| E diele, 11.10.2020, 07:29 PM |
E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906
Nga
Elvi Sidheri
Në
përpjekje për ta treguar historinë me "fakte", jo legjenda apo
gojëdhëna, ky shkrim do të synojë të zbardhë përmes dëshmive të kohës, një të
vërtetë historike të munguar, akoma të mjegullt apo thjesht edhe krejtësisht të
panjohur gjer në ditët e sotme.
Për
këtë qëllim do të përqendrohemi veçanërisht në një ngjarje me pasoja madhore në
historinë e Korçës dhe Shqipërisë, vrasjen e Foti Kalpidis, mitropolitit
antishqiptar të Korçës në vitin 1906, ngjarje për të cilën 114 vite thuren
legjenda, duke iu shmangur përherë përcaktimit të saktë të autorëve të kësaj
vepre patriotike, kundër një njeriu që përfaqësonte qëndrimin më të skajshëm
armiqësor ndaj gjuhës shqipe (por edhe kulturës arumune) në rajonin e Korçës
dhe trevat përreth, teksa prej kohësh autorësia e këtij akti i është taksur
shumëkujt, përveç autorëve të saj të mirëfilltë...
E
pra, sipas burimeve bullgare të kohës që unë kam hulumtuar me vëmendje ndër
vite, dy vrasësit e vërtetë të Foti Kalpidis më
datë 9 Shtator të vitit 1906 në fshatin Bradvicë të Devollit, janë
saktësisht Apostol Kushkona dhe Athanas Nasto, të dy nga fshati Plasë i Korçës
(ku Foti Kalpidis i shpëton një atentati në vitin 1905 sakaq), dhe kjo vrasje
sipas të gjitha gjasave kryhet për llogari të patriotëve dhe çetave shqiptare
me në krye Bajo Topullin, si hakmarrje për veprimtarinë e Kalpidisit kundër
gjuhës shqipe, vrasjen e Papa Kristo Negovanit, dhe gjithashtu armiqësinë ndaj
kulturës arumune.
Kjo
është historia e kësaj ngjarje përmbledhtas, por nëse shikojmë pak më në
thellësi, mund të japim edhe të dhëna të mëtejshme për kryerësit e kësaj vepre
madhore patriotike, rrethanat e kohës, dhe jetën e tyre, duke synuar që të
hedhim dritë jo vetëm mbi ngjarjen në fjalë, që paskëtaj do të linte gjurmë të
pashlyeshme në historinë shqiptare duke shenjuar veprimtaritë komito-patriotike
shqiptare të fillimit të shekullit XX, por gjithashtu t’u japim nderimin e
duhur edhe dy komitëve nga Plasa e Korçës, që patën kurajën dhe vendosmërinë
për të bërë një akt të tillë, për të cilin flitet edhe në ditët e sotme, duke
lënë në hijen e padenjë të harresës emrat e tyre krejt padrejtësisht.
Apostol
Kuçkona, ose Kushkona, varësisht sipas interpretimeve të mbiemrit të tij, do të
lindte në fshatin Plasë të Korçës dhe pas vrasjes së Foti Kalpidis, bashkë me
njëfarë komiti me emrin Stavre nga fshati Vërbeni i Follorinës, do të
arrestohen paskëtaj nga turqit në fshatin Smërdesh afër Kapshticës në shkurtin
e vitit 1907, por do të lirohen pas amnistisë së shpallur nga Xhon Turqit një
vit më tutje, në 1908.
Ndërsa
personazhi i dytë i kësaj historie kaq gjatë të panjohur (mbase edhe të
injoruar mirëfilli, me dashje apo rastësisht) për publikun e gjerë, ndërkohë që
vrasja e Foti Kalpidis është shndërruar në sinonim të luftës patriotike për
gjuhën dhe meshën shqipe në vitet e fundit përpara shpalljes së pavarësisë së
Shqipërisë, është pikërisht Athanas
Nasto.
Gjithashtu
i lindur në fshatin Plasë të Korçës më 24 korrik të vitit 1879, Athanas Nasto
do të arsimohet mes vendlindjes (me gjasë duke marrë mësime nga patrioti Papa
Llambro Ballamaçi) Korçës, Beratit dhe Liceut Rumun të Manastirit, dhe më vonë,
si plot korçarë të tjerë do të mërgojë në SHBA, nga ku kthehet në 1905 dhe
përfshihet në lëvizjet e armatosura komite kundër andartëve.
Çeta
e udhëhequr nga Athanas Nasto dhe Apostol Kuçkona do të luftojë kundër
andartëve dhe turqve në zonën e Plasës, Dishnicës, Drenovës, Boboshticës,
Pogradecit e Bilishtit, gjer në Ohër ndërkaq.
Nga
të dhënat e kohës, nuk gjehet asnjë fakt që të dëshmojë se çeta e Athanas
Nastos dhe Apostol Kuçkonës të ketë pasur ndonjëfarë mbështetje, qoftë nga
shteti rumun, siç nuk do të kish qenë aspak e habitshme, për shkak të origjinës
së tyre nga Plasa me rrënjë arumune, por gjithaq çeta e tyre nuk angazhohet në
veprimtari të përbashkëta luftarake as me komitët bullgarë të VMORO.
Rrjedhimisht,
kuptohet vetvetiu se këta dy komitë korçarë nga fshati Plasë, kanë luftuar për
hir të idealeve kombëtare të përbashkëta mes arumunëve dhe shqiptarëve, njëlloj
si patrioti Papa Llambro Ballamaçi, që do të masakrohej nga andartët e drejtuar
nga kapiteni Vardas më 23 mars 1914 në Korçë, fajtor për ngulmin dhe pasionin e
tij për t’u mësuar fëmijëve shqipen dhe vllahishten në shkollat e hapura prej
tij.
Papa
Llambro Ballamaçi, mik e bashkëpunëtor i ngushtë me Naim Frashërin, gjithashtu
në vitin 1905, do ta dëbonte nën breshërinë e gurëve metropolitin Foti
Kalpidis, dhe për këtë ngjarje Papa Llambro do të akuzohej dhe do të arrestohej
nga autoritetet turke, për tentativë vrasje.
Veprimtaria
e tyre patriotike vijon deri në vitin 1908, kur pas Revolucionit të Xhon
Turqve, Athanas Nasto dhe çeta e tij e komitëve do të hyjë gjithashtu në Korçë.
Më
vonë Athanas Nasto mërgon në Rumani në vitin 1916 ku do të bëhet pjesë e jetës
politike dhe arrin të mbulojë edhe postin e shefit të policisë në Husi të
Moldavisë.
Athanas
Nasto ndërron jetë në vitin 1927, ndërsa vëllai i tij, Konstandin Nasto do ta
vijojë jetën në Sent Luis të SHBA.
Për
ta plotësuar këtë histori me faktin e fundit, përgjegjësinë për vrasjen e Papa
Kristo Negovanit e bashkëndajnë mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangelis
dhe kapedani andart me origjinë nga ishulli i Kretës, i quajtur Joanis Pulakas,
i cili në krye të çetës së tij të përbërë nga thuajse njëqind andartë, më 12
Shkurt të vitit 1905 do të masakrojnë Papa Kristo Negovanin.
Nderim
këtyre patriotëve dhe veprës së tyre!