Kulturë
Meri Lalaj: Romani i ri i Grigor Banushit
E marte, 20.04.2021, 08:38 PM
Romani i ri i Grigor Banushit
Nga
Meri Lalaj
Rrallë,
ndoshta aspak, kur hyjmë nëpër librari mund të shohim se po i bëhet reklamë një
autori shqiptar apo librave të tij. Libraritë janë të përmbytura me libra të
autorëve të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe. Deri diku është e kuptueshme
uria që kemi pasur për të lexuar shkrimtarët e huaj të ndaluar për gjysmë
shekulli në vendin tonë. Veçse tani, gjërat kanë ndryshuar sepse lundrojmë në
një oqean librash të huaj. Po autorët shqiptarë ku janë? Librat e tyre
ndonjëherë janë të strukur nëpër zgëqe si diçka e dorës së dytë. Për
shkrimtarët nga Kosova apo Maqedonia e Veriut ka një lloj heshtjeje nuk
përmenden, kështu lexuesi brenda kufijve të Shqipërisë njihet fare pak ose
aspak me librat e Mehmet Krajës, Luan Starovës apo Kim Mehmetit e të tjerë.
Kohët
e fundit kam lexuar një autor kenian dhe një norvegjez, të cilët nuk më lanë
fort mbresa. Këtë e them sepse më pas lexova romanin “Zërat e natës” të autorit
dhe mikut tim, Grigor Banushi, ky roman është i shtati në radhë shkruar nga
autori (i kam lexuar edhe romanet e tjerë). Në të gjithë këta libra, autori
përshkruan me vërtetësi Shqipërinë e viteve të diktaturës dhe të viteve të
mëpastajme.
Kam
lexuar thuajse të gjithë librat e autorëve, të cilët kanë përshkruar jetën
nëpër burgjet komuniste apo internimet kështu mund të përmend At Zef Pllumin,
Pjetër Arbnorin, Visar Zhitin, Maks Velon e shumë të tjerë, por habia ime është
sepse Grigor Banushi nuk ka qenë as në burg, as në internim dhe përshkruan me
hollësi ato vise. Kjo është mjeshtëria e shkrimtarit.
Në
qendër të romanit përshkruhet jeta e një familjes shqiptare: burri shqiptar dhe
gruaja e huaj, (një nga ato 1200 fatzeza, të cilat për hir të dashurisë erdhën
të jetonin në Shqipëri). Këtë temë autori e kap fort dhe e shtjellon më së miri
duke përshkruar personazhet dhe vendet ku marrin shkas ngjarjet. Në mendje të
mbetet Jana, mikja e ngushtë e autorit, (romani është mbështetur edhe mbi
ngjarje dhe personazhe të vërtetë), së cilës i bien mbi kokë të gjitha
fatkeqësitë e familjes, po ashtu po veçoj figurën e urryer të spiunit të
Sigurimit Gaz Kërri e përshkruar në të gjithë ndohtësinë e saj. Aftësia
zhbiruese e shkrimtarit në vërtetimet kriminalistike apo njohuritë teknologjike
të kohës në të cilën po jetojmë janë për t’u admiruar. Romani është i ngjeshur
me ngjarje rrëqethëse që mbajnë ngrehur kureshtjen e lexuesit. Romanin e
përshkon që nga kryeja deri në fund një gjuhë e pasur, e rrjedhshme dhe e
gjallë. Ky është një roman shkruar me shpirt për të mos harruar kurrë të
kaluarën nën regjimin komunist. Për mendimin tim ky libër ia meriton të bëhet
film. Shumë urime dhe suksese Grigor Banushi!