E marte, 21.09.2021, 12:58 PM (GMT+1)

Kryeshkrim » Shkreli

Frank Shkreli: Rëndësia e 4 Korrikut për amerikanët dhe për botën`

E shtune, 03.07.2021, 07:30 PM


RËNDËSIA E VËRTETË E KATËR KORRIKUT PËR AMERIKANËT DHE PËR BOTËN

Nga Frank Shkreli

Çdo vit me 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) festojnë Ditën e Pavarësisë.  Sivjet, 4 Korriku shënon 245-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së SHBA nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë e tyre nga qeverisja britanike.  Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është njëri ndër dokumentet - ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë - që përcaktoi jo vetëm fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, nga mbreti ose pushteti cilido qoftë ai dhe si të tilla, ato mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas deshirës e qejfit të qeverisë, regjimit, despotit ose mbretit, pasi sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.  Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat, personit dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vet Krijuesi.  Në frazën ndoshta më të famëshme tani të nxjerrë nga teksti i Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se, ''Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta, se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë.''

Mesazhi kryesor i kësaj dite -- si për Amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës --është se këto mund të jenë fjalët më të rëndësishme në historinë e njerëzimit - se Perëndia dhe natyra dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti - jo vetëm amerikanëve por të gjithë njerëzëve kudo, ua ka falur këto të drejta themelore dhe të pamohueshme për të gjithë njerëzit kudo në botë.  Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t'u shërbyer njerëzve duke mbrojtur të drejtat e tyre natyrore dhe duke I zbatuar ato në mbështetje të qytetarëve.

Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 245 vjetë më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni të këtij kontinenti praktikohej skllavëria, ndërsa gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë. Ndërkohë, fatkeqësisht, indiano-amerikanët vendas u detyruan nga kolonët e ri të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë këtij vendi.

Por ç'prej nënshkrimit të këtij akti dramatik para pothuaj dy shekuj e gjysëm më parë, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, por prapseparapë ekziston vetdija se mbetet shumë për t'u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Përëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo të shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit.

Liria, që sot konsiderohet në pjesën më të madhe të botës si e drejtë e  e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore si një e drejtë e pamohueshme më 4 Korrik 1776, me shpalljen e Pavarësisë së Shteve të Bashkuara.  Ideja se njerëzit duhet të gëzojnë këto të drejta të pamohueshme, të akorduara nga Përendia dhe jo nga ndonjë pushtet i kësaj bote, ose mbret a diktator i vet shpallur, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e ''qytetëruar'', madje edhe sot Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë në shumë pjesë të botës, nga diktatorë e regjime shtypëse por edhe nga individë, të cilët mendojnë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që ata i rregullojnë sipas dëshirës dhe vullnetit të vet.  Ata i urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të dalur nga Shpallja e Pavarësisë së Amerikës, më 4 Korrik 1776, për faktin se është e drejta e çdo populli kudo e në çdo vend të ndryshojë regjimin ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër që do të mbrojë këto të drejta e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anë e mbanë botës. Ky është një mesazh edhe për Shqiupolrisë due prël Kosovën due për të gjithë shqipotarët kudo -- në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëshpënieve shqiptaro-amerikane.   Ky pra është edhe mesazhi i kësaj dite amerikane edhe për popujt kudo të cilët vlerësojnë  lirinë, pavarësinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët!  Për të siguruar se këto të drejta do të ishin gur-themeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat garantojnë liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit, si edhe shtesa të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshëme nga  shteti dhe qeveritë autoritare.  Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të Pavarësisë Amerikane, ka thënë se "Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të kufizuar të drejtat e popullit por është një instrument i popullit për të kufizuar veprimtarinë e qeverisë, për ndryshe, ajo do të dominonte jetën dhe të drejtat tona''.

Është me vend që këto vlera e të drejta të pamohueshme të njeriut të festohen sot në në këtë përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, por është gjithashtu e arsyeshme që këjo ngjarje historike të kujtohet edhe nga popujt anë e mbanë botës, pasi këto parime të mishëruara në Shpalljen e Pavarësisë Amerikane, pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë vendeve dhe çka është më e rendësishme janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.   Le të jetë pra edhe ky 4 Korrik një festim i garancisë së të drejtave të njeriut, jo vetëm për çdo shtetas amerikan kudo, por të kujtohet gjithashtu edhe nga mbarë bota që beson në këto vlera të lirsë, demokracisë dhe pavarësisë, e cila nga këjo ditë e shënuar patriotike amerikane mund të mësojë se sipas Mark Twain, ''Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë vetëm kur ajo e meriton të mbështetet''.

As në këtë prëvjetor të Pavraësisë së saj, Amerika nuk është një shtet as qeverei e përsosur! Si e tillë, megjithë të metat dhe mos-kënaqësitë që shprehen nga koha në koha – edhe sot 245 vjetë pas Shpalljes së Pavarësisë së sajë, Amerika mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anë e mbanë botës.  Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës due në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora