E shtune, 27.04.2024, 02:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Lefter Duraj: Syzet e errëta dhe thinjat e mia

E diele, 11.04.2021, 11:27 AM


SYZET E ERRETA..., DHE THINJAT E MIA

-Cikël poetik nga Lefter Duraj

Botohet per here te pare ne ZemraShqiptare-

Libërthi im

S’di as vet, si unë e fillova,

Këtë libërth për fëmijë!

Pak nga pak e përfundova,

Bukur, thoshin, shokët e mi!

Bëje libër, - mua më tundonin,

Mirë më vinte, por edhe çudi!

Kurrë në mendje, s’do ma besoni,

Të kem shkruar unë, një libërth të ri!

Ja, u bë, u shtyp dhe libri u botua,

I vogël, i bukur si për fëmijë!

Urime mora dhe shumë u gëzuan,

Për promovim, - thanë - t’i bëji këtij!

Habinë time, ata s’e besuan,

E tepërt më dukej kjo histori!

Më tej të shkoja, mua më ftuan,

Me të tjera libra të pasonin tani.

Me shënjë bënte mbi libërthin tim,

Se rruga u hap me pak vështirësi,

Mendoja të dytin të bëja pa hezitim,

Një rrugë që nuk shoh më unë kufi…!

Fisnikëria

Të mbash boten në krah, ti e dëshiron,

Njerëzve tu japësh më shumë lumturi!

Kjo mirësi te ty triumfon gjithmonë,

Jo se u linde i tillë, ti je në befasi…!

Çdo qelizë e jotja, s’jeton dot pa të tjerë,

Mësuar herët ato, në adn-në zë fill,

Në kulmin e halleve u gjëndesh përherë,

Fisnikëria jote, virtyt i njerëzve të tillë!

Ti në hallet e tua, dikush të shfaqet në derë,

Buzëqeshjen e falë, të mbinë gjithë ëmbëlsi,

Të ndjejë ai ngrohtësinë, flladin si pranverë,

Drojtjen tjetrit ia fshin, shpirti yt gjen qetësi…!

Brenga

Dalë nga dalë, venitej te ty humori,

Si një vello gri dhe me pak trishtim.

Të peshon brenga si mal Tomorri,

Fort e mban, të mos ketë shpërthim!

Malin të shkrish në zgavra dhe shpella,

Në thërmija rërë ta shohësh nën këmbë

Dhe brenga të iki, siç largohet mjergulla!

Cicërima e zogut të sjellë ty atë këngë!

Këngë që çel lule e gjethe në pranverë,

Të hedh vellon në shpirtin tënd behar,

Lule shumëngjyrëshe zbukurojnë përherë ,

Dhe bletët që mbledhin në to nektar.

Kjo cicërim çel përsëri te ty humorin,

S’ka më brengë e trishtim ne sy,

Prej letër e kartoni të duket Tomorri,

Vetëm kjo cicërime, të ringjall ty…!

Syzet e errta

Syzat e errta i mban, ti mbi atë ball,

I ul shpeshherë, të shohësh përballe

Dhe vrengër nis shikimin, për çdo gjë,

Kesaj jete, pa i vënë bisht ti se lë!

Kokën ngre lart, andej e nis shikimin,

Edhe Diellit i'a fshin gjithë shkëlqimin,

Mijëra vjetdritë, e çon atë më largë,

Te duket top i mbuluar, i tëri në baltë!

Kurorës së pemëve u vesh një vello të zezë,

Luleve shumëngjyrëshe, trishtimin ua ndezë,

Dhe barit jeshil, ti ia thanë dhe atë pikë vesë,

Manushaqen duke çelur, e bën që të pres!

U vonon cicërimat zogjëve dhe dallandysheve,

Bletët çorientohen, në lulet shumëngjyrëshe,

Gjithë jetën e sheh gri, por më shumë të zezë,

Edhe gjelit i vonon këngën, herët në mëngjes!

Flaki tej ato syze, gjithë njerëzia po të qesh,

Rrezet e diellit ngrohin, buzëdetit ti të vesh,

Bora e bardhë maleve, thyen rrezet e diellit,

Në sytë e gjithëkujt dallojnë ngjyrat e ylberit!

Hiqi syzat e errta, sytë le t'i vrasë pak dielli,

Më qartë do të shohësh kaltërsinë e qiellit.

Botën shumëngjyrëshe që shpesh ndryshon,

Njerëzit, kafshët, pemët, çdo gjallesë që jeton!

Flaki tej syzat e errta, më mirë shikon pa to,

Ja, para teje një lule, gonxhet e para vështro.

Pa syze e kupton veten, sheh si gjallëron jeta,

Kur sheh vec me syzat e tua, s’duket e vërteta..

Loti im

E ndjeu syri se u lagë,

Ndjeu faqja të nxehtin tënd,

I gjithë trupi u bë vlagë

Të thirri ty lot, t'bëri vend!

Ah, ti lot që s'duron dot,

Që s’rri aty, fshehur në sy.

Del e thua: - si kristal jam,

Dhe kur qesh dhe kur qan!

Ah, ti lot, je i paduruar,

Sa sheh dy njerëz t’malluar,

Vrapin merre e del mbi faqe,

Sapo e fshije, tjetri shfaqet.

Ah, ti lot, po ti s’ke faj,

Sa i ndjeshëm sot jam,

Sa më shumë kalojnë vitet,

Ti je gati, t’rrish s'të pritet!

Ah, ti lot, s'të mbaj dot me zor,

Del papritur, të fshijë me dorë.

Fshehur rri, të mos shoh njeri,

Se ti më thua: - s'dua t'ia di!

Ah, ti lot, ti o lot i shkretë,

Pasi të fshijë ndihem më i qetë!

Faj ti s'ke se të detyron shpirti,

Gjurmët e jetës prej shumë viti!

Thinjat

Ju thinja, që dikur, ju shkulja një nga një,

Doja largë t'u mbaja, ashtu pa bërë zë!

Pas disa kohësh, shfaqeshin në vend tjetër,

Unë përsëri ju shkulja me pineskën e vjetër!

Nuk di pse ju më erdhët, te unë më parë,

Flokët e borës që zbardhin malin në majë!

Mua më qetësonit se më sillnit fisnikërinë,

Ndërsa unë ju shihja, po më merrnit rininë!

S'di si e humba mendjen, ca kohë pa u parë,

Ju mi kishit pushtuar të gjithë flokët mbarë!

Dhe qeshnit me mua që shihesha në pasqyrë,

Duke krehur thinjat dhe vrejtesha në fytyrë!

Shtoheshi përditë, më kujtonit fisnikërinë,

Mua më dukej, se po më afronit pleqërinë!

Me bojëra në dorë, u prishja këtë bardhësi,

Ju qeshnit e më thonit : - zbardhemi përsëri!

-Per ZemraShqiptare, nga Tirana, Prill 2021-



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora