëri, e shohim Aladron të mbledhë në Paris, në qershor 1902, disa figura të njohura të lëvizjes patriotike për të krijuar - rreth një komiteti të përgjithshëm - “bashkimin” e komiteteve shqiptare myslimane, katolike e ortodokse, si dhe të krejt shoqërive që gjendeshin brenda katër vilajeteve shqiptare.[li] Jo vetëm kaq, por ai ia nis “aksionit” për të lënë më në fund, një çast, Parisin e tij të dashur dhe për t’u zbythur drejt Italisë (Brindizi), drejt Korfuzit, e deri sipër në Mal të Zi e Dalamci, por pa kuturisur kurrsesi një grimë të fusë këmbët në Shqipëri, i frikur nga urdhri i sulltanit për arrestimin e tij,[lii] ndërkohë që mburrej me lloj-lloj medaljesh si “një nga njerëzit më të dekoruar të kohës së vet”.[liii] Dhe pa e njohur hiç vendin e Kastriotit të madh – tek fryhej se “fliste e shkruante korrekt në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, shqip, kastelan dhe rusisht”, duke u tundur madje gazetarëve para syve një fletushkë me firmën e vet ku kishte shkruar në gjuhën baske e shqipe në mënyrë ekzotike: Euskaterria aurrera! Shkiperia perpara! shoqëruar nga përkthimi përkatës spanjisht, (Përpara Vendi i Baskëve! Përpara Shqipëria!)[liv] – ja ku e shohim Aladron të gjelkrekoset si mbret de jure et de facto i Skipetarëve!

Duke u shkëputur nga kuadri i manipulimeve të aventurierit Aladro Kastrioti në do qarqe të ngushta të propagandës franko-spanjolle dhe deri diku te një pjesë e diasporës shqiptare, le t’i rikthehemi Faik Konicës për të parë nga afër qëndrimin e tij në “çështjen Aladro”, sidomos kur ky filloi rrezikshëm sullacon e tij në rajonet fqinje të Shqipërisë. Pas një periudhe disa mujore “lulëzimi” të marrëdhënieve Aladro-Konica, e shohim këtë të fundit, shi në mars 1902[lv], të shqetësuar për lidhjen e marrëdhënieve të Aladros me Anselmo Lorecchion,[lvi] drejtorin e gazetës arbëreshe La Nazione Albanese si dhe nëndrejtor i “Komitetit politik shqiptar” të udhëhequr nga një tjetër princ, Markezi i Auletës apo Kastrioti i arbëreshëve. Konica shqetësohet sepse prapa këtij komiteti qëndrojnë interesat italiane ndaj Shqipërisë, në një kohë kur ai vetë që në fillim i kishte prerë të gjitha urat me A. Lorecchion, madje nuk e kishte kursyer forcën e penës te Albania kundër tij. Nga ana tjetër, Aladro as që e kishte ndër mend realizimin e “perspektivës së tij të revolucionit” në Shqipëri,[lvii] të cilin e kishte marrë përsipër gjithë mburrje, por që e kishte degdisur në kalendat greke. Në të kundërt, ai po i hynte tashmë aksionit aventuresk për të botuar në Paris një gazetë në gjuhën frënge, redaksia e së cilës do t’i besohej publicistit të tij Camet. Konica e dënon që në fillim këtë projekt, duke parë në të një lidhje të Aladros me Malin e Zi, Rusinë dhe Italinë, për aleanca të rreme, në dëm të interesave të Lëvizjes shqiptare.[lviii] Po ashtu, Konica po vërtetonte më së miri mosbesimin dhe dyshimin e tij për gjenealogjinë e rreme të Aladros, kur që në fillim i kishte kërkuar këtij të ishte transparent, të vërtetonte me dokumente prejardhjen e tij nga Kastriotët, “sepse, nëse dëshiron të përzihet në mënyrë aktive me çështjen shqiptare, duhet në radhë të parë të na tregojë gjenealogjinë e vet.”[lix] Në mars 1902, nën titullin “Një incident i mundimshëm”, Albania botonte një shkrim lidhur me akuzat e gazetës greke Astir për falsitetin e gjenealogjisë së Aladros. Mbi bazën e të dhënave dokumentare, vetë Konica nxirrte në pah në artikull se pretendimi i Aladros për prejardhjen e tij nga një stërgjysh i shekullit XVIII, konkretisht princi De Aladro, që i paskësh rënë pas mbretit Karl për në Spanjë,[lx] nuk qëndronte në këmbë, përderisa nuk vërtetonte asgjë për lidhjen e tij me motrën e Skënderbeut, e cila kishte jetuar në shekullin XV. “Mbi 300 vjet i ndajnë pra këto dy personalitete dhe martesat në këto rrethana janë, të themi, të vështira për t’u besuar”.[lxi]

Një muaj më pas, Albania duke e ruajtur disi tonin diplomatik, zbulon intervistën e Aladros dhënë gazetarit Marc Parker dhe botuar te revista Le Carnet. Por Konica, me sa duket, nuk kërkon të presë menjëherë urat me Aladron, madje hiqet sikur kërkon të fajësojë gazetarin frëng se nuk duhet ta ketë kuptuar si duhet Princin Kastrioti gjatë intervistës së tij. Dhe për këtë, nxjerr në pah konkluzionin absurd të gazetarit se “Shqipëria mund të pranojë (sic!) një protektorat të Rusisë, madje përpara atij të Austrisë”.[lxii] E megjithatë, konkluzioni i Konicës është i formës së prerë: “Aladroja do gëzojë nderimin e shqiptarëve po të vazhdojë të ndihmojë propagandën kombëtare, por duke ruajtur një asnjëanësi dhe vetëpërmbajtje që ia diktojnë vetë dinjiteti dhe gjendja e tij e veçantë si i huaj, ardhur papritur mes shqiptarëve në moshën 57 vjeçare!”[lxiii]

Mirëpo, Aladroja sikur nuk dëgjon nga ai vesh. Vijon sharlatanizmat e veta, sidomos duke trazuar urët e lëvizjes propagandistike shqiptare me anë shpifjesh e makinacionesh dhe duke i fërkuar kokën herë njërit e herë tjetrit intelektual të diasporës në hall mbijetese: kujt një përkrahje të vogël financiare, kujt një financim për botim libri, kujt një porosi tabloje te piktorë të rinj shqiptarë, siç është rasti i Theohar Gjinit,[lxiv] të cilin do ta shohim madje edhe personazh kryesor në romanin Martesa e Lejlës.

Në qershor 1903, te Albania, Konica e zbërthen edhe më tej psikologjikisht tipin “Aladro” ku, as më shumë e as më pak e quan “të prishur mentsh”! “N’Evropë, shkruan ai, ata që e dinë, tallen me të, e asnjeri s’i vë nonjë faj Shqipërisë. Ëndëroji, shkojti kohën. Qeshmë. Disa shqiptarë në nevojë që i porosita, i ndihu, i shpëtoi nga të vdekurit urie. Ç’e ligë dolli a del prej një njeriu të këtillë?”[lxv] Po ashtu, në shkrimin e tij, Konica përmend një kryeartikull të gazetës italiane Corriere della Sera ku Aladroja cilësohet intrigant, spiun i Moskovit “për të prishur propagandën shqipe për fitim të Shqehve”, vagabond, deri edhe hajdut i burgosur për vjedhje, por që Konica ruan rezervat e veta për tërë këto cilësime (“punë që s’e besonj”, thotë). Për të, Aladroja është thjesht një i lajthitur, dhe e ilustron këtë me shembull: gjatë një takimi, Aladroja i kishte shfaqur Konicës idetë e tij “gjeniale” për do “punë të mbëdha” kur ta shihte veten hipur majë fronit të Shqipërisë. Dhe parashikonte: 1. Plan të udhëve-të-hekurta; 2. Uniformë për “ushtarët e Pellasit”, pra për ushtrinë shqiptare të mbretërisë. 3. Plan për një Opera shqipe dhe që kryetarin e orkestrës do ta sillte nga Vjena. Me bukurinë e penës së tij, Konica do përfundonte: “Le të thonë ç’të duan, po një njeri që shkon kohën me të tilla, nuk e ka mendien në shëndet”![lxvi]

Viti 1904 do të jetë viti kur i jepet dërrma Aladros, jo vetëm me shkrimin e përkryer “Dy princër të rremë të Shqipërisë” nga shkrimtari dhe poeti i shquar francez Gijom Apoliner, mik i njohur i Faik Konicës, por edhe nga një numër shkrimesh të Albania-s, lidhur me makinacionet dhe manipulimet e përhershme të tij. E kishte zakon të keq Aladroja që, sa herë e shihte veten të diskredituar e të menderosur, nxitonte të përdorte paranë, të çelte kuletën, të dukej e të mburrej, si në mundësinë e ngritjes së një shtatoreje të De Radës nga shqiptarët e Napolit. Konica nuk do assesi që të njolloset emri i rilindasit të madh De Rada me “çakall Aladron, ai spanjoll pa turp që shet verë në Spanjë e që do të bëhet mbret në Shqipëri duke u tallur me ne”.[lxvii] Tanimë, Konica e etiketon hapur Aladron, “princ i rremë, markez i rremë” dhe, me anë të një shënimi, bën për herë të parë një lojë të bukur fjalësh: “Në fakt, më kanë shkruar nga Spanja se zotëria D’Aladro apo Da Ladro, nuk ka qenë kurrë markez”.[lxviii] Kjo lojë fjalësh e Konicës, D’Aladro-Da Ladro, (pra Aladro Vjedhësi) do të bëhej, në tetor 1904, strumbullari i shkrimit Dy princër të rremë të Shqipërisë nga Apolineri,[lxix] pikërisht nga ai që është quajtur bilbili i të gjitha pararojave artistike dhe simbolike të kohës së tij, pararendësi i kubizmit, futurizmit, dadaizmit, surrealizmit e me radhë, gjer te poezia narrative. Me fantazinë dhe mrekullinë e penës së tij, Apolineri pasqyron “ëndrrën Aladro” tek shkruan: “I përkëdheluri i sulltanit mëton se rrjedh prej Skënderbeut nga ana e grave. Por tregohet ndryshe mënyra se si këtij spanjolli të pasuruar i hipi në kokë se kishte të drejtë për fronin e Shqipërisë. Gjatë një udhëtimi në Itali, më duket, Aladroja po lahej në det. Në thellësi e zë ngërçi. Një shqiptar që ndodhej aty, e shpëton dhe vë re se ai mban në trup një shenjë, si ajo që pati pasur edhe Skënderbeu. Shpëtuesi ia thotë këtë atij që posa shpëtoi, dhe të nesërmen Aladroja qe mëtues për fronin e Shqipërisë. Kësaj historie mund t’i vihej titulli “Aladroja ose ngërçi i mrekullueshëm.”[lxx]

Po ashtu, Zog Sakoli, pseudonim i Hilë Mosit, në poezinë “I nipi i Kastriotit” nuk ia përton t’i çjerrë maskën Aladros: “Kush a ai qi fronin Shqypis po j’a kërkon / E nipash i Kastriotit asht emnue?.../ Me c’menë? Me ç’arsye? Ai pse nuk po na difton / Qi në gjak shqyptar po don sot me u nrue?/ Kadal, kadal, njeri i huj... S’ke marre?...” e vijon më tej krejt zemërimi i poetit për Aladro mashtruesin me thirrjen: “Tundu o vorr i Leshës! Çoju Skanderbe!...”.[lxxi]

Në të vërtetë, gjatë kësaj periudhe, sa më shumë përparonte çështja shqiptare drejt krijimit të kushteve për shpalljen e pavarësisë, aq më shumë thelloheshin edhe konfliktet e brendshme mes intelektualëve të diasporës shqiptare, mes rrymave që ata përfaqësonin dhe organeve të tyre, sidomos mes pretenduesve që lakmonin fronin e Shqipërisë dhe që kërkonin mbështetje shoqërore në funksion të interesave të tyre. Veç markezit arbëresh të Auletës dhe Don Aladro spanjollit[lxxii], po dilte përherë e më shumë në skenë edhe princi Albert Gjika “me fantazitë e veta”, thjesht një “sharlatan”,[lxxiii] siç vë në dukje Konica.

Në studimin e tij Kush e kërkonte fronin shqiptar? Stavro Skëndi ndalet gjatë te figura e Aladro Kastriotit, në veprimtarinë që ai zhvillonte për të arritur synimet e veta, por duke nxjerrë në pah edhe çështjen e aleancave të jashtme, mbështetjen te njëra apo te tjetra fuqi e huaj[lxxiv]. Kështu, historiani S. Skëndi pasqyron një takim të Aladros në Vjenë me kontin austriak Lutzow në korrik 1902, kur iu shpreh zyrtarit austriak se “atij [Aladros] po i vinin rrotull italianët për ta bërë për vete, por ai ishte i vetëdijshëm se ata e donin thjesht për të nxjerrë gështenjat nga zjarri për Italinë. Ata donin ta përdornin si vegël për të shkaktuar incident ndërmjet Portës dhe Italisë, që të kishin një pretekst për një pikëmbështetje në Tripoli... Ai i deklaroi më tej kontit Lutzow se arsyeja e vizitës së tij ishte që ta vinte veten dhe Shqipërinë pa kushte në dispozicion të perandorit austriak dhe të kërkonte udhëzime. Por ai nuk pati sukses kur kërkoi një audiencë me perandorin”.[lxxv] Si shumë lart rrihte!

Po ashtu, studiuesi Skëndi nuk mungon të nxjerrë në pah edhe “lidhjet” e Aladros me çetat dhe krerët shqiptarë të Veriut, ndërkohë që Albania vë në dukje në shtator 1905 arrestimin e Mark Gjonit - nga shtëpia e kapedanëve dhe prift nimtar i famullisë së Shkodrës - duke u kthyer nga Mali i Zi, pas takimit të tij me Aladron në Dalmaci. Dhe kjo, sepse prifti D. Nikolli ishte parë duke shëtitë haptas krah për krah me Aladron rrugëve të Zarës e të Raguzës.[lxxvi]

Pikërisht në këtë periudhë, fundi i vitit 1905 - fillimi i vitit 1906 plas egër “skandali Aladro”: ky hedh në gjyq Nikollë bej Ivanajn, kryeredaktorin e gazetës Shpnesa e Shqypiis, e cila dilte që prej tre vjetësh në Raguzë. Aladroja akuzon gazetën për shpifje të rënda ndaj personit të tij dhe gjyqi e dënon Ivanajn me një gjobë prej 300 koronash austriake për të paguar. Me sa duket, Aladroja i kishte trazuar keq urët e aleancave të tij joparimore me fqinjët e Shqipërisë, Italinë dhe Malin e Zi dhe ky organ i shqiptarëve të Dalmacisë i prishte punë Aladros. Sepse, në fakt, të njëjtat shpifje për të i kishte botuar më parë edhe Corriere della Sera dhe Osservatore Romano. Mirëpo, Aladroja nuk e kishte çuar punën në gjyq ndaj këtyre organeve të mëdha: “Jo se kish frikë të matej me gazeta të pasura, thotë Konica, të zonjat të mbështeten mbi advokatë të mirë që ta zgjatnin e ta koklavitnin punën”, por sepse shpifjet ishin aq trashanike sa nuk kish nevojë për t’u dhënë përgjigje.[lxxvii]

E ndërsa gjyqi e dënonte Ivanajn ose të dëmshpërblente Aladron, ose të bënte një vit burg, vetë Aladroja doli shumë më tepër i humbur nga ky gjyq, që u shndërrua për të si fitore e Pirros: nga njëmbëdhjetë akuza kundër Ivanajt, vetëm e para e kompromentonte rëndë kryeredaktorin e Shpresës dhe vetëm për këtë, ky u dënua. Të dhjetë akuzat e tjera u hodhën poshtë dhe u kthyen në bumerang për vetë Aladron.[lxxviii] Dhe nuk do vonojë konkluzioni i Faik Konicës: “Tani, e vetmja gjë që i mbetet Madhështisë së Tij është të kthehet te verërat dhe të shikojë tregerin e tija. Ç’punë ka me Shqiptarët një verë-shitës nga Espanja?”[lxxix]

E gjithë historia dhe bëmat e Aladros sipas faqeve të Albania-s mbyllen kështu me këtë gjyq famëkeq, dhe rrallë e shohim më pas Aladron të përmendet në faqet e shtypit të huaj, tek-tuk me ndonjë jehonë të venitur në disa rreshta.

Megjithatë, numri i fundit i Albania-s i vitit 1909, mbyllet me një artikull kuptimplotë: “Një organ kombëtar në Amerikë”, artikull që duket sikur paralajmëron vajtjen e Konicës në kontinentin e ri në krye të Dielli-t. Po prapë, në mendjen e tij asgjë nuk është e sigurt deri në atë çast. Sepse në po këtë numër të fundit të Albania-s, në rubrikën Shënime frëngjisht, Konica trajton me njëfarë simpatie figurën e princit Giovanni Castriota Scanderbeg, markez i Auletës, si të dojë ta joshë, kur dihet që ai nuk e kish kursyer penën e tij për të goditur edhe këtë figurë. Nga ana tjetër, aty flet edhe për Aladron me një ton disi qesëndisës. Përse vallë? Mos kërkon joshje në një farë mënyre tek të dy pretenduesit e fronit, duke qenë vetë Konica, të themi, në një pozicion udhëkryqi për të ardhmen, pas përfundimit të misionit Albania? Mos kërkon që Aluetën t’ia kundërvërë Aladros si të donte t’i bënte karshillëk këtij të fundit? Apo kërkon ta joshë edhe këtë duke i thënë: “Eja, në dorën time je, mund t’i them edhe ndoca fjalë të bukura për ty!... Eja, se mund të bëjë edhe më shumë për ty!...” Sepse, ndërsa njërit (markezit të Aluetës) ia “pranon” prejardhjen nga një prej familjeve më të lashta të fisnikërisë së Napolit në aleancë me Kastriotët, tjetrit (“markezit” të Kadiksit), jo vetëm që nuk ia pranon, por saktëson tashmë se rrjedh nga një familje tregtari të Ksereksit. “Dihet se Albania, shkruan ai, i bëri atij [Aladros] nderin për ta besuar në fjalët që thosh; për fat të keq, kur erdhi çasti që ai të tregohej i denjë për pretendimet e veta mbi bazë faktesh, Z. De Aladro na trajtoi ne si Biznatinë, që vete e humbet kohën e tij me llafollogjira. Sepse në është një princ për t’u vënë buza në gaz (prince pour rire) është edhe një pincë shtrënguese pa gaz (pince-sans-rire),[lxxx] dhe dihet se me këtë lloj humori mund të shkohet shumë larg...”[lxxxi].

“Mund të shkohet shumë larg!” – Ja një paralajmërim i bukur i Konicës në mbyllje përfundimtare të mrekullisë së tij Albania që çel një dritare të re mrekullie, dy romanet e tij me pseudonimin Jean de Kroïa.

VIJON...



[i]   Artikulli i plotë është botuar në pjesën Shtojcë të këtij libri.

[ii]   Tre princër të rremë të Shqipërisë, artikull i botuar gazetën Metropol, 3 shtator 2009, nga F. Andrea e D. Muka.

[iii]   Të barasvlefshmit në shqip të emrit Jean janë: Gjon (nisur edhe nga anglishtja John), Gjin (po të kemi parasysh që në frëngjisht Shën-Gjini është quajtur historikisht Saint Jean de Medua apo italisht Sant Giovanni di Medua) dhe Jan (nisur edhe nga emri i dikurshëm i Janinës, Joannina). Sa për emrin e qytetit të bekuar, Konica ka parapëlqyer ta shkruaj frëngjisht Kroïa, me K e ï me dy pika dhe jo Croya apo Croye, siç e kanë pasë shkruar përgjithësisht autorët francezë. Po ashtu, edhe emrin e Skënderbeut, Konica, përgjithësisht, e shkruan frëngjisht Skanderbeg apo Kastrioti, duke përdorur germën k të alfabetit shqip (Albania, 31 mars 1901, f.44; 20 prill 1901, f. 58; 25 gusht 1901, f. 107; nr. 5, 1906, f. 107, etj).

[iv]   Prof. Jup Kastrati rendit 22 emra, pseudonime, iniciale, përdorur historikisht nga Faik Konica në shkrimet e tij. (Instituti Albanologjik i Prishtinës, Faik Konica, Jeta dhe Vepra, Sesion shkencor, Prishtinë, 28 prill 1995, f. 203-204 e botimit të vitit 1997.) I shtojmë listës së Prof. Kastratit edhe pseudonimin “Tepeleni”, që përmban shkrimi i parë i Faik Konicës në artikullin “Shqipëria dhe turqit” (La libre Parole, Paris 1895), botuar për herë të parë në shqip në gazetën Metropol të datës 5 mars 2012 nga autori i këtyre radhëve.

[v]    Inicialet e fjalëve Prêt Entre Bibliothèques, (Huazim Mes Bibliotekash), një bashkëpunim ky i tërë bibliotekave të Europës r të huazuar librat mes tyre për mbarë lexuesit e regjistruar.

[vi]   Është fjala për librin Essais sur l’Education («Ese për Edukimin») të Trhank Spirobeg, botuar nga Shtëpia botuese me emër Librairie Kiessling et Cie, Bruksel, 1898, libër i cili, u dha nga ana jonë për t’u botuar për herë të parë në shqip në revistën Lente Sociologjike, drejtuar nga Prof. Zyhdi Dervishi; po ashtu, edhe studimi tjetër i mirënjohur i F. Konicës, Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles (Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale) që mbante pseudonimin Pyrrhus Bardyli, ishte botuar nga e njëjta Shtëpi Botuese belge Librairie Kiessling et Cie, më 1904.

[vii]  veprën André Gill, Korrespondencë dhe Memuare një karikaturisti, S. Heymann na shfaqet si komisioner gazetash. (Bertrand Tiller, Corre- spondance et mémoires d’André Gill..., Ed. Champ Vallon, 2006, f. 384).

[viii] Dy arsye i bënin autorët të botonin në tirazhe minimale drejtpërdrejt në shtypshkronjë: ose për të lënë pas tyre njëfarë gjurme “sa për emër” me ndonjë libër të zakontë; ose për të bërë botime tepër luksoze për vepra të rralla me shumë vlerë, që do kërkoheshin më pas shumë shtrenjtë nga bibliotekat dhe nga vetë Shtëpitë botuese për shumëfishim të tyre. Një vepër e Abel Hermant-it, Voyage en Turquie, Grèce, Albanie, Udhëtim në Turqi, Greqi, Shqipëri») botuar për herë të parë në Paris më 1910, me cilësi të lartë si një botim origjinal, do kapte kështu shifrën minimale rekord prej 20 kopjesh gjithsej nxjerrë nga shtypshkronja klasike.

[ix]   Z. Michel Boyé, kryetar i SHAA, në mesazhin e tij datë 25 shkurt 2011 do të më përgjigjej: “Zotëri, Sekretariati i Shoqërisë historike e arkeologjike të Arkashonit (SHAA) sapo më përcolli kërkesën tuaj për të dhënat që kërkoni. Gazetari që firmos artikujt e tij me E.G. nuk është tjetër veçse kryeredaktori i gazetës së përjavshme l’Avenir d’Arcachon: Edmond de Gabory (me emrin e vërtetë të tij Le Taillandier de Gabory) ish avokat (1849-1914). Mbetem në dispozicionin tuaj...” dhe mbyllej nga formula e mirësjelljes. Mbas mesazhit tim të dytë, në po atë datë, për ndonjë të dhënë më të hollësishme lidhur me Faik Konicën apo Aladro Kastriotin, ai do të më shkruante ndër të tjera: “... E pranoj se nuk e kam ditur që Faik Konitza ka qenë në komunën tonë... Në përgatitje të teksteve për buletinin tonë të ardhshëm tremujorësh, jam duke hartuar një numër shënimesh biografike për të ndriçuar personazhet e përmendur; nëse materialet që unë kam mbledhur lidhur me Edmond de Gabory dhe me pretenduesin e fronit Shqipërisë ju interesojnë, unë mund t’jua përcjell ato...” (nënvizim im, F.A.).

[x]    Gazeta l’Avenir d’Arcachon e datës 22 janar 1905, pas një lajmi të rremë të shtypit italian r vdekjen e Princit Kastrioti, i kushtonte një artikull ironik këtij pretenduesi të fronit të Shqipërisë, me titull “Tek Princi Aladro Kastrioti”; po kjo gazetë, më 21 shtator 1913 jepte falënderimin e Komitetit komunal të sportit të skermës r Princin Kastrioti, i cili dhuronte një objekt arti r kampionin e atij viti.

[xi]   Albert Chiché, ish deputet i Bordosë në artikullin e tij Një banesë princërore vë në dukje: “Kontesha Verbrugge trashëgoi nga i shoqi, bankier holandez, një pasuri prej 800.000 frangash rentë. Princi Kastrioti kishte veç pretendimeve r fronin e Shqipërisë, edhe sharmet e një burri të hijshëm. I hyri në zemër zonjës... dhe martesa u bë në La Tente pa bujë e buhi.” (l’Avenir d’Arcachon e datës 17 shkurt 1924).

[xii]  Të dhënat janë nxjerrë nga gazeta l’Avenir d’Arcachon, datë 19 mars 1922. Me sa duket, Aladro Kastrioti dhe e shoqja e tij e vizitonin herë pas here Arkashonin gjatë dhjetëvjeçarit parë shekullit XX, nga ku dhe “interesimi” për e për princeshën Renesse nga ana e shtypit rajonal dhe konkretisht e gazetës në fjalë.

[xiii] Biblioteka Bashkiake.

[xiv]  Jerezani Juan Pedro Aladro Kastriota, princ i Shqipërisë. Këtë studim prej 14 faqesh A4, autori e ilustron me një portret të njohur të Aladros veshur me uniformën e tij ushtarake plot dekorata në gjoks, si dhe me ballinën e romanit Sotiri dhe Mitka të botimit spanjisht. Në fund të studimit, autori që pohon se është bashkëqytetar i Aladros, jep edhe një përmbledhje prej 3 faqesh A4 të Curriculum academico y profesional të vetin, diplomuar për filologji spanjolle në Universitetin e Seviljes dhe doktor në filologjinë hispanike. Studimi i tij, ashtu sikurse tek-tuk artikuj të autorëve spanjollë për Aladro Kastriotin, janë deri diku shkrime panegjirike, por njihet prirja e autorëve spanjollë që përgjithësisht nuk parapëlqejnë të godasin apo të zhvleftësojnë një figurë spanjolle, e aq më pak një bashkëqytetar.

[xv]  F. Andrea, “Arbëreshët e Italisë, 1413-2007”, Tre letra të G.C. Camet drejtuar De Radës, f. 189-192. Shih në këtë vëllim « Dokumente Shtojcë»

[xvi]  Emisioni “Shqipdrejtuar nga R. Xhunga, më 28.04. 2008.

[xvii] Almanaku i Gotës i vitit 1872 e jep J. Aladron thjesht sekretar legate të akredituar nga Ministria e jashtme spanjolle 1869 (f. 656), Gotha Justus Perthes.

[xviii]          Vetëm 3000 libra i kishte të trashëguara nga i ati, kurse pasuria prej 29 milionë reales u nda mënyrë barabartë mes tij dhe pesë motrave të ligjshme pas vdekjes edhe të vëllait të tyre të madh, i pamartuar. Në fakt, Juan Pedro Aladro Perez, Domecq y Kastriota ishte i biri i paligjshëm i Juan Pedros me lidhje jashtëmartesore me Isabel Aladro Perez (J.R.Lopez, El jerezano Juan Pedro Aladro Kastriota, Revista da Historia de Jerez, n°8, 2002, f. 207-218).

[xix] F. Andrea, Pena... vep. e cituar, f.192; po ashtu edhe artikulli F. Andrea, D. Muka Tre princër rremë Shqipërisë.

[xx]  Një shënim redaksional i gazetës Journal du Dimanche, 22 janar 1905, me titull I vdekur r së gjalli”, komenton me shumë sarkazëm lajmin e rremë r “vdekjen në atë kohë të Aladro Kastriotit. Bie në sy në këtë shënim se ai vazhdimisht ka pasur një sekretar që i ndihte në punët e veta: “Në fillim të dimrit, thuhet ndër të tjera në këtë shënim, princi u nis r një udhëtim të gjatë pasi vuri në dijeni sekretarin e vet r bëmat që do realizonte, dhe ndërkohë ky i fundit mori një telegram që e lajmëronte për vdekjen e papritur në Xeres de la Frontiera (Spanjë) të Don Juan de Aladro. U njoftua gjithashtu Znj. Nottiez, notere, ku është depozituar një testament i të ndjerit... Dhe veç kur pretenduesi shqiptar, tek kish marrë vesh «vdekjen» e tij, dërgon urgjentisht një telegram se ishte duke u kthyer në Paris, ku zbarkoi shëndoshë e mirë dhe dha lajmin se Kastrioti i vdekur në Xeres ishte një revolucionar napolitan. Dhe kështu Shqipëria shpëtoi”. Journal du Dimanche, 22 janar 1905, f. 2.

[xxi]  Në Dosarin Origjinat hipike të Maison Lafitte vihet në dukje: “Don Juan de Aladro Domecq, Princi Kastrioti, ish ministër fuqiplotë i mbretërisë së Spanjës, që banon në pavionin “Egle”, kërkon më 13 prill 1880, nga Shoqata sindikale e Parkut, autorizimin për krijuar me shpenzimet e tij në bordurën e pyllit një pistë r stërvitjen e kuajve të garës. I propozon nga ana tjetër Shoqatës sindikale, e cila e pranoi kërkesën e tij, të marrë përsipër sistemimin e bordurave pistës Jacques Lafitte, sapondërtuar. Dossier: Les origines hippiques de la Maison Lafitte, dok. elektronik pdf www.maison- lafitte.fr.chapitre. Gazetari francez V.-C. Creux e cilësonte konkretisht Princin Kastrioti: “ky gentleman aktiv dhe kurajoz spanjoll sportmenët e pasur parisianë e njohin mirë”. (La Revue diplomatique, 8 nëntor 1903, f. 5.)

[xxii] marrjen e titujve fiktivë, “Modeli ballkanik absolutisht fantazist përfaqësohet nga Aladro Kastrioti”, vihej në dukje në buletinin l’Intermédiaire des chercheurs et curieux..., viti 39 i botimit, gjashtëmujori i dytë, Paris, 1903.

[xxiii]          Në Vjetarin Annuaire de la Curiosité et des Beaux-Arts, Paris 1912, emri i S.A. Princit Don Aladro Kastrioti, së bashku me adresën e banimit Paris figuron ndër amatorët dhe koleksionistët kryesorë të Francës.

[xxiv]           Aladroja pretendonte se gjyshi i nënës së tij Isabella Perez kishte pasë qenë martuar me princeshën Kastrioti, ardhur nga Napoli dhe vendosur në qytetin spanjoll të Kadiksit në shekullin XVIII. Në fakt, Karafët (Caraffa) me gjak kastriotas në linjë femërore, por edhe një degë e dukëve të Laurenzanës, sikurse princi i Piedimontes me prejardhje po kastriotase, na shfaqen në Spanjë (Madrid) në shekullin XVII; mirëpo, as në Almanakun e Gotës, as në veprën madhore të M. D. Strudzës Familjet e mëdha Greqisë, Shqipërisë e të Kostandinopojës, nuk del që ndonjë Kastriotas apo Kastriotase të kenë lëshuar degëzim e rrënjë gjer në Kadiks të Spanjës.

[xxv] José Lopez Romero, Revista de Historia de Jerez, n° 8, CEHJ, 2002, f. 207-218.

[xxvi]           “Skandali Aladro në gjyqin kundër gazetës Shpnesa e Shqypniis dhe drejtorit saj Nikola bej Ivanaj, për cilin do flasim pas këtë studim (Albania, n°2, vëll. XI, 1907, f. 28-29).

[xxvii]          Lajmin për vdekjen e papritur tij e dhanë disa organe, por ne po i referohemi gazetës l’Avenir d’Arcachon, me cilën nisëm studimin tonë. Në numrin e saj të datës 22 shkurt 1914, në rubrikën lajme, shënohej: “Të premten mbrëmje, u vumë dijeni nga Parisi për vdekjen në moshë 68 vjeçare në 70, avenue Henri Martin, Shkëlqesisë së Tij Juan Pedro Aladro, princi Kastrioti, stërnip i Skanderbegut, pretenduesi i ligjshëm i frontit të Shqipërisë, ish ministër fuqiplotë i Spanjës. Kemi nderin t’i drejtojmë vejushës së tij Znj. princesha Kastrioti, e lindur kontesha Renesse, ngushëllimet tona të përzemërta e plot respekt...”. Me këtë lajm mbyllet kështu krejt kapitulli “Aladro në gazetën e Arkashonit; por lajmet dhe artikujt rreth vejushës Aladro do vijojnë deri 1924, duke qenë se pasuria e trashëguar pas vdekjes së saj do të bëhej mollë sherri, me gjyqe pas gjyqesh, sidomos r sa i përket vilës së saj luksoze me tulla kuqe.

[xxviii]         Nga gjeli te magjari, në kuptimin kapërcime nga një subjekt te tjetri.

[xxix]           Revista Albania, siç është shprehur Apolineri, ishte përmendorja më e madhe e kulturës shqiptare (të kohës). Përgatitjet për botimin e saj Konica i filloi që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1896, kur ishte vetëm njëzet vjeç. Që ishte Aladroja që i afrohej Konicës, kjo del qartë, ndër të tjera, në shkrimin “Puna e Aladros”, botuar te Albania, tetor 1903, f. 157 H, ku vihet në dukje: “Një herë, Aladrua më shkruajti se do të vinte në Bruksel (ku vinte shumë herë) se kish të më thosh një fjalë me rëndësi të madhe. Vajta si kurdoherë t’a pres në qëndrim t’udhës-së-hekurt...”.

[xxx]          Zëvendës-konservator i Bibliotekës së mirënjohur të Parisit “Mazarin”, ku Konica kishte studiuar e vjelë gjatë viteve të qëndrimit në Paris tërë dokumentacionin e pasur të kësaj biblioteke që kish të bënte me Shqipërinë. Nga ana tjetër, Leon Cahun - orientalist i shquar, me të cilin Konica u lidh shpirtërisht tek konsultohej me të (e përmend disa herë me radhë me mjaft simpati te Albania) -, është autori i romanit të shquar historik “Hasan Jeniçeri,” personazhi kryesor i të cilit quhet Thrank Spirobej. Ky emër do të bëhej një nga pseudonimet e shquara të Faik Konicës. Romani është përkthyer e botuar në shqip: Leon Kahun, Hasan Jeniçeri historia e një shqiptari vitin 1516, përktheu F. Andrea, Bargjini, 2005.

[xxxi]          Faik Konica, Vepra 4, Letërkëmbimi, zgjedhur e përgatitur nga prof. N. Jorgaqi, Botimet Dudaj, 2001, f. 89-91

[xxxii]          Albania, 10 shtator 1900, n° 8, viti IV, vëll. E, f. 6-7.

[xxxiii]         Po aty. Historiani Stavro Skëndi mendon me të drejtë se një arsye që disa patriotë shqiptarë u lidhën që në fillim me Princin Gjin Aladro Kastrioti ishte fakti që “ai vinte nga një vend që nuk kishte asnjë interes për Shqipërinë, siç ishte Spanja,” dhe se “mund të kenë menduar që prestigji i emrit të tij do të frymëzonte besim, dhe kështu do të ishte në të mirë të lëvizjes shqiptare... Por ata shpejt u zhgënjyen”. (S. Skëndi, Kush e kërkonte fronin shqiptar? Revista Klan, nr. 197, 25 shkurt 2001, f. 23 – 27).

[xxxiv]         Revista mujore franceze e ilustruar Le Carnet, viti 5, n°4, prill 1902, artikulli “La question albanaise (Çështja shqiptare) i Marc Parker, f. 278-292.

[xxxv]          Në kreun “Programi” të artikullit “La question albanaise”, pasi flitej për epopenë shqiptare gjatë kohës së Skënderbeut, ilustruar me një grafikë të njohur të Heroit tonë kombëtar dhe pasi jepej edhe fotoja e njohur e Aladros me kostumin e tij ushtarak, vihej konkretisht në dukje: “Shqiptari ruan kultin e të vdekurve, nderon veprat e ndritura. Programi i tij [i Aladros] është pra të rishfaqë idetë e heroit të tij. Shqiptarët, me shpresë të rigjejnë lirinë e tyre, i kanë kërkuar pasardhësit të të madhit Skanderberg të vihet në krye të tyre. Programi i çështjes shqiptare mishërohet pra tërësisht në personalitetin e prijësit të tyre, markezi Don Juan Aladro-Kastrioti. Si prijës i partisë liberale... prej vitesh Aladro Kastrioti ka drejtuar kombin shqiptar në zhvillimin e tij. Qëllimi i tij i parë ka qenë të kultivojë inteligjencën tek banorët e vet. Çdo vit, ai vë në dispozicion të komitetit shumë medalje dhe çmime që arrijnë një vlerë prej 10 000 frangash. Është e vërtetë se mundësia e tij ia lejon të bëjë sakrifica të mëdha. Markezi Don Juan Aladro-Kastrioti është një spanjoll i klasit të parë...” (Le Carnet, vepër e cituar, f. 288.)

[xxxvi]         Albania, nr. 12, vëll. F, 15 dhjetor 1901, f. 186.

[xxxvii]         Si pragmatist i shkëlqyer, interes çështjes madhe patriotike, Konica lidhet me Aladron jo thjesht r mbështetje financiare propagandës shqiptare, por edhe për baraspeshuar rolin rritje të markezit d’Auletta, prapa të cilit qëndronin interesat e Italisë, e cila i kishte njohur këtij, “pa dokumente historike” siç thotë Konica, titullin “Princ Kastrioti”. Konica me këtë rast përplaste drejtpërdrejt dy Princër Kastrioti, spanjollin e italianin, pretendimet e tyre për fronin e ardhshëm të Shqipërisë. (Faik Konica, Vepra 4, f. 85-86).

[xxxviii]        Vepra 4, f. 100.

[xxxix]         “Të sjellurit e Shahinit e të Kristos, shkruan Konica, nuk më çuditin... [Shahini] kujtonte se Aladrua do të ishte për të një thesar, por unë, me të parë gjithë gënjeshtrat e këtyre “matriotëve” [patriotëve - me ironi] i futa Aladros Babatasin, e ky e ftohu prej zuzarëve; kur pashë se edhe Babatasin si të tierët, i ngjita Aladros edhe Nurinë; tani, Nuriu dhe Babatasi, që të dy të poshtër e të pa-besë, hahen njëri me tijatërin, Aladro gënjeshtari ftohet përditë, e pizevengët, që s’duan punë po intriga, para s’marin”. (Vepra 4, Letër Asdrenit, pa datë, f. 114).

[xl]   “Mua, shkruan Konica, që jam, sado larg, një gjak me Ali Pashën, unë që u rrita sa vjet n’Evropë, me dëshirën e Shqipërisë, që më në fund hapa i pari luftën e jam duke punuar e duke vuajtur që pesë vjet, mua s’e gjykon njeri i mirë të më ndihë, jo për vete, po për fjalorin e Boçarit, që donja ta nxirnja e për disa të tjera libra, që presin të shtypen” (Vepra 4, f. 83, Letër Dodanit, 3 prill 1900).

[xli]  Vepra 4, f. 9. Siç dihet, mbështetjen financiare Konica e kërkoi dhe e gjeti me mjaft zgjuarsi e largpamësi te qeveria austriake. Po kjo është një çështje së cilës do t’i rikthehemi në një studim tjetër.

[xlii]           Albania, 10 korrik 1901, f. 121; 25 gusht 1901, f. 109; 15 nëntor 1901, f. 170-171; prill-maj 1902, f. 105.         

[xliii] F. Konica, Vepra 4, f. 118.

[xliv] Po aty, f. 112. “Përkthyer në një shqipe fare të keqe”, vë në dukje Konica.

[xlv]  Po aty, f. 108-109. Kjo dashuri fanatike për “mbretin Aladro”, në periudhën e shkëlqimit të tij, duhet të ketë frymëzuar Konicën në temën e dashurisë së Vangjelit dhe të disa shqiptarëve për Princin Kastrioti te Martesa e Lejlës.

[xlvi]  La Vanguardia e datës 29 korrik 1902, f. 4, nën titullin “Sulltani kundër Don Juan Aladros”, botonte një telegram nga Kostandinopoja ku jepej “urdhri i sulltanit për të dënuar me vdekje pretenduesin për fronin e Shqipërisë Juan Aladro Kastriota Scanderberg po të hyjë në territor turk apo të futet në Kostandinopojë”.

