E merkure, 11.12.2024, 12:41 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Lë(vizë)je

E enjte, 22.04.2021, 06:00 PM


Blerim Rrecaj

LË(VIZË)JE

Mëngjes

Në shtrat

Mbuluar me jorgan

Kapur dorë për dore

Sytë mbyllur

Shëtisim nëpër ëndrra

Shkallëve

U ngjita shkallëve

Që s'jam ngjitur kaherë

Për ta parë një pjesë Prishtine

Hapa krahët

Hapa krahët

Dhe s'u bëra

As skifter

As shqiponjë

Derisa ecja

Një topth fëmije ra nga lart

Shikova dhe askë

S'pashë nëpër ballkone

E te një bredhush

E vura si frut

Top në pemë

U afrova ta shoh

Edhe njëherë

Këtë top që në këtë pemën

Para këtij dyqani ka mbetë

Sikur bota pezull

As në qiell as në tokë

Mbërthyer mes degësh të lulëzuara

Nëpër të cilat po enden ca bletë

Dy pamje ditësotme

Një zog i zi

E sqepverdhë

Në një park pishash

Fluturon e bredh

Një trumcak në një degë druri

Përballë një ndërtese

Sheh kah qelia e atij ballkoni

Ku enden papagaj

Çast çlirimi

Një fijefarë e luleradhiqes

Kapur për një fije merimange

Puhiza që po e tund hera-herës

Më në fund ia dhuron lirinë

(Ç')RREGULLIME DHE MAS(K)A

Ishulli ynë

Burim stërlodhjeje nga

Kjo lloj vetmie ndërvendore

Që rrjedh

Mpirë trup i tërë nga anestezion kohe

Veç gishtat të palodhur shfletojnë e bredhin kuturu

Si lopata varke

Mbi ekran telefoni sikur në det

Duke lundruar si bjerraditës

Duke kujtuar vetminë e pashoqe

Të Robinson Kruzos

Tash e sa ditë

Që duke ua lexuar fëmijëve

Pjesë-pjesë

Po e lexoj dhe për vete

Për herë të parë

Përsiatje mllefi

Lexova një shkrim,

Një përsiatje mllefi

Që para dhjetë vjetësh

E kisha pas shkruar.

Çdo t'i hiqja sot?

Ca pika e ca presje,

Do shtoja ca pikëpyetje e pikëçuditëse,

Do hiqja ca barishte, ca helme, ca therra,

E tre katër rreshta...

Po e lë kështu siç është

E hiç nuk po e prek,

Asgjë s'po i shtoj

Asgjë s'po i heq.

Edhe sot

Këtij shkrimi

I njejtë i mbetet thelbi:

Një përsiatje mllefi...

Pafajësi pluhuri

Një batalion pluhuri

Më sulmoi papritmas

U ngjit drejt gojës, hundës

Si drejt një kalaje ta pushtojë përbrenda

Dhe në brendësi të fytit

Depërtoi me bajonetat ngritur

Për të nisur betejën e madhe

Mes një kaosi zhurmash e bërtimash

Duke fërkuar sytë

Desha ta pështy

E ta shaj

Më tha komandanti sypatrembur që printe

Mos u ngut or mik

Se ju na formuat këtë ushtri të madhe batalionesh

Dhe prandaj ne jemi plotësisht të pafaj

S'po kemi ku të shkojmë

S'po kemi kah t'ia mbajmë

S'na latë asnjë vend

Çdo gjë shkulët me rrënjë

Bisedë kafeneshë

Dal të ec në këtë mbrëmje

Sot kur masa të reja

Janë vënë në qytezë,

Më duket se po bisedojnë mes vete

Gjithë ky numër i madh kafeneshë.

Njëra thotë:

-O shoqe të mia, kohë e mirë për bilanc, këtë herë.

Ja pret tjetra:

-Po ia fillojmë pra me këtë që tash kalon pranë nesh

Ta shohim sa herë e kemi pritë dhe e kemi përcjellë!

Mora me vete

Në njërën kafene brenda parkut

Të kryeqytetit

Në këtë ditë të premte

Si ketër lozonjar që një lajthi e bart

Hyra dhe e mora një kafe me vete

Ngulmim

Vazhdon avaz i vjetër

Debat, debat, debat

Sa të mundem po u shmangem

Se më duhet shërim i thellë emocional

Sytë në sytha

Për pak çaste

Te oazë

E shkretëtirës

Shkoj

Humbas tërë kujtesën

Në sytha trëndafilash



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora