E marte, 19.03.2024, 02:09 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906

E diele, 11.10.2020, 06:29 PM


E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906

Nga Elvi Sidheri

Në përpjekje për ta treguar historinë me "fakte", jo legjenda apo gojëdhëna, ky shkrim do të synojë të zbardhë përmes dëshmive të kohës, një të vërtetë historike të munguar, akoma të mjegullt apo thjesht edhe krejtësisht të panjohur gjer në ditët e sotme.

Për këtë qëllim do të përqendrohemi veçanërisht në një ngjarje me pasoja madhore në historinë e Korçës dhe Shqipërisë, vrasjen e Foti Kalpidis, mitropolitit antishqiptar të Korçës në vitin 1906, ngjarje për të cilën 114 vite thuren legjenda, duke iu shmangur përherë përcaktimit të saktë të autorëve të kësaj vepre patriotike, kundër një njeriu që përfaqësonte qëndrimin më të skajshëm armiqësor ndaj gjuhës shqipe (por edhe kulturës arumune) në rajonin e Korçës dhe trevat përreth, teksa prej kohësh autorësia e këtij akti i është taksur shumëkujt, përveç autorëve të saj të mirëfilltë...

E pra, sipas burimeve bullgare të kohës që unë kam hulumtuar me vëmendje ndër vite, dy vrasësit e vërtetë të Foti Kalpidis më  datë 9 Shtator të vitit 1906 në fshatin Bradvicë të Devollit, janë saktësisht Apostol Kushkona dhe Athanas Nasto, të dy nga fshati Plasë i Korçës (ku Foti Kalpidis i shpëton një atentati në vitin 1905 sakaq), dhe kjo vrasje sipas të gjitha gjasave kryhet për llogari të patriotëve dhe çetave shqiptare me në krye Bajo Topullin, si hakmarrje për veprimtarinë e Kalpidisit kundër gjuhës shqipe, vrasjen e Papa Kristo Negovanit, dhe gjithashtu armiqësinë ndaj kulturës arumune.

Kjo është historia e kësaj ngjarje përmbledhtas, por nëse shikojmë pak më në thellësi, mund të japim edhe të dhëna të mëtejshme për kryerësit e kësaj vepre madhore patriotike, rrethanat e kohës, dhe jetën e tyre, duke synuar që të hedhim dritë jo vetëm mbi ngjarjen në fjalë, që paskëtaj do të linte gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare duke shenjuar veprimtaritë komito-patriotike shqiptare të fillimit të shekullit XX, por gjithashtu t’u japim nderimin e duhur edhe dy komitëve nga Plasa e Korçës, që patën kurajën dhe vendosmërinë për të bërë një akt të tillë, për të cilin flitet edhe në ditët e sotme, duke lënë në hijen e padenjë të harresës emrat e tyre krejt padrejtësisht.

Apostol Kuçkona, ose Kushkona, varësisht sipas interpretimeve të mbiemrit të tij, do të lindte në fshatin Plasë të Korçës dhe pas vrasjes së Foti Kalpidis, bashkë me njëfarë komiti me emrin Stavre nga fshati Vërbeni i Follorinës, do të arrestohen paskëtaj nga turqit në fshatin Smërdesh afër Kapshticës në shkurtin e vitit 1907, por do të lirohen pas amnistisë së shpallur nga Xhon Turqit një vit më tutje, në 1908.

Ndërsa personazhi i dytë i kësaj historie kaq gjatë të panjohur (mbase edhe të injoruar mirëfilli, me dashje apo rastësisht) për publikun e gjerë, ndërkohë që vrasja e Foti Kalpidis është shndërruar në sinonim të luftës patriotike për gjuhën dhe meshën shqipe në vitet e fundit përpara shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,  është pikërisht Athanas Nasto.

Gjithashtu i lindur në fshatin Plasë të Korçës më 24 korrik të vitit 1879, Athanas Nasto do të arsimohet mes vendlindjes (me gjasë duke marrë mësime nga patrioti Papa Llambro Ballamaçi) Korçës, Beratit dhe Liceut Rumun të Manastirit, dhe më vonë, si plot korçarë të tjerë do të mërgojë në SHBA, nga ku kthehet në 1905 dhe përfshihet në lëvizjet e armatosura komite kundër andartëve.

Çeta e udhëhequr nga Athanas Nasto dhe Apostol Kuçkona do të luftojë kundër andartëve dhe turqve në zonën e Plasës, Dishnicës, Drenovës, Boboshticës, Pogradecit e Bilishtit, gjer në Ohër ndërkaq.

Nga të dhënat e kohës, nuk gjehet asnjë fakt që të dëshmojë se çeta e Athanas Nastos dhe Apostol Kuçkonës të ketë pasur ndonjëfarë mbështetje, qoftë nga shteti rumun, siç nuk do të kish qenë aspak e habitshme, për shkak të origjinës së tyre nga Plasa me rrënjë arumune, por gjithaq çeta e tyre nuk angazhohet në veprimtari të përbashkëta luftarake as me komitët bullgarë të VMORO.

Rrjedhimisht, kuptohet vetvetiu se këta dy komitë korçarë nga fshati Plasë, kanë luftuar për hir të idealeve kombëtare të përbashkëta mes arumunëve dhe shqiptarëve, njëlloj si patrioti Papa Llambro Ballamaçi, që do të masakrohej nga andartët e drejtuar nga kapiteni Vardas më 23 mars 1914 në Korçë, fajtor për ngulmin dhe pasionin e tij për t’u mësuar fëmijëve shqipen dhe vllahishten në shkollat e hapura prej tij.

Papa Llambro Ballamaçi, mik e bashkëpunëtor i ngushtë me Naim Frashërin, gjithashtu në vitin 1905, do ta dëbonte nën breshërinë e gurëve metropolitin Foti Kalpidis, dhe për këtë ngjarje Papa Llambro do të akuzohej dhe do të arrestohej nga autoritetet turke, për tentativë vrasje.

Veprimtaria e tyre patriotike vijon deri në vitin 1908, kur pas Revolucionit të Xhon Turqve, Athanas Nasto dhe çeta e tij e komitëve do të hyjë gjithashtu në Korçë.

Më vonë Athanas Nasto mërgon në Rumani në vitin 1916 ku do të bëhet pjesë e jetës politike dhe arrin të mbulojë edhe postin e shefit të policisë në Husi të Moldavisë.

Athanas Nasto ndërron jetë në vitin 1927, ndërsa vëllai i tij, Konstandin Nasto do ta vijojë jetën në Sent Luis të SHBA.

Për ta plotësuar këtë histori me faktin e fundit, përgjegjësinë për vrasjen e Papa Kristo Negovanit e bashkëndajnë mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangelis dhe kapedani andart me origjinë nga ishulli i Kretës, i quajtur Joanis Pulakas, i cili në krye të çetës së tij të përbërë nga thuajse njëqind andartë, më 12 Shkurt të vitit 1905 do të masakrojnë Papa Kristo Negovanin.

Nderim këtyre patriotëve dhe veprës së tyre!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora