Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Tuç Zyma
E merkure, 17.03.2021, 09:00 PM
Tuç Zyma
Nga
Edison Ypi
Tuç
Zyma jetonte në ishull. Ishulli i Tuçit kishte 1 banor. Banori i vetëm i
ishullit të Tuçit ishte vetë Tuçi.
Ishulli
i Tuçit ishte garazhi i shtëpisë së tij. Nga garazhi i Tuçit ku të mahniste
Xhaz-i dhe Blues-i, deri te trotuari i Rrugës Fortuzi ku të tmerronte çizmja e
ushtarit, as 10 metra, ishte oqeani që ndante ishullin e Tuçit me çmenduritë e
kurvit.
Një
nga Robinsonët e rrallë që pasi çanin dallgët e këtij oqeani arrinin te ishulli
i Tuçit, isha unë.
Me
Tuç Zymën u njoha kur në ofiçinën ku punoja i bëra një ingranazh gize sipas
parimit shpëtimtar "Kam te puna".
Garazhi
i Tuçit, ishte pakashumë si truri i Tuçit. Plot me vegla, rripa, llamarina,
instrumenta, disqe gramafoni, shirita magnetikë, bobina, kaseta, manjetofon me
zorrët përjashta.
Në
garazh ishte dhe një motocikletë Guzzi e kohës së luftës me probleme të
pafundme që më tepër ngecte se ecte. Diçka tjetër fort e rrallë ndodhej në atë
garazh; një Moskviç rrangallë të cilin Tuçi, ndoshta me shpresën e mjegullt se
një ditë do ta përdorte, as e hodhi as e nxorri kurrë nga garazhi. Sa qeshte
Tuçi kur i thoja; Tuço, ndoshta do vijë një ditë kur këtë Moskviç do mund ta
përdorësh, por kam frikë se kjo do ndodhi kur nafta e planetit do ketë mbaruar.
Doktor
Zyma, babai i Tuçit ishte ishte mjek otorino-laringolog me shkollim dhe kulturë
gjermanike. Kishte nam të mirë. Mbahej ment për disa hebrej që i strehoi në
shtëpinë e vet gjatë luftës. Në vitet e para, kurvi u dha nga një Moskviç disa
mjekëve të njohur, mes tyre edhe babait të Tuçit, dhe ose harroi tua merrte,
ose kushedi si i tha mendja e çkurdisur.
Nëna
e Tuçit ishte një Zonjë serioze dhe dinjitoze sa nuk u linte gjë mangut zonjave
të salloneve europiane. Merrej me pikturë dhe muzikë. Ta shihje Zonjën Zyma si
fliste, si sillej, si pinte kafe, bindeshe menjëherë se miqtë e saj të hershëm
nuk mund të kishin qënë më pak se Duke Elington apo Django Reinhard, ndërsa
mikeshat edhe më të shqura se Ella Fitzgerald apo Marlene Dietrich. Zonja Zyma
ishte nga të rrallat Zonja shqiptare, ndoshta e vetmja, që i kishin ngritur një
këngë lakrimogjene me tym të zi, blozë, shkozë.
Tuçi
ishte dentist. Hiqej inovativ. Seç bënte ca eksperimente me kallëpë allçini që
dukeshin si nofulla mumjesh. Një herë kur më mori me Guzzi-n më çoi në
Shëngjergj prapa Dajtit ku punonte, ngaqë e ngiste shpejt, diku te Shkolla e
Qenve për pak sa na hodhi në përrua mua, veten, Guzzin. As sot e kësaj dite nuk
e përfytyroj dot çfarë u bënte Tuçi dhëmbëve të katunarve, përveçse i shkulte.
Tuç
Zymës një herë i shkrepi ideja gjeniale të bënte një përforcues të valëve
televizive italiane, ta fshihte përforcuesin brenda një shkurreje në majë të
Dajtit, të shkonte fshehtas t'ja ndërronte bateritë një herë në disa muaj. Nuk
mundi. Mbeti fantazi si të shumtat e ideve ishullore për marrje satelitare,
arratisje, etj.
Më
tepër se gjithçka në garazhin e Tuçit kishte muzikë.
Unë
te garazhi i Tuçit mësova plot gjëra për Louis Prima, Benny Goodman, Count
Basie, Lennie Tristano, Woody Herman, etj.
Ndodhi
disa herë që në garazh, mes veglave, llamarinave, mrrokllave të Guzzit, rrotave
të Moskviçit, Tuçi të sherrosej me të tjerë ishullarë për pun' Xhazi; Jopo
Louis Armstrong, jopo Louis Prima, jopo Gene Krupa, etj. etj. Dëgjoja me
kureshtje këto zënka që më tepër ishin shpalosje të erudicionit muzikor të
njërit e tjetrit sesa sherre të mirfillta.
Një
herë Tuçi më premtoi një manjetofon të vjetër jashtë përdorimit. Ma nxiu jetën
derisa ma dha. Ishte një "Spalis" rus krejt i shpartalluar. Pa
elektromotor dhe pa koka magnetike. Vetëm pak pjesë që i kishin mbetur. Sapo
nisa të merrem me atë rraqe që në atë kohë më dukej kryevepër, më ndihu Fati.
Dikush më tha se mund të më jepte një "Dnjepër" si dollap që për çudi
nxirrte zë, në këmbim të "Spalis"-it të shurdhët të Tuçit. Ashtu u
bë. I ndërruam. Dnjepri nxorri për ca kohë ca gërrvima nga gurrmazi i sëmurë.
Spalis nuk e hapi kurrë gojën.
Një
herë Tuçi më rrëfeu një mesele që më la pa ment. Ndonjë i rrallë prej atyre që
kishin qënë në Rusi sillnin fshehtas disqe gramafoni. Një ditë Tuçi kishte në
dorë një disk të tillë 75 rrotullime ku ishte incizuar "Summertime".
Në një moment, krejt rastësisht, disku u ndodh në mes Diellit dhe Tuçit. Qe
shtangur Tuçi duke parë diskun. "Behari" i atij disku ishte gdhendur
mbi një radiografi ku dukej qartë një kancer truri. Pastaj zbuloi "Minnie
the Moocher" mbi një radiografi prostate të sëmurë, dhe "Sing Sing
Sing" mbi një fyt të çarë.
Tuç
Zyma nuk kishte absolutisht asgjë soc-realiste komuniste, partiake, popullore,
proletare, bolshevike, marksiste, leniniste. Tuçi ndreqte dhëmbë dhe dëgjonte
muzikë. Tuçi nuk fliste. Ruhej duke heshtur.
Tuç
Zyma ishte njëri prej më interesantëve ishullarë të atyre viteve që nuk e lanë
jetën të vdiste.
Pas
kaq kohësh kur Duke Elington i mësoi Tuçit Jazzin, Tuçi më mësoi mua Count
Basie-n, dhe katunarët po rrahin të na mësojnë mua dhe Tuçit Demokracinë, çfarë
bën sot Tuç Zyma ? Ndoshta është mbyllur diku dhe dëgjon muzikë serioze duke
kujtuar me nostalgji Guzzin dhe Moskviçin. Nëse nuk i ka hedhur, por i mban për
të dëshmuar se shpresa nuk vdes kurrë.