Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Gjendja jonë e mjerë kombëtare
E premte, 19.03.2021, 09:39 PM
Ndue Ukaj:
Gjendjen
tonë të mjerë kombëtare si dhe rrëmujën shpirtërore e kanë analizuar shumë
shqiptarë të ditur që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët e sotme.
Por mjerisht, figurat shembullore i kemi dëgjuar pak, mendjehollët i kemi lënë
në harresë dhe në vend të tyre, u kemi dhënë krahë e forcë publike harbutëve e
batakçinjve të tërbuar, siç ngjet kohëve të fundit kudo në tokat e Arbnit.
Shkrimtari,
publicisti dhe diplomati Faik Konica ka shkruar shumë për veset shqiptare dhe
analizat e tij vejnë në pah natyrën e egër të karakterit shqiptar, trajtojnë
arsyet e prapambeturisë shqiptare, të cilat ai lidhte me pushtimin e gjatë
otoman dhe veset otomane të mbarsura në karakterin shqiptar.
Konica
ishte i rreptë dhe i pamëshirshëm me veset shqiptare, kurse analizat e tij,
edhe pas më shumë se një shekulli tingëllojnë aktuale si të ishin shkruar sot,
në Prishtinë e Tiranë, ku rrëmuja morale dhe politike vazhdon të jetë
dramatike.
Konica
në vitin 1906 fliste për vlerën e fjalës, të cilën shqiptarët e kohës së tij
s’e kuptonin:
"Gjer
kur shqiptarët kanë për të mbetur pa kuptuar vlerën e fjalëve? Në qoftë se ky
pakuptim shfaq vetëm padije, ahere sëmundja do të shërohet me kohë. Mjerisht,
unë kam frikë se mos dëfton jo vetëm padije, por një mungesë më të rëndë: mungesën
e dinjitetit. Një komb pa dinjitet nuk meriton, nuk mundet të çlirohet."
Por
mjerisht, shqiptarët edhe sot kanë një raport tejet negativ me fjalën.
A
shfaq kjo padije a mungesë dinjiteti, çështja mbetet e hapur, si në kohën e
Konicës.
***
Ibrahim
Rugova ishte i madh sepse e njihte lojën e pushtetit më mirë sesa politikanët
rutinorë, që shërbehen me klishe e mendime të vockla, prandaj mësimet e tij
politike janë oksigjen i pastër, sidomos në një ambient toksit politik, ku
mbretërojnë thashethemet e mendimet e shkreta, e ku gjuha politike është
reduktuar në një mishmash fjalish pakuptim.
"Thonë
se politika pa hile nuk bëhet. Megjithatë, sot janë kohë të tjera nga ato që
ishin dje. Ndoshta ky sukses lidhet edhe me faktin se si intelektual, përmes
shkencave moderne, kam mësuar për fshehtësinë dhe lojën e pushtetit më shumë
sesa që kanë ditur e dinë politikanët rutinorë, për të cilët punojnë ekipe të
ndryshme". I. Rugova, Gusht, 1990
Kurse
në planin gjeostrategjik politik, kulturor e civilizues, Rugova ishte i qartë
dhe nuk kishte dyzime politike, siç kanë disa politikanët që ndërrojnë mendimet
sa herë ndërrojnë stinët.
Postulati
politik dhe kulturor i Rugovës ishte i panegociueshëm dhe ky qe çelësi që
Kosovës ia çeli dyert të aleatë tanë me vlerë:
"Duke
qenë gjithmonë popull i proviniencës oksidentale me histori, me traditë dhe me
kulturë, në kuadër të proceseve të reja integruese evropiane, shqiptarët
dëshirojnë dhe kërkojnë të jenë të bashkuar në një proces të afrimit dhe të
bashkëpunimit në Evropë, me të drejta për vetëvendosje." I. Rugova, Gusht
1991