Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Dora te koburja
E shtune, 17.04.2021, 05:42 PM
Dora te koburja
Nga
Edison Ypi
Nuk
vuaj më. Tani e kam të qartë. Si zgjidhen problemet. Si të mos më ndali zemra.
Si të mos më bjerë damllaja. Tash e tutje ka ku më vete mendja, ka ku më shkon
dora. Te koburja.
Koburen
e mbaj gjithmonë pranë. Kudo ku jam, kudo ku vete, koburen kurrë s’e ndaj,
frikë aspak nuk kam, koburen e shkrep, me kobure ja bëj bam.
Ka
ca që thonë se nuk kemi Pluralizëm nuk kemi Demokraci. Para këtij pohimi idiotesk
mua mendja më mpihet, gjymtyrët më ngijnë, sytë më erren, veshët më shurdhohen.
Plehrat që thonë këtë marrëzi, unë nuk lodhem t’i bind se Shqipëria e sotme nuk
është si Shqipëria e kurvit, Rusia e Stalinit, Italia e Musolinit, Gjermania e
Hitlerit, Kina e Mao Ce Dunit, Kuba e Fidelit. Kur dëgjoj këta ndyrësira, dora
më vete te koburja. Koburen e nxjerr. Në ballë ua shkrep.
Ka
të tjerë që policat i duan infermiera. Edhe me ata nuk e zgjas. Edhe me ata të
njëjtën gjë bëj; Dora te koburja, gishti te këmbëza, bam në tamth.
Është
një takëm të pesekutuarish që në grindjet me njëritjetrin përdorin një fjalor
pa lidhje me seriozitetin, me zotnillikun, ca fjalë që ta nxjerrin mallin e
vigjilencës proletare të diktaturës. Edhe për këta s'kam mëshirë. Dora te koburja,
bam në zemër. Thes përtokë.
Janë
ca pisa që hiqen për majtista, progresista, paguhen me euro, punojnë nëpër
OJF-ra. Për këta halabakë progresi dhe ideali nuk janë asgjë tjetër përpos
porosi etërish kriminelë të pa nginjur me gjak. Edhe me këta teoricinë
postkurvizmi, dora te koburja, gup nën mjekërr, top në vend.
Me
ata që flasin keq për dëshmorët e vërtetë të Shqipërisë, diversantat, pasi më
vete dora te koburja, ua zbraz koburen mbi kokë, nga lart, që tu kujtoj
aeroplanët, parashutat, dëshmorët diversanta.
Disa
të tjerë që i vras me koburen time janë ca që thonë se diktaturën shqiptare e
sajoi Çurçilli për interesat e veta. Këtij lloji hajvanësh koburen ua zbraz ku
budallenjtë dhe frikacakët i pëshpërisin njëritjetrit idiotllëqet, rrëzë
veshit.
Me
ata që bëjnë gam-gam në kafene dhe nuk venë në Prokurori për të denoncuar
korrupsionin, pasi dora më vete te koburja, u afrohem nga mbrapa, ua vë tytën
nga pas në zverk, dhe i urdhëroj; “Nisu qenbirqeni në Prokurori, po e ktheve
kokën pas, ta zbraza”.
Me
hajvanët që thonë se shqiptarët po vuajnë për bukën e gojës e kam më të lehtë.
Atyre u zë pusi’ kur janë duke ngrënë male mishi. Ata sapo shohin dorën time te
koburja, zverdhen, ngrihen në këmbë, ngrenë duart lart si nëpër filmat
shqiptarë me italianë qesharakë dhe gjermanë frikacakë. Këtyre tytën e kobures
ua rras brenda gojës plot me mish, dhe aty ua zbraz.
Kur
më vete dora te koburja, thaj gjymtyrë, thyej brinjë, bluaj kocka, çaj kafka,
ndal zemra, plagos shpirtra, kalb mushkri, shqyej kraharorë, sëmur tru, ndez
ëndërra, dhe plot gjëra të tjera të mira.