Kulturë
Zejnepe Alili - Rexhepi: Agim Mato - 'Fundo' dhe 'Jashtë eklipsit'
E enjte, 04.11.2021, 08:00 PM
DETI – POSTULAT FILOZOFIK I POETIT TË PRIVUAR NGA LIRIA E METAFORAVE
“Fundo”
dhe “Jashtë eklipsit” - Agim Mato
Nga
Prof. Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI
Të
njohësh poetin që udhëtonte i menduar në pritje të apostujve të lirisë
individuale, drejt sfondeve të lirisë kolektive, nënkupton të njihesh me
synimin e tij, për vizionin intelektual dhe emocionin e papërsëritshëm.
Agim
Mato, poet që vazhdon ta quajë Shqipërinë, ajo e “paëndërrta”, që u rri
përballë shtigjeve poetike e që nuk shkëputet dot nga miti sizifian… Poet, që
njohu kapërcimet e vështira nëpër një det të tërë sfidash, përmes përpëlitjeve
të pulëbardhës, kur pafundësisht e joshte liria! Ndonëse ai, gjatë këtij
trazimi, njohu rryma të fuqishme kritike.
Janë
dy vëllimet poetike: “Jashtë eklipsit” (2012) dhe “Fundo” (2012), në të cilat
poezitë si në një simfoni vargëzuar, përvijojnë kryqëzimin e heshtjes dhe
censurës. Në to, hasen plot imazhe asociacionesh filozofike, meditime e
refleksione të një lloji balade të heshtur, të cilën Atdheu e ngjiz në çdo pore
të qenies së poetit. E poeti, është bartës i metaforave që i mësyejnë një
rrugëtimi përndjekjesh e vuajtjesh, por që nuk reshtnin kurrë së shpërthyeri…!
Kur marim të drejtën të flasim mbi këto vepra, duhet të jemi të vëmendshëm edhe
mbi paradokset e realitetit historik të vendit, si perceptim i krijuesit mbi
referencat politiko - shoqërore e kulturore.
Dhe,
ato 30 vjet ndrydhjeje, heshtjeje..., poetit, veç me magjinë e këtij ishulli -
Atdhe, mund t’i rikthehej forca, pas shijes së hidhur nga mospërfillja,
tëhuajësimi emocional e njerëzor, e mbi të gjitha nga vdekshmëria e artit. Pas
aq shumë vitesh mohim, poeti i dalë jashtë eklipsit, e ndien se jeton! Atëherë,
vargëzime metaforash i vijnë si në ëndërr, gjatë zgjimit të madh. E
pabesueshme, por e përjetuar...!
E
ju lexues, me këtë rast, edhe po të përdorni ironinë si terapi, nuk e tejkaloni
dot shijen e hidhur të përndjekjes e internimit poetik të Matos. Në dukje, si
një legjendë e largët..., të të kthehet në karton e tërë puna disa vjeçare,
pikërisht atëherë kur krijuesi e pret me entuziazëm të papërshkrueshëm, daljen
në dritë të veprës. E pas kaq vitesh të trazuara, vetëm një gjë nuk e mposhti harresa
- frymëzimin e poetit.
Po
vallë, të jetë atdhedashuria kthellje për poetin, megjithëse të sfilitur ia
dorëzon frymëzimit në rikthim, pas aq kohësh të lodhshme, të papërshtatshme?!
Po ky varg, që të rëndon si shkëmb në shpirt: “Kam vënë në sprovë dashurinë për
ty dhe jam mundur nga mungesa jote” (47). Si një klithmë ngulfatëse që prej
kohësh kishte zërë vend në shpirtin e poetit, vargu shtjellohet më tej, kur të
përngjet në një “varrezë largësish fshehur në guvat e nëndetit/si një shishe e
vulosur që mban brenda/pergamenin e udhëtimeve që nuk i bëra!” (48).
Tërë
kjo, përjetohet si një shpërthim emocional poetik, dhe jo vetëm…!
Ai
është më se i vetëdijshëm, përderisa shpesh rikujton një thënie të F.
Dostojevski-t: “Arti dhe revolta nuk do të vdesin deri tek njeriu i fundit”. E
ndien pra, përplasjen me trishtimin dhe harenë qenësore, ligësinë dhe mirësinë
për mosrrënimin e artit. Për Maton, vetëm kjo është jetike…, përjetësia e
artit!
Si
ftillues i një realiteti të ri poetik, me kode cilësore të lashtësisë, veprat e
Matos, përjetohen si balans spektresh të gjera tematike nga e kaluara, që vijon
edhe në të sotmen. Kjo ndërlidhje kohërash, realizohet, jo vetëm si formë
intimizuese e unit lirik. Në të vërtetë, janë këto libra që të pasurojnë
mendjen dhe shpirtin, për gjatë kohë…!
A
kishte ideal Agim Mato?
Të
merrje mbi vete rrezikun, duke i qëndruar përballë mesazhit poetik, t’i qasesh
në mënyrë të veçantë jetës, si në një autopsi përkufizimesh mbi të, nënkupton,
të të rrëmbejë filozofia e njohur ndërgjegja përcakton qenien. Është e njëjta
gjë, si të dish të komunikosh përmes vargut, përmes artit të fjalës. Në të
qëndron edhe brishtësia e poetit, edhe rebelizmi i tij…, varësisht qasjes
shpirtërore dhe bagazhit kulturor që ka përkapur krijuesi ndër vite. Agim Mato
qe ndeshur me këtë prioritet.
Më
pas, natyrshëm pyetesh: a kishte ideal Agim Mato dhe a ndodh zhgënjimi ndaj
atij ideali, në qenien e tij?
Poezia
e tij është pasqyrim imagjinate apo vetë magjia e funddetit?
E
vështirë, për ta përcaktuar linjën ndarëse se kush, kë e paraprinë! Edhe po të
përdorësh metodën e së panjohurës së Frojd-it për zbërdhimin e simboleve...,
formula X dhe Y që do të jepnin një përshkrim mbi ngjarje e situata…, është
“Fundo” që të mbërthen, si vetë magjia e funddetit. Kjo vepër, krahasuar me
lirikë - guri, del lirikë - deti, lirikë për lirinë. Po vallë, si të emërohet
ideali i Matos, luzmë drite apo fikje shpresash?!
Në
të dy vëllimet poetike ndihet imagjinata, si proces psiqik, që vazhdoi të
riprodhonte të bukurën e jetës, artit, përfytyrimit ndryshe të së ardhmes, edhe
atëherë kur çdo gjë ishte e pamundur të funksiononte, si e këtillë. Dilema
është: a mbetet poezia e tij, në suaza të imagjinatës apo e tëra shpërthen si
një përvojë krijuese?!
Megjithatë,
poeti ynë, Mato, nuk do mbetej kurrë në suazat e krijimit të Pastërnak-ut,
sepse vepra e tij, realisht, është antiteza e veprës antipolitike të kohës. Ai,
nuk lejon kurrfarë kompromisi ideor, ndonëse në përmbajtje ruan një shije të
caktuar estetike.
Me
ndjeshmërinë e madhe ndaj gjuhës, do thosha një thesar i tërë fjalësh shqipe,
deri në perfeksion, poeti i zbërthen kodet, gjë për të cilën, ideologjizmi
komunist e mori në shënjestër, për të censuruar veprën e tij e për ta kthyer në
karton. Para dhembjes së poetit nuk mund të jesh pa ndjeshmëri, teksa në “Mia
culpa” shkruan: “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e
braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysëm,/duke kërkuar
arin e fshehur nëpër guva,/veglat e mia të punës,/të shpërndara pa kujdes në
çaste zemërimi me/perënditë…”. Dhembja e tij ka një emër, është pikërisht ai
“Hiri i ditirambeve” (9), kur “…dhe nën dritën e një qiriri/nisnin përsëri
ditirambet për tiranin/dhe përsëri hiri i letrave si hiri i kufomave u mbetej
në duar”.
Efektet
e tëhuajësimit në poezi vijnë si një procedim dialektik i ndërlidhur me ca fije
panteiste, duke vënë në fokus një ironizim të thellë metaforik përmes katrenës
nismëtare: “Liria kishte mërguar nga Franca”, për të vijuar më pas: “E
shoqëronte atë Hygoi i veshur tebdil/me emrin e një punëtori tipograf/në
pasaportën e tij të rreme”. Po kjo gjendje i rëndoi në shpirt poetit, më shumë
se gjithçka tjetër, dhe shkruan: “Sa herë që ulesha të shkruaja, tavolinën time
e brente një krimb…/…Ç’ishte ky sizmograf i ndjenjave të mia?/Ndërgjegja apo
censori im?” (11). Këto mesazhe poetike duhet pasur parasysh, meqë me të
krijohet një lloj imazhi mesazhesh të gjera realitetesh të reja e të
ndërthurura. Veçmas, kur poezitë i përkasin një periudhe të caktuar historike,
ato sajohen me anë të disa karakterizimeve.
Simbolika
që përshkon artin poetik të Matos, edhe më tej mbetet deti. Po cilat janë
fshehtësitë e detit…?
A
preku vargu i tij gjëra që s’preken apo censura ndaj tij erdhi si rezultat i
një fatkeqësie të urtisë?
I
fashitur nga dhembjet e Atdheut, poeti shfaq parandjenjën e tij, me anë të
pyetjes retorike: “Ç’tragjedi bëhet gati në kaltërsinë verbuese të Jonit?”
Shpërthimi i dhembjes derdhet mbi vargun: “Tanket derdhin gjakun e luleve”.
(18). Në këto vargje, çdo dihatje poetike do ndiente frymëzënien e poetit dhe
pulsimin e rënduar, kur trishtimi mban emrin e fatkeqësisë së Otrantos. Atë
çast, vargjet sajojnë vetëm numërimin: “algjebra e lulishteve,/gjeometria e
trotuareve,/Shtrirë përtokë shteti”, në përshkrimin e poezisë “Gjaku i luleve”
(17-18), e cila mban datën e shënuar - Sarandë, 1997.
Saranda,
vendlindja e poetit, s’është e rëndomtë, por vetë thesari kombëtar e njerëzor,
para të cilit edhe përmbytja zbrapset, megjithëse ka çaste kur dëshpërimi
poetik përvijon nostalgjinë për braktisjen e Perëndive pagane. Për analogji
frymëzimi, vë përballë poezinë “Jon” (11-13), nga “Fundo” dhe ”Nga kush kishe
frikë, o Zot”, nga “Jashtë eklipsit”, ku përshkrimi i një stili konciz e
eliptik, qasjet stilistiko - strukturore sajojnë pothuajse një simfoni të
qarash, mbi braktisjen e liqenit Pelod, tronditur nën “Sezamin e bukurive”. Nga
thellësitë e shpirtit ndihet rrënkimi: “O Zot, si nuk u gjende pranë nesh, në
ato dimra/të mërive të mëdha? (“Fundo”, 29) dhe “Kush jam unë?/Si më braktisën
kështu perënditë pagane/dhe më lanë të vetëm në mes të sirenave/që fillojnë të
mbushin/radhët e koreve jonike të polifonisë?” (“Jashtë eklipsit”, 13).
Sikurse
librin “Jashtë eklipsit”, ashtu edhe “Fundo” e përshkon “Një botë e tërë
fanepsjesh”, me ecjet e rënduara mbi mitet e përgjumura të Butrintit e Jonit.
Nganjëherë, poeti i frymëzimeve të detit ndihet i trishtuar dhe ia beson sekretin e trishtimit
një albatrosi që i përshkon pafundësitë qiellore… “Pres të iki nga ky trup…”,
megjithëse në thellësinë e shpirtit pret, mos ndoshta e gjen “…dhe poçin e një
dritëze të shuar nga stuhitë” (14 - 15). Dhe pritja…, ah pritja për një çikëz
liri, është vrasja e poetit!
Poezia
e Matos brenda një Panteoni librash metaforik
Të
sigurosh ekzistencën letrare për një vepër vlerash të mirëfillta, nuk është
fare e lehtë, veçmas në nënqiellin tonë, ku kritika letrare është e
pakonsoliduar akoma dhe joreale në qëndrimin, kundrejt krijuesit. Në këto
përkufizime letrare, rri zgjuar frymëzimi dhe pritshmëria e poetit…, as ëndrrat
e tij nuk janë fanitje! Bindshëm, ai kërkon vlerat njerëzore, vetë njeriun,
pandaj në një varg shkruan: “I dal Noes përpara dhe marr në dorëzim listën/me
të gjitha speciet e tokës/që mbarti në arkën e tij/, në poezinë: “Përmbytja
zmbrapset” (11) Kjo pra, nuk është vetëm përpjekje intelektuale, por edhe
obligim i përditësuar i ruajtjes së vlerave të shkruara kombëtare, përkapur nga
përjetimi i një poeti…, dhe poeti është shpirti i kombit.
Komparacioni
i tillë, për disa çaste na shpie në Weltliteratur, panteonin e veprave të
mëdha, të konsideruara si pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit, pavarësisht
gjuhës, në të cilën janë shkruar. Përderisa, poeti bën një zografisje nëpër
Atdheun e kujtimeve, sado të gërvishtura
të fëmijërisë, dhembja nuk i shmanget, prandaj shkruan: “Erdhe vonë hyjnia
ime/Nga pritja e gjatë e modelova shtatoren tënde” (22).
Në
këtë sfidë, një gjë nuk e lë që të dorëzohet, pikërisht dëshira e fundit e një
kapedani plak, e trajtuar mrekullisht tek “Dita e fundit e kapedanit plak”
(51), në të cilën ai i përmbush ditët e zijosura të sakrificës vetanake, në
trajtë betejash të njëpasnjëshme për të rikthyer dinjitetin! Detari plak i
Jonit të papushtueshëm, është sozia e detarit Santiago (“Plaku dhe deti” - E.
Heminguej), për të cilin sfida e jetës për të ndjerë ripërtërirjen, krenarinë,
suksesin, madhështinë…, është njëlloj
sikur që: “Mbush një grusht me guaska deti” (55). Mirëpo, kapedani nuk ka kohë
dhe dorëzohet i pakënaqur përpara dallgëve të trazuara, si te poezia “Varrimi i
kapedanit” (52)…, e me përgjërim në buzë, pëshpërit: nuk dua të ndiej
përbuzjen. Asgjë në këtë degdisje ndërgjegjesh, nuk e trondit më shumë se
përbuzja, nuk e shpërfill më shumë se rrethanat, po kjo ndoshta, është lidhja
me jetën, tokësoren, dinjitetin…, që e përafron kah e përjetshmja! Poezia e A.
Matos është sendërtim vlerash të thella, andaj me atë dozë filozofish
sokratike, vargjet do të udhëtojnë gjatë në kohë!