Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Mbledhje Partie
E marte, 16.02.2021, 09:53 PM
Mbledhje Partie
Nga
Edison Ypi
Mbedhjen
e partisë e hapi Shuli.
Shuli
tha: Të nderuar hajdutë dhe halabakë të shquar nga të gjitha viset e
Shqipërisë, duhet të bëjmë çmos të marrim të gjitha votat e të gjitha
subjekteve, sektorëve, skuadrave, kompanive, reparteve, regjimenteve,
batalionave. Si ato të sektorit 7 të grupseksionit 3/5, edhe ato të divizioneve
9 dhe 15, që janë hambarë votash budallenjsh që mund të korren lehtësisht me
drapërin e flamurit të Stalinit, nëse atë flamur me atë yll, atë drapër dhe atë
çekan, do dijmë ta valavisim me rendimentin e duhur dhe me entuziazmin dhe
emulacionin e përshtatshëm. Përndryshe, skuadrat policeske respektive të Zonës
13 dhe nënseksionit 7, bashkë me ato të bllokut 23 dhe garnizonit 19 të armiqve
tanë, do na i kullufisin të gjitha votat, dhe do fitojnë ata, ndërsa ne do
mbetemi me rrush në dorë.
E
mahnitur nga retorika brilante revolucionare e Shulit, pasi heshti një çast,
salla shpërtheu në ovacione ritmike si çizme ushtarësh mbi kalldrëm Berati.
Pas
Shulit, fjalën e mori Tyta.
Të
lumtë o Shul sa bukur fole me gjithato shifra, fraksione, emulacione. Me këtë
të folur bëjmë dy punë njëherësh: marrim votat dhe torollepsim elektoratin. Por
edhe e mbushim Shqipërinë me budallenj të bukur nga ata që na duhen për herë të
tjetra, nga ata që hanë e pinë, vishen e krihen, nga ata kokboshët që s'lidhin
dot dy fjalë. Por ka një problem. Me shifra dhe simbole, njerzit duken si vegla
nëpër rafte, si robota, si personazhe të George Orwellit. Prandaj, të lutem,
gjuhën e drunjtë, mundësisht të hekurt, përdore, por mos e tepro se na nxjerr
bojën. Kaq tha Tyta dhe u mbështet pas murit me kokë poshtë.
Pas
Tytës fjalën e mori Kondaku.
Në
këtë Mbledhje për fatet e vendit me diskutime gjeniale si të Shulit, ja nisi
Kondaku, bashkoj merakun e çeliktë të Tytës me frikën time të drunjtë për
teprime gjuhësore.
Ndërhyri
Thepi. Fitorja që me aq ankth po e presim, theksoi Thepi, nuk kushtëzohet vetëm
nga përdorimi me dinakëri komuniste i gjuhës së drunjtë, por edhe nga faktorë
të tjerë si: përkushtimi njerëzor, besimi ndaj Zotit, predispozicioni genetik,
patologjitë e ndryshme, pasionet, veset, virtytet. Çfarë është fitorja në
thelbin e saj, unë si Thep them se varet nga raporti i punës me hajdutllëkun,
prejnga rrjedh pyetja: Pse po të punosh të mallkojnë, ndërsa po të vjedhësh të
mburrin ? Këtë duhet të shkoqisim ne hajdutët dhe halabakët në këtë Mbledhje
Partie. Përndryshe e humbim fitoren si Xhaferri simiten. Di gjë për këtë
çështje ti e dashura ime Shqekëza ?
Edhe
di edhe nuk di, tha Shqekëza. Pyet Këmbëzën.
Me
të dëgjuar që ju përmend emri, e zbehtë në fytyrë për shkak të përgojimit, pasi
u mbush thellë me frymë, fjalën e mori Këmbëza:
Unë
Këmbëza që flas e fundit, e sjell vdekjen me një tërheqje gishti...a të vazhdoj
?
Jo-jo,
u dëgjuan ca zëra. Po lëvize ti bëhet hataja.
U
ul Këmbëza, u ngrit Baruti.
Cili
është sekreti i fitores ? pyeti me qesëndi Baruti pjesëmarrësit e Mbledhjes. Di
ndonjëri nga ju të më thotë; Për një fitore të thellë dhe të merituar, në
ç'pozicion duhet të jetë Hëna, në cilën orë duhet të çfaqet eklipsi, si duhet
të jetë moti, sa temperatura e ambientit, po lagështira e ajrit, cila muzikë
sfondi, sa e trashë duhet të jetë llokma, sa elegante duhet të jetë kocka, sa
duhet të zgjasi lëpirja, cilin program me nam duhet të japi televizori, cilët
banakierë duhet të rrejnë si derra pasi kanë zbrazur tasa ? Hë de flisni. Jeni
të gjithë të lagur. Jam i vetmi i thatë.
Barut,
nuk e ke keq, por mos harro se pa mua nuk ndizesh dot, kërceu Kapsolla. Sipas
meje, vazhdoi Kapsolla, fitorja nuk është punë, as sakrificë, fitorja është
qef.
Aq
u desh.
Debati
u ndez.
Mbledhja
mori zjarr.
U
ngritën folën me pathos Gëzhoja, Karikatori, Pistoni, Shtiza, Plumbi.
Me
syrin pishë, ballin lart', zemrën plot, oratorët ngritën në qiell bëmat dhe
kontributin e secilit në fushën e betejës duke luftuar dhëmb për dhëmb me elektoratin
deri në pikën e fundit të gjakut për t'i xhvatur votën.
U
vendos që regjistrimi i Mbledhjes të transmetohet në orën e shikueshmërisë më
të lartë nga televizioni kombëtar "Kaka TV". Producente të jetë
spirra. Regjia t'i besohet Skilipecit. Skenografia Tulit. Tekstin ta skalisi
Dhjami.
Me
ta marrë detyrën delikate, Dhjami sajoi atypëraty një himn në formën e një
vjershëze ritmike marciale. Poezia dhjamore u duartrokit nxehtësisht nga të
pranishmit derisa duart u gjakosën, sytë u lagën, veshët u shurdhuan, në ulluk
të Bythës rrodhi djersa.
U
duk sikur pas vjershës lakrimogjene të Dhjamit Mbledhja e Partisë do mbyllej,
kur befas u ngrit Bytha;
Tha
Bytha:
Shokë,
mos u hallakatni, mos u sorollatni, mos u torollepsni. Në këto kohë të
vështira, sido që të vejë puna, sado i madh të bëhet sherri, sado i rrezikshëm
të ndizet zjarri, pavarësisht ç'i lypset Kombit, të gjithë ne horrat dhe
hajdutat, të përgatisim garuzhdet, të mprehim kthetrat, të thërresim në ndihmë
George Orwellin, të përsosim Newspeakun, të shtrëngojmë rradhët, të shtrijmë
hapin, të mprehim thikat, të përgatitemi për llokmat. U a them këtë, në mënyrë
që, nën urdhërat e komandant Shulit, me këshillat e komisar Llozit, me ndihmën
e kapter Plumbit, ta cfilitim e ta cfilitim pafund Shqipërinë, sa ujin e zi
t'ja nxjerrim.