Editorial
Prend Buzhala: Nga ekskomunikimi deri te mëkatari publik
E marte, 06.04.2021, 09:03 PM
NGA EKSKOMUNIKIMI DERI TE MËKATARI PUBLIK
(Replikë
me realitetin)
Nga
Prend BUZHALA
A ekziston sot shpallja e Mëkatarit Publik?
A ekzistojnë sot ndër ne forma të
ekskomunikimit, përjashtimit, anatemimit?
A ka herezi të dënueshme?
A nuk sulmojmë edhe sot dikë që mendon ndryshe
nga turma a nga politika “në pushtet” apo nga partia?
Ku e kanë rrënjën e tyre fenomenet e tilla?!
1.
Shkishërimi
dhe anatema dikur ishin forma të eksomunikimit tepër të rënda për njerëzit që i
takonin rrethit kishtar për "shkeljet më të rënda si përhapja e besimit të
rremë, sulmi ndaj Papës, etj." Në disa periudha, masat e tilla, deri te
anatemimet, sillnin pasoja katastrofike. Por me kohë, shkishërimi mori përmasat
e ekskomunikimit në fushat tjera të jetës shoqërore: përjashtimin nga një parti
politike, shoqërore apo organizatë (kulturore, fetare, sportive etj. etj.).
Ndërkaq, format e tilla të anatemimit a ekskomunikimit u përdorën në masë në
sistemet diktatoriale, si në regjimet komuniste e fashiste, apo në regjimet
dikatoriale e totalitare sot në disa vende aziatike e afrikane.
Në
demokraci, në shoqëritë e hapura, kjo frikë është zhdukur: nuk ka frikë nga anatemimet
e tilla. Anatemimet ekzistojnë ende në shoqëritë e mbyllura, ku ende individi
nuk është i lirë të zgjedhë këtë apo atë besim, këtë apo atë organizatë
politike apo shoqërore. Kompetencat disiplinore më nuk janë mjet i askujt
"për disiplinim" a eksomunikim të individit në gjirin e shoqërisë së
tillë, të hapur, siç janë ato europeërndimore. Hunter S. Thompson thotë:
"Në një shoqëri të mbyllur, ku gjithkush është fajtor, krimi i vetëm është
nëse të zënë (në veprën e krimit). Në një botë të hajdutëve, mëkati i fundit
është budallallëku."
Kësisoj,
kur shohim këto dy realitete: shoqërinë e hapur kundruall asaj të mbyllur,
eksomunikuese; bindemi se sa të padrejta e sa të kota ishin masat e anatemimit
politik, totalitar apo të çfarëdo natyre qofshin.
Por
kjo nuk do të thotë që në një shoqëri demokratike nuk ka fare rregull e
disiplinë, pikërisht pse fjala demokraci nënkupton, në radhë të parë, rendin,
rregullin e ndërgjegjshëm, disiplinën e ndërgjegjshme. Në religjion ende
ekzistojnë masat restriktive të displinimit, si agjërimet, përulja ndaj
rregullave fetare etj. "Unë nuk mendoj se ne ndonjëherë largohemi nga
frika e etiketimet dhe të qenit ndryshe. Është natyrë njerëzore të duash të
jesh pjesë e një komuniteti. Kjo është arsyeja pse shkishërimi dhe izolimi janë
forma kaq brutale të ndëshkimit", thotë Mat Bach, autor e veprimtar
politik anglez.
2.
Eh,
sa e sa mure të padukshme ngrihen e lartësohen rreth nesh, rreth qenies
njerëzore! Le t'i përfytyrojmë, për një çast, muret e moskomunikimit, mohimit,
indiferencës... braktisjes! Dhe me këto mure mëkatari publik përleshet me
thonj, ...me mendje, pra me mençuri...me ç’të mundet. I duhet ta ngrejë atë
edhe te ajo që nuk shihet... atë farë qëndrese e rezistimi, që mund të quhet
edhe HESHTJE, që në poezi me anë të metaforifikimin të epitetizuar mund të
quhet: kala e padukshme...Mandej vjen këmbimi kontrastues i TË DUKSHMES, ajo që
është mburojë durimi...
Në
shoqëritë e tilla tragjeditë shumëfishohen, kur mungon dialogu, d.m.th. të
paktën kur mungon një ngushëllim sa një kafshore zemre, siç na e thotë krijuesi
letrar- kundruall monologut që ther trishtueshëm.
