E enjte, 31.10.2024, 11:40 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Një dëshmi interesante nga gazeta britanike në pranverën e vitit 1903

E diele, 06.06.2021, 09:00 AM


Blerim Latifi:

Një dëshmi interesante nga gazeta britanike në pranverën e vitit 1903

The Illustrated London News, revista e parë politike e ilustruar në botë, në prill të vitit 1903, kishte botuar një artikull me titull “Ataku i Mitrovicës”. Në artikull, duke iu referuar korrespondentit të Reuters-it në Stamboll, tregohet se si bajraktari i Prekazit, Ahmet Delia, kishte mobilizuar 5000 njerëz për të kundërshtuar me armë vendosjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Autoritetet osmane e kishin dërguar Mullahun e Prishtinës dhe Xhemail Obrinë që ta bindnin Ahmet Delinë për të hequr dorë nga rebelimi i tij, por kishin dështuar. Ahmet Delia me trupat e tij e kishin sulmuar kajmekamin e Vushtrrisë, i cili kishte futur dhjetëra serbë në rradhët e xhandamarisë së qytetit dhe më pas edhe Mitrovicën, ku pas disa ditësh luftimesh kishte mbetur i vrarë edhe vetë konsulli rus. The Illustrated London News shkruan se gjatë këtyre luftimeve ishin vrarë mbi 150 shqiptarë.

________

Mendohet se Lenini e ka shpikë termin "idiotët e dobishëm", për t'i përshkruar njerëzit naivë që përdoren për ta çu përpara një agjendë, për të cilën ata nuk janë të vetëdijshëm dhe rëndom do ta kundërshtonin. Të tillët mendojnë se po i shërbejnë një kauze të drejtë, ndërsa me veprimet e deklaratat e tyre çojnë ujë në mullinj të kauzave të tjera. Qe një shembull: Serbia gjithmonë e ka në agjendë denigrimin e UÇK-së, paraqitjen e saj si një organizatë kriminale e terroriste dhe rrjedhimisht edhe shkatërrimin e imazhit të saj si një lëvizje çlirimtare. Në këtë rast useful idiots janë të gjithë ata shqiptarë që në një mënyrë a tjetër i ndihmojnë këtij qëllimi, pa qenë të vetëdijshëm për të. Fatkeqësisht një përdorim të tillë janë duke ia bërë ministres tonë të jashtme dhe deklaratave të saj.Intervista e saj e fundit për një gazetë zvicerane proserbe është rast tipik i këtij përdorimi.

________

Nga filozofia e paraditës

Max Weber, sociologu i famshëm gjerman, në esenë e tij "Politika si profesion", aty ku flet për partitë, i ka disa paragrafë legjendarë për karakterin e militantëve.

Ja dy prej tyre:

1.Ndjekësit mund të shfrytëzohen nga lideri vetëm për sa kohë që një pjesë e tyre frymëzohen nga një besim i sinqertë në personin dhe çështjen e tij. Ky besim, edhe kur është subjektivisht i sinqertë, në shumë raste nuk është asgjë më shumë sesa ligjërim moral i dëshirave për hakmarrje, pushtet, para dhe përfitime.

2. Pasi marrin pushtetin ndjekësit e liderit zakonisht degradojnë me lehtësi në një shtresë të rëndomtë zhvatësish. Kush do që të angazhohet në politikë...duhet të kuptojë këto paradokse morale.

________

Nga filozofia e pasditës

Shoqëria kosovare është një shoqëri thellësisht fisnore.Lidhjet e gjakut janë lidhjet më të forta dhe më të rëndësishme në të cilat individi i kësaj shoqërie e kalon pjesën më të madhe të jetës së tij.Ky fakt sociologjik e bën pothuajse të pashmangshëm nepotizimin. Shikoni elitën komuniste e cila ka qeverisur Kosovën nga viti 1945 deri në vitin 1989: e gjitha është e strukturuar sipas lidhjeve farefisnore. Partitë e pasluftës e patën vazhduar të njëjtin avaz. Me gjasë edhe Vetëvendosje është nisur në të njëjtën rrugë. Krejt kjo më kujton Adam Bellow-in, i cili në librin e tij shumë të debatueshëm "Lavdërimi i nepotizmit" argumenton se nepotizmi, përdorimi i pushtetit për t'i favorizuar të afërmit farefisnorë, nuk është as konstrukt kulturor, as invencion human, por, parasegjithash, një e dhënë e fortë biologjike, të cilën njerëzit e kanë të përbashkët me kafshët. Të gjitha trajtat humane të nepotizmit e kanë zanafillën në nepotizmin shtazor, ndërsa më i afërti me këtë nepotizëm është nepotizmi tribal, nepotizmi i farefisit. Dhe e vetmja shoqëri e cila deri me tani ia ka dalë, deri diku, ta zbus këtë prirje biologjike të njeriut, është shoqëria individualiste perëndimore.

________

Si shpjegohet pagjakësia, përgjumja dhe pasiviteti politik i PDK-së?

Qe një arsye madhore: Pjesa dërmuese e atyre që sot i kanë pozitat e rëndësishme në PDK, nuk i kanë ato pozita si rezultat i punës së tyre individuale, por si dhurata politike nga liderët e partisë. Të veshur me pushtet në këtë mënyrë, ata nuk janë të aftë për beteja të mëdha politike, kështu që janë barrikaduar në pozicionet e dhuruara, në pritje të kthimit të liderëve nga Haga, kthim të cilin e mendojnë si ripërtrirje të dhuratave. Ky është thelbi i kotjes, i përgjumjes së tyre politike.

________

Radovan Karaxhiçi ishte shkolluar për psikiatri, por nga shërues i mendjeve, u shndërrua në lider të mizorive më të tmerrshme që ka shpikur mendja njerëzore. Ishte madje edhe poet, por me të njëjtin laps me të cilin shkruante vargje, nënshkruante edhe planet për genocidin në Bosnjë. Sot lexova se dënimin e përjetshëm tani qenka duke e kaluar në një burg britanik bashkë me kriminelë të dënuar për dhunime e pedofili. Një fund absolutisht i merituar për njërin prej përbindëshave më të mëdhenj të shovinizmit serb.

________

Ja një problem konkret të cilit asnjë kryetar i Prishtinës nuk diti kurrë t'i japë zgjidhje. Qentë e uritur endacakë vazhdojnë të popullojnë masivisht çdo rrugë të Prishtinës, duke u kthyer në simbolin unik të qeverisjeve të dështuara të saj.

________

Historia nuk përsëritet vetëm për të keq, por edhe për të mirë! Durrësi, ky port i ëndërruar prej të gjitha perandorive që luftonin për Mesdhun gjatë shekujve, nuk ka përjetuar një zbarkim të tillë kaq proshqiptar, që nga koha e Skëndebeut kur flota veneciane e napolitane i vinin në ndihmë atij në luftën titanike për lirinë e Shqipërisë.

________

Sot paska qenë dita e luftës kundër duhanit, i cili, padyshim, përbën njërën nga shprehitë më të dëshme që mund të ketë njeriu në jetën e tij. Duket si një shprehi që kur rrënjoset, vështirë është të hiqet qafesh. Dhe kjo më së miri shihet në faktin se një pjesë shumë e madhe e njerëzve, edhe pse i njohin efektet katastrofale të duhanit, përsëri vazhdojnë ta kontaminojnë veten dhe të tjerët me të. Fatkeqësisht edhe unë bëj pjesë në bashkësinë e tyre. Këtë shprehi të keqe e kam trashëgimi nga lufta. Para saj, si fëmi, e më pas edhe si adoleshent, kam ndezur herë pas here ndonjë cigare, por shprehia m'u bë normë ditore gjatë ditëve të Koshares. Djemtë e logjistikës që na sillnin ushqimin në vijën e frontit, bashkë me konservat ushqimore, na sillnin edhe pako me cigare, madje në sasi të bollshme. Kanë qenë dy llojesh : Karelia dhe Cooper. E para prodhim grek, e dyta prodhim britanik, më duket. Një natë, në pakujdesi e sipër, e pata shpuar me cigare thesin ushtarak në të cilin flija për t'u mbrojtur nga të ftohtit e natës dhe nga kafshimi i ndonjë gjarpëri që mund t'i binte rruga aty pari.Të nesërmen shoku im i afërt Xhelal Abazi, nga Hasanbegu i Shkupit, kur e pa vrimën, nisi të bënte humor të zi me mua: Prekaz, më tha, kjo vrimë osht shej e keqe, paralajmërim se do të shpohet prapë! Sigurisht humori i tij i zi kishte parasysh shpimin nga plumbat. Fatmirësisht parashikimi i Xhelalit doli krejtësisht i gabuar.

________

Pamje e Lagjës Jashari nga kopshti i shtëpisë time

Stinët ia lënë vendin njëra tjetrës,

E çdo gjë ndryshon mbi këtë dhe.

Nuk ndryshon veç kujtimi për ata,

Që zgjodhën vdekjen për Atdhe.

________

Qe edhe njani snajperist para 22 viteve!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora