E premte, 26.04.2024, 09:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Pse “po” paskajorja në standardin e shqipes së natyrshme (11)

E diele, 25.04.2021, 07:25 PM


Dr. Nuhi Veselaj

PËRFUNDIME TË  PUNIMIT:

PSE “PO” PASKAJORJA NË STANDARDIN E SHQIPES SË NATYRSHME

Mos me fajsue pasqyren për surratet tona dijevraja

Në këtë Përfundim punimi do të përqendrohemi jo aq në vazhdim-diskutime për ndriçim-shpjegimin e filluar para afro 40 vitesh rreth nevojës apo jo të rikthimit të paskajores në standardin e shqipes, por tani fokusohemi nergut për zbatim-përmbarimin e domosdoshëm, pa një pa dy, të saj në standard. Gjithsesi, në këtë përfundim punimi do të ritheksojmë disa të veçanta sirisime që në punimet e mëparshme nuk janë dalluar aq dukshëm apo nuk janë trajtuara fare.

Fillimisht rikujtojmë se që në ballinë të këtij kreu në Përshëndetje lexuesit të nderuar dhe në Hyrje pas Tryezës së lëndës nën titullin Paskajorja feniks i ringjallur ndaj standardit të shqipes së natyrshme dhamë me kuptue se Paskajorja e mirëfilltë e gjuhës shqipe nuk ka pse të maltretohet edhe më pa kuptim rreth ndonjë dileme po a jo në standard, por ajo menjëhershmërisht duhet ta përjetojë zbatim-përmbarimin në standard në mënyrë normale, prandaj sotpërsot nënkuptueshëm merret sidetyrë me pëlqim sovrani që standardologët - gjuhëtarë e intelektualë, të  angazhohen që paskajorja e mirëfilltë të futete në standard dhe si një mëlmesë relaksuese, sipas mase dhe rase, duhet të gjejë vend në të gjitha stilet funksionale të ligjërimit shqip,  jo vetëm në gjuhën e folur të të gjitha shtresave shoqërore, por edhe në atë të shkruar, natyrisht programisht  duhet të kultivohet në tërë rrjetin shoqëror edukativo-mësimor tek të gjitha grupmoshat, duke filluar nga çerdhet parashkollore edukative e në vazhdim, në të dy vijat: hozizontale e vertikale.

Kjo kërkesë jonë edhe pse duket e shprehur si me njëfarë prepotence me fjalë sibombastike nuk duhet kuptuar ashtu, madje as si një detyrim administrativ, por si një sidetyrim moral i vullnetshëm, ashtu siç e patëm pranuar e përvetësuar ne, me entuziazëm të paparë. pranim-zbatimin e njëzimit të gjuhës së përbashkët letrare kombëtare në Konsultën gjuhësore të Prishtinës 1968, ashtu si e pritëm edhe Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit 1972, kur vërtet, edhe pse në kushte jo aq normale dhe jo i plotë, standardi  u shpall gjuhë e njëzuar letrare kombëtare, e cila është në funksion e sipër, mirëpo për arsye që tashmë dihen ajo bazë u tregua jo e plotë, sepse i mungonte natyrshmëria e gjuhës gjithkombëtare, i mungonte ndër të tjera nga trashëgimia, edhe paskajorja e mirëfilltë, e cila vjen e ringjallur me forcën e arsyes si një feniks i rilindur me mundësi që tashemenjëherë t’i rikthehet standardit. Këtë rikthim të menjëhershëm në vendin e vet ia jep e drejta, ngase prej andej ishte përjashtuar allapartizançe nga kallash-veprimtarët e monizmit, të cilët shërbeheshim kryesisht me parimin primar: lufta e klasave,  që me forcë revolucionale ta përformonin standardin mbi bazë toskërishte, duke pasur  siurdhërshembëllimi gjuhën burokrate  pretoriane.

Me thënë të drejtën, ky rikthim i tashëm i paskajores në standardë ka pasur mundësi të bëhej fill pas rënies së monizmit po ajo nuk ndodhi për shkak të vrajave të ngulitura në mendjen e ndërgjegjen e disa standadistëve kryesisht nga Qendra, të cilët ende nuk ishin esëlluar nga pija e disa sukseseve të standardit pretorian burokratik edhe pse ishin të arritura kryesisht me fryrje allapartizançe. Ndërkohë shpresa u rishtua për këtë rikthim me themelimin e Këshillit ndërakademik Tiranë-Prishtinë, ngase besohej se akademikët tanë mirëkuptimisht, fare lehtë dhe shpejt, do të merreshin vesh për ta ndrequr avarinë që zhguli shtyllën kryesore të standardit paskajoren, ngase besohej, siç pati deklaruar prof. E. Likaj, se pas marrëveshjeve të arritura nga ky Këshill, do të hartohet një “draftvendim”, në bazë të të cilit vendimet e marra do të jenë të barasvlershme me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit  1972”, por mjerisht  kjo jo vetëm nuk ndodhi, po në vend që të ndreqej kjo avari “nyje gardiane”, këtu ngeci bashkëpëlqimi, ngase sipas prof. Mehmet Çelikut, pikërisht pika “integrimi i paskajores gege në standard ishte tema më e diskutueshme, çka ka sjellë përçarje". Ne nuk dimë  se me fajin e kujt ndodhi shkapërdarja e këtij Këshilli Ndërakademik, por e dimë se përgjegjësia bie te dikush, ngase pikërisht kjo ngecje u bë shkak që zgjidhja e paskajores në standard që është domosdo detyrimisht të përdorë vetëgjyqësi, e cila nënkuptueshëm dihet se po bëhet jo  pa pëlqimin e sovranit, por që është njëherazi  si dëshirë e bime nga shumica shqipfolëse, zëri buçitës i së cilës veç ka dalë në horizant, si:

kush është ai, ku e ka marrë atë të drejtë dhe atë autorizim ligjor e shkencor që fëmijët

dhe brezat tanë t’i dëmtojë  edhe më, siç ka ngjarë mbi 50 vite në monizëm, duke i ushqyer, edukuar dhe arsimuar mbrapsht e gabimisht me gjuhën tonë amtare jo të plotë !?...

vërejtje si këto, që janë theksuar nga dhjeta  e dhjetra  studiues e intelektualë shqiptarë e të huaj (Shih ndër të tjera edhe librin Drejt standardizimit ... , Prishinë 2015), ashtu siç bënë e po bëjnë dhe shumë të tjerë e tash së voni dhe studiuesit si Aureol Plasari, Elena Kosaqi. Ina Arapi e të tjerë.

Sidoqoftë, janë dy kritere  që pos tjerash nga standaistët e monizmit nuk ishin marrë parasysh nga hartuesit e standardit në periudhën moniste  lidhur me paskajoren:

së pari është kuptueshmëria nga masa për të cilën hartohet standardi dhe

së dyti,  është përfshirja e vlerave  të gjuhës  së natyrshme globale në standard,

andaj në këto përfundime të punimit po rikujtojmë që teksti i arsyetim-ekzekutimit të jetë sa më i kuptueshëm në mënyrë që kjo avari gangrenëse e shkaktuar nga përjashtimi i paskajores nga standardi, e cila ishte e kuptueshme nga masa dhe ishte vlerë e jashtëzakonshme, të ndreqet menjëhershmërisht duke e rikthyer paskajoren në standard, si tretman i domosdoshëm shërues  për shqipen e natyrshme, së këndejmi, në këtë Përfundim do të spikasim sa është e mundur vetëm disa nga të veçantat sipas titujve të tekstit përkatës hyrës dhe të dhjetë krerëve, por me një ndryshim atraktiv praktik: motot shoqëruese të titujve bëhen tituj, ndërsa titujt bëhen pjesë e tekstit sqarues.

1. Të gjithë njerëzit vdesin po bota s’mbetet e shkretë:

Gjuha, Mëmëdheu mbesin të patundura për jetë

Kështu shkroi Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe, atëherë kur memëdhenë e kishte të  pushtuar dhe gjuha shqipe ishte e pa përpunuar shkollarisht. Gjithsesi ai e dinte se duhej luftuar me mish e shpirt për gjuhën, madje edhe me sakrifikue gjithçka për memëdhenë. Në të vërtetë këtë moto si betim hipokrati e kam respektuar, sipas kaçikut tim, gjatë gjithë jetës e veprimtarisë sime, ngase si atëherë si përherë  duhej e duhet luftuar  për gjuhë shkrimi, përpunimin e saj, e cila do të shërbente si atëherë si sot si armë e zgjimit dhe e qenies kombëtare dhe vulë e kufijve gjeografikë për mëmëdhenë e përdëshiruar, prandaj si Naimi vepruan të gjithë rilindësit  e vërtetë për kultivimin, mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe.

Dhe vërtet gjuha e jetësoi kombin  atëherë, e jetëson edhe sot edhe gjithsesi do ta jetësojë të plotë tërë gjeografinë shqifolëse pa marrë parasysh kufijtë e sotëm. Këtë e garanton kultura e sotme e demokracisë europiane dhe kjo me këqyrë hollë e hollë bashkimi i shqiptarëve është në interesin e Ballkanit dhe të Europës. Kështu dihet qartë se deri sa të ekzistojë gjuha shqipe në familje me vullnetin dhe  kujtesën historike shqiptarie, hapësira e tillë gjeografike nuk mund të quhet e paatdhe, edhe në qoftë momentalisht e mbërthyer nën prangat e robërisë. Së këndejmi, sot e në të ardhmen jo vetëm shpresa, por edhe realiteti shqiptar do të ketë ardhmeni gjithnjë e më të gjallë, më përjetësuese e të ndritur në gjakimin e përbashkimit jo vetëm shpirtëror e gjuhësor. Së këtejmi kuptohet sot mesazhi përgjithësues që shprehet me moton naimiane. Mirëpo, meqë ky punim i kushtohet kryesisht vetëm një segmenti të gjuhës kombëtare, i kushtohet paskajores së gjuhës shqipe, e cila ishte e privuar nga e drejta sharllatanisht në kohë të monizmit, andaj ne bashkohemi me ata që kërkojnë rehabilitimin e saj menjëhershmërisht. Në të vërtetë, ne që në Përshëndetje lexuesit dhe në Hyrje pas Tryezës së lëndës nën titullin Paskajorja feniks i ringjallur ndaj standardit të shqipes së natyrshme dhamë me kuptue se Paskajorja e mirëfilltë e gjuhës shqipe nuk ka pse të maltretohet edhe më me diskutime, ngreh e mos këput, po ajo duhet ta përjetojë zbatim-përmbarimin në standard menjëhershmërisht, prandaj, siç ceket aty, qëllimi i këtij punimi është edhe që të ndihmohen veç të tjerëve edhe gjuhëtarët-standardologë që ende janë të hutuar por jo të humbur nga jehona e propagandës së kohës së monizmit se gjoja normën mbi bazë toskërishte, e kemi të përkryer, vetëm duhet të mësohet e të zbatohet dhese ajo me të drejtë nuk e qas paskajoren gege, të gjykuar jo pa të drejtë për vdekje asgjësim që nga Partizania, nga Kongresi, gramatikat etj., demagogji kjo që tashmë doli e sklluqur, prandaj thirren standologët e intelektualët e sotëm edhe të gjithë intelektualët e hutuar, sepse pikërisht ata e kanë për detyrë që së bashku me të tjerë  të angazhohen për legalizimin dhe përdorimin e kësaj mëlmese gjuhësore në të gjitha stilet funksionale, aq më tepër që ajo të zërë vendin e vet të merituar në tekst-bazat e standardit, siç janë gramatika, drejtshkrimi e fjalori normativ, por njëherazi pasi për një kohë të gjatë qëndronte e eliminuar, duhet ndihmuar  përdorimi e kultivimi i saj si në gjuhën e folur ashtu edhe në atë të shkruar që mos të bëhen teprime. S’do mend që ky punim është shkruar, pra, edhe për të ndihmuar edhe individët e çorientuar, ngase kjo është në interesin  e secilit, në interesin gjuhës shqipe edhe të mëmemdheut, për çka duhet punuar e luftuar, siç e shtronte si amanet edhe, Bilbili i gjuhës shqipe.

2. Amanet i lashtë shqipen me dashtë

Motoja Amanet i lashtë shqipen me dashtë që e shoqëron titullin e kreut të parë: Prania e paskajores së mirëfilltë në shqipen globale para Rilindjes sonë Kombëtare, na kujton të vërtetën se përherë kjo dëshirë-porosi si amanet intuitivisht në rutinë ka qenë e pranishme si obligim atavik që të trashëgohet gjuha me disa zakone me tipare të veçanta shqiptarie dhe si e tillë të përcillet si amanet brez pas brezi. Kështu duam ta kuptojmë dhe amanetin nga përmbajtja e këtij kreu lidhur me paskajoren, trajtimi i së cilës në këtë krye ndahet në dy pjesë: në pjesën e parë sillen shembuj me paskajore nga periudha antike iliro-pellazge, ndërsa në pjesën e dytë të këtij kreu trajtohet paskajorja nga gjuha e shkrimtarëve tanë të vjetër, kryesisht gegë pararilindës.

Duke falenderuar studiuesit tanë iliro-pellazgologë, të cilët gjatë gjurmimit të periudhës antike para  mija shekujsh gjetën shembuj të shqipes së lashtëtë dhe ndër të tjera identifikuan edhe forma të paskajores së mirëfilltë. Ne në këtë pjesë shënuam disa shembuj nga hulumtimet e tilla të nxjerra nga veprat e Homerit që identifikohen lehtë, qoftë si pjesore, qoftë si paskajore të mirëfillta. Me fjalë të tjera, e veçanta e pjesës së parë të këtij kreu që u mungon veprave të tjera, janë pikërisht shembujt hipotetikë me paskajoren e mirëfilltë me+pjesore të identifikuar që nga periudha antike, formë kjo që në gjuhën shkrimtarëve tanë të vjetër gegë del shumë prodhimtare.

Madje, po lidhur me paskajoren si tipar i veçantë që duhet spikatur si veçori e gjuhës së shkrimtarëve të vjetër gegë është se kjo paskajore identifikohet dy trajtash: paskajore me+pjesore të shkurtë në më pak raste dhe paskajore me +pjesore të zgjeruar më me shumë shembuj. Mirëpo, vlen të theksohen gjithashtu si diçka e veçantë që ka të bëjë me dy kryedialektet e shqipes se sipas konstatimeve të disa studiuesve, por edhe sipas nesh, mbështetur në forcën e logjikës, nisur nga realitetit ekzistues, paskajorja me pjesore të shkurtë konsiderohet krijim më i hershëm se paskajorja me pjesore të zgjeruar, dhe kjo kuptohet lehtë nga fakti se pikërisht kjo trajtë (e shkurta) do të ketë qenë e përbashkët për të dyja dialektet dhe kjo ilustrohet në punimin tonë me formimin e tre tipa emrash të hershëm me prapashtesim, siç janë: a) emrat kryesisht abstraktë me prapashtesë-fundoren -Ë, tipi sosë, vrajë, pushojë etj.;  b) emrat e veprimit me –IM/-JE, tipi punim, matje dhe c) emrat e  vepuesit më  –S, tipi punues, mihës etj. që si përftime shumë të hershme para rotacizmit, ngase identifikohen në të dy dialekt gege e toske,  ndërsa paskajorja  me pjesore të zgjeruar duhet të jetë përftim më i ri, kur zë e preket pjesa jugore e gegnishtes - toskërishtja nga rotacizmi, dhe kjo vërtetohet lehtë nga krahasimi i fundoreve prapashtesë-mbaresa të paskajores së zgjeruar, që në gegnishte ishte –N, ndërsa  në toskërishte del –R, (N-ja e rotacizua në –R) dhe kështu i ndeshim të ndarë sipas mbarës-prapashtesave dialektore  formimin  e mbiemrave dhe disa emrave të paranyjëzuar si: i punuen/i punuem  të punuent /të punuemit, i matun, të matunit në gegnishte ndaj i  punuar të punuarit, i matur,  të maturit në toskërishte.

Së këndejmi, siç po shihet që në atë periudhë ndodhi ndryshimi mjaft i madh mes këtyre dialekteve, kur si po shihet toskërishtes së rotacizuar i mungon pjesorja e shkurtë, të cilën e kishte ndërsa banonte  në shtëpinë e  përbashkët  me gegnishten.

3. Me pa më larg nuk mjaftojnë sall sytë e ballit

Kjo moto: Me pa më larg nuk mjaftojnë sall sytë e ballit që e shoqëron titullin e kreut të dytë: Shqipja e “përzier”e rilindjes deri te standardizimi gjatë periudhës së pavarësisë mbi bazë të gegnishtes me paskajoren e mirëfilltë në themel, na kujton largpamësinë e rilindësve tanë, të cilët panë edhe me sytë e mendjes. Edhe pse atdheu atëherë ishte i pushtuar  afro 500 vjet, ata vërtet panë më larg mençurisht dhe arritën ta përlindnin kombin me anë të gjuhës.  Pa marrë parasysh faktin se jetonin nën ndikimin e kulturës së Lindjes, dhe shumica ishin islamizuar, ata duke u orientuar me sytë e mendjes, morën  model zhvillimin  politiko-shoqëror të Perëndimit dhegjithandej e hartuan programin e veprimit rreth kauzes të zgjimit kombëtar. Kështu shfrytëzuan të dyja kulturat dhe arritën të organizoheshin patrioto-politikisht në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878, por edhe kulturalisht u gjendem mirë, duke pasur shembull arbëreshët e Italisë kur themeluan Shoqërinë e Stambollit, prej nga rezultoi alfabeti i gjuhës shqipe, që ishte pothuaj alfabeti i parë kombëtar, me të cilin filluan të botoheshin libra në gjuhën shqipe.  Shoqata të tilla patriotiko-kulturore shqiptare atbotë formoheshin jashtë kudo ku kishte mundësi. Ndërkohë, u formuan shoqata edhe në Shkondër e gjithkëndej brenda Arnautllëkut të Turqisë, po arritje më meritore e rilindësve ishte parapërgatitja dhe organizimi i Kongreasit të Manastirit 1908.  Në vazhdë të këtij suksesi ku u vendos çështja e alfabetit të shqipes mbi bazë latine, ishte edhe Kongresi i Elbasanit, në të cilin u sprovua nisma rreth formëzimit të gjuhës letrare kombëtare mbi bazë gege -  elbasanishte, mirëpo kjo  sprovë si vepër madhështore mori fizonominë e natyrshme me Rregullat e hartuara nga Komisia Letrare e Shkodrës (1917). Meritë e jashtëzakonshme shkencore pragmatike e kësaj Komisie është se paskajores i dhanë vendin themelor, sidomos trajtës së shkurtë të pjesores së paskajores, duke e vlerësuar, së pari paskajoren si trajtë përfaqësuese të foljes, së dyti, pjesën e shkurtë të saj  si trajtë fjalëformuese dhe së treti që ishte më e rëndësishmja konsoliduan këtë si trajtë në zgjedhim foljesh, ndërsa pjesorja e zgjeruar si gege si edhe ajo toske e  rotacizuar u specifikua në formim mbiemrash asnjanësish të paranyjëzuar.

Sidoqoftë, në saje të rregullave të hartuara nga kjo Komisi, nga shteti shqiptar gjatë   Periudhës së Pavarësisë u formua gjuha letrare mbi bazë të gegenishtes me orientim elbasanishtja, me në themel paskajorja,  Mirëpo kjo gjuhë e standardizuar në vend të përpunohej, siç do të shohim, pas LDB u përmbys duke iu ndryshuar bazën dialektore.

4. Nuk asht kulturë me prishë atë që e ndërtuen shekujt

Kjo moto: Nuk asht kulturë me prishë atë që e ndërtuen shekujt, u nxor nga vepra e At Z. Pëllumit, që e shoqëron titullin e kreut të tretë: Pas LDB në Shqipëri allapartizançe me stimulimin e standardit mbi bazë të toskërishtes u bë rrëzimi i gegenishtes dhe zhdukja e paskajores, vlen si vërejtje për veprimin që ndodhi siç është cekur në titullin e këtij kreu, me ç’rast, pësoi gegenishtja dhe u zhduk nga standardi paskajorja e mirëfilltë.

Në të vërtetë, në valë-vorbullën e Luftës II Botërore Shqipëria u gjend nën pushtimin  e Italisë fashiste.  Mirëpo Italia nuk pengoi shqiptarët në përpuninim e zbatimin e standardit të pavarësisë -elbasanishten, madje joshi me mbretni ta bashkuar Itali-Shqipni edhe me zgjerim territori, territor ky shqiptar, që pa të drejtë shtetet e Europës kishin miratuar okupimin e tyre nga  shtetet fqinje. Kështu Italia në emën të Shqipnisë shtriu kufirin italo-shqiptar pothuaj me sukses nga ana e Jugosllavisë, dhe vërtet joshi gegët, ndërsa ndaj anës greke Çamerisë nuk pati aq sukses, përkundrazi, dihen pasojat. Në të vërtetë këndej nga Gegnia pas Luftës, edhe pse në Shqipëri fitoi toi Partizania komuniste si në Jugosllavi, tokat shqiptare (Kosova e vise të tjera ) u kthyen nën sudimin jugosllav. Për dallim nga regjimi i mëparshëm i Kralevinës Jugosllave tash Jugosllavia e Partizanisë komuniste lejoi vazhdimin e shkollës shqipe dhe administratën dygjuhësore serbokroatisht-shqip.  Kështu,  ndërsa në Shqipri u fuqizua norma mbi bazë dialekti  - toskërisht, pa paskajore, këndej vazhdoi e ashtuquajturelbasanishtja  - gjuha letrare  e pavarësisë me paskajore.

Në të vërtetë, në Shqipëri, jo edhe pa hile të të huajve, allapartizançe u rrëzua standardi gjuhësor i pavarësisë  dhe  si pasojë ndodhi dhe zhdukja e paskajores, prandaj ne e shfrytëzuam moton, e cila vlen si qortim, jo vetëm kundër rrëzimit të gegnishtes, por në veçanti edhe kundër zhdukjes së paskajores, por kjo tentim-zhdukje ngjau edhe në Kosovë e më gjerë pas Konsultës gjuhësore të Prishtinës 1968.

Sa i përket Prishtinës, pse pranuan zhdukjen e paskajores ekziston aryetimi se nuk kishte mundësi tjetër që shqiptarët të kishin një gjuhë letrare kombëtare. Dhe vërtet me një pëlqim të tillë fitorja sidomos politike për Partinë e shtetin shqiptar ishte shumë e madhe, madje edhe gjuhësisht, por në anën tjetër përkundër suksesit, pse ishte e përjashtuar paskajorja dhe mbeten pa u plotësua konceptet e saj, gjuhësisht e kombëtarisht dëmi nuk ishte aspak i vogël, aq më tepër kjo vërehej në menjanimin e pjesores së shkurtë gege në zgjedhim foljesh, por edhe të paskajores si trajtë përfaqësuese etj.

Sidoqoftë, meqë ky veprim-pranimi ishte i vullnetshëm nuk mungoi as përpjekja e entuziazmi për përvetësimin e standardit të ri pa paskajore, qoftë në adminitratë e masmedia, qoftë në shkollë, deri edhe në familje. Pikërishjt nga tisi i një programi propagndistik të fuqishëm për një gjuhe letrare të njëzuar kombëtare mbi bazë toskërishte nga Shqipëria ndikonte për mos me u pa paplotnia e atij standardi si dhe mungesa e paskajores së mirëfilltë, por çfarë ndodhi me këtë vlerë të mohuar, paskajoren e vrarë, pas rënies së monizmit më në hollësi në pikën vijuese.

5. U vra vlera, u bë krim, nga padija jo me qëllim

Kreun e katërt me titull: Përmbysja e monizmit dhe pasojat nga pengojcët për rikthimin e paskajores së mirëfilltrë drejt standardizimit të shqipes së natyrshme, e shoqëron motoja: U vra vlera, u bë krim nga padija jo me qëllim.  Si kuptohet kjo, varet nga presja që mund të vihet para ose pas ndafoljen jo?

Si duket, përmbysja e monizmit nuk e kishte ndërruar mentalitetin tek pushtetarët e aq më pak te standardologët aktivë të asaj periudhe nga Qendra, të cilët as sipërfaqësisht nuk ishin përgatitur për tranzicion, për kalim në sistemin demokratik pluralist e mos të flasim për ndonjë  rivlerësim a korrigjim të veprave të quajtura madhore revolucionaretë atij sistemi, siç ishte Drejtshkrimi i gjuhsë shqipe. Kështu sa u dëgjuan zëra për rehabilitimin e paskajores në standard këta i ngulfatën nismat e tilla, madje nën përkujdesjen e  institicioneve nga Qendra, prej nga  ishin dresuar militantë vullnetarë për mbrojtjen me vigjilencë të standardin edhe nga paskajoja gege, andaj për këtë edhe u shtua propaganda si armë kundër rikthimit të paskajores, duke u arsyetuar se gjoja kthimi i paskajores prishka krejtësisht gjuhën letrare kombëtare në fuqi dhe do të na kthente kulturisht mbi 50 vjet mbrapa etj.-etj.

Gjithsesi me një qendrim të tillë energjik dhe pa mbështetje reale shkencore nuk u bë mirë aspak, ngase u vazhdua me keqkuptimin ndaj  kodit të vetë standardit të gjuhës kombëtare, duke mos pasur parasysh si koncept as normën globale të gjuhës, historinë e saj, as normën e situatës, as realitetin e shumicës shqipfolëse, madje as pa e verifikuar fare të vërtetën pragmatikisht e shkencorisht se rikthimi i saj e prek vërtet brendapërbrenda standardin apo jo?! Kështu, ky qëndrim energjik kundër paskajores në standard dhe kundër gegnishtes përgjithësisht, fatkeqësisht, ka ndikuar dhe po vazhdon të ndikojë që ende të mos njihen sa duhet e shfrytëzohen veprat më cilësore të gjuhës shqipe, shkruar në dialektin gegë, që nga shekulli 16,  pararilidja e rilindja kombëtare, periudha e pavarësisë dhe deri në ditët e sotme, pra, edhe për shkak se në gjuhën e tyre dominon paskajorja e mirëfilltë.

Mirëpo, viteve të fundit me vetëdijësimin e masës, në sistemin e ri shoqëror demokratik pluralist, nënkuptueshëm edhe me vetëdijësimin e vetë sovranit gegnishtja, por edhe paskajorja veçmas, gjithnjë e më guximshëm janë duke fituar terren, qoftë në gjuhën e folur, qoftë edhe në atë të shkruar dhe kështu filluan me dalë sheshazi e me u njoftë vlerat e autonomisë kuptimore të gegnishtes në përgjithësi dhe të paskajores në veçanti, vlera këto që asessi edhe më nuk mund të mohohen, prandaj rreth këtyre vlerave dhe në veçanti të paskajores së ringjallur  me forcë feniksi, por për këtë  më konkretisht në pikën vijuese.

6. Dita vjen dritëpashtjerrë, sado nata të jetë skëterr

Kjo moto: Dita vjen dritëpashtjerrë, sado nata të jetë skëterr e shoqëron titullin e kreut të pestë: Të rikthyerit e paskajores si feniks i ringjallur dhe raporti ndërsinonimik ballafaques i saj me format e standardit të sotëm, vetëkuptohet se dita simbolizon shprehjen e lirë të shqipes së natyrshme edhe me  dritë e ndriçim kuptojmë paskajoren, pasi ajo që nga viti 1945 në periudhën moniste dhe më keq një kohë edhe pas asaj periudhe, vërtet, jetonte e izoluar në asfiks në natën sketerr të shqipes së natyrshme, por që tani, ndonëse jo e kthyer zyrtarisht, si dëshmohet në ketë krye nga shembujt konkretë. ajo shkëlqen e plotë me dritë e ngohësi dielli, duke e falenderuar autonominë e saj të gjerë kuptimore të pashuar. Dhe kështu kjo kuptimësi e paskajores me vlera komplekse, shihet qartë në karahasim sinonimik me trajtat paralele të gjuhës globale shqipe që i ka edhe standardi i sotëm, mjete këto me të cilat gramatikanët  e standardologët  në  monizëm u munduan, por pa sukses, që me to të zëvendësonin konceptet e paskajores. Vërtet, kush do me pa e me kuptue me të kthyerit në përdorim normal paskajorja sinonimisht shkëlqen si dritëpashuar, madje në këtë proces kjo dritë e pashuar siç shihet konkretisht ndihmon shembujt sinionimikë të fryrë në kohë të monizmit të kthehen nornalisht në funksionet e tyre të mëparshme, duke i lënë të pa prekshme funksionet e mëparshme të paskajores. siç është  roli përfaqësimor i foljes në analiza gjuhësore, por edhe funksioni i saj si zemberek harmonizues në rregullimin e strukturën foljore ashtu edhe të asaj emërore në përgjithësi. Madje, si shihet në disa shembuj në shprehje lapidare, koncepti i paskajores në krahasim me variantet e tjera konceptualisht del i pazëvendësueshëm, apo jo?!.

Por kjo, sa u tha pak më sipër nuk do të thotë, se rikthimi i paskajores në këtë ndërlikueshmëri shprehjesh mozaike nuk duhet ndihmuar. Sidoqoftë, mungesa ralivisht e gjatë e paskajores në standard  në këtë proces rikhthimi  momentalisht e në vazhdimësi në kontekste lypset ndihur nga dora e mendja e gramatikanëve të arrirë që bashkëveprimit sinonimik paskajore / lidhore e forma të tjera harmon itikisht të jetë më sa më i zbatueshëm dhe më cilësor, ngase kështu jo vetëm pasuria globale njihet më mirë, por edhe pasurohet shprehja e shqipes së natyrshme në rrafshin e përdorimit standard të shqipes së natyrshme.

Së këndejmi, sa i ishte pa vend dje mohimi i paskajores dhe sa është sot  mosnjohja e mosshfrytëzimi i vlerave të saj, kemi me pa më qartë në pikën vijuese.

7. Kush mohon të vërtetën poshtnon vetveten

Titullin e kreut të gjashtë: Disa prova bindëse që arsyetojnë riintegrimin e paskajores si mirëfilltë në standardin e shqipes së natyrshme kombëtare e shoqëron motoja: Kush mohon të vërtetën poshtnon vetveten. Nga lënda e trajtuar në dy pjesët e këtij kreu nënëkuptohet  se vërtet kush e mohoi të vërtetën do të pësojë moralisht, por mjerisht si individ, po fatkeqësisht në rastin tonë,  më shumë ka pësuar humbje e po pëson për dirë çdo ditë e çast bi  gjuha shqipe e natyrshme dhe standardi i saj.

Kështu në pjesën e parë, ështët paraqitur teksti i kërkesës sonë nga vitit 1997, me të cilin shtronim nevojën e riintegrimit të paskajores në standardin aktual, e cila nuk u pëfill, prandaj me atë mospërfillje autorët pushtnuen vetveten, ngase tashti çdo njeri i rëndomtë e di që shtyllat kryesore të atij standardi: drejtshkrmi, gramatika e fjalori normativ nuk ishin të plota, ngase ndër mungesa të tjera atyre u mungonte, siç u mungon edhe sot pikërisht zembereku i ligjërimit shqip:  paskajorja e mirëfilltë e gjuhës shqipe.

Ndërkaq, në pjesën e dyti të këtij kreu, dëshmohet katërcipërisht që edhe disa nga rregullat e Drejshkrimit 1973 (nëntë sosh) nuk kuptohen dot përmbajtësisht pa njohur konceptet dhe vetë trajtë-formën e paskajores së mirëfilltë. Pse kështu?! Katundi që duket, thonë, nuk do kallauz.Sido që të ketë qenë. meqë ne kemi respekt për dijen dhe zotësinë profesionale të hartuesve të rregullave, pyesim, mos vallë, mbase përkufizmet e tilla, që rregullat të kuptohen patjetër me ndihmen  e paskajoren së mirëfilltë nga ish standardi. ata (hartuesit) i lanë kështu me qëllim,  pasi nuk kishin mundësi tjetër ta thonin të vërtetën, që do të ishte kundërshtim i hapur ndaj emndim-vendimeve  të shprehura e  zbatuara allapartizançe të konfirmuar më parë siç ishte edhe  zhdukja e të pazhdukshmes: paskajores së mirëfilltë, pa të cilën, siç e dinin mirëfilli hartuesit e nderuar, shqipja e natyrshme mbetej e gjymtuar, dhe si rrjedhojë e asaj mangësie, normëzimi  do të pësojë lajthitje e devijime, siç ndodhën me të vërtetë, qëpër to më në hollësi në pikën vijuese. Sidoqoftë, kjo domosdo e paskajores  në raport me rregullat le të vlerësohet.

8. Dardha ka bish bishti gërvisht

Motoja: Dardha ka bish bishti gërvisht, e shoqëron titullin e kreut të shtatë: Integrimi i paskajores shpëtim për standardin e shqipes së natyrshme dhe për lajthitësit naivë respektues patolo-fannatikë të standardit të sotëm,  dhe vërtet në këtë krye kemi dhënë shembuj konkretë që tregojnë se drejtshkrimi ose standardi mbi bazë toskërishte pa paskajore që u pranua te ne me enthuziazëm e eufori të paparë të sinqertë, nuk ishte plotësisht i natyrshëm, për arën tonë qindpërqind gege, ngase me të u shthur tërë sistemi foljor vendës, përkatësisht i normës  mbi baze gege në përdorim dhe si rrjedhojë u krijuan lajthitje e defekte pikërisht tek ata entuziastë, të cilët e gëlltitën standardin të etshëm, duke menduar se vërtet ishte i plotë, madje disa lajthitës e tepruan  me pahir duke menduar se vetëm duke hequr dorë nga paskajorja, standardi i dhuruar nga Qendra, ishte i përvetësueshëm dhe i përvetësuar plotësisht, apo jo?!

Dhe së këndejmi, jo pse nuk deshën, por  nuk qenë në gjendje për të zhbërë shprehitë e ngulitura me paskajore nga struktura e brendshm e ligjërimore dhe me i zëvendësue konceptete e saj me mjete sinonimike pakashumë barasvlerëse që servoheshin sipas rregullave të reja pa paskajore, prandaj ndodhën e po vazhdojnë të ndodhin fenomene patologjike që mjerisht te ne disa lajthitje çuditërisht u shndërruan në vese  edhe tek  tek ndonjë intelektual me shkollë të lartë  albanologjie(!), gabime këto, që bien ndesh me normën në fuqi, me ish standardin mbi bazë gegnishte e aq më keq edhe në kundërshtim me të folmen e trevës përkatëse.

Për këtë dukuri deformimesh nuk ua shohim aq për të madhe lajthitësve sa disa standardologëve akademikë e profesorëve tanë, jo vetëm nga Tirana me origjinë jugore, por atyre me prejardhje veriore, të cilët në vend që ndihmojnë lajthitësit këtë  pikë, ata i përqeshin  cinikisht, duke mos pushuar propagandën sdhe këshillën se standardi qenka i pëkryer pa paskajore, ndërsa kokëtrashët vetëm duhet ta mësojnë dhe nuk rekomandojnë ilaçin e menjëhershëm shërues: rikthimin e paskajores në standard, sepse gjoja rikthimi i saj prekka shkatërrueshëm standardin, paçka me këtë këshillë bëjnë gabim të pafalshëm patologjik si ndaj lajthëtëve veriorë, por edhe ndaj studiuesve besues të sinqertë jugorë, por sidoqoftë, rreth raportit:  standardi i përkryer / paskajorja, më qartë në  pikën vijuese.

9. Ishte siç na isht’, një përbindsh i trisht: trill, dhelpën pa bisht

Me moton, formë enigme gjëegjëze: Ishte siç na isht’, një përbindsh i trisht – trill, dhelpën pa bisht, që e shoqëron kreun e tetë me titull: Trill gogolëzimi, armë e fundit kundër rikthimit të paskajores në standard dhe prirja metamofozuese e shndërrimit ti mitit gogol në zanëmirë orëbekuese, me fakte bindëse demantohet gogolëzimi ndaj paskajores. Kështu të gjitha akuzat e plasuara nga propaganda e organizuar kundër paskajores në standard në periudhën moniste e pasmoniste që mjerisht ende vazhdon se kinse rikthimi i saj prishka standardin, demantohen në këtë krye si të gabuara. Dhe kjo vërtetohet nga nëntë pyetje përgjigjje, sepse vërtet  paskajorja e mirëfilltë e rikthyer në përdorim nuk prek fare drejtpëdrejt në standard, andaj edhe s’ka si me prishë atë.

Ç’është e vërteta, standardi është i prekur jo nga paskajorja po nga pjesorja e shkurtë e gegnishtes, e cila që nga fillim periudha e monizmitn del e pushtuar, përkatësisht e përjashtuar, duke u zëvendësuar në standard nga pjesorja e zgjeruar e toskërishtes. Kjo vërtetohet katërcipërisht nga shembujt në pyetje-përgjigjet përkatëse, por edhe nga vetë jeta ligjërimore e gjuhës shqipe. Si duket pretenca kundër paskajores është sajuar pa bazë dhe po vazhdon si e tillë,si propagandë makiaveliste,  me qëllim që të mos dalë sheshit pushtimi ndaj pjesores së shkurtë të ish standardit, pjesore kjo që nga trashëgimia e ndarë nga paskajorja në praktikën gjuhësore ka kryer funksione të caktuara, siç është edhe zgjedhimi i foljeve.

Gjithsesi, poblemi është gjetiu andaj akt-akuza kundër paskajores hedhet poshtë si e gënjeshtërt: dhelpër pa bisht.

10. Nga gogole e pështirë - shpëtimtare zanëmirë

Motoja: Nga gogole e pështirë – shpëtimtare zanëmirë, që e shoqëron titullin e kreut të nëntë: Metamorfozimi e disa prova ndikuese ndaj shndërrimit të konceptit të paskajores nga një mit-gogol në zanëmirë orëbekuese për standardin e shqipes së natyrshme, është një perifrazë që nga konteksti kuptohet shumë lehtë.

Ç’është e vërteta, në këtë krye, vend qendror zë paskajorja e mirëfilltë e përjetuar prej nesh në disa faza:

së pari, nga mohimi i saj nën entuziazmin vetëmashtrues lidhur me Konsultën gjuhësore të Prishtinës 1968, përforcuar me Rezolutën dhe me rregullat e dala nga Kongresi i Drejtshkrimit, botuar më 1973.

Së dyti, metamorfozimi mohues/pohues ndaj konceptit të paskajores së mirëfilltë dhe qëndrimi  i përftuar pohues.

Së treti, rikthimi i paskajores si kriter stabilizues, jo vetëm në ligjërim gojor, por edhe në gjuhën e shkrimit, por ende jo i qasshëm në kodin zyrtar për shkak moskuptimit të ndonjë standaologu nga Qendra.

Së katërti, konstatime që pa paskajoren e përfshirë në standard shumë (me qinda) koncepte mbesin të panjohura dhe të pashfrytëzuara dhe për pasojë standardi del më i varfër, kjo ilustrohet me shembuj konkretë nga tipi i foljeve më  -UEJ/-UAJ.

Së pesti, vlerësohet nisma e dy siopsioneve të plasuara në të mirë të autoritetit të paskajores në standard:

a) propozim-nisma: mbulimi i koncepteve të tipit të trajtave  të paskajores, tipi me punue (gegnisht) dhe pjesores së zgjeruar punuar  të standardit (toskërisht) me trajtën e cunguar të përbashkët(!): punu, me punu.

b) nismë-sugjerimi që për hir e nevojë unifikimi të zgjedhimit të foljeve është mirë të sprovohet një zgjidhje shumë e përshtatshme kompromisi: të reformohet pjesorja e zgjeruar e standardit, duke i hequr prapashtesën R, dhe kështu do të unifikohej procesi i zgjedhimit të foljeve në gjuhën e natyrshme shqipe.

Për të veçantat e këtij kreu u mjaftuam me paraqitjen e përkufizimeve të të pesë temave të trajtuara, por për dy nismat e nënpikës së pestë do të bëhet fjalë paksa edhe në përmbyllje të krejt punimit.

11. Vlerëshenjta pa mohë -  shëndet e forcë në gjithëkohë

Motoja: Vlerëshenjta pa mohë -  shëndet e forcë në gjithëkohë, që e shoqëron titullin e kreut të fundit: Pse “PO” përmenjëhershmërisht paskajorja në standardrdin e shqipes së natyrshme, pasqyron të vërtetën, se paskajorja edhe pse për një periudhë relativisht të gjatë bombarduar me një propagandë të paskrupullt kundër, që ende te dikush-dikushi ka mbetur e tillë, paraqitet e shëndetshme, madje edhe me forcë shprehëse të rilindur për admirim.

Sidoqoftë, në këtë krye të fundit, janë trajtuar këto tri tema me interes:

e para, përmenden argumenta historikë e aktualë që identifikojnë të qenët e paskajores së mirëfilltë që nga protoshqipja pellazge deri në prag të monizmit pas LDB, kur, çuditërisht, kjo shtyllë e ligjërimit të shqipes së natyrshme globale plandoset  e zhdukur për standardin e shqipes;

e dyta, shënohen  afro  tridhjetë  përparësi  (28) që fiton shqipja e sotme  e standardi i saj  me integrimin e paskajores në gjirin e vet dhe

e treta, jepen disa meditim konstatime, në tri nënpika, lidhur me fatin e paskajores sot, duke përfunduar në nënpikën e katërt me titull Pse PO paskajorja në standardin e shqipes së natyrshme  dhe për këtë jepen prova bindëse që nuk lënë mëdyshje mbrapa, që paskajorja patjetër duhet të rikthehet në vendin që i përket, sepse standardi në fuqi, jo vetëm që nuk humb asgjë, nuk preket, por  përkundrazi, duke e përfshirë edhe këtë formë  në gjirin e vet fiton tiparin e shqipes së natyrshme, pasurohet me shprehje e me mjete që disa sosh standardi i sotëm  nuk i ka dhe i janë të nevojshme  për të mbuluar nocione  specifike  që i ka shqipja të trashëguara, por edhe që mund të krijohen automatikisht në bazë modelesh fjalëformuese. prandaj me rifutjen e saj në standard konsiderohen të zgjidhura jo pak mëdyshje, defekte e paqartësi në shqipen letrare në përgjithësi dhe në standardin e saj në veçanti.

Si përfundim, me rikthimin e paskajores në strukturën ligjërimore të shqipes së natyrshme dhe standardin e saj mund të thuhet përplotësohet zyrtarizimi i kodit bazë të standardit kombëtar të gjuhës së natyrshme shqipe.

12. Mos me fajsue pasqyren për surratet tona dijevraja

ose

Përmbyllje e Përfundimeve të këtij punimi

Në këtë përmbyllje të Përfundimeve të punimit përdorëm moton: Mos me fajsue pasqyren për surratet tona dijevraja që kuptohet lehtë se kemi të bëjmë, për njohuritë tona të mangëta shkencore për disa çështje kruciale të gjuhës, sonë siç është edhe funksionimi i paskajores së mirëfilltë, e cila për shkaqe objektive, por edhe subjektive e aq më keq edhe subjetiviste,  që nga fillimi i moniozmit, ende nuk e rigëzon statusin e duhur në kuadër të shqipes standarde, ndonëse në të mirë të standardizimit të saj saj jnë deklaruar publikisht dhe me shkrime një numër i kosiderueshëm studiuesish e intelektualësh (afro 100 zëra të njohur), ashtu siç bëmë edhe ne në dhjetë krerët e këtij punimi. Mirëpo, me thënë të drejtën, dikush po na fajson pse përveç diskutimit dhe kërkesës së paskajoren në standard, po kërkojmë jo fjalë e premtime, por  zbatim-përmbarimi konkret të menjëhershëm, që si përgjgje doli motoja e mësipërme, pse po pasqyrohet e vërteta  pa tis të zi.

Sidoqoftë,  në këtë përmbyllje përfundimi po i risjell në spikamë në dy pika dy tema të hapura, organikisht të mpleksura njëra me tjetrën, që vetë materiali i tillë ekzistues i grumbulluar pret zgjidhje nga studiuesit kompetentë mendjekthjellët dorëmbarë, të cilët nëse rreken me i zgjidhë këto dy çështje do të mbesin shëmbëltyra të vërteta, që e duan të ardhmen e shqipes së natyrshme dhe standardin e konsoliduar për jetë të saj:

e para, të vërtetësohet apo jo konstatimi ynë që me paskajoren menjëhershmërisht në standard kompletohet standardi i shqipes së natyrshme, lëndë kjo, e cila duhet rishikuar e plotësuar pa i përmbysur bazën dhe

e dyta, pse del tejet i nevojshëm reformimi i pjesores së standardit duke i reduktuar prapashtesë-mbaresën -R, siç është bërë më parë në standardin mbi bazë gegnishte: heqja e prapashtesë-mbaresës –N/-M. S’do mend se me një reduktim të tillë unifikohet tërësisht njëherëepërgjithmonë sistemi zgjedhimor i foljeve në gjuhën shqipe dhe kjo nuk krijon pengesa që pjesorja e zgjeruar e standardit të ruajë ato funksione të fituara , të cilat pothuaj i ka edhe i gëzon sot.

Kështu këto dy veprime: paskajorja në standard dhe pjesorja e toskërishtes pa –R  në zgjedhim foljesh, që në parim nuk bie ndesh me ligjin e ekonomizimit në gjuhë dhe që të dyja këto veprime përputhen me vetë ligjërimin e masës shumicë shqipfolëse dhe kështu me këtë akt shuhet përgjithmonë dukuria e inferioritetit pushtuese/nënshtruese mes palësh dialektore dhe kështu zgjidhet për jetë e mot standardizimi e gjuhës së natyrshme shqipe.

Gjithsesi me një mirëkuptim standardologësh tanë të esëlluar një zgjidhje e tillë është shumë e  mundshme dhe e lehtëzbatueshme. Por ai shkopi magjik i zgjidhjes që vepron  edhe pa pritur atë  mirëkuprim të përdëshirueshëm koncenzusor, ndodhet në dorën  e zemrën e prindërve të çdo familjeje dhe aq e më tepër rrezaton si detyrë në gojën e punën e  mësimdhënësve të të gjitha profileve të shkollimit e në radhë të parë të mësues-edukatorëve të yllkave e fatosave parashkollorë e filloristë.

Së këtjmi, edhe pse për çdo grup-moshë dhe nivel shkollimi kam shembuj të gatshëm model të  kësaj natyre, këtu me dëshirë për t’i ndihmuar zgjidhjen e mësimit të shqipes së natyrshme, pa anashkaluar asnjë vlerë, që nënkupton mësimin e kukltivimin e shqipes së natyrshme që  nga abetaja nga përvoja ime si prind, ashtu edhe si mësues-edukator, për çka e kam kualifikimin shkollor,  po i paraqit si shembull dy përrallëza në vargje, dialog lojëfjalësh, që i mbaj mend nga klasa e parë e mësimit shqip 1941, të cilat i kam shfrytëzuar si mësues, si  prind e tash i shfrytëzoj si gjysh e stërgjysh në lojëfjalësh me fëmijë, nipa e mbesa, që luhen të impromizuara si skeqe dialog për të mësuar si duhet gjuhën e natyrshme shqipe dhe kjo kam dëshirë të shërbejë si shembull -model për të gjitha familjet e sidomos institucionet edukativo-mësimore për të gjitha trevat shqipfolëse, apo jo, le  të vlerësohet.

Që tani, pra,  po ju njoh me tekstin e pëllazave lojjëfjalëshs. Së pari po i japim tekstin e vjershëzave siç i pata mësuar në gegnisht, ashtu si edhe flasim, por i kam përshtatur siç duhet mësuar sipas standardit të sotëm - toskërisht.

a) Shembulli i parë

Gegnisht:

-Mori macë, çka je tue ba?

- Jam tue u lëpi e jam tue u la,

Mos me u lëpi e mos me u la,

Kurrkush gjallë nuk do me të pa.

Letrarishtja e sotme:

-Ç’bën ashtu moj mace e mbarë?

-Duke u lëpirë jam, duke u larë

se pa u lëpirë e pa u larë

askush s’do të të shohë të gjallë.

b. Shembulli i dytë

Gegnisht:

Dallëndyshe, bukuroshe,

faqekuqe, buzë burbuqe,

sqepgjylpane, bishtgërshane.

Letrarishtja e sotme:

Dallëndyshe, bukuroshe,

faqekuqe, buzëburbuqe,

sqepgjilpëre, bisht gërshëre.

Kështu për kënaqësi timen si mësues, dashamirës i gjuhës shqipe dhe të vogëlushëve dhe i dijes e kulturës shqiptare, i nxitja dhe i nxis aktorët e vegjël, dikur filloristët e fëmijët e mi e tash stër)nipat e (stër)mbesat që në recitim t’i ndërrojnë rolet dh kështu dhe të garojnë, cili më mirë se tjetri dallohen në shqiptimin e tekstit, qoftë si gegë, qoftë si toskë, qoftë si shkodran a shkodrane, qoftë si permetar a permetare, korçar e korçare e gjithandej sipas qyteteve të Shqipnisë dhe të Kosovës e gjithandej e këndej ku flitet shqipja. Dhe me të vërtetë me një lojë të tillë shfaqjeje kënaqeshin e po kënaqen fëmijët dhe natyrisht edhe unë bashkë me ta.

Fundi i fundit, edhe kur futet paskajorja në standard, edhe nëse sprovohet shkurtimi i pjesores së zgjeruar të standardit, s’ka  pse të mos mësohen të dyja (apo të trija) versionet, pasi si lojëfjalësha i përvetëson lehtë kompjuteri natyror i fëmijëve dhe në këtë mënyrë arrihen shumë vlera , ndër to edhe e përbashkëta normale e shqipes së natyrshme. Sigurisht, kjo është metoda që më së miri e më së lehti mësohet e përvetësohet shqipja e natyrshme, prandaj hartuesit e teksteve parashkollore e shkollore, pra edhe të abetares, pra  jo të hartojnë abetare sipas dialekteve, por një abetare të përbashkët, po shtojcën ilustruese të saj ta pajisin me lëndë kësodore, pa u ikur shprehjeve të përshtatshme me paskajore apo me rrjedhoja të rotacizuara. Së këndejmi, të gjithë shqiptarët me studiuesit dhe mësuesit në krye në një gjuhë të përbashkët me paskajore dhe me rotacizëm, duke bashkuar forcat intelektuale, si nji e një, duke i zgjidhur e harmonizuar çështjet  brendapërbrenda vetvetes, vëllazërisht të bashkuar si feniksëluftëtarë të shkrimshqipnxënies gjithsesi, me shqipen e natyrshme të hapërojnë suksesshëm edhe në arenën e globalizmit gjuhësor ndëkombëtar.

Sivërejtje

(Kjo vlen për të gjithë e në veçanti për studiuesit e mësuesit)

Së pari te shembulli a) të vihen, re barasvlerësit: paskajore/lidhore: me pa/të shohë, paskajorja/privativi: me u lëpi/pa u lëpi/rë,  përcjellorja gege/toske:tue u la/ duke u larë , raporti -an/-ër,-a/-ë dhe

Së dyti, te shembulli b) dukuria nazalizëm/rotacizëm: gjylpanë/gjilpërë, gërshanë/ gërshërë.

Nëse një tekst i tillë ose i ngjashëm ndeshet në abetare dhe luhet si skeq, qoftë edhe i shoqëruar me film vizatimor a forma të tjera dhe sidomos luhet në klasë apo gjetiu ilustruar me maska ose veshje , duke i ndërruar rolet, qoftë edhe në një shkollë më te skajshme veriore ose jugore, sigurishsht jo vetëm aktori recitues po edhe ai që e dëgjon, me një fjalë të gjitha këto dallime gjuhësore absorbohen, shkrihen harmonishëm shqiptimisht e kuptimisht me lehtësi dhe kështu fitohet kulturë e vërtetë gjuhësore dhe kur të rritet fëmija fjalën gjylpanë apo gjilperë, me pa e të shohë, nanë të due apo nënë të dua etj. që i ka të njohura nga këto skeqe vjershërime, atëherë do t’i ketë të njohura dhe më për zemër, kudo që të gjendet  në ambiente  e situata caktuara, apo jo?!

Prandaj është shumë me vend shprehja se vlera e prindit dhe mësuesit është e pamatshme për jetën e gjuhës kombëtare sa edhe vlera e dritës dhe e ngrohësisë së diellit për jetën njerëzore, apo jo?!!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora