Editorial
Nikoleta Kovaçi: Në ferrin e “Casa Italia-s”!
E shtune, 27.03.2021, 04:01 PM
Në ferrin e “Casa
Italia-s”!
Nga
Nikoleta Kovaçi
Duket
se nëntoka është mbarsë me tym të zi! Del nga të katër anët! Asgjë së ndal! As
e pastron! As e izolon! Me të të duket se vjen një klithmë jete. Nga çdo skutë
që vjen tymi, pret se po të del një zë! Me vete ndërton heroin; atë që do të
doje në atë moment t`i thoje Arjanit se të shpëtoj unë! Se jam aty për ty e
s’të lë në atë batërdi terri e ferri! Do të doje të ishe kandil ta ndezësh
nëntokën e betontë të asaj ndërtese që nga brinjët nxjerr shkumë paniku e
tmerri, ndërsa një familje ka vu kujën e humbjes së të birit! Edhe njerëzit e
saj, edhe miqtë! Tashmë asnjë shpresë nuk gjendet ma në jetën e tyre për
gjetjen me frymë të Arjanit. Më kot tenton t`u japësh forcë! Ata i janë
dorëzuar fatit të tyre të keq!
***
Një
mjet zjarrfikës ulëret në autostradë. Nxiton gjasmë për tek vendi i ngjarjes.
Unë shkoj më parë në këmbë se sa vjen ajo! Po ashtu edhe një mjet policie.
Shqipëria është e gjithë në grackën e ngritur nga pushtetarët e saj. S`ka rrugë
që të sjell në asnjë vendngjarje asnjë mjet shpëtimi, ani pse ata janë thuajse
të gjithë jashtë funskioni. S`ka zjarrëfikëse; janë të vjetra dhe s`kanë asnjë
pajisje! Madje edhe zjarrëfikësit janë të vjetër. Më shumë ngjajnë me tesera
partie se sa më heronj, ata burrat që lumturojnë me praninë e tyre edhe në një
lagje jo më në një pallat! S`ka as mjete të tjera të specializuara për të hy në
zemrën e ferrit, atje ku të gjithë presin të gjendet Arjani, djali që hyri të
shpëtonte të tjerët dhe mbeti vetë brenda! Në fakt ngado që tentohet të hyhet,
kudo del tym, apo ngado që vjen një shkëndi flake, aty të duket se gjendet edhe
vendi sekret që ka izoluar përjetë të riun. Çdo tentativë e një grupi djemsh të
rinj, me thy xhamat e një dyqani për të parë aty brenda me elektrik dore të
mban ngërthyer e pafrymë a thu se ata do ta nxjerrin nga aty Arjanin! Nëntoka e
asaj godine nuk dorëzohet! E mban aty Arjanin e nuk lë madje askënd t`i
afrohet. Zjarrëfikëset i kanë shtrirë aty tuba uji. I lidhin në të katër anët
se janë të çarë; një Zot e di që kur janë pa u ndërruar! Grupi të zjarrëfikësve
u janë bashkuar djem të fuqishëm, trup mëdhenj që tentojnë t`u japin zemër dhe
kurajo ekipit të lodhur të zjarrëfikëseve por asgjë nuk mund të zhbëhet;
Arjani, djali 31 vjeç, nga Tirana, i punësuar në sektorin e sigurisë, nuk është
gjendur ende!
***
Një
mjet policie qëndon në hyrje të godinës. Katër-pesë zjarrëfikëse gjenden
anësoren e ndërtesës nga tri dritare, diku 1 mbi tokë nxjerrin shkulma tymi të
zi. Kërkimet janë poërqendruar në pjesën e pasme të godinës dhe prej këtej
tentohet të kryhet furnizimi me ujë te mjetet e tjera. Policia më tepër
kujdeset për kalimtarët-kureshtarë pse nuk kanë maskë se sa të orientojnë
qytetarët të mos i afrohen asaj zone të rrezikshme. Madje askush nuk ndalon
askënd dhe askush nuk di të thotë se edhe sa kohë i duhet asaj grope
gllabëruese të nxjerrë tym e kërcënim?
Prokuroria
nuk ka mbërritur në vendin e ngjarjes, policia thonë se ka punë në shesh; i
duhet të ndajë partitë të mos kalojnë në territoret e njëra-tjetrës se krijojnë
hasmërira; drejtuesi i zjarrëfikëseve ishte zemëruar se familjarët e kishin
zgjuar herët nga gjumi i mëngjesit të sotëm; ushtria ishte vënë në siklet të
madh se nuk ka mjete dhe as kohë të shkojë në vendvdekjen e një djali që nuk i
dihet teseren e kujt partie mbante! Kryeministri, ministrat, politikanët,
kandidatët, njerëzit që kurojnë fushatat elektorale nuk kishin mundur të linin
asnjë sekond angazhimet për të shkuar në atë vend ku një familje prej më shumë
se 24 orësh pret t`i dalë djali nga ajo rrënojë e kallur!
***
Nga
një dyqan rrobash dalin shtëllunga të zeza dhe të rënda tymi. Të duket sikur
nga aty del edhe fryma e fundit e asaj çka ndodhet në bodrumet e ndërtesës.
Përballë saj, i përhumbur në ato grushte tymrash rri i vetëm një burrë! Ka një
maskë të dalë boje e funksioni. Ka frikë se nuk e di kush jam, ndonëse më sheh
pa maskë, ai sërish mundohet ta ndreqë atë zhel të zhubrosur nga llava e
nëntokës!
“E
kam njeri t’imin Arjanin. Është e rëndë shumë. S`dimë më ç`të bëjmë. Sikur të
vinin dje, në kohë, të paktën do ta gjenim trupin. Tani s`kemi më asnjë
shpresë. Familja e tij është në kulmin e dëshpërimit. Aty mund të ishte djali i
kujtdo. Askush s`na i hapi telefonat, as na erdhi dje, as mbrëmë. I sheh
zjarrëfikësit si janë? Më të vjetër se unë. Ata e kanë të pamundur t`i
përgjigjen kësaj situate të çmendur! Ja, kanë ardhë ca çuna. S`di kush janë.
Ata kanë elektrikë dore, i kanë sjellë nga shtëpië e tyre. tentojnë të hyjnë
nëpër skuta ku munden me idenë për të kuptuar se çpo ndodh atje poshtë. Shteti
s`na ka sjellë asgjë. Si nuk i vjen turp; do të na sjellë vaksina e këta nuk
kanë një tup të përcjellin ujin se iu rrjedh! Nuk di; këtu kemi parë llahtar që
mbrëmë! Thonë që është edhe një djalë i ri i humbur po nuk dimë asgjë; askush
nuk na flet për situatën përveç asaj që kuptojmë vetë! Ne djali na ka ikur, po
të paktën t`i gjejmë trupin...”!
Dridhet
i tëri dhe sapo sheh lëvizje të ndonjë zjarrëfikësi që vrapon ai niset pas tij.
As vetë nuk e di pse e bën, por më pas thotë: E, asgjë s`kanë gjetur, kot
rropatën”!
***
Një
shkëndi elektrike thuhet se ishte shkaku i atij zjarri fatal që duket që ka
mbajtur brenda vetes të riun Arjan Sala. Nuk dihet për të tjerë; asgjë nuk
është thënë edhe pse kanë kaluar 24 orë se sa punëtorë, shkarkues apo paketues
malli janë gjendur brenda në momentin e shpërthimit të flakëve. Informacioni
për shpërthimin e zjarrit u minimizua. Askush nuk e mori seriozisht. Për të mos
rënë ndesh me paktin e reklamimit të biznesit që po digjej, mediat shmangen
emrin e godinës. Për pasojë edhe familjarët dhe njerëzit e personave që u gjenden
aty nuk e ditën se në çfarë vendi ka rënë zjarr të telefonin njerëzit e tyre
ose të lëviznin në kohën e duhur drejt vendit të ngjarjes. Paktet antihumane që
janë vendosur mes palëve që përfshihen në interesa ekonomike në këtë vend bëri
që mos të përhapej informacioni i saktë por të lihej ngjarja si një zjarr i
zakonshëm në një prej dyqaneve të zonës së “ish-Doganës”! Në fakt vendi ka
krejtësisht emër tjetër. Gjendet në hapësirë tjetër dhe se zjarri nuk ishte
thjesht një shkëndi apo bombël gazi por një shpërthim brenda qendrës që ka
tronditur të gjithë të pranishmit! Anashkalimi i momenteve të para të zjarrit
solli edhe pasojën fatale ku prej rreth 30 orësh godina është nën pushtetin e
tymit ku askush nuk di se çfarë po luhet në bodrumet ku ra zjarri!