Nuk
është e habitshme, pse në shoqëritë totalitare, të anatemuarit e të larguarit
nga komuniteti, përbënin atë bashkësi a lagje të ndërgjegjshme, që njerëzit, në
heshtje, i konsideronin më të lartësuarit. Më të lartësuarit në pikëpamje
shoqërore e njerëzore, por edhe fetare.
Moisi
Mendelssohn, një filozof gjermano-hebre, që ka vepruar në shekujt XVIII e XIX,
në kohën e përplasjeve të tilla iluministe me ato fetare, shkruante: “Lexues!
Ti që cilësdo kishë, sinagogë ose xhami që mund t’i përkasësh! Shikoni, a nuk
do të gjeni më shumë fe të vërtetë në mesin e ushtrisë së të përjashtuarve, se
sa në mesin e një ushtrie shumë më të madhe që i shkishëron ata?”
Përfundimisht
nuk ka njerëz të përsosur.
Le
ta theksojmë edhe një mendim interesant të piktorit Harry Weinberger:
“E
drejta më e madhe në botë është e drejta për të qenë i gabuar apo për të
gabuar. Nëse qeveria ose shumica mendojnë se një individ ka të drejtë, askush nuk
do të ndërhyjë kundër tij; por kur agjitatorët flasin kundër gjërave të
konsideruara të shenjta, ose kur radikalët kritikojnë, ose satirizojnë
perënditë politike, ose vënë në dyshim drejtësinë e ligjeve dhe institucioneve
tona, ose pacifistët flasin kundër luftës, atëherë do të shihni se si zgjohet
inkuizicioni i vjetër dhe ostracizmi, shkishërimi, burgu, rrota, dhoma e
torturave, turma, që thërrasin të shtypin shprehjen e lirë të mendimit.”.
Te
e fundit, ende nuk është kapërcyer historikisht ajo thënia e Jezu Krishtit. Tek
Ungjilli Sipas Gjonit (8,9), jepet shembulli i një veprimi të ndërgjegjshëm, në
fakt të një ndryshimi rrënjësor, revolucionar, të qëndrimit të ndërgjegjes. Ka
të bëjë me faktin e një prerjeje epokale: nëse Ligji i Moisiut thoshte se duhet
të vriten me gur ato gra që janë kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën;
Jezusi e thotë dhe e bën të kundërtën. Vijnë farisenjtë dhe skribët, që ia
prunë një grua që ishte zënë duke shkelur kurorën ... për ta vënë provë
Jezusin. Ndërkohë që ky Jezus po vazhdonte të shkruante me gisht në rërë, u
drejtohet farisenjve dhe skribëve. " 'Kush nga ju është pa mëkat, le ta
hedhë i pari gurin kundër saj!''... Dhe mu këtu ndodh VEPRIMI I NDËRGJEGJSHËM
EPOKAL: "Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u
larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu
Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes." E pra, Jezusi
arriti ta ndryshojë NDËRGJEGJEN E PËRBASHKËT SHOQËRORE - të gjuajtjes me gur,
një veprim që deri atëherë konsiderohej jashtë ligjit, po qe se veprohej
ndryshe.
Kjo
parabolë biblike na shtyn të mendojmë që edhe shoqëria jonë ka nevojë për një
QËNDRIM TË NDRYSHIMIT TË NDËRGJEGJES, jo sipas mendësisë së kaluar (kur shteti
konsiderohej i huaj, i pushtuesve dhe ne silleshim me të ose në mënyrë servile:
sipas normave dhe shprehive të pushtuesit, padrejtësisë; ose duke e luftuar atë
ndërgjegje pushtuese shoqërore e shtetërore). Do të thotë se ekzistonte
NDËRGJEGJA SERVILE ndaj pushtuesit (padrejtësisë) dhe ajo E REVOLTËS (E
PADËGJUERSHMËRISË QYTETARE) që rezultoi së fundmi me lirinë e Kosovës.
Fatmirësisht, kanë ndryshuar rrethanat, por fatkeqësisht jo edhe normat dhe
shprehitë e përparshme: servilizmi prodhoi trajta të reja të sjelljes kundër
shtetit, kurse shpirti i djeshëm kryengritës u transformua në një moral
individualist të përfitimeve personale.
Porse
ndërgjegjja ndryshon nga koha në kohë. Kërkohet që kjo ndërgjegje shoqërore jo
vetëm të zgjerohet, por edhe të zgjohet... që Kosova të konsiderohet SHTET YNI
...