[xlvii]          Intervistë e botuar në L’Echo des Jeunes, n° 238, 1 tetor 1903: “ – Pra Shkëlqesi, është e vërtetë që Abdul Hamiti ka vënë një çmim për kokën tuaj? – Po, po, - ma ktheu Don Juani duke buzëqeshur -, 300.000 lira turke. Por, ja ku po jua them midis nesh, kjo gjë as më bën përshtypje dhe jam krejt i qetë... Po më mirë, le ta lëmë këtë broçkull e le të flasim për atë Shqipëri të shtrenjtë”. Dhe Don Juan de Aladro Kastrioti, vijon gazetari frëng, që është një “muhabetçi i këndshëm” më paraqiti disa hollësi interesante rreth jetës së tij fisnike...” Muhabetçi i këndshëm, apo frëngjisht në tekst “Causeur charmant” – ja tipari tipik i Aladros, do thoshim ne, që kurrë nuk ka qenë jo më njeri i Letrave, por hajt të ketë shkruar makar dy gisht letër!

[xlviii]          La Revue diplomatique, n°15, e diel 12 prill 1903, f. 10. Përveç mungesës së modestisë nga ana e Aladros, vërehet këtu gjithashtu pena entuziaste e kalemxhiut të tij francez Camet, ndër të tjera tek shprehja “shqiponja ndjen kënaqësi mes rrufeve”, që më shqip do shpreheshim: “shqiponja nuk pyet nga rrufetë!” A nuk i shkruante De Radës më parë po ky Camet gjithë lajka e lirizëm në letrën e tij: “Ju u bëni virgjëreshave shqiptare atë pikturim të shkëlqyer që vetëm dielli i zbulon tek rrëshqet mbi avlëmendet ku ato punojnë të fshehu- ra nga sytë e botës. Duke lexuar vargjet tuaja, e ndjen shpirtin të lumturuar, të përndarë mes hijeshisë së Pindarit dhe bukurisë së Homerit”. (F. Andrea, Arbëreshët e Italisë, f. 191).

[xlix] F. Konica, Vepra 4, f. 105. Që në fillim, Konica e kishte të qartë qëndrimin e matur që do mbante ndaj Aladros: “Unë do të mbaj me të drejtë njëfarë rezerve... dhe do të kem gjithnjë kujdes që revista dhe botimet të mos angazhohen në gjëra të tilla që mund të bëhen qesharake”, shprehet me këtë rast Konica. (Vepra 4, f.86).

[l]    La revue diplomatique, vepër e cituar. Vihet re këtu nderimi i veçantë i Aladros për Abdyl Hamidin, tek shkruan me germë të madhe termat “Sulltani, Sovrani, Miku”. Po ashtu, kur përmend fjalët “provokimet boshe” e ka fjalën për lëvizjen e Isa Boletinit apo “pushtimin e Novi- Bazar, kur shqiptarët e armatosur mbajnë nën kontroll zona të tëra nën udhëheqjen e Boljetinacit [Boletinit]” (Le Carnet, prill 1902, n°4, f. 290).

[li]   J. Brahaj, Flamuri i Kombit shqiptar, Tiranë 2007, f. 103. I referohet revistës Leka 1937, f. 348-349.

[lii]   “Don Aladro, thuhet në revistën Le Carnet të prillit 1902, kishte bërë gjithçka për të penguar trazirën që mund të shndërrohet në konflikt të rëndë, por mendjet e nxehta janë shumë të vështira për t’u përmbajtur. Në këtë gjendje, pretenduesi i fronit po niset për në Korfuz, Që andej do të ndjekë nga shumë afër ngjarjet dhe po qe se prania e tij në Shqipëri do kërkohet, ai do dijë për bukuri të futet brenda vendit, pa lejen e sulltanit.

    “Para se të niset, me shumë dëshirë na shfaqi ndjenjat e tij: “Siç e shihni dhe vetë, gjendja atje është jashtëzakonisht e rëndë dhe mendoj se prania ime në afërsi të vendit është e domosdoshme; pra do shkoj. Përherë kam qenë i bindur se derdhja e gjakut duhej shmangur dhe se në një të ardhme të afërt do të realizohet shkëputja e provincave turke, dhe isha kundër kryengritjes që më kishin propozuar; e kundërshtova atë gjer në minutën e fundit... Dhe besoj se kam vepruar mirë. Për njëzet vjet me radhë kam mbajtur në duart e mija gjithë fijet e çështjes dhe ua kam tundur para syve çështjen diplomatëve, ish kolegëve të mi. Dhe ja ku më në fund po nisem; e vendosa, duhet të jem aty”.

    “E pyesim atëherë markezin se çfarë mendon të bëjë ai në rast se arrin t’ia dalë mbanë?

    “E pra, siç e dini, unë jam stërnip i George Kastriotes, por nuk jam një pretendues zyrtar... Më pyesni se çfarë do bëj atje në ia dal mbanë? Fillimisht do t’u jap shqiptarëve një Kushtetutë, që t’i bëjë ata qytetarë, njerëz të aftë për të marrë veten, për t’u ngritur në këmbë. Pasandaj, do t’i pyes në më duhet të dalë jashtë porte e të shkojë... Por, vijoi markezi me një buzëqeshje të hollë,... shqiptarët janë mirënjohës...”.

    “Dhe me këto fjalë, na u lut të largohej, tek mori me vete urimet tona për suksese”. (Le Carnet, vep. e cituar, f. 290-291).

[liii]  Gazeta L’Echo des jeunes, 1 tetor 1903.

[liv]  Inaki Egana, Mil Noticias insolitas del pais de los vascos («Një mijë lajme të çuditshme nga vendi i baskëve»), Edicion Txalaparta, Nafarroa, 2001, f. 210. Në fakt, vetëm këto dy fjalë shqipe kishte mësuar Aladroja.

[lv]   Ftohja e tyre kishte ardhur edhe më parë, që në janar 1902. (Vepra 4, f. 100).

[lvi]  F. Konica, Vepra 4, f. 107.

[lvii] Po aty, f. 118.

[lviii] Po aty, f. 124-125.

[lix]  Po aty.

[lx]      Konica kishte shfrytëzuar r këtë qëllim Dictionnaire universel des contemporains të G. Vapereau, i cili deri në vitin 1895 kishte njohur pesë botime.

[lxi]  Albania, nr. 3, mars 1902, G, f. 70.

[lxii] Albania nr. 4-5, prill-maj 1902, f. 131-132.

[lxiii] Po aty. Interesante këtu është titulli i shkrimit të Konicës frëngjisht: Skanderbeg et Barnum, që do ta përkthenim shqip Skënderbeu dhe Komedia muzikore, si një paralajmërim për një komedi apo operetë të ardhshme titulluar “Aladroja”.

[lxiv] Në numrin e nëntorit 1900 të Albania-s, Konica n një prezantim bukur Theohar Gjinit artikullin Një piktor shqiptar. E paraqet këtë një “shqiptar kulluar e atdhetar vërtetë... piktor i ri mund të japë shpresë të mirë r më tutje... mjeshtër të pa-shoqë”. Konica e vë Theoharin në kontakt me Aladron në prill 1902 (Vepra 4, f. 100) për ta nxjerrë atë nga vështirësitë financiare, ashtu sikurse e këshillon edhe një atdhetar tjetër në qershor 1903 të lidhet me Aladron, në do botojë vëllimin e tij me vjersha patriotike. (Vepra 4, f. 136.)

[lxv]  Albania, tetor 1903, H, f. 157-158. Vëmë dukje këtu pragmatizmin e Konicës në shfrytëzimin e burimeve financiare, që do të jetë element i rëndësishëm edhe në botimin e romaneve të tij me pseudonimin Jean de Kroïa.

[lxvi] Po aty. Me këto tre “plane të mëdha”, Aladroja do arrinte kësisoj organizimin e shtetit të ri shqiptar!

[lxvii]          Albania, shkurt 1904, I, f. 39. Më pas, Konica me ironinë e tij të spikatur e zhvesh Aladron nga titulli “Princ Kastrioti” dhe përdor disa herë epitetin “njeriu Aladro”, duke e shoqëruar këtë epitet me shprehjet latine: Aut Cezar, aut nullus: (A[ose] mbret, a... bajgë); dhe Ad sceptrum per vinum (Te froni nëpër verë) - përkthimet shqip brenda kllapave janë të vetë Konicës. (Albania, maj 1906, X, f. 91).

[lxviii]          Po aty, f. 42.

[lxix] Shih Faik Konica dhe Guillaume Apollinaire, Një miqësi europiane, nga Luan Starova, Onufri, 2001, f. 52 (me përkthim të R. Përnaskës).

[lxx] Po aty. Me siguri, është Konica ai që i ka rrëfyer Apolinerit “legjendën e lindjes së Skënderbeut me shenjën e shpatës në krah” dhe Apolineri e ka tjerrë kaq bukur.

[lxxi] Albania, maj 1904, I, f. 102.

[lxxii]          Të dy quheshin “princ Kastrioti”, veçse dallimi bëhej thjesht në emrat e tyre: i pari, D. Giovani Kastrioti, Skënderbeu i Auletës, dhe i dyti, Don Juan Aladro Kastrioti, Skënderbeu i Ksereksit. Më pas ky i fundit e italianizoi emrin e tij, thotë Konica, dhe e bëri sipas modelit të Kastriotit të Auletës: Marchese Giovanni d’Aladro, dhe tjetri Marchese Giovanni d’Auletta. (Albania, 1909, vëll.12, f. 39).

[lxxiii]          Ky princ rumun me origjinë të lashtë shqiptare, mori përsipër të ndihmonte popullsinë e dëmtuar të Shkodrës me 10.000 franga subvencion, pas tërmetit që goditi zonën në fillim të vitit 1905, por që nuk i pagoi asnjëherë. (Albania, qershor 1905, vëll. IX, f. 128).

[lxxiv]          Konica është ndalur gjatë në këto aleanca, duke i goditur si aleanca joparimore, dëmtonin rëndë interesat e Shqipërisë.

[lxxv]           Stavro Skëndi, Kush e kërkonte fronin shqiptar? Revista Klan, nr. 197, 25 shkurt 2001, f. 23-27. E rëndësishme është të vihet këtu në dukje se zyrtarët austriakë më shumë i besonin analizave dhe komenteve objektive të të riut njëzet e gjashtë vjeçar Faik Konica që mbante lidhje të rregullta me baronin Goluchowski, ministër i punëve të jashtme të Austro-Hungarisë (1896-1905), se sa profkave të Aladros, edhe pse ky kish qenë diplomat karriere. Dy vjet më pas, në një letër të Konicës në korrik 1904, drejtuar një funksionari të lartë austriak vihet në dukje hipokrizia e Aladros në qëndrime: “Të gjithë bashkatdhetarët e mi, me të cilët kam ndërprerë lidhjet, si dhe me Aladron, kanë shprehur prirje kundërshtuese ndaj ndikimit austriak, dhe unë nuk doja kurrsesi të luaja një lojë të dyfishtë...” Vepra 4, f. 142.

[lxxvi]          Albania, shtator 1905, f. 164.

[lxxvii]         Albania, 1906, nr 7, f. 137.

[lxxviii]        Albania, 1907, nr.2, f. 28-29. Akuzat e relatuara nga ky numër i Albania-s: “1. A pati faj Z. Ivanaj duke shkruar se Aladroja ka bërë burg për vjedhje? Trupi gjykues u përgjigj: Po, dhe i prenë 300 korona gjobë. Në dhjetë akuzat e tjera, trupi gjykues u përgjigj se Z. Ivanaj ishte i pafajshëm, konkretisht: 2. Aladroja i ka falsifikuar dokumentet e gjenealogjisë së prindërve; 3. Nuk është Kastriot; 4. Nuk është shqiptar; 5. Nuk është kurrgjë (domethënë nuk mban asnjë titull); 6. Edhe të ishte shqiptar, do ta kishim cilësuar tradhtar; 7. Është spanjoll dhe gënjen që është Kastriotas; 8. Ne përpiqemi të shpëtojmë popullin shqiptar nga një tradhti e madhe; 9. Duhet të dalë në gjyq për mashtrim si trashëgimtar i fronit të Shqipërisë; 10. Duhet të dalë në gjyq mbi bazë faktesh për pretendimet e veta; është fodull e i poshtër.”

[lxxix]          Po aty, f. 29. Sipas studiuesit S. Skëndi, i ati i Aladros, Pedroja, ka qenë tregtar verërash, kurse asnjë e dhënë nuk është e njohur nga ana e së ëmës. (Studim i cituar).

[lxxx]           Lojë fjalësh e Konicës frëngjisht; pince-sans-rire: hokatar vetë nuk qesh.

[lxxxi]          Albania, 1909, XII, f. 39.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Faik Konica lartohet përmbi shablonizmat, dogmat dhe paragjykimet e së shkuarës Fotaq Andrea: Selenica - Madona e Arit të Zi Fotaq Andrea: Kasaphana ukrainase - Një realitet sipas 'enigmës' së François Rabelais Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: “Skënderbeu” i Gentile Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik Fotaq Andrea e Dritan Muka: Ikonografi skënderbegiane - Portretet origjinale të Heroit Kombëtar Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale... Fotaq Andrea: Shqipëria, vend i denjë për të qenë shtet perëndimor Fotaq Andrea: Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris Fotaq Andrea: Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom Fotaq Andrea: 19 vjet më parë, shuarja e një Njeriu të lartë fisnik, Jusuf Vrionit Fotaq Andrea: Hasan Prishtina - Një Shqipëri, pa shqiptarët e Kosovës do të ishte një trup pa shpirt Fotaq Andrea: Fillesë e një korrespondence të gjatë e të rregullt me Moikomin

